2012-12-23

ARTI I REFUZIMIT



A R L I N D F A R I Z I



Tetovë, 2010
Botues
Për botuesin
Redaktor
Recensentë:
Fatmir Sulejmani
Bardhyl Zaimi
Fotografia dhe disejni i ballinës
Salajdin Salihi
Email:
arlindfarizi@gmail.com
00 (389) 70 718 551
Copyriht
© Autori
ARTI I REFUZIMIT


Ke vendosur të shkruash? Po, - i thashë vetes. Dhe gjatë kohë mbeta në pragun e kapixhikut të hamendjes. Më në fund vendosa. Zgjodha shoqërimin me ata që janë Rekuiem për Metamorfozën e kohës. Shoqërimin me ata që të nxisin përparimin e shpirtit dhe që dinë të thonë vetëm atë që është, atë që e shohin më sytë e mendjes dhe e dëgjojnë me veshët e ndërgjegjes… Dhe unë mësova zanatin e tyre, ashtu siç bëjnë të porsanjohurit. Dhe me pëlqeu loja e tyre, Loja e Llafeve… Kaherë më ishte mbushur mendja se jam sajesë kujtimesh, ëndërrimtar utopik dhe provova (vetëm provova!), të end pëlhurën shumëngjyrëshe të jetës me penj intuitivë... Qe një nisje me stil të huxhumit. Të shkruarit m’u bë obsesion. Shkruaja natën, ditën, krijoja me skica, ndodh më kujtohet diçka, nëse kam letër e shkruaja dhe vetëm kur kthehem në mbrëmje te makina e punës aty ulesha dhe e sendërtoja. S’është e lehtë të gjesh thesarin më të çmuar të vetes. Atë gur të çmueshëm që të bën të mendosh në pasuri morale dhe mbretëri pa “delet e devotshme të marrisë”. Dhe nesër bëhesh rastësisht i përjetshëm… Ja si ndodh kjo: Libri yt i vockël, më në fund sheh dritën e botimit. Pastaj një promovim…
Kalon kohë dhe ti ndeshesh me lloj situatash që të degradojnë dëshirën tënde për të vazhduar më tej më zanatin e krijuesit. Arsye ke plot ndër to janë edhe revistat tona kulturore, që rrallë apo hiç herë botojnë shkrime nga autorë që s’i njeh historia... Dhe e di pse ndodh kjo? Sepse ata kanë gazetarët e vet dhe KURSE gazetarie, ndërsa ti nuk je si ata. Letrat e tua dërguar atyre censurohen… Po ç’ndodh me kujdestarët profesionalë që duhet t’i ndjekin botimet e librave, sidomos të debutuesve. Kritikë e përgjumur do të thosha. Po ti akoma shkruan, të sheh Zoti dhe të dëgjon muza jote poetike. Por nuk kënaqesh me kaq. Fjalët janë gati dhe shprehen vetvetiu. E vërteta kërkon të dalë nga qenie jote. Jo, s’të pritet më. Kërkon të shpërthesh dhe t’i hapësh dritaret e kërshërisë tënde që të vjellësh lukthet aty ku ti do. Do të jepet rasti, duro… Një natë, ndërsa kërkon diç për të lexuar gjen librin tënd, e merr dhe e lexon kujdesshëm. Gjen një mijë gabime dhe e flak jashtë bashkë me depresionin tënd. Dokrra, bërtet. Mandej shikon fytyrën tënde të mbetur në negativin e një natë pa shtigje, nata e promovimit tënd. Dhe në imagjinatë të rirenditen ngjarjet që ndodhën dikur. Por, assesi të kompletohet afresku i fytyrave të atyre që i pate pranë (vetëm për një natë!), e që të kanë dashur (vetëm për një natë!), që folën për ty (vetëm për një natë!), ata që të ngritën majë Bjeshkëve (vetëm për një natë!) dhe (vetëm për një natë!), ti ishe më shumë se njeri… Promovime vlerash që jetojnë vetëm për një natë. Dhe ti, krijuesi i ri, brengosesh se arti yt nuk do të lexohet. Dhe mos e krijo bindjen se lexuesit mezi presin të t’i lexojnë shkrimet e tua. Ata kanë shumë halle. Të zënë janë edhe ata që t’i rritën veshët, se nesër do të behësh, si ky, si ai, si askush… E pa interesuar do jetë e dashura jote, ajo do t’i xhelozojë poezitë e tua, se ti shkruan për dashuri, seks dhe përjetime, as ajo e as të tjerët nuk e kuptojnë parandjenjën tënde për Muzgun… Ky është libri yt i parë dhe as mos prit recensione dhe lëvdata nga askush se kushti i parë për të shkruar mirë është që t'u ikësh lëvdatave shterpe. Ata që merren me zhveshjen nudo të letërsisë, ata që përpiqen të shohin anët e errëta të autorit - kritikët - nuk do t’i qasen veprës tënde me seriozitetin e duhur. Ata e lexojnë ashtu siç lexohet një libër i ri, nga në autor jo dhe aq i njohur dhe përshtypjet, as të mira e as të këqija, nuk i botojnë se TI NUK JE I NJOHUR… Kupton, ty s’të njeh askush… Ti, krijuesi i ri, njeriu i vockël, imtësia e kësaj bote, atomi i letërsisë, nuk duhet të krijosh nga vetja një snob prej racës së gërditshme. Me siguri pyetesh: se snobizëm qenka të shëtitësh rrugëve të utopisë, e të besosh se një ditë dikush do të shkruajë për ty. ËNDËRRAT E TUA KANË NUMRIN E KËPUCËVE TË KOHËS... Dhe ti, krijuesi i ri, kur shikon nga dritaret e shpresës, gjithmonë e ke të njëjtin mendim: KËSHTJELLËN…, vendi ku ti kërkon të arrish…
Jeta e krijuesit të ri është një udhëtim në drejtim të panjohur…Ashtu si Gjeometri K. Dhe përderisa, ai vijëzon rrugëtimin e vet jetësor në pëlhurën e paskajshme të kohës ndodh të shoh vetëm mjegull. Paqartësi. Por ai vazhdon së vrapuari dhe në çdo pjesë të trupit ndjen frikë. Pengohet diku. Rrëzohet. Ngrihet dhe përsëri vazhdon rrugën për në zemër të mjegullës. Nata s’e ka verbuar, jo. Më në fund me sytë e plagosur nga stërmundimi i zgurdullimit, sheh ca drita që bien si meteorë të një qielli shtatori dhe që zbulojnë konturet e KËSHTJELLËS… Ajo ishte afër po kjo afërsi ishte shumë larg tij… E ndjen veten të rimëkëmbur nga iluzionet, nga përjetimet e imagjinuara në halucinacione të natës me kombinime të ëndërruara, gjithë atyre bredhjeve të kota, të mundimshme…
DHE TI KRIJUESI I RI, KI BESIM TE ZOTI, POR KURRË NUK DO JESH I SIGURT SE ÇKA PO NDODH…
( Ars, 2004 )


SHKENCA E LETËRSISË DHE KOMPLEKSI I FUSNOTAVE


“Ulërij, pra jam”

