39 transmetues publikë kanë konfirmuar dje pjesëmarrjen e tyre në festivalin evropian të këngës 2013 i cili këtë vit do të zhvillohet në Malmö të Suedisë, në datën 14 Maj. Kjo pjesëmarrje është e kënaqshme thonë drejtuesit e Eurovizionit, duke pasur parasysh krizën ekonomike në Evropë.
Kështu, një pjesë e madhe e televizioneve publike të shteteve përkatëse, kanë garantuar angazhimin e tyre në traditën e pjesëmarrjes në Eurovizion, deklaroi Xhon Ola Sand, Mbikëqyrësi Ekzekutiv i këtij festivali në rrjetin EBU. Që nga viti 2004, diku nga 36 deri në 43 transmetues publikë kanë marrë pjesë në këtë eveniment. Kështu që pjesëmarrja e 39 konkurrentëve për këtë vit, nuk është aq dramatike, madje një numër i tillë u paraqit edhe në vitin 2010, kur Eurovizioni u zhvillua në Norvegji.
Ndër vendet që nuk do të marrin pjesë janë Bosnje-Hercegovina, Portugalia dhe Sllovakia, për arsye ekonomike. Një humbje për Eurovizionin këtë vit është mungesa e Turqisë, për shkak të mendimit të disa rregullave vitet e fundit. Ndërkaq, garës së sivjetme i bashkëngjitet Armenia, e cila në Evrovizionin e një viti më parë mungoi.
Ndërkaq, pjesëmarrjen e ka garantuar edhe Maqedonia. Po ashtu, në Evrovizionin e ardhshëm do të jetë edhe Shqipëria, e cila sot mirëpret natën e tretë të festivalit kombëtar të muzikës.