Faruk Myrtaj
Kur përfundon së lexuari prozat e Eqrem Bashës shijon ndjesinë e të qenit lexues i kënaqur. Madje shtyhesh ca më tej: lexuesi shqiptar nuk se është aq i pa fat, edhe pse mosmarrëveshjet e shkrimtarëve të tij me veten dhe me kolegët, ndonjëherë, i adresohen atij lexuesi, si entitet kombëtar!
Sidosi, s’janë aq të shumtë emrat që ia rrëmbejnë mirënjohjen këtij lexuesi...
Pas romanit “Alpinisti” dhe prozave të përfshira në “Shtëpia e Mallit”, Eqrem Basha si autor elitar vjen sërishmi me romanin “Lakorja e ik’sit”.
Mbase ia vlen të qartësohem fillimisht në raportet, lidhjet, harmoninë, mes autorit elitar dhe lexuesit të tij: a kërkohet elitar edhe lexuesi? A duhet konsideruar apriori elitar, edhe lexuesi i autorit që “s’gatuan për të gjithë”?
Të lexuarit, leximi si akt, është përftesë vetiake e lexuesit: siç lexon dikush, nuk lexon tjetri. Nënteksti, që tashmë jo rrallë tentohet të përfitohet si vlerë disidenteske, do duhej të shpjegohej edhe në këtë mënyrë: një shkrimtar të marrë-ngoje si i afërt me Bllokun, bje fjala, do ta lexoje si të privilegjuar edhe nëse ai i gjori rrekej të aludonte sadopak e sidosi të kundërtën. Por edhe ti, si autor i botuar dhe i promovuar në kohën pa liri fjale (të folur e të shkruar) s’ke si pretendon se mund të kishe edhe nderimin e të burgusurve politikë të po asaj kohe politike. Qoftë edhe thjesht se (ashtu si stili i autorit) lexuesi është jeta e tij, kushtet e formimit të tij, fati dhe rrethanat e jetës. Do ishte jo aq e këndshme që ti të përfitoje edhe prej leximit të tij. Aq më shumë kur lexuesi shqiptar është qytetar i botës.
Vijimshmëria e qëndrimeve, arti i fjalës si kumt lirie pa periodizime politike, maturia në mesazhin e ofruar për lexuesin, duke qenë pohim i integriteti të krijuesit, është njëherësh edhe konsiderim i lexuesit...
Më ndodhi ta lexoj “Lakoren e ik-sit” si prozë të të ikurit ik-s, pse jo, të një emigranti. Heroi s’është vecse një ikës, një emigrant, edhe pse në vend të ikë prej një kordinate gjeografike, sociale apo politike, pra në vend të zhvendoset fizikisht, ikën prej andej në mënyrë tjetër: pushon së komunikuari me këtë botë.
“Ditën që hyra në heshtje...”, këtu duket se nisë subjekti, ngjarja e romanit të mbramë të Eqrem Bashës. Por mos prisni të ketë një të tillë, subject, ngjarje në kuptimin klasik, tradicional. Është fjala për një shkrimtar që përgjigjet për fjalën e shkruar, ndaj mungesa e linjës së veprimit, të ndodhisë romaneske, nuk vjen për shkak mode, as si ikje prej formave. Jo.
Them se është sërish poeti ai që përcakton kushtet për prozatorin.
Rëndomtësia e jetës atje ku bëhet sikur jetohet, prozaizmi i ditëve pa ideale atje ku jetët sakrifikohet në emër të ca idealeve që vetëm jetët njerëzore nuk marrin parasysh, arësyeja për të shkelur në këtë udhë, pikërisht në këtë mënyrë, është krejt “e vjetër”: heroi/rrëfyesi hynë në heshtje ditën e përurimit të një lapidari me rastin e një përvjetori të rëndësishëm!
Protokolli i përurimit/festës, ashtu si i jetës që bëhet endè nga njerëzit, është natyrisht tradicional. Në të vërtetë, pas një varg paralajmërimesh, pas shkurtimesh të frazave, pastaj të fjalëve, më në fund të gojëmbylljes, mbase përgjithnjë, vazhdojnë edhe ca gjeste të tjera të pashmangshme të protagonistit. Ai vetë e vuan këtë inerci...
Të tjerët vazhdojnë të flasin e të bërtasin e të ngjiren, si më parë, madje flasin edhe në emrin tënd, edhe në emër të lirisë tënde për të heshtur...
Ndërkohë lexuesi njihet me mënyrën e hyrjes në heshtje; por sigurisht nuk jepen e shkoqiten shkaqe a sebepe për këtë heshtje. Me mbylljen e gojës, u mbetet të tjerëve të bëjnë analizat. Lexuesi bën ndërhyrjet dhe plotësimet e veta (dhe pikërisht këtu bëhet diferencimi i lexuesit, jo vetëm për librat e Bashës, por të çdokujt tjetër). A ia vlen të flitet? Shumë kush e ka pësuar pikërisht prej së folurës, prej llapjes me të tepër, por edhe prej heshtjes e kanë pësuar, ta marrë dreqi këtë punë! E si bëhet sot, sot kur ta kërkojnë të folurën, “fol/fol.../vetëm fol...”, nuk se bëhet më pak e rrezikshme. Shefat, të çfarëdollojshëm, kërkojnë të dëgjojnë mendimin e atyre poshtë, që ta përcjellin më sipër, dhe ata sipër aty mbahen tek fjalët që brohoriten prej poshtë...jo prej heshtjes...
Nëse kërkon të harrohesh, janë gati të ta plotësojnë dëshirën: madje ta vendosin edhe rrasën tek kryet, dhe po ta pëlqesh, edhe fjalët e lamtumirës t’i ofrojnë, falas...dhe ca gozhdë shërbejnë për mbylljen e përgjithnjëshme...
E megjithatë, të Heshtësh dhe të Jesh, është disi ndryshe.
S’është aq e kollajshme: të heshtesh (prej të tjerëve) është me lehtë se të heshtësh veten...
Duket se Heroi, si krijesë jetëgjatë e Eqrem Bashës, pasi ka provuar “Alpinistin”, ëndërrimtarin e bukurive të rrëpirave dhe majave të acarta, pasi është rropatur si fëmijë, si i ri e si burrë, më në fund, thinjur e pa kuptuar, arrinë tek...vetmija, tek heshtja, tek gojëmbyllja...Fjalët as që ia vlejnë (me përjashtim të fjalëve të shkruara!).
Kalimi, “ura”, prej “Alpinistit” tek “Lakorja e ik-sit” është përvijuar tek prozat nën titullin "Shtëpia e Mallit". Teksa lexoje përfshirjet në këtë botim të “Ide-Artit”, ndjeje duke ndodhur një "metamorfozë totale". Jo si e Kafkes, e njeriut te izoluar, por e atij që tjetërbëhet në lëvizje, në terratisje, në mërgim bje fjala, në tërësi: metamorfoza e pashmangshme e ekstarkomunitarit që i ka ikur vetes së djeshme, dhe nuk di se ç'po ndodh me trupin e botën e tij.
Autori e ka lindur e madhuar, ia ka qëndisur edhe ëndrrën, e pastaj...pastaj krijesa i është tjetërsuar. Heroi ka shkuar drejt dorëzimit në heshtje...
Ajo fraza e gruas, pas një nate humbjeje fizike të heroit, “kujtova se më ