2012-12-26

Millovan Drecun: Serbia duhet ta pranoj Ramush Haradinajn


Kryetari i të ashtuquajturit „Këshill Parlamentar për Kosovë e Metohi“, Millovan Drecun ka deklaruar sot se „është e pamoralshme që Ramush Haradinaj të jetë bashkëbiseduesi i ri në dialogun me Beogradin“ por Serbia këtë duhet ta pranojë, sepse procesi i dialogimit nuk duhet që të ndërpritet, ka thënë Drecun për mediat serbe.

EUROVIZION, KONFIRMOJNË PJESËMARRJEN 39 SHTETE


39 transmetues publikë kanë konfirmuar dje pjesëmarrjen e tyre në festivalin evropian të këngës 2013 i cili këtë vit do të zhvillohet në Malmö të Suedisë, në datën 14 Maj. Kjo pjesëmarrje është e kënaqshme thonë drejtuesit e Eurovizionit, duke pasur parasysh krizën ekonomike në Evropë.
Kështu, një pjesë e madhe e televizioneve publike të shteteve përkatëse, kanë garantuar angazhimin e tyre në traditën e pjesëmarrjes në Eurovizion, deklaroi Xhon Ola Sand, Mbikëqyrësi Ekzekutiv i këtij festivali në rrjetin EBU. Që nga viti 2004, diku nga 36 deri në 43 transmetues publikë kanë marrë pjesë në këtë eveniment. Kështu që pjesëmarrja e 39 konkurrentëve për këtë vit, nuk është aq dramatike, madje një numër i tillë u paraqit edhe në vitin 2010, kur Eurovizioni u zhvillua në Norvegji.

Ndër vendet që nuk do të marrin pjesë janë Bosnje-Hercegovina, Portugalia dhe Sllovakia, për arsye ekonomike. Një humbje për Eurovizionin këtë vit është mungesa e Turqisë, për shkak të mendimit të disa rregullave vitet e fundit. Ndërkaq, garës së sivjetme i bashkëngjitet Armenia, e cila në Evrovizionin e një viti më parë mungoi.
Ndërkaq, pjesëmarrjen e ka garantuar edhe Maqedonia. Po ashtu, në Evrovizionin e ardhshëm do të jetë edhe Shqipëria, e cila sot mirëpret natën e tretë të festivalit kombëtar të muzikës.

