2012-12-24

Universiteti i Prishtinës me doktoratura në fund të pusit






Rektorit të ri të Universitetit të Prishtinës, Ibrahim Gashi, i janë dashur rreth dy muaj vetëm për identifikimin e gjendjes në Universitetin e Prishtinës.

Ai ka thënë se menjëherë pas kësaj ka nisur reformat.

Vështirësitë dhe sfidat në Universitetin e Prishtinës, sipas tij, nuk janë tejkaluar asnjëherë plotësisht, që nga periudha e paraluftës, kur mësimi mbahej në objekte private e në kushte të vështira të okupimit.


                                                           Prof.dr. Ibrahim Gashi  


“Nuk kemi arritur ta rikooperojmë sa duhet cilësinë pas luftës.

Në të njëjtën kohë jemi përballur me integrimin e arsimit të lartë të Kosovës në atë përkatës të Evropës, siç është përfshirja në sistemin e Bolonjës”, ka thënë Gashi, teksa ka shtuar se këto elemente e kanë vështirësuar punën e Universitetin e Prishtinës.

Sfida tjera po aq domethënëse ai ka përmendur mungesën e hapësirave të bollshme të studimit, mungesën e buxhetit, mbipopullimin me Studentë, vështirësitë buxhetore, që, siç shprehet ai, janë më të ulëtat në rajon, mosharmonizimin e programeve të studimit me tregun e punës.



 Pastaj keqpërdorimet që janë publikuar se janë ndodhur në ndonjë njësi akademike, siç është Fakulteti i Mjekësisë, falsifikimet e notave, digjitalizimi i shërbimeve, ngrohja gjatë muajve të dimrit, ndërtesa politike-kisha ortodokse dhe të tjera.


Megjithëkëtë, Prof.dr.Ibrahim Gashi nuk i përjashton punët e mira që janë bërë dhe vazhdojnë të bëhen në Universitetin e Prishtinës.

“Universitetin e Prishtinës është sinonim i arsimit të lartë, më i madhi, jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon. Në Kosovë është më i kërkuari për të studiuar në të. Jep diplomën më kredibile në raport me institucionet e tjera, edhe për tregun e punës”, ka thënë Gashi , derisa thekson se ndoshta nuk ja marrin për të keq drejtuesit e arsimit privat të lartë.

“Krejt arsimi në Kosovë identifikohet me Universitetin e Prishtinës. Edhe universitetet e reja të themeluara në Kosovë vazhdojnë të jenë të ndërvarura nga puna dhe reforma në Universitetin e Prishtinës”, thotë ai.


******


Opinion

Bije një kashtë e dalin gjashtë!




Ku janë përkthimet? Para dy vjetësh ishin ndarë 500 mijë euro për përkthimin e literaturës universitare. Deri më sot nuk është publikuar asgjë. Studentët vazhdojnë të mësojnë nga literatura e vjetër, ose nga plagjiaturat e profesorëve. Ndërkohë, UP-ja së fundi, me ndihmën e Austrisë, kanë themeluar Shtëpinë Botuese Universitare.



Një pjesë e madhe e studentëve të Universitetit të Prishtinës, edhe më tutje mësojnë me literaturë që i përket viteve '70 dhe '80. Ka edhe libra që janë shkruar nga dora e profesorëve, ka edhe të tillë që janë përkthyer nga autorë të huaj. Në plot raste janë plagjiaturë.

Mund të thuhet se të paktë janë ata profesorë të cilët u sugjerojnë studentëve literaturë alternative. Para dy vjetësh, Senati i Universitetit të Prishtinës kishte marrë vendim që të përkthehen librat universitarë të autorëve më të cituar në botë, në fushat respektive.

Por, deri më sot asnjë libër nuk është botuar. Instituti për Studime Ndërkombëtare në Tiranë kishte fituar tenderin për përkthimin e disa librave universitare. Pas dy vitesh, ata kanë sjellë disa sosh, që ende mbahen në një CD. Përkthimi i librave universitarë nga menaxhmenti i vjetër i UP-së kishte ardhur si reaksion ndaj publikimit në gazetën Express të shumë librave që ishin vjedhur nga profesorë të UP-së prej autorëve të huaj.





Ndërkohë, menxhmenti i ri i UP-së vlerëson se përkthimet, përveç ngritjes së cilësisë së mësimit, nuk mund të ulin shumë shkallën e plagjiaturës.
Ish Prorektori për mësimdhënie dhe kërkime shkencore, Bajram Berisha, pat thënë se shtetet e vogla nuk investojnë shumë në përkthime, sa investojnë në rritjen e nivelit të gjuhëve të huaja.

Megjithëkëtë, ai pat thënë se projekti për përkthimin e literaturës do të vazhdojë. Bajrami kishte sqaruar se një komision i Universitetit të Prishtinës ka konstatuar se ka pasur disa keqinterpretime.

“Ne kemi konstatuar se vetëm disa tekste janë përkthyer, ndërsa kompania ka ofruar disa libra të cilët ne nuk i kemi kërkuar fare”, shton ai. Dhe për këtë shërbim Instituti për Studime Ndërkombëtare nga Shqipëria i ka kërkuar Universitetit të Prishtinës hiq më pak se 300 mijë euro.

Por, Bajrami thotë se 75 mijë euro që i janë dhënë para disa vitesh këtij instituti mjaftojnë, ngase ata deri më tani kanë përkthyer vetëm një pjesë të vogël të librave të kërkuara.

Ndërkaq, Ramush Mavriqi, dekan i Fakultetit Filozofik, tha  për Express se" deri më sot nuk kanë marrë asnjë libër të përkthyer".


                                                     Prof.dr.Dukagjin Syrja  Pupovci

Prof.dr.Dukagjin Pupovci, ekspert i arsimit, vlerëson se përkthimet e librave universitare nuk mund ta luftojnë plagjiaturën. Ai ka pranuar se ato mund të rrisin cilësinë e mësimit, por thekson se nuk është mënyra më e mirë për ta bërë .                                                                                  

Prof.Pupovci pat thënë se se librat alternativë, kryesisht në gjuhën angleze, mund të rrisin cilësinë e mësimit në Universitetin e Prishtinës . “Nuk ka literaturë që nuk është në dispozicion në gjuhën angleze, përveç diçka shumë specifike. Unë mendoj se përgatitja e mësimdhënësve është njëra nga fushat ku vërtet Universiteti duhet të punojë shumë”, shtoi atëbotë ai .


                                        Bajram Berisha

Prof.dr.Dugagjin Pupovci pat thënë se për këtë duhet kohë, ngase jo të gjithë profesorët dinë gjuhë të huaja dhe përcjellin trendët e fundit në lëndët përkatëse.

“Ne kemi vërejtur tek një numër i konsiderueshëm i mësimdhënësve, tendencën se duhet të përdorin vetëm literaturën, autor i së cilës janë vetëm ata dhe kjo shpeshherë vjen si pasojë e mosnjohjes së gjuhëve të huaja”, vlerësoi atëbotë eksperti i arsim Dugagjin Pupovci.

Ai pat thenë se nëpër fakultete duhet të stimulohet përdorimi i literaturës në gjuhët e huaja, aq më parë kur një pjesë e madhe e literaturës është në dispozicion edhe përmes internetit.

Ndërkohë, Universiteti i Prishtinës tash e tutje nuk ka nevojë të paguajë para në shtypjen e librave universitare. Aq më pak të paguajë firma jashtë Kosovës. Shumëçka mund të prodhohet me kapacitet e veta.

UP-ja, në të kaluarën, ndoshta edhe për shkak të themelimit të vonë, nuk ka pasur ndonjë traditë të theksuar në punën shkencore. Në sistemin e arsimit të ish-Jugosllavisë, shkenca në shumicën e rasteve është bërë nga institutet e specializuara, e rrallëherë nga universitetet si të tilla.

Gjatë procesit të akreditimit, Agjencia Kosovare për Akreditim dhe ekspertët ndërkombëtarë, mungesën e një shtypshkronje në universitet e kanë parë si mangësinë më të madhe në UP.

Por, një projekt austriak ka financuar, dhe në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës ka themeluar, një Shtëpi Botuese Universitare.

Kështu, Shtëpia Botuese e Universitetit të Prishtinës do jetë një platformë për profesorët dhe studentët për të publikuar libra dhe broshura të ndryshme.

Austria ka financuar publikimin e 6 librave të parë. Në të ardhmen, UP-ja do të mundohet të gjejë sponsorë të tjerë për të financuar përkthimin dhe botimin e librave universitarë.

Edhe Bartësit e Arsimit të Lartë Privat janë duke punuar në ndërtimin e shtëpive botuese, brenda këtyre institucioneve. Tash e tutje, doktoraturat, por edhe punimet Master të studentëve, mund të publikohen nga kjo shtëpi botuese.

Libri i parë që është publikuar nga kjo shtëpi botuese është "Robotics in Kosovo", me autor Arbnor Pajaziti, profesor ne Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike. Libri ishte financuar nga KAIP (Partneriteti Kosovar-Austriak), i cili e përkrah Arsimin e Lartë në Kosovë.


-------------------



S’ka doktoraturë as këtë vit


Agjencia e Akreditimit të Kosovës nuk i ka akredituar shumicën e fakulteteve që kanë aplikuar për studimet për doktoraturë. Madje, shumica e fakulteteve as që kanë aplikuar për t’u akredituar. Bordi i agjencisë ka akredituar të hënën veç një program i doktoratës në Fakultetin e Bujqësisë, në Shkencat e Ushqimit dhe Teknologjisë

Kandidatët që kanë pritur për të vazhduar studimet për doktoraturë, në shumë programe të fakulteteve publike do të mbesin të zhgënjyer edhe më tej. Kjo ngase, Bordi i Agjencisë Kosovare të Akreditimit (AKA) ka marrë vendim që të akreditojë veç tri programe të doktoraturës, e bordi përsëri do të mblidhet në janar të vitit 2013. Bordi i AKA-së të hënën ka mbajtur mbledhjen e katërt dhe të fundit për këtë vit, pos që ka aprovuar Rregulloren për Akreditim të Agjencisë së degëve, ka marrë vendim që degët e hapura ilegale në disa fakultete të mbyllen të gjitha në mars të vitit 2013.

