2013-01-02

Nga MUDr.Jozef Vinar-Shqiptarët, gjuha, këngët…




Kombi shqiptar është një degë më vete indoevropiane, rrënjët e të cilit zënë fill nga ilirët e lashtë që banonin në hapësirën e gjerë përgjatë bregdetit Adriatik e Jon deri në Greqi, duke u shtrirë thellë në brendësi të vendit. Vetëm gjatë dyndjes së popujve shqiptarët u tkurrën në kufijtë që afërsisht përbëjnë Shqipërinë e sotme. Eshtë një vend malor me bjeshkë piktoreske e shkëmbinj të thepisur, tepër i vështirë për t'u arritur nga udhëtarët, kërkuesit e për t'u pushtuar nga ushtritë. Jashtë Shqipërisë jetojnë edhe shqiptarë të tjerë, të shpërndarë nëpër koloni, kryesisht në Greqi dhe në mbretërinë e dikurshme të Napolit. Gjithashtu një qendër e Zadarit, kryeqytetit dalmat, është e banuar me shqiptarë. Ata kombësinë e tyre e kanë ruajtur edhe në vende të huaja midis popullsisë autoktone, përgjatë shekujve të kaluar.
Nga Zadari, siç u përmend, kroatët këtë qendër e quajtën Arbanasi, italianët Borgo Erizzo, por që prej kohës së Republikës Venedikase ata ruajnë gjuhën e zakonet e tyre, ndonëse numërohet vetëm një grup prej rreth dymijë banorësh. Gjuha shqipe dallohet nga trajtat e saj jashtëzakonisht të shkurtra dhe koncize, por ka një numër të madh fjalësh njërrokëshe që të kujton disi anglishten. Ajo ndahet në dy dialekte: Ai i veriut ose ndryshe gegërishtja dhe ai jugor ose toskërishtja.
Kufijtë ndërmjet tyre i ndan lumi Shkumbin. Kolonitë shqiptare të Greqisë dhe Italisë flasin dialektin e jugut, ndërsa shqiptarët e Dalmacisë përdorin dialektin e veriut. Nga pikëpamja fonetike gjuha shqipe është shumë e pasur dhe njësoj si gjuhët sllave ka bashkëtingëllore të zbutura, por edhe zanore tingëlluese. Kjo pasuri fonetike shkakton parregullsi të theksuara në drejtshkrim. Banorët veten e quajnë shqiptarë (skyptar) dhe vendin e tyre e quajnë Shqipëri. Turqit i kanë quajtur arnautë. Shpirti luftarak dhe qëndresa kanë karakterizuar shqiptarët që nga koha e stërgjyshëve të tyre Ilirë. Vendi tepër malor ka qenë shkollë e mirë për kalitjen e karakterit të tyre. Por gjithsesi në histori kombi shqiptar ka luajtur një rol pasiv. Në kohën e vjetër, pas një qëndrese të ashpër iu nënshtrua romakëve; pas ndarjes së Perandorisë mbeti nën Bizantin. Në mesjetë zëvendësuan njëri-tjetrin pushtuesit serbë, bullgarë, normanë, venedikas, kur pjesën më të madhe të vendit apo pjesë të vogla i përfshinë nën zotërimet e tyre.
Ndërkohë shqiptarët u përpoqën të ruanin rendin fisnor si dhe principatat e vogla që nuk mundën të bashkoheshin në njësi të gjera politike. I vetmi burrë i aftë për një qëllim të tillë ishte heroi kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Koha e shkurtër e jetës së tij si dhe lavdia e fitoreve e ngritën Shqipërinë menjëherë nga ndasitë e deri atëhershme dhe pasiviteti, në skenën e historisë botërore, duke u siguruar shqiptarëve një vend të nderuar në historinë evropiane. Vendet perëndimore do të ishin mirënjohëse për faktin se shqiptarët i ndaluan mësymjet turke pikërisht në kohën kur ato ishin më të furishmet.
