BISEDË ME POETIN MENTOR THAQI: TË RESPEKTOHET DINJITETI I ATYRE QË KOSOVËS IA RIKTHYEN LIRINË..!



Rexhep Elezaj

nga Rexhep Elezaj





TË RESPEKTOHET DINJITETI I ATYRE QË KOSOVËS IA RIKTHYEN LIRINË..!




Mentor Thaqi është poet që jeton dhe krijon në Gjermani, që nga viti 1989. I lindur në Llukë të Epërme të Deçanit para 47 vjetëve, i shkolluar atje me arsim të lartë, në një kohë të pa kohë mori rrugën e mërgimit, dhe atje u vendos përkohësisht, ku jeton edhe sot! Është i martuar dhe baba i dy fëmijëve, Butrintit 15 dhe Kurbinit 12 vjeç, banon në Villingen-Schwarzwald të Gjermanisë!
-Bota Sot: z. Mentor, na fletë pak më shumë për lexuesit rreth biografisë tuaj personale dhe krijuese ?
-Mentor Thaqi: punën për mbijetesë familjare dhe personale e kam obligim primar. Edhe pse studiova ekonominë, në profesion nuk pata rastin të punoj kurrë. Jashtë orarit të punës merrem me veprimtari tjera, që për mua janë më shumë ushqim shpirtëror, e që më nxisin të mos i dorëzohem shabllonit të jetës këtu në vendin e huaj. Pra, shkruaj punime në shumë gjini letrare, por në masën më të madhe shkruaj poezi të gjinive të ndryshme siç janë tekste këngësh, shkrimet eseistike, publicistikë, etj.


-Bota Sot: Na thuani më konkretisht rreth krijimeve dhe botimeve tuaja poetike të deritanishme ?
-Mentor Thaqi: Po, kam të botuar librin me poezi "Rrënjët" që më la të kënaqur me mirëpritjen nga lexuesit. Kam të përgatitura për botim edhe katër libra tjerë; "Lis me Plis", "Kurorë Trungu", ...




Kopertina e librit me poezi të autorit Mentor Thaqi


"Ironi e shtrydhur" (sarkazëm, parodi, ironi), "Përtej hijes" (vargje filozofike) siç jam në përgatitjen edhe të një libri me poezi për fëmijë "Bota jonë", por për shkak të mundësive të kufizuara materiale "duhet" të presim edhe pak botim e tij. Ky vit që po kalon, mund të them lirisht, se ishte mjaft i suksesshëm për mua si krijues. E them me modesti, e po aq me sinqeritet dhe kënaqësi se në këtë vit kam qenë koautor në pesë libra të përbashkëta, në antologjinë: "Trinomi i Lirisë", "Një shekull dritë", "Pesë degë trungun thërrasin", "Rrjedhat e kristalta", "Bekim në Bekimin", në të gjitha me dy deri në dhjetë poezi. Po ashtu jam pjesëmarrës edhe në antologjinë për heroin Zahir Pajaziti e cila është në përfundim e sipër! Nga ana tjetër kam shkruar shumë tekste këngësh, dhjetëra prej tyre janë realizuar (kënduar) nga këngëtar të ndryshëm, dhe prej tyre mbi dhjetë sosh gjenden në televizionet tona ku transmetohen herë pas here. Kam botuar disa herë edhe artikuj të ndryshëm në gazetat tona, vështrime të ndryshme letrare etj.
-Bota Sot: Me cilët këngëtarë bashkëpunoni më shumë dhe në ç´zhanre ua shkruani tekstet?
-Mentor Thaqi: Bashkëpunoj me këngëtarë të shumtë dhe bashkëpunimin më të ngushtë e kam me tenorin tonë të shkëlqyer, artistin e mrekullueshëm Shkodran Tolaj, e tash edhe me çiftin Tolaj-Mehmedi, me të cilin kemi realizuar, të paktën mbi 15 këngë që shumë prej tyre emitohen në televizionet tona, si; balada e Presidentit Rugova "Njeriu", balada e dëshmorëve të kombit në Koshare "Këndoi Shqipja", "Eja", "Përsëri si dikur", "Tiranasja", këngës himn për Pejën në 100 vjetorin e Pavarësisë, "Peja" në interpretim prej mbi dhjetë këngëtarëve nga më të mirët që kemi. Pastaj, pesë këngë nga albumi i Shkodranit "Hape zemrën", këngën "Autostrada" rap-pop nga Shkodrani dhe Danger me Big X dhe Co, etj. Tashmë edhe me Ilirët-Shemin, këngën "Rini thuaja" që bëri bujë të madhe në skenën tonë muzikore! Kam edhe dhjetëra këngë të realizuara nga rapsodi ynë popullor Agim Gashi, vëllezërit Çetaj, Kristë Lleshi etj., si dhe një mori tjetër që janë në realizim e sipër.
Mentor Thaqi


