Derisa ulet në kolltuk në hollin e një hoteli modern të kryeqytetit, lë përshtypje se po ndihet rehat. Por rehatia e historianit më të përfolur kohët e fundit ndër shqiptarë prishet kur dëgjon disa pyetje. Nganjëherë skuqet e nganjëherë qesh. Por, nuk ngurron të pranojë se jo të gjitha pyetjet janë të lehta, ashtu siç nuk është e lehtë as historia. Për disa çështje udhëzon se duhet kërkuar përgjigje tek shqiptarët.
Historiani zviceran, Oliver Jens Schmitt, ligjërues i historisë së Evropës Juglindore në Universitetin e Vjenës, në një intervistë eksluzive për “Kohën Ditore”, ka dhënë detaje për “takimin” e parë me Skënderbeun, me emrin e të cilit do të mishërohej tek publikoi biografinë e parë gjithëpërfshirëse për heroin kombëtar shqiptar, me titull “Skënderbeu”. Schmitt u jep përgjigje atyre që e kritikuan për çmitizimin e heroit. Ai jep edhe komente për disa nga tezat që ka ngritur në veprën e fundit “Shqiptarët – një histori mes Orientit dhe Oksidentit”. Por Schmitt nuk ngurron që shqiptarëve t’ua “përplasë hundëve” të vërtetën aktuale, duke thënë se Kosova e Shqipëria ndodhen në situatë të vështirë. Schmitt thotë se kërkesa për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë duhet të ketë arsye.
Çështja e bashkimit midis Kosovës e Shqipërisë “Varet nga shqiptarët, por unë kam gjithmonë një pyetje. Flitet shumë për bashkimin, por çfarë do të jetë përmbajtja, çfarë do të jetë për shembull kushtetuta e një shteti shqiptar? Ku do të jetë kryeqyteti, për shembull? Do të jetë një konfederatë, një shtet centralist? Këto janë pyetjet më kryesore. Natyrisht të gjithë mund të flasin dhe kombëtaristët që mund të ëndërrojnë për Shqipërinë e madhe. Por një Shqipëri e madhe, një kombinim i Shqipërisë me Kosovën a do të funksionojë si shteti më i mirë, çfarë mund t’u ofrojë qytetarëve të tij? Kjo është çështja kryesore dhe mendoj që as Aleanca Kuqezi dhe as “Vetëvendosja” deri më tani nuk i kanë përcaktuar detajet në realitetin politik të një shteti shqiptar. Nuk kam frikë se një Shqipëri a shtet shqiptar demokratik pluralist në të cilin respektohen edhe të drejtat e njeriut, vlerat demokratike, do të pasurojë pa dyshim edhe Evropën. Por një shtet, i cili do të bashkonte vetëm disa tradita të kahershme të politikës shqiptare, natyrisht do të bashkonte vetëm problemet e deritanishme dhe mendoj që nacionalizmi pa përmbajtje, pa një program të zhvillimit se çfarë janë problemet kryesore, nuk është Shqipëria e madhe. Është ekonomia, arsimi, puna për të gjithë, perspektiva edhe për gjeneratat e reja”, ka thënë ai.