Musa Ramadani është një nga personalitetet e shquara të letërsisë shqipe që ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në shumë zhanre të letërsisë, si në poezi, prozë, e dramaturgji...
Musa Ramadani lindi më 21 maj 1941 nga Gjilani, qysh si foshnje, bashkë me familjen, nga pushteti i atëhershëm, u deportua në Prizren, ku e kreu një pjesë të shkollimit fillor, për ta vazhduar atë (me të kthyer sërish) në Gjilan e në Viti. Në Gjilan e kreu edhe shkollimin e mesëm (Shkolla e Nxënësve në Ekonomi), ndërsa në Prizren – Shkollën e Lartë Pedagogjike, Dega e Letërsisë dhe Gjuhës. Që nga bangat e shkollimit të mesëm zu të merret me gazetari e letërsi, në mënyrë që, që nga viti 1965 e deri në mbyllje të saj pas vitit 2000, të punojë gazetar, redaktor në të përditshmen “Rilindja” dhe "Bujku".
Musa Ramadani është prezentuar në disa nga vëllimet, panoramat letrare e antologjitë, të përkthyera edhe në gjuhë tjera. Është laureat i një sërë Çmimesh. Talentin e tij prej krijuesi pluridimensional, e ka sprovuar edhe në krijimtarinë e fushave të tjera artistike.
Është autor i një sërë tekstesh për këngë të lehta e të muzikës së tendencave moderne. Eshtë autor edhe i disa këngëve në frymën e zhanrit të muzikës së lehtë. Ndonëse pa ndonjë përgatitje paraprake muzikore, ka kompozuar këngë të cilat, madje në Manifesatimin më të madh muzikor të kohës “Akodret e Kosovës”, janë vlerësuar edhe me Çmimin e parë të Jurisë profesionale.
Herë pas herë, është marrë e merret edhe me pikture. Madje një “kaptinë” e tërë e romanit të tij të fundit “Inamor:55”, është e “ilustruar” nga vetë punimet e autorit. Ramadani ka shkruar edhe humoreska, skeqe humoristike e shkrime satirike, me pseudonimin “Babloku”. Merret edhe me shkrime eseistike e kritikë teatrore, sikundër edhe me Udhëshkrime (nga Vjena e Parisi). Drama “Moisiu në unazën e Inflandit”, në sezonin 2003, u inskenua nga Teatri Kombëtar i Prishtinës, ndërkaq, drama “Ligatina” e Nebi Islamit, shkruar sipas motiveve të romanit homonim të Musa Ramadanit, në sezonin 2006, u inskenua në Teatrin Kombëtar të Gjilanit.
Musa Ramadani punon me një përkushtim të madh, gjithnjë duke i qëndruar besnik frazës e vargut të latuar deri në përpikmëri, të një sintakse të kulluar shqipe, të një leksiku të begatshëm shprehjesh është cilësuar nga kritika letrare, siç është vepra “Ligatina”, sikundër edhe “Zezona” e një sërë tregimesh të përmbledhjeve të tij.
Çmimi letrar “Beqir Musliu”2006, iu nda Musa Ramadanit,poetit, prozatorit, publicistit, teatrologut të njohur të letrave shqipe, shpërblimi për vitin 2006.
Juria Profesionale për vlerësimin dhe ndarjen e Çmimit Kombëtar Letrar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli” dhe për Çmimet Vjetore për Letërsi, ka vendosur që për vitin 2011 Çmimi Kombëtar Letrar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli” t’i ndahet prozatorit, poetit dhe dramaturgut Musa Ramadani.