Turqit osmanë u shfaqën në gadishullin Ballkanik në vitin 1367, nën sulltan Orhanin. U vendosën fillimisht në kryeqendrën Edrene (Adrionopol), fituan betejën e Kosovës në 1389 kundër perandorisë serbe dhe menjëherë u dukën në kufijtë e Shqipërisë. Princi Gjon Kastrioti me kryeqendrën e tij Krujën, në Shqipërinë e Veriut, i mundur, u detyrua t'i japë sulltan Muratit të katër djemtë e tij si pengje. Më i riu ndër ta ishte Gjergji. Nën robërinë turke së bashku me vëllezërit e tij u edukua me besimin muhamedan, duke marrë dhe emrin turk Iskander-beg e duke ruajtur më pas përgjithmonë formën Skënderbeg. Pasi Gjergjit i vdes i ati, Sulltani dërgoi në atë jetë edhe tre vëllezërit e tij, por Gjergjin e ruajti duke çmuar forcë shpirtërore dhe fizike të tij. Gjergji me zemër mbeti kristian, shfrytëzoi mundësitë e afruara për të përfituar nga arti luftarak turk dhe priti çastin e duhur për t'u hakmarrë dhe për të fituar lirinë. Dhe pas një pritjeje të gjatë, rasti i erdhi. Sulltan Murati i besoi një ushtri të madhe për të luftuar kundër Ukrumëve, udhëheqës i të cilëve ishte Janko Sibinsky, i njohur në këngët epike të sllavëve të jugut, si një figurë e shquar historike. Ndërkohë Gjergji u mor vesh me kundërshtarin, inskenoi humbjen e ushtrisë turke dhe mandej në tërheqje e detyroi vezirin të lëshonte një ferman, sipas të cilit komandanti i kështjellës së Krujës duhej t'ia dorëzonte pushtetin Skënderbeut. Me këtë manovër e çliroi qytetin nga robëria, i mohoi sulltanit besnikërinë, bashkoi popullin për t'u mbrojtur nga sulmet e turqve dhe luftoi e fitoi kundër tyre duke thyer ushtri numerikisht shumë më të mëdha.
Por është për të shënuar se në gjuhën shqipe janë ruajtur shumë pak kujtime për njërin nga strategët më të mëdhenj të kombit. Skënderbeu pati jehonën më të madhe ndër sllavët e jugut, kryesisht te shkrimtari kombëtar kroat Andrije Kocice Miosice, qënë librin e vet "Rogovor ugodni naroda slovinskoga" i kushtoi kapituj të tërë Skënderbeut, duke e quajtur si një hero sllav. Në librin e Vicenso Stratigo-it "Litteratura albanese" botohen në prozë italisht disa nga këngët shqiptare kushtuar Skënderbeut, origjinalin e të cilave nuk munda ta shtie në duar. Në gjithë këta shembuj Skënderbeu paraqitet si një djalë me forcë fizike të jashtëzakonshme. Thuhet se kur ishte ende fëmijë mundohej të nxirrte nga milli shpatën e të atit të varur në mur. Ndërmjet të tjerave ai u dallua në duele dhe beteja. Një ditë prej ditësh, siç e tregon gojëdhëna, Skënderbeu me shokë rrinte pranë një përroi të rrëmbyeshëm duke ngrënë mish gjuetie e duke pirë verë nëntëvjeçare të vjetër. Nga kodrat aty pranë u dëgjuan britma të forta. Heroi Milo Shini ishte ulur pranë Skënderbeut. Ky iu drejtua atij me këto fjalë: "Nisu vëlla atje lart në kodër të shohësh ç'janë këto britma. Nëse është ndonjë shtrëngatë kthehu tek unë, por nëse janë turqit eka merr më dhe mua të luftojmë bashkë.". Milo Shini u ngjit përpjetë dhe hasi ushtrinë turke. I vinte turp të thërriste Skënderbeun dhe iu drejtua vetes: "O krahët e mi të fuqishëm, nëse keni zemër hidhuni shpejt në luftë". Dhe një zë i brendshëm iu përgjigj: "Nëntë zemra mua më rrahin, nëntë armiq mund të vras". Pyeti shpatën e tij: "Shpata ime besnike, sa armiq mund të kositësh?" Shpata iu përgjigj: "Nëntë zemra mua më rrahin, nëntëqind armiq mund të kosit". Pastaj pyeti kalin e vet: "Kali im i dashur, sa mban zemra jote?" Kali i përgjigjet: "Nëntë zemra më trokasin, nëntëqind armiq mund të mund". Atëherë iu drejtua qiellit: "Zoti im dhe ti Shën Pal", bëri kryqin dhe fluturoi si skifter mbi një tufë pëllumbash. Ngado që shkonte armiqtë binin të vdekur deri sa arriti tek njëri që gjaku i kish mbuluar sytë. Ai ashtu nëpër tym nxori shpatën dhe e plagosi në sup. Në këtë çast Milo Shini njohu se kundërshtari ishte vëllai i tij i turqizuar. E përqafoi me dhembsuri dhe e shpuri te Skënderbeu që e priti me dashuri.
