Oliver Jens Schmitt, profesor i historisë së Europës Juglindore në Universitetin e Vjenës, në një shkrim të gjatë në Neue Zuercher Zeitung, shkruan se nëse të gjitha vendet e Europës Lindore kanë nisur të bëjnë një përpunim faktik dhe moral të komunizmit, Shqipëria nuk guxon të hedhë një vështrim në të shkuarën e saj të frikshme.
“Çfarë dimë ne sot për Shqipërinë e Enver Hoxhës? Përgjigja është zhgënjyese. Në Shqipëri shpesh historianët e lidhur dikur me partinë e shmangin epokën e komunizmit. Madje në përshkrimin historik të Akademisë shqiptare flitet për “periudhën e pasluftës”, për të shmangur klasifikimet ideologjike. Vazhdimësia e elitave në politikë dhe shkencë është e fortë. Nëse flitet për periudhën e komunizmit, kjo bëhet në një mënyrë tepër të politizuar dhe të ngarkuar me emocione,” shkruan autori, që vlerëson Fatos Lubonjën dhe Ardian Klosin, të kanë guxuar të japin vlerësime kritike për sistemin, por janë sulmuar ashpër kur e kanë bërë këtë.
“Lexuesi shqiptar përballet me një bulevardizim të kujtimeve të asaj periudhe, të nxitur nga gazetarë në kërkim të sensacioneve apo edhe nga kuadro të partisë, që tani shkruajnë kujtimet e tyre duke nxjerrë në pah meritat e tyre ose edhe njëfarë disidence. Kur publicisti Blendi Fevziu publikoi përpara pak kohësh të parën biografi të diktatorit, libri i mbushur me anekdota arriti një sukses domethënës. Megjithatë simpatizantët e regjimit u zemëruan, në Ferizaj të Kosovës libri u dogj si një shenjë për të treguar se Enver Hoxha vlerësohet si një lider i fortë edhe tani në Kosovë,” shkruan Schmitt.
Historiani përmend edhe faktin se Sigurimi ka pasur një pushtet të frikshëm në periudhën e diktaturës. Ai thotë se dosjet e Sigurimit nuk janë hapur, por janë përdorur nga demokratët e socialistët për diskreditimin e kundërshtarëve politikë.
Në fund të shkrimit Schmitt thotë se të kuptosh Enver Hoxhën, duhet të kuptosh njerëzit që e kanë mbështetur për ndërtimin e komunizmit. “Mënyra se si Enver Hoxha e shihte botën dhe gjërat shpjegon paaftësinë e elitës politike të sotme për të ndërtuar dialog dhe kompromis,” shkruan autori.
“Por periudha e Hoxhës ka ndikuar fuqishëm të gjithë shoqërinë shqiptare,” shkruan Schmitt.
Ai e mbyll duke thënë se në fakt çelësi për të kuptuar të kaluarën dhe të sotmen e Shqipërisë është të kuptosh se kush kanë qenë njerëzit e zakonshëm.