Nga Kristaq F.
Shabani, shkrimtar nga Shqipëria
Prologim dritësor
Kohët e sotme janë kohë të lulëzimit modernist dhe të daljes nga “prangimi” dhe
“ganxhimi”, i të cunguarve me emër pronor, që dolën nga “Lëvozhga mit” dhe
elegjuan “vargjet vrara” tregojnë për përçapje studimore jashtë “kuadraturës
kriteriale “ e normativave moralizuese…
Ende në studimet apo mendimet kritike thuren lavde të pameritueshme për
krijues, që shkuan apo që janë aktualisht, pa i këndvështruar ata me sensin e
origjinalitetit dhe të prezencës “autoritare“ të kreaturës së tyre…, por shpesh
ndiqet përvijimi i rrugëtimit të tyre, nëpërmjet asaj ç’kanë thënë të
dikurshmit, të cilët kanë humbur logjikën” e mendimit kritik, në këtë kohë të
ndryshimeve të gjithanshme dhe atyre emotive, duke mos kapur fillin e
najlonizuar...
Krijimi është produkt i një të talentuari me forcë të madhe meditative, me një
këndvështrim ndryshe nga të tjerët, i cili dritësohet nga një diell tjetër dhe
është i aftë të krijojë lidhësinë shpirtërore në një formë e trajtë çudibërëse
dhe në një klimë polarizuese me stina të kthyeshme, të ndërthurura dhe të
ndërvarura nga njëra - tjetra. Sot me studime dhe mendim kritik merren dhe ata,
që s’kanë minimumin e njohurisë për këtë shkencë të madhe, duke krijuar
precedentin e rrezikshëm të vulgarizimit dhe të skeptricizmit të mediokritetit.
Ndërmarrja e veprave të studimit analitik në këtë vrullshmëri dhe stad krijimi
me një temperament e stil më të lirshëm, më të pushtetshëm kreativ është një
veprimtari, e cila kërkon nivel të lartë kulturor. Shtëlljesë:
Libri “OLIMPI SHQIPTAR”, I FLORI BRUQIT, është një libër voluminoz, i cili edhe
nga aktitektura si dhe nga kapitullizimet e tij tregon katërcipërisht
erudicionin, nivelin e njohurive të autorit, lëvrues dhe studiues në shumë
fusha, duke bërë analitika dhe paraqitje profesionale. Në këtë libër, duke u
nisur nga shijet e tij artistike, që duhen
respektuar, ai ka rrokur disa nga poetët shqiptarë si: Azem
Shkreli, Agim Vinça, Fatos Arapi, Arshi Pipa, Avdulla Konushevci, Esat Mekuli,
Agim Bacelli, Besnik Mustafaj, Arif Molliqi, Din Mehmeti, Naim Kelmendi, Sabri
Hamiti, Fahredin Shehu, Rajmonda Moisiu, Mardena Kelmendi, Pal Sokoli, Albana
M. Litschin, Raif Gashi dhe Iljaz Prokshin..
Përzgjedhje autoriale
Kjo është një përzgjedhje autoriale, duke u nisur nga këndvështrimi i tij i
pavarur dhe i lirë poetik, nga pëlqesat personale kritike, apo nga mendimet kritike
të dhëna për këta poetë.
Azem Shkreli trajtohet në këtë vepër të Flori Bruqit si poeti, që zë vend në
krye të poezisë moderne shqiptare si dhe e evidenton si impulsues të një sensi
dinamik, të një spektri zgjerues tematik, të një risie lirike si dhe të një
pasurimi ngjyror të fjalësit në sensin figurativ të ndjesisë. Jep një panoramë
dinamike të Azem Shkrelit, duke paraqitur veprat e tij të botuara në disa gjini
si poezi, prozë, drama e tjerë.
Azem Shkreli cilësohet si kthesuesi i parë drejt modernitetit në letërsinë
shqiptare. Edhe në lëmimin prozaik autori evidenton Shkrelin si thyerës i
tabusë dhe marrës i kthesës së mirëfilltë në letërsinë kosovare dhe atë
shqiptare me romanin “Karvani i Bardhë” si dhe me tregimet në librin “Sytë e
Evës”.
