ROBERT MARTIKO
Nëse për rrezen e burgosur të dritës në shkëmb është thënë se në krye të mijëvjeçarëve është në gjëndje të transformohet e shndërrohet në diamant, përafërsisht e njëjta gjë mund të thuhet edhe për mendimin poetik i cili shfaqet e paraqitet në jetën e poetit, si një proçes delikat mendimi, shqetësimi e pse jo torture shpirtërore, duke u shndërruar në vargje marramendëse, të bukura, të brishta e delikate. Jo më kot Viktor Hygoi të cilin marr guximin të citoj anonimisht në hyrje të këtij shkrimi, në kulmin e preokupimit shoqëror, poetik e intelektual shpërthente ndaj vetvehtes: “Oh, pour mois!” (“Oh, për mua!”)
Do të dëshiroja të shprehja e njëkohësisht nënvizoja admirimin tim të thellë rreth vëllimit poetik “Këpucët e Mjegullës” të poeteshës së talentuar Fatime Kulli me një shprehje të shkrimtarit italian Antonio Tabuki, i cili thotë se nëse filozofia të jep idenë se preokupohet për të gjetur të vërtetën e përfundon në fantazi, arti i gërmave të jep përshtypjen sikur merret me përfytyrimin duke gjetur mënyrën për të shprehur të vërtetën.
Për fat të keq, kjo e vërtetë paraqitet mjaft e hidhur dhe emocionante në vargjet e Fatimesë. Personalisht dalloj të më rrëmbejë e bëjë për vehte qysh në vjershat e para të vëllimit poetik “Këpucët e Mjergullës”. E kam fjalën për ato vargje ku në përngjashmëri me një filmi negativ bardhë e zi shfaqet gradualisht në laboratorin e mendimit bota e torturuar, latente e heroinës së saj, që ka të bëjë me keqtrajtimin shpirtëror të gruas nga ana e personit që ajo dashuron me gjithë forcën e qënies së saj. Bëhet fjalë në këtë rast për një lloj fryme viskoze të kondensuar ose ndonjë lloj bryme helmi me origjinë insektesh hijesh, brumbujsh e gjithfarë instinktesh të gjysëm errësirës të depozituar në trajtë vemjesh të sëmura mbi petale të kuqe e të brishta trëndafili apo krahë të bardhe fluture... Pikërisht në këtë mënyrë i konceptova vjershat e Fatimesë duke ndier të më rrëmbenin e bënin një përshtypje të thellë.
Në lojën e saj poetike dallon pothuajse trajtat e një obsesioni marramendës... dhimbjen e thellë, sedrën e plagosur, krenarinë e vajzës së dashuruar, urrejtjen e brishtë pas lakuriqësisë, të shoqëruara në çdo hap nga përpëlitjet e zemrës së dashuruar drejt monopatit torturues të dilemës: të thyerjes ose mbajtjes të lidhjeve dashurore me individin e tejadhuruar, mizorisht të pakuptueshëm e në një farë mënyre brutal. Gjen për fat të keq në vargjet e vëllimit poetik “Këpucët e Mjergullës” fatin e gruas së veçantë, heroinën tradicionale, romantike... Ose ndryshe fatin erotik të një lloj qënie njerëzore e cila, paralelisht me përparimin e kohërave moderne, shkon dita ditës duke u zhdukur. Mbasi është fakt i pakundërshtueshëm që ky lloj individi i rrallë femëror mbetet mjaft i çuditëshëm e i pakuptuar, madje edhe për të ashtuquajturën botë të civilizuar e moderne, e cila tregon të tërhiqet në ditët e sotëshme më shumë drejt pornografisë e marëdhënieve të një nate: në qark të shkurtër, se sa të vlerësojë ndjenjën e dashurisë së pastër e të sinqertë.