RADIOTERAPIA DHE KARDIOKIRURGJIA, SFIDOJNË QKUK-NË

Foto: Jetmir Idrizi

Qendra Klinike Universitare e Kosovës, gjatë vitit 2012 është ballafaquar me probleme të shumta të natyrave të ndryshme, si furnizimi i dobët me barna, furnizimi i dobët me ngrohje qendrore, mungesa e shërbimeve radioterapeutike dhe kardiokirurgjike, por edhe probleme infrastrukturore. Megjithatë, drejtori i QKUK-së Nijazi Gashi në një intervistë dhënë Agjencisë së Lajmeve Kosovapress, shpreson se viti 2013 do të jetë më i mirë për QKUK-në, pasi që sipas tij, miratimi i Ligjit të ri për Shëndetësi do të kontribuojë në përmirësimin e gjendjes së përgjithshme në këtë qendër.
Duke folur për Ligjin e ri për Shëndetësi, i cili u miratua ditë më parë në Kuvendin e Kosovës, Gashi vlerëson se avantazhet e ligjit të ri në raport me ligjin e vjetër janë evidente, për arsye se tani hapet mundësia e një partneriteti publiko-privat gjë që me ligjin e vjetër ka qenë e pamundur një çështje e tillë.
“Unë mendoj se është bërë një punë e madhe dhe një punë që do t’i hap rrugë suksesit dhe punës së në shëndetësi e posaçërisht në QKUK. Avantazhet e ligjit të ri në raport me ligjin e vjetër janë gjithandej për arsye se tani hapet mundësia e një partneriteti publiko-privat më të mundshëm për arsye se me ligjin e vjetër ka ekzistuar por ajo nuk ka ndodh për arsye sepse ka qenë i kufizuar mundësia për të vepruar në mënyrë të atillë. Kështu që mundësia e mbledhjes së të mirave materiale dhe të hyrave vetanake ka me qenë më e madhe që na bënë të shpresojmë se do ta kemi një buxhet më të avancuar për realizimin e punës dhe projekteve tona”, ka thënë ai.
Nenin 41 të Ligjit për Shëndetësi, e i cili po kundërshtohet nga shumica e punëtorëve shëndetësor, drejtori i QKUK-së e sheh si pozitiv, pasi që sipas tij, kjo e drejt për të punuar në dy sektorët shëndetësor është keqpërdor nga vet mjekët, porse shton se sa i përket këtij neni kanë të drejt të ankohen edhe punëtorët shëndetësor, por ka të drejt edhe ministri që e ka përpiluar.
“Kanë të drejtën e tyre nëse thirrem në të drejtën e ligjit të punës dhe të drejtën njerëzore, për arsye se u merret e drejta e njeriut për të punuar 4 orë pas orarit të punës. Por në anën tjetër është edhe e drejta e ministrit dhe stafit të tij që ka përpiluar këtë ligj për arsye se ky nen është keqpërdor në shumë raste dhe në kontuinitet nga vet mjekët. Andaj, kjo ka ndikuar që të ndërmerret ky hap i cili ka reperkusionet e veta nëpër të gjitha aspektet. Por unë mendoj se me ligjin e ri u jepet e drejta te punojnë në kushte të barabarta edhe sektori privat edhe sektori publik”, ka thënë ai.
Sipas Gashit, problem kryesor për QKUK-në vazhdon të mbetët financimi i dobët. Ndërsa si sfida për vitin 2013 ka veçuar funksionalizimin e sterilizimit gjithandej nëpër blloqet operative, funksionalizimin e lavatorës në QKUK, funksionalizimin e radioterapisë dhe kardiokirurgjinë, si dhe rregullimin e ambulancave specialistike, që sipas tij, janë pikat më të dobëta në QKUK.
Gashi pranon se këtë vit QKUK-ja është ballafaquar me probleme dhe sfida të ndryshme që kanë ndikuar në shërbimin e mirëfilltë të pacientëve, mirëpo sipas tij, kjo ka ndodhur pasi që edhe buxheti nuk ka qenë i dëshiruar për këtë qendër, por shpreson se viti 2013 do të jetë më i mirë për pacientët.
“Sfidë për neve ka qenë funksionalizimi i radioterapisë në Institutin e Onkologjisë dhe përkundër angazhimeve tona maksimale dhe përkundër përkrahjes nga ana e Ministrisë nuk kemi arritur ta funksionalizojmë këtë procedurë terapeutike. Në fillim pengesat ishin subjektive, dikur ato u shndërruan në objektive dhe më në fund doli ambasada italiane e cila ka ofruar një donacion për funksionalizimin e këtyre procedurave është diçka që duhet të respektohet në raport me ta, kjo vlen për kardiokirurgjinë. Kurse për onkologjinë kemi pas një buxhet të limituar”, ka thënë ai.
Duke folur për vitin 2013, Gashi ka vlerësuar se edhe ky vit do ta sfidojë QKUK-në, pasi që ka mjaftë probleme dhe punë për t’u bërë. Funksionalizimin e sterilizimit nëpër blloqet, funksionalizimi i lavatorës në QKUK dhe rregullimi i ambulancave specialistike, sipas tij, janë ndër sfidat dhe prioritetet për vitin 2013.
“Sfida kryesore për vitin 2013 ka me qenë funksionalizimi i sterilizimit gjithandej nëpër blloqet operative ku ka operacione, pastaj funksionalizimi i lavatorës në QKUK sepse i kemi në gjendje shumë të vështirë. Nuk po e them radioterapinë dhe kardiokirurgjinë për arsye se janë bërë të gjitha parapërgatitjet që në tre mujorin e parë këto të funksionalizohen, sepse kemi punuar një vit duke kompletuar resurset profesionale, gjegjësisht humane edhe ato infrastrukturore dhe resurset e aparaturave dhe unë shpresoj se këtu nuk do të ketë dilema ne do të shënojmë rezultate në atë drejtim. Kurse një sfidë tjetër do të jetë rregullimi i ambulancave specialistike që është pika më e dobët në QKUK”, ka thënë ai.
Sa i përket furnizimit me barna, Gashi shpjegon se edhe në këtë drejtim ka pasur pengesa, ndërsa në muajt e fundit, pohon ai, këto pengesa janë kaluar dhe tani më furnizimi është më i mirë dhe është në nivel shumë më të lart nga lista e barnave esenciale.
Ndërsa, sa i përket dështimit për zgjedhjen e drejtorëve të klinikave, Gashi pohon se Ligji i ri i Shëndetësisë hap rrugën për zgjedhjen tyre, pasi që definon qartë pozicionin e punëtorëve shëndetësor, që sipas tij janë shërbyes publikë e jo civilë.

