Qendra Klinike Universitare e Kosovës, gjatë vitit 2012 është ballafaquar me probleme të shumta të natyrave të ndryshme, si furnizimi i dobët me barna, furnizimi i dobët me ngrohje qendrore, mungesa e shërbimeve radioterapeutike dhe kardiokirurgjike, por edhe probleme infrastrukturore. Megjithatë, drejtori i QKUK-së Nijazi Gashi në një intervistë dhënë Agjencisë së Lajmeve Kosovapress, shpreson se viti 2013 do të jetë më i mirë për QKUK-në, pasi që sipas tij, miratimi i Ligjit të ri për Shëndetësi do të kontribuojë në përmirësimin e gjendjes së përgjithshme në këtë qendër.
Duke folur për Ligjin e ri për Shëndetësi, i cili u miratua ditë më parë në Kuvendin e Kosovës, Gashi vlerëson se avantazhet e ligjit të ri në raport me ligjin e vjetër janë evidente, për arsye se tani hapet mundësia e një partneriteti publiko-privat gjë që me ligjin e vjetër ka qenë e pamundur një çështje e tillë.
“Unë mendoj se është bërë një punë e madhe dhe një punë që do t’i hap rrugë suksesit dhe punës së në shëndetësi e posaçërisht në QKUK. Avantazhet e ligjit të ri në raport me ligjin e vjetër janë gjithandej për arsye se tani hapet mundësia e një partneriteti publiko-privat më të mundshëm për arsye se me ligjin e vjetër ka ekzistuar por ajo nuk ka ndodh për arsye sepse ka qenë i kufizuar mundësia për të vepruar në mënyrë të atillë. Kështu që mundësia e mbledhjes së të mirave materiale dhe të hyrave vetanake ka me qenë më e madhe që na bënë të shpresojmë se do ta kemi një buxhet më të avancuar për realizimin e punës dhe projekteve tona”, ka thënë ai.
Nenin 41 të Ligjit për Shëndetësi, e i cili po kundërshtohet nga shumica e punëtorëve shëndetësor, drejtori i QKUK-së e sheh si pozitiv, pasi që sipas tij, kjo e drejt për të punuar në dy sektorët shëndetësor është keqpërdor nga vet mjekët, porse shton se sa i përket këtij neni kanë të drejt të ankohen edhe punëtorët shëndetësor, por ka të drejt edhe ministri që e ka përpiluar.
“Kanë të drejtën e tyre nëse thirrem në të drejtën e ligjit të punës dhe të drejtën njerëzore, për arsye se u merret e drejta e njeriut për të punuar 4 orë pas orarit të punës. Por në anën tjetër është edhe e drejta e ministrit dhe stafit të tij që ka përpiluar këtë ligj për arsye se ky nen është keqpërdor në shumë raste dhe në kontuinitet nga vet mjekët. Andaj, kjo ka ndikuar që të ndërmerret ky hap i cili ka reperkusionet e veta nëpër të gjitha aspektet. Por unë mendoj se me ligjin e ri u jepet e drejta te punojnë në kushte të barabarta edhe sektori privat edhe sektori publik”, ka thënë ai.
Sipas Gashit, problem kryesor për QKUK-në vazhdon të mbetët financimi i dobët. Ndërsa si sfida për vitin 2013 ka veçuar funksionalizimin e sterilizimit gjithandej nëpër blloqet operative, funksionalizimin e lavatorës në QKUK, funksionalizimin e radioterapisë dhe kardiokirurgjinë, si dhe rregullimin e ambulancave specialistike, që sipas tij, janë pikat më të dobëta në QKUK.
Gashi pranon se këtë vit QKUK-ja është ballafaquar me probleme dhe sfida të ndryshme që kanë ndikuar në shërbimin e mirëfilltë të pacientëve, mirëpo sipas tij, kjo ka ndodhur pasi që edhe buxheti nuk ka qenë i dëshiruar për këtë qendër, por shpreson se viti 2013 do të jetë më i mirë për pacientët.
“Sfidë për neve ka qenë funksionalizimi i radioterapisë në Institutin e Onkologjisë dhe përkundër angazhimeve tona maksimale dhe përkundër përkrahjes nga ana e Ministrisë nuk kemi arritur ta funksionalizojmë këtë procedurë terapeutike. Në fillim pengesat ishin subjektive, dikur ato u shndërruan në objektive dhe më në fund doli ambasada italiane e cila ka ofruar një donacion për funksionalizimin e këtyre procedurave është diçka që duhet të respektohet në raport me ta, kjo vlen për kardiokirurgjinë. Kurse për onkologjinë kemi pas një buxhet të limituar”, ka thënë ai.
Duke folur për vitin 2013, Gashi ka vlerësuar se edhe ky vit do ta sfidojë QKUK-në, pasi që ka mjaftë probleme dhe punë për t’u bërë. Funksionalizimin e sterilizimit nëpër blloqet, funksionalizimi i lavatorës në QKUK dhe rregullimi i ambulancave specialistike, sipas tij, janë ndër sfidat dhe prioritetet për vitin 2013.
“Sfida kryesore për vitin 2013 ka me qenë funksionalizimi i sterilizimit gjithandej nëpër blloqet operative ku ka operacione, pastaj funksionalizimi i lavatorës në QKUK sepse i kemi në gjendje shumë të vështirë. Nuk po e them radioterapinë dhe kardiokirurgjinë për arsye se janë bërë të gjitha parapërgatitjet që në tre mujorin e parë këto të funksionalizohen, sepse kemi punuar një vit duke kompletuar resurset profesionale, gjegjësisht humane edhe ato infrastrukturore dhe resurset e aparaturave dhe unë shpresoj se këtu nuk do të ketë dilema ne do të shënojmë rezultate në atë drejtim. Kurse një sfidë tjetër do të jetë rregullimi i ambulancave specialistike që është pika më e dobët në QKUK”, ka thënë ai.
Sa i përket furnizimit me barna, Gashi shpjegon se edhe në këtë drejtim ka pasur pengesa, ndërsa në muajt e fundit, pohon ai, këto pengesa janë kaluar dhe tani më furnizimi është më i mirë dhe është në nivel shumë më të lart nga lista e barnave esenciale.
Ndërsa, sa i përket dështimit për zgjedhjen e drejtorëve të klinikave, Gashi pohon se Ligji i ri i Shëndetësisë hap rrugën për zgjedhjen tyre, pasi që definon qartë pozicionin e punëtorëve shëndetësor, që sipas tij janë shërbyes publikë e jo civilë.