Riza SMAKA u lindë në Rugovë të Pejës, në vitin 1943 ,ku e kreu shkollën fillore katerklasëshe , ndërsa , shkollën e mesme ,gjimnazin - drejtimin e shkollës normale, e kreu në Pejë më 1963/4, në të cilin vit shkollor ,në rezultatet e konkursit “ Kërkojmë nxënësin më të mire në Kosovë”, në prillin e vitit 1964, ka qenë shpallur nxënësi më i mirë në Kosovë.
Dy vite më pas, RS , ushtroi mësuesinë dhe , gjatë shërbimt ushtarak (1966/7) në Bileqë , Maribor dhe në Zagreb, e kreu Shkollën e Oficerëve të Këmbësorisë.
Pas diplomimit në Fakultetin Juridik më 1971,më 1972,ai e kreu Provimin për Jurisprudencë ; paralelisht i frekuentoi studimet post universitare në shkencat historike dhe në shkencat juridike , ashtu që , në këto të fundit, në gjeneratën e parë , i pari, magjistroi (1979 ) dhe, në po atë gjeneratë, i pari doktoroi ( 1987 ).
Pos gjuhës amtare – shqipe, ai korrespondon mirë në Kroatisht & Sërbisht, English-t dhe, shërbehet me literaturë në Frangjisht.
Pas suprimimit violent të autonomisë politike – kushtetutare të Kosovës nga Sërbia (1989-1999), në periudha të caktuara , ka qenë inkuadruar në aktivitete të organizuara për Kauzën e Kosovës :
o antar i kryesisë së Forumit të Intelektualëve Shqiptarë të Kosovës;
o antar i kryesisë , sekretar e mëpastaj kryetar i Shoqatës së Juristëve të Kosovës;
o antar i kryesisë dhe sekretar i përgjithshëm i Lidhjes Shqiptare në Botë;
o antar i Komisionit Kushtetutar të Kuvendit të Kosovës për Hartimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës , të miratuar më 1990 në Kaçanik dhe njëni nga katër
o konsulentët kosovarë për hartimin e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë të miratuar në vitin 1997…
Pas vitit 1999, RS, në periudha të caktuara, ishte:
o advokat-koordinator i UNMIK’s NRC CRP ,
o koordinator i Këshillit të UNMIK-ut për Gjyqësorin e Kosovës,
o antar i Komisionit Përbashkët të UNMIK-ut për Çështje Ligjore të Kosovë ( Joint Advisory Commetee on the Legal Mater) ,
o antar i Këshillit Legjislativ të Qeverisë së Kosovës.
Deri në vitin akademik 2008/9 , RS ishte
o profesor ordinar ( Programi Bachelor) për lëndën E Drejta Biznesore & Nderkombëtare ( viti i parë) , Kontratat në Biznesin Nderkombëtar ( në vitin e tretë) në Fakultetin Ekonomik të UP-së ; Në Programin Master, në Fakultetin Ekonomik të UP-së ligjeroi lëndën Menaxhmenti në shërbimet publike e ,ndërsa, në Fakultetin e Shkencave të UP-së, ligjeroi lendën Zhvillimi i Qendrueshëm .
Nga viti akademik 2009/10 , RS është profesor i rregulltë për lendën E Drejta Biznesore ( Bachelor Programm), Aspekte Krahasimore të Drejtës së UE –së ( Master Programm) dhe Konflikti i Ligjit ( Master Programm) në Kolegjin Dardania në Prishtinë dhe, në punë plotësuese, në Fakultetin Ekonomik të UP-së e ligjeron të Drejtën Biznesore Nderkombëtare ;
Në anketime të organizuara , sipas opinionit të studentëve të FE të UP-së dhe të UMI –t – Prishtinë, disa here është vlerësuar pedagogu më i mire me notën maksimale!