Ky libër tregon gjithashtu shkatërrimet që ndodhën pas vdekjes së heroit. Kur Skënderbeu ndjeu se jeta e tij po fikej, thirri pranë vetes djalin me të ëmën si dhe shumë princa shqiptarë, e u la amanet që pas vdekjes së tij ata të qëndronin të bashkuar, me dashuri dhe të ruanin gjithçka që u la trashëgim, të fituar me mund në shumë beteja. Djali duhej të merrte nënën dhe nëpërmjet detit të arrinte në mbretërinë e Napolit. Kur të rritej, të kthehej në Atdhe dhe të kujdesej për vendin. Duke vdekur heroi la si amanet gjithashtu që kalin e tij ta lidhnin në një qiparis në breg të detit, aty të ngulnin flamurin në tokë dhe të varnin armët në pemë. Kësisoj kur të frynte era kali të hingëllinte, flamuri të valvitej dhe mbi pemë të shndriste e të tundej shpata duke u kallur lemerinë turqve.
Këngët e Skënderbeut të përkthyera në këtë vëllim janë nga një përmbledhje e Skiroit dhe në tërësi nuk përmbajnë karakter të theksuar shqiptar. Mund të mendohet se në kohë të reja ndonjë rapsod i ka përpunuar dhe i ka përhapur ndër fqinjët sllavë. Me vdekjen e Skënderbeut mbaron heroike dhe zënë fill shekujt e robërisë. Njëri pas tjetrit qytetarët ranë në duar të turqve dhe vetëm disa krahina mbetën përkohësisht nën zotërimet venedikase. Shqiptarët u përpoqën herë pas here të shkundnin zgjedhën e huaj duke kërkuar edhe ndihmën e mbretërive kristiane perëndimore, por pa dobi. Kështu që një populli të varfër s'i mbeti gjë tjetër veçse t'i dorëzohej fatit ogurzi. Ndonjë nga fiset ruajti njëfarë autonomie duke u qeverisur sipas zakonesh të ngurta, por gjithsesi tërë vendi prej asaj kohe iu nënshtrua një rënieje kulturore aq sa pasojat e saj shfaqen deri në ditët tona. Një pjesë e rëndësishme e banorëve përqafoi fenë muhamedane dhe kësisoj krahas ndasive fisnore u shtuan dhe ndasitë fetare, pra pengesa të tjera për bashkimin e shqiptarëve. Nga shqiptarët e konvertuar turqit rekrutuan ushtarë të shkëlqyer, që aftësitë e tyre luftarake i treguan kudo në luftrat e mëpasme. Nga ana tjetër, shumë familje e lanë vendlindjen për të gjetur strehë në dhe të huaj, kryesisht në krahinat e Napolit dhe Venedikut.