Ti do ta presësh mohimin e mohimit, asgjënë e asgjësë, në zemrën tënde të madhe prej rrufepritësi. Nuk do bëhesh më i mençur nëse ke magjistruar. Është vetëm një titull shkencor modest dhe këtë ti nuk e shndërrosh në vlerë dhe në kompleks profesional. Mos u gëzo dhe aq, ka dhe gëzime tjera kjo bukuri shituese e qujatur Jetë. Ti s’do shënosh mr.sc-jat para emrin tënd sall për t’i bindur tjerët, sall për pozë dhe hatër. Varrosë këtë shprehi centrifugale, s’është për ty. Më parë bind veten për përgjegjësinë e titullit. Ti do provosh situata mospajtuese, si në koncept ashtu dhe në qasje shkencore. Jo çdo vërejtje duhet ta dëgjosh. Mëso prej të mëdhenjve të shkencës por edhe prej të vegjëlve të sinqertë. Po të dëgjosh Sabri Hamitin duhet të fshish Realizmin, po të dëgjosh Qosën duhet fshirë Avangarda, po të dëgjosh Ali Aliun duhet të mos citosh Vincën, po të lexosh nga Vinca duhet të merresh me memorizime të kota që përafrojnë letërsisë me historinë, po të dëgjosh mentorin duhet merresh me mendime të gatshme... Kadarenë dhe Qosen as mos provo ti futsh në një fjali se pasojnë vetëtimat... Ti duhet të kuptosh se diversiteti i mendimit shkencor është pasuri dhe se nuk është krim të mendohet ndryshe. Kjo “ndryshe” patjetër duhet argumentuar. LETËRSIA ËSHTË SHKENCË E SECILIT... Letërsia nuk është metodologji, nuk mund të robërohet mendimi në hipoteza, metodat, citate, indekse e thyerjesh tjera të cilat i japin letërsisë imazhin e shkencës ekzakte. Shkenca e letërsisë sot sikur shkon ka eseja shkencore dhe ik prej klasikes së metodologjisë në punimit shkencor.
Mbështetu te studiuesit tradicional, ktheju traditës si mikut më të ngushtë dhe gjej identitetin e shkencës së mirëfilltë. Gjithçka që ndërtohet mbi traditën vjen si lojë fjalësh emërtuese të periudhave të ndryshme dhe izmave të pafund. Ti duhet të kuptosh se çështja e periodizimit është e rëndë për ta studiuar dhe doemos ka keqkuptime. Andaj, ruaj qëndrimin e sinqertë dhe argumento tezën duke iu referuar traditës shkencore. Ti s’do krijosh prej vetes një snob të shkencës se, shkencëtari i mirëfilltë duhet të harrojë lavdet shterpe dhe mos i kënaqet çdo shtrëngimi dore nga dashamirësit, kolegët. Ik sa më larg sektit të shkencës së dobët, prej doktorëve të valleve popullore, nga ata që shpallët proletar Migjenin sall t’ju kalojë tema, nga doktorët pa punime doktorature, nga kritikët e metakritikës, nga arkitetektët doktorë letërsie... Ik sa të mundësh! Ik si qengj i butë! Ik prej grigjës së marrisë shkencore! Kjo ikje është shpëtim dhe mbijetesë në kushte xhungle.
Ti je shkencëtar i ri, ti je i panënshtruari. Ti je i guximshmi i shkencës. Ti je rebeli. Ti je pasqyra me fytyra vetëtime. Ti nuk je nga ata që besojnë se janë të ngritur lart aq sa i kanë rrokur Himalajën e shkencës, se kanë zbuluar universin dhe formulën e ujit. Ti s’je nga të edukuarit e popullit, të terrorizuarit me para të majme të fituara brenda natës arritën të blejnë titujt – kuponët e shkencës së rrejshme, vizat e përjetësisë shkencore. Ti nuk je nga të nënshtruarit e mentorit andej kufirit të cilit ia besuan eurot si shenjë respekti për shkrimin e temës. Dhe shprehja ne kemi paratë – ata kanë trurin shfaqet si pasqyrë ku të shëmtakët e shkencës duhet medoemos ta shohin vetveten dhe të kuptojnë derdimenomaninë e tyre akademike.
Ti s’je as prej tyre që kanë vetëm rezultate minimale e na flasin për ideale shkencore e kombëtare; ata që mësuan shpejt e diplomuan blic në Qafëthanë, ata që pas 98 –tës u bënë doktorë, ata që e ruajnë partinë për veten (kohën) e tyre, dhe assesi të kuptohen çfarë projektesh absurde kanë në të ardhmen. Mbase përfundojnë në dekanë fakultetesh ose rektorë universitetesh...
Ti nuk duhet të marrish pjesë në asnjë maskenbal meskin. Por, bëhu shikues, vrojtues, analizues dhe pështyj. Pështyj maskat me lëkurë fytyre. Pështyj shtirnjakët e shkencës së a-kulturës, debilet kakademikë të kompleksuar për fusnota… Pështyj ata që ta matin vlerën e punimin shkencor me numër citatesh, me përzgjedhje meskine të autorëve që duhet dhe nuk duhet të citohen. Pështyj ata që harresën e mospërshëndetjes dhe falemindërimit publik të mentorit do ta marrin për herezi dhe tragjedi familjare. Jazëk!, shqiptarëve me kësi komplekse të pista!
Mërzitu vetëm nëse punimi yt nuk është i sinqertë. Mërzitu nëse ke be hajni shkencore. Mërzitu nëse je i paaftë shkencërisht. Më mirë mos e nis një punë nëse s’di si me e ba’. Shkenca nuk bëhet me spekulime dhe me filozofi qejf-bërjeje, me ngritje të lezetit mentorit ose anëtarëve të komisionit. Shkenca do vetëbesim…
Ti nuk do të të joshin sakrificat e mundimeve, nga asketizmi shkencor. Ti nuk do të jesh rrogëtari i askujt, as i mentorit, pos i vetes tënde. Ti nuk do dezertosh në asnjë beteje llafesh të rënda për tema të mëdha; ti s’je një shtirnjak, ti s’je një i paaftë. Ti s’do bëhesh kurrë aktor, as i angazhuar për reklamë shkencore me mungesë shije.
Çfarë të mbetet ty? Fjala? Kjo shkencë e gjithëdijshme. Nëse ti do bësh narcisin, kur s’do shkruash kaq të bukur dhe guximshëm?."Fjalët janë tingujt e ndjenjave" dhe ti mëton që këtë ndjenjë tu shpërndash tjerëve si lule paqeje. Po ata, të vetëkënaqurit e të rehatuarit e botës, të mirërenditurit në postet universitare me tituj të rrejshëm akademik janë vetëm dyshimtarët e takatit të (t)ultë. Janë kopja e vetvetes, e vetës që e synojnë, janë prej brumi marrëzie e hipokrizie, janë mediokrit e shkencës që shpejt letërsinë do e kthejnë në xhungël lulesh bodleriane.
Ti, do ti përdorësh fjalët siç i përdorin të tjerët shenjat e komunikacionit: me përpikëri, me kujdes, me saktësinë e vozitësi të kujdesshëm. Ti nuk do të hysh në kuqen... Do ndalesh. Do presësh. Është e madhërishme pritja. Do anosh kryet. Dëgjo sirenat. Presin nisjen tënde... Nisu, udhëto, është mirë të udhëtosh... Dhe të shkruash... Dhe të studiosh...
Fjala është oktava e dridhjes ndjenjësore. Kumbimet e dhimbjes, dashurisë dhe frikës të sajuara përsosmërisht në një paraqitje grafike. Dallgët e ajrit dhe shkërpatjet fotonike lindin nga lënda shpirtërore dhe rrjedhin si valë mendimi në dëgjuesit dhe lexuesit e tu. Lexuesit e tu më të mirë janë miqtë e tu. Se askush nuk bën miq, pa bërë armiq, porse asnjë armik nuk mund ta arrijë kurrë lartësinë e një miku. Se miqësia është një formë e maturisë. Miqësia është besim.
Ti nuk je nga mburravecët e shkencës, egoistët që e ruajnë punimin e pabotuar sepse kanë frikë lexuesin e së nesërmes, dembelët takat-ulët. Të shkruarit shkencor është një përpjekje e tmerrshme sfilitëse, si një lëngatë e gjatë e një sëmundjeje tërë dhimbje. Ti s’do të ndërmerrje kurrë një gjë të tillë, po të mos i frynte në vesh ndonjë demon, të cilin as mund ta mposhtë e as ta kuptojë. Ky demon është thjesht instinkti që e bën foshnjën të qajë për të tërhequr vëmendje.

* (Skicë ngushëllimesh shkencëtarëve të rinj edhe të vjetër)


NJË HESHTJE E NJËQIND LEHJE…


Pavetëdijshëm shkëputet edhe ky fragment nga një inercion frike i ngulitur në vetë-censurën e një krijuesi të ri që përfaqëson një pjesë të letërsisë së kritikuar sot e gjithë ditën gjithmonë prej gjithkujt.