Për punën dhe aktivitetet e zellshme dhe të sukseshme ,RS ka marrë shumë mirënjohje , nder të cilat :
o Mirënjohja për kontributin në Organizimin e Aksioneve të Hulumtuesve të Rinjë të Kosovës ( 1984);
o Plaketa e Universitetit të Prishtinës për merita të jashtëzakonshme në zhvillimin e Fakultetit të Mjekësisë, 1985
o ABA CEELI , UNMIK, JACLM, Certificate of Attendance, 2001
o ASU Arizona State University, University of Pristina Educational Pertnership, 2001
o Ceritificate of Appreciation , UNMIK. Joint Advisory Council on Legislative Matters, 2002
o Mirënjohje Publike e Lidhjes së Ekonomistëve të Kosovës,, 2003
o Mirënjohje Publike nga Shoqata e Pavarur e Juristëve të Kosovës, 2004 & 2011
o Mirënjohje e Kolegjit Universitar “ Biznesi “,Prishtinë, 2007
o Mirënjohje nga Kolegji Universitar “Dardania” ,Prishtinë, 2011
RS ka bër udhëtime dhe qendrime studimore të shumta , nder to , në Londër, Amsterdam , Bruksel…
RS, deri tani, i ka botuar kater tekste universitare të cilat i ka ribotuar të plotësuara , të përmirësuara dhe të recensuara: E Drejta (1995) , E Drejta dhe Shteti (1997), E Drejta Biznesore (2003) dhe E Drejta Biznesore Ndërkombëtare (2009) .
RS ka botuar mbi 191 punime profesionale dhe studime dhe, ka marrë pjesë në shumë tryeza profesionale , tryeza të rrumbullakta, simpoziume dhe në konferenca shkencore. Nga punimet e publikuara pas vitit 2000 , veçohen këto :
o Aspekte Ligjore dhe Gjenocidi : Legal State ang Genocide, Juridicial Aspects, E Drejta , FJ , UP, Prishtinë, 20O1
o Aspekte juridike në funksion të Strategjisë së Zhvilimit Ekonomik të Kosovës, Kosova- Strategjia e Zhvillimit Ekonomik, ASHAK, 2002
o Shoqëria Bashkëkohore në Transicion dhe Universiteti i Saj, studim i prezantuar në tryezën shkencore referuar Universitetit Sot mbajttë nga SHJK dhe Universiteti i Prishtinës, 2003 ( më pastaj i publikuar në përmbledhje të punimeve);
o Divergjencat inkonsekuente ndermjet juridikës dhe politikës ndërkombëtare referuar Çështjes së Kosovës, referat në Konferencën Shkencore të organizuar dhe mbajtur nga UMI - Prishtinë, 2003
o Problematika e kamatave në kontratat bankare për kredimarrëdhënie/ The Issue of Interest Rates With the Banking Contracts Regarding to Loans, E Drejta, FE i UP-së, 2007
o Reformimi universitar në funksion të punësimit cilësor në Kosovë, Lajm, Prishtinë, 2008
o Zgjidhja e kontesteve në transaksionet juridike – biznesore nëpërmjet arbitrazhit, Iliria, revistë shkencore, UMI, Prishtinë, 2008
o Diskurs për origjinën e dy kolosëve të lashtësisë, Aristotelit dhe Lekës së Madh, Nacional, 2008 ( po ky punim i plotësuar është publikuar në revisten shkencore Iliria , UMI, Prishtinë, 2009
o Konstitucionalizmi dhe legaliteti, kumtesë e lexuar ( dhe më pastaj e publikuar në përmbledhje të punimeve) në tryezën e rrumbullakët të organizuar nga Shoqata e Juristëve të Kosovës në Prishtinë, 2010…Vetëm gjatë vitit 2011, RS , në shtypin ditor , në portale e revista të ndryshme , ka publikuar 33 vështrime analitike referuar temave aktuale në vend e jashtë, ndër të cilat:
o Almanaku, një libër i madh, me gabime jo të vogla;
o Clavus Clavo, Extratidur, z. Karl Bild;
o Gjuha shqiper , e durueshme;
o Përgjegjësia politike, ç’është ajo.
o Aspekte juridike rreth konstitutimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës,
o Nevoja imediate për modifikime kushtetutare,
o Diskurs për imunitetin,
o Etosi dhe patosi të Shqiptarët,
o Diskurs kritik për Propozimin Përmbledhës ( jo …për “Pakon e Ahtisarit..”) për Zgjidhjen e Statusit Politik të Kosovës,
o Rasti Leo, incident skandaloz,
o Diskurs kritik referuar burimit formal të Kushtetutës sonë,
o Dinamika shoqërore dhe statika juridike,
o Edhe disa zgjidhje kushtetutare problematike,
o Aristoteli e Leka i Madh, dy kolosë të lashtësisë,
o “Bisedimet teknike” dhe gabimet teknike të Editë Tahirit,
o Pse ashtu z. Kadare ?
o Pse ashtu z. Presidente?