Vepra letrare
| “Mëkatet e Adamit” (poezi), “Rilindja, 1969;
|“Thirravaje” (poezi), “Rilindja”, 1971;
|“Neurosis” (poezi), botim autorial, 1973;
| Romani pa kornizë”, “Bota e Re”, 1975;
|“Muzat nuk flejnë” (poezi), “Rilindja, 1976;
|“Fluroma” (tregime), “Rilindja”, 1978;
|“Zezona” (roman), “Rilindja”, 1978, “Faik Konica”(ribotim), 2003;
|“Fjala në skenë” (recensione për shfaqje teatrore), “Rilindja”,1080;
|“Alfabeti i neurozave” (poezi), “Flaka e Vëllaznimit”, 1983;
|“Ligatina” (roman), “Rilindja”, 1983;
|“Moisiu në unazën e Inflandit” (dramë), “Rilindja”, 1984;
|“Eugjenika e tri deteve” (poezi), “Rilindja”, 1986;
|“Satana ma vodhi gurin e urtisë” (tregime), “Rilindja”, 1987;
|“Nostalgji antike” (përzgjedhje e poezive) , “Rilindja, 1995;
|“Vrapuesja e Prizrenit” (roman), “Dukagjini”, 1997;
|“Antiprocesioni” (roman), “Buzuku”, 1997;
|“Inamor: 55” (roman), “Buzuku”, 2000.
|“ Mëkatet e Ha(E)vës, poezi, Pen/club, 2007, Prishtinë
|“Premiera shqiptare” (Recensione për dramën, shfaqjet), “Spektri”, Shkup 1996;
Përkthimet
|“Mariamna” – PärLagerkvist
|“Fillokteti” – Heiner Müler
|“Askushi” – Jezi Andzejevski
|“Shkretëtira e tatarëve” – Dino Buzzati
|“Legjenda per Araratin” – Yasar Kemal
|“Bufi i verbër” – Sadec Hedayat
|“Dhe nuk gjej vëlla më të mirë” – Maksud Ibrahimbekov
|“Humbella” – Mirko Kovac
|“Ditë pranvere” – Ciril Kosmac
|“Aromat, ari e temjani” – Slobodan Novak
|“Piramida e Emës” – Dubravka Ugrešić
|“Ogursëzi” – Nedzad Ibrisimovic
Musa Ramadani /Date of birth: May 21, 1944/Place of birth: Gjilan, Kosova
EDUCATION:
1971–1975 Pedagogic High school - Albanian Language and Literature, Prizren
WORKING EXPERIENCE
1962-1963 Elementary School Kurexh (Zheger) -
Teacher
1965-2001 Daily Newspaper-“Rilindja” Prishtina
Following duties:
Free Reporter
Theater Critic – Reviewer
Editor – Cultural Rubric
PUBLICATIONS:
Since 1954 — continues
Poetry:
“The sins of Adam”, 1969
“Cries”, 1971
“Neuroses”, 1973
“Muses don’t sleep”, 1976
“Neurosis alphabet”, 1982
„Eugjenika of the three seas”, 1986
“Antique nostalgia”, chosen poetry, 1990
“The sins of E(ha)va”, 2006
Prose:
“The novel without frame”, 1975
“Flight”, 1978
“Calamity”, 1978
“The swamp”, 1983
„The runner of Prizren”, 1995
“The Antiprocession”, 1997
“Inamor”, 55 stories-novel, 2000
“Satana stole my stone of wisdom”, 1987
“The prophet from Prague”, an unpublished novel, dedicated to the genius writer of the 20 century, Franz Kafka.
Drammas:
„Messiah in the ring of Infland”, 1984
Theatre reviews
“The word on the stage”, 1980
“The albanian premiere”, 1994
Translations
“Mariamna” – PärLagerkvist
“Fillokteti” – Heiner Müler
“Askushi” – Jezi Andzejevski
“Shkretetira e tatareve” – Dino Buzzati
“Legjenda per Araratin” – Yasar Kemal
“Bufi i verber” – Sadec Hedayat
“Dhe nuk gjej vella me te mire” – Maksud Ibrahimbekov
“Humbella” – Mirko Kovac
“Dite pranvere” – Ciril Kosmac
“Aromat, ari e temjani” – Slobodan Novak
“Piramida e Emes” – Dubravka Ugrešić
“Ogursezi” – Nedzad Ibrisimovic
Some of Ramadani’s works are published in English, German, French etc., as part of many literature anthologies.
