2012-12-29

Rrëfehet Schmitt: Shqiptarët e keqkuptuan Skënderbeun tim


Oliver Jens Schmitt mendon se një emër nuk të jep çelësin për gjuhën e aq më pak për identitetin. Pas një varg pyetjesh që ngacmonin prej javësh kureshtjen e shqiptarëve, Schmitt, autori i veprës më të re “Skënderbeu” na shuan shumë dyshime që ngritën krye gjatë ditëve të debatit mbi figurën e heroit tonë kombëtar Skënderbeu. Ai debat nxori në pah vetinë tonë për t’u ngutur ngaherë e për t’u ngatërruar me fjalët tona si në një qerthull. Shumë debatues u hodhën në diskutime, pa e lexuar librin, e të tjerë e paragjykuan pa dashur të dinë asnjë detaj rreth tij. A ishte i qëllimshëm drejtimi që mori ky debat? Ndoshta po.
“Libri im nuk ka për qëllim të çmitizojë Skënderbeun. Askund nuk kam thënë se babai i Skënderbeut Ivan Kastrioti ishte serb. Ngaqë librin e kam shkruar në radhë të parë për lexuesin gjerman dhe jo atë shqiptar, kam ruajtur atë formë që gjendet në burimet dokumentare të kohës së tij; e këto si latinishte ashtu edhe greqishte japin trajtën Ivan, ndërsa në burimet osmane Jovan...”
Shmit thotë se temat kryesore të diskutimit nuk kanë të bëjnë aspak me librin dhe se diskutimi në të vërtetë nuk ka një objekt. Por si u përgjigjet Oliver Schmit gjithë akuzave që i drejtohen atij, si i komenton deklarate shkrimtarit Ismail Kadare? Në këtë rrëfim të gjatë historiani Oliver Schmit zbardh shumë të vërteta që lidhen me qëndrimet e tij rreth figurës së Skënderbeut dhe sidomos mbi rrjedhën që mori debati i lindur pas botimit të librit të tij në gjuhën shqipe.

Schmitt dhe shqiptarët...

Z.Schmitt, mund të na flisni pak për lidhjen tuaj me Shqipërinë dhe shqiptarët?
Interesimi im për kulturën shqiptare ka filluar herët, gjatë një udhëtimi që bëra në kufirin greko-shqiptar në vitin 1991. Më 1996 kam ardhur në Shqipëri për herë të parë, vizitova sidomos jugun midis Korçës, Gjirokastrës dhe Sarandës. Qysh shpejt lindi plani për të shkruar një disertacion me temë shqiptare, që do t’i kushtohej “Arbërisë venedike” në fund të shekullit 14 dhe në shekullin 15. Shqipen e kam mësuar me një mik e koleg shqiptar në Vjenë dhe kam mundur ta përmirësoj vitet e fundit në një numër udhëtimesh në hapësirën shqipfolëse. Kam pasur kontakte të ngushta me kolegë shqiptarë qysh gjatë studimeve në Vjenë – aso kohe studionin këtu shqiptarë që sot japin mësim në Prishtinë dhe Tetovë; më i njohuri është pa dyshim ministri i sotëm i arsimit të Kosovës Enver Hoxhaj. Kam pasur gjithmonë kontakte të mira me studentë shqiptarë gjatë mësimdhënies në universitetet e Mynihut dhe të Vjenës, mes tyre edhe me asish që kanë vetë sot punime hulumtuese. Gjatë viteve të fundit kam udhëtuar disa herë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, jam takuar këtu me kolegë të shumtë, me disa kam pasur edhe diskutime shumë intensive, mes të tjerash në konferencat për Skënderbeun që u organizuan në vjeshtë 2005. Instituti universitar ku unë punoj mban kontakte me institucione analoge në hapësirën shqipfolëse, e unë i zhvilloj më tej këto kontakte edhe nëpërmjet veprimtarisë sime në Komisionin Ballkanik të Akademisë Austriake. Akademia Austrike në janar 2008 nënshkroi një marrëveshje me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Në vitet e fundit, me përkrahjen e rektoratit të Universitetit të Vjenës arrita të ngre edhe një program bursash për historianë të rinj shqiptarë (nga Shqipëria dhe Kosova). Së fundi Instituti im ka marrë në gjirin e vet bibliotekën e Institutit Shqiptar të Mynihut, një nga koleksionet më të rëndësishme albanologjike të Europës perëndimore.
Cilat janë fushat e studimeve shqiptare që përbëjnë interes për ju?
Merrem sidomos me historinë mesjetare, por kam shkruar edhe një studim për Faik Konicën, së fundi edhe një histori të Kosovës. Më 2006 dhe 2008 u zhvilluan në Vjenë dy konferenca albanologjike, njëra për kritikën e historiografisë, tjetra për historinë e fesë, në këto morën pjesë kolegë shqiptarë dhe ndërkombëtarë. Përfundimet do të botohen vitin e ardhshëm.
Vizitat tuaja në këtë vend?
Midis viteve 1996 dhe 2008 kam ardhur shumë herë në Shqipëri, por më kanë lënë mbresa sidomos udhëtimet e viteve 2006 e 2007 në viset e Skënderbeut (Mat, Dibër) e në Shqipëri të veriut. Kujtoj me dëshirë mikpritjen, sidomos në zonat e thella.
Cilat kanë qenë kontaktet e para të njohjes me Skënderbeun, dhe çfarë ju joshi për të hulumtuar rreth tij? Tek e fundit pse një libër për Skënderbeun?
Që në gjimnaz pata lexuar klasikët e albanologjisë historike (sidomos Šufflay-n dhe Jireèeku-n). Kështu plani për të kryer vetë hulumtime arkivore për Skënderbeun ka lindur shpejt. Munda ta realizoj këtë plan midis viteve 1999 dhe 2007, ndërsa vepra “Arbëria venedike” dhe një numër shkrimesh e botimesh dokumentare ishin paraprijëse të to.

Libri dhe reagimet…

Ndalojmë pak tek libri juaj i ri, “Skënderbeu”. Sa është i pranishëm elementi artistik në veprën tuaj?
Biografia është, në kuadrin e historiografisë, një zhanër me rregullat e veta, të cilat lejojnë që të lidhet puna shkencore edhe me mëtimin artistik. Vitet e fundit në dije është zhvilluar një diskutim intensiv lidhur me teorinë e biografisë, ndër të tjera edhe mbi mundësinë e lidhjes së modeleve narrative me ato analitike. Jam përpjekur të shkruaj një libër, i cili përdor edhe metodat e shkencës historike, por lexohet mirë.
A e morët me mend që do të kishte një reagim të tillë kur po e shkruanit?
Jo.
Si mendoni, çfarë e lëndoi sedrën e shqiptarëve në këtë rast?
Diskutimi mbi librin ndjek mekanizma mediale, të cilat njihen edhe nga raste analoge. Këtu libri vetë shërben si sipërfaqe projektimi për stereotipe, ideologji dhe me sa duket, edhe frikëra. Shumica e pjesëmarrësve shprehin sidomos mendime të parapërgatitura. Përmbajtja e vetë librit nuk luan ndonjë rol. Më të shumtët e librave që janë kontestuar ashpër, nuk janë lexuar prej kritikëve të tyre më të rreptë. Në rastin konkret ata që e kanë lexuar librin janë shprehur në mënyrë të diferencuar ose pozitive (Fatos Lubonja, Beqir Meta, Artan Lame), të tjerë, që nuk e kishin në dorë, nuk kishin nevojë ta lexonin, pasi “e dinin” paraprakisht çfarë përmbante ai. Ndaj debati dhe rrjedha e tij nuk të habit fort. Më 2007 në Bullgari ndodhi një debat edhe më i ashpër: një koleg gjerman dhe një kolege bullgare, të cilët kishin punuar mbi ikonografinë e masakrës së Batakut (1876) u akuzuan nga nacionalistë bullgarë se po e mohonin masakrën. Këtë gjë të dy këta studiues në të vërtetë nuk e kishin bërë, megjithatë opinioni publik bullgar, ndër ta edhe presidenti i shtetit ishin të bindur se të huajt po sulmonin nderin kombëtar të bullgarëve. Sapo që aktivohet ky lloj stereotipi, është gati e pamundur të argumentosh kundër tij në mënyrë racionale. Këto stereotipe nacionaliste dhe ksenofobe u përdorën nga sistemet komuniste si mjete pushteti, ato në Shqipëri janë edhe më të forta se në Bullgari. E meqë në të dyja këto shtete nuk është zhvilluar, ose veç sapo ka filluar të zhvillohet një diskutim publik mbi pasojat e politikës izolacioniste komuniste, paragjykime të tilla mund të aktivohen fare lehtë.
Në mbyllje dua të nënvizoj se temat kryesore të diskutimit nuk kanë të bëjnë aspak me librin:
1. Në libër nuk thuhet se Ivan Kastrioti paskej qenë serb.
2. Në libër nuk thuhet se gjakmarrja paskej qenë motivi i kryengritjes; fjala është në të vërtetë për të vetmin motiv personal, të shfaqur qartë në dokumentet, të Skënderbeut, si renegat i vetëm dhe oficer i suksesshëm osman që filloi një kryengritje kundër sulltanit. Vetë kryengritja kishte arsye shumë më komplekse, të cilat analizohen me hollësi në libër.
3. Libri nuk ka për qëllim “të demitologjizojë” Skënderbeun – kjo gjë thuhet që në parathënie.
Krejt debati në të vërtetë nuk ka objekt, siç e shprehu Ardian Klosi.
Shumë shqiptarë mendojnë se figura e Skënderbeut është e studiuar mjaftueshëm dhe s’ka vend për ndonjë të re entuziaste që mund të ndryshojë imazhin tonë mbi këtë figurë. Të tjerë thonë se studimet e shumta shqiptare mbi Skënderbeun nuk lënë ndonjë vend që një studiues i huaj të ngrihet e të mbulojë boshllëqet. Ka nota xhelozie këtu? Nga se shkaktohet?
Këtë të fundit unë nuk mund ta gjykoj. Në tërësi duhet vërejtur se çdo hulumtim do parë si një proces: materiali i ri dhe shtrimi i ri i pyetjeve të çojnë në rezultate të reja. Ndërsa trajtimi që u bën shoqëria këtyre hulumtimeve është diçka tjetër. Mes diskursit shkencor dhe atij shoqëror shpesh nuk ka përputhje, sidomos në ato raste kur përfundimet e hulumtimit, për shkaqe të ndryshme, mund të ndjehen si të sekëlldisshme ose negative nga një shoqëri. Vetëm se kjo nuk është diçka tipike shqiptare, por mund të vërehet edhe në shumë raste të tjera – një shembull këtu është roli i Zvicrës në Luftën e dytë Botërore, i cili në paraqitjet zyrtare del shumë më pozitiv sesa në hulumtimet e historianëve. Mirëpo një debat i gjerë i krejt shoqërisë solli në situatën që tani shoqëria e ka kapërcyer këtë mit kombëtar, konkretisht ngaqë nuk diskutoi vetëm në mënyrë emocionale, por edhe racionale, dmth. duke vënë në themel të diskutimit materialin dokumentar, nga arkivat, e jo mendimet e parapërgatitura. Natyrisht që jo të gjitha pjesët e popullsisë pranuan në të njëjtën masë, megjithatë është arritur një konsensus i ri mbi këtë pjesë të historisë nëpërmjet një diskutimi të hapur, zakonisht me nivel të mirë. Por nuk ka qenë aspak proces i lehtë.
Ekziston një mendim i përgjithshëm, se librat që në një farë mënyre thyejnë mitet kombëtare janë më interesantë, rrjedhimisht më të shitshëm. Hyn libri juaj në këtë kategori?
Jo. Në të vërtetë mjafton të lexosh hyrjen. Qëllim i librit nuk është “shkatërrimi i një miti”, por rindërtimi historik mbi bazën e gjithë burimeve të shfrytëzueshme e me peshë. Në pjesën përmbyllëse analizohet dhe shpjegohet receptimi i Skënderbeut në Europë dhe në Ballkan, si lindi imazhi i sotëm i Skënderbeut. Debati mbi “demitologjizimin” i shkon tangent qëllimit të librit – ashtu siç nuk kanë të bëjnë me librin edhe elementet e tjera të debatit. Veç kësaj mendoj se për të arritur mirëqenien ka rrugë më të mira nga hartimi i librave shkencorë.

Emrat sllavë…

Emërtimet në librin tuaj janë kryesisht në gjuhën sllave. Nisur prej tyre janë nxjerrë edhe konkluzione të shpejtuara të tipit: Schmitt e cilëson Skënderbeun serb, edhe pse në tekst nuk ka cilësime të tilla të drejtpërdrejta. Pse janë përdorur këto emra në gjuhën sllave? P.sh, pse Ivan dhe jo Gjon?
Bëhet fjalë për një keqkuptim thelbësor. Një emër nuk është në gjendje të tregojë për përkatësinë gjuhësore ose etnike të një personi. Një shqiptar që quhet Ali bëhet arab prej këtij emri po aq pak sa bëhet vetiu serb një person që quhet Ivan. Në libër nuk thuhet se Ivan Kastrioti paskej qenë serb. Nuk e di se kush e hapi këtë farë debati për herë të parë – porse ai pohim vuri në veprim mekanizmin medial. Ndaj reagimi emocional negativ nuk ka asnjë bazë. Kushdo që e lexon librin ka për ta vërejtur këtë gjë; kurse ai që nuk e ka lexuar do të vazhdojë të ndjekë mendimin e tij të parapërgatitur.
Meqë jemi në këtë temë, çfarë përkatësie do t’i jepnit Skënderbeut?
Kjo pyetje niset prej hipotezës se etnia ka vazhdimësi dhe mbetet e pandryshuar, diçka me të cilën dija ndërkombëtare nuk pajtohet. Përkatësia etnike në Mesjetë nuk kishte ndonjë rëndësi të madhe. Njerëzit patjetër që ishin të vetëdijshëm për ndryshimet gjuhësore; mirëpo përkatësia fetare, pozicioni shoqëror, dallimet midis shoqërive të qytetit dhe të fshatit, mënyrat e ndryshme të jetesës në malësi dhe në ultësira kishin peshë më të madhe. Sidomos në rastin e fisnikëve kategoria etnike nuk ndihmon shumë: sa më e rëndësishme të ishte një familje, aq më ndërkombëtare ishte ajo. Kjo vlente edhe për Kastriotët, të cilët ishin të lidhur me familje serbe dhe greko-bizantine dhe ishin krenarë për këtë. Në ndryshim nga identiteti etnik, kishte rëndësi identiteti politik dhe kulturor: Skënderbeu e shihte veten si „zot të Arbërisë”. Në lëmin kulturor humanizmi, të cilin e kishte prurë në Arbëri kisha katolike, luajti aty nga fundi i jetës së Skënderbeut një rol të rëndësishëm – kështu duhet kuptuar lidhja e tij me epirotët e antikitetit ose imitimi i kurorës mbretërore të Maqedonisë (njëra pjesë e së ashtuquajturës përkrenare e Skënderbeut në Vjenë).
A kanë lidhje këto emërtime me faktin se ju keni dashur t’i qëndroni besnik dokumenteve të cilave u jeni referuar?
Po. Emri Gjon u përdor nga intelektualët e Rilindjes shqiptare. Në shumicën e shoqërive europiane emrat e princave përkthehen në gjuhën përkatëse: Henri IV në librat gjermanë shfaqet si Heinrich IV. Në këtë pikëpamje studimet shqiptare ndjekin një praktikë të zakonshme. Por unë, ngaqë librin e kam shkruar në radhë të parë për lexuesin gjerman dhe jo atë shqiptar, kam ruajtur atë formë që gjendet në burimet dokumentare të kohës së tij; e këto si latinishte ashtu edhe greqishte japin trajtën Ivan, ndërsa në burimet osmane Jovan. Kështu babai i Skënderbeut shfaqet në gjuhë të ndryshme nën këtë emër, kurse forma Gjon nuk dëshmohet. Ndaj duhet menduar që ai kështu e ka quajtur vetveten, prandaj edhe u njoh si në Ballkan ashtu, edhe në Itali nën këtë emër. Një kancelar që shkruante latinisht nuk kishte ndonjë arsye të përdorte një trajtë sllave të emrit, një historiograf bizantin si Halkokondili do mund ta kishte quajtur edhe “Ioanis”: mirëpo ai nuk e bëri këtë gjë, por përdori atë trajtë emri me të cilën njihej përgjithësisht Ivan Kastrioti. E pra këtu ndjek thjesht gjuhët burimore. Kjo zgjidhje sigurisht që ka më pak ngarkesë ideologjike sesa emërkrijimi i ri “Gjon”. Më tej dua të theksoj sërish se një emër nuk të jep çelësin për gjuhën e aq më pak për identitetin.