o Actio Popularis,
o Pozita juridike e femrës në shoqërinë kosovare,
o Puçi dhe grushtshteti i Sërbisë në Kosovë në vitin 1989
o Për gjuhën shqipe, standarde, unike kombëtare,
o Mandati i Presidentës, kushtetuta, parimi i sigurisë juridike, parimi i të drejtave të fituara dhe “marrëveshja politike “…
RS , gjatë Legjislaturës se tretë të Kuvendit të Republikës së Kosovës , 2008-11 ka qenë :
o deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës ku , edhe sipas vlerësimeve profesionale të KDI-së, në të gjitha etapat dhe kategoritë ishte deputeti më i sukseshëm ;
o antar i Komisionit për hartimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës të miratuar në vitin 2008;
o ishte njëni nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë dhe i Kushtetutës së Republikës së Kosovës , në vitin 2008;
Në librin e Prof dr. Ismet ELEZIT : “ Mendimi Juridik Shqiptar” ,Tiranë, 1999, në faqet 249,250 dhe 251,ndër të tjera ,theksohet se” ..Dr Riza SMAKA, ka dhënë kontribut të çmuar në fushën e teorisë së shtetit dhe të së drejtës, të drejtës kushtetuese dhe të drejtës administrative…”
FLORIPRESS
Në vendin tonë, çështjet pronësore janë shumë të ngatërruara
Nevojitet miratimi i Ligjit për denacionalizimin dhe Ligji për dekonfiskimin e pronave private
Shkruan: Prof. dr. Riza SMAKA
Në aktualitet, jo rrallë herë në kontekste të ndryshme, prekët, zihet në gojë dhe në shkrime të ndryshme konfiskimi, nacionalizimi dhe eksproprijimi. Këto tema gati rregullisht, së pakut në saje të trajtimeve, ngatërrohen, përkitazi me kuptimin dhe funksionin e tyre. Në anën tjetër, të njëjtat tema janë aktuale madje edhe akute për t’u trajtuar politikisht dhe për t’u rregulluar juridikisht sa dhe si do të duhej. Aq më parë kur, në vendin tonë çështjet pronësore janë shumë të ngatërruara, të ndërlikuara dhe të ngarkuara me probleme, tani më të karakterit juridik ndryshe kryesisht me origjinë nga politikat kundërshqiptare të autoriteteve të proveniencave serbe nga vitet 1913 me disa ndërprerje të shkurtra, deri në vitin 1999.
Për të qenë ironia edhe më e madhe, autoritetet ndërkombëtare të instaluara përkohësisht në Kosovë, edhe pse krejtësisht të vetëdijshme për politikat hegjemoniste serbe dhe për aktet juridike koherente me to, të padrejta, shqiptarët apriori dhe paskrupullta për parimet themelore të jurisprudencës vlerësojnë tamam burokratikisht, aktet dhe shkresat publike të atyre “burimeve zyrtare”.
Pikërisht autoritetet serbe hegjemoniste edhe ( sic) nëpërmjet politikave shtetërore dhe akteve juridike përcjellëse për kolonizime, konfiskime, nacionalizime dhe eksproprijime, kryesisht i kanë dëmtuar rëndë shqiptarët autoktonë dhe pronarë të mirëfilltë të paluajtshmërive të tyre!
Rrjedhimisht do të përcaktohen kuptimet e mirëfillta të konfiskimeve, nacionalizimeve dhe eksproprijimeve e rrjedhimisht do t’u adresohen edhe autoriteteve publike të shtetit tonë për t’i shqyrtuar dhe ndërmarrë masat politike e juridike të nevojshme për t’i kënaqur kërkesat ligjore të pronarëve të paluajtshmërive të tjetërsuara padrejtësisht dhe për aq për të satisfikuar drejtësinë dhe drejtëshmërinë.
Konfiskimi
Konfiskimi ( Eng. Confiscation, Fr. Confiscation, D. Konfisacation) është instrument shtetëror i dhunshëm me të cilin personit të dënuar i merret pasuria, eventualisht një pjesë e pasurisë pa kompensim! Konfiskimi është masë shtetërore e dhunshme e proveniencës politike dhe sanksion pasuror kundër të dënuarit. Konfiskimi i pasurisë së të dënuarit njihet nga e drejta romake dhe prej atje është aplikuar në kontekste dhe qëllime të ndryshme.
