2012-12-30

HULUMTIMI ETIMOLOGJIK I TË VËRTETAVE HISTORIKE


From: S. Guraziu <letrat1@yahoo.com>
To: letrat2@yahoo.com
Sent: Sunday, 30 December 2012, 12:28
Subject: Parodizim - Hulumtimi etimologjik i te vertetave historike


Si e quajti Kolumbo kontinentin e ri, Amerikë? Bill Clinton nuk lindi në Irlandë (lexo: Ilirlandë)
 

(Parodizim i vjeter, 1997 - shkeputur nga Lista e vjeter e State University, NY - lidhur me "shkencën" dhe eseistiken shqiptare... e cila shkencë vazhdon nga disa autorë dhe sot e kesaj dite me te njëjten qasje "shkencore"!

Dmth atehere kur akoma s'kishte Internet në kuptimin e plote te fjales në Tirane e Shqiperi, kur lehte mund te thuhet se shqiptaret vetem zerin ia paten degjuar Internetit. Qasja e shkallezuar (masive) ne Internet erdhi vetëm pas vitit 1997. Operatori i parë ishte Intellectual Communication Center-Albania e më pas në vititn 1998 Abissnet dhe Adanet. Së bashku me operatorë të tjerë ato filluan të shtrijnë shërbimin e internetit fillimisht në Tiranë, në përfaqësitë diplomatike, ato shtetërore e më pas në qytete të tjera të Shqipërisë.

Ilir O. Logu (pseudonim - verejtje nga S. Guraziu: emri i autorit te shkrimit eshte i njohur per mua vetë - eshte gjerman, anetaresuar atebote ne Listat e University at Buffalo Archives The State University of New York, 1997 - Listat akoma jane te arkivuara online, edhe pas kaq shume viteve, http://listserv.acsu.buffalo.edu/ - duhet identifikim per qasje)


-----/ teksti këtu i këputur nga S.G si moderim, per arsye etike /----- 
...Fort mirë e përcaktoi Dr. Rugova punën e qerreve kozmike. Prapëseprapë, fjalët e tij kërkojnë një korrigjim të vogël: Pathfajnderi nuk të "përkujton" qerret e kultit të diellit të ilirëve, jo jo jo, pathfajnderi ËSHTË qerre ilire!

"Pathfinder"-i s'është gjë tjetër veçse thjesht kopja e qerreve diellore ilire. Gjë që shihet qartazi qysh në bazë të emrit të qerres kozmike "amerikane": siç kam treguar me argumente të pakundërshtueshme shkencore në veprën time epokale trembëdhjetëvëllimshme "E vërteta triumfon: Prejardhja ilire e të gjitha gjuhëve të botës", fjala "pathfinder" (shqipto: pathfajnder) ëshë një leksem i stërlashtë ilir: PA FAJ me NDER - shprehje kjo që njihet si kushtrim i lashtë ilir. 
Shfrytëzoj rastin e përshtatshëm për të vënë në dukje se ç'më shtyri e më frymëzoi për hartimin dhe për shkrimin e veprës sime etimologjike: çasti vendimtar ishte ballafaqimi me tezën absurde të rilindasit bullgar Paisij Hilendarski sipas së cilës kryeqyteti i Perandorisë romake paska pasë emër sllav sepse - siç trilloi ky murg ortodoks në librin e tij "Istorija Sllavenobollgarskaja" më 1762 - romakët paskan përdorë fjalën sllave për "paqe", dmth. fjalën "mir", për të shënuar karakterin paqedashës të perandorisë së tyre, ku sipas ligjeve të gjuhësisë paska ardhur deri te metateza e dy bashkëtingëlloreve kështu që "mir" u shndërrua në "rim", prandaj kryeqyteti i Perandorisë romake quhej "Rim". 

Medet e vaj! Murgu bullgar në ethet e tija nacionaliste s'mori parasysh veç një vogëlsi: serbët e bullgarët e quajnë "Rim", vërtetë, ama vetë romakët e quanin Roma! Ja, kështu nuk bën në punët e shkencës! Në atë moment kob-bardhë vendosa t'ia nisë hulumtimit etimologjik të së vërtetës historike. ("Roma" në të vërtetë është fjalë ilire: RR(n)O MÂ dmth. rrno edhe mâ tęj).

***
Me siguri e dini se gjithë Amerika me gjithë kryetarin e saj Bill Clinton është kryekëput ilire. Po, si jo! Emri i presidentit Clinton (shqipto: Klinton) është emër tepër i bukur ilir: KË (= ke) LIND NDË (kë)T'ON (=anë) = KE LINDË NË KËTË ANË! Kështu të parët e tij donin t'ia përkujtonin faktin se Bill nuk lindi në Irlandë (lexo: Ilirlandë) por, siç e theksuam pak më parë, "në këtë anë". Duke vërtetuar gjithnjë e më shumë se çdo gjë n'Amerikë është ilire, mirresha me kronikat e indianëve tek hasa edhe në shpjegimin tepër lucid të emrit të kontinentit: në kronikën e lashtë të indianëve gjeta raportin e saktë për takimin e parë të Kolumbos me prabanorët e kontinentit. Ata kishin vëzhguar afrimin e anijes së tij dhe sapo shkeli në tokë të tyre ia bënë pyetjen: "A MBËRRIJTKE?" ku spanjolli Kolumbo dëgjoi një "AM(B)ERI(J)KE?" dhe kontinentin e quajti "Amerike".

Në fund dua të shtoj që vendosa të shkruaj edhe një vazhdim të veprës sime shkencore, tash me titull "E vërteta trim-fone" ku, për t'iu shpëtuar shkrimit të një vepre njëqindvëllimshe, vendosa t'ia kushtoj vetëm hulumtimit të atyre gjërave fort të pakta që s'janë pellazgo-ilire.

Me nderime,
Ilir O. Logu (ps), 1997

Materialet dhe Referencat: University at Buffalo Archives The State University of New York - http://listserv.acsu.buffalo.edu/

No comments:

Post a Comment

Myrvete Dreshaj – Baliu: Shëmbëlltyra e Adem Jasharit dhe familjes së tij në poezinë e sotme shqipe 1,2 3.

            Profesor Dr. Myrvete Dreshaj-Baliu, PHD.   Përmbledhje e shkurtër: Objekt i kërkimit në këtë studim është reflektimi i shëmbëllt...