MEMBERSHIP:
Writers Union of Kosova (since 1970)
PEN Center of Kosova (since 2004)
LITERARY PRIZES AND AWARDS:
The best book of the year for “Satana ma vodhi gurin e urtise” (1987) and “Inamor” (2000) from the Writers Union of Kosova
The prize “Beqir Musliu” (2006)
“Pjeter Bogdani”, 2000
”Okarina e Arte”, 1975
Përgatiti Flori Bruqi
----------------------------------
PANTEONI I RRALLUAR
REXHEP QOSJA
ARTIKULIM I RI POETIK
Përmbledhja e vjershave të Musa Ramadanit ka vlera serioze, po, njëkohësisht, edhe të meta serioze. T´i shohim njëherë vlerat, e, pastaj, edhe të metat.
Në përmbledhjen e parë poetike, Mëkatet e Adamit, Musa Ramadani, ja ka pregatitur lexuesit një paradë të vërtetë të mëkateve të njeriut, që, porsi në një shirit filmi, parakalojnë nëpër vetëdijen e tij duke ja përkujtuar një si histori të shkurtër të ngritjes materiale dhe kulturore, po jo edhe të ngritjes etike të pasardhësit të homo sapiensit. Ai është njëri prej poetëve tanë më të rinj që, plotësisht në vijën e krijuesve bashkëkohorë, është i frymëzuar më tepër prej mëkateve se mirësive të njeriut dhe, prapë si ata, këtë frymëzim të vetin është përpjekur ta shprehë përmes një artikulimi të ri poetik. Prej Bodlerit e këndej „lulet e së keqes" kanë zënë të çelin dhe të rriten në botën e frytshme poetike, po ashtu, shpejt siç janë shtuar edhe problemet e ndryshme të botës moderne. Vjershat e Musa Ramadanit janë fryt i frymëzimeve të kushtëzuara prej plagëve morale të kësaj bote po, pjesërisht, edhe prej modës, prej huqeve të së cilës vuajnë jo vetëm bukuroshet e filmit, dhe të estradës, po edhe krijuesit e ndryshëm artistikë.
Me ndryshim prej numrit më të madh të poetëve tanë, që aq rrast janë të mishëruar me problematikën sociale, morale, folklorike dhe historike të njerëzve të truallit tonë, Musa Ramadani kërkon frymëzime prej problemeve të njeriut të të gjitha meridianeve dhe të të gjitha kohëve, edhe pse, kuptohet fare qartë, dialogu i tij poetik ka të bëjë me këtë njeriun e kohës sonë. Ai nuk është i interesuar të krijojë poezinë e vogëlsirave — edhe pse në krijimtarinë artistike nuk ka cikrrime, nuk ka gjëra të vogla dhe të mëdha, probleme të denja dhe të padenja frymëzimi dhe trajtimi — po, në radhë të parë, poezinë e motiveve të ashtuquajtura universale. Musa Ramadanin e tërheqin qenësitë e dukurive që janë duke u përsëritur prej dy paraardhësve tanë të parë, Adamit dhe Evës, e deri në ditët tona. Duke iu larguar asaj lloj poezie, autorët e së cilës e krijojnë duke i menduar gjithnjë duartrokitjet e estradës, dhe duke ju reshtur si për shkak të realizmit të saj sipërfaqësor, ashtu edhe për shkak se nuk mund të ketë një interes më të gjerë përveç interesit për lexuesit e ambientit tonë, Musa Ramadani ka vendosur të krijojë një lloj tjetër poezie: poezinë, që s´mund të ketë shumë lexues njëherë për një herë, po, që, mund të supozojmë, do të ketë një ditë. Për të mund të thuhet lirisht se është liriku ynë i parë që plotësisht vetëdijshëm është nisur rrugës së poetëve që përpiqen ta identifikojnë subjektin me objektin, se është lirik i shkoqur prej temave të njohura të folklorit tonë, prej të cilave, po ashtu, shkrimtarët e fortë mund të krijojnë akoma poezi dhe vepra me interes të përgjithshëm, me kuptim universal, me vlerë të pakaluar.
