Xhemal Ahmeti
REAGIM
Rreth letrës së hapur të Jusuf Buxhovit drejtuar Jakup Krasniqit dhe paraqitjeve tjera në medie
Jusuf Buxhovi është bërë depresiv. Autori i trilogjisë «Kosova I - III» ka pritur më shumë nder dhe fanfaritet për punën e lodhshme që ka bërë për të shkruar historinë e shqiptarëve «në mënyrë të drejtë», së paku sillet ashtu sikur të ketë besuar se shqiptarët menjëherë pas botimit të librave do ta shpallin Primatin e kombit, shkencës dhe atdheut. Edhe pse mediet i dolën hakut. Botimit iu bë më shumë publicitet se çdo libri tjetër që është botuar pas bombave të NATO-s. Pas dasmës – çka është edhe e zakonshme – nisën kritikat. Recensionin e parë, në disa vazhdime e botoi në qershor «KOHA ditore».
Gazeta madje bëri thirrje që të diksutohet rreth librit. Nuk pati debate. Vetëm recensenti i librit Ramadan Musliu «reagoi» duke ribotuar një fjalim të tij që e kishte mbajtur diku me rastin e promovimit përkrah autorit. Ndaj vlerësimit të botuar në «KOHA Ditore» Jusuf Buxhovi u përgjigj pa nivel, duke etiketuar autorët (ndër të cilët edhe autori i këtij teksti) e vlerësimit si «vazalë të Beogradit». Dikur u prononcua edhe i pari i ASHAK-ut duke shpallur librat shkencërisht si joseriozë. Edhe këtyre Buxhovi ua vuri vulën e njëjtë: dorë e zgjatur e Beogradit! Sa lehtë.
Para do ditëve ish korrespondenti i Rilindjes së kohës moniste ia bëri një apel kryekuvendarit kosovar Jakup Krasniqi që të ndërhyjë dhe të anulojë vendimet e ASHAK-ut dhe të pengojë anëtarësimin e «sllavistit» (?!) Univ.Prof. Mag. Dr. Oliver Jens Schmitt, aktualisht në Universitetin e Vjenës dhe kryetar i Institutit për Evropën Lindore, po aty. Lart poshtë Prishtinës e ndejave me emigrantë spekulon se tekstin e botuar në KD muaj më parë ta ketë shkruar po ky, Schmitt me qëllim të falsifikimit të fakteve.
Shpifjet
Edhe pse Jusuf Buxhovi e ka tepër rëndë ta kuptojë dhe besojë; ka dhe ka pasur shqiptarë që dinë të lexojnë, studiojnë dhe shkruajnë pa suflerë, tutorë e mentorë të ndonjë qendre të caktuar. Vlerësimi i botuar në KD muaj më parë nuk mban vetëm firmat e autorëve por edhe është shkruar prej tyre. Dora vetë! Në vend që të shpalosë kundërargumentet ose më mirë thënë të arsyetojë hipotezat që ka ngritur në libër duke u thirrur në burime që nuk ekzistojnë ose nuk janë ashtu siç thotë ai, Jusuf Buxhovi merret me shpifje.
Në vlerësimin tonë ne ndër të tjera rilexojmë burimet mbi të cilat ai ngre teorinë pellazgjike dhe konstatojmë se ai shpik përmbajtje që s’gjenden kund. Një sjellje e këtillë jo se nuk është e kulturuar dhe intelektuale por manifeston edhe një injorim snobik ndaj lexuesit që i beson atij. Shkenca nuk është pilaf.
Ajo ndërkohë ka standarde të cilat duhet t’i plotësojë çdokush që mëton të merret me të, madje edhe kandidatët potencialë për primat. Në këtë kontekst le të mbetet diçka e qartë: në një polemikë të personalizuar, gjatë një bastisjeje biografishë të autorëve të involvuar – të cilën e kultivon Buxhovi – pa asnjë dyshim autori i «Kosovës» do ishte i kapitulluari. Distanca ndërmjet Buxhovit dhe Beogradit është shumë më e ngushtë se sa e shumëkujt tjetër. Pse?
Paradokset
Sepse Buxhovi hedh gurë e helm ndaj ASHAK-ut në mënyrën më paradoksale që mund të bëhet. Nga njëra anë qorton atë se është simotër e Akademisë serbe e nga an tjetër e urdhëron atë të veprojë sipas mendësisë së saj: të shpifë për të qenë në konkurrencë me të. Shkenca?