Prof.Dr.Rame BUJA: HISTORINË NUK MUND TA NDRYSHOJË ASNJË MINISTËR


Ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja ka prezantuar të arriturat dhe sukseset e kësaj ministrie gjatë këtij viti.
Si të arritur të madhe ai ka përmendur themelimin e shumë shkollave të reja, mbajtjen e suksesshme të provimit të maturës dhe testit të arritshmërisë, trajnimin e drejtorëve të të gjitha institucioneve shkollore, hartimin e kurikulave bërthamë, hartimin e teksteve në gjuhën turke. Buja po ashtu sigurojë se asnjë ministër nuk ka të drejt të ndryshojë historinë por sipas tij është kërkuar të hiqet gjuha e urrejtjes.
Këto suksese, Buja i ka prezantuar gjatë një konference të organizuar për media me rastin e fundvitit.

Ministri Buja ka thënë se gjatë vitit 2012 janë themeluar institucione parashkollore, shkolla fillore dhe të mesme të larta.
“Është shpërndarë inventari për mobilimin e 12 klasave parafillore dhe u është ofruar mbështetje me inventor dhe 15 institucioneve parashkollore për moshat prej 0-6 vjet, në disa komuna të Kosovës, veçmas ku ka pasur nevojë më të ngutshme për inventor të kësaj moshe. Në bazë të kërkesave të drejtorive komunale të arsimit janë themeluar ose pavarësuar 15 shkolla institucione parashkollore, shkolla fillore dhe të mesme të larta. Me përkrahjen e Bankës Botërore, 207 shkolla kanë përfituar grante shkollore në vlerë 1 600 000 euro”, ka bërë të ditur Buja.
Ai tha se gjatë këtij viti është mbajtur me sukses provimi i maturës, testi i arritshmerisë, si dhe hartimi i kurrikules.
“Është mbajtur me sukses provimi i Maturës Shtetërorë në dy ditë si dhe Testi i Arritshmërisë për klasat e nënta. Hartimi i kurrikulave bërthamë për nivelin e parë në klasët parafillore dhe fillore, nivelin e dytë arsimin e mesëm të ulët dhe nivelin e tretë arsimin e përgjithshëm dhe arsimin profesional. Ndërkohë janë përgatitur pesë tekste shkollore në gjuhën turke, si dhe është përkrahur regjistrimi i komuniteteve edhe në universitetet publike në maksimum” ka thënë Buja.
Ai tha se sukses i këtij viti ka qenë themelimi i Universitetit të Pejës dhe zyrtarizmi i Universitetit të Prizrenit.
Kurse, i pyetur për tekstet e historisë, të cilat kanë filluar të ndryshohen me kërkesën e ministrit turk, Buja ka thënë se asnjë ministër nuk ka të drejt të ndryshojë historinë.
“Historinë nuk mund ta ndryshojë asnjë ministër, çfarëdo përmase çoftë dhe çfarëdo shteti çoftë. Historia mbetet ajo që është dhe këto ndryshime që janë kërkuar janë komfor një kërkese të Komisionit Evropian, që nga viti 2004, kryesisht për vendet e Ballkanit, të ndryshojë për aq sa mundet gjuha e urrejtjes e shkruar në librat e historisë dhe në librat e tjera”, ka thënë ai.
Sa i përket arsimit të lartë, Buja tha se është nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Kolegjin Amerikan të Selanikut si dhe është formuar grupi punues për aderim të Republikës së Kosovës në zonën Evropiane të arsimit të lartë.

