2012-12-27

Flamuri i Dardanisë është simbol shtetëror i Kosovës

Skender Zogaj

Shkruan: Skënder Zogaj

1. (Një sqarim rreth Flamurit të Presidentit Ibrahim Rugova)


Adem Grabocvcit dhe të gjithë të ngjashmëve si ai, që ende nuk e kanë marrë vesh punën e Flamurit të Dardanisë, detyrohemi që t’iu sqarojmë se, Flamuri i Dardanisë, i njohur si Flamuri i Ibrahim Rugovës, në fakt është: Flamuri simbol shpirtëror dhe shtetëror i shumicës dërmuese të shqiptarëve të Kosovës, të cilët e kanë pasur, e kanë dhe do ta kenë, në përdorim të përjetshëm këtë shenjë inkarnuese të lashtësisë iliro-dardane dhe rikthyese në jetë të kujtesës etno-gjenetike , në pikëpamjen e identitetit kulturor –artistik dhe të moshës historike, pa të cilën, shqiptarët sot, nuk do ta kishin kurrfarë kuptimi. Pra, fjala është për Flamurin – ndërlidhës të këputjes së madhe historike, të frymës dhe të qenies kombëtare, ndërmjet substancës së sotme shqiptare, dhe asaj që shkenca e ka vërtetuar se i përket iliro-dardanisë!


Flamuri i Dardanisë është flamuri që shumica dërmuese e shqiptarëve të Kosovës, e kanë aprovuar dhe e kanë pasur në përdorim, si simbol shtetëror të Kosovë-Dardanisë, mirëpo, që është hequr (përkohësisht) nga përdorimi, sepse, kështu kanë dëshiruar rrugaçët dhe injorantët e rasadit të kuq ruso-enverian, të cilët në një ditën feste, këpusin nga valëvitja dhe i kallin flamujtë dardanë, për të mundësuar ardhjen e flamurit të ri që aktualisht është në përdorimin zyrtar të Kosovës. Kjo është vepra e mjerimit të dilenxhinjve, të cilët ndyjnë, jo vetëm flamurin, por edhe traditën shqiptare, e cila kurrë më parë në histori nuk ka qenë djegëse e flamujve! Lahperët dogjën, mirëpo, të gjorët, nuk e kanë ditur se, duke e djegur nuk e zhbëjnë Flamurin e Dardanisë e të Ibrahim Rugovës, kush ka sy me pa dhe tru me mendu, e di se është fjala për mburojën e identitetit autokton të Kosovës në raport me hapësirën gjeografike dhe me tiparet më karakteristike etno- gjenetike! Ku ta kuptojë këtë injorantët, zjarrvënës e mishngrënës, të cilët, lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, ia shkaktuan një plagë të rëndë në trup. Sa u përket “kapuqinëve të zinj”, është në fahun e tyre, mirëpo si të kuptohet deputeti i Parlamentit të Kosovës, Adem Grabovci, që me aq shumë pezmatim kritikon deklaratën e liderit të LDK-së, Isa Mustafës, për ndryshimin e simboleve shtetërore dhe zyrtarizimin e Flamurit e të Himnit të vërtetë të Kosovës!

