Politizimi (politism) kosovar si pasojë e mungesës së shtetit




“Suksesi është i sigurt në secilën punë për të cilën këshillohesh me njerëz të urtë me përvojë, dhe kur vepron sipas udhëzimit të tyre...”    


1.Politizimi (politism) kosovar si pasojë e mungesës së shtetit

Një fenomen, që pa dyshim është duke e përcjellë këmba-këmbës procesin e shtetndërtimit të Kosovës, është edhe ai i politizimit apo si mund të shquhet ndryshe edhe si tendencë e “ngjyrimit” të çdo gjëje që e prodhon, në ndërkohë jeta sociale dhe ajo politike e një shoqërie që ka probleme evidente me konsolidimin e institucioneve shtetërore dhe ambientimin e vlerave demokratike. Kur flasim për politizimin, zakonisht mendja na shkon te perceptimi për humbjen e  sensit dhe kohezionit shoqëror që dosido prodhon sjellje të atilla devijante , siç janë: shfaqja e krimit, anomisë, konflikteve ndërgrupore, brendainstitucionale, shtimi i interesave klanore dhe zbehja e atyre publike, pastaj  një fatëpajtim i çuditshëm dhe  i fjetur i publikut, kur janë në pyetje interesat e përgjithshme qytetare.
I gjithë ky proces i fillimit të vetëkërkimit të shkaqeve në rastin tonë kosovar, mund t’u adresohet shumë faktorëve: psh. shpërnguljes nga një zonë rurale në një zonë urbane, margjinalizimit të grupeve të caktuara, deprivimit social, krizës morale, anonimitetit apo ndërrimit të ambientit që ishte evident pas luftës së ndodhur në vitin 1999 e këndej..etj.
Atëherë, paradoksi i radhës që si perceptim në shoqërinë kosovare ka kohë që është duke qarkulluar, bile ka mendime që antipodi i këtij perceptimi, pra  ai i apolitizmit në një mënyrë sipas shumicës se analistë  (por jo akoma edhe i ndonjë gjykimi të prerë sociologjik) është duke u bë në një mënyrë edhe shkaku kryesor e kësaj gjendjeje të tepruar të “ngjyrosjes” me epitetin apo origjinën ideologjike të politikës së partive tona politike në Kosovë. Perceptimi  kësi soj nga ana e publikut që nënkupton jo gjithherë qëndrimet e  qytetarëve dhe të medieve kosovare, pa dyshim që ngjall dyshime dhe reperkusione të natyrave të ndryshme. Themi kështu, edhe për shkak se perceptimi ngandonjëherë për dallim nga kërkimet empirike mund të na çojë edhe në gjykime të gabuara për ndonjë fenomen apo dukuri në zhvillim që shoqërisë kosovare në këtë fazë të transicionit mund t’i sjellin përveç keqkuptimeve në interpretim edhe dëme në procesin e shtetndërtimit.
Tani, sipas këtij diskursi që në një mënyrë është vetëm perceptim, por ngandonjëherë edhe si gjykim i njerëzve që merren me problematiken politike në shoqërinë kosovare, fitohet përshtypja se fajtore kryesor kujdestare për gjitha këto vonesa, nëpërkëmbje të qarta të institucioneve tona sociale e politike, lidhur me rrugëtimin që duhet vetëkërkuar në  instalimin e demokracisë dhe të sundimit të ligjit etj, janë kryesisht politizimi i tepërt i shoqërisë sonë! Por, a është gjithnjë kështu?
Politizimi i këndvështruar në këtë mënyrë nga ana e shumicës së publicistëve tanë politikë, pastaj analistëve të të gjitha llojeve për gjoja të drejtën tyre që të japin mendimet e tyre kompetente për psh. për ecurit, mangëtit, devijimet, e gjithsesi edhe për gabimet në ndërtimin e demokracisë kosovare si pasojë “ngjyrimit” të tepruar me cilësi partiake, në fakt është një përpëlitje për të arsyetuar gjykimet e tyre sociale për këtë dukuri.
Ndërkaq, po këta analistë dhe ekspertë të rrjedhave dhe proceseve politike, harrojnë se politizimi nuk nënkupton vetëm tendencën e “ngjyrosjes” së akteve, vendimeve, emërimeve, shkarkimeve. etj. por  njëherësh edhe partiizimin apo vënien e monopoleve (është tepër të them: ideologjike(!),sepse partitë kosovare akoma s’kanë ideologji të tyre identifikuese...temë tjetër që do komentohet) partiake, e tani së fundi edhe interesave klanore dhe të atyre të interesit. Pra, procesi i spostimit të interesit publik në grupe mafioze partiake dhe të atyre të klaneve dhe grupeve të interesit, është adresa më e saktë, ndërkaq procesi i politizimit është vetëm preteksti apo prapavija që këtyre grupeve u shërben për të humbur gjurmët e vërteta në ndërtimin e kapaciteteve institucionale në Kosovë..,!