I shquar në lirikat e para (vendlindja dhe njeriu në epiqendër të krijimit), të
pasuara me lirikat e dashurisë, lirikat atdhetare, lirikat refleksive.
Një nga karakteristikat më madhore të këtij produkti lirik dhe poetik është se,
Shkreli në kreaturën e tij ishte i prirë drejt meditatimeve filozofike. Për të
argumentuar përfundimin e tij logjik studiuesi, shkrimtari Bruqi, ilustron me
poezi të Shkrelit me tituj intrigues si: “Bregu i Mollës”, “Këngë e Vrugët”,
“Motivet e verdha”, “Para elegjisë”, “Liqeni”, “Kënga e turpshme” e tjerë.
Duhet theksuar se periudha, kur jetoi dhe shkroi Azem Shkreli ishte një
periudhë tensionare, e indokrinuar, e trajtesave ditirambore dhe e produktit
kënaqësor, një periudhë, ku shembëlltyra poetike devijohej me urdhëresa në
“korsi” të njëjta, apo starte të njëjta dhe precipitimi vetiak ndëshkohej, ndaj
rrugëtimi në “rrugë të pashkelura” duhet të ishte i studiuar me mjaft vëmendje
nga krijuesi, por përmasat figurative duhet të ishin të një lartësie e
përzgjedhje, por të buruara nga një spontanitet i nevojshëm, për të shmangur
rakitizmin (proliksitetin), i cili ishte kryefjala e krijimtarisë së poezisë
dobësore inervore e kohës, ku ditirambi dhe natyra krijuese stimulonte pa nerv
“ecuritë” këmbërënë dhe ecjet në urat lëkundëse...
Nëse sot analizon poezitë shkreliane me një këndvështrim tjetër të ecurisë
poetike në kontekstin e shkëmbimit universal të vlerave do të diktosh që, paçka
nga mospërkthimet në gjuhë të huaja të kësaj kreature, ruhet supermacia dhe
dinamika e krijimit, nga shkathtësia frazore dhe figurative, nga fjala e
përkorë, nga vrullimi e gjallesa e përcjellshmërisë së idesë, nga arkitektura
poetike.
Por duhet theksuar se bukuria lirike e Shkrelit të befason, por në disa raste
kalon edhe në momente moralizuese, tonaliteti, paçka nga figurimi si psh. te “Para elegjisë” poezia fillon mjaft bukur dhe precipiton
po bukur me natyrshmëri dhe ndjesi, por: … Një ditë do t’i hash buzët e tua,
gjurmët e tua do t’i pështysh... (ka rënie të diagramës poetike dhe duhet të
kishte gjetje figurative), pastaj poezia përsëri uniformohet dhe del në udhën që
kërkohet, deri sa arrin te “epilogu”, i cili merr “krahë moralizues”.
Ruaju,moj se vashat më të bukura i vret bukuria e vet,... paçka nga filozofia
mbartëse, pasi poezia e modernitetit i ruhet moralitetit të hapët, pasi humb
melodicitetin, e shpreh moralitetin me aftësinë e ndritshme të vargut. Kjo mund
të thuhet edhe për “Katër këshilla vetes” ( janë vetëm tri këshilla në fakt dhe
jo katër, pasi një është e ripërsëritur dhe nuk ka vlerë të katërt), të cilat
me me shenjën pikësore pikëçuditëse, janë kthyer në tone urdhërore për veten
dhe krijuesit e tjerë.
Konteksti përmbajtësor i kësaj poezie është kontradiktor... Këshillën e parë të
Shkrelit, që ia ka vënë vetes e mbartin poetët e rinj si lajtmotiv! Një bukurim
poetik është poezia “Nënat”, e cila ka një rrjedhë gjallësore, të ndritshme, të
figurshme, të buruar nga një shpirt poetik analitik dhe tepër i aftë për të
diktuar bukuritë e nënës.
