2012-12-23

Arlind Farizi - ROMEO PATJETËR DUHET TË VDESË





ROMEO PATJETËR DUHET TË VDESË


Redaktor:
F a t m i r    S u l e j m a n i

Kopertina & dizajni:
N e h a t    B e q i r i

Recensent:
E t l e v a   T a f a

e-mail: arlindfarizi@gmail.com
         
Shtypi:
Ç a b e j – T e t o v ë

arlind  f a r i z i
ROMEO PATJETËR DUHET
TË VDESË

Të dashurës, Julietës:
           si peng dashurie të përjetshme.



HIJE-PERSONAZH

Ngrihesh natën, vonë. Ulesh në karrige, merr një letër, hedh ca fjalë,  pastaj sheh letra tjera bosh. Ç’presin këto letra? Fjalë, fjalë. Ç’janë fjalët? Frymë, qenie. Kur të largohen ngritesh nga karrigja, i vjen rrotull, i kërkon me sytë e mendjes. Dikur të vjen ajo frymë. Shkruan. Pastaj ndalesh. Nganjëherë bërtet. Dhe përgjigjja s’vonon. Vjen si një hije dhe shkel mbi zërin tënd.
Të afrohet. Ti e sheh dhe s'bëlbëzon dot asnjë fjalë. Hija e gjatë lakohet nëpër terrin e natës. Duke u zgjatur lart dridhet e shkrihet me qiellin e errët të dhomës, përkulet mbi trupin tënd. Ti akoma s’bëzanë. Shikon me sy të stërhapur përqark: njerëz të ndryshëm dalin nga errësira e natës. Ti ua hap derën drejt boshësisë së letrave dhe ngjyros pa ngjyra bardhësinë e një tregimi ku hijet janë personazhë...

SYTË...

Deshi s’deshi, shtigjet e qytetit tashmë i njihte si vijat në shuplakën e vet të dorës. Ka kohë qyshkur e shqetësojnë dy sy të një femre. I heton ato kudo: në tokë, në ujë, në ajër madje edhe në qiell. I shfaqen si dy pasqyra të vogla në pikë të ditës, në sterrën e natës e jo rrallë në peizazhet e ëndrrës. E dinte mirrëfilli se feksi i tyre ishte nur i fatit të tij. Ngado që të vërtitej, si një glob rrotullues në vend, ajo ishte bërë nishani më tërheqës. Ishte një krijesë e brishtë dhe shumë e bukur. Flokët e verdhë i kishte të rëndë dhe të gjatë, derdhur poshtë supeve dhe vetëm në mes të shpatullave u bënte pritë një lidhkë e zezë. Krelat e lehta ia rrethonin fytyrën e qumësht dhe ovale, ku sytë e mrekullueshëm larushë përbënin pjesën më interesante.
I shihte diku gishtat e këmbëve të tij tek i vihen gjurmëve të thembrave të saj. Kur ia prek dorën, fillon të ndjehet fluid i papeshë. Duart i kthehen në flatra dhe fillon të shkëputet, të ikë... në ndarje ai përcillte rrugën ajrore të syve të saj xixëllues që lenin pas një kordhele, të dobët, e të tretur drite...

ZBULIMI

Me  grykësinë e njohjes së parë, ai filloi të zbulonte e të studionte gjithçka tek ajo, që nga jeta e përditshme, çastet e fikësuara, lëvizjet e zakonshme, ato që përsëriteshin dhe ato që shfaqeshin vetëm një herë. Ndërkohë ai nuk lodhej me zbulime. E kishte lënë veten në dorën e saj. Dashuria e tij ishte e lehtë dhe e avashtë, me një akord të përkryer që përsëritej e përsëritej...
Më në fund gishtërinjtë e tij prekën diçka të butë, si shpirti. Ai ndodhej fare pranë një zbulimi të Madh:
gjeti pranë syve të saj sytë e tij të bashkuar në një, që u shfaqën si një copëz e tallazuar oqeani...

PREHJE

Ai nisi të kërkonte prehjen, madje ankthshëm. Ishte e pamundur të gjindej. Endej i paqetë, si një pelegrin pa kompas, mendjeçartur, si një dashnor tragjik në kërkim të shkakut të tradhëtisë së lashtë. Dhe më në fund e gjeti..., tek një gushë  e bardhë dhe e zhveshur që lëbyrej nën dritën e hënës. U shtri mbi profilin e asaj gruaje me gushë të mavijosur nga plagë pasioni. Mendoi i çliruar më në fund, kish vendosur të jetonte në botën që i takonte vetëm atij dhe që nuk do e kthente kurrë tek Ajo. Kurrë…

NË KËRKIM TË DASHURISË

Ka kohë që në zemër ndjej një të rrahur dashurie të trishtë e kërcënuese. Mes heshtjes së mbytur, jermisë dhe ajrit të ngrirë, në shkretëtirën e jetës së heshtur, në vaj e dhimbje, buzëqeshja jote më del përpara...
Netët e pagjumë copëtohen nga goditjet e orës. Endem vetmisë si ai që nuk shpreson më asgjë. Jam vetë çmendia që mes rrrugicash të errëta ndjek yjet krahëvarur, si simbole shpresash të humbura. Valët e vajit tim lëpinë buzët e një burimi ku lajnë këmbët dhembjet e botës... Nata përtoket si një breshkë e çalë rëndë, si fryt i hoveve të mia rinore dhe jehonë e vuajtjeve të shpirtit tim. Po thehem nga fuqia e një vullneti. Si t’i frenoj hovet e zemrës së kryengritur?
Në çast kap vezullimin e një rrezeje shprese  përballë stuhisë që nuk pushon... Një harmoni plot ëmbëlsi m’i pajton ndjenjat me përkdheli. Buzëqeshja yte mbjell tokës visare të reja hareshë qiellore dhe unë sërish rend në kërkim të dashurisë...

GJYSMËS SIME...

Ndodhesha në një gjendje të papërckatuar për­humb­jeje. Nuk e di se ç’kisha..., ndoshta ishte veç pasioni që pulsonte dhe më ngjallte kujtesën për ty. Tretur në vorbullën e kujtesës, nuhata intuitivisht erën e lëkurës tënde dhe menjëherë më ra një shkulm i beftë emocionesh. Më dukej se të dy i shfaqnim shpirtërat lakuriq para njëri-tjetrit... Ishim të sinqertë deri në absurd. Unë isha gjysma yte, ti ishe gjysma ime. Të dy bënim një. Asgjë s’përgjasonte me ndar­jen përkundrazi, kohezioni shpirtëror portretonte ngjyrën e bashkimit. Gjithçka qe kredhur në një prehje të ëmbël. Dëgjohej vetëm protesta e heshtur e cila kumbonte në zemrat tona. Në sytë e saj shihja reflektimin e bukurisë sime...
Ajo ishte imazhi im. Më kot u mundova t’ia fiksoj impresionet me vija e vargje fluide... ajo qe qenia që më shumë se kushdo tjetër i ka trazuar ndjenjat e mia, ajo qe vajza së cilës i kishte fluturuar i tërë intimiteti.

PROVË E SUKSESSHME

E kisha humbur atë vështrim që më zinte për krahësh, tinzar dhe i fuqishëm; e kisha harruar mallin e çartur për sipërfaqet e ndera të ujit që burgosnin copëza qielli; nga kujtesa më qe fshirë muzgu dhe unë më nuk bridhja si i shkallmuar bregut të detit a liqenit. Sa kohë që e kisha humbur. Imazhi prej së largu më ngjante i huaj. Provova të vështroj dyshimtar vajzuken që e kisha përballë e që kishte zënë të përtypte një fije bari rrëzuar anash. Nuk e di pse më pëlqeu ta gënjeja dhe ta mbaja atje, mbërthyer pas pasionit të parë. “Gruaja që dashuron nuk ka asnjë të metë. Fillo ta urresh dhe shih sa të meta ka” - thotë një urti... 

NDARJA

Dy gjysmat që e kishin provuar vetëm për pak çaste magjinë e të qenit bashkë, ktheheshin përsëri në vetminë e tyre  torturonjëse e cfilitëse... Ajo urë-ylber i ëndërrt u rrëzua. Të dy, në të njëjtën kohë u gjendën përpara një muri me tavan që mbahej mrekullisht në këmbë... Të lodhur dhe të plakur. Pasionet e fillimit si kishin më. U përpoqën disa herë të sajonin ndonjë lojë ku të dy do të angazhoheshin që kënaqësia të ishte reciproke, siç bëjnë të porsadashuruarit. S’u mbeti gjë tjetër veç të shkëmbenin të puthurat e vjetra të ndarjes...

GABIMI

U mundua të kuptonte atë që s’po kuptonte dot. Nuk e pati të lehtë, se ato i vinin e i ngatërroheshin me dëshirat dhe ëndërrimet e saj që patën marrë formën e kujtimeve. Luftoi për të vënë rregull në to, derisa një ndriçim i beftë i mendjes e bëri të kuptonte gabimin e hatashëm; po përpiqej të hynte dhunshëm në një botë të huaj që refuzonte ta pranojë...
Dhe bota e huaj ia kishte kthyer përgjigjen e prerë: do t’i jepte vuajtje gjer në fund derisa ajo të mësonte të mos tërhiqej prej Tij...

I KAM BORXH KORBIT

Ecja drejt tempullit ku ishte parathënë e ardhmja ime. Dëshira për t’u prehur në velat ”e amshueshme të këna­qësisë“ sakaq u bë burg ndjenjash, u bë derë e kafazit të shpirtit tim, ku era, si hajneshë, hynte e dilte pa lënë gjurmë grilave të tij.
Unë i burgosur. Unë... biri i perëndive... Tiktakun e pëshpëritjeve të mia e mësuan përmendësh poetët e verbër, të përndalur udhëkryqeve të botës. I hidhëruar dhe me shumë blasfeme rrija mbështetur në jastëkun e ligësisë. Kaloi muaji, viti, jeta e tërë... dhe unë u gjenda nën kam­xhikun e xhelatit të pamëshirshëm. Murgjit piskatnin si minj. Unë ende thurja urata (dëshmi të heshtura) që ta qetësoja detin e tërbuar. I kisha borxh korbit që s’ia zbardha pendlat. Brenda meje ziente një inat i verbër. Inatosesha me plogështinë time. Lutesha për një dëshirë: "krijoni një mumi dhe më mbani të pavdekshëm“... Ju lutem...