Në fillim të shekullit të 19-të një tjetër burrë arriti të bashkojë një pjesë të madhe të Shqipërisë nën sundimin e tij kundër perandorisë osmane. Ky ishte Ali Pashë Tepelena, burrë jashtëzakonisht i guximshëm, ndërmarrës dhe luftëtar i shkëlqyer. Aliu ishte administrator i sanxhakut të Janinës. Qytetin seli të tij e ktheu në një kështjellë të fortë, zgjeroi pushtetin në Shqipërinë e Jugut dhe veproi si një sundimtar i pavarur. Nga luftrat që ndërmori kundër fiseve të pabindura, siç ishin Suljotët, u shqua për mizoritë që shkaktoi. Gjithsesi për kauzën e vet mundi të bënte për vete shqiptarët e të gjithë besimeve dhe kryengritjet e tij patën jehonë kombëtare, ndonëse bëhej fjalë vetëm për interesat e tij të ngushta. Aliu vetë ishte muhamedan, por gruaja e tij më e dashur Vasiliqia ishte kristiane. Ajo ia doli që Aliu t'i zbuste marrëdhëniet me kristianët, të cilët ndaj tij treguan përulje dhe devotshmëri. Sulltani i preokupuar me probleme dhe përparësi të tjera nuk mundi për një kohë të gjatë të shkatërronte këtë vezir të pabindur. Vetëm në vitin 1820 Janina ra pas një qëndrese heroike e pas dy vitesh rrethimi, Ali Pasha, 82-vjeçar ra në duart e armiqve, të cilët e masakruan. Në poezinë botërore ka shumë këngë për Ali Pashën, por meritën më të madhe e ka Lord Bajroni, i cili në kohën e famës së vezirit e vizitoi dhe në këngën e dytë të Çald Haroldit e përjetësoi. Bajroni i pasionuar pas popujve liridashës u bë zëdhënës i tyre dhe mbetet mik i madh i shqiptarëve. Kryengritja e Ali Pashës mbaroi e pati një epilog të hidhur dhe koha që i pruri lirinë kombit grek, për shqiptarët nuk qe pjellore. Pushteti turk, nëpërmjet një administrate të rreptë i shtypte ata akoma më tepër. Nuk është qëllimi im të shpalos këtu historinë politike të Shqipërisë, por e quajta të domosdoshme të renditja shkurt disa të dhëna për t'u kuptuar më mirë kjo përmbledhje këngësh të këtij vëllimi. Këngët shqiptare veçmas këngët me sfond historik janë të zymta dhe melankolike. Kjo ndodh natyrisht tek një popull që nuk ka qenë i lirë dhe që i kanë munguar gjithë kushtet e zhvillimit. Prandaj në këto këngë ndeshemi me një pasha katil, i cili erdhi me urdhër të sulltanit të vrasë e të presë, që premtonte fusha e male, por që s'mbante asnjë premtim. Në këta tinguj shfaqet shpirti i vërtetë i popullit shqiptar, i cili e do dhe e ëndërron lirinë duke shtrënguar grushtat e duke kërcitur dhëmbët. Këngët kombëtare shqiptare janë epike dhe lirike. Në poezinë epike mbizotëron balada; vjershat janë përgjithësisht katër vargëshe, disa edhe pa rimë, siç ndodh më tepër në këngët e vjetra. Në kohë të mëvonshme shfaqen rima të çrregullta ose rimohet tërë poezia. Karakteristikë e poezisë shqiptare është konciziteti që ndohmohet të shumtën nga fjalët njërrokëshe. Çdo përkthyes, për këtë arsye, ndeshet me shumë vështirësi, sidomos kur përpiqet të ruajë në të njëjtën masë origjinalin. Gjaku, vrasjet, hakmarrja, hanxhari, pushka, litari janë lajtmotivet e këtyre këngëve. Jeta e njeriut ndër popujt primitivë nuk ka të njëjtën çmim si ndër popujt me kulturë të zhvilluar. Gjaku kërkon sërish gjak, sepse kështu e do zakoni i gjakmarrjes. Gjakmarrja është një kanun i ashpër. Në vendet ku pushteti gjyqësor është i pafuqishëm nga kriminelët, çdokush është i detyruar të vetëmbrohet e të vuajë dhimbjet e padrejtësive. Tek shqiptarët vërejmë katër koncepte drejtësie që reflektohen në poezinë kombëtare; ato janë: gjakmarrja, shenjtëria e fjalës së dhënë, lidhja e shenjtë e fisit dhe mikpritja. Te gjakmarrja rregullat e saj janë përcaktuar imtësisht në një kanun të vjetër drejtësie. Kush