Instrumenti juridik –konfiskimi i pasurisë, së pakut sipas ligjit, trajtohet dhe aplikohet si sanksion pasuror paralel dhe sekondar krahas dënimit personal me burg të rendë të pronarit të saj. Ky sanksion pasuror nuk aplikohet krahas dënimit me të holla edhe nga shkaku se këtë të dytin e konsumon. Esencialisht konfiskimi i pasurisë apo i një pjesës së pasurisë së të dënuarit është sanksion pasuror zakonisht i ndërlidhur me dënimin personal të tij. Konfiskimi i pasurisë është zbatuar dhe praktikohet krahas ndëshkimit me burg të rëndë, të të dënuarit nëpërmjet marrjes pa kompensim të pasurisë, ose të një pjese të pasurisë me atë që zakonisht përfillet përjashtimi nga konfiskimi i pasurisë minimale të nevojshme për ekzistencën e tij. Konfiskimi i pasurisë aplikohet, sipas aktit ligjor për konfiskimin e pasurisë private të të dënuarit përmbarohet konform me te, si dhe me aktin ligjor për ekzekutimin e sanksioneve penale. Pasuria e konfiskuar zakonisht i dedikohet fundit pronësor shtetëror dhe i koncedohet Komunës në territorin e së cilës ndodhet pasuria për ta administruar atë aset. Konfiskimi i pasurisë kurdoherë e aq më parë dhe më shumë sot ka pasur përkatësisht ka justifikim për t’u aplikuar vetëm në rastet kur në procedurë ligjore do të vërtetohej se është fituar kundërligjshëm (Conditio Sine Causae); pasuria e fituar kundërligjshëm do të duhej, fillimisht të sekuestrohej e rrjedhimisht në procedurë të caktuar me ligj, të konfiskohej; konfiskimi i pasurisë kurdoherë do të duhej të praktikohej në procedurë të veçantë - Lex Specialis Derogat Lex Generalis, sipas aktit ligjor referuar konfiskimit të pasurisë të fituar në kundërshtim me ligjin. Referuar afateve ligjore masa juridike dënimore e konfiskimit të pasurisë së paligjshme nuk do të duhej të kufizohej me afate preklusive për nisje për procedim as për ekzekutim të sanksionit pasuror, kundër zhvatësit, uzurpatorit, plaçkitësit të pasurisë, evazionistit doganor apo tatimor, kontrabandistit, spekulantit, abuzuesit përkatësisht kryesit të krimit kundër pasurisë shtetërore publike ose private.
Pikërisht në këtë drejtim, pashmangshëm dhe pa zhargitje do të duhej të ndryshohej Ligji për Konfiskimin e Pasurisë së të fituar me vepër penale me të cilin, virtuelisht, në vend të luftimit konsekuent të pasanikëve kundërligjorë jo të pakët tani më me akt ligjor - alas & sic- ata janë absolvuar dhe për aq janë privilegjuar, jo më pak se për një dekadë nga 1999-2012! Me Ligjin në fjalë, pasanikët e paligjshëm, siç thuhet në Llap, lirisht mund të ”flejnë dathë”, pa brenga për begatimin ilegal gjatë periudhës 1999 -2012, e për tutje mund të pritej se ata do të mund të jenë të kujdesshëm dhe sa do të përfillnin ligjin – mbase nuk kanë nevojë që edhe më tutje të pasuroheshin kundërligjshëm! Edhe titullimi i aktit ligjor në fjalë veçanërisht termi …pasurisë së fituar me vepër penale” do të duhej të riformulohej në “…të pasurisë së fituar kundërligjshëm” nga se përcaktimi i parë ekzistues e paragjykon procedurën penale të përfunduar, e cila shpeshherë nuk niset dot e kur niset zgjatë tepër , gjithnjë në disfavor të luftimit serioz e efikas të pasanikëve ilegalë. Në anën tjetër, autoritetet shtetërore gjatë ekzistimit të Jugosllavisë së dytë, përkatësisht të tretë, veçanërisht në periudhat 1945- 1966 dhe 1989-99 gjatë të cilave autoritetet shtetërore serbe ishin dominuese, konfiskimet e pasurive në Kosovë kryesisht i kanë aplikuar në funksione të përndjekjeve të planifikuara, fillimisht të familjarëve të ish-bejlerëve e agallarëve shqiptarë dhe rrjedhimisht edhe të pronarëve të sipërfaqeve tokësore ca më të mëdha të tyre. Proceset gjyqësore janë kurdisur, ashtu që individë ca më të dalluar, apriori, janë stigmatizuar arbitrarisht si “armiq të shtetit – lexo: jugosllav”, si të tillë janë persekutuar penalisht dhe krahas të njëjtëve u është konfiskuar pasuria!