Prof.Dr.Fehmi Rexhepi: Ndryshimet historike nën presion politik


Rexhepi: Ndryshimet historike nën presion politik
Njëri prej autorëve të librave të historisë, Fehmi Rexhepi ka komentuar me skepticizëm angazhimin e Komisionit për rishikimin e teksteve të historisë dhe gjeografisë, i cili pothuajse i ka përfunduar punët dhe pritet që të publikojë rezultatet.
Rexhepi në një prononcim ku theksoi se përfundimet të cilat do t’i nxjerrë Komisioni, sigurisht se bartin peshën e faktit se kjo iniciativë është e shtyrë politikisht nga ministri i arsimit i Kosovës, Ramë Buja, pas një presioni të supozuar nga ministri turk i arsimit, Omer Dincer.
Rexhepi ka theksuar edhe një herë se disa prej propozimeve për ndryshime nuk janë korrekte në aspektin e së vërtetës historike.
“Njëri prej propozimeve për t’u ndryshuar është pjesa ku thuhet se të gjithë qytetarët e Perandorisë Osmane kanë qenë të barabartë. Kjo nuk është e vërtetë, sepse të krishterët kanë paguar taksat e xhizjes, haraçi, e të ngjashme”, ka thënë Rexhepi.
Ai ka deklaruar se do t’i shqyrtojë përfundimet që do të nxjerrë Komisioni, e të cilat do të futen në librat shkollorë, e pastaj do të japë qëndrimin përfundimtar për këtë çështje. “Deri tash me neve autorët e librave nuk janë konsultuar për ndryshimet e propozuara, edhe pse ka qenë e ndershme të na pyesin”, ka thënë Rexhepi.
Komisioni Evropian ka kërkuar nga vendet e Ballkanit që të korrigjojnë tekstet shkollore të historisë dhe gjeografisë, ku ka gjuhë të urrejtjes. Për këtë, ministri i Arsimit, Ramë Buja, pati krijuar një Komision më 5 prill të vitit të kaluar, për të korrigjuar këto tekste.
Profesor Rexhepi vlerëson se ky komision ‘ad-hoc’ u bë për t’iu nënshtruar presionit të Turqisë, e cila sipas tij, është e interesuar që të shtrijë ndikimin në vendet e Ballkanit. Ndërsa, ministri Buja pati deklaruar se ministri turk Dincer nuk kërkoi ndërrimin e historisë, sepse historia është ajo që është.
“Historia nuk do të rishikohet, do të ketë ndonjë shprehje eventuale të korrigjuar”, pati deklaruar Buja.

Në kohën e Perandorisë Osmane, nuk kishte as dhunë e as vrasje!?


