Vërejtje për “Kosovën...” e Schmit-it



Shkruan: Shkëlzen GAShI

“Kosova – histori e shkurtër e një treve qendrore ballkanike” e historianit Oliver Jens Schmitt vjen më në fund edhe në shqip. Libri, siç e thotë autori në hyrje, ndahet në dy pjesë: e para shtrihet deri në përfundimin e sundimit osman më 1912, e dyta vijon deri në shpallje të pavarësisë më 2008, vit kur ky libër botohet në gjermanisht. Ky artikull shqyrton veç pjesën e dytë të këtij libri.

Krejt në fillim duhet thënë se habit mungesa në libër e disa prej ngjarjeve më të rëndësishme të historisë së Kosovës përgjatë shekullit 20. Fjala vjen, nuk përmendet kryengritja shqiptare e vitit 1912, e prandaj as ndarjet mes politikanëve shqiptarë të Kosovës gjatë kësaj kryengritje: bejlerëve e agallarëve, që kundërshtonin autonominë dhe udhëheqësve të kryengritjes, që e synonin autonominë territoriale. Nuk theksohen as përçarjet mes vetë kryengritësve të vitit 1912, mbasi një pjesë e tyre pëlqenin me mbetë të lidhur fort me Perandorinë Osmane, për çka edhe kërkesat u degradojnë në autonomi jo-territoriale.

Ndër komponentet më interesante dhe më së miri të realizuara në libër është spiralja e dhunës dhe e kundërdhunës, e ushtruar nga serbët por dhe shqiptarët gjatë tërë shekullit 20. Megjithëkëtë, kur trajton krimet e forcave sërbe më 1912, Schmitt pohon se “llogaritet të jenë vrarë 20-25.000 shqiptarë myslimanë”. Nuk sqarohet se të vrarët janë civilë të pafajshëm dhe këta papërjashtimisht paraqiten si muslimanë, ndonëse nga kujtimet e botuara të priftërinjve katolikë të kohës, Zef Mark Harapi dhe Lazër Mjeda, mësojmë për vrasjet e shumë shqiptarëve katolikë në vjeshtë të vitit 1912 nga forcat sërbo-malazeze.

Schmitt e trajton me korrektësi periudhën gjatë Luftës së Parë Botërore, si dhe atë mes dy luftërave botërore, duke përfshirë krimet dhe kolonizimin, rrymat politike të shqiptarëve – kaçakët dhe xhemijetin – qëllimet e tyre, por edhe bashkëpunimet me përfaqësuesit politikë e ushtarakë të Sërbisë. Mbase e vetmja vërejtje këtu mund të bëhet për trajtimin e krimeve të kryera kundër sërbëve nga grupe të armatosura shqiptarësh gjatë qëndrimit të trupave autro-hungareze në Kosovë më 1915-18, sepse Schmitt jep veç versionin sërb.

Te periudha e Luftës së Dytë Botërore autori nuk adreson ngjarje të rëndësisë së veçantë, si Konferenca e Bujanit (31 dhjetor 1943- 1 e 2 janar 1944) dhe pastaj Kuvendi i Prizrenit (10 korrik 1945), të dyja organizime të komunistëve të Kosovës, madje me përbërje të ngjashme pjesëmarrësish, por me qëllime diematralisht të ndryshme. Ndërsa Rezoluta e Konferencës së Bujanit thotë se Kosova e Rrafshi i Dukagjinit dëshiron të bashkohet me Shqipërinë, ajo e Kuvendit të Prizrenit shpreh dëshirën që Kosova dhe Rrafshi i Dukagjinit t’i bashkohen Sërbisë federale, si pjesë përbërëse e saj. Autori nuk sqaron as se gjatë kësaj periudhe në një anë vepronte rryma “nacionaliste” me Lidhjen e Dytë të Prizrenit, e mbështetur nga nazistët gjermanë, e në tjetrën ajo “komuniste” me Këshillin Nacional-Çlirimtar për Kosovë e Metohi, e mbështetur nga komunistët jugosllavë. Nuk sqarohet as se partizanët komunistë të Kosovës ndahen brendapërbrenda: Fadil Hoxha në njërën anë, Shaban Polluzha në tjetrën. Ky i fundit madje s’përmendet fare në libër.

Autori nuk saktëson se edhe pas LDB në njërën anë vepronte rryma “legale”, si pjesë e institucioneve të sistemit jugosllav, e në tjetrën “ilegalja”, që e kundërshtonte sistemin jugosllav. Te periudha e Ranković-it, autori do të bënte mirë sikur të pahtësonte se gjendja e tmerrshme e shqiptarëve kundërshtohej nga Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve (LRBSh), e themeluar më 1963 dhe e udhëhequr nga Adem Demaçi, më i rëndësishmi organizim i shqiptarëve të Kosovës në dekadat e para pas LDB. Grupi i studentëve me orientim kombëtar që organizon demonstratat e vitit 1968, nuk krijohet pas rënies së Ranković -it, siç thotë Schmitt, por më përpara, sepse bash të rinjtë e LRBSh-së i organizojnë demonstratat e vitit 1968, të cilat, pohon edhe vetë Schmitt, e ndryshojnë kursin politik të Kosovës.