KËSHTJELLA E KAFKËS

Teksa sorrollatesha varrezave të shkretuara të mendjes sime m’erdhi një lajm nga kufijtë e vetëdijes. Si trokitje e rebeluar ne derën e të panjohurës m’u kujtua “kështjella e Kafkës “... që më mbante të kurthëruar në pikëllim. Tulet e saj të rënduar me tetuazhe burgu shembë­llenin në mozaiqe arabeskash, piktura imazhesh, arkitekturë e ngritur nga spektër ngjyrash. Brenda mureve të gjalla qorrazi udhëtonte mëshira, zhdukej jeta, pasqyrohej vdekja. Gjersa hëna e lodhur fshinte me dorë përfitimet e kontro­lluara prisja të zbulohet fshehtësia e jetës, prisja shpëtimin nga vdekja e përnjëmendtë..., prisja një rilindje çudie. Mër­mërova diç në frymëmarrjen time dhe ndjeva se isha i burgosur në botë misteresh....
Jetëvdekja që pasqyrohej mureve të mishta të  “kësh­tjellës” ishte një kanalizim fëlliqësirash, litani dështimesh, magji shtrigash... Mund të jetosh dhe të vetëvritesh kudo dhe kurdo...

HON...

Nuk kishte zbardhur dita kur ai u zgjua i lemerisur dhe i mbytur në djersë nga një frikë e panjohur.
I qe bërë sikur binte me mijëra herë në një hon i rrokullisur nga shkulm ere, ngritur përgjysmë mbi shtrat, megjithëse ishte zgjuar. Ishte e pamundur të dilte në rrugë. Shkulmat e erës fshiheshin pas çdo gjëje.
Atë mëngjes pasditeje, gjëmimi i furtunës qe kthyer në vërshëllimë ere dhe ajri u freskua. Ai u çudit dhe e shprehu çudinë me anë të një heshtjeje të shkurtër. Atëherë u shtri. Vajtën minuta të tërë, pa ditur si të qetësohej nga ajo brengë e madhe misteri në shpirt dhe atë frikën e rrokullisjes në hon, që po ia helmonte gjakun.

LOJA PAS APOKALIPSIT

Jetojmë botërave  përjetësisht të vjetra... aq  të vjetra sa kanë zënë krimba... Në to ngriten shumë ura të rreme ylberësh që në fillim të joshim me kurrizet e tyre shumë­ngjyrësh, e më pas të vërvisin kushedi se ku... Në to ka lule të mrekullueshme bore që të tundojnë më shumë se çdo sirenë, por që e kanë aq të lartë çmimin e këputjes dhe grumbullimit në tufë. Koha e harroi kaltërsinë... përplasej andej-këndej si grua e çmendur në epsh. Përrenjtë dukeshin si shtretër bashkëshortësh të braktisur. Kudo shihen kështje­lla të ndërtuara me kafka artistësh të dënuar, nga të cilat dilnin klithma dhe vaje qyqesh. Atë peisazh, dikur të pis­pillosur me gjelbërim,  sot e kanë mbuluar varrezat, gurët e të cilëve lartësohen deri në qiell. Mbi ato gurë-lapidarë varrezash rrinte një zog. Ortiqet e mnershme që i pjellte klithma e tij tregonin se kishte marë fund çdo gjë... Kishte mbetur vetëm ambalazhi-etiketa shekullore.
Skllavi më tragjik i këtij iluzioni, i damkosur nga vula e poshtërsisë hidhte “valle ujqërish”. Gjymtyrët i dridheshin si degë të thyera. Fati i tij qe strukur në një thes të arnuar mëkatesh. Por, ai vazhdimisht luante, luante.
Ai vetëm luante, madje vëmendshëm lojën post­apo­ka­liptike...

PJESA IME E AJRIT...

Ajri s’i bëri mirë, ndërsa gjithçka përreth tij gatuante me marifete alkimie, një ankth të tmerrshëm, i cili nga çasti që iu ngjiz, vendosi ta vriste. Në fraksion të sekondës, i kishte ndryshuar brendësia, diafragma provonte një si tërmet, zemra e zmadhuar kishte fituar tepër peshë, kishte rënë në fund të këmbëve..., ndërsa rropullitë tjera  kishin marrë arratinë. Lente dyer e dritare hapur, me shpresë se diçka e papritur dhe e rastësishme do të hynte në jetën pa të papritura, që ta shpëtonte. Nuk ndodhi asgjë. Ideja e ngulur se do mbaronte po të dilte jashtë e të vinte në kontakt me ajrin e huaj qe një reaksion i tmerrshëm papajtueshmërie. Vetëm. I krijoi sërish lidhjet me sendet që i kishte sjellë nga vendlindja, nëpërmjet aromës së tyre ta thyente vetminë. Ankthi e la të qetë, atëherë si shenjë të fitores së tij, engjulli i Fatit ia plotësoi dëshirën për pjesën e vet të ajrit...

DËSHIRA...

Më shfaqen njerëz pa fytyra dhe fytyra të maskuara që prishin bukurinë e pasqyruar në sipërfaqen e ujit të një pusi. Mbeta  në thellësinë tënde dëborë, ti ëndërr e çmendur që dikur aq netë më mundove zemrën me lumturi false, e tani si fantom deti më kërcënohesh edhe në ditë të bardhë.
Nata ngryset, ndërsa ti nuk heq dorë nga loja e fëlliqur dhe munduese.  Herë më mbulohesh me çarçafin pis të nxirë, e herë shpalohesh dhe qeshesh me të madhe si e dalur mendsh.
Ti dëshiron që dhe unë të të ngjasoj ty, e di, këtë dëshiron, të bëhem shoku yt. Jo, besomë, ti s’do të bëhesh asnjëherë mikja ime, ajo do të jetë zana e malit me vellon e bardhë që e thërrasin shpresë e që bredh botës dhe hedh stërkala jete.

RROKULLISJE

Mbi kohën me mjegull rrëshqasin fatkeqësitë. Lu­menj­të e mendimeve rrotullohen në pëlhurën e meri­mangave, formuar nga vitet e pritjes. Ulur në stolin prej druri, poshtë gjetheve të zverdhura të parkut vetmitar, ai sodit këtë botë të plagosur ku lexohet shqetësimi.
Era e ftohtë dhe vuajtja nga moskuptimet e bënë  ta kujtojë vdekjen. Nuk i besohej dot se koha kish mundur të shkaktonte rrënime të tilla. Tërë horizonti qe mbështjellur me dritë pasigurie. Liqeni pupuriqej si oqean i turfulluar dhe një erë rrëmujëtare i trembi pulëbardhat dhe i plasi përtokë si gjethet e fundit të drurit.
Ai pati ndjesinë e një rrokullisjeje të pafund nëpër katet e botës së poshtme deri te pellgu i vdekjes...

PROMETHEU I LAGJES SIME...

Për supin e kohës mbështeta kokën dhe s’dremita. Asnjë mendim s’më qeshi e asnjë puhi s’e lëmoi kurmin tim. Dëshirova të më rrethojë hareja atëherë kjo botë do të ishte dashuria e parë për mua. Por, papritmas zbritën në rrugë hijet,  si klithje të pafuqisë. U shkrinë në vrushkuj e nata rëndë pikoi nga klithjet e dhimshme që i la “Prometheu i lagjes sime” në çdo prag dere. Atë e ndjekte një zë, si vdekjen hija. Ia fillonte një tregimi që s’ka as fill as fund. Vetëm me ëndrra e shpresa të sfilitura kërkonte veten n’errësirë.
Ndaj fatit të keq s’vlen qëndrueshmëria. Por, ai thosh­te me vete: unë akoma do të luftoj me këtë det dhimb­jesh, e skamjesh, kryelartë e i mërzitur,  i mbyllur nga retë dhe nga smira...
Të nesërmen, te lulet, u shfaq dielli e perëndoi. Por, hëna u duk si e helmuar. Errëra të ndezura vinin mbi kurmin e tij të vdekur... Ahet që mjerimi i sjell ngrijnë dhe era larg i shpie.
Nata përsëri bëri protestë sociale...

UDHA DREJT DETIT

Ai i shembëllen cigares mes buzëve, që zvogëlohet, rrudhet e soset qetësisht, pa fjalë, në vetmi... Ecën bregut të detit të pikëllimit, i përhumbur dhe me ndjenjë trishtimi  për t’u futur. Imazhi i zbehtë për jetën i ishte vulosur që moti. Ngre me vështirësi roletat e syve dhe shikon ombrellën vigane të qiellit, këmishat e çara të reve, vetminë e diellit dhe... ul kokën i zhgënjyer...
Kërkëllima e blindimit të zemrës ia prish gjakun dhe niset drejt detit..., shkon drejt thellësive të pamatura, e të frikshme, me shpresë se nën valët e detit jeton JETA E QETË E MENDJES...
Trupi i shkëputet nga vetja dhe del mbi sipërfaqe, shpirti i varroset në qiell...

PA KOMENT...

Brejtësit veshmëdhenj e bishtgjatë, pas shumë kon­sul­timesh, u përgatitën për të sulmuar. E organizuar mirë ushtria e përhime filloi të bëjë ugar mbi shpirtërat...
Shtëpitë u shndërruan në çerdhe ahengu. Kur iknin lenin enë të përmbysura, gota e shishe të thyera. E gjithë kjo i ngjante një mizërie e cila për pak kohë do të lente të vdekur gjithçka të gjallë.
Në anën tjetër macet filluan micërrimin e  hartimeve të planeve në pjatat e tyre. Betejat me hardhitë e minjve dhe obligimet tjera morale që populli minor ua ngarkoi në shpinë së shpejti i bëri macet skllavë të minjve dhe i vuri ndër pranga.

UDHËTIM...