Asetet e pasurive të konfiskuara të shqiptarëve kosovarë (nga se vetëm atyre u janë marrë pasuritë nëpërmjet akuzimeve arbitrare për armiq shtetërorë jugosllav, ekzekutivi i vendit do të duhej t’i radhiste në agjendën e aktiviteteve qeveritare me prioritet, t’i analizonte sa dhe si do të duhej dhe të përgatiste aktin ligjor konform me standardet juridike referuar të drejtave pronësore; më pastaj aktin ligjor në fjalë do të duhej ta procedonte në Kuvend për miratim, e rrjedhimisht t’i kompensonte të dënuarit e karakterit politik e për aq arbitrar së pakut me pasuritë e tyre të privuara padrejtësisht - dekada më parë!
Nacionalizmi
Nacionalizimi ( Eng: Nationalization, Fr: Nationalisation, Gj: Nationalisation) është masë politike - ekonomike me të cilën shtetëzohet një degë ekonomike nëpërmjet marrjes së pasurisë përkatësisht të pjesës së caktuar pasurisë private, zakonisht për kompensim; nacionalizmi është formë origjinare e fitimit të pasurisë shtetërore – në Jugosllavinë e dytë (1945-1989/92) të pasurisë shoqërore nga se titullari pronësor i ri, shteti, atë nuk e nxjerrë nga e drejta pronësore të paraardhësit, por nga autorizimi ligjor. Nacionalizmi i pasurive private në favor të pasurisë shtetërore përkatësisht shoqërore kryesisht është aplikuar nga shtetet socialiste me qellim të “eksproprijimit të ekspropriatorëve” , të ç’pronësimit të klasës borgjeze, të shtresave shoqërore të pasura e me te të reduktimit të influencës politike të tyre! Gjatë periudhës së kapitalizmit shtetëror edhe në shtetet borgjeze është aplikuar nacionalizimi, por kurdoherë me kompensime adekuate të aseteve të nacionalizuara. Përderisa konfiskimi është masë shtetërore kundër individëve të dënuar në procedurë penale, nacionalizimi është masë shtetërore e karakterit politik - ekonomik e referuar subjekteve, fillimisht, të pa individualizuara, por të kategorive shoqërore - ekonomike të caktuara. Në ish-Jugosllavinë së cilës i referohemi nga se në kuadrin e saj ishte edhe Kosova, janë aplikuar tri nacionalizime të bazuara në Ligjin për Nacionalizimin e Ndërmarrjeve Ekonomike (1946). Në Ligjin për Ndryshimet e Plotësimet e Ligjit për Nacionalizimin e Ndërmarrjeve Ekonomike ( 1948) dhe me Ligjin për Nacionalizimin e Ndërtesave me Qira dhe të Tokave Ndërtimore ( 1958).
Nga asetet e nacionalizuara ka qenë krijuar fundi për krijimin e ndërmarrjeve socialiste, të themelatave dhe organizatave ekonomike të ndryshme. Nëpërmjet nacionalizimeve të aseteve një numrit të konsideruar të shqiptarëve, duke u thirrur në dispozita ligjore nëpërmjet interpretimeve subjektive të tyre, u janë marrë pasuri jetike, të trashëguara dhe të fituara ligjshëm e drejtë, të nacionalizuarit e tillë janë çpronësuar ose pa kompensime eventualisht me kompensime simbolike shumë nën çmimet e tregut të atyre pasurive; në atë mënyrë të nacionalizuarit e tillë janë çpronësuar dhe janë vobeksuar për t’u thyer moralisht, për t’u demoralizuar dhe përfundimisht, si të pa shpresa jetësore të kërkojnë rrugë tjera, kryesisht të emigrimit! Edhe konfiskimi i pasurisë private, masë shtetërore e karakterit politik - ekonomik për marrjen e pasurisë private nga dhe për shtetin, pos padrejtësisë ndaj pronarëve legjitim në përgjithësi ndaj shumicës absolute të shqiptarëve është aplikuar më ashpër dhe më pa skrupullta krejt në funksion të dëbimit nga trojet e tyre!
Eksproprijimi
Eksproprijimi ( Eng:Expropriation, Fr:Expropriation, Gj:Epropriation) është edhe një nga format e transformimit dhe të transferimit të pronës private në pronën shtetërore. Eksproprijimi është formë origjinare e fitimit të pronës shtetërore përkatësisht shtetërore nga prona private, nga se titullari i fundit nuk e realizon pronën nga e drejta pronësore e të eksproprijuarit, por në bazë të autorizimeve ligjore. Eksproprijimi rrjedhë nga Neolatinishtja dhe ka kuptimin e marrjes së pasurisë, të pronës, të drejtës së pronës siç është e drejta në servitutin real, e drejta për shfrytëzimin e përkohshëm të pronës, e drejta për ususfructus etj. Me eksproprijim, titullarit të pronës kryesisht private, pa vullnetin e tij, i merret ose i kufizohet e drejta pronësore e caktuar.
Eksproprijimi mund të bëhet tërësisht ose pjesërisht; eksproprijimi i plotë aplikohet nëpërmjet marrjes së drejtës pronësore në tërësi, ndërsa ai i pjesshëm kur në pasurinë e pronarit konstitutohet e drejta e servitutit ose e drejta për shfrytëzimin e përkohshëm të objektit të caktuar. Objekt i eksproprijimit kryesisht është pasuria e paluajtshme, por mund të jetë edhe pasuria e luajtshme si dhe e drejta e caktuar siç është patenmti, licenca, ‘know how’. Kushti për eksproprijim është ekzistimi i interesit të përgjithshëm për exproprijim, i cili ndryshe është nocion i përgjithshëm dhe si i tillë dhe për aq në praktikë mund të abuzohet!
Ekzistimi i interesit të përgjithshëm ta zëmë, për ndërtim të hekurudhës, autostradës, kanalizimit, aeroportit, urës, kanalit, termocentralit, hidrocentralit, portit detar, stacionit, lokalit apo të lagjes, rrugës, parkut, varrezave …duhet më parë në procedurë dhe bazë ligjore të caktohet, identifikohet dhe të arsyetohet bindshëm e seriozisht.
Për pasuritë e eksproprijuara , konform me ligjin, jepet shuma e kompensimit, e cila në praktikë jo rrallë herë abuzohet nga se nuk ofrohet konfom me çmimet e ekonomisë së tregut. Vlera e pasurisë së eksproprijuar zakonisht paguhet me para, por sipas marrëveshjes me pronarin mund të praktikohet edhe In Natura, me tokë, lokal afarist etj. Edhe gjatë eksproprijimeve të pasurive private në përgjithësi, e në raste jo të rralla të pasurive private të shqiptarëve autoritetet shtetërore duke u apeluar në “interesin e përgjithshëm” të formuluar qëllimisht e jo sipas interesit të përgjithshëm, kanë praktikuar çpronësime të shumta, të pa drejta dhe të njëjtat i kanë kompensuar simbolikisht; për të qenë ironia edhe më e madhe, pronat e eksproprijuara në emër të “interesit të përgjithshëm” rrjedhimisht i kanë shfrytëzuar për interesa më të ngushta e jo rrallë here për interesa private!
Në të gjitha rastet kur pasuria e eksproprijuar nuk është përdorë për destinimin e caktuar me ligj, për interesin e përgjithshëm, ta zëmë për ndërtimin e shkollës dhe ajo nuk është ndërtuar, pronari ka të drejtë të pakontestuar për ta kërkuar pronën e vet, realisht si të tillë të uzurpuar nga autoritete publike! ; jo pak të çpronësuar nëpërmjet eksproprijimeve inkonsekuente kanë tentuar për t’i realizuar të drejtat pronësore, por nga shkaqe më se të ndryshme deri sot kanë ngel siç thotë populli “me duar në gojë”.
Ndaj zgjidhje më e mirë dhe e drejtë është që të miratohet dhe zbatohet Ligji për Deeksproprijimin e Pasurive të Pashfrytëzuara për Interesin e Përgjithshëm. Këtë punë e kanë bërë të gjitha shtetet përreth vendit tonë ndërsa ne sikundër çdoherë e çdo kund “i bimë më ngadalë”! Po ashtu nevojitet miratimi i Ligjit për Denacionalizimin dhe Ligji për Dekonfiskimin e Pronave Private, nëpërmjet zbatimit të tyre, më së shumtit kanë qenë dëmtuar pronarët shqiptarë të paluajtshmërive të veta.
riza_smaka@hotmail.com