Mund të supozohet me të drejtë se shumica e vjershave të para të Musa Ramadanit, si për shkak të vetë materies së trajtuar ashtu edhe për shkak të mënyrës së trajtimit të saj, nuk do të kuptohen lehtë, prandaj as të lexohen me ndonjë ëndje të posaçme prej lexuesve tanë. Në këtë përmbledhje ai ka dhënë shenjat e një sensibiliteti çfarë në ambientin tonë do të zhvillohet vetëm pas ca vitesh, apo ndonjë decenie, dhe për këtë shkak është e besueshme që përmbledhja e tij të hasë në vështirësi komunikative me lexuesit e saj.
Poet i orientimit meditativ, Musa Ramadani mund të quhet lirisht poet i psikologjisë bashkëkohore, i problemeve dhe dilemave shpirtërore të njeriut të kësaj kohe. Ai është poet i frymëzuar prej problematikës që emocioneve të njeriut ka zënë t´ua shkaktojë mendja e tij. Në shekullin tonë të zhvillimit kaq të madh të shkencës dhe të teknikës, në këtë shekull kur frytet e teknikës po e lumturojnë dhe rrezikojnë ekzistencën njerëzore, është e kuptueshme që në orbitën e frymëzimeve poetike të hyjnë edhe mëkatet e vjetra dhe të reja të homo sapiensit si edhe rezultatet kolosale të gjeniut shkencor të njeriut. Musa Ramadani nuk shkruan pa frymëzime mbi të ashtuquajturat relacionet e relativitetit, të cilat janë bërë opsesion i secilit njeri që ka dëgjuar për to ç´prej momentit të publikimit të teorisë së Ajnshtajnit e deri sot.
Musa Ramadani i takon llojit të poetëve, sot më të shumtë në botë, që nuk kënaqen me trajtimin e motiveve autobiografike. Në përmbledhjen e tij vetëm cikli i parë përmban një numër vjershash, të cilat janë në njëfarë lidhje me përjetimet e tij intimiste, kurse të gjitha ciklet e tjera janë të përbëra prej vjershash, në të cilat shfrymjet intime janë tërhequr përpara kërshërisë së meditimeve dhe të përpjekjeve të njohjes intelektuale të jetës dhe të realitetit.
Mërmbledhja Mëkatet e Adamit është komponuar qëllimisht në një mënyrë që të jetë tërësi e problemeve të shtruara, që të jetë një si rekapitulim i mëkateve të njeriut. Me ndryshim prej poetëve që në përmbledhjet e veta fusin vjersha temash të ndryshme, të shkruara me raste të ndryshme frymëzimi dhe pa një ind të përbashkët, Musa Ramadani të gjitha poezitë e kësaj përmbledhjeje i ka organizuar sipas një plani të caktuar, rreth një ideje të përbashkët dhe një porosie të përbashkët. Këndej vjen edhe përshtypja e këndshme se vjershat e tij janë një tërësi brenda së cilës mund të shquhen, sipas cikleve, këto unaza kuptimore: a) dashuria si pikënisje; b) mëkatet e përhershme të njeriut në jetë; c) bota e ndërlikuar intime e njeriut, dhe ç) reagimi etik i poetit ndaj të gjitha këtyre cikleve problemesh.
Në vizionin e Musa Ramadanit të gjitha mëkatet e gjinisë njerëzore kanë njëfarë temperature pak a shumë të lartë kuptimore. Duke qenë të përsëritura brez pas brezi dhe shekull pas shekulli, atij i bëhet se ato janë shumuar si atomet prej bërthamës së vet:
Toka pjesë-pjesë n´pavarësi u ça
Uji kulla prej akullit krijoi
Flora i shpalli luftë Erës dhe Diellit
Fauna e sulmoi edhe Zotin edhe Djallin
Njerzit fyta-fyt ndër vedi thikat i ndërsyen . . .