Bruqi ka evidentuar në përfaqësuesit më me zë të letërsisë shqipe, poezinë
shqipe, poetin dhe studiuesin Agim Vinca . Kam mendimin se Vinca ka kontribute
dhe shërbesa të mëdha në letërisë shqipe, sidomos në studimet e saj, dhe drejt
thuhet në librin “OLIMPI SHQIPTAR” se është një studiues i dalluar dhe ka
meritë edhe në guximin e tij intelektual.
Një vlerë e tij është: i përkthyer në disa gjuhë si hebraike, vietnameze,
maqedonase, kroate, sllovene, polake, ruse, frënge, italiane, gjermane,
angleze, turke, arabe e tjerë. Në këtë kontekst është ndër të parët dhe vlen të
përmendet për kontribut. Vetëm një studim analitik i poezive të paraqitura në
librin e Flori Bruqit dhe me një krahasim logjik me krijimtarinë shkreliane,
Vinca paraqitet i zbehtë në poezinë e tij.
Dua të veçoj poezinë “Paradoks”, e cila është në pëlqesën time, por me një
heqje të që –së në vargun e tretë... “Glosë për Çamërinë”, një poezi tërësisht
e dobësuar, me pak vargje poetikë, paçka çfarë kërkon të thotë... Më saktike
dhe më e precipituar nisma e poemës për Familjen Jashari...
Duhet theksuar se poezia e mendimit konciz kërkon “mbrujtje të madhe “ . Po kështu mendoj se poezia “Mora Rrugën për në Qafë
Thanë” , mendimi i poetit ka mbetur në vargje proliksë...
E njëjta gjë mund të thuhet edhe për “Psalm për Shën Naumin” ai mbetet në
pozicion konstatues dhe precipitimi i vargut të fundit tregon një pasthirrmim i
dalë jo vetëm nga shpirti i ndjerë poetik , por edhe nga shpirti i çdo njeriu...
Pra nuk ka lulim poetik...
Kështu mund të flitet edhe për “Betimi (Anno Domini1999),i cili ndoshta ka
nëpër të ca vargje impozantë. Doja të theksoja se studiuesi duhet të jetë dhe
poet i nivelit, edhe i shkolluar, për të realizuar një zbërthim analitik të
krijimit.
I nderuar Bruqi, me këtë substrakt poetik të përsjellë për Vincën, nuk
justifikohet, sa duhet dhe si duhet prezenca e tij poetike si i “spikatur “, që
motivohet prej jush në këtë libër voluminoz,kur mund të përzgjidheshin nga
krijimet e tij poezi të tharmit.
Vendosja e Arapit në këtë libër është e përligjur. Arapi e meriton vendi e tij
në këtë “kolanë” të letërsisë e të poezisë shqipe. Duhet theksuar se Arapi ka
patur aftësinë të poetizojë me shumë patos dhe lirizëm.
Po kështu duhet evidentuar se, “rrudhimi kohor” nuk ka vepruar vetëm në
Shqipëri dhe s’ka ndikuar vetëm këtu në krijimtarinë letrare të krijuesve
shqiptarë, por shumë edhe në Kosovë, ku, përveç të tjerash ka pasur edhe
“flirtime” poetike të detyruara, ashtu sikundër ka pasur edhe represione,
reprezalje ndaj krijuesve...
Për poetin Fatos Arapi është folur shpesh dhe zoti Bruqi bën një analitikë të
kujdeshme për diagramën poetike të këtij poeti. E magjishme poezia e tij për
Atdheun... Atdheu yt i vogli, i vogli./ Ai hyjnori i pavdekshi – loti,duke mos
mohuar kreaturën e Fatos Arapit, doja të theksoja se dhe poezia e tij nuk i ka
shpëtuar rrëfimit, aftësisë rrëfyese dhe, hera – herës, në disa krijime të tij
ka rënie, s’ka figurim, paçka se do të shprehë gjendje, ka tepëri dhe zgjatje
të panevojshme, të cilat me një përqëndrim më të madh Arapi mund t’i kishte
krasitur vetë, duke mos luftuar për një koincizitet poetik dhe të latuar mirë.