vret një njeri, të afërmit e tij janë të detyruar të marrin gjakun. Shqiptarët kësaj i thonë "rënia në gjak". Të afërmit e viktimës janë të detyruar të vrasin vrasësin ose një nga të afërmit e tij. Sa më i afërt të jetë hasmi me vrasësin aq më e madhe është shprehja e kënaqësisë së hakmarrjes. Vetëm në raste të veçanta, nga ndërhyrjet e organeve shtetërore apo pajtimet e misionarëve mund të falet gjaku, por fajtori për këtë duhet të paguajë një kuotë parash. Shqiptari edhe mund të falë kur i është vrarë babai, vëllai apo djali, por kurrë nuk lejon dhe nuk të fal asnjëherë kur i vret mikun që ka bujtur në strehën e tij. Mikpritja qëndron më lart se gjakmarrja. Kjo e fundit zbatohet sipas rastit, mundësisht sa më shpejt dhe ndonjëherë edhe pas vitesh. Kanë ndodhur shembuj ku ai që kishte për detyrë të hakmerrej të lëngonte në shtratin e vdekjes. Në një rast të tillë pranë i qëndron një misionar për ta verifikuar e pyetur të sëmurin. Nëse ai sa është gjallë pohon se e fal gjakun, atëherë atë e kërcënon ferri dhe fati se do të varroset jashtë mue të varrezave dhe kjo për shqiptarin është gjëmë e rëndë. I sëmuri mbetet gjatë në mëdyshje, por më ne fund vendos: "Dëgjoni, nëse vdes atëherë e kam falur, por nëse mbetem gjallë do e vras". Sipas statistikave të shpallura në vitin 1909, misionarët arritën të pajtojnë 42 raste, që përndryshe do të mbaronin në gjakmarrje. Shembuj të tillë dëshmojnë qartë për sakrificat e misionarëve, por njëherësh edhe për numrin e madh të atyre që gjatë vitit bien viktima të gjakmarrjes. (Sipas E. D. Cozzi, La vendetta del sangue nelle mantagne dell Alta Albania-Anthropos, V.1910).
Ndryshe nga ky mospajtim, në anën tjetër ndeshim fjalë paqeje në të ashtuquajturën "Besën e shqiptarit". Fjala e dhënë është kaq e shenjtë saqë shqiptari kurrë nuk e shkel. Në baladën për Garantinën burri jep fjalën, por papritur vdes. Atëherë siç tregon balada, ai do të ngrihet edhe nga varri për të mbajtur fjalën e dhënë. Tema e kësaj balade qarkullon nëpër botë si tregim për të vdekurit, që pas vdekjes ngrihen e vinë të takojnë të dashurit apo motrat e tyre. Tek ne ky motiv ndodhet në poezinë popullore dhe artistikisht në këmishët e dasmës së Erbenit. Pra në këtë këngë shqiptare vëllai vjen për të motrën, që veç të tjerash është dëshmi se tek shqiptarët lidhja e gjakut çmohet më lart se sa lidhjet e dashurisë. Tepër shqiptare janë elegjitë e shkurta, rreth njëzet vjersha, shprehje ngjarjesh të trishtuara të shqiptarëve dhe të ngjashme me to janë dhe këngët e vajtimit ndaj të vdekurve. Interesante janë epitetet dhe krahasimet. Burri trim dhe luftëtar krahasohet me shqiponjën, korbin, skifterin, ndërsa gruaja me pëllumbeshën, dallëndyshen, thëllëzën. Gjithashtu kënga e quan burrin gjarpër që pret t'i hidhet armikut. Plaku, që për urtësinë zë vendin e nderit në radhë, krahasohet si dash me këmborë. Mbi varr të burrave bleron një qiparis i hollë, mbi varrin e grave rritet hardhia që lehtë-lehtë rrethon qiparisin. Shpirti i të vdekurit përfytyrohet si një zog i zi në varr që klith për dashurinë. Por poezia kombëtare shqiptare nuk mbart vetëm tinguj të trishtuar. Kudo në botë këmbehet nata me ditën, dimri me verën, vjen pranvera dhe bashkë me të dhe jeta e gëzuar shqiptare. Po ashtu njeriu shqiptarë di të këndojë për dashurinë, për manushaqet, trëndafilat dhe bilbilat. Trëndafili dhe bilbili janë motive të preferuara të këngëve orientale. Turqit këndojnë për ta në variante të shumta dhe, siç duket shqiptarët duhet të kenë marrë prej tyre këto simbole, duke përvetësuar edhe emërimet për trëndafilat (gjul) dhe bilbilin (bulbul).