-Një diç
N´buthtimin vonak mesnateve sekrete
Natyrën e flliqi në ballë tri herë!
(Mëkati)
Edhe pse në shikim të parë poet intelektualist, që e tërheq magjia e fjalëve dhe kërshëria që ta shohë botën prej këndit të një esteticisti, Musa Ramadani në shumë raste është në gjendje ta ngrisë poaq edhe temperaturën e reagimit të vet emocional ndaj realitetit shoqëror. Për këtë shkak edhe për të mund të thuhet se është poet që angazhohet në mënyrë të vet, në një mënyrë më universale se ç´është angazhimi i ngushtë politiko-partiak. Këtë masë të lartë të humanizmit të tij më së miri e dëshmon kjo vjershë, në të cilën ka gjetur shprehje ritmi bashkëkohor i jetës së njerëzve, po edhe dëshira e poetit që të vejë ura mirëkuptimi përmes zemrave të tyre:
Pyeta kalimtarin e parë:
Theqafas përse ashtu nxiton
Koha, po druaj, don për t´m´zënë
Tha.
Kalimtarit t´mbramë iu drejtova:
Këmba-këmbës përse ashtu ecë
Koha në vënd ka për të ngecë
Gjegji.
O me shkop përmbrapa njerzit i ndoqa
Njeri-tjetrin diku n´hapësirë për ta mbërri
Duart e zëmrat që t´i bëjnë një
Por. . .
Koha foli kështu e kurrmë nuk u ndi´.
(Dialog i parëndomtë)
Pesha meditative e vargjeve të Musa Ramadanit, e sendërtuar me një shprehje, shpesh, të rëndë, mund t´i duket dikujt pozë e një poeti fillestar, i cili bën çmos që t´i befasojë lexuesit me „thellësitë" e veta filosofike: pozë, që është shumë më tepër rezultat i kontakteve me poetët e ndryshëm modernë se sa e përjetimeve dhe përvojës personale origjinale. Një dyshim të tillë mund ta shtojnë aq më parë dhe aq më tepër termat e ndryshme filosofike dhe shkencore që janë mbjellë nëpër faqet e ndryshme të përmbledhjes Mëkatet e Adamit. Të tilla do të ishin shprehjet pakuptimsia, pamundësia, amshimi, paskajsia, pakohësia, relativiteti, e të tjera. Dhe, mund të thuhet, se me anën e këtyre termave, që u përkasin sistemeve të ndryshme filosofike prej racionalizmit sokratian e gjer tek ekzistencializmi sartrian, e ka vështirë të krijojë ndonjë kuptim të njëmendtë apo ndonjë ndjenjë të sinqertë, një poet pa kulturë filosofike siç është Musa Ramadani dhe siç janë akoma pjesa dërmuese e poetëve dhe shkrimtarët tanë. Për më tepër, mund të thuhet se përmes këtyre termave nuk mund të njihet poetikisht realiteti, prandaj as të shfaqet ndonjë sensibilitet si më suptil lirik. Nuk ka fije dyshimi se në frymëzimet e Musa Ramadanit mund të vërehen fare lehtë gjurmat e literaturës së lexuar, po askund nuk mund të vërehet poza, shprehja artificiale, prandaj edhe është plotësisht e drejtë të pohohet se të gjitha gjurmat e ndikimit janë shkrirë nën presionin e kulturës, përvojës dhe fuqisë së tij të shprehjes. Musa Ramadani është i aftë që të bluajë ndikimin, që ta bëjë pronë të