Edhe pse ka pasur kërkesa jo të vogla që të akreditohen shumë programe të institucioneve private të arsimit të lartë, është akredituar veç një program në Kolegjin “Dardania”. Ferdije Zhushi-Hetemi, kryetare e Këshillit Kombëtar të Cilësisë, në Agjencinë e Akreditimit të Kosovës, tha për “Lajm” se nuk mund të tregojë saktë se çka është marrë në këtë vendim, pasi, sipas saj, duhet të bëhet një përmbledhje e detajuar e mbledhjes.

“Ne realisht kemi pasur vendime për akreditime veç për tri programe dhe kemi aprovuar Rregulloren për Akreditim të Agjencisë së degëve. Pra, çdo degë që duhet të hapet, duhet t’i nënshtrohet procedurës se akreditimit nga ekspertët ndërkombëtarë dhe degët që janë ilegale, pra që janë hapur pa leje, duhet të mbyllen deri kah fundi i marsit. Këto kanë qenë vendimet”, ka thënë Zyshi-Hetemi.
Ajo gjithashtu ka bërë të ditur se është akredituar një program i doktoratës në Fakultetin e Bujqësisë, një në Shkencat e Ushqimit dhe Teknologjisë, një në Fakultetin Teknik dhe një tjetër program në Kolegjin “Dardania”.

Nga 1 tetori doktorata në UP ka filluar vetëm në Fakultetin Ekonomik, Juridik, një program në Mjekësi dhe departamentin e Historisë, në Fakultetin Filozofik, që kanë marrë akreditim. Fakultetet tjera dhe departamentet në këtë kuadër nuk do të organizojnë studime doktorate edhe për një kohë.

Zushi-Hetemi para disa ditësh ka thënë për “Lajm” se nuk i kanë dërguar për akreditim programet e tyre shumica e fakulteteve. Sipas saj, pati aplikuar Fakulteti i Mjekisë, Fakulteti Filozofik, i cili një pjesë e tij edhe këtë herë ka mbetur jashtë doktoraturës. Nga ana tjetër, gazeta ka provuar të bisedojë edhe më Rektorin Ibrahim Gashi, por nuk ka arritur.



Si do qoftë, fakultetet kanë aplikuar në AKA kur në pushtet të UP-së pati qenë menaxhmeti i vjetër. Ndërkohë, pak para se të dorëzojë detyrën prof. dr. Bajram Berisha, prorektor për mësimdhënie dhe kërkime shkencore në Universitetin e Prishtinës, ka thënë se deri më tani procedurat për akreditim po zgjasin shumë.

Ai pati thënë se fakultetet kanë filluar procedurën para 5 apo 6 muajve, mirëpo, sipas tij, agjencia ka kërkuar çdoherë plotësime shtesë. “Qysh para gjashtë muajve fakultetet kanë filluar me procedura, mirëpo, tashmë disa fakultete e kanë kaluar këtë fazë, siç janë Fakulteti Ekonomik, një pjesë e Fakultetit Filozofik.
Ndërkaq, fakultetet tjera janë akoma në procedurë. Ju e dini që Agjencia për Akreditim mban mbledhje në periudha të ndryshme kohore, jo aq shpesh. Nëse nuk gaboj, mban 3 herë ose maksimalisht 4 herë në vit.

Jemi në procedurë që dokumentacioni të plotësohet gradualisht për arsye se ka pasur disa shtytje”, pati thënë ish-prorektori Berisha për “Lajm”. Siç dihet, programet e doktoratës mund të ofrohen vetëm nga institucionet me akreditim të plotë të Agjencisë Kosovare për Akreditim. Kurse, sipas legjislacionit përkatës, një institucion i arsimit të lartë, i cili aplikon për akreditim të një programi të studimeve të doktoratës, duhet të dorëzojë një aplikim në AKA, të paktën një vit para datës kur pritet të fillojë programi.

Shqyrtimi i një aplikimi të tillë do të bazohet në: a. Statutin e Institucionit dhe Rregulloret Akademike, duke përfshirë ato rregullore që janë specifike për programet e Doktoratës; b. Raportin më të fundit të Panelit të Ekspertëve dhe dokumentacionin që mbështet Akreditimin Institucional dhe vendimet relevante mbi Akreditimin e Programeve nga ana e Këshillit Kombëtar të Cilësisë të AKA.

Ndërsa, në veçanti, një universitet që mëton të ofrojë programe të doktoratës në një fushë të caktuar, duhet të ketë të paktën tre profesorë të asociuar me normë të plotë, të cilët mbajnë titullin Doktor nga institucione të akredituara dhe të cilët janë të angazhuar aktivisht në kërkime shkencore në fushat e tyre përkatëse etj.


Lexoni:

http://floripress.blogspot.com/2012/01/nga-flori-bruqi-nuk-ndeshkohen.html



 



Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...