Vraponte rrugës pa e ditur se në ç’drejtim ishte nisur. Shihte vetëm mjegull. Përpara kalojnë silueta me forma të ndryshme, me gjymtyrë të lëvarura anësh, sikur të mos ishin pjesë të përbashkëta të një trupi.
Kafka të zverdhura e të roitura dilnin nga gropat; kokalla të ngrëna të përziera me kocka ujqërish; kuaj të dehur që përpiqeshin t’u hypnin skeleteve të njerëzve; lëfetarë qefinësh që valëviteshin si flamuj pa stemë,  në betejë për nxjerrjen e përmbajtjes së trurit...
Por, ai s’pushonte së vrapuari, e në çdo pjesë të trupit ndjente frikën. Pengohet dikund. Rrëzohet. Ngrihet dhe përsëri vazhdon rrugën për në zemër të mjegullës. Nata s’e ka verbuar, jo.
Më në fund me sytë e plagosur nga stërmundimi i zgurdullimit pa ca drita që binin si meteorë të një qielli shtatori dhe zbulonin konturet e kështjellës... (Atje ku edhe qe nisur!). Ajo ishe afër, por kjo afërsi ishte shumë larg tij...  E ndjeu veten të rimëkëmbur nga iluzionet, nga përjetimet e imagjinuara në halucinacione të natës dhe të errësirës me kombinime të ëndërruara, prej nga ishte nisur dhe ku kishte arritur pas gjithë atyre bredhjeve jo të kota, por të mundim­shme...

UNI – SUNDIMTARI IM I PËRMOTSHËM

U humba në perëndimin e diellit vjeshtor. Më verbuan me ngjyrën e kobit, më skalitën latë-latë në fasadën e gdhendur nga dhimbjet e botës. Më nxorën nga Labirinthi i quajtur JETË dhe më futën në një kohë të humbur, në një BOTË PËRHIME..., në një vend më afër Ferrit se sa Parajsës. Këmbët e mia shkelnin  urnë, eshtra, djersë dhe gjakun e përtharë të të munduarve.  Dëgjoheshin klithma, sokëllima dhe lutje korale të robërve të shkretëtirës, refrenet e të cilave m’u shndërruan në ninulla. Nganjëherë shpirti lëkundës lutej  për përvoja të pakëndshme. Padashje fillova ekzistencën – ëndrrën e monologut dhe dialogut pole­mizues. Fillova me vdekjen, mbarova me lindjen Njeri. Por, i mbijetova të gjitha, kokëfortë si hithra, duke ma arnuar jetën sadopak Uni im – sundimtari i përmotshëm...

QIELLI I SORRAVE...

Era shpërndau flokët e mjegullave pas qafës së malit dhe në vend të tyre solli ca sorra të fëlliqura. Ai muzg me lule gjaku u njollos me pllanga të zeza, të zeza sterrë që pillnin tmerr si në pikturat ekspresioniste. Qielli ku fluturonin lirshëm fluturat e shpirtit u mbulua me re sorrash që paralajmëronin ndarje, ethe, vetmi...
Më rëndoi një gravitacion i çuditshëm shpirtëror. Dhimbja e cila më stërpiku me ngjyrën më të zymtë të pikëllimit më solli në vete. Mbase ndjeva nevojë për prehje vetmashtruese, mendja ime sikur dezertoi dhe nga skena e tillë morbide u nis drejt shtegut utopist. Tani nuk do më vinte çudi sikur nga ai qiell të shfaqet vet djalli... dhe ai u shfaq,  në formën më konkrete të njeriut. U takuam si dy re në shtrëngatë shiu. Edhe pse të dy NJERËZ, dalloheshim, ishim krejtësisht të kundërt. Elektricitetet shpirtërore na sollën menjëherë afrimin dhe vetëtimat...
Me majën e shpatës së DEMOKLEUT grisa qiellin e sorrave,  prej nga hyri dritë e diellit. Djalli u verbua. Ai nuk e do dritën, është mësuar në terr të mpiksur... Ua dorëzova sorrave me idenë e moskthimit...

NJË PËRGJIGJE VETES

Të gjithë presin kiametin eventual... ndjenjën e hum­bjes së çdo gjëje. Entusiazmi s’ka kapak, të gjithë luajnë me dramën e fatit, sot dëshëprimi ka përmasa kozmike...
Në udhëkryqet e historisë shiten klithma poetësh, që me infuzione ëndrrash mezi mbahen në jetë...,  a nuk meritoj asnjë varg në histori?!
E panjohura e misterit personal e cila ngritej nga hiri i utopisë më pyeti pse isha i përthekuar nga ndjenja e fata­lizmit. Nuk e di! - iu përgjigja me qetësinë e një mumije. Fillova të bëj dialogje dinamike me vetveten, të cilat kishin një fuqi më shumë se sa ngulfatëse .
Isha mbledhur në vete si thelbi i arës nën lëvozhgë. Trupin e kisha fushëbetejë ku luftonin pyetjet dhe për­gjigjet. Pse “lumturia e njeriut qëndroka në fatin e për­caktuar“?...
Në këtë vend shekujt e mllefit s’ndryshken kurrë, këtu kolovitet e mira dhe e keqja... Frikohem nga të papërjetuarat dhe të paprovuarat në jetë,  ku është strukur stina ku ne do e njohim vetveten?!... Le të ma tregojë dikush udhën fluide drejt shpëtimit..., apo të pres ende atë “RILINDJE ÇUDE“ që ta ndryshojë skenarin e jetës... Eh, sa do të doja?!
Në ndërkohë m’u kujtuan ca vargje të një poezie: “Mos kërko dritë nga yjet, diellin tënd në pëllëmbët tua e ke... Duart në xhepa s’kanë të nesërme"... e kështu me rradhë. Le të mbetet kjo përgjigja e kërkuar...

KËSHTJELLA E TABUVE

Bëja luftë karrikaturash me vetveten. E folmja rrugore e cila blegëriste histerikisht kur shihte kaos, më dha ide ta pikturoja “KËSHTJELLËN E TABUVE “ – kompleksin ku afirmoheshin kurvëritë. Valët e përziera të mendimit me një magji eterne lenin gjurmë në pikturë. Festoja triumfin e marrëzisë kur shihja në pëlhurë  kurme të ngrirë se si mundoheshin të mësonin “artizanatin” e SEKSIT TË ANTIKËS... Një mori figurash të sjellin ndërmend njerëzit e lindur për dashuri fizike, të cilët kur gjenden nën fusha të forcave erotike, me një instinkt të pagabueshëm i nuhasit të gjitha mundësitë e erotizmit. Aty nuk mungojnë as sjelljet  e kurtizanave të regjura nga tërbimi emocional. Lakmia e madhe dhe nevoja pothuajse e sëmurë për t’u argëtuar po përqëndrohet haptazi... ky vazhdim  tabloshë flet më shumë se mijëra gjykime tjera, këto janë vetëm njolla  në pikturën e pakryer...


ROJA E VDEKJES SË FUNDIT

Përmes grilave të qelisë shikoja errësirën dhe dëgjoja klithjet e valëve të detit.
Ai më doli përpara, nuk m’a dorëzoi shpirtin, nuk më liroi nga pranga shekullore, nga burgu abstrakt. Mbeta mby­llur në retinën e horizontit, kohës. Çdo grimcë e imët e pluhurit rrëfente figurën e tij. E shikoja mu tek tehu i briskut. Ishte i hollë... Më vra – i thashë, dhe mbylle atë libër lutjesh që e ke paluar në vetvete, më lejo të mbetem POEZIA E FUNDIT ETERNE e gdhendur  mbi kufomat e të munduarve tjerë...
Ai po qëndronte në qoshet e papërcaktuara të qelisë sime, statik, i qetë, serioz e misterioz. Më habit diskrecioni i tij kur e dija se ka trashëgim mllefin e maskuar të skeptikut, ka dinakëritë si të racionalistëve dhe  çiltërsi të zjarrtë si të një ateisti. Gjithë këto iluzione endnin pëlhura të trasha dyshimi në vetëdijen time. Qëndroja brenda  vetes, si guri në rërë, dhe si hije m’u shfaq ANUJI... dhe më shkroi në mur dyzimin e tij prej avokati. Sa arrita të kuptoj, unë nesër do gjykohem, edhe atë me vdekje... Tmerr! O Zot, ndih­momë, Utnapishtim më jep barin që ia dhe Gilgameshit, shpëtomëni, ju lutem... Me mish e me shpirt dhembjet kërkuan t’u jepja fund. Erdhi VDEKJA E FUNDIT...

DREQIT VENDËS

Me anije pa timon erdhi nga antika, si sfinks i gjallë. E di, erdhi t’ma turbullojë detin e mëngjesit të qetësisë dhe t’m’i  përzë stinët me ngjyra ylberi. Sikteriset  shpirti, bota vritet, krijohen industri që prodhojnë të keqen, njeriu humb vetveten, jeta bëhet arenë ku verifikohet forca e dhimbjes... Fobia e topitur shpërthen me egërsi zëbreshke kur sheh njerëz që i bien në sexhde Iblisit... Arsyeja është strukur në një labirinth të mosdijes se çdo të sjellë e nesërmja. E nesërmja nuk më mëshiron, ajo nuk duhet t’i ngjajë të djeshmes. Si ta maskoj hutimin? Në cilin shekull të futem?...

TAKIMI...