veten çdo ide, që ta filtrojë nëpër ndjeshmërinë e vet çdo temë apo motiv të trajtuar në poezinë e tij. Ai është poet që mund t´i shndërrojë të gjitha këto meditime në një përvojë dhe përjetim të vetin subjektiv dhe për këtë shkak edhe përmbledhja e tij të bën ashtu përshtypjen e një tërësie, një organizmi të plotë që është përkundur në djepin e imagjinatës dhe të ndjenjës së tij. Po kjo nuk domethënë se në përmbledhjen e tij nuk ka vargje të zbrazëta, ashtu sikundër mund të thuhet se pas vargjeve të tij në shikim të parë sterile dhe të ftohta fshihet një kuptim i plotë dhe një reagim i fuqishëm emocional, siç është rasti me këtë strofë, në të cilin kategoria e pësimit ka gjetur me të vërtetë një trajtim të vetin dialektik dhe poetik:
Paj
Gjithkush e mashtron veten n´mejtime, pse
I pafalur e vrastar duket së jashtmi pësimi
Pësimi që prore mbi ne ngreh një fron
Pasi mrekullia e tij na cyt e para na shpie
Për ta zënë gjithçkafen dhe mëtej për të shkuar
Sidoqoftë
Krejt sillet vërdallë e pa radhë ndalet
Përtej pakuptimsisë ku prap ngrihet kuptimi
(Intima e mbrame e Mu Raut)
Megjithë një kuptim të plotë dhe domethënje të caktuar të disa poezive, në përmbledhjen e Musa Ramadanit ka vjersha që vuajnë prej ideve tepër të përgjithësuara, prej filosofimeve abstrakte që nuk kanë në vete ndonjë ide dhe figurë konkrete, që vuajnë, në ca raste, prej kuazifilosofimeve. Sigurisht për shkak të këtij koeficienti ndonjëherë të imponuar meditativ shumica e vjershave të tij të dy cikleve të mesme janë të ftohta dhe nuk e kanë peshën e duhur të përjetimit emocional. Edhe pse disa prej poetëve të sotëm i kushtojnë rëndësinë më të madhe jo ndjenjës po qenësisë së mendimit poetik, është plotësisht e kuptueshme se arti prore do të dallohet prej mendimit diskursiv pse është i krijuar dhe i ngjeshur prej emocioneve, pse rrjedh prej emocioneve dhe efektin e vet e mbështet në nxitjen e tyre. Për këtë shkak lexuesi do ta ndjejë veten më mirë, do t´i duket atmosfera më e përshtatshme dhe më e ngohtë kur prej dy cikleve meditative Parakalimi i mëkateve dhe Intimat e Mu Raut, në të cilat gjenden disa prej vjershave më të mira të kësaj përmbledhjeje, të dalë tek cikli i vjershave Anatema apo fjalët e fundit, ku edhe Musa Ramadani e ndien veten më të sigurtë, është më autokton dhe, natyrisht, shumë i ngrohtë dhe më i sinqertë. Dhe, si shembëll i një pohimi të këtillë mund të shërbejë kjo strofë:
Fjalët e mia t´fundit dashurie
Merrni udhë shtektari që tanë botën për të mësyrë
Fluturoni zogjtë e mi t´butë të lirisë
Anë e kënd Tokës leni çerdhe lumturie
Njerëzit të zgjohen tjerë në sofra t´mirësisë.
(Marshi në prapavijen e fjalës)
të cilën e dëmton mjaft vargu i dytë prozaik dhe anakronik.
