“A vriten engjujt” është libri më i ri i autores Hanumshahe Ilazi, i cili u promovua të enjten në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës . Libri trajton vrasjet barbare të 1322 fëmijëve, që ndodhën gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Për të pranishmit në sallë folën redaktori i këtij libri Nysret Pllana dhe dy recensentët e librit Sabile Keqmezi Basha dhe Don Lush Gjergji. Në fjalën e tij, Pllana përshëndeti të pranishmit dhe foli më gjerësisht për përmbajtjen e librit i cili, sipas tij, përmbledh fakte dhe dëshmi që kujtojnë historinë tonë e sidomos ngjarjet tronditëse që ndodhën në luftën e fundit në Kosovë.
“Vrasja e fëmijëve është përmasë tragjike kombëtare. Ky libër përveç se paraqet përmasën tragjike shqiptare është një homazh për qeniet më të brishta dhe tregon edhe njëherë barbarinë e ushtrisë serbe në vrasjen masive të fëmijëve shqiptarë”, theksoi Pllana.
Libri ndahet në tre kapituj të cilët paraqesin ngjarje dhe episode tronditëse të cilat i kanë përjetuar fëmijët si qenia më e brishtë dhe më e pafajshme. Faktet që prezantohen në këtë libër ndriçojnë momente të paditura deri më tani si brenda ashtu edhe jashtë vendit.
Ndërkaq, Don Lush Gjergji cilësoi lart këtë libër dhe theksoi se gjatë shfletimit të këtij libri i janë tmerruar sytë nga fotografitë e viktimave që përmban dhe lotët nuk i janë ndalur përderisa ka lexuar të dhëna të tmerrshme që tregojnë barbarinë e ushtruar ndaj këtyre qenieve të pafajshme.
“Historia jonë i përngjanë historisë biblike të vrasjes së fëmijëve të pafajshëm nga ana e Herodit”, u shpreh Don Lush Gjergji. Ai shtoi se gjaku i tyre nuk duhet të harrohet sepse mund të na godasë dhe kujtimi për ta duhet të jetë i domosdoshëm, i detyrueshëm dhe i shenjtë.
Sabile Keqmezi-Basha u shpreh se libri është i tmerrshëm por në të njëjtën kohë të bën të revoltuar ndaj këtyre krimeve që iu bënë këtyre qenieve të njoma.
“Kujtimi për këta fëmijë do të na përcjellë nëpër dekada e që duhet të kërkojë një vëmendje sublime nga gjenerata në gjeneratë”, tha Basha.
Ndërkaq, autorja e librit, Hanumshahe Ilazi, theksoi se është mirë që këto gjëra të mos harrohen sepse, siç u shpreh ajo, neve historia na është përsëritur vazhdimisht.
Ilazi apeloi tek institucionet që të japin një ndihmë që kjo vepër të përkthehet në gjuhë të ndryshme në mënyrë që bota të dijë se çfarë krime të tmerrshme kanë ndodhur në vendin tonë.
Krejt në fund autorja citoi propozimin e Kadaresë në librin e tij ‘Mbi krimin në Ballkan’, ku ai propozon që të ndërtohet një memorial i madh i fëmijëve të vrarë, i grave të dhunuara dhe i gjithë dëshmorëve që me gjakun e tyre sollën lirinë e këtij vendi që ne e gëzojmë sot.