2.  Në Kosovë më shumë bashkëpunojnë klanet dhe grupet e interesit sesa partitë

Ndryshe, kujtoj që në skenën politike kosovare, aktet e ndodhura herë si skandale, e herë si procese të  imponuara nga elitat politike,...pra gjitha qeveritë e pasluftës në ndërtimin e kapaciteteve institucionale demokratike kosovare, në fakt janë më shumë produkte jo të politizimit, sepse këto procese sidomos në qeverinë e tanishme janë më shumë pasojë e zhdukjes së dallimeve ideologjike (nëse natyrisht kanë?!) midis partive politike (ngaqë këto grupe që mund të cilësohen si të interesit të gjitha partive politike më shumë po bashkëpunojnë mes vete sesa me partitë e veta?!), por të partizimit dhe klanizmit.
Shtimi i "bashkëpunimit " të këtyre grupeve të interesit që tani po reflektohet edhe në nivelin dhe cilësinë e qeverisjes aktuale, do të shtoja se po i zhduk në njërën anë dallimet ideologjike...dhe në anën tjetër po e fuqizon apo po e rrit nivelin e "bashkëpunimit" (sidomos kur janë në pyetje tenderët?!) midis tyre.
Fenomeni i fragmetarizimit, të themi kështu i interesave, apo reduktimi i këtyre interesave në vetëm grupe të vogla interesi, në një mënyrë po e shtensionon dallimin ideologjik midis partive politike kosovare, por  në anën tjetër ky fenomen i fragmentarizimit po prodhon edhe një proces tjetër absurd që demokracisë së tanishme kosovare s'i nevojitet fare, ngaqë të gjithë parametrat socialë, politikë, ata ekonomikë po dëshmojnë se ai në fakt është duke e ngulfatur atë vazhdimisht përmes zvogëlimit  apo reduktimit të interesimit të publikut për ngjarjet...proceset dhe rrjedhat  kruciale të shoqërisë kosovare.
Në fakt, ky lloj indeferentizimi është duke prodhuar antipodin e vet, atë të apolitizmit...që sociologët me përvojë duhet ta deshifrojnë në kuptimin e dhënies së një përgjigje sociale për rrjedhat e shoqërisë në Kosovë.

3. A jemi duke u bërë gjithnjë e më shumë apolitikë (apolitism)?

Çka është në fakt apolitizmi dhe si mund të kualifikohet në rrethanat dhe proceset tona aktuale të shtetndërtimit? Thënë më thjesht me apolitizëm nënkuptojmë një gjendje të atillë sociale, politike, ekonomike e gjithsesi edhe të imponuar kulturore, ku publiku apo qytetarët e një vendi e humbin interesimin e tyre për t’u bërë pjesë aktive e dinamike e proceseve demokratike që ndodhin në shoqëritë e tyre.
Pra, një gjendje e atillë ku besimi se përmes politikës mund të bëhet diçka në favor të interesave të gjëra të qytetarëve, pra interesave publike që dosido e profilizojnë si cilësinë e jetesës, standardin, benificionet në shkollim, arsimim, shëndetësi, etj. ashtu edhe cilësitë e tjera të rëndësishme në përditshmërinë tonë sociale
Tani, perceptimi se fajtorë kujdestarë, për të gjitha këto të këqija, (standardin e ulët të jetesës, papunësinë enorme(!?), shkallën e lartë të varfërisë, pamundësinë e shkollimit dhe edukimit cilësor...etj) janë vendimmarrjet e gabuara politike të institucioneve qeveritare në kuptimin se këto vendimmarrje s’janë pasojë e një kontrate publike midis tyre dhe politikës (përfaqësuesve qeveritarë në fakt?!), por pasojë ekskluzive e keqpërdorimit të statuseve dhe privilegjeve të dhëna po nga ky publik dhe qytetarë përmes votës së tyre, na e krijon ndjenjën e të përjashtuarit, pastaj perceptimin se politika aktuale institucionale lëre që është e gabuar, por në fakt edhe antishoqërore, antisociale, dhe antiekonomike!

4. Paradoksi i pamundësisë së mos qenit ‘zoom politikom’

Në anën tjetër, dëshmia dhe argumenti se procesi i apolitizmit është i pamundshëm të ndodhë edhe për shkak se qytetari i sotëm kosovar është e pamundshme të mos jetë qenie shoqërore e politike (zoon politikon)! Për të ilustruar paradoksin e pamundësisë së mos qenit zoom politikom, po shërbehemi me një thënie të vjetër greke, se: “Njeriu që s’merret me politike nuk e shikon punën e vet, ai s’ka vend në mesin tonë!” Njeriu edhe nëse s’merret me politike, kjo e fundit merret me të...Ka të ngjarë që politikanët aktualë kosovarë, duke nuhatur shumë mirë dukurinë e rritjes së pasionit të qytetarëve  për të mbetur edhe më tej indiferent ndaj proceseve dhe rrjedhave që ata për çdo ditë janë duke i kërcënuar në të gjitha dimensionet e mundshme sociale, politike, ekonomike e kulturore, marrin vendime të gabuara dhe në disfavor të tyre.
Në shoqërinë tonë,  mund të gjesh edhe perceptime të tilla cinike, e do të shtoja  ngandonjëherë edhe sosh fataliste në kuptimin se të gjitha çështjet publike duhet t’i zgjedhin të tjerët, dhe se marrja me politikë dhe punë publike, në fakt, është punë e kot..Gjithashtu në këtë vorbull mund të hasim edhe perceptimin fashist për të qenit apolitikë, se :”politikanët janë të korruptuar, të shitur e të kalbur”, ai elitist, se “politika është punë e qytetarëve të dorës së dytë”, por gjithashtu edhe perceptimin apolitik fetar, se: ”me aktin e futjes së njeriut në politikë thyhet ligji hyjnor, ngaqë s’punohet dhe veprohet sipas ligjit të Zotit! Perceptime të tjera...evidente mund të gjurmohen pothuajse për çdo ditë në shoqërinë kosovare.




Fadil MALOKU, 
University Professor
Department of Social Sciences
/Sociology/ University of Pristine,
Republic of Kosova, Western Balkan
Address: Payton Place 14 , Pristine,
website:www.fadilmaloku.zor.org
Email: fadil.maloku@gmail.com
          fadil.maloku1@gmail.com
          fadilmaloku@yahoo.com   
          fadilmaloku@hotmail.com
          fadil.maloku@cec-ko.org
Phone:+381 (38) 223-577
Mobile:+377 (44) 143-993
        +377 (49) 143-993
  Twitter: @jfadilii

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)