...nuk e njoh. Dhe nuk më njeh. As emrin nuk ia di. As ajo – jam i bindur – nuk ma di. A do ta takoj?... Duhet ta shoh. Të gjitha gjasat janë. Dhe mezi pres: as gjumin gjum se bëj, as jetën jetë. Njerëzit takohen kurdoqoftë. Ka njerëz që duan dhe që s’duan të takohen mes veti. Dhe, për çudi, takohen të fundit. Vazhdimisht gjenden pika ku domosdo do të ngjeshen. Ku do ta takoj?... Besoj se do ta takoj diku: brenda a jashtë, në ndonjë skutë a shesh, kudo në këtë qytet. Kujtoj se nuk ka rëndësi vendi, më e rëndësishme është se do ta takoj. Ndoshta në kafene, ulur pranë tavolinës, tek pi çajin a kafene, e vetmuar apo të vetmuar vetëm për disa çaste... Sytë e saj do i qepen shikimit tim gjurmues. Në orvatje sakaq të marrë ikën, po si mund të largohet kur vështrimi im i zgjatur heshte saora e ngujon në karrige...  Mund ta takoj rrugës, pikërisht rrugës kryesore, duke bërë shëtitjen e paraditës apo parambrëmjes, tek numëron hapat, me lëvizje të shkujdesura nga mejtimet e brengat e ditës, kthen kokën  nga e djathta, a nga e majta, përshëndet ndonjë të njohur  a kalimtar, pastaj ndalet dhe befas i shkrep një mendim, i zgjohet ndonjë kujtim ose ia beh ndonjë për­fytyrim dhe vazhdon rrugën e matur me shikim dhe me një ritëm monoton hapash, që mbase ia përkujtojnë përfitimin e kohës dhe pakthimin e jetës... Tash për tash veç mund ta marr me mend se kush është apo mund të jetë ajo. Si do ta takoj?... S’ka gjë mbi tokë  që do më pengonte ta njoh, sikur aq shumë kam dëshiruar të njihëm me të. Asgjë në jetë sdo më frenonte  ta takoj, thuajse me padurim e pres takimin tonë. Padyshim duhet të ketë diçka karakteristike, që i jep njëfarë vule shprehjes së fytyrës së dashuruar, në mos kështu më bëhet mua përderisa sorollatem ta përfityroj. Jam i sigurtë se do e pikas me shqisën time të veçantë. O Zot, a do ta shoh të atillë siç mendoj e dëshiroj kaq vite me rradhë?  Tek rropatem  ta skicoj fizikun e saj të paparë, portreti tretet si re në lëvizje që nuk duron kornizën. Nuk do doja ta takoj, fjala vjen të verbër. Si të veproj atëherë, ç’të ndërmirrja... Nuk është larg mendjes të qëllojë edhe e shurdhër. Po po,  gjasat janë fare të ndryshme. Atëherë ç’peshojnë të gjithë këto shestime, të paktën të më dëgjojë kur të flas, të kthehet kah unë, të njihemi për të parën herë, sy më sy, ta demisti­fi­kojmë njëri-tjetrin..., ky do ishte efekti i detyrës më të rëndë e më të shtrenjtë të jetës. Supozimet janë supozime e hamendjet hamendje. Kur do ta takoj?... U muar vesh, unë e dëshiroj këtë sa më parë,  ndoshta që tash, menjë­herë. Pyetja „kur“?... porsi sqep më qukitej në kokë më së shumti e më së shpeshti. Edhe koha më e papërcaktuar do të duhej të ketë njëfarë kufiri. Jo vetëm që s’më pritej, ishte një pritje e gjatë. E unë – zemrën top se top e mendjen qykë se qykë! Në qoftë se e takoj në stinën kur vapa pik nga balli si frutat e pjekur, mund të ishte ndonjë mëkat i madh. Ah,  m’u kujtua. Muzgu. Muzgu është i mirëseardhur për dash­norët. Në momentin vendimtar, dua ta shoh qartë, sikundër mendoj të më shohë edhe ajo mua, të jemi afër njëri-tjetrit, t'i thyejmë shigjetat  e helmta të shikimeve, të na fërgëllejë  trupi, të na çohen flokët përpjetë, të bindemi më në fund se më ngushtë s’ka ku shkon, se të gjithë ikjet kanë marrë fund. Pse ta takoj?... më shponte veshët ky refren tek buronte thellë nga qenia ime. Kjo ndodhte sidomos netëve të ftohta e të gjata të dimrit, kur grindeshin ndjenjat dhe instinktet, gjatë persiat­jeve të mia të paskaj e të pafund. Vërshima e pse-hëve ndikoi që të mos hiqja dorë. Qëllimi i shndërruar në obsesion ishte motiv i mjaftueshëm për jetesën time. Megji­thatë, ia kam krijuar portretin me hamendje, në bazë të vijave, shenjave, tipareve të shprehjes së imagjinuar. Largë­sia nuk m’i ka mjegulluar sytë. Ndjenja nuk është ajo që më mashtron, mendimi nuk më ngatërrohet, kujtesa i rreziston vulës së pamëshirshme të harresës. Do ta dëgjoj zërin e ndjenjës, do ta ndjek hapin e arsyes, në mos tjetër, për hir të vetvetes, sepse jam i dënuar për ta dashuruar atë që më parë. Kështu mundësia e përjetimit të diçkaje të panjo­hur ishte më e madhe, e fuqia asociative më e vrullshme. Nëse (fare) s’e takoj?... se si më shkrepi ky mendim, a mund të ngjajë që  mos ta takoj?! E di mirëfilli se ende është e gjallë, frymon si edhe unë, se merret me mua si dhe unë me të. E shoh hijen e saj tek sorollatet poshtë e përpjetë, i ndjej gjurmët e saja në trotuar tek i bëjnë ballë fshisës, ujit e erës. Vallë ka ngjarë që ta kem takuar e të mos e kem ndjerë praninë e saj, të mos ketë reaguar shqisa ime e fshehtë, të mos më jenë terratisur sytë e mi sogjetar. A thua është frenuar parandjenja ime e sigurt, në mos kemi kaluar pranë njëri-tjetrit lirisht e indiferentë, në mos ku jam ndalur unë – ajo ka vazhduar rrugën, në mos kur kam hyrë unë diku ajo ka dalë... Nuk besoj të jemi ballafaquar pa u kundruar sy më sy, t’ia kemi kthyer shpinën njëri-tjetrit pa fjalë. Po të kisha shkelur gjurmëve të saj do të kisha hetuar në vetvete ndryshimin, diçka të parëndomtë, që therr e djeg... Çka, kë, cilin ta takoj?... mund të them se në dukje, si figura  njoh shumë. Por, ajo dallohet, si delja e bardhë prej të zezave. Ajo është fati im i paracaktuar. Nuri i saj më tërheq me një kapistër të paparë, si karemi peshkun, duke më ndjellur me një forcë të pakundërshtueshme. Më grish pa fjalë, më josh me një buzëgaz enigmatik si të Mona Lizës. Kjo lidhje e fshehtë, e vetëdijshme dhe  e pashpjegueshme ishte lidhur nyje në dy skaje të papuqura. Tashti le të mos ndjekim kronologji... prologu odiseik vazhdoi deri kur nyjet u afruan e hypën njëra mbi tjetrën, u bë një nyje për dy vetë ... qe ky takimi i shumëpritur...

VETMI FIKTIVE

Rrija i shtrirë, me sytë hapur, i uritur mendoja t’u jepja fund dhimbjeve, ëndërrimeve, ekzistimit tim, trupit të pane­voj­shëm... dhe doja të kërkoj lirinë, lirinë që më përkiste, që e meritoja, dëshiroja ta shëroj plagën e padukshme.
Ndjeja ligështi dhe assesi s’mundja t’i harroj sytë që më shikonin kur rrija pezull në botën e ftohtë të transit delirik.
Sytë i shkëlqenin, por shkëlqimi aspak nuk më ofronte kënaqësi, përkundrazi në brendësi të syve të saj shihja pikën më të lartë të çmendurisë. Kur të shoh përsëri sytë e mi nxjerrin pamje fantastike. Por edhe kur nuk të shoh duart e mia të prekin. Nëse edhe duart e mia nuk të prekin instinktet e mia të krijojnë. Dashuria është një murgeshë e zbehtë që bart mëkatet e botës mbi supet e vet të molisur. Largësitë janë buzë të mbyllura që krijojnë preludin e dashurisë ku lodrojnë hijet. Blana e krahërorit më hapej papritur dhe zbulonte një plagë të thellë, si shegë e çarë që derdhte gjak zemre. Vallë mos rridhte e tërë kjo pamje dhe ngjarje nga çmenduria që po më afrohej, apo isha bërë armik i trupit tim. E kisha vështirë të kërkoj diçka të cilën nuk dija ta emëroj, por isha i bindur se ekzistonte. Edhe pse isha i ri, dija fare mirë t’i kufizoj ndjenjat e shqetësuara dhe rrija gjakftohtë, sidomos buzëmbrëmjeve kur qëndroja në dritaren e dhomës sime.
Rrija në dhomën e errët nën dritën majuce të qiriut e cila shndriste natën dhe e mundte terrin.
Frynte erë e ftohtë, sikur donte të m’i shkul flokët e shprishura. Qetësi. Frika m’i thente eshtrat e duarve. Për­pjekja për të zhdukur atë frikë do t’i ngjante udhëtimit të imagjinatës nëpër labirinthet e errët të trurit. Jetë delirante plot vetmi. Magji e tmerrshme e jetës lavire. Jetë me shumë pak, apo aspak art...

LARGËSI TË URRITURA

Një sy dhe një vështrim, pastaj një heshtje me mijëra fjalë. Vështrime që të zhveshin, të çarmatosin si një kurm të ngrirë. Sy të butë, që rrëzohen ngadalë, si refreni i ndjenjave të brishta  njerëzore. Flokë që anojnë kah ngjyra e verdhë. Fytyra femërore me tipare të freskëta njomështie... Natyra me siguri ka qenë në kulmin e fantazisë kur ka krijuar këtë krijesë.
Një instinkt i brendshëm më shtynte ta njihja këtë vajzë. Një ndjenjë krejt e pakuptimtë më pushtonte.
Trupi i saj ishte përbërë nga fllade dhe zjarre. Ishte e shkathtë, çapkëne, lozonjare dhe mbi të gjitha kishte një gërshetim të tipareve me intelektin po aq të plotë. Rrallë bashkohet bukuria dhe zgjuarsia. Te kjo vajzë unë i gjeta të gërshetuara. Kishte një intuitë të pagabueshme. Ajo e kuptoi atë luhatje të imët që më mbante mbërthyer në verigat e një mburoje apokaliptike. E kjo zbehtësi dhe ky shqetësim e kishin burimin diku nga thellësia e shpirtit të saj, të atij shpirti që s’po arrija ta kuptoj. Mos isha unë që u largova nga kjo krijesë ku mëshi­rohej zjarrmia, ëmbëlsia e pse jo edhe feminiteti deri në tejngopje. Ajo më është kthyer në imazh, në dhembje, në vetrevoltë malli e mungese.
Pazgjithshmëria më mundon përthellë.
Ecja drejt një enigme të hidhur dhe përjetuese. Hori­zonti pa mëshirë përpintë ecjen endacake. Hap i dhimbshëm sa një plagë. Plagët matin ecjen me jetë­gjatësinë e tij.
Se ishe e bukur s’mund ta haroj, se ishte e ëmbël pa mos e shijuar,  andaj ndej dhimbje. Është dhimbje e dashu­risë, pasojë e vështrimit të parë. Kërkoja përsëri ngrohtësinë e trupit të saj, njomështinë, freskinë, çdo gjë të sajën kërkoja... kërkoja...