Trajtimi i kësaj teme interesante, rreth zbulimit e daljes në dritë të universit të fshehtë të botës shpirtërore të gruas, mendoj se përbën një model të mirëfilltë e prototip në historinë e poezisë shqiptare. Heroina e veçantë ose gruaja me nerva të holluara e shpirtëririsht e kultivuar e bën tepër tërheqëse poezinë e Fatimesë. Në vëllimin e saj poetik ajo zbulon padashur gjurmë të jetës së mbyllur e deri diku të izoluar si ato që u konstatuan në jetën private të poeteshës amerikane Emily Dikinson, në përpjekje të gjetjes së një ishulli të qetë brenda muzës magjepsëse të poezisë. Te “Këpucët e Mjegullës” jo pak herë shijon të shprehur në vargje përsëritjen e fjalëve të caktuara që godasin parreshtur si gishtrinj të stërvitur në një shtrat tastierash të pafund notash muzikore... të thjeshta, fare të thjeshta në pamje të parë, por mjaft shpërthyese në ironi, sarkazmë e eksklamacion poetik. Nëpërmjet trajtave të zgjedhura poetiko-linguistike shpaloset dëshpërimi, vetmia, sensibiliteti i autores i përjetuar intensivisht me pastërti shpirtërore në një labirint të rafinuar feminiliteti e erotizmi. Gjejmë aty elementet të një ditari prej dhjetra episodesh e këndvështrimesh, mjaft homogjene në vevehte, të kondensuara e kompakte, me gjithë atë pasion dridhërues të denja për artin e magjishëm poetik. Bëhet fjalë në të vërtetë për një psdikodramë marramendëse të larë me lotë të nxehtë e të pastër dashurie.
Padashur lexuesit i lind përshtypja se ka pasur çaste që ditari “Këpucët e Mjegullës” duhet të jetë zhubrosur keq prej duarve të vetë heroinës. Nuk mungon të përfytyrojë se duhet të jetë vërvitur disa herë në ndonjë cep të dhomës së vetmuar për hir të dëshpërimit të një dashurie pa ngushëllim e shpresë. E përsëri, për hir të rezinjacionit shpirtmadh e njëkohësisht gjetjes së një ishulli magjepsës poetik është marrë sërishmi në dorë për tu lexuar. Nuk ka dyshim që bëhet fjalë për zbulimin e universit femëror, madje jo vetëm në lidhje me seksin tjetër por edhe me vetvehten...
Mëndja duhet të na shkojë se ne si lexues nuk kemi zbuluar vetëm botën e brishtë të gruas poete ose shkrimtare, në të cilën dallohet që në pamje të pare, që gjëndet e burgosur brenda natyrës së saj të brishtë, të vetmuar, të huaj, të fyer, të ngrehosur, pasionante e delikate. Mendja nuk duhet të na shkojë as për kushtet sociologjike inferiore të gruas në përgjithësi ndaj seksit të forte. Kryesisht vëllimi poetik duhet të na ndihmojë që nëpërmjet përngjajshmërive sugjestionale të tipareve mashkullore të gjejmë fajtorin… Bëhet fjalë në këtë rast për ndërtimin e një identikiti të pamëshirshëm ku sigurisht pjesa më e madhe e burrave në botë do tu jepej mundësia, të njihnin vetvehten si një qënie e paformuar, sa e pabesë e po aq fëminore… gjithmonë e paaftë për të prodhuar delikatesë... Në një fare mënyre të rishpikë e rikrijojë vetvehten... Si për të gjitha gjërat e bukura, madheshtore e të ndershme të kësaj bote të vendosë dy sy të rinj në shpirt. Në rastin e mësipërm për të njohur veçantitë e partneres apo heroinës së dashuruar në mënyrë romantike e të pazgjidhëshme.
Nuk më mbetet veç të uroj poeteshën Fatime Kulli, suksese të mëtejshme në rrugën e bukur të artit, duke e siguruar nga ana ime se gjendet denjësisht e futur në botën e magjishme të Malit Parnaso, Apollonit e nëndë muzave, ku përherë rrezatuese spikat Eratoja me kurorë prej myrtoje e trëndafilash... si edhe me lirën dhe penën në dorë, si muzë e përherëshme e dashurisë, erotikës, odeve dionisiane e anakreontike...
-----------------------------