ENVER ROBELLI: QERISHTË E IVICA DAҪIQIT



 Kryeministri i ri serb, Ivica Daçiq do të propagandojë hapur ndarjen e Kosovës. Dhe drejt këtij qëllimi nuk do të ndalet me provokime, siç ishte betimi i xhandarmërisë serbe.

Shumica prej jush e dinë atë anekdotën me qershi. Niset njëri të shkojë në Shkup dhe rrugës e merr uria. Ec e ec dhe gjen një qershi, prej së cilës vjel disa. Si bukëpërmbys që ishte dhe pasi u ngop mirë me qershi, ai mbi ato që mbetën bëri shurrën (puritanët të më falin për gjuhën). Vajti pastaj në Shkup, kreu punë(t) dhe u kthye rrugës së njëjtë. Sërish e mori uria, sërish kaloi afër qershive që i kishte lënë skaj rrugës dhe nisi t’i shikonte. Dikur mbushi grushtin me qershi dhe pasi e bindi veten - “këtë e kam pshurrë, e këtë jo” – ai nisi t’i shijojë qershitë. Pas pak vërejti se nuk kishte mbetur asnjë qershi.

________________________



BETIMI I XHANDARMËRISË SERBE, MË 28 QERSHOR 2012!


.....................................................



BETIMI I XHANDARMËRISË SERBE, MË 28 QERSHOR 2012!



.....................................................

13 herë Kosovë!

Pak a shumë e tillë ishte edhe parada nacionaliste e Ivica Daçiqit, kryeministrit të ardhshëm të Serbisë, gjatë ditëve të fundit. Së pari ai mori pjesë në një ceremoni të xhandarmërisë, me ç’rast njëri prej pjesëtarëve të saj, duke u krekosur, recitoi një betim qesharak, ku hiç më pak se 13 herë përmendej Kosova! “S’mund të jetoj pa Kosovën, s’mund të marr frymë, s’mund të ha pashtetë, s’mund të qëroj molla, s’mund të fluturoj, nuk më zë gjumi – pa Kosovën!” Edhe kështu, me ton humoristik, mund të shikohet betimi i xhandarmërisë serbe. Në fakt betimi ishte i ndërtuar me një gjuhë të qullët nacionaliste dhe mitike, e cila për njerëzit që e mbajnë mend kohën e mitingjeve dhe bartjes së eshtrave të Car Lazarit nëpër Jugosllavi, nuk paraqet kurrfarë befasie. E vetmja befasi mund të jetë se që nga atëherë kanë kaluar mbi 20 vjet dhe në Serbi, madje në strukturat kryesore të sigurisë, ende ka figura që propagandojnë mite politike, historike dhe luftënxitëse. Pas bërjes publike të betimit të xhandarmërisë, Daçiqi në stilin e atij udhëtarit që kthehej nga Shkupi deklaroi se kurrë s’e kishte miratuar një tekst të tillë, se ai nuk mund të ishte betim etj. Në këtë furi demantesh Daçiq po ashtu “e hëngri” edhe një qershi të pshurrur: tha se nuk kishte kërkuar kthimin e forcave serbe në Kosovë, edhe pse e kishte bërë këtë ditën e Vidovdanit.

Miti dhe e vërteta

Sa i përket Vidovdanit duhet theksuar se nuk ishte beteja e 28 qershorit 1389 vendimtare për pushtimin e Ballkanit nga osmanët, siç pretendojnë nacionalistët serbë, por ajo e nëntorit të vitit 1448, kur Sulltan Murati II gati e shfarosi ushtrinë hungareze mu në Gazimestan, aty ku ishte zhvilluar beteja e vitit 1389. Pas disfatës së ushtrive ballkanike në vitin 1389, paria serbe preferoi të bëhej vasale e osmanëve. Ja ç’shkruan në lidhje me këtë historiani Oliver Jens Schmitt: “Si princ ortodoks (despoti, v.j.) Gjuragj Brankoviqi qëndroi larg përpjekjeve katolike për një kryqëzatë. Ai shpresonte se si vasal osman do të arrinte të evitonte si ndikimin perëndimor (dmth. hungarez) ashtu edhe atë osman. Për këtë arsye ai nuk mori pjesë në ofensivën e dytë të madhe të Huniadit dhe Skënderbeut. Në nëntor 1448, Murati II mposhti deri në shfarosje ushtrinë hungareze pikërisht në atë fushë ku ishte zhvilluar beteja e vitit 1389. Skënderbeu ishte kurthuar në zënka të vogla në Shqipërinë e veriut dhe ishte vonuar të mbërrinte në Lindje. Tek beteja e dytë në Fushë-Kosovë vulosi fatin e Kosovës. Despoti serb nuk kishte mbështetur ushtrinë katolike dhe e pagoi këtë me humbjen e Kosovës (1455) dhe – pas vdekjes së tij – me fundosjen e gjithë principatës serbe”. Për fat të keq është një traditë e pështirë ballkanike që të injorohen faktet historike dhe ngjarjet të shikohen nga furriku kinse i ngrohtë nacionalist.

