2012-12-23

Poezia si akt etik



Prof.Dr. Hysen Matoshi


Janë të shpeshta rastet e shndërrimit të poetëve në skllevër të poezisë. Kështu, poezia atyre ua ka trauar rrugën e jetës, është bërë fanar i tyre. Të këtillët janë dhënë së tepërmi pas përsosmërisë formale të poezisë. Megjithatë, ka pasur edhe autorë të cilët këtë raport e kanë ndërtuar ndryshe. Poezia për ta ka qenë vetëm një formë e shprehjes së botës së tyre emocionale e intelektuale. Poetët e këtillë natyrisht janë përqendruar tek aspektet e domethënies, të idesë themelore që mbart poezia. Autori i disa libra poetikë, Mustafë Krasniqi, i takon grupit të dytë të poetëve. Ai ka vënë në shërbim të idesë kombëtare jo vetëm poezinë, ngase të gjitha kapacitete e tij jetësore janë të orientuara në këtë synim. Vetëdijshëm e angazhon artin e tij, madje edhe duke e zbehur në disa raste të shprehurit e figurshëm dhe duke e kthyer atë në ligjërim deklarativ, ashtu që ideja e tij themelore të përçohet më lehtë te marrësi i saj.

Në librin e tij poetik të radhës, të titulluar Lojë thikash, Mustafë Krasniqi i përjetëson disa nga përjetimet dhe meditimet e tij që, në rend të parë, lidhen me përkushtimin jetësor kombëtar, me aktualitetin e zhvillimeve në Atdhe, por edhe me aspekte që preokupojnë botën e ndjenjave, me temën e pashtershme të dashurisë. Megjithatë, themi se kjo poezi pa Atdheun nuk do të ekzistonte, pa këtë temë të madhe ajo nuk do të ekzistonte si fakt artistik letrar.
Zhgënjimet e shumta që i ka përjetuar brezi i atdhetarëve idealistë, të cilat vërehen gjithandej edhe në vargjet e kësaj përmbledhjeje, nuk janë kthyer në dëshpërim dhe në zbehje të dashurisë e të përkushtimit atdhetar. Përkundrazi, kjo ndjenjë fisnike e birit të mërguar shfaqet edhe më fuqishëm për Loken e mbetur dyerve të botës. Natyrshëm në këto krijime poetike del në pah edhe zëri i protestës për atë që nuk u bë në të mirë të atdheut dhe për atë që u bë në dëm të tij nga “burrat”, ndaj shpirti i paepur i poetit atdhetar gjen ngushëllimin në një adresim dëshmorëve në emrin e të cilëve dikush madje ngjitet edhe në kullën e Ajfelit.
Atdheu pa bashkëkombësit nuk do të kishte asnjë kuptim, ndaj në poezitë e Mustafë Krasniqit gjejmë një galeri të tërë figurash të dëshmorëve, të veprimtarëve të shquar të çështjes kombëtare, të personaliteteve eminente të kulturës shqiptare, por do të gjejmë aty edhe portrete poetike familjarësh. Krahas kësaj poezie, kushtime në këtë përmbledhje gjejmë edhe për ambientin e Atdheut, i cili perceptohet nga vendlindja e deri te përmasat etnike të tij. Ka poezi në të cilat notat e mallit të pashuar për tokën e lindjes e të rritës dalin më të theksuara, ndaj ligjërimi poetik merr një nuancë më të fuqishme të emocionalitetit. Veçmas do ta veçoja në këtë pikëpamje poezinë Të fala, si një përshëndetje nga larg dhe e bërë në një kontekst pamundësie të afrisë fizike, e cila kompensimin e vetëm e gjen te një afri shpirtërore.
Intenca poetike e Mustafë Krasniqit nuk është gjuha figurative, sikundër ngjet me shumicën e krijuesve tanë të sotëm. Duket se ai, madje, synon një komunikim sa më të drejtpërdrejtë, një transmetim të plotë e të sinqertë të tërë asaj bote të pasur intelektuale e emocionale, si pjesë të pandashme të kontekstit artistik dhe të kontekstit jetësor. Ndaj, pa mohuar edhe vlerat e saj artistike, them se ajo, në rend të parë, mund të quhet një akt etik. Mustafë Krasniqi është poet konsekuent në qëndrimin e tij ndaj Atdheut; ai, para se ta modifikojë shprehjen e tij artistike dhe ta transformojë atë, fuqinë e ndryshimit e ka orientuar në kërkimin e vazhdueshëm të fatit më të mirë të etnisë.


A ISHTE VRASJA E MILLADIN POPOVIQIT NË PRISHTINË E ORGANIZUAR SIKURSE RASTI "PANDA" NË PEJË ?

Nga Ryzhdi Baloku, shkrimtar shqiptar nga Peja  Në kohën e fundit është ri-aktualizuar çështja e vrasjes së komunistit Milladin Popoviq, ...