Segment interesant dhe i trajtuar mirë është mungesa e mbështetjes për Kosovën nga Shqipëria gjatë kohës së Zogut dhe Hoxhës, por do të ishte më i plotë sikur të trajtohej mungesa e mbëshetjes edhe para ardhjes së Zogut dhe pas mbarimit të pushtetit komunist të Hoxhës.

Schmitt nuk shfrytëzon fakte të bollshme për ta demaskuar propagandën e Sërbisë kundër shqiptarëve të Kosovës gjatë viteve 1980, e cila synonte me përgatitë terrenin për ta suprimuar autonominë e Kosovës. Ndonëse në parathënien për botimin në shqip, Schmitt sqaron se ka bërë saktësime të rëndësishme lidhur me disa shifra të diskutueshme, prapëseprapë mjaft nga shifrat e ngjarjet mbeten të pasakta. Në shumë pjesë të librit Schmitt bie pre e propagandës shqiptare, konkretisht te shifrat e dhëna për të vrarët gjatë demonstratave të vitit ‘81, ‘89 dhe ‘90. Mandej, proceset gjyqësore ndaj shqiptarëve të akuzuar në vitet ’93 dhe ‘95 për rezistencë kundër Sërbisë, Schmitt i cilëson sikurse edhe propaganda shqiptare e kohës: procese të montuara.

Ngjarje të rëndësishme të viteve 90-91 prezentohen me pasaktësi, që në shikim të parë mund të mos duken fort relevante: mospërfshirja e Deklaratës Kushtetuese për Republikën e Kosovës (2 korrik 1990), pastaj, jo veç huqja e datës, por edhe e qëllimit të referendumit për Kosovën shtet sovran e të pavarur me të drejtë lidhjeje me Jugosllavinë (26-30 shtator 1991), e kështu me radhë. Duhet thënë se te periudha e viteve 90, Schmitt arrin t’i prezentojë në nivel deri diku të kënaqshëm rrymat politike në Kosovë, por jo aq edhe qëllimet e tyre.

Vërejtje mund të bëhen edhe për pasqyrimin e Marrëveshjes së Rambujesë e të ndërhyrjes ushtarake të NATO-s, por edhe për prezentimin e misioneve ndërkombëtare të vendosura në Kosovë. Këto ngjarje prezentohen me gabime, shpejt e shpejt dhe mjaft sipërfaqësisht. Po ashtu, ta zëmë, trazirat e marsit 2004 pasqyrohen disi njëanshëm dhe s’përmendet kund p.sh. se kishat dhe manastiret ortodokse të shkatërruara në këto trazira, rregullohen më vonë nga taksat e qytetarëve të Kosovës. Te kjo periudhë, pjesa më e mirë e librit janë kritikat ndaj UÇK-së.

Shifrat për vrasjet e kryera nga forcat sërbe kundër shqiptarëve gjatë luftës së fundit në Kosovë, mund të saktësohen në ndonjë ribotim eventual, meqë ka disa vite që për këto vrasje kemi regjistrimet e kryera nga dy OJQ, një Beograd e një në Prishtinë. Nga ana tjetër, autori shënon vetëm krimet e kryera pas luftës nga pjesëtarë të UÇK-së kundër sërbëve, jo edhe ato gjatë luftës.

Autori thekson se “...shumica e shqiptarëve të cilët jetonin në veri të lumit Ibër, u detyruan të largoheshin nga ky rajon, përkatësisht nuk patën mundësi të ktheheshin më, pasiqë atje sërbët edhe më tutje e mbanin kontrollin politik”. Por, kishte me qenë më korrekte të saktësonte edhe se në pjesën veriore të Mitrovicës në natën mes 3 dhe 4 shkurtit 2000 vriten 11 dhe dëbohen 11.364 shqiptarë nga sërbë të armatosur, madje në praninë e forcave të KFOR-it. Po ashtu, kishte me qenë mirë të shtohej se këto vrasje dhe dëbime i shtyjnë rreth 100 mijë shqiptarë nga gjithë Kosova të marshojnë paqësisht drejt Mitrovicës në shenjë solidarizimi me qytetarët shqiptarë të Mitrovicës.

Për fund, “Kosova – histori e shkurtër e një treve qendrore ballkanike” e Oliver Jens Schmitt-it, jo veç për shkak të mungesës së fusnotave dhe pasaktësive e lëshimeve, disa prej të cilave u parashtruan në këtë shkrim, por edhe për shkak të mosprezentimit të disa ngjarjeve të rëndësishme dhe prezentimit të njëanshëm e të shpejt e shpejt të disa ngjarjeve tjera, nuk e tejkalon assesi librin “Kosova – një histori e shkurtë” të Noel Malcolm-it. Megjithëkëtë, ma merr mendja se, përkundër këtyre mangësive që u përmendën – është e pamundshme të evidentohen të gjitha mangësitë në një shkrim si ky – do të ishte e dobishme të zhvillohet kritikë e matur ndaj këtij libri e me sugjerime për përmirësime eventuale, e jo denigrime ad hominem, siç patëm kohëve të fundit kundër autorit të librit.

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)