NJË FRAGMENT JETE

U takuam në pakohësi dhe ti më dhe dritën që kër­ko­va. Mbase vetëm vendi i takimit kishte qenë rastësi, gjithçka tjetër ishte shkak i kërkimit të vazhdueshëm. Ndje­ja dëshirë të papërthyeshme që këtë njeri ta mbaj afër, shumë afër. Sikur të kisha pritur 1001 netë për këtë takim, sikur kisha ëndëruarr për këtë çast... Sado që njohjet, afri­met e shpesh­ta, premtimet e lehta, kishin diçka dome­thë­nëse, diçka shpre­së­dhënëse. Biseda filloi të shndërrohet  në rrjedhë freskuese të lumit pranveror. Kur e shihja në sytë e saj smeralde kisha etje për t’u zhveshur nga gjithçka egoiste dhe këmbëzbathur të shkelja mbi dashurinë, sepse pas kësaj arratie të trupit vinte ajo që nuk e kishim përjetuar. Në fakt ç’ishte ajo që duhej ta përjetonim?, nuk isha në gjendje të dalloj çka po provoj; keqardhje apo dashuri të dështuar.
Ajri, si të ishte i përbërë nga grimca qetësie, lëvizte nëpër rrugët e ngushta të shtruara me gurë, në pragjet e dyerve, në dritaret e mbyllura po lajmëronte se dita po mbaron. Na kishte mbetur edhe pak kohë për t’u ndarë, si dy ishuj, kurse mua s’më pritej deri nesër sepse nuk besoj në të nesërmen.
Muzgu që lëshohej ngadalë të lente përshtypjen e një trëndafili të madh që mbulonte qiellin. Dielli që po perën­donte prapa shpatullave, rreth flokëve formoi një aoreolë. Kishte po atë portret që e kanë shenjtoret – engjujtë. Pata frikë se do të ngjitet drejt qiellit dhe pavetëdije e shtrëngova ashtu si shtrëngojmë diçka që të mos na ikë. Nga kjo sjellje idiotike bëra një grimasë neverie në fytyrë dhe me vështirësi përtypa lëmshin e turpit. Por,... sytë e saj nuk më dhanë as qortimin më të vogël. Përkundrazi një e papritur lexohej në to. Papritmas flokët e saj më fishkëlluan fytyrën me butë­sinë e tyre. Prisja nga çasti në çast të më rrihnin krahët e erës dhe të shpërthente kënaqësia, isha në lektisje që të përhumb e të ronit. Ndjehej erë intime. Në atë moment imazhi ngritej si një flamur triumfi, por vështrimet e fosforta që më frynin në shpirt dhe më zhveshnin harenë deri në lakuriqësi më detyronin të ngrej flamurin e bardhë. Po kapitulloja para vetvetes, zemra rrihte e hutuar dhe s’pyeste mendjen. Rrija ende i alivanosur nga hashashi erotik sa s’mundja të merrja me mend ato flugerë dhimbjesh të buzëve të puthura dy­pa­lësh. Në këtë botë të mbushur me arromën e virgjër të misterit të natës sikur po “tradhëtonin“ me pavetëdije njëri-­tjetrin duke provuar një kënaqësi të panjohur që na e jepte shkrirja e vështrimeve, apo ishte një “tradhëti“e brendshme që ridhte nga tundimi i natyrës. Ajo ishte natyrë, kishte bukurinë dhe vetminë e natyrës. Ishte prej ajri, prej toke, prej uji, prej dielli e qielli, prej Jete dhe vdekjeje,...
Qetësia që kishte mbështjellë vreshtat dhe shtëpitë të shtynte të mbështesje ballin mbi ndonjë xham dhe të men­doje për jetën e cila me shkurtësinë e saj të mohon shumë gjëra që njeriu nuk duhej ti lë pa i provuar. Ishim në një stinë të papërsëritshme kur provonim DASHURINË– fragmentin më të gjërë të jetës...


UNIVERS DRITASH

Ecja natën nëpër gurët e kalldërmit të vjetër e të latuar nga nallçat e mijëra kepucarëve dhe rrotave të qerreve që shkrepnin plot gjallëri stralli. Tufa dritash të bakërta e të qelibarta që dilnin nga dritaret e dyqaneve feksonin një garë të çuditshme, të heshtur, të pashpallur...
Një dritëz më ndiqte parreshtur. Nën pushtetin e saj të papërballueshëm, ngado që të sorrollatej, koka i lëvizte me shprehinë e fytyrës së lulediellit. Me forcën e vet çuditërisht shkëlqyese ia kalonte asaj të yjeve, matej me atë të hënës, i afrohej asaj të diellit në zenit, kishte diçka nga magjia çudibërëse e llambës së Alajdinit. Herë-herë bënte repriza të një reflektimi hyjnor, nganjëherë shkëlqimi i saj lëshonte një vetëtimë të hollë, të shkurtër që përplasej tërbueshëm mbi mua. Gjithkund dhe gjithnjë me të.  Nga këto vezullime marramendëse gjurmoja nëpër dritare, shikoja edhe pas grilave të tyre, hipja edhe mbi çati. Shkoja andej nga më çonte ajo. Ajo dritëz më rrëmbeu si pendël zogu n’ajri. Nganjëherë ikte si bishë e ndjekur malit dhe unë vazhdoja me ngulm gjurmimin sikur të kisha humbur diçka të çmuar e të dhembshme. Tek e prisja me të pesë shqisat ajo befas shqiptoi emrin tim, ngadalë, e me zë...! Emri im... më ushtoi në veshë si jehonë e harruar dhe e largët. Akulli  i ftohtë i valëve të fjalës  më preu përgjysëm nga brenda. Një çekan i rëndë mbi kokë po ngulte si në tokë gozhdën e dyshimit dhe habisë. Preka kokën me dorë, ndjeva një të rënë të topitur por jo edhe dhimbje. Ndjenjë instinktive m’i shtriu duart përpara,  drejt saj... dhe ajo u lëshua si perde prapa së cilës fshihej një femër. Ajo tash nuk ishte dritëz e mekur që me turfullonte mendjen duke më endur rrugicave të errëta të botës, ajo tash kishtë trup dhe mish të një femreje të për­kryer. E ndjeja se ishte tmerrësisht vështirë ta njihja si DRITËZ dhe aq më shumë të hyja në atë univers të ndrit­shëm, të turbullt, të qelqtë që quhej FEMËR. Vendtakimi qe në varre të cilat të humneruar në valët e epshit lëvrinin në vend si barkat në detin e tërbuar. Më robëroi vilania dhe pash veten të shtrirë gjërë e gjatë përdhe. Ndjeva se si diçka e ftohtë, e zjarrtë më therr trupin gjer në palcë.
M’u duk vetja se e gjithë kjo ishte  vetëm sajesë e iluzioneve të mia. Po, po ashtu është...

TELEFONATË ZEMRASH

Dikush, nuk më kujtohet se kush dhe në çfarë momenti të saktë të ditës më tha se ajo qe kthyer. Ajo ditë edhe ashtu qe e rrëmujshme dhe ndjehesha i lodhur sa s’thuhet. U shtriva në krevat, me kokë të boshatisur nga mendimet. Një shkëndijë e beftë ma ndriçoi kujtesën: Ajo qe kthyer! Më pas kujtesa vazhdonte, sikur ajo ka jetuar e vetmuar dhe e mbyllur në shtëpinë e saj dhe e vetmja lidhje me botën time ishte telefoni, kur më merrte nganjëherë. Nga xhepi nxora një copë letër ku qe shënuar një numër. E ndjeva që tërë trupi m’u drithërua, se qe i saji. Mblodha veten dhe bëra ta formoj numrin. Prita ca sekonda dhe zilja u formua mirë. Ajo! O Zot, zëri i saj, o Perëndi! Zëri, të cilin unë e kisha e harruar. Pata frikë se mos... dhe mbylla telefonin.
Të nesërmen, shpejtova të kaloj nga shtëpia e saj që  ndodhej në një rrugicë qorre mes shumë rrugicash tjera. U ngula përballë saj në një largësi jo shumë të madhe dhe prita. Kaluan më shumë se dy orë, por askush s’doli e s’hyri...
E kuptova se i qesh futur një loje të kotë dhe vendosa të harroj gjithçka. Lëviza këmbët duke i qëndruar besnik harrimit me një lloj kënaqësie të çuditshme që qarkullonte nëpër eshtrat e mia si lëndë magjike.  Ajo kishte qenë e para për mua..., deri kur një dikush qe futur  edhe në intimitetin e saj, atje ku unë s’arrija dot. Pesha e mllefit që mbaja ma rrëmbente dhunshëm gjysmën time. Unë s’mund ta mbaj më peshën e saj kozmike pasi tërë hapësirën e kishte mbu­shur me kujtime... Më duhet afërsia e asaj. Dikur ishim të dy rreze që konvergjonin në një pikë – dhe dashuria qe pika. Atëherë mundohesha të bëhem një më shumë se ç’isha.  Por, ajo s’e kuptonte...
U ktheva në shtëpi me shpirt në thembra. Provova edhe një herë telefonin. Kujtesa këndonte numrin e saj...
Jam unë thashë zëdredhur. Të njoha, si je? Mirë, vazhdova unë. Po ti? Mirë...
Pra, Zot-o! Ne u pajtuam. Ajo më njohu, bile më quajti serish “i dashur“...
Vitet kalonin e ne të dy takoheshim dhe ritakoheshim duke u munduar ta gjenim atë që nuk ekzistonte, që e kishte tretur koha me mokrat e  veta. Telefoni më kish vënë përballë ndërgjegjes e më kishte bërë të flisja me të, pa mos e takuar asnjëherë...