Liria e palaços

Diçka e tillë Kosovën e pret edhe në vitet e ardhshme. Për herë të parë pas rënies së Slobodan Milosheviqit më 5 tetor 2000, dy postet kyç në Serbi i mbajnë trashëgimtarët e tij politikë: Tomislav Nikoliqi dhe Ivica Daçiqi. Derisa Nikoliqi ende duhet të dëshmohet se është “evropian”, prandaj sidomos në fillim do të ketë kujdes sa i përket fjalorit të ashpër, Daçiqi në 4 vitet e fundit është “dëshmuar” në Bruksel si ministër i Brendshëm dhe mbështetës i agjendës evropiane. Dikur ka qenë në listën e personave që i ndalohej hyrja në BE, tash në kryeqytetin e Evropës i hapen portat dhe gëzon lirinë e palaços.



Milloshi i vogël Daçiq, kryeministër i Serbisë!

_____________________________

Në raport me Kosovën, Daçiqi hapur do të kërkojë ndarjen e saj territoriale. Këtë ai e ka bërë publike edhe kur ishte në pushtet me “Partinë Demokratike” të Boris Tadiqit. Ideja për zgjerimin e sërishëm territorial të Serbisë nuk është e re: që nga shekulli i 19-të Serbia ka synuar të zgjerohet në dëm të popujve të tjerë të Ballkanit. Shpeshherë këtë edhe e ka arritur. Kjo politikë ka qenë e shoqëruar me masa brutale, përfshirë masakrat dhe zhvendosjet e dhunshme të popullsive fqinje të serbëve. Daçiqi do të përpiqet të vazhdojë këtë traditë, duke kërkuar së paku veriun e Kosovës, i cili si zonë kufitare mes Kosovës dhe Serbisë prej përfundimit të luftës së fundit (1999) gjendet jashtë kontrollit të autoriteteve të Prishtinës. Për të arritur këtë qëllim në katër vitet e ardhshme (ose për aq sa zgjat qeverisja e Daçiqit) nuk do të mungojnë provokimet ndaj Kosovës, siç ishte ky me betimin e xhandarëve. Në terren do të vazhdojë gjithsesi edhe sabotimi i çdo përpjekjeje ndërkombëtare për integrimin e serbëve në shtetin e Kosovës - derisa në tavolinën e bisedimeve do të kërkohet autonomi për veriun si hapi i parë drejt shkëputjes. Për dallim prej palës shqiptare (kosovare), e cila qeveris sot për nesër, strategjia serbe është shumëvjeçare dhe ka një qëllim: pamundësimin e funksionimit të shtetit të Kosovës.

Fletërrufeja mbi urë

Nga përvoja e konflikteve të fundit në Ballkan dihet se bashkësia ndërkombëtare i ka lëshuar pe atij që në vijimësi e ka ditur se çfarë dëshiron. Në veri të Kosovës në 13 vitet e fundit nuk kanë pasur strategji as autoritetet e Kosovës, as ato ndërkombëtare. Disave ndoshta u kujtohet marketingu politik i shefit të UNMIK-ut, Michael Steiner, kur me një fletërrufe të vendosur mbi urën e Ibrit shpalli bashkimin e Mitrovicës. Paçka se vlefshmëria e asaj fletërrufeje nuk zgjati më shumë se koha që kishte marrë qatipi unmikian për shkrimin e saj. Këto ditë po shohim se si nga Kosova po përgatitet të largohet Steineri tjetër, diplomati holandez Pieter Feith, i cili është kujdesur që të zbatohej decentralizimi, të miratohen ekstraligje për Prizrenin dhe rajone të tjera të Kosovës me prani simbolike të pakicës serbe, të mbrohet me sa më shumë ligje gjuha serbe etj. Të gjitha këto do të gëlltiteshin sikur Pieter Feith të kishte bërë diçka edhe për shumicën shqiptare. Ajo në sytë e këtij diplomati thua se nuk ekzistoi fare. S’bëri gjë kundër privatizimit mafioz; s’bëri gjë kundër shndërrimit të televizionit publik në celulë të kodoshëve të nëntokës politike; s’bëri gjë as kundër ministrave të akuzuar nga publiku për korrupsion; Feith kishte vetëm një shqetësim: si t’ia zgjaste mandatin vetes pa bërë asgjë për shumicën e shqiptarëve të Kosovës! Tash ka paturpësinë të flasë për fundin e mbikëqyrjes së pavarësisë, pasi ia ka lënë Kosovës një plagë të hapur, të cilën në vitet në vijim do ta shkallmojë Ivica Daçiqi. Nuk do të befasoheshim sikur në fund të vitit Feith të kthehej si ndërmjetës i BE-së në negociatat Prishtinë-Beograd për një “autonomi gjithëpërfshirëse” për veriun e Kosovës.

Kontakti me autorin: robelli@bluewin.ch

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)

Legjenda e Mujit dhe Halilit