Në pajtim me preokupimet meditative është edhe prirja e Musa Ramadanit, kur e arësyeshme e kur jo, që disa mendime, disa ndjenja, disa asociacione t´i lëshojë të pakryera, enigmatike, të parrumbullakësuara, me çka, dashtë e pa dashtë, e ka bërë hermetike një pjesë të poezisë së tij. Nuk mund të thuhet se prej poetit duhet kërkuar që çdo ide dhe çdo ndjenjë të veten t´i zhvillojë deri në fund dhe t´i kristalizojë dhe rrumbullakësojë ashtu siç janë të kristalizuara fjalitë e prozës, po megjithatë, prej tij mund të kërkohet që të gjitha mendimeve dhe ndjenjave t´u qesë njëfarë vegze për të cilën do të kapet lexuesi. Prej tij mund të kërkohet që nëntekstin mos ta zëvendësojë prej hermetizmit. Duke u tërhequr ndonjëherë pas shprehjeve të përgjysmuara, sikundër janë nuk di, kurrë apo vetëm kurrë, flen a nuk flen, e të tjera, ai plotësisht në mënyrë të vetëdijshme ka kërkuar edhe mënyrat e tjera që atë vegzë, të domosdoshme edhe në poezinë më të thellë, ta presë, kurse lexuesin ta braktisë në vetminë e kureshtjes së tij. Musa Ramadani edhe me shkrimet diskursive e ka provuar deritani disa herë dëshirën që të shprehet në mënyrë hermetike, bile, sa më hermetike dhe këtë e ka treguar edhe në përmbledhjen e vet të parë. Duke ndjekur zërin e një poezie esteticiste, Musa Ramadani nuk nguron ndonjëherë edhe në vargje të shprehë haptazi prirjen e vet ndaj një shprehje formaliste dhe të pazbërthyer:
Për mua
Bukuri është tingulli e fjala
Bukuri është edhe ngjyra e trajta. . .
Por — të bukur nuk janë njerëzit, jo?
(Për ata: ne)
Sigurisht për këtë shkak në disa raste t´i vret sytë përpjekja e tij që të vejë harmoni akustike mes tingujve („përgjigjej përgjegjës gjegjëse"), edhe pse kjo harmoni nuk është vënë në shërbim të përmbajtjes. Pamundësia komunikative e disa prej vjershave të tij nuk është pasojë e nëntekstit, sugjestionit, prapa të cilit qëndron diçka e rëndësishme dhe e thellë, sa e dëshirës që të jetë me çdo kusht hermetik dhe ezoterik. Ka raste në përmbledhjen e tij kur fjalët mbesin vetëm si një ekspresion i jashtëm, e jo si bartëse të një ndjenje apo mendimi të caktuar dhe të plotë.
Edhe pse ndër poezitë më hermetike që janë krijuar deri tani tek ne, vjershat e Musa Ramadanit nuk mund të mohohen kurrsesi për shkak të kësaj errësie të tyre. Nuk është e thënë që poezia hermetike të jetë fare pa lexues: ka ndër ta edhe të tillë që do të bëjnë çmos të nxjerrin ndonjë përjetim dhe ndonjë kuptim prej saj. Në këtë rast vlen mendimi i poetit francez, Pol Valerysë, i cili thotë se „ekzistojnë disa opinione, ndër të cilat nuk është e pamundshme të gjendet ai që nuk ndjen kënaqësi po s´bën përpjekjet e veta, që nuk dëshiron të përjetojë poezinë pa bërë mundin e vet dhe që, më në fund, nuk e ndjen veten të lumtur në qoftë se lumturia e tij nuk është pjesërisht edhe vepër e tij vetë, me ç´rast dëshiron të dijë se sa i kushton ky mund. Tekembramja ndodh që të krijohet një opinion plotësisht i posaçëm". Po në lidhje me këtë problem shtrohet edhe një çështje tjetër: në qoftë se, megjithë mundin e bërë, njeriu ndahet pa farë përjetimi prej një poezie të tillë atëherë duhet të bëhet pyetja: a e vlen barra qiranë që të bjerret mundi dhe koha rreth deshifrimit të një poezie e cila, tekembramja, nuk mund të deshifrohet?! Kjo domethënë se Musa Ramadanit i shtrohet si detyrë e dorës së parë: të përpiqet të gjejë masën e duhur në maskimin e mendimeve dhe të ndjenjave të veta dhe, si detyrë e dorës së dytë: të fusë më shumë emocione në mendimet e veta që si të tilla, do të bëhen çelës, në qoftë se jo kallauz, i poezisë së tij.