KUR MERIMANGA SULMON MIZËN

Ishte i lirë vetëm që ta krijonte një vete të përkryer. Herë-herë dukej si skulpturë e gjallë që lëvizte, se  krijesa donte liri...
Kjo natyrë për të ishte si një hapësirë tjetër, e zbehtë, magjike,  imagjinative, aspak e ngjashme me atë në të cilën po jetonte. Si ta shpjegonte këtë atmosferë? Kujt?...
Miqtë i kishte humbur si për hiç gjë: - se ishte i çmendur,  se ngatërronte të folmen e vet me atë gjermane, se ngatëronte jetën e vet me atë të GËTES... se ishte i çuditshëm! Ai nuk u ngjante të tje­rëve, se po t’u ngjante, me kohë do t’i harronte ngjarjet fatkeqe dhe ngushticat tjera. Gjithçka që shihte, i skalitej thellë në tru dhe koka sa si pëlciste nga  pamjet e grumbu­lluara e të paluara në kujtesë. Nuk ishte aq i fuqishëm dhe aq i qën­drueshëm sa mendonte. Emri i tij nuk vlente aspak, as fakti se ekzistonte, por ekzistimin ia kishte borxh dheut, i cili do e merrte përsëri në thellësinë e vet. Vdekja për të ishte jetë e vërtetë, çdo herë i tillë: i gjallë e i vdekur njëkohësisht.
Askush nga të urtët nuk ia doli të depërtonte në botën e  errët  të të çmendurve, ashtu siç konsiderohej nga të tjerët (tiranët). Mendimi se “unë po jetoj kot“ iu bë gjellë e pagjumësisë. Po në atë moshë (80 vjeç) duke rendur në kërkim të së bukurës ai bëri për vete flatrimin e krahëve të një fluture (ANA . X)... nga ky gjest edhe mushkonjat (bashkë me njerëzit ) bënin kor të njëzëshëm duke lëshuar vringëllima qortuese e të përvajshme, nga të cilat të zë trishtimi, sikur u është sosur fryma e fundit qenieve instin­ktive...
(Dalloni veten nga insektet... o njerëz!) Kulla e tij qe shndërruar në tribunë teatrore ku ato dy bënin lojra har­monike, pa digresione të panevojshme, ashtu, të lirë...
Ai për të tjerët ndoshta s’ka ekzistuar fare, ai humbi, po, po... humbi diku. U përzie e humbi në grumbullin e funeralit... nuk e di pse dhe nga e lëshoi toka... Mbetën vetëm, o njerëz, vetëm, MJERË NE...
U shua dielli i botës njerëzore, u zhduk magjistari çudibërës, i cili qe i vetmi që mundte ta shkëpusë mjedisin ku jetonte  nga vorbulla e pushtetit tiranik.
“Me Lasgushin mund të ndodhë gjithçka dhe që nga thellësia ku qe varrosur ai mund të dërgojë mbi tokë dyzi­min e tij, misterin dhe ëndrrën që e kishte kur qe gjallë, por ai “mungusei i madh“, nuk kthehet më....
Merimanga sulmoi mizën... këtë e vërejta mirë me mikroskopin e vetëdijes sime. E pashë se me shpirtin e MIZËS po vdiste edhe shpirti i POETIT. Gjithnjë në errë­sirë, në shi e mjegull, në prangime ndërgjegjesh në katër­këndësha qelqi të pathyeshëm, gjithmonë sulmi i territ do t’na verbojë...,  përderisa zhduken qeniet më të sinqerta se vetë njeriu. MJERË NE!...
Frika më mblidhet gjol në trupin tim të ri kur kujtoj kurthet e jetës së mëkatshme, të rreme, iluzioniste...
M’u desh kohë që t’i kuptoja këto ligje (abstrakte) të domosdosë njerëzore, të ushqeja kultin e MERI­MAN­GËS..., të hidhesha në kthetrat e helmuar të këna­qësisë së çastit... dhe më në fund u binda se shkaktari i drejtpërdrejtë i ketij abstraksioni, këtij kaosi të ndezur nga pasionet e vet njerëzve, këtij krimi kulminant është vetë aftësia gjeniale e TIRANIT për zbulimet e mjeshtërisë së krimit...

HEROSTRATI

Ka jetuar në një vend me mjegullira të amshueshme, afër reve, buzë qiellit të pafund, më afër Ferrit se sa Parajsës, larg Perëndisë...
Nga lartësia e tillë kishte dëshirë të flaktë të depërtojë thellësive  të materieve të imëta  të tokës. Ky depërtim për të do të  ishte ikje nga zbrazëtia ku qe mbyllur... Nga lart çdo grimcë e pluhurit rrëfente nga një ngjarje, nga një mëkat që humbej në horizontet e panjohura të peisazhit të mizave... Këto pamje jepnin një magji tipike psikopatike duke e shndërruar atë nga trajta astrale – eterne në trajtë mon­strumi. Por, ç’arsye ka njeriu të shndërrohet nga trajta në tjetrën?! Edhe pse jeta e shqetësonte si pyetje e vdekja si përgjigje ai u desh të zbresë poshtë e t’i mund të ata që argëtoheshin duke gëlltitur mbeturina mëkatësh. Pëlqente karrikatura plumbash në gjoksin e atyre që matërbonin qyqet e natës, e dinte mirëfilli se ato ishin pjesa e sëmurë e zhgjëndrrës,  kishte një siguri të katërciptë për ta. Sensi i urrejtjes, si litari i ankthit ia shtrëngonte qafën sa që një ditë nuk arriti t'i korrigjojë vibracionet e tërmetit moral dhe vrau një të tillë. Mendonte se me një procedurë perfide të tillë do të qëndrojë vetë eureka e njeriut “PËR KOHËRA MË TË MIRA“...
Në një vend ku “Ferri“ i Dantes matet me gradë celsius, në një vend ku mundi i Sizifit matet me kiloxhul, në një vend ku shtypja e Dioklecianit matet me njutën... koha vazhdimisht do lindë HEROSTRATË, të cilët do i rrënojnë tempujt e mbretërive të negacionit...

KLEOBILI

Ai ka parë botën dhe është gërditur prej saj. I formuar prej një filozofie lokale, ai theksonte gabimet e mendjes së njeriut, rivalitetin e sistemeve të fizikës, kotësitë e speku­limeve hyjnore të metafizikës, fliste për ndryshueshmërinë e virtyteve, mbi forcën e pasionve mbi shqetësimet e shpir­tit, mbi rëndësinë dhe vështirësinë e studimit të vetvetes. Nganjëherë ishte ironik ndaj botës si Zaratrustra... dhe e dinte se një ditë do të vinte në shtëpi me kokën në torbë. Ai i bënte anatomi skeptike kohës së vet, iluminizmit, i cili lulëzonte si lakër veshlepur mbjellur mbi shtresa gjeo­lo­gjike ëndrrash dhe përrallash. Mbikqyrësit “fesë“së vërtetë të njerëzve u ofronin një të mirë të mundshme, u ofronin, një miklim për  emërues më të vogël të për­bash­kët... e cili ishte e mbështetur në optimizmin e Ministrisë së të Vërtetës... Njeriu ndjehet i burgosur në një kontur gjuhësor. Në gojët e tyre të kristalta vërehen ashiqare fjalët e gëlltitura me zorr dhe veten e vështrojnë si aktinie të tejdukshme deti. Nga larg shkëlqente buzëqeshja mbretë­rore e cila i ngjante asaj të Niobës. Para saj të gjithë luhateshin të ngathtë si skelete të squllur, të përmbytur (me devotshmëri) si gjaku në një bajpas koronar me shpresë në pavdekshmërinë e shpirtit (unë jam zoti juaj...) dhe me padurim, presin prerjen cezariane të mendimit... Ato momente frymoheshin me re të krypura heshtjesh dhe pastaj hiqnin “valle ujqërish” me një muzikë hipnotike. Disa hamshorë të një race të stërvitur duke kullotur në kope tamponësh bëhen viktima të ritit kanibal, vetëm të dëfrenin perandorinë me trillimet mah­nitëse e të pafaj. Sipas gjithë këtyre shenjave koha vuan nga një alergji e rrallë. Në këto diagrame historie gjendej edhe KLEOBILI i cili shpresonte se një ditë: „pironisti do të pajtohet me skeptikun; skeptiku do gëzohet për sukseset e ateistit; ateisti do t'i ndihmojë deistit; deisti do ta shpëtojë spinozistin“; besonte ne lidhjen miqësore mes rrymave mendore. Klithma e kotësisë përvidhet korridoreve  të universit në shenjë lutjeje PËR PAK MEND...

PARA PASQYRËS

Qëndroja para një pasqyre të errët, në thellësitë e së cilës paraqitej silueta ime. Kësaj here, pasqyra  më zbulonte tjera konture, tjetër fytyrë...
Zgurdullimi i syve dhe imtësimi lëshohej pas këtij zbulimi. Rri dhe vështroj. Nuk  e di se si më erdhi bindja se unë“ nuk e njoh veteveten”... Në veprimet dhe sjelljet e saj fillova t`i lexoj gjurmët e hutesës. Trishtimi kishte bërë fole  në thellësi të shikimit tim. Më kaploi një llahtari nga pamundësia e të kuptuarit se ç`po ndodh dhe çka duhej të ndërmirrja. Filluan të më ndjekin fantazitë, kjo sigurisht është vepër e djallit.
Nuk e di pse, por ndjeva nevojë t`i afrohesha, t`ia ledhatoja fytyrën e heshtur dhe t`ia fshija çdo brengë.
Ajo siluetë e njohur dhe e dashur që është aq sekrete dhe aq e afërt m’u bë sikur ktheu fytyrën nga unë. E kisha vështirë të filloja bisedën me të, më dhimbsej mos e lëndoj me ndonjë fjalë, nëse jo edhe ta urrej, ta mallkoj...
Fjalët plot mllef ngjiteshin në pasqyrë duke e mbuluar atë me një kore të pathyeshme të paqartësisë..., dhe silueta iku, u zhduk si një fshehtësi e cila do mbetet përjetë e pazgjidhur me përmbajtje të pazbuluar dhe të fshehur në thellësitë e pamatura në thellësitë e shpirtit.
E binda veten se çdo gjë ishte fare e thjeshtë. U mblodha kruspull me këmbët nën vete dhe me shikim kah pasqyra duke pritur të paraqitet përsëri silueta...