Nëse ASHAK nuk e ka bërë ndonjë punë tjetër të mençur deri më tani – këtë ne nuk e dimë për arsye se nuk kemi bërë ndonjë studim rreth veprimtarisë së ASHAK-ut – këtë e ka kuptuar; anëtarët e saj më mirë të luajnë bixhoz zyrave të tyre ultramoderne se sa të vazhdojnë t’i kopjojnë ish-mentorët e tyre nga Beogradi, të cilët i tall bota konferencave shkencore për shkak përrallave që distribuojnë.
Në kohën kur bota intelektuale ulërin – dhe zëri i Buxhovit nuk mungon – që ta ndajë politikën nga shkenca, ai i shkruan Jakup Krasniqit që të ndërhyjë në punën e ASHAK-ut për të anuluar pranimin si anëtar të Jens Oliver Schmittit. Këtë nuk e bën me ndonjë studim serioz që zhvesh tendencat «antishqiptare» të sociohistorianit nga Vjena, por me flluska dhe aksione të ulëta politike dhe atë sërish paradoksalisht duke mbrojtur mitet dhe legjendat nga shkenca në emër të shkencës.
Schmitt
Në Perëndim nuk jepen titujt e profesorit në sajë të misionit politik. Nëse Jens Oliver Schmitt ka qëllim të keq, antishqiptar e probeogradit, le të ulemi, le të djersitemi dhe le të kontrollojmë burimet dhe interpretimet e tij. Sigurisht se do të gjejmë defekte. Nuk është punë e shkencëtarit të merret me Political correctness siç bën Schmitt në hyrje të librit Kosova (botimi gjermanisht) duke prezantuar legjendat ballaknike në konkurrencën e tyre doktrinare rreth tapisë së autoktonitetit.
Jo në pak studime që prodhon Instituti në emër të tij gjenden «historianë» të tipit të Gottfried Schramm që këndej konsiderohen si fabrika spekulimesh ashkencore po të atij tipi si ky Buxhovi jonë dhe ata akademikët e verbëruar në Knez Mihailov të Beogradit. Schmitt do t’i kishte bërë mirë vetes nëse në veprat e tij mbi Ballkanin nuk sillet si ata socioantropologët duarlirë që burimet i rrasin formëliste në fund të librit, por do t’i vinte menjëherë pas citimit, kështu për t’ia lehtësuar shumëkujt identifikimin e burimit dhe për të mbyllur hapësirat e shumta spekuluese ballkanike.
Gjitha këto e shumë kritika tjera që mund t’i drejtohen Oliver Jens Schmitt-it nuk kanë të bëjnë as me Beogradin e as me «antishqiptarizmin» apo «proserbizmin» e tij, këto kritika nuk ia zbehin atij distancën e nevojshme që kultivon, respektin që ka ndaj burimit dhe korrektësinë që dëshmon ndaj metodave shkencore, pa të cilat ai më së shumti do të kishte punuar si mësues alepeve zvicerane.
Bota e shkencës është hapësirë tezash, hipotezash, falsiciteti e konfirmimi. Nëse një shkenctar zbulon diçka që nuk na pëlqen le të punojmë për ta demantuar me fakte e jo me shpifje, urrjetje, thirrje për linçim, nëse shohim se nuk e përgënjeshtrojmë dot, atëherë duhet ta falenderojmë për kontributin shkencor rreth identitetit dhe historisë. Ashtu siç bëni ASHAK. Kjo duhet të na dallojë nga Beogradi. Kështu veprojnë shkenctarët dhe gjithë të civilizuarit tjerë.
Buxhovi
Është koha që Jusuf Buxhovi të rilexojë edhe njëherë librat e tij. Të lexojë kritikat. T’i përveshet punës dhe të kuptojë se si punohet në shkencë. Se asnjë autor e më pak shkenctarët kanë të drejtë që për sedër personale të kërkojnë kapjen e institucioneve arsimore nga politika.
Nëse has se kritika e bashkëshkruar edhe nga autori i këtij teksti është tendencioze dhe se burimet nuk qëndrojnë le të bëhet burrë dhe le të debatojë siç i ka hije një intelektuali, qoftë edhe ballë për ballë. Jo me histeri turboptariotike, me etiketime dhe shpifje që hiçgjë nuk dëmtojnë tjetërkënd përveçse autorin vetë.