Portretizimi i Skënderbeut…

Figura e Skënderbeut është ezauruar thuajse në të gjithë fushat e artit, në letërsi, muzikë dhe artet pamore, në pikturë e skulpturë. Për aq sa njihni, si e komentoni portretizimin që i është bërë Skënderbeut deri më sot, sidomos në Shqipëri?
Veprat më të rëndësishme u krijuan vetëm pas vitit 1945 dhe ato i përgjigjen konceptit të realizmit socialist përkatësisht të stalinizmit kombëtar, siç e modeloi Enver Hoxha. Ndërkaq nuk ekziston ndonjë ikonografi e gjerë parakomuniste, e cila do mund të bëhej një alternativë ndaj mënyrës komuniste të të lexuarit. Monumentet në Prishtinë dhe Çair/Shkup qenë një shans për t’i ftuar artistët që të jepnin forma të reja të paraqitjes; por ky shans u dogj. Diçka e ngjashme vlen edhe për letërsinë artistike: letërsia për Skënderbeun kishte nën diktaturën e Hoxhës një karakter stabilizues për sistemin. Ajo kontribuoi që Skënderbeu të bëhet feja civile e një shteti ateist, siç e ka formuluar në një ese Egin Ceka.
A kanë artistët shqiptarë një koncept të qartë për këtë figurë?
Në kuptimin e përgjigjes së mësipërme, po.

Saktësime...

Ndër tezat e shumta tërheqin ende vëmendjen argumentet që ka dhënë Fan Noli në vitin 1960, pas ripunimit të veprës së tij “Skënderbeu”. Ndër to do të përmendim katër. Noli argumenton se: a) Skënderbeu ka lindur më 1400. Në tekstet tona vijon të shkruhet 1405 si vit i lindjes së tij. b)Ai nuk ishte 9 vjeç kur u dërgua peng te sulltani, por 30 vjeç. c)Nuk ka asnjë dokument që të provojë se ai u konvertua në fenë islame; dhe d), se Skënderbeu, ndryshe nga ç’thotë Barleti, nuk e ka kryer akademinë ushtarake të Kostandinopojës. Çfarë mund të saktësojmë në këto katër raste?
Viti 1405 duhet mbajtur si i vlefshëm. Skënderbeu shkoi në oborrin e sulltanit pas vitit 1423, pra si djalosh i ri. Barleti e përshkruan konvertimin me shumë saktësi, shton edhe një përshkrim të urdhrit të dervishëve, çka lë të kuptosh se Skënderbeu kaloi në Islam në një mjedis dervishësh. Ky konvertim nuk vërtetohej aso kohe me shkrim, por bëhej para dëshmitarësh (çka e përmend edhe Barleti). Në Konstantinopojë Skënderbeu nuk mund të ndiqte ndonjë “akademi ushtarake”, pasi ky qytet mbeti bizantin deri në vitin 1453, ndërsa kryengritja e Skënderbeut filloi qysh më 1443.

Kadare në debat...

Në vazhdën e debateve të fundit, më shumë vëmendje tërhoqën deklaratat e shkrimtarit Ismail Kadare. Do të donim të komentit disa prej tyre. P.sh, Kadare thotë: 1) “Çfarë ka bërë ky Skënderbeu të keqe që ne shqiptarët duhet ta vëmë në diskutim? Dhe del një gjerman në mënyrë të papritur, kur ka nja njëmijë e pesëqind libra për të, dhe ne duhet si servilë të ulim kokën të gjithë dhe të shohim ç’thotë ky gjerman, kur kemi qindra e qindra libra dhe vlerësime të padiskutueshme të Skënderbeut…”
2) Në fillim u gjet që babai i Skënderbeut paska pasur një grua sllave. Kjo mund të jetë e vërtetë. Tërë feudalët, tërë princat e Europës merrnin gra të huaja dhe asnjëherë gruaja e huaj nuk kthente identitetin e vendit. Tani i gjetën edhe babanë, na e paska serb... Ky është kuptimi i shëmtuar i kësaj, d.m.th që nëse kjo figurë do të mbahet, do të mbahet si figurë më zanafillë sllave, që nuk është e vërtetë fare. D.m.th, që Kosova do të kthehet përsëri në statusin e provincës serbe, dhe normalisht kryezotin e saj, heroin e saj do ta ketë serb.
Këto deklarata në të vërtetë thonë më shumë për personin që i lëshon, sesa për atë për të cilin bëhet fjalë. Sa për të tjerat ato janë po aq të sakta sa dhe pohimi që unë qenkam gjerman, kur në të vërtetë jam zviceran.