TAKIM ME VETVETEN

Rrija midis dhome, ulur në një karrige të shembur nga vjetërsia. Çdo orendi e dhomës, pastaj muret, dyshemeja dhe tavani ta çonin mallin e një skute ku çdo gjë kalbej nga lagështia. Kokës dhe fytyrës i binte një hije që dëbohej nga tavani i plasaritur, prej nga pandërprerë binin fije kashte e grimca pluhuri. Vetëm një llambë e vogël derdhte dritë të lodhur, dritë të verdhë.
Prapa këndit të errët fshihej dera e plasaritur. Papritmas fryu një erë e lehtë e cila m’i freskoi këmbët e lagura. Kuptova se dera ishe hapur. Dikush është futur brenda, ndjehej fryma që mbytej me pamjen valëvitëse.  Po, brenda është dikush. E shihja me habi lëvizjen e hijes. Po kur ajo iu afrua llambës u bë e ndritshme, dukej si trup njeriu, i tejdukshëm, i pamasë... Kur e shikoja më me nge, me sy si të macës, atëherë vijat e krokit dalëngadalë viza­to­nin siluetën e trupit tim prej mishi, vizatonin veten time... Ishte krejtësisht si unë, trupi, duart, këmbët, koka, sytë... O Zot, sa të ngjashëm jemi! Dua që me sy ëndrre ta zbuloj këtë realitet. Skena vetvetiu filloi të qetësohet. Ai filloi të flasë. Më rrëfente  për peripecitë e njeriut në hapësira të gjithësisë, për dhimbjet, për mëkatet e pafat­shme, për frikën, vetminë, krimet, për vrasësit e shtazëve të shenjta... Më thoshte shumë gjëra që kurrë s’i kisha dëgjuar, më fliste për një farë PËRSËRITJE TË AMSHUAR... Ishte i çuditshëm dhe hi­ste­rik. Sikur trupi i tij të ishte ndarë nga shpirti dhe ia kishte dalë të fluturonte lirshëm. Ky njeri kishte kohë që bridhte labirintheve të panjohura të trurit tim, ai ishte një ALTER EGO, i cili zhvendosi unin tim në rrathë tjerë shpirtëror për të arritur NIRVANËN...

MARTIRËT E RRUGËVE TË SHKELURA

Ngjeva brushën dhe zura të piktiroj në pikturë një pamje fëmijërie. Pastaj fillova të sodit me nge pikturën e kryer. E pashë me kurajo dhe pa këmbëngulje të lexueshme. U përballova me ato sy, gati lutës. Ashtu, padashur, ndjeva se fytyra ime krijoi frutin e buzëqeshjes. Më dukej vetja sikur zvarritesha rrëpirave të rrëshqitshme të ndonjë lumi. Mundohesha të ngjitem, por sërish humbisja.
Jeta është varrezë të puthurash, buzësh të kafshuara, gjymtyrësh të dhunuara, dhëmbësh të uritur... lidhje e marrë shprese e vendimit ku jemi lidhur e sjellur në dëshprim. Në netët e këndshme, nën dritën rrëzëllitëse të hënës, shikoja trupin tim tek notonte valëve të mëndafshta, që më përkë­dhelnin. Nuk ishin valë lumi, ishin valët e jetës që kërkonte të rilindet.
Koha është që të nisesh: o i braktisur... Ishte kjo dëshirë mizore dhe e shkurtër, më e stuhishme dhe e dehur, e vrazhdë dhe e pangopur. Kjo qenie e krijuar nga pluhuri donte ta nisë udhëtimin e vet të pafund, të përcjellë nga dhimbje të papërshkrueshme.
Do t’i pushojë këto dhimbje të kristalizuara; do të përpiqet ta dëgjojë jehonën e zërit të Perëndisë; do të nxjerë nga robëria e zbrazëtisë trupin e vet fizik; do të depërtojë në pamjet e krijuesve anonimë dhe pastaj t’i ndjejë thellë në shpirtin e vet ato vizione.
Qenia nga pluhuri që bënte rrugë nëpër përfytyrimet e mia e pa trupin e vet duke u kalbur në zallin e gjallë dhe në fund u bind se ishte vetëm një kroki e vizatuar nga pluhuri që të verbonte sytë. Njeriu në gjithë atë korpus vullnetarësh është një zhytës i zbehtë, i verbuar, përpëlitje e mjerë, shpikës i humbur, krahëror i ruajtur nga dheu...  sindrom lodhjeje.

SHTËPIA E SHPIRTIT

Një varg dritash mendimi më çon tek një portë prapa së cilës fshiheshin dy kthina. E para: kthina e së keqes...
Ngjarjet dhe përjetimet zvarriten pas meje si lecka të hudhura nga ditët. Me hapa të ngadalshëm  përvidhen drejt së kaluarës – botës së brengave. Aty gjithçka ka pamje dëshprimi e ftohtësie. Njerëzit janë të dyshimtë, askush s’ndjehet i sigurtë, madje as në shtëpi të vet, sepse besimi qe zhdukur që moti, ngadhnjente absurdi, çmendia dhe pasiguria.
Kur vinte nata, binin në gjumë me këmishat e çara e të padukshme të frikës. Një zhurmë e vogël  ta davariste dremitjen dhe kjo mjaftonte që heshtjes t’i jepte pamje ankthi. Qeni i tmerrit kishte nisur të lëvizë. Ai ishte zgjidhur dhe askush nuk mund t'i kundërvihej përparimit të guximshën të tij.  Zogu i kurreshtjes nis të të ngacmojë. Ç‘po ndodh? Përgjigjja e vetme do të ishte qortimi i heshtur, lëngimi i qetë apo mallkimi i pafjalë. Duar trishtimi ta zënë fytin dhe ti vazhdon të ushtrosh durimin në bodrum. Mbështjellur me pëlhurën e ankthit afrohesh pranë dritares dhe sheh meteorë plumbash që bien pa adresë, dëgjon klithma që zhgarravisin qiellin.  Frikësohesh.  Ajo frikë të mposht, e di.
Të nesërmen ngritesh,  për t’i mbledhur mbeturinat e atentateve, për t'i varrosur edhe atë me shpejtësi dhe me pak njerëz, sepse lehtë mund t’u bashkohesh. Kthehesh me vrull në shtëpi. Rrugës kthen kokën pas dhe sheh një pyll gjigant me njerëz që kalojnë kufirin për shpëtim. Por ti, mbetesh akoma në vatrën tënde. I përmbahesh bindjes dhe besimit tek Zoti ...
E mbyll derën si në ikje. Me shpresë për të mos u kthyer më në të. Në të majtë kam kthinën tjetër: kthinën e të mirave. Pres me erudicion të hyj brenda. Aty më pret ardhmëria, më presin krahët e hapur të befasisë, më pret liria...
Të dy kthinat, bashkë me atë korridor të ngushtë ku futeshin shpresat përbënin shtëpinë e shpirtit nga dritaret e së cilës rrjedhin ujëvara kujtimesh...

KOLONELIT KA KUSH T'I SHKRUAJË

I burgosur në qeli të qelqtë me pendë mundohesha t’i hiqja një fashë dhe ta mposhtja faqen e egërr të kohës.
Po shkruaj mllefshëm. Ethet e ndryshimit më kanë kapluar dhe strukem në një guacë vetmie. Aty shoh korbat e zi që mundohen ta mundin bardhësinë; shoh lulëkuqen së cilës i mungojnë ngjyrat e shpirtit, shoh buzëqeshje të ndry­dhura në kafaz dhe njerëz të vrarë nga vetvetja ...
Dita kriminale e veshur me pancir vinte e heshtur për të krijuar zhurmën. Po marr frymë thellë si deve e etur, vetëm që t’i shpërndaj ujërat e së tashmes në të kaluarën. Ndjej një ftohtësi metalike dhe ngrihem me vrull nga dremitja. E vërteta kërkon të dalë nga qenia ime, nuk dua të vuaj me dënimin hyjnor, s’dua të jem MENDJE­ROBË­RUAR, di se jam personifikimi i viktimës së ardhshme tipike, por, dije ti, LUCIFER, se unë rrënjët i kam nën tokë dhe marr lajme nëntoke... Nuk më ndjek më vetëdija e pafuqisë, jam hero mitik dhe me ty (tani) do luaj si me vetëtimat... Tani kur gjarpri i LAKOONTIT të afrohet pranoje dënimin e ATENËS..., e meriton !
E kuptoj se prapa buzëqeshjes sate rri  një pikëllim i fshehur dhe  mos kërko ndihmë nga ZOTRAT e tu paganë se s’të ndihmojnë dot. Dje ishte aq optimist sa shihje lule n’shkretëtirë, po sot...?  Heroi i nëntokës bën zhurmë e cila ta mërzit timpanin e veshit, albatrosi i rrëzuar sot u ngrit t’ia djegë hundën MARINARIT... Dikur ti hudhe zjarr në ishullin e pafajësisë, ku jetonin shpirtërat e virgjërr, dikur ti i shkaktoje orgazëm estetik miletit, tash je pushtuar si Troja përbrenda, falë gjenialitetit të ODISEUT...
Mëkati të xixëllon në ballë dhe dikush të para­lajmëron krizë të vetëdijes, atëherë të pamundësohet shqip­timi i klithmës tënde: MJERAN...! E dua të vërtetën më shumë se Platoni. Feniksi m’i mori brengat e m’i ktheu në bukuri të cilat kullojnë një ylber me të gjitha ngjyrat e shpirtit.
TANI KOLONELIT TË MARKESIT DO T’IA NJIHNI DEKORATAT E TRIMËRISË...