Kjo poezi ka trajtë afër modernes, por ka dhe tonalitete deklarative.
Kjo që theksova më lart nuk e zbeh aspak kreaturën e Fatos Arapit... Nuk dua të
zgjatem me këtë poet, pasi të them të drejtën nuk kam parapëlqesë për rimëzimet
të formës apo trajtës të puthur, apo përdorimet e rimimeve foljore më
nervozojnë së tepërmi, pasi humbasin bukurinë...
Kur analizojmë kështu dhe kemi mendime kritike për Fatos Arapin ç’mund të
thuhet për disa krijues të tjerë, që janë vendosur në librinn “OLIMPI
SHQIPTAR”, të cilët kanë dobësi të theksuara në poezi dhe që s’kam ndërmend t’i
paraqes në këtë mendim kritik për këtë libër voluminoz.
Motivet nga është nisur autori unë i kam parasysh për efekte gjeopoetike, duke
u nisur edhe nga mosnjohja si duhet e krijuesve të mirëfilltë shqiptarë
modernë, të cilët sot japin kontribut dhe konkurrojnë në poezinë botërore moderne.
Me vend e shoh dhe me të drejtë pjesëmarrjen në këtë libër të figurave poetike
të tilla kosovare si Esad Mekuli, Din Mehmeti, Naim Kelmendi, Sabri Hamiti,
Fahredin Shehu e tjerë. Më gëzon fakti që tre poetët e fundit janë konkurrues, duke
përfshirë dhe Avdullah Konushevcin e Besnik Mustafaj (por me një selektim me të
mirë të krijimeve të tyre) i mëshojnë fort një
poezie moderne dhe kanë mundësi shumë të mëdha për të pasqyruar kreaturën e
tyre në rang ndërkombëtar.
Që të jem i saktë mund të kem të njëjtin mendim edhe për ndonjë recensë, apo
mendim të fryrë për ndonjë krijues, i cili nuk është i atij stadi që është
personifikuar. E shoh të arsyeshme të them se, disa e heqin veten, sikur janë
në majë të Olimpit, kur nukjanë tillë dhe një qëndrim i tillë, natyrisht, e
dëmton vetë “OLIMPIN”. Poezia nuk kërkon lavdërime, por të thënur troç dhe
troçësia është e bukur dhe jo përkëdhelëse.
* * *
Heshtje përkufizohet: “HIÇ...”
Heshtje do të thotë: “MOSJETIM...”
Heshtje do të thotë: “PIKË”…
“Pulsi i Dhimbjes”
Elegancë përzgjedhjeje
e Bruqit në korifenjtë e letërsisë botërore
Një përzgjedhje elegante është bërë në kapitullin e dytë të librit. Bruqi ka
përzgjedhur korifenj të letërsisë botërore, që kanë dafinizuar dhe kanë arritur
maja olimpiane në letërsi, pasi vepra e tyre e spikatur edhe sot lulon dhe
“jep” mend, pra përzgjedhje të letërsisë që s’vdes…
Në pararojë të hyrësisë së këtij kapitulli është Albert Kamy, ky klasik modern,
Borges, ky fenomen letrar, siç e motivon Bruqi,Heinrich Heines, poeti i madh
gjerman, Gabriel G. Markuez,Hemingueji,shkrimtari brilant, i cili të befason
ende me librin e tij të pavdekur kurrë“Plaku dhe Deti”, një mistikë fenomenale
letrare, Anton Çehovin, shkrimtar - majë i letërsisë ruse, Fjodor Dostojevski,
shkrimtar i trurit intelektual dhe i përsiatjeve të mendimit letrar të përkorë;
Vladimir Majakovski, i veçantë në krijimin dhe stilin e tij të motivuar, Viktor
Hugo,shkrimtari madhor francez epokal, Jean Paul Sarte (të çuditshmin mendimor
dhe rrëfyes”ndryshe”), Orhan Pambuk, nobelistin turk dhe në epilogim të këtij