Sa është ora në letërsi?
Një heshtje e njëqind lehje…

Njeriu i ri lindet brenda krijuesit. Ai e zgjoi atë. E shkundi mirë. Dhe, krijuesi i ri u bind se nuk mjafton vrapi i tij për t'i rënë përqark globit, u bind se nuk mjafton kurioziteti i tij për t'i zgjidhur gjitha enigmat e kësaj bote. U bind nuk është i kapluar prej kurrfar "çmendurie krijuese", se nuk është në zotërim të asnjë profecie apo misioni nga lart, se nuk ka tel të shenjtë në kokë. U bind se poetët nuk e kanë forcën të transformojnë gjërat (punë alkimistësh!), e as më pak të krijojnë (punë Zoti!)… Krijuesi i ri, u bind se iku për fat koha e poetëve si ndezës zemrash, si kambana të kryengritjeve, si përçues optimizmi apo nxitës. Njeriu i ri që u lind brenda krijuesit e ngjoi atë, e shkundi, e bindi se heshtja është veçori e frikacakut…
Një ditë, krijuesit të ri i shkoi mendja të shkruaj Polemikë. Edhe për këtë e nxiti NJERIU I RI, e zgjoi, e shkundi, e bindi se dhe ti je pjesë e SISTEMIT PERIODIK LETRAR dhe se dhe Ti ke vend në të. Nga pakënaqësia e renditjes së krijuesve sipas kriterit të miqësisë (jo sipas vlerave), në këtë sistem sheh atë që s'ta sheh syri tjetër kund; Idhuj - poet që krijohen sipas nevojave të disa njerëzve, sipas përmasës së idealizuar të aspiratave të tyre dhe mbetja nga ky përpjesëtim i drejtë është IDHUJ ME INTERES RELATIV… Më i squllti përfaqësues i species së mediokërve, që dreqi e di se për ç'cilësi të paepur biologjikisht ia del të pozoj aq krenarisht kësaj radhe shigjetohet nga një krijues i ri. Sajesë mediatike. Polemikë. Llaf. Arsye. Aspak fyerje. Gërvishtje. Zbulim. Frikë. Ikje. Poshtërim…
Mendimi alternativ supozohet se gjithmonë ka frymëzim apo nxitje të fshehtë armiqësore. Liria e mendimit dhe e të menduarit ndryshe për do burra që mendojnë se opinioni publik janë ata, është më e pafalshme se krimi i vrasjes. Ndërsa "njerëzit vazhdojnë të vlerësohen jo sipas cilësisë së punës, por sipas aftësisë për të ulur kokën dhe për të mos bërë probleme" (Ardian Marashi). NJERIU I RI që lindi brenda krijuesit e nxiti, e shkundi, e bindi krijuesin se nuk duhet vuajtur më nga vetëdija e pafuqisë se s'duhet me qenë më në nivelin e MENDJEROBËRUARVE të Çesllav Milloshit, se duhet shkelur shtigje të reja, se, se, se… Polemika shqetësoi grupin e Heliumit - viktimës marrë në shënjestër. Dhe vetë vdekshi gjeti kohë t'i kthejë përgjigjen këtij krijuesi pa emër e pa nam, duke e vendosur emrin e tij në thonjëza. "Kohë e keqe për letra dashurie", i dikton krijesa me tis mistik. "Shkruaj libër patriotik kuq e zi" i sugjeron! Krijuesin e ri e lëshon takati. Shan veten pse u kllum kot në këtë KIK BOKS fjalësh, por NJERIU I RI, e nxiti, e shkundi, e bindi se s'duhet dorëzuar, se dobësi është nëse dorëzohesh…
Gjak të kuq e mëkat të zi, Miqtë e mi. Në këta truall të mëkatit ejani të mbjellim një mollë. Se dhe unë bëra mëkat si dielli që përsërit gabimin e të perënduarit. Bëra gabim, miqt e mi, kritkova NJË TË MADH!, Unë?!, Njeriu i vogël, Unë?, Krimbi! Unë vetë vetja ime, padroni i kundërshtisë së pafund, i kundërshtisë së arsyeshme. Unë aspak poeti shajta idhullin më të prekshëm të grupit të mediokërve me valencë të njëjtë shpirtërore. Unë i këndova një elegji letërsisë më fjalët e një korbi zë-ndalur e me flatra sinqeriteti. Nuk pata asnjë pretendim për t'u bërë faktor. Shkrimi qe më shumë se një informacion, qe një tentim për të gërvisht flluskën e një të vërtete, qe një ulërimë drite… Heshtja mbetet balerinë që sillet rreth e përqark bisedova tona mbi letërsinë. A duhet heshtur në kësi rastesh? Me trego ti NJERI I RI që linde brenda meje, më nxit, më shkund, më bind në të kundërtën… Njeriu i ri heshti!…
( Brezi 9, 2005 )




SISTEMI PERIODIK LETRAR



Çdo ditë e më shumë po bëhen të njohur emra dhe mbiemra, iniciale e pseudonimesh shkrimtarësh duke mbushur kështu sistemin periodik letrar. Mbeten bosh vetëm disa vende për zbulime të reja. Këtij sistemi i prin Heliumi - Kryetari i LSHSHM- së. Personalitet i njohur ky. Ka një mjekër plot ferra ashtu si dhe mendimet e tij. Ka një kapelë rokerësh, por s'është roker. Mandej dhe çantën e ka më të madhe se Profi im, ku i ruan në xhepa të veçantë budallakitë poetike, të cilat ne, lexuesit, do i shohim nesër të botuara në librat e tij shumëfletësh dhe me kopertina seksi… Është i vrazhdë në shkrimet e tij, glamuroz, andaj dhe lexuesin e bën të tillë. Ai e projekton veten në vend të një bageri artistik që më forcën e mendimit të rrënojë Kështjellën e Tabuve. Ai s'ka frikë nga gërvishtjet që mund t'i shkaktojë guximi i ndërmarrë sepse ka nën kontroll Milicinë e kulturës e cila ia mbron denjësisht të drejtat e sigurinë si të një Intelektuali të pa-varur. Dhe prej se u emërua si Kryetar i Lidhjes së Kalemxhinjve ai siguroi mandat të përjetshëm, sepse angazhohet pra, posi (!?) si nuk angazhohet në arritjen e sukseseve së si të ecet përpara. Dhe Letërsia angazhohet bashkë më të… Atë e nxeh pazari i llafeve mbi letërsinë që krijohet nga krijues të krahut të shituar keq të letërsisë kombëtare. Sa herë kur faji hidhet mbi të ai e mohon atë më shkelm prej kali duke e gjuajtur drejt shtëpive botuese që veprojnë një: ilegalisht dhe dy: që botojnë antivlera…
Ai ka shumë shokë. Grupi që e përfaqëson ai karakterizohet me veti dhe valencë të njëjtë shpirtërore. Ata rrinë dhe kuvendojnë me muhabete pas shpinë për çështjen e pazgjidhur të letërsisë. Ata zgjidhjen dhe shpresën e fundit të shpëtimit e shohin tek talentet e rinj të cilat duan t'i nxjerrin para kohe nga barku shtatzëne i letërsisë. Zakonisht një kohë i mbajnë në inkubatorë artistik ku i ushqejnë më infuzione ëndrrash. Pastaj ato do nisin rritën duke u mbajtur patericave të pasigurta sepse lindën ta papjekur. Lindën me shpejtësinë e dëshirës për ta rasur letërsinë dhe sistemin periodik letrar me talent të pazbuluar. Librat e tyre do botohen nga para të marra hua nga kryeredaktori me qëllim të përfitimit të popullit. Pra, populli fiton nga sasitë e konsiderueshme e jo nga cilësitë e nevojshme. Përderisa shikoja sistemin periodik letrar sytë e mendjes ndalen tek disa elemente paksa të heshtura. Këto elemente i karakterizon numri i vogël dhe ko-operativiteti vëllazëror. Këto njerëz janë shumë modest. Flasin rrallë. Më shumë heshtin. Shkruajnë natën. Ditën janë pjesë e margjinave. Pinë shumë cigare, tymosin mërzinë dhe avullojnë trutë ne erën e këndshëm të salepit. Flasin për Përkryerje për Ideal. Mësojnë edhe nga më të vegjlit. Janë shumë të sinqertë. Sinqeriteti është dobësia dhe përparësia e tyre. Shkruajnë poezi të pakuptimta, me pak fjalë. Ashtu janë, të fshehtën e ruajnë si gurin më të çmuar brenda vetes. U ndihmojnë krijuesve të rinj, por jo të gjithëve. Vetëm atyre që e kanë arritur pjekurinë krijuese. Kritikojnë më të drejtë...
Them këto janë ata që na duhen, ata që duhet t'i prijnë sistemit periodik letrar, por fatkeqësisht zërat e tyre heshtën nga nallçat e armatës së mediokërve që s'dinë që ç'ështtë arti dhe letërsia. Për hir të së bukurës, për hir të brezave që vijnë, për hir të së vërtetës, të së mirë, së resë, të largohen Heliumat nga karriget e Lidhjes së Shkrimtarëve shqiptarë të Maqedonisë, përndryshe do rëndojë mbi ju mallkimi për Infektimin dhe Përbuzjen e Letërsisë dhe Artit dhe se do dënoheni për shkatërrim dhe sakatshmëri artistike, për gjymtim të asaj që është më e nevojshme për lëtersinë, mëkëmbjen e Krijuesve të rinj me paterica estetike…