Ndryshimi i historisë: Në kohën e Perandorisë Osmani, nuk kishte as dhunë e as vrasje!?
Dy vjet pas vizitës së Kryeministrit të Turqisë në Kosovë, Recep Tayyip Erdogan, janë ndryshuar librat e ciklit parauniversitar në raport me kohën e Perandorisë Osmane. Në versionin ri të historisë Perandoria Osmane është një pushtues, por jo një sundues i egër.
Kryeministri turk Recep Tayyip Erdogan dhe ai kosovar Hashim Thaçi e falën së bashku një namaz xhumaje në nëntor të vitit 2010. Shefi i qeverisë turke po e vizitonte për herë të parë Kosovën dhe kur pa objektet fetare në Prizren foli për relacionet Kosovë-Turqi.
“Këto xhami simbolizojnë vëllazërinë mes Kosovës dhe Turqisë”, tha Erdogan.
Kosova ka lidhur deri më tash 13 marrëveshje me Turqinë që kanë të bëjnë me mjedis, shkencë, ekonomi e ndihmë ushtarake nga shteti euro-aziatik. Por, Turqia ka kërkuar bashkëpunim edhe në fushën e arsimit: autoritetet turke kërkojnë pastrimin e librave të historisë.
Gjashtë muaj pas vizitës së Kryeministrit Erdogan në Kosovë, më 5 prill 2011, ministri i Arsimit, Ramë Buja, krijoi komisionin pesë anëtarësh që do të merrej me këtë punë. Por, zyrtarët turk nuk reshtën së kërkuari ndryshimet e historisë sa herë që vizitonin Kosovën. Kjo ka ndodhur edhe gjatë vizitës në Kosovë të ministrit të Punëve të Jashtme, Ahmet Davutoglu, dhe atij të arsimit, Omer Dinçer.
“Turqisë nuk i pëlqen që kosovarët të mësojnë historinë e interpretuar nga Josip Broz Tito apo Enver Hoxha”, kishte thënë Ahmet Davutoglu, ministër i Punëve të Jashtme të Turqisë, gjatë vizitës më 26 gusht 2011.
Ndërkohë edhe Dinçer vitin e kaluar, kur takoi ministrin e Arsimit, Ramë Buja, kërkoi që të largohen paragrafët nga librat e historisë së Kosovës, të cilat përmbajnë fyerje për Turqinë dhe personalitetet historike të këtij vendi.
Tash, pasi që ndryshimet janë bërë, zyrtarët shtetërorë turq vlerësojnë se me këtë veprim do të fuqizojnë marrëdhëniet e shkëlqyeshme ndërshtetërore. Ambasadorja e Turqisë në Kosovë, Songul Ozan, i tha “Gazetës Jeta në Kosovë” se ndryshimet në librat e historisë do t’i kontribuojnë marrëdhënieve Kosovë-Turqi të cilat, sipas saj, janë të shkëlqyeshme. Ajo kujton se ngjashëm kanë vepruar edhe shtete tjera “të cilat kanë jetuar në të kaluarën një histori të përbashkët”.
Komisioni i ngritur nga ministri Buja dorëzoi para më shumë se gjashtë muajsh rekomandimet se në cilat pjesë duhet të korrigjohen librat e historisë. Nga korrigjimet e librave të historisë nga klasa e 5-të deri në të 13-të, del se Perandoria Osmane përgjatë shekujve të pushtimit të viseve të banuara me shqiptarë, nuk ka vrarë, ushtruar dhunë apo se ishte e ashpër. Në vend të këtyre shprehjeve, sipas korrigjimeve, sulltanët me ushtrinë e administratën e tyre, sunduan, burgosën dhe ushtruan ndërhyrje ushtarake.
Këto janë vetëm disa nga ndryshimet që nga viti i ri shkollor 2013-2014, që do të vendosen në librat e historisë së klasave fillore e të mesme.
Sipas një gazete,ajo ka gjetur gjithashtu disa prej ndryshimeve konkrete që kanë pësuar librat e historisë nga klasa e pestë deri në klasën e trembëdhjetë. Shembujt e paraqitur në këtë rast u takojnë librave të historisë së klasës së pestë, gjashtë dhe tetë.
Në librin aktual të historisë së klasës së pestë, në faqen 62, fjalët “dhunë” dhe “vrasje” në raport me Perandorinë Osmane - janë fshirë. Në vend të tyre janë vendosur “pushtim” dhe “burgosje”. Në faqen 48 të librit aktual, në lidhje me marrjen e pronave dhe pasurisë së shqiptarëve, janë fshirë fjalët “...hakmarrje” dhe “...vrasje”. Në vend të tyre është vendosur fjalia “...marrja e pronave, vendosja e taksave si dhe depërtimi i një pjese të popullatës vendase...”!
Fjalia “...osmanët vranë shumë shqiptarë...” është fshirë tërësisht kurse në faqen 69 të librit aktual, fjala “..ashpërsi” është shndërruar në “...ndërhyrje ushtarake”.
Ndryshimet e tjera janë bërë në faqen 83 të librit të historisë së klasës së 6-të, ku fjalia “...sundimi i egër osman...”, është shndërruar në “...pushtimi osman”.
Vijë i është rënë edhe pjesëve të librit të historisë së klasës së 8-të si në faqen 68, ku fjalia “...merreshin masa të rrepta ndaj atyre që nuk ishin të fesë islame...”, tash ka tjetër kuptim.
“..Në praktikë të gjithë shtetasit në viset e tyre të pushtuara nga Perandoria Osmane, në jetën e përditshme ishin të barabartë para ligjit. Natyrisht ndonjëherë shfaqeshin keqpërdorimet e nënpunësve lokal osmanë në kuadrin e reformave të tanzimatit”.