kapitulli vendos Robert Shvarc, albanologun, shkrimtarin dhe përkthyesin e
talentuar të gjermanishtes të Erih Maria Remarkut, Lion Fojtvanger, Leon Uris,
Bertold Breht, Hajnrih Hajne, Gëte e Shiler…
*
Kapitulli i tretë duhet motivuar kapitulli i recensionimeve për vepra të Ali
Asllanit, homazhim për veprën e Fan Nolit, për Anton Pashkun, për Martin
Camaj,Vedat Kokona, Azem Shkrelit e për Fatos Kongolin, Ben Blushin, Flutura
Açka, Sadik Përvetica, Zymer Elshanin, Myrvete Dreshaj – Baliu, Ibrahim
Skënderi e tjerë…
*
Ndërsa, kapitulli i katërt motivohet si
kapitulli i temës psikologjike
Në këtë kapitull autori ka hedhur dritë, që duhen mbajtur mend dhe të mos
pësojnë ndryshime rrjedhat historike, si një nga temat kryesore: dhunimet gjatë
luftës së Kosovës, ku predominon eliminimi fizik dhe mendor, del në pah lufta e
moderuar e Vesli Klark për të mposhtur arkitektin mizor, diktatorin serb
Milosheviç, jepet një panorama analitike e Masakrës së Çyshkut si dhe një
panoramë tjetër e tej thelluar e spastrimit etnik; po kështu bëhet një
analitikë e shkaqeve të vetëvrasjes dhe jepen rekomadime për të eliminuar këtë
akt antinjerëzor nëpërmjet parandalimeve dhe kujsdesit, që duhet treguar për
uljen në minimum të tyre...
Evidentimi i faktorëve të rrezikshmërisë që të shpien në suicid është një
zbulesë kontributi i Flori Bruqit për parandalesë..
I mëshohet në këtë kapitull edhe psikologjisë andragogjike dhe zbatimti të saj
në ushtrinë shqiptare dhe në TMK/FSK. Konceptet dhe përvojat e të mësuarit,
proceset volitive, orientimi për të mësuar, motivimi i të mësuarit.
Ky konceptim ka objekt dhe zhvillimin e mëtejshme të përgatitjes ushtarake,
duke u nisur dhe nga klimat: klima e hapët, klima e kënaqësisë, klima
humaniste,...
*
Trajtesa më kapitullin e pestë është trajtesa historike dhe rrok disa tema të
rëndësishme si Kosova, të pathënat pas luftës, nacionalizmi dhe ndikimet e
huaja, Milan Von Sufflay dhe shqiptarët, preket Jeta e Ali Pashë Tepelenës,
Ahmet Zogut dhe ky kapitull mbyllet me Adem Jashari, simbol i rezistencës
shqiptare.
Zbërthim analitik historic në këtë kapitullizim bëhet për Kosovën, shtypjen
etnike, arkitektët e kësaj shtypjeje, misonet si dhe ndihmesa e organizuar dhe
e detajuar e ndërkombëtarëve me rol parësor SHBA.
Jepet dhe një panoramë e pushtimeve të Romës, Bizantit, Turqisë e tjerë, duke
nxjerrë në pah dhe fetë e tyre sjellëse në këto troje shqiptare (katolicizmin,
ortodoksizmin dhe islamizmin)...
Tërheq vëmendjen studimi apo paraqitja që bëhet në vepër të studiuesit,
albanologur kroat Milan Shuflai, ku jepen të dhëna historike të panjohura si
dhe po kështu paraqiten me koincizitet rrethanat e vrasjes së këtij gjeniu të
letrave, (objekti i vrasjes i lidhur drejtpërdrejt me çështjen shqiptare,
angazhimin e tij në zbulimin e historisë shqiptare, nëpërmejt një punimi
disavolumësh), që iu përkushtua dhe studimit të historisë shqiptare, anëve
esenciale të pazbuluara të saj, i shkolluar në shkollën austro-gjermane.