LETËR VETVETËS



… do doja këtë letër t'ia dërgoja dikujt, ndonjë shkrimtari, ndonjë institucioni, apo ndonjë kali që njeh mirë artin, ndonjë statuje që di të qaje.., po s'e bëj dot. Andaj këtë letër me një stil akrepi po ia drejtoj kokës sime. Dhe i them: "O KOKA IME", kupto më shumë! Thello mendimin! Hyn labirinteve ku ke strehuar frikën dhe nxire jashtë! Jepi zë heshtjes! Heshtja është cilësi e frikacakut dhe e të zhgënjyerit! "O KOKA IME", mos lejo të të tallin pleshtat për kokëboshësinë tënde! Bindu se kësaj bote i duhet guximi, guximi i mendimit artistik dhe estetik.
"O KOKA IME", e di se të dhemb koka kur sheh se si lindin krijuesit si këpurdhat pas shiut. Ashtu, të rinj ( të reja), të trembur(a), të lagur(a) më spermën edukuese të redaktorëve të tyre, fillojnë ritën nën përkujdesjen fikse: infektim dhe asgjësim të çdo gjëje që është e bukur. Dhe në vend të tyre të mbijnë veprën e tyre si "lule të së keqes" dhe për ta bërë letërsinë xhungël bodleriane. "O KOKA IME", në kësi kushtesh ndodh fenomeni I vetizolimit dhe i vetëmjaftueshmërisë të krijuesve.
Pse? Shumë thjesht, letërsia klanizohet dhe monopolizohet… Elita e rreme e krijuar nga mbretëria e mediokërve prodhon krizë në seri për letërsinë dhe shkul pamëshirshëm vlerat e heshtura të krijuesve të rinj dhe të talentuar. O KOKA IME", bindu se ndër shkrimtarët është ngritur sistemi i gënjeshtërt i vlerave. Në mendjet e njerëzve servohet tabu, plagjiaturë, kiç, mite e fetishe. Formimi i keq estetik dhe etik i disa autorëve të rijnë që po e hasin letërsinë dhe lavdet e ngritura deri në qiell nga redaktorët më përfitim reciproke - materiale kanë marrë huxhumin e atij lumit të përdalur, të tërbuar. Kjo vjen si pasojë e anarkisë institucionale, konfuzitetit estetik dhe moral, shundit poetik që inicon komercializimin e kulturës.
"O KOKA IME", leri pazaret e llafeve të kalemxhinjve, ata debate vulgare plot fantazi e fjalë të tymta. Leri ata që të mbajnë në gjumë me ninullat perverse të të njëjtave ide të flashkëta, të kënduara dikur nga dikushi, leri bejtet për "gratë azgane", leri shkrimet me moral didaktik-politik, s'të duhen! Mëso dhe nga "fati i gjinkallës", mëso dhe nga më të mëdhenjtë, mëso dhe prej vetes… "O KOKA IME", ti duhet t'i harosh përgjithmonë lavdet e mjerueshme. Krijuesi i mirëfilltë nuk konkurron me trimat e mëhallës artistike. Ai konkurron veten…
"O KOKA IME", e njeh ti Kritikën? Kritika jonë kutërbon erë makiatoje të pirë miqësisht… Pa dashur të bëhem orakull i së keqes, pa dashur që të imponoj zgjidhjen për daljen ng kauza e letërsisë,(as vet s'e di!), më lejoni të bëhem alarm për shpirtrat e atyre që rrinë nën hijen e perspektivës, se erdhi koha t'i zgjerojmë kufijtë e fjalës, të flasim pak më SERIOZISHT për letërsinë, tek e fundit t'i mbrojmë ata pak vlera të reja që i kemi. Klima e letërsisë ndryshon, para jush marshon një brez plot vizion.. Këtë letër do e dërgoj në ajër, si kujtesë, si dëshmi e mjegullt, si shkak, si pasojë, si mbeturinë e mendimit, si asgjë, si lutje…


PROTOTIPET E FENOMENEVE LETRARE



Ky shkrim le të jetë skicë për t’i kundruar pak më detajisht shkrimet që po i lind filozofia e bërje-qejfeve në letërsinë shqiptare. Një poet në një mëhallë. Një libër dhe mijëra shkrimesh për to. Bërtet turma veshlepur: “Ai është filozof, ai është i madh. Fjalë të mëdha për vlera të cekëta. Mediokritete të turpshme për t’u shpallur vlera. Një krijues që kanë lexuar dy libra shkruan dhjetë “vepra”. Kontraste që s’baraspeshohet me asnjë alkimi. Borhesi thoshte “Le të kënaqen të tjerët me gjërat që kanë shkruar, unë kënaqem me gjërat që kam lexuar”.
Ka të tillë autorë të cilët shkruajnë me një dorë të “dielltë” për tipa “qiellor” që për-token pas lavdisë së rrejshme. Janë të vetëkënaqurit të rehatuarit e botës, blerësit e përjetësisë së rrejshme, të mirë-renditurit në pozita të lartë të Sistemit periodik letrar, dyshimtarët e mëdhenj, të pabindurit për shkurtësinë e jetës së veprës së tyre.
Këto shkrime japin shembullin e keq të recensionit, larjes së kokave me akujt e fjalëve, krijimin e prototipave të “fenomeneve letrare”, kategorinë më të lartë të përlyerjes estetike, perceptime të gabueshëm të fjalës “poezi”… Këto artikuj servil janë vetëm “pëllitje artistike” plot dashamirësi dhe nuk kanë për qëllim çmontimin e veprave, por etiketimit e emrit të poetëve në Fenomene Letrare. Shkrime hipnotizuese, sentimentalizma démodé. Vulgaritetet e tepruara janë vetëm sublimime të të gjitha mendimeve të mundshme reklamuese lidhur me mitet e rrejshme artistike.
Një autori të mirëfilltë si bëjnë nder fjalët reklamuese. Një vepër e mirëfilltë flet vetvetiu për vlerën që ka. Tërmete shpirtërore mund të provojë njeriu kur lexon vargjet të mirëfillta letrare.
Sa shpesh me bie të lexoj kësi shkrimesh. Çuditem! Akrobacione artistike, thellësi e gjatësi mendimi, imponime të dhunshme të shijes estetike… Çfarë elegance reklamuese, papa! Ata shkruajnë poezi jo pse kanë nevojë. Shkruajnë poezi për të fituar vëmendje, për të përfituar lajkatim, për t'u mbërthyer te pasqyrimi në sytë e të tjerëve që parakalon ballë unit artistik fals, për të fituar çmime letrare me një telefonatë. Poezitë e tyre janë POEZI TË ERRËTA. Japin pamje të rrëgjuar të dhimbjes që ka në barkun e vet shtatzënë letërsia shqipe. Shpërdorimi i letërsisë është shumë i tmerrshëm. Do të na mallkojë lexuesi i së nesërmes. O, Zot sa do na mallkojë! Lemeria më madhe qëndron në përballimin e ditëpërditshëm me këtë shkëputje ëndërrimtare nga qenësia e poetit. Njerëzit përreth poetit e ndjejnë surrealizmin fals të tij dhe heshtin. Mbase kanë frikë të reagojnë. Mbase janë nën hijen e tij. Vetëm unë prapësohem,unë rebeli, shfytyrohem, turbullohem nga këto surrate poetesh. Këto një ditë do përbejnë shtratin ku do flejë qetë letërsia jonë e njëmendtë. Do vijë një kohë kur ata do ngelin në vetmi të skajshme dhe do shkruajnë poema kërthizore, për gra azgane, për çarçafët plot gjak prostitutat të virgjëra, dhe për zhgënjimet që si mallkim do i përplaset në kokë ideja e të qenurit poet. Poetë që s’janë Zef Serembe…
A janë vërtet kaq të mëdhenj këta poet për t’u bë fenomene letrare?! Sa shqisa duhet të kemi ne lexuesit e thjeshtë për t’i kuptuar ato?, sa libra duhet lexuar, sa enciklopedi, sa net pa gjumë, sa, sa? Kësaj i thonë Apoteoze e cinizmit. Kjo është ajo që na bind se letërsia shqipe është bërë karnaval meskinitetesh. Kjo është ajo që na bind se njeriu varfërohet. Por, KOHA, kjo gjykatëse e pagabueshme do të vlerësojë dhe do të seleksionojë çdo gjë me sitën e saj të përzgjedhjes. Po ata “shpirtra të lartë” të Lasgushit, poetët me emër e nam’, si i përtypin këto lloje shkrimesh? Bien në trans, apo ua zënë sytë “flluskat e sapunit”? A thua s’e trazuan lukthin e tyre këto lloje shkrimesh servile? Unë për vete do mbaj dietë, ndërsa flegmave u uroj saballëk të mirë, bukë, gjizë dhe llafe estetike…