Reliket në muzeun e Vjenës...

Ende ka dyshime mbi autenticitetin e dy relikeve të Skënderbeut që ruhen në muzeun e Vjenës. A i përkisnin vërtet atij ato relike? A janë përdorur prej Skënderbeut?
Specialistët e muzeumit janë të mendimit se me përjashtim të brirëve të dhisë mbi përkrenare, pjesët e tjera nuk janë origjinale. Nuk ka ndonjë dokument që të flasë për përdorimin eventual të kësaj pjese. Do menduar se brirët, simbol i Mbretërisë antike maqedone, simbolizojnë mëtimin e Skënderbeut për të ripërtërirë këtë mbretëri: si Aleksandri i Madh i ri, si mbret i maqedonëve dhe epirotëve, duke iu përgjigjur kësisoj gjuhës antikizuese të Rilindjes europiane. Këtu vepronte sidomos ndikimi kulturor i kishës katolike (papës Piu II, arqipeshkvit Pal Engjëlli të Durrësit).

Dhe në fund…

Shumë prej debatuesve, për të mos thënë të gjithë, nuk e kanë lexuar ende deri në fund librin tuaj. E megjithatë, diskutojnë. A ka vend për debate në këto kushte mosnjohjeje?
Ecurisë së debatit nuk mund t’i ndryshosh më gjë. Por meqë në vitet e ardhshme kanë për t’u përkthyer herë pas here në shqip libra historianësh të huaj albanologë, do të ishte mirë që në diskutimin e ardhshëm pjesëmarrësit të njohin më së pari librin e të mos e përdorin atë thjesht si sipërfaqe projektimi për diçka tjetër. Do të ishte gjithashtu e dëshirueshme që të vihet njëherë në pikëpyetje skema mik-armik që përdoret kundrejt studiuesve joshqiptarë. E ç’kuptim kanë këto nocione? Çfarë kushtetsh duhet të plotësojë dikush që dëshiron të bëhet “mik i shqiptarëve”? Kush e përkufizon se çfarë është “shqiptare”? Debatet kulturore të viteve të fundit kanë treguar së paku një gjë: që në këtë pikë në shoqëritë shqiptare të Europës Juglindore dhe të diasporës nuk ka konsensus. Librat zyrtarë të shkollave dhe të historisë vazhdojnë të ndjekin modele të periudhës komuniste – veçse nga debatet kuptohet që ata nuk pranohen më përgjithësisht.
Hulumtimi shkencor duhet të ndjekë metodat dhe parashtrimet shkencore të pyetjeve, ai duhet t’u qëndrojë larg klasifikimeve të thjeshta politike pro ose kundra.
Përfundimet shkencore paraqiten në mënyrë të rrokshme, dmth. historianët japin burimet që kanë përdorur, në mënyrë që lexuesi të mund t’i shqyrtojë ato.
Së fundi, ajo që më bën të jem disi optimist është fakti që janë të shumtë shqiptarët e rinj që studiojnë jashtë vendit dhe që nuk ndihen më të detyruar ndaj një diturie të administruar dhe të kontrolluar prej një elite të vogël. Revista si “Përpjekja” dhe “Hylli i dritës” janë shembujt më të mirë të potencialit intelektual që ekziston në Shqipëri. Natyrisht që shoqëritë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni duhet të jenë edhe të gatshme që ta shfrytëzojnë këtë potencial dhe ta zëvendësojnë në shkencë klientelizmin me cilësinë dhe kompetencën. Atëherë nuk kanë për të ndodhur më debate të tilla: pasi shkenca dhe hulumtimi shkencor janë ndërkombëtarë dhe të hapur ndaj kujtdo që punon sipas metodash shkencore. E këtë janë duke bërë ndërkaq disa intelektualë dhe studiues shqiptarë. Vetëm se zëri i tyre duhet dëgjuar më shumë e atyre u duhet dhënë shansi që të ndjekin një karrierë shkencore.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...