E rëndësishme dhe shumë dukurore dhe dritësore është se për albanologun jepen
të dhëna, veprimtaria e tij si dhe letërkëmbimet me personalitete, po kështu
dhe fjalënderuese për veprimtarinë e tij të shumanshme shkencore e historike.
Në pjesën tjetër të përshkrimit të Ali Pashë Tepelenës në librin “Olimpi
Shqiptar” jepet dhe korelacioni në trajtesë të figurës si dhe përshkrimi në
veprën e Dumasit dhe të Zavalanit për Ali Pashë Tepelenën. Bruqi hedh dritë në
figurën e Aliut në lidhje me krijimin e shërbimit sekret të Pashallëkut të
Janinës, një trajtesë interesante si pashai pati aftësi të organizonte një
shërbim sekret të aftë, përballues dhe justifikues për objeksionet e tij me
largpamje.
Pa dyshim i rëndësishëm është dhe një pasqyrim i jetës së Ahmet Zogut, po
kështu dhe e figurës kalendarike, burrërore dhe heroike të Adem Jasharit, duke
e trajtuar si simbol të rezistenës kombëtare.
I nevojshëm,ky
kapitull,tërheqës vëmendjeje…
Kapitulli i parafundit i “OLIMPI SHQIPTAR: rrok dhe trajton
personalitete të mëdha me kontribut nga Bota e Dijes shqiptare si: Gonxhe
Bojaxhiu në letërsinë shqipe, (konfigurimi i kësaj figure në shkrimet e
autorëve dhe krijuesve shqiptarë), poetin, prozatorin dhe dramaturgun Jusuf
Gërvalla (dalin në pah dhe evidentohen panjohësitë për veprën e tij dhe
publikimi i veprave të tij, të kësaj figure poliedrike të këtij shkrimtari
martir, cilësuar prej autorit), dr. Mirela Bogdani “Dritësim i botës shqiptare”
(shqiptarja e Oxfordit, nën lajtmotivin “Elita e dijes duhet riangazhuar);
evidentohet Akademik Idriz Ajeti (pesë veprat e tij, kontribut madhor në fushën
e dijes shqiptare), Ledri Kurti – Kraja, eseiste dhe poete shkodrane (tërheq
vëmëndjen “Skicë e mendimit estetik shqiptar në fillim të shekullit të
XX)(Konica, Prozë dhe kritikë); trajtohet Ismail Kadare pak më ndryshe, pas
dhënies së një fragmentimi jetësor nga jetëshkrimi kadarean, bëhet një zbërthim
i poezisë së Kadaresë, duke e cilësuar poezinë e tij si një prej zhvillimeve më
novatore në vjershërimin shqip, gjatë një gjysmë shekulli) si dhe jepet një
pasqyrim i qartë i produktit letrar të Ismail Kadaresë, gjatë gjithë jetës së
tij shkrimore.
Bëhen zbërthime analitike të romaneve dhe veprave të Kadaresë si dhe jepen
fragmente nga veprat e tij si “Kronikë në gur, “Përbindëshi”, “Kështjella”
,”Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave”, “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”, “Qyteti
pa reklama”; Jup Kastrati (Jeta dhe vepra e tij), Ibrahim Rugova( bëhet
zbërthim njohës për veprat e tij, jepen çmimet dhe titujt Ndërkombëtarë të
Ibrahim Rugovës, trajtohet si kultivues i modernitetit në letërsi, si studiues;
Rexhep Qosja (jepet një panoramë për jetën dhe veprat e Qoses) si dhe
kontributi i tij akademik në ngritjen e kuadrove shkencore në fushën e
folkloristikës, fushat studimore në folkloristikë, studimet e tij teorike për
figuracionin dhe stilin, studimet krahasimtare.
Pastaj kapitulli vijon me: Ukshin Hotin (është një përkujtim memorial i
veprës së tij si dhe mendimet e dhëna për Ukshin Hotin nga personalitete të
kulturës dhe të letërsisë si Kadare dhe Qosja.