ATJE DIKU



Krijuesi i ri, ky kalibër i vogël mbetet akoma i panjohur mes artilerisë së rëndë të poetëve mediokër. Krijuesi i ri është vetëm një prototip i një pistolete me plumba fjalësh të cilat mund të shkaktojnë vetëm gërvishtje, por jo dhe vdekje. Ai është një i papërvojë për arena llafesh e debatesh sepse nuk ka pancir. Ka vetëm një mbulojë të hollë me cukla fjalësh...
Ka kohë që ujqër i sillen përreth me idenë e kafshimit sepse ky është qengji që iu largua tufës. Ujqër i sillen përreth për t’ia ngrënë qëllimin fisnik; dëshirën për të vërtetën; kërkimin e arsyeve të ngecjeve tona, me dhëmbë t’ia çajnë shpresën… Ata janë ujqër andaj duan plagë. Ai është qengj dhe ndodhet në ikje. Dhe përderisa ai është në ikje, ai mendon për prova të freskëta, si një Sizif. Këta ujqër nuk janë dhe aq të rrezikshëm përballë fisnikërisë së qengjit, shto kësaj dhe faktin së moti u kanë rënë dhëmbët por, fjalën, fjalën e kanë të pistë!
Krijuesve të rinj më duket se u pengon gjithçka. Mbase shohin qartë perspektivën e tyre të mjegullt. Udhës së krijimtarisë ku ata ecin hamendshëm ndodh që rrëzohen, përlyhen, lëndohen por, përsëri ngrihen. Krijuesit e rinj janë krijesa të çala që vazhdimisht bëjnë punë Sizifi. Krijuesi i ri nuk ka fat. Ai është i vetmuar mes letrash të bardha dhe hijesh të zeza. Nga ikjet e lodhshme ai gjen prehje vetëm çastet kur ndodhet përpara bardhësisë së letrës, përballë kësaj mikeje besnike, e cila nuk e tradhton kurrë. Fjala është arma e tij e vetëmbrojtjes dhe e vetëmashtrimit se është i mbrojtur.
Krijuesin e ri e gjen qosheve të letërsisë. I strukur trotuareve të autostradës së letërsisë ku marshojnë poetët mediokër plot krenari false të udhëhequr nga kryehuti i njëmendësisë letrare. Krijuesit të rinj i vjen keq për faktin se nuk ka mundësi të shndërrohet në dorë që t’u bjer shpinës sa herë kur ndonjë “llaf” u mbetet në fyt, kur sytë e tyre duan ti lëshojnë zgavrat e veta kur lexojnë ndonjë shkrim që ua prish mesataren grupit të poetëve që bëjnë libra, jo vepra... Dhe çfarë shikimesh i lëshojnë! Krijuesin e ri e kap një dhimbje në shpirt.
Ndodh po këto njerëz i takon në autobus. I sheh ata dhe çantat e tyre të mëdha ku i ruajnë poezitë e tyre – dinamitin i cili do ta shkatërrojë letërsinë tonë. Dhe i vjen keq krijuesit të ri se nuk ka guxim të ngrihet në këmbë dhe ta pështyjë në fytyrë me mllefin e mbledhur si mallkim majë buzësh.
Ndodh që krijuesi i ri dërgon një shkrim për botim në ndonjë revistë a të përditshme. Aty derdh mllefin mbi mospërkrahjen e krijuesve të rinj; mbi meskinitetin letrar; mbi poetët plot recensione qiellore; mbi rasjen e sistemit letrar me “talent të pazbuluar”; mbi temat e dashurisë të shkruara nga efektet e viagrave... Dhe krijuesit të ri shkrimi i kthehet në formë injorimi, poshtërimi dhe mosbotimi. Po ata kasapë të gazetarisë që e ndiejnë të vërtetën e këtyre shkrimeve nuk i botojnë shkrime shkaku se i vrasin, i vrasin shumë keq...
Krijuesi ri sheh librat e tyre në biblioteke. Sheh veprat e tyre me “vizione përjetësie”. Aty afër sheh dhe libërthin e tij të cilën e lexojnë vetëm të marrët. Dhe krijuesi i ri vazhdon t’i ndjejë përshpirtshëm përkëdheljet e vetmisë, nuk qan se s’ka lexues, por mbyllet në keqardhjen e tij për popullin e tij pa shije estetike dhe për lexuesit “qorra”…



LAVDI MARRISË



“Pigmenjtë janë të vegjël dhe kur hipin mbi Piramida, Piramidat janë të mëdha dhe kur fundosen nën dhe” ( popullorçe)

Artisti shqiptarë është bërë rob i vetes dhe i ideologjisë së kohës së sertë. Dostojevski për njerëzit me bindje sipas postit i quante uniforma. Një uniformitet i tillë ka mbështjellë artistët tanë duke ua zënë dhe frymën krijuese. Kur bindjet artistike këmbehen për shkaqe leverdie materiale krijohet imoralitete perverse që në mënyrë direkt iniciojnë komercializimin e kulturës, shundin poetik dhe artin e dobët.
Artisti shqiptarë, ky personazh post-modern i realitetit tonë kulturor i verbuar nga paratë ( nga kjo letër e pistë që arriti të blejë dhe shpirtra!), rasen (pa) vetëdijshëm në projekte madhore artistike-filmike. Ka një zell çmendurak në gatishmërinë për t’i dhënë këshilla sponsorit se ç’duhet të bëj më milionat e tij. Çudia merr përpjesëtime të mëdha kur në ekrane sheh njerëz të cilat tan’ kohën nga çanë kokën duke na folur për vlera dhe për atë se çka është egjër e çka grurë.
Shqiptarët janë të pasur. Investohet në kulturë, në art. Në të shumtën e rasteve ndodh ngatërrohet pista e investimit. Ç’produkt mund të nxirret nga dy milion eurosh investim i denjë në kulturë? Më thoni ju njerëz të kulturës, ju shikues të heshtur të vakive tona, ju ndreqës të realitetit kulturor, ju që nga turpi mos prisheni me jaranat' nuk reagoni për rrëshqitjen e artit tonë drejt ”ambisit të shundit”, për dokumentimin, incizimin e mediokritetit filmik. Ndoshta unë gaboj! S’kam të drejt të përzihem në bahçen e huaj. Ndoshta keni nevojë të hani më mirë e fëmijëve t’u bleni NIKE. Po Idealistët ç’të bëjnë. Të heshtim, të fshihemi në indiferencën tyre delikate apo të shtiren se asgjë nuk u intereson, se fusha e artit është livadh për të kullotur kuajt…?
Edhe ata i bren ankthi social andaj nuk pretendojmë për vlera të mëdha sepse siç thoshte Çesllav Milloshi: “ata që kanë uri duan bukë jo meze dhe ëmbëlsira”. KULTURA SHQIPTARE KA URI… Arti nuk do krekosje, pozë, hatër dhe Make up, do humanizëm kooperativ, do vlera sepse vetëm me këto të dhëna mund shpijmë qenien tonë drejt botë-perceptimeve qytetëruese.
Artistët tonë kanë harruar qëllimi i artit është kënaqësia estetike të cilin mund ta mund ta ndjejnë vetëm ai që është i përgatitur për ta ndierë. Prandaj duhet kulturë e madhe. Arti ka vetëm një gradë, të parën. Arti që të jetë i mirë duhet të jetë i sinqertë. Që krijimi të jetë i sinqertë duhet të jetë i sinqertë krijuesi. Arti s’është shaka. Artin o bëje, o mos e bëj! Artisti nuk bëhet nëse ke vetëm para. Arti është quint esenca e produktit më të lartë intelektual te njeriu. Artisti e bën veprën, vepra le të përgjigjet. Po të mos flasë vepra s’ka çka flet autori. Krijuesit mediokër paguajnë para të majme për recensime. Koha është arbitri suprem dhe seleksionuese e pagabueshme dhe sita e përzgjedhjes së vlerave dhe vdekjes së antivlerave…
Lexoni ndonjë ligjëratë estetike përpara se të bëni dhe ndonjë projekt tjetër ku do jepni miliona euro për të dal në ekrane televizive…