Për të plotësuar kuadrin në fund do të përmend edhe disa fjalë mbi botimet letrare shqiptare. Historia e tyre, siç lehtësisht mund të përfytyrohet është shumë e pakët. Para pushtetit turk letërsia nuk ishte e zhvilluar dhe ndër sundimin e tyre shqiptarët u ndalën dhe u vonuan njësoj si dhe popuj të tjerë. Përpjekjet të cilat lartësonin gjuhën dhe përmes saj edukimin e njerëzve, nuk ndodhen në Shqipëri, por në dhe të huaj, kryesisht në Itali. Librat e parë shqip janë botime të misionarëve, të Kongregacionit De Propaganda Fidei në Romë. Dëshmitë e para letrare vinë nga shekulli i 17-të. Në vend të parë sipas radhës është puna për fjalorin e fratit Frang Bardhi latinisht-shqip që doli në vitin 1635. I dyti është katekizma shqip, përkthyer nga Pjetër Budi i vitit 1685. Në shek. 17 jetoi dhe një shqiptar i arsimuar Pjetër Bogdani, peshkop i Shkupit, autor i shumë veprave religjioze të shkruara italisht dhe shqip, botuar në vitin 1691. Nga shkrimtarët e mëvonshëm të gramatikës mund të përmend gramatikën e përgjithshme të Francesco Maria Da Leçe (Romë 1716) dhe librin e D. Kamardes "Saggio di gramatologia comparata della lingua albanese" (Prato 1866). Një përmbledhje e bukur këngësh popullore si shtojcë më vete të kësaj gramatike fatmirësisht më ra në dorë në punë e sipër. Ndër shkrimtarët e vjetër shqiptarë qëndron më lart Jul Variboba, i lindur në San Giorgio Albanese në Italinë e Jugut. Nga ai ruhet shkrimi i bukur poetik "Jeta e Shën Mërisë", që sipas përmbajtjes dhe formës mund të barazohet me "Kopshtin Marian" të Zejer-it. Nga poetët e shek.19-të mund të përmend Santorin, që shkruante italisht dhe shqip dhe u përpoq të krijonte edhe drama shqiptare. Emra të tjerë poetësh janë Gabriel Dara, Luigj Patrasi, i cili përktheu në shqip këngën e parë të Çald Haroldit. Emër tjetër është ai i Josef Serembes, emigrant amerikan, që si dhe shumë të tjerë shkruante shqip dhe vllahisht. Por ndër shqiptarët e Italisë mbi gjithë të tjerët shfaqet Jeronim De Rada, poet, historian, organizator dhe gazetar (1813-1903). Si i ri 18-vjeçar udhëtoi nëpër kolonitë shqiptare të Italisë, ku mblodhi shumë këngë folklorike nga ato treva. I frymëzuar prej tyre krijoi veprën e tij poetike "Milosao", për të cilën u quajt "Mekfersoni shqiptar". Përveç saj shkroi edhe shumë poema e poezi në vargje dhe një dramë në italisht. Me nismën e tij më 1895 në Carignana të Kalabrisë u mblodh një kongres që përfaqësonte gjithë viset e banuara nga shqiptarët në Itali. Si rrjedhojë e këtij Kongresi u themelua Shoqata Kombëtare Shqiptare, që përcaktoi si detyrë themelore përhapjen e njohurive shkencore në shoqërinë shqiptare dhe mbajtjen gjallë të marrëdhënieve ndërmjet kolonive dhe atdheut amë. gjithë kjo letërsi e cituar shkurt doli në