Një vend të veçantë në “OLIMPI SHQIPAR” zë dhe vepra e jeta e poetit,
fabulistit Izet Çulli, që është dhe në kryesinë e LNPSHA “PEGASI” ALBANIA, ku
pasqyrohet vepra e tij dhe tre shkrime të tij për Kosovën; Adem Demaçi, një
plotësi për të njohur këtë shkrimtar me veprat e tij), Zymer Neziri, studiues i
mirëfilltë dhe kontribues në Institutin Albanologjik të Prishtinës, Adnan
Abrashi, Nimon Muçaj, intelektuali Namik Shehu, Begzad Baliu dhe në fund në
këtë kapitull i lihet vend pjesës opinionare.
Pjesa e fundit e
“Olimpi shqiptar”
Ky kapitull sjell opinione për librin “GUXIM SHQIPTAR”
Shkrime nga Fatmir Terziu, Rustem Geci, Naim Kelmendi, Nehas
S. Hoxha, Avdullah Konushevski, Izet Çulli dhe përfundon me poezi të vetë
autorit Flori Bruqi dhe mbyllet me biografinë (jetëshkrimin) e autorit të
“OLIMPI SHQIPTAR”.
Si përfundesë:
Këshillim i LNPSHA “Pegasi” Albania për librin “Olimp
shqiptar”, të Flori Bruqit, për Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës të Republikës
së Shqipërisë dhe Ministrinë e Arsimit e Shkencës të Kosovës
Me një arkitekturë të tillë ky libër duhet të jetë një ogur i mirë për
pedagogët,studentët, shqiptarë, mësuesit dhe nxënësit e të gjitha kategorive
për të mundësuar zgjerimin e tyre të njohurive në disa fusha si: atë letrare,
psikologjike, fushën e madhe të dijes, njohjen e personaliteteve të letërsisë
botërore si dhe disa prej përfaqësuesve tipikë të letërsisë së Kombit shqiptar.
Komisioni i specializuar për hyrjen e teksteve dhe librave të autorëve të
ndryshëm si libra të kontributit në fushën e dijes elitare duhet të evidentojë
edhe këtë libër dhe jo të vendosë në programet shkollore libra, që s’meritojnë
e s’thonë gjë për letërsinë dhe kulturën shqiptare.
Studentët,tashmë,janë të prirur që t’i marrin tekstet,apo të
kryejnë detyrat e kursit,duke kopjuar nga materialet në internet,duke ndryshuar
paksa përmbajtjen dhe pedagogët e tyre paqetohen me këtë “vjedhje” dijesh dhe
errësim dijesh…,ku nuk duket inteligjenca e studentit,por krijohet premise e
shabllonizimit dhee kopjimit narrativ…
Kjo tashmë është bërë modë dhe sfiluese edhe me nxënësit e shkollave
9 vjeçare e të mesme.Kjo bën që të hiqet dorë nga leximi i librit…
Ky mendim i LNPSHA “Pegasi” Albania të vlejë edhe për përzgjedhje
të librave të ndryshëm letrarë,që kanë vlerë të padiskutueshme në fushën
letrare e gjuhësore dhe që mund të futen në programet shkollore e të mos
vijohet vetëm me letërsitë e dikurshme,por me me letërsitë ndryshe të mirëfilltë,që
i nevojitet aktualitetit dhe zhvillimit të mendimit progresiv të shoqërisë.Po kështu
Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë duhet të ngrejë një komision të
veçantë për të qëmtuar,hulumtuar veprat e krijuesve shqiptarë,që sjellin
pasurimin e gjuhës shqipe me neologjizma letrare,të cilat të studiohen nga
studiues niveli,jot ë mefshtë si deri më tani hezitues, dhe të pasurohet
fjalori i gjuhës shqipe në një kongres të veçantë për këtë akt madhor gjuhësor.
(
http://floart-press.blogspot.com/2010/12/nga-kristaq-f-shabani-nje-publikim.html)