Meqenëse Ademi ka pasur guximin të flas kështu, detyrohemi që t’i themi se, para se të këshillojë të tjetër, ta pastroj veten nga stuhia e ndyrësive që i ka nxjerrë nga goja e tij dhe që janë, shumë më të akullta, se sa të ftohtit e stinës së dimrit që nuk arrin ta zbus ngrohtorja e Prishtinës.
2. (Flamurit të Rugovës iu përkulën burrat botërorë, por e dogjën rrugaçët!)
Shqiptarët 600 vjet kanë qëndruar nën flamurin e Perandorisë Otomane dhe 100 të tjera, me flamurin dhe himnin e Serbo-sllavisë, sepse kanë qenë të detyruar nga kthetrat okupuese. Mirëpo, është e dëshmuar se, kurrë nuk iu kanë bindur as flamujve dhe as himneve të pushtuesve, por e kanë ruajtur të pastër frymën e shpirtit të tyre, duke kultivuar dhe mbajtur simbolet autoktone kombëtare dhe i kanë shfaqur herë pas herë, nëpër shekuj, kurdo që u është dhënë sado pak rasti, botërisht duke dëshmuar se, nuk heqin dorë nga identiteti i tyre dhe se, do ta rikthejnë qenien e tyre aty ku e ka vendin. Pas 600 vjetësh, në Vlorë u ngrit Flamuri i kuq me shkabën e zezë dy krenare. Nëntëdhjetë vjet më vonë, e përtokën flamurin e Serbisë edhe shqiptarët e Kosovës, të cilët e shpalosën Flamurin e Dardanisë, me përkulje para Zotit, nga stërnipi dardan, dr. Ibrahim Rugova, të cilin shumë nga personalitetet që janë në postet më të larta shtetërore të Kosovës, e quanin Hazreti Ibrahimi. Dhe, Hazreti Ibrahimi, si i deleguari i Zotit që ishte, e kishte të qartë se, ringjalljes së Kosovës i duheshin simbolet përkatëse, i duhej emri i vërtetë, flamuri i vërtetë, himni i vërtetë dhe vargu i simboleve të tjera përkatëse, të domosdoshme për një shtet të mirëfilltë dhe funksional, të denjë për vetveten dhe shoqërinë kah e cila kishte marrë udhën. Dr. Ibrahim Rugova krijoi simbolet e Kosovë – Dardanisë, të cilat nga tavolina e tij e punës, u përhapën së pari në zyrat e Shtëpisë së Bardhë në Uashington, e pastaj kudo nëpër kancelaritë e diplomacisë botërore. Janë dëshmitë konkrete që flasin, fotografitë e burrave botërore ku shihen duke ia shtrirë dorën Presidentit Ibrahim Rugova pranë Flamurit Dardan; video-spotet ku shihen duke nderuar Flamurin e Dardanisë dhe Himnin “Kur ka ra Kushtrimi në Kosovë”. Flasin dhuratat e ndryshme me simbolet shtetërore të Presidentit të parë dhe historik të Republikës së Kosovë-Dardanisë.
E theksuam këtë, jo për t’i thurë lavdi të madhit Ibrahim Rugova, por, për të vënë në spikamë faktet e praktikës diplomatike botërore, e cila nuk ka as më të voglën mundësi, që të kalkulohet nga kushdo qoftë, kur është fjala të përdorimi i simboleve shtetërore të një vendi. Gjithnjë e gjithkund në botë, protokolli ndjek në mënyrën më precize përdorimin e simboleve, me rastin e vizitave ndërshtetërore. Që nga mirëseardhje e deri te dora e lamtumirës, gjithçka i nënshtrohet rreptësisht përdorimit të simboleve zyrtare, paraprakisht të proklamuara dhe të pranuara nga vendi i vizitorit, sepse kjo nënkupton, kushtin e domosdoshëm të konsideratës reciproke diplomatike, që është e shenjtë! Çdo veprim ndryshe është i pamundshëm. Prandaj, duke përkujtuar dhe shikuar materialet konkrete, argumentohet se, Flamuri i Dardanisë dhe himni “Kur ka ra kushtrimi në Kosovë”, kanë qenë simbole të pranuara shtetërore të Presidentit Ibrahim Rugova. Të gjitha vizitat dhe ceremonialet presidenciale, janë realizuar me to, janë pritur dhe përcjell burrështetasit, janë qëndisur gjokset me shenja e stema dardane, janë dhuruar flamuj e materiale të tjera më këto simbole.

3.(Kush po luan me ndjenjat e qytetarëve të Kosovës)

Çfarë dëshmie tjetër duhet për të kuptuar se Flamuri i Dardanisë ishte bërë simbol shtetëror i plot kuptimtë, që e kishte pranuar Presidenti Bill Klinton, Kryeministri Toni Bler, zonja Olbrajt, Papa Gjon Pali II, e dhjeta burrështetas e diplomatë nga më të mëdhenjtë e shekullit 20, të cilët i kemi pa me sytë tanë duke iu përkulur gjithë respekt Flamurit të Dardanisë dhe himnit “Kur ka ra kushtrimi në Kosovë”. Pra, ndodhi zyrtarizimi në heshtje i Flamurit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, pa asnjë vërejtje, pa asnjë kundërshtim, nga kushdo qoftë (bile as nga diplomatët rusë, që me simbolet e dardane para vetes bisedonin me Presidentin Rugova)! Flamuri natyrshëm ishte funksionalizuar në simbol shtetëror, mirëpo, speciet e fermës marksiste-leniniste, në shembullin e paramilitarëve serbë kundër Flamurit Kombëtar shqiptar, në ditë feste, i hoqën flamujt dardanë nga valëvitja dhe ua vunë zjarrin në midis të Prishtinës. Pas këtij akti, me të drejtë pasoi ndërhyrja e bashkësisë ndërkombëtare, e cila e gjeti “arnin për gëzofin” e kodoshëve.


Partia Demokratike e Kosovës e quan të pakuptueshme idenë e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, për ndryshimin e simboleve shtetërore të Kosovës, duke ia përkujtuar “rrethanave në të cilat gjendet Kosova?!” Mirëpo, PDK-në dhe Adem Grabovcin i pyesim: Në c farë rrethanash është krijuar dhe është jetësuar Flamuri i Dardanisë? Rrethanat i keni krijuar ju dhe, përgjegjësia historike për bastardimin e simboleve shtetërore u përket atyre që ua kanë vënë flakën simboleve shqiptare dhe i kanë pranuar simbolet e panjohura! Kjo është loja e vërtetë me ndjenjat e qytetarëve të Kosovës, e jo, propozimi për rikthimin në jetë të simboleve të tyre të vërteta.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...