dritë në Itali. Një emër i veçantë është Nesim Bej Përmeti nga Shqipëria, këngëtar pasionant lirik. Një tjetër shqiptar nga Turqia është Pashko Vasa. Në vitet e fundit në plan të parë shfaqet një talent premtues, poeti Gjergj Fishta, frat françeskan nga Shkodra. Në vitin 1904 u bë shpejt i njohur me këngët epike "Lahuta e Malcisë", që evokon luftrat e shqiptarëve pas vitit 1878 pas Kongresit të Berlinit. Dallohet gjithashtu në lirikë dhe satirë "Pikat e vesës", Anzat e Parnasit, 1907. Vitin e kaluar në kolegjin shkodran u shfaq drama e tij "Shën Francesku". Shkrimet epike karakterizohen nga shpirti popullor ndaj dhe flitet se ato kanë gjetur jehonë dhe janë përhapur në mbarë krahinat e vendit dhe se brezat e rinj i kanë mësuar përmendësh. Thuhet gjithashtu se ato kontribuojnë në rritjen e ndërgjegjes kombëtare dhe formimin e një uniteti shpirtëror. Një nga pengesat e zhvillimit të letërsisë shqiptare mbetet gjithmonë mungesa e një gjuhe letrare të njësuar. Ndonjëri nga shkrimtarët e përmendur më lart shkruan me germa latine, të tjerë me alfabetin grek, duke vështirësuar shprehjet tipike shqipe që nuk shfaqen as në latinisht e as në greqisht. Ndër aspiratat për të njehsuar gjuhën ndoshta do të ndihmojnë përpjekjet që u ndërmorën tre vjet më parë. Në vitin 1898 u krijua shoqëria letrare "Bashkimi", e cila filloi të botojë libra dhe revista në dialektin shkodran mbi bazë drejtshkrimi të mirë dhe praktik. Administrata turke së fundmi i lejoi më 1908 këto përpjekje dhe shumë shpejt (më 14 nëntor) shoqëria e përmendur mblodhi një kongres në Manastir. Kongresi ishte ngjarje e rëndësishme, sepse këtu u takuan për herë të parë përfaqësuesit e të dy dialekteve dhe të tre besimeve. President ishte Gjergj Fishta, i cili mundi t'i mbledhë së bashku për të vendosur alfabetin shqip mbi germat latine dhe jo ato turke, siç e kërkonin turqit.
Duke përkthyer nga gjuha shqipe kam dashur të ruaj sa më shumë vargjet dhe rimën (ndonjëherë dhe asonancat) dhe gjithë shprehjet dhe karakterin e origjinalit. Pas një pune disavjeçare po i jap lexuesit këtë vëllim, që fillimisht paraqiste vështirësi të shumta për shkak të mungesës së burimeve të plota. Së fundmi, dua të falënderoj mësuesin tim të dikurshëm P. Pashko Bardhi, rektor i kolegjit në Shkodër, Zvonimir Kiriginov, zv.rektor i Seminarit Zmajevice në Zadar, për mirësinë që patën duke më huajtur literaturë, si dhe zotin Giuseppe Schiro, profesor në Institutin Oriental të Napolit. Por mirënjohjen më të thellë dua t'ia shpreh profesor dr. Jan Urban Jarnik-ut, njohës i gjuhës shqipe, për këshillat e vlefshme dhe ndihmesën për realizimin e kësaj vepre.
*Përktheu nga origjinali Ksenofon Dilo. Botuar në vitin 1911

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...