LETËRSIA SI UNIVERS AUTONOM



Arti është formë e shprehjes, mjet komunikimi për racën e artistëve, është zbutës shpirtërash, dashuri për të bukurën, metaforë e jetës, imitim i jetës... Arti është e djeshmja e hidhërimeve dhe shpresa e së nesërmes, është ushqim shpirti, vdekje mbi bardhësi letrash e diell që verbon injorancën dhe hikoprozinë, është gjithçkaja dhe asgjëja jonë e domosdoshme, arti është Perëndi, rrymë mendimi, papajtueshmëri me realitetin, fatin dhe vetveten…
Gjithë këto thurje metaforike për artin, gjithë këto tendenca për ta interpretuar atë mbeten flluskë e dëshirave të poetëve për ta qëmtuar artin. Arti nuk interpretohet, ai vetëm ndjehet. Arti, mbi të gjitha, është emocion që bartet nga krijuesi tek lexuesi.
Procesi i krijimit është një ritual, një festë e vogël shpirtërore që gjallon mes britmave të çastit dhe heshtjes së përnatshme. Në kohët e lashta procesi krijues kishte karakter fetar, kurse frymëzimi konsiderohej si dhunti e Zotit. Shkrimtari francez, Mopasan, i hidhte rrobat dhe tërë natën shkruante i zhveshur, Shileri kishe qejf para vetes të kishte tri molla të kalbura, Viktor Hygo shkruante në këmbë... Shkrimi është tundim i brendshëm, është refleks i pavëtëdijshëm, i paimponueshëm, mungesë qëllimi, mbase dhe rastësi. Artin e krijon mungesa e qëllimit. Krijuesi ka përpara vetëm bardhësi letrash dhe vetëtima mendimesh. Ai shkruan se mendon se letra është mikja e tij, e vetmja e cila duron çdo gjë dhe e vetmja që nuk e tradhton. Poeti do qetësi. Mjafton një zhurmë e vogël dhe ia davarit dremitjen. Mendimi i ik nëpër birën e derës…
Poeti dhe eseisti, Bardhyl Zaimi, pyetjes “pse shkruaj” i përgjigjet: “ Ti shkruan për të vrarë mërzinë, për të vërtetuar ekzistencën. Ti shkruan për ta mundur vdekjen. Ti shkruan për ta ndjerë dashurinë deri në thelb të jetës. Ti shkruan për të krijuar një metaforë që do t’i ngjante jetës, dashurisë dhe vdekjes. Ti shkruan për të ndjerë aromën e kopshtit të kujtesës, erëmimin e nikotinës që vjen nga palltoja e babait. Ti shkruan për të shkrehur dalldinë e zemrës dhe tiraninë e mendjes”. Ndërsa, poeti Salajdin Salihu, në një intervistë thotë: “poezia është asgjëja për të cilën kemi nevojë”.
Poeti i mirëfilltë është rebel, është rrënues idhujsh të rrejshëm, pranon në shoqërinë e tij vetëm njerëz mendjehapur, nuk e duartroket mediokritetin, e dallon artin e dobët nga arti i cekët.
Platoni i dëbonte poetët nga shteti i tij ideal si “prishës morali” dhe këtë e bënte se e pranonte impaktin e jashtëzakonshëm të letërsisë tek njerëzit. Aristoteli, vuri në spikamë katharsisin si aspekt funksional të letërisë në shoqëri, ndërsa Borhesi tek letërsia shihte shpirtin, andaj ia dedikon librit artibutin më të madh të lumturisë njerëzore. “Libri është intrumenti mahnitës”... “Libri është vazhdimësi e kujtesës dhe imagjinatës”.
Vepra artistike është e përcaktuar të ndërmjetësojë midis krijusit të saj dhe kolektivitetit. (Jan Makarzhoski). Pikërisht ky aspekt e bën letërsinë univers autonom. Krijimi nga asgjëja (poezisi) është bërë paradigmë e shkrimit imagjinativ. Në universin letrar, aty ku Olimpi i magjishëm ruan pushtetin e shkrimtarit ekziston një fije transcendentale që e bën artin të përjetshëm.
Poeti shkruan me gjuhën e orakujve dhe mishërimin e vet poetik e shfaq si përjetim. Vepra artistike duhet të ketë fuqi autonome për t’i tejkaluar konceptet e kohës. Vepra e mirëfilltë lidhet me pakohësinë që përmbys ligjet e vjetërsisë dhe harresës. Kohët ecin, ndërsa: Homeri, Uiliam Shekspiri, Dante Aligieri, Gjergj Fishta, Zef Serembe, Agron Tufa, Murat Isaku... mbeten të rrezistueshëm. Ne e lexojmë Hamletin, sepse e përjetojmë si fenomen universal, bashkëndjejmë dhe çlirohemi nga brengat bashkë me të, lexuesi pikëllohet me vuajtjet e Grezor Samsës për peripecitë e tij që ia shkakton metamorfoza.
Letërsia lexohet me qejf dhe për qejf. Duhet përgatitje e madhe për t’u përqafuar me fuqinë autonome të komunikimit që e ka një vepër e mirëfilltë artistike. Nëse ka mjeshtëri shkrimi ka dhe mjeshtëri leximi. Arti i leximit është dhe akt krijues. Kur lexojmë, ndodh që shkruajmë ndonjë skicë përjetimesh gjatë leximit, të cilat vetëm pas një komponimi do të jenë krijime artistike. Borhesi thoshte: “le të krenohen të tjerët me veprat që kanë shkruar, ndërsa unë krenohem me veprat që kam lexuar”. Rolan Bartes-i, në esenë e tij “Kënaqësia e tekstit” shkruan: “A nuk është kënaqësia një emocion i vogël.. Emocioni a nuk është një kënaqësi e skajshme”. Nëse“Kënaqësia e frazës së bukur është një ide kulturore” (Roland Bartes), atëherë vepra letrare ka përmbajtje dhe emocion. Kënaqësia e tekstit dhe tekste kënaqësish janë nocione të ndryshme.