-Bota Sot: a mund të na flisni për angazhimet tuaja në art, kulturë si dhe veprimtari kombëtare ?
-Mentor Thaqi: paj, me dijen dhe "takatin" tim mundohem ta jap kontributin tim edhe si krijues, edhe si intelektual. Për momentin jam nënkryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, Artistëve dhe Krijuesve Shqiptar në Gjermani, ku fatmirësisht jemi mjaft aktiv, dhe dorën në zemër, as sukseset nuk na mungojnë. Realizojmë manifestime dhe takime të shpeshta letrare dhe përkujtimore, nderojmë ngjarje dhe personalitete kombëtare, kemi bashkëpunim të mirë me simotrat tona në mërgim e atdhe, si p.sh. me shoqatën "Aleksandër Moisiu" në Vjenë, me klubin letrar "Petro Marko" në Vlorë, me shoqatat "Dardania", "Stublla", "Atdheu", Klubin "Bardhosh Gërvalla", "Kosova" etj.Që nga ardhja ime në mërgim, jam përpjekur të japë kontributin tim në afirmimin dhe senzibilizimin e çështjes së Kosovës tek populli mik gjerman dhe më gjerë në Evropë. Kam marrë pjesë gati në të gjitha demonstratat dhe protestë që i kemi organizuar në Gjermani, dhe shpeshherë kam qenë edhe bashkorganizator i tyre. Qysh nga formimi i LDK-së në atdhe dhe Degës së saj në Gjermani, e gjeta veten time në përbërjen e saj, dhe mund të them se kam qenë aktiv në strukturat udhëheqëse të saj në nivel të Degës që udhëhiqej nga z. Hafiz Gagica dhe Sali Çeku me bashkëpunëtorë. Jam dhe mbetem rugovian i "papërmirësueshëm". Njëkohësisht, kam qenë i angazhuar drejtpërdrejt në strukturat organizative të fondeve për Kosovën, si dhënës dhe natyrisht edhe në mbikëqyrjen e grumbullimit të mjeteve të 3 %-it, në Fondin e Aachenit, prandaj tash insistoj hapur që të jepet përgjigje transparente rreth shpenzimit të atyre mjeteve nga ata që dikur i menaxhuan ato fonde..!
-Bota Sot:Pasi që folët për LDK-në, na thoni më në detale, ku është ajo sot bashkë me Kosovën, në kontekstin e rrjedhave aktuale politike ?
-Mentor Thaqi: Kosova është, me gjithë disa përparime nga paslufta, në një vendnumërim të keq, varfëri dhe në skamje ekstreme e deri tek një pasurim marramendës. Madje, disa pushtetarë janë pasuruar në mënyrë kriminale, korruptive dhe shumë të pandershme! Shihni si u pasuruan qeveritarë dhe politikanë jo të paktë kaq shpejt, të cilët para lufte nuk kishin pothuajse asgjë. Me pagat që marrin (ne në mërgim me pagat tona mezi mbijetojmë) arritën që brenda natës të bëhen milionerë, dhe kjo është pa nga pasuritë që i deklaruan, pa ato të fshehurat. Ata janë aksionarë anonim në "blerjen" e pasurisë kombëtare për pesë para. Kjo është tmerr, krim dhe korrupsion që po shkatërron keq shtetin tonë..!Ndërsa, LDK-ja? Ah, ajo që dikur nën udhëheqjen e Presidentit Rugova vilte mbi gjysmën e votave të popullit, dhe sot mjerisht është stërkequr nga udhëheqjet e papërgjegjshme.



 Bëhet zhurmë në emër reformash, por në fakt reformat janë gati regresive, demokracia e brendshme është peng e interesave personale dhe grupore, nuk përfillet as lejohet mendimi ndryshe, nuk ka konkurrencë vlerash dhe mendimesh, nuk iu jepet hapësirë vizioneve rugoviane, janë mënjanuar dhe larguar bashkëpunëtorët më besnikë të presidentit Rugova (!?). Vërtetë një gjendje mjaft hidhëruese për ne, sepse me apo pa dashje, po bëhemi bashkëfajtorë me qeveritarët e sotëm të korruptuar! Unë bashkë me brengën e shumicës së popullit jam me shpirt dhe zëmër me ndjenjat e ndrydhura të skamnorëve, me ata që luftuan në front për çlirimin e Kosovës, por që sot nuk e kanë kafshatën e gojës për fëmijët e tyre..! Isha, jam dhe mbetem i vendosur të luftoj për rikthimin e dinjitetit të nëpërkëmbur të votuesit shqiptar, t’i rikthejmë vlerat rugoviane, të rikthejmë moralin njerëzor përballë matrapazëve të politikës pa kurrizore e cila mërgatën po vazhdon ta injorojë dhe shfrytëzojë paturpësisht! Thjesht, e dua LDK-në rugoviane dhe përpiqem me kolegët e mi që ta bëjmë punën tonë për të mirën e atdheut !
-Bota Sot: z. Mentor, cila do të ishte porosia juaj për lexuesit tanë ?
-Mentor Thaqi: Ftoj të gjithë ata që e duan Kosovën, filozofinë rugoviane ta kenë udhë rrëfim në jetën e tyre politike dhe kombëtare! Unë së bashku me shumë miq punojmë natë e ditë për rikthim të dinjitetit të mërgimtarëve tanë, sidomos kur shkojnë në vendlindje sepse, po trajtohen si “të huaj” në shtëpinë e tyre, dhe kjo bie ndesh plotësisht me ndershmërinë shqiptare!Në fund të këtij bashkëbisedimi të gjithë lexuesve të gazetës sonë dhe kombit tim iu uroj festat e fundvitit me plotë dashuri vëllazërore! Zoti e bekoftë veprën e presidentit Rugova, sakrificën dhe guximin e dëshmorëve dhe martirëve tanë, Zoti e bekoftë kombin dhe atdheun tim, Arbërinë Iliro-Dardane!
-Bota Sot: Ashtu kjoftë dhe ju faleminderit!

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)

Legjenda e Mujit dhe Halilit