Ndryshimeve nuk u kanë shpëtuar as librat e kulturës muzikore.
“Sa i përket muzikës, pala turke mund të ketë pasur vërejtje si për himnizim të figurës së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut”, ka thënë kryesuesi i komisionit. Ai thotë se nuk i kujtohet në detaje çfarë ndryshimesh janë bërë në këtë rast.
Emri zyrtar i plotë i Komisionit është “Komisioni për Rishikimin e Prezantimit të Historisë, Gjeografisë dhe Kulturës Osmane e Turke”. Kjo gazetë ka siguruar një raport të punës së këtij Komisioni kryetar i tij ishte prof.dr. Shkelzen Raça (historian), me anëtarë prof.dr. Ruzhdi Pllana (gjeograf), prof.dr Hysen Matoshi (kulturë osmane dhe turke-gjuhë e letërsi), Mr.sc. Astrit Mustafa (kulturë osmane e turke-muzikë) dhe sekretar i komisionit, Mr.sc. Avni Rexha.
Ministri Buja, kur kishte emëruar anëtarët e komisionit më 5 prill të vitit të kaluar, nuk kishte pranuar të bënte publikë emrat e tyre.
Komisioni dorëzoi në MASHT para më shumë se gjashtë muajsh një raport me rekomandimet për ndryshimin e historisë. Por, anëtarët e komisionit nuk ishin të panjohur për Ambasadoren e Turqisë në Kosovë, Songul Ozan. Ajo i ka takuar anëtarët e komisionit gjatë punës së tyre.
Historiani Shkelzen Raça ka konfirmuar takim me ambasadoren e Turqisë në Kosovë. Ndërsa, anëtarët e Komisionit kanë pasur vizitë edhe në Turqi. Ata kanë qenë në Ankara, në Institutin që merret me hartimin e teksteve shkollore dhe kurrikulave.
“Kemi marrë vërejtjet që eventualisht konsiderohen si lëshime nga ana e autorëve tanë. I kemi biseduar të dy palët brenda dy a tre ditëve sa kemi qëndruar”, thotë profesor Raça.
Historiani Shkelzen Raça thotë se komisioni ka bërë punë të mirë, asnjanëse dhe profesionale, në përputhje me metodologjinë dhe sajimin e teksteve shkollore për shkollat fillore e të mesme.
“Synimi ka qenë të heqim aty-këtu gjuhë të urrejtjes, të një fjalori pak a shumë agresiv, ka thënë ai.
Komisioni ka mbajtur shtatë apo tetë takime, ka konfirmuar sekretari i kësaj trupe, Avni Rexha.
Në raportin prej tre faqesh tregohet puna e bërë nga anëtarët e komisionit.
“Kujtojmë se në tekstet shkollore duhet zënë më tepër vend aspektet afruese ndërmjet Turqisë dhe Kosovës duke theksuar edhe aspektet pozitive nga marrëdhëniet shqiptaro-turke në të kaluarën”, shkruan në një konkluzion të raportit të siguruar nga kjo gazetë. Më tej thuhet se “prioritet mbi prioritetet në këto tekste ekzistuese si dhe në ato në të ardhmen, duhet të jetë gjuha e afrimit, bashkëpunimit dhe referimi i vlerave të tolerancës”.
Rekomandimet e komisionit i ka pranuar MASHT-i.
“Pikërisht, këto do të futen në tekstet e vitit të ardhshëm”, ka thënë Ramush Lekaj, udhëheqës i Divizionit të Plan-programeve në MASHT. “Rishikimet do të jenë të përfshira në libra nga viti i ardhshëm”.
Ai thotë se nuk mund të dihet se sa mund t’i kushtojë MASHT-it ribotimi i librave të rinj pasi që nuk dihet se sa libra do të shtypen vitin e ardhshëm.
Asnjëri nga anëtarët e komisionit nuk është autor i ndonjërit prej librave shkollor të Historisë. Libri aktual i historisë i klasë së 5-të dhe 8-të, për autorë ka historianët Frashër Demaj e Fehmi Rexhepi, të cilët thonë se askush nuk i ka konsultuar për të bërë “korrigjimet”.
Në deklarim të përbashkët, pasi tregojnë se nuk kanë ide se kush mund të ketë qenë në komision, thonë se nuk kanë pranuar asgjë zyrtare nga Ministria e Arsimit.
“Është obligim institucional, pavarësisht preferencave të ndryshme, qysh në nisje të kësaj pune, që pjesë e këtij komisioni të jetë edhe ndonjë nga autorët e teksteve shkollore të historisë”, thonë Demaj e Rexhepi.
Kështu nuk mendon profesori Shkelzen Raça, kryetar i komisionit.
“Nuk e kemi pasur për obligim t’i konsultojmë autorët e teksteve”, thotë ai.
Me këtë konstatim të profesor Raçës, nuk pajtohet historiani, profesor Isa Bicaj, i cili është edhe autor i librit aktual të historisë së klasës së shtatë.
“Më duket pak e palogjikshme që vërejtjet janë bërë pa konsultim me autorët e teksteve”, thotë Bicaj i cili është kundër rekomandimeve për ndryshimin e librave të historisë të cilat i ka bërë komisioni.
“Ma këput dorën, e termin ‘ardhje’ për osmanët nuk e përdor. Ata kanë qenë pushtues”, thotë Isa Bicaj, profesori i historisë.