VDEKJA MË VJEN PREJ SYVE TË TILLË



REAGIM (ndaj librit FILOZOFIA E KROKAMËS të autori Sylejman Aliu, botuar nga Grand Prind, Prishtinë, 2009)


FILOZOFIA E KROKAMËS, qe titulli i librit që e shqetësoi lexuesin e thjeshtë, lexuesin e panjohur, të fshehur në anonimitet. E hallakat tmerrësisht atë saqë merr guxim dhe t’i kundërpërgjigjet këtij antilibri dhe të bind autorin se fjalët janë të pafalshme, se ato vrasin...
Lexoj dhe çuditem! Akrobacione artistike, thellësi e gjatësi mendimi, imponime të dhunshme të shijes estetike… Çfarë elegance antireklamuese, papa! Sihariq i shekullit! Autori flet me vigjilencë Danjolli për akademik Rexhep Qosen. Ai nuk del vetë para pasqyrës por vendos këshilla tjerëve. Autori ka sy të kokalltë dhe vështrim prej psikopati. Autori ka vello të dukshme cinizmi. Autori s’ka haberin më të vogël se çka mund të shkaktojë ky botim i këtij antilibri. Autori qenka gazetar sklerotik që përvoja e mësoi se të kritikosh të mëdhenjtë mund të bëhesh i njohur. Autori flet me një gjuhë qeni për akademikun e pakontestuar prej askujt për vlerat që ai posedon. Ai ka një detyrë në këtë antilibër: sikterisjen e një shpirti akademiku...
Ky kasnec mendon se libri është Hyde Park, se letërsia është truall banaliteti, ku mund vjellësh lukthin e tij plot vrer kundër akademi Rexhep Qoses dhe nuk jep asnjë fakt, pos ca krahasimesh që s’krahasohen... Ky levantin i Konicës mendon se grigja jonë letrare e ha esull këtë mut estetik?! Po teoria e përgjigjes së lexuesit? Lexuesit virtual? A e ka frikë lexuesin ky Danjoll i Sherkës? Po përgjegjësia ndaj fjalës? Ai shkruan me idenë e reagimit. Shkruan që ta duan antiqoset dhe urrejnë antikadereanët. Ky është mesatari, ky është i arti, ky është mesi mes dy testive që djersitet kur ka siklet... Libri i tij është sall një potere e ngjashme me atë të thesit të arrave në rrokullisje. Autori është një Adhamut erudit që ringjall edhe një herë mesjetën e inkuizicionit, na bind se prirja për të keqen është me e madhe se prirja ndaj së mirës, dëshmon në praktikë anën e vërtetë të ferrit dantesk... Ky autor, në librin e tij konverton në tradhtar gjithçka që është majë letrare, gjithçka që është vlerë, gjithçka që prish mesataren e tij dhe rendit të sadikave, gjithçka që s’është në frekuencë mendimi me grupin e tij me valencë të njëjtë shpirtërore... Ai nuk la plesht pa i vënë zile. Ai drogon për gjunaf lexuesin e painformuar me të pavërtetat e tij se kush Rexhep Qosja. Ai gënjen. Ai shet grahma shqip n’tezgë t’djallit. Shet keqkuptim gratis dhe mashtron veten se ia arriti qëllimit se një kritikë e tij ndaj Qoses do ti shkaktojë orgazëm Kadaresë kur ta merr vesh. Ky autor, mendon se qenka rritur shumë, aq sa e paska kap Zotin për testise, është ngatërruar unikatshëm me vetveten, me kapacitetin e (t)ultë kulturor, dhe s’ka kacik t’i bëjë vërejtje një akademiku. A mos ka libra e thirrje shkencore, a mos qenka ky akademiku, a mos ditka shumë për Qosen ky e pritka momentin me u derdh, a mos qenka ky spiuni, antishqiptari, anitvetvetja, antikoha... A? Pse kjo filozofi inati? Pse t’i gjuhet Qoses me kaq turr, me të pestën shpejtësi, n’ler teposhtëzës...
A nuk është ky rast i njëjtë me atë të autorit të veprës SHTATËZANIE E NJË MASHTRIMI të pseudonimit Avdi Berisha, të botuar në Prishtinë. Ai për Pjetër Bogdanin shkruan: “gomar i neveritshëm që Zoti ua hodhi qenve”, “majmuni shqiptar”, “pusi u ujit të ndytë”, “pis humanisti”, etj... Të tilla fjalë me një gjuhë edhe më pezhorative dhe epitete plot këlbaza vreri gjen edhe te antilibri FILOZOFIA E KROKAMËS. Po numëroj disa: “Qosja paska logjikë PseudoZoti”, “ka vese të sëmura”, “paska bëma profetike“, “ka iluzione folklorike”, “mjeshtër stërkeqës”, “sajesë e përbindshme”, “fabrikon heroizmin individual karshi sakrificës kolektive”, “hija e djallit”, e deshi Titon dhe Enver Hoxhën”, “ka filozofi krrokame”, “armik i Kadaresë”, “mit i LKJ-së”, “avokat i Titos,”, mohues gjenial i atdhetarëve”, “tregtar tokash shqiptare”, “pirat i vërtetë i fjalës e mendimit të tjetrit”, “ka poetikë negative dhe frymëzim rrënues”,” ligjëron me trillime”, “është patologji e një mentaliteti”, “ka fiksione psikopati”, “i vonuar në disa shekuj”, ecetera, ecetera budallakish tjera e konstatime të pa baza. Gjithë këto thurje janë veç hyrje në galerinë e madhe pamfletiste të tradhtarëve shqiptarë, në krye të së cilës qëndruaka (sic!) Rexhep Qosja, “babai i kombit”, i cili mëkatoi rëndë se i bërtiti pakëz Kadaresë. Në këtë afish prej antilibri del nudo autori i saj si xhelati i historisë, si Pilat i rrenës për ta shpallë atë të vërtetë dhe të kryqëzojë me fjalë një Jezu. Pjetër Bogdanit e Gjergj Fishtës nuk u dihen varret, eshtrat e Faik Konicës ruhet me polici speciale, Rexhep Qoses i mohohet çdo gjë prej atyre që kanë vetëm rezultate minimale e na flasin për ideale kombëtare. Ata që do besojnë marrëzisht llafeve të tilla me aromë atdhetarie, duhet të lexojnë Kur-anin, sepse Iblisi për të painformuarit vazhdon të shtirret engjëlli i Perëndisë.


LETËRSIA SHQIPE SI PJESË E LETËRSISË EVROPIANE



HYRJE

Përpjekja për të shkruar një temë të tillë është vetëm një sprove e ethshme kërkimtare për gjetur vlerat tona letrare të cilat denjësisht mund të na prezantojnë në letërsinë “masive”. Po ky shkrim le të jetë një tentim për të gërvisht flluskën e një të vërtete të madhe se Letërsia shqipe është pjesë dhe vlerë e pamohueshme e letërsisë evropiane. Mjafton leximi i kujdesshëm i botimeve të fundit për të konstatuar se këto vepra janë të gjithëkohëshme. Autorët si: Luan Starova, Ismail Kadare, Fatos Kongoli, Fatos Arapi, Ben Belushi, Diana Çuli, Agron Tufa, Parid Teferiçi, Kim Memeti, Linditë Ahmeti, Salajdin Salihu, Shazim Mehmeti, Bardhyl Zaimi, Vjollcë Berisha, etj..., janë autorë të sigurt për çdo garë evropiane dhe ndërkombëtare. Letërsia shqipe rrjedh nga një totalitarizëm i vazhdueshëm i cili po lë vezët edhe në kohën e demokracisë letrare. Koha ( e realizmit socialist ) krijoi kryevepra dhe mediokritete të turpshme. Krijoi shpirtngushtësi dhe egoizëm letrar. Unë bësoj se letërsia duhet integruar se duhet shkeluar shtigje të reja, se dhe ne kemi vlera me të cilat mund t’i konkurojmë botës. Greqia ka dy nobelistë Kavafisin dhe Ricosin, një prozator briliant si Kazanazaqin, Turqia ka Orhan Pamukun, Kroacia, Rumania, Bullgaria,... gjithë këto shtete kanë letërsi të nivelit të lartë. Papagallizimi që i bëhet letërsisë së krijuar nga Ismail Kadare është shembulli më pis i meskinitetit letrar, i mosdëshirës së poetëve mediokër për të parë një shkrimtar shqiptarë nobelist. Kadare është nobelist pa çmim. Shkallëve të perspektivës kahmot është ngjitur vepra e tij. Por atë e pengojnë antishqiptarët, anti-letrarët, anti-koha e letërsisë. Suksesi i Ismail Kadaresë është mossuksesi i të tjerëve për ta arritur atë...