TREGIM MBI TREGIMIN

Nga dritarja shikoja shiun që binte në formë të litarëve të qelqtë që thyheshin nëpër pullaze, përplasesishin të valë­zuar nëpër xhamat e dritareve duke i goditur ato në formën e rënies së kamxhikut.
Rigonte pandalur. Sikur ca duar përrallore i milnin vazhdimisht gjinjët e lëvarur të qiellit.
Me pëshpërimen e erës hyra në dhomën e shkrimit. Vura kokën mbi tavolinë dhe mbylla sytë për të menduar më lehtë. Ndjehem krejt i tepërt, i panevojshëm si ai gurri i kuq që rri në Përroin e Thatë, i cili tretet çdo ditë pa patur kurfarë fuqie të ndryshojë rrjedhën mijëvjeçare të ujërave...
Mbi tryezën  e drurit më presin letrat e bardha. Nuk i kam numëruar sa janë, por lus Zotin t'i mbush të tërrat; kam aq shumë gjëra për të dëshmuar; të cilat s’ia them dot askujt. Vetes jo që jo. Dhe unë kam për t'i shkruajtur të gjitha. Do t'i nxij gjithë ato letra që kam. Do shkruaj deri vonë.
“Era shpërndau flokët e  mjegullave pas qafës së malit dhe në vend të tyre solli ca sorra të fëlliqura. Ai muzg me lulegjaku u njëllos me pllanga të zeza, të zeza sterë, që pillnin tmerr si në pikturat ekspresioniste. Qielli u mbulua me re sorrash që paralajmëronin ndarje, ethe, vetmi...
Më rëndoi një gravitacion i çuditshëm shpirtëror. Dhimbja e cila më stërpiku me ngjyrën më të zymtë të pikëllimit më solli në vete. Mbase ndjeva nevojë për prehje vetëmashtruese, mendja ime sikur dezertoi nga skena e tillë morbide dhe u nis drejt shtegut utopist. Tani nuk do më vinte çudi sikur nga ai qiell të shfaqet vetë djalli... Dhe ai u shfaq në formën më konkrete të njeriut. U takuam si dy re në shtrëngatë shiu...”
Fantazia ime e lodhur nga kërkimi i fjalëve nëpër natë, harbohet sakaq. Një vetëtimë që kaloi pranë dritares  sikur ma bëri me dorë. Tregimin që po e shkruaja  sikur po e përjetoja. Kam shkruar pak kurse ndjehem i lodhur sikur të kisha mbushur faqe të tëra. Megjithëatë s’dua të pushoj. Kujtimet më ngatërrohen; më përzihen ngjarjet, kohët, njerëzit. Kohët sidomos. Flas për  të kaluarën a në letër kam shkruar të tashmen. Kam frikë mos më paraqitet ai, ai... djalli i tregimit...
Por tek e fundit ç’farë rëndësie kanë të gjthë këto gjëra? Unë thjesht kam dëshirë, kam nevojë të shkruaj, ta derdh atë energji të grumbullar me vite....
“U takuam si dy re në shtrëngatë shiu. Edhe pse të dy njerëz, dalloheshim, ishim krejtësisht të kundërt. Elektri­citetet shpirtërore na  sollën afrimin dhe menjëherë vetë­timat...”
Menjëherë mu  kujtua ajo vetëtima e mëparshme që më përshëndeti. Ishte ky sinjal i mirë apo i keq?
Nuk e di...
“Me majën e shpatës së DEMOKLEUT (që i ngjante lapsit tim), grisa qiellin e sorrave prej ku hyri dritë e dielltë...
U verbua djalli. Ai nuk e do dritën, është mësuar në terr të mpiksur.
Ua dorëzova sorrave me idenë e moskthimit.” Hë, nuk kam shkruar edhe aq pak. Këto shkronja të zeza  e të ngjeshura, si mizat e dheut, përbënin ushtrinë time, mbu­rojën më të fortë. Ato më ndihmuan ta përzë djallin prej UNIT tim dhe t'i them të keqës HASTA LA VISTA...
Të urtët thonë: ”pas çdo shiu del dielli” dhe unë ngushëllohem në të, edhe pse pata një natë të sikletshme.
Ishte kjo një botë e harruar mes një libri me shumë fletë ku çdo gjë është e veshur me arna përrallash e legjendash fantastike. Më është varur gjumi për qerpikësh, nga sytë më kullojnë ëndrrat, kurse tregimin që sapo e mbarova e lagu shiu...


JETA DHE VDEKJA

Dy ekstreme të testamentit
            Dy roje vigjilente të shtëpisë së shpirtit
                        Jeta më tha : - jeto...
            Vdekja: „- jeto shpejt, vdis i ri
                        që ta kesh kufomën e bukur...“
Nata bën protestë sociale
kurse, unë, si luledielli prirem drejt zgjidhjes...
jeta nuk më sjell përjetësinë, ndoshta
me vdekje do ta fitoj pavdekësinë...

PO, NËSE VDES...

Me shtatë plagë vdekjeje po rri gjallë
Si Sizifi po e mbaj shkëmbin e jetës
Ditët e gjata si funerale vijnë,
e më lëpijnë trëndafilet e plagëve
e pastaj ikin.
Petalet e jetës i shpoi plumbi i pikëllimit
qefinin e imazheve e shqeu tigri i dhimbjes
Po, nëse vdes...
kush do të të ruaj ty nga e liga!
Ti je e paprekur nga mëkati...
Dikush ka ndezur qiriun e vdekjes
më duhet të shkoj,
ti ktheju vetvetes, përderisa unë
                       nuk kthehem...

SË SHPEJTI...

Së shpejti do bie mbrëmja
dhe dita do shuhet.
Vjeshta do vijë
natyra do vdesë.
Edhe njeriu së shpejti
do mbarojë së ekzistuari...
Bota do mbetet pa ëndrra,
pa gënjeshtra e të vërteta
madje edhe pa Zot,
Së shpejti...
Do ekzistojë vetëm
një dritës mospërfillëse
ajo e shpresës e cila
e cila më thotë Apokalipsi nuk ndodh
                             kurrë...

EKLIPSI I JETËS...

Me njërën dorë mban shpresën
të mos i bie në dhe
me tjetrën barkun, gjoksin, kokën.
Endet brigjeve të vetmisë,
kërkon lëmoshë n’prehër të fatit.
Troket shtëpive dhe me
një melankoli skofiare dridhet ngapak
ashtu thonë; ti je materie pa shkak.
Zemra ia gatuan zhgënjimin
ditët ia gërvishtin fytyrën
bukurinë tënde të përlyer...
Ti s`po e kupton mjedisin
andaj mos përligj absurdin
Bota mondane është pedante.
Jeta jote nuk çon peshë
as sa një fije floku,
ajo pështyhet, këputet
e hidhet si lule shtogu.
Rrëmbyer i ke teshat dhe
brenga të duket tejpërtej.
U linde i tillë,
Mësove që i vogël ABC e mjerimin,
gjuhën e troshkave
vizatove në lëkurën tënde nga uria.
Aurora boreale s`vonoi,
Zoti ta shpërblen durimin
 erdhi EKLIPSI I JETËS...

QYTETI IM ...

Qyteti im, ky ishull plot iluzione
i rrethuar me detrat e kthjelltë të lumturisë
shndërrohet në betejë glatiatorësh...
Arsyet e bezdisjes të renditura n’anarki
s’japin dot sqarim...
Parfumi i barotit kundërmon mbi kokën tënde.
                                                              
Mbi rrugët e saj pa dashur bien gjethet e luleborës
e unë më kot i rrah muret e heshtjes
për të nxjerrë zë, të ulët.
Si klithje n`humnerë për „pak dritë”.
Qyteti im, ti u linde në det të lirisë
pse lejon të t'i përziejnë ujërat?
Copa bisedash shumëgjuhëshe rreth çështjes sate
Qyteti im, ti s`je lodër mes dy vullnetarësh
ti je imi.
Gjuha e dhimbjes së këtij qyteti
flet trotuareve të botës.
Bota merr vesh vetëm shqetësime të mëdha.
Në qytetin tim edhe “djalli shtirret engjëll”...
Në klasa s’bëjnë zhurmë karriget
dhe profesori me këshilla prifti nuk është më.
Ai iu ngjit “çetës së profetëve...”
Më duket se ditët digjen
                    nga zjarri i mosshpresës.

Më kot, unë s’u besoj ditëve të pabesa,
i lodhur jam nga predikimet e apostujve partiakë.
Kam frikë se mos më ndjekin duart
e lamtumirës së fundit për këtë qytet.
Por, edhe i vdekur do të qaj për ty qyteti im.
Nga amshimi do e dërgoj Nuhin, që të konstruktojë
varkën e shpëtimit për ty qyteti im.
Me troshka shpirti do ta ushqej pëllumbin.
E di, se ofshama e pranverës t’i preu të gjitha këmbanat
Por, jo edhe atë të shpresës.
Mbi shpinat e shekujve
Kali i Trojes i mbushur me pjesëtarë të mbretërisë
REFUGIUS..., kalon kufirin për shpëtim.
Kurrë s’dolëm nga rrëngaja e halleve,
balli me  rrudha na u mbush.
Qyteti im, ti je i fshehur në guximin tim
Por, vetëdija e pafuqisë më lidh me pranga perëndie
liria bëhet burg...
Çka i bëmë Zotit që na dënoi me një fat të tillë?
Dhe kur’ani lëshon zë libri
Zoti sheh dhe gjykon.
Ai është arbitri suprem.
Por, si ta ngushëlloj fytyrën e dëshpërimit?
Më trego ti, Konstantin me mjekër
që udhëton edhe pas vdekjes.
Po ecim drejt një kortezhi për të varrosur botën...
Qyteti im, ti u shndërrove n’Rozafë.
Të duhet një kurban për mosrrënim...
Therre gjysmën e botës atë të keqen,
therri ato që të bënë atentat kur flije,
burgosi femrat bjondine – police
që s’i ngjajnë Helenës...,
dhe varrosi.
Atëherë nuk do të rrënojnë stuhitë.
E bëj përsëri pyetjen,
vallë a e kaluam këtë pranverë të akullt?
Qyteti im, ti je i gatshëm të harrosh këtë
Stinë, por jo edhe ta shlyesh nga kujtesa,
sepse të dënon historia.
Në turmë drunjsh digjet dëshira jote, qyteti im,
Kostum flake të ka qëndisur Penelopa e Vlorës
që të kërkosh veten në llogore të fituesve, qyteti im.                        
Nga e gjithë kjo pikëpyetje më ngulesh
në dalje të rrugës, qyteti im, populli im.
Pse?


EMOCIONI I PASURUAR ME MENDIM

Në librin "Romeo patjetër duhet të vdesë", Arlind Farizi shpalon me lehtësi trazimet shpirtërore të një matu­ranti, ndjenjat e përkallura nga dridhmat, puthjet dhe dhemkat e ëmbla të dashurisë..., duke dhënë pavetëdijshëm dhe frymëmarrjen e brezit të tij, madje imazhin gri të vorbës sonë në vlim.
Rrëfimi i Arlindit është konciz dhe i sinqertë, aty-këtu me përsiatje interesante filozofike. Çdo frazë e tij dëshmon kulturën e lakmueshme letrare, aftësinë për t'asorbuar atë që ia vlen të absorbohet si dije nga një krijues i ri. Lë përshtypje figuar e thjeshtë e frazës dhe emocioni i pasuruar me mendim.
Kalimi prej prozave të shkurtëra në ciklin e poezive të pakta, të dhëna në fund të librit, është gati i pandjeshëm. Kjo për shkak se rreshti i tij është përplot shprehje poetike.
Arlindi ka kohë ta kultivojë artistin brenda vetes, sepse është shumë i ri. Pa mëdyshje ai do ta shpiejë më tej krijimtarinë e filluar. Ky libër shënon vetëm hapin e tij të parë të hedhur në botën magjike të artit letrar. Dhuntinë e ka me bollëk. Mbetet t'i urojmë përmbushjen e ëndrrave dhe ngjitjen e suksesshme n'panteonin e të rrallëve...
Fatmir Sulejmani





Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...