“A vriten engjujt”


“A vriten engjujt” është libri më i ri i autores Hanumshahe Ilazi, i cili u promovua të enjten në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës . Libri trajton vrasjet barbare të 1322 fëmijëve, që ndodhën gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Për të pranishmit në sallë folën redaktori i këtij libri Nysret Pllana dhe dy recensentët e librit Sabile Keqmezi Basha dhe Don Lush Gjergji. Në fjalën e tij, Pllana përshëndeti të pranishmit dhe foli më gjerësisht për përmbajtjen e librit i cili, sipas tij, përmbledh fakte dhe dëshmi që kujtojnë historinë tonë e sidomos ngjarjet tronditëse që ndodhën në luftën e fundit në Kosovë.

Engjëjt nuk vriten

“Vrasja e fëmijëve është përmasë tragjike kombëtare. Ky libër përveç se paraqet përmasën tragjike shqiptare është një homazh për qeniet më të brishta dhe tregon edhe njëherë barbarinë e ushtrisë serbe në vrasjen masive të fëmijëve shqiptarë”, theksoi Pllana.
Libri ndahet në tre kapituj të cilët paraqesin ngjarje dhe episode tronditëse të cilat i kanë përjetuar fëmijët si qenia më e brishtë dhe më e pafajshme. Faktet që prezantohen në këtë libër ndriçojnë momente të paditura deri më tani si brenda ashtu edhe jashtë vendit.
Ndërkaq, Don Lush Gjergji cilësoi lart këtë libër dhe theksoi se gjatë shfletimit të këtij libri i janë tmerruar sytë nga fotografitë e viktimave që përmban dhe lotët nuk i janë ndalur përderisa ka lexuar të dhëna të tmerrshme që tregojnë barbarinë e ushtruar ndaj këtyre qenieve të pafajshme.
“Historia jonë i përngjanë historisë biblike të vrasjes së fëmijëve të pafajshëm nga ana e Herodit”, u shpreh Don Lush Gjergji. Ai shtoi se gjaku i tyre nuk duhet të harrohet sepse mund të na godasë dhe kujtimi për ta duhet të jetë i domosdoshëm, i detyrueshëm dhe i shenjtë.
Sabile Keqmezi-Basha u shpreh se libri është i tmerrshëm por në të njëjtën kohë të bën të revoltuar ndaj këtyre krimeve që iu bënë këtyre qenieve të njoma.
“Kujtimi për këta fëmijë do të na përcjellë nëpër dekada e që duhet të kërkojë një vëmendje sublime nga gjenerata në gjeneratë”, tha Basha.
Ndërkaq, autorja e librit, Hanumshahe Ilazi, theksoi se është mirë që këto gjëra të mos harrohen sepse, siç u shpreh ajo, neve historia na është përsëritur vazhdimisht.
Ilazi apeloi tek institucionet që të japin një ndihmë që kjo vepër të përkthehet në gjuhë të ndryshme në mënyrë që bota të dijë se çfarë krime të tmerrshme kanë ndodhur në vendin tonë.
Krejt në fund autorja citoi propozimin e Kadaresë në librin e tij ‘Mbi krimin në Ballkan’, ku ai propozon që të ndërtohet një memorial i madh i fëmijëve të vrarë, i grave të dhunuara dhe i gjithë dëshmorëve që me gjakun e tyre sollën lirinë e këtij vendi që ne e gëzojmë sot.

Pas Covid-19, liderët botërorë ranë dakord të punojnë së bashku për të forcuar sistemet globale shëndetësore, por negociatat për një marrëveshje të re kanë ngecur.

Nga Flori Bruqi Është folur shumë në internet se Kina po lufton me një tjetër epidemi pas shumë postimesh në mediat sociale ku supozohet se ...