Letërsia shqipe dhe kultura globale

Të gjendur në kohë emblemash e ndjesish absurde post-moderne letërsia shqipe sot e gjithë ditën përjeton fatin e popullit të vet. Populli shqiptar është i ndarë territorialisht por jo dhe shpirtërisht. Dëshira për bashkëpunim mes shkrimtarëve shqiptar të Shqipërisë, Kosovës dhe shkrimtarëve shqiptarë të Maqedonisë është flluskë dëshirash nga idealistët të cilët me projekte alternative kulturore duan të realizojnë unifikimin e kulturës shqiptare. Kultura dhe letërsia assesi nuk duhet të jenë peng të komunikimeve të ngushta në formë projektesh kulturore-letrare por, bashkëpunime mes institucionesh të mirëfillta. Prej bashkëpunime që zgjasin aq sa zgjat dhe koha e projektit ndodh vetëm një asgjë e madhe dhe pluhur nga bisedat plot zjarr fjalësh. Subjektive do të ishte dhe ideja ime për ta konceptuar letërsinë shqipe si të përbashkët, si të pandarë nga jo që krijohet vendeve ku jetojnë shqiptarët. Një integrim brenda kulturor është parakusht për integrimin e qenies tonë në proceset integruese bashkë me etnitë tjera. Letërsia shqipe s’ka qenë kurë indiferente ndaj tendencave globale si modernizimi, surrealizmi, post-modernizmi, simbolizmi, ekzistencializmi. Globalizimi i kulturës; shkrirja e kulturave dhe luftërat ndërmjet tyre; mospranimi i dialekteve lokale; hibriditeti i kulturës botërore që s’është i njëjtë me atë Evropiane…, gjitha këto tregojnë se “kultura globale është krizë e identitetit kulturor”. Ç’bënë shkrimtarët shqiptarë në këtë zallahi marramendëse të progresit kulturor në Evropë? Gjakimi për t’u integruar në “detin bluxhins” të kulturës globale tek shkrimtarët tanë krijoi më shumë hendeqe se ura. Balanca mes “nacionalistit” dhe “modernistit” u çrregullua dhe solli një polarizim të skajshëm të audiencës letrare. Poetët mbetën në pragun e kapixhikun të hamendjes se ç’zgjidhje do vij nga Rexhep Qosja ( historiani dhe shkrimtari ) dhe Ismail Kadare ( vetëm shkrimtari ). Gjeneratat e reja kanë vrull integrues dhe duan shkëputje nga folklorizmi dhe ecje drejt post-modernizmit.
Interliteraliteti dhe shembujt në letërsinë shqipe

Çdo letërsi është produkt i fantazisë, literaturës dhe përvojës së autorit. Që një letërsi të komunikojë me një letërsi tjetër lind INTELITERALITETI. Letërsia është dialog. Roli dhe fuqia e letërsisë varet kryekëput nga dialogu mes autorit dhe lexuesit të panjohur. Edhe shkrimtarët dialogojnë njëri me tjetrin dhe ndikohen mes vete. Kontaktet mund të jenë reale dhe imagjinare. Kontaktet reale janë kur shkrimtarët njihen, miqësohohen dhe ndikohen. Konica – Apolineri, De Rada – Lamartini, Kadare - Kishi. Kontaktet imagjinare janë njohjet përmes krijimtarisë. Markezi- “Kujtim kurvash të trishta” dhe Kavabato “Shtëpia e bukurosheve të fjetura”. Krijuesit mund dhe të mos njihen fare mes vete dhe të kenë senzibilitete krijuese të ngjashme. Borhesi thoshte se: ”paraardhësi mund të ndikojë tek pasardhësi”. Rasti i Mitrush Kutelit dhe Gabriel Garsia Markezit me veprat ;”Vjeshta e Xheladin Beut” dhe “Vjeshta e Patriarkut”. Ndikimet në letërsi janë të arsyeshme. Letërsitë janë sisteme të hapura, ato japin e marrin nga njëra - tjetra. Ndikimet përbëjnë një shtresë të veçantë në strukturën Interliteralitetit. Franc Kafka “Procesi” dhe Ismail Kadare “Pallati i ëndrrave”.

Pengesat e interliteralitetit

Në letërsisë shqipe, ndër artistë është ngritur sistem i rremë i vlerave. Në mendjet e njerëzve servohet tabu, plagjiaturë dhe sasi të mëdha të pseudo-vlerave. Konfuziteti estetik, steriliteti intelektual, anarkia institucionale, monopolizimi i kulturës, klanizimi i letërsisë…, gjithë këto janë vagonët e trenit tonë udhëtues drejt perspektivës së qorrsokakut. Jo historia e letërsisë por, krijuesit e saj ( pa të cilët nuk do mund të shkruhet kjo letërsi ) janë pengesë e Interliteralitetit aq të nevojshëm për shpirtin e letërsisë shqipe. Jo konceptet e veprës por, konceptet intelektuale të krijuesve ndikojnë që ky dialog të jetë në pozitën në të cilën ndodhet sot e gjithë ditën. Nuk ka mënyrë të shpejtë dhe të kollajshme për t’u përbiruar në proceset letrare. Arti i letërsisë është lëmi që kërkon rrethana të veçanta për punë dhe një çlirim nga brengat e përditshmërisë tonë bajate. Për arritur diçka kulmore, një ekspertit të letërsisë i pamundësohet realizimi i saj nga probleme më primitive si mungesa e ujit dhe rrymës. Pavarësia materiale, lehtësimi i rrugëve për të publikuar dhe krijimi i mundësive për pjesëmarrje në arenën ndërkombëtare janë parakushtet për një dialog masiv dhe të suksesshëm. Pengesa tjera mund të jenë dhe mosnjohja e penave të reja, mospërkrahja e talenteve të rrallë mbi të cilët bota lidh mendimin për një popull, mosfunksionimi në rregull i kritikës letrare… Kritika letrare për mendimin tim paraqet “thembrën e Aklit”, pjesën më të ndjeshme të letërsisë. A kemi ne kritikë serioze? Kritika jonë kundërmon erë makiatoje të pirë miqësisht. Ajo lëviz herë nga gazetarët e kulturës të cilët duke dashur të kënaqin epshin e redaktorit e rasin shkrimin me gjithë nocionet e mundshme reklamuese; herë nga poetët të cilët duke provuar të luajnë rolin e ADHAMUTIT - të gjithëditshmit “tërten” pavetëdije në ujërat e zeza të Retorikës dhe Psikanalizës së tekstit dhe e komplikojnë tekstit edhe më shumë; herë nga kritikët e vetëquajtur kritikë të cilët ende pa e lexuar veprën deri në fund japin konstatime se ky është talent jashtë-serik, se ky e ka kaluar filanin, se, se, se… dhe herë kah recensentët të cilët punojnë në stilin e interesit relativ: ”ti thuaj diçka për mua këtë herë, do them dhe unë diçka të mirë për ty”. Do theksoj dhe një element tjetër me rëndësi për lehtësimin e Interliteralitetit, për komunikimin e rehatshëm të vlerave tona me ato evropiane dhe botërore, e ajo është përkthimi serioz nga njerëz kompetent dhe me përvojë në përkthim. Çdo përkthim është një gur i hedhur në kalanë e madhe të kulturës tonë plot thesare e cila patjetër duhet t’i ofrohet botës që të na njohë më ndryshe, pra përmes vlerave të mirëfillta letrare.
( Kumtesë e lexuar në Seminarin e II të Gjuhës dhe letërsisë shqipe në Ohër, 2008 )

REFERENCË:

· “Letërsia e krahasuar”- Prof. dr. Nebi Islami dhe mr. Salajdin Salihu.
· “Janusi i qindfytyrshëm”- Agron Tufa, Pro kultura, 2005
· “Glokalizmi”- Lindita Kadriu, shkrim i botuar në Brezi 9, 2005
· “Muzgu i mendjes - Fatmir Sulejmani, Brezi 9, 2005
· “Fuga e fjalëve”- Bardhyl Zaimi, Pro kultura, 2004

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...