Rreth librit “Është vetëm kujtesë”, pasuri për mendimin kritik të letërsisë shqipe
Nga Shaban Cakolli
http://www.gazetarepublika.al/?p=38843
Shkrimtari dhe poeti ynë, tani më i njohur jo vetëm në hapësirën shqiptare, por edhe më gjerë, z. Naim Kelmendi, i lindur në Ruhot të Pejës, por prej vitesh jeton dhe vepron në Prishtinë. Nga fëmijëria ishte i lidhur ngushtë me dashurinë për gjuhën, kombin dhe vendlindjen dhe kështu nisi herët të gërvishte në letra, duke bërë emër, fillimisht, në revista e më pas do të rreket në fushën e letërsisë, ku ne atëbotë me endje lexonim poezitë e tij, tregime e novela, por ndërkohë u bë emër i njohur në gazetari, ku punoi dhjetëra vite në të përditshmen “Bota Sot”, e cila botohej në Zvicër. Naim Kelmendi nga të gjitha rrymat e letërsisë shquhet në poezi, madje në këtë zhanër mund të quhet edhe poet i krenarisë kombëtare, emërtim të cilin e ka dëshmuar në vitin 2000, në përmbledhjen e tij poetike “Shqiptari vdes duke kënduar”, e cila flet kryekëput për legjendën “Jasharaj”, por edhe për bëmat dhe krenarinë e shqiptarëve për atdheun.
Në luftën e fundit në Kosovë, Naim Kelmendi ishte mbi të gjitha luftëtar, reporter lufte, ku gjen guximin, frymëzimin, dashurinë dhe gatishmërinë, për të shtruar një varg temash të begata, figura të rëndësishme të atdhetarëve, zbardhjes së çështjes kombëtare, duke u ofruar lexuesve një sofër të begatshme shpirtërore, që kanë pasur një disiplinë dobiprurëse për lexuesit tanë, si dhe përmbledhja e tij poetike “Shqiptari vdes duke kënduar” mbetet kryevepër e tij, si dhe e dashur për lexuesit në tërësi.
Nëse unë mendoj kështu për këtë kryevepër, duke e njohur Naimin prej kohësh, si mik dhe poet, shumë nga lexuesit, duke lexuar dhjetëra përmbledhje të këtij poeti të madh, secili do të shquajë nga një përmbledhje të tij si kryevepër në veti. Naim Kelmendi është një figurë e arrirë në botën e kulturës shqiptare, i cili me zgjuarsinë e tij prej intelektuali ia del aq bukur të vargëzojë dhe të prezantojë të bukurën, shpirtëroren, para artdashësve të artit letrar.
Naim Kelmendi ka botuar:
- Shtreza në fjalë, 1985
- Nyja e Gordit, 1992
- Albanoi, 1992
- Pse ashtu Pandorë, 1993
- Çka të bëj me dhembjen, 1993
- Satanai me fytyrë tjetër, 1994
- Eklipsi i diellit, 1997
- Përballje me vdekjen, 1999
- Shqiptari vdes duke kënduar, 2000
- Kohë për të folur gurët, 2001
- Sipërfaqja e padukshme, 2003
- Vrasja e deputetit – monografi, 2003
- Beteja e Koshares…, publicistikë, 2008
- Pikëpamje dhe reagime, publicistikë, 2008
- Në një jetë pas Krishtit, 2010
- Esenca, 2010
- Shqiptari vdes duke kënduar(botim i dytë), 2010
- Është vetëm kujtesë, 2012
- Antologjia e dhembjes poetike, 2012
Është vetëm kujtesë, 2012
Veprat e Naim Kelmendit shquhen jo vetëm nga motivet krijuese, por edhe nga preokupimet e poetit, si dhe nga ndërtimi dhe nivelizimi poetik i fjalës së shkruar poetike. Këtë e vërtetojnë lënda e tyre artistike, prurjet poetike, ku secila vepër ka rëndësi në vete dhe asnjëra nga veprat e tij nuk është më pak e rëndësishme se tjetra.
“Shqiptari vdes duke kënduar” – vepra poetike i kushtohet legjendës së trimërisë shqiptare dhe të sakrificës kombëtare, Adem Jasharit. Ajo kap horizont më të gjerë të sakrificës shqiptare në historinë e saj shekullore, por dhe deri tek lufta, heroizmi dhe qëndresa e Jasharajve, e që mbeten piemonti i sakrificës sonë kombëtare dhe i luftës për liri.
Tek vepra tjetër “Esenca” është një horizont tjetër i kuptimësisë, mendësisë dhe të të kuptuarit e gjuhës metaforike në shpjegimin e fenomeneve të jetës dhe më gjerë.
Tek përmbledhja “Antologji e dhembjes” se libri doli i suksesshëm, dhe mbetet një “Antologji e dhembjes…”, për poetin Podrimja, për ta ringjallur në vargjet e krijimet e këtyre poetëve, pra të 101 poetëve, që shkruan përkushtimet e tyre poetike nga dhembja njerëzore dhe poetike për poetin e madh, njeriun e madh dhe shqiptarin e madh Ali Podrimen. Duke shoshitur kalimthi nëpër veprat e Kelmendit të ndalemi pak tek vepra “Është vetëm kujtesë”. Por, me veprën ”Është vetëm kujtesë”, mendoj se poeti ka gjakuar atë pikën kulmore të ligjërimit dhe ndërtimit të fjalës së shkruar poetike, për t’i vënë pikën diku nivelit artistik të veprës. Këtë e dëshmon me pak vargje që flasin shumë, në kopertinën e parë të librit: dhe s´ka asgjë përtej asaj që s’e dimë përfundimisht, njëshëm është vetëm kujtesë…
Naim Kelmendi, autor i shumë veprave, tani na vjen para lexuesve me librin më të ri: “Është vetëm kujtesë”, me një prurje të zjarrtë, të arrirë të shenjuar, e cila sjell jehonën e vet te çdo lexues i mirëfilltë. Poezitë e kësaj përmbledhje janë të veçanta, me thesare të veçanta, si një gurrë që buron nga ky kopsht i pasur poetik. Naim Kelmendi me punën e tij prej krijuesi ka bërë një kthesë drejt modernitetit të letërsisë sonë.
Ai shquhet me lirikat e tij, me lirika të pasura të atdhedashurisë dhe ato refleksive, ku në epiqendër të krijimtarisë së tij vihen njeriu, atdheu, kombi…
Poezitë e Naim Kelmendit edhe kur janë të shkurtra, flasin shumë, kanë ndërtim dhe prurje të fuqishme.
NAIM KELMENDI
ZBRAZËSI
Aty ku s´jemi ne
është zbrazësia
është spiku i zi
i dhembjes
është ngjarja
që s´ka ngjarë
dhe kurmi i heshtjes
që vret shpirtin
aty ku s´jemi ne
janë ngjarjet
që kurrë s´do ngjajnë.
Krejt në fund mund të themi se Naim Kelmendi çmohet si krijuesit më të mprehtë, i cili dekada me radhë i ndihmoi zhvillimit dhe mendimit kritik të letërsisë sonë, ku lexuesit e vëmendshëm kënaqen me arritjet e tij kulmore në letrat tona, si dhe ngjallin respekt te lexuesit e mirëfilltë, për studimin e veprave të tij. Mikut tim të madh, krijuesit të shquar, z. Naim Kelmendit, i uroj shëndet dhe shumë vepra të tjera.
Short URL: http://www.gazetarepublika.al/?p=38843