Vargu i Musa Ramadanit është i leçitur lidhjeve të largëta asociative, prandaj në poezinë e tij nuk mund të vërehen gjurmat e figuracionit të njohur alogjik të surealizmit. Vargun e tij e bën hermetik jo figura, jo aq pesha meditative e tij, sa përpjekja e selitur që të jetë doemos hermetik me paradokse abstrakte filosofike, me çka në të vërtetë kompromitohet kuptimisht poezia e përmbledhjes Mëkatet e Adamit. Mund të vërehet se ndonjë varg apo edhe ndonjë vjershë janë shkruar me dëshirën që të tregohet virtuoziteti i tij leksikor dhe gjuhësor, prandaj hove-hove krijohet përshtypja e drejtë se disa fjalë tek ai nuk janë shkrirë spontanisht në tërësinë e vjershës, nuk janë bërë pjesë e shfaqur dhe kuptimisht e emocionalisht e rritur në strukturën e saj. Në disa prej vjershave të tij, edhe pse numri i tyre pa dyshim është i vogël, vërehet mospajtimi ndërmjet ndjenjës, përshtypjes, mendimit dhe shprehjes: ndërmjet impresioneve dhe ekspresioneve. Tek poetët e fortë apo, të themi, edhe vetëm të mirë, forma gjithmonë është shprehje adekuate e përmbajtjes, idesë, ndjenjës së tyre. Lexuesi i poezisë apo prozës së tyre nuk mund ta ndalë vëmendjen tek elementet e jashtme dhe gjithmonë është i nxitur që të perceptojë tërësinë në vend të elementeve përbërëse, shprehjeve, figurave apo ndonjë vargu të veçantë. Ai prore shkoqet prej tyre me përshtypjen se ka kaluar nëpër një tërësi kompakte, e cila është e sendërtuar me shkrirjen e impresioneve dhe ekspresioneve të krijuesit të saj.
Të gjitha provat poetike të Musa Ramadanit, më në fund, janë përpjekje interesante dhe të mirëpritura në letërsinë tonë, ku kujdesi i shkrimtarëve ndaj formës dhe shprehjes akoma nuk është në nivelin e duhur. Vetë kujdesi i tij ndaj gjuhës është shenja më e mirë se kemi të bëjmë me një poet që sa e ka të zhvilluar shijen, poaq e ka të zhvilluar edhe ndërgjegjen krijuese. Ndonëse në disa vjersha të përmbledhjes së tij të parë mund të vërehet mospajtimi ndërmjet dëshirave, përpjekjeve dhe mundësive të tij shprehëse, ndonëse mund të vërehet se stolisjet e tij ndonjëherë janë më të shtrenjta se sa materia të cilën e kanë stolisur, mund të pohohet se Musa Ramadani ka mundësi ta thotë bukur atë që e mendon dhe e ndjen. Duke qenë të gjitha të metat e tij të meta të kujdesit dhe të ndërgjegjes krijuese artistike, njeriu vetëm mund të ketë, më në fund, respekt ndaj tyre. Në qoftë se një poet i ri, sikundër është Musa Ramadani, e fillon rrugën krijuese me një përmbledhje ashtu serioze, është e drejtë të besohet se ai ka kuptuar që poezia bashkëkohore është një këngë e re që don edhe instrumente të reja, që kërkon të artikulohet në mënyrë të re. Duke besuar se i njeh mirë huqet e këtij instrumenti, mund të priten prej tij melodi akoma më të bukura, të cilat do të impresionojnë jo vetëm derisa i dëgjon po edhe kur mbetesh me jehonën e tyre në kujtesë. Prej poezisë së Musa Ramadanit as kësaj radhe nuk ndahesh indiferent; ajo të bën të mendosh dhe kjo është shenja më e mirë se në poezinë tonë është shfaqur edhe një krijues i prirur. Prej poetëve tanë të pasluftës asnjëri nuk ka startuar me pjekurinë artistike të autorit të Mëkateve të Adamit. Prej Musa Ramadanit gjithsesi mund të pritet akoma më shumë. Si poet i dashuruar në Muzën, ai ka mundur të dëshmojë se edhe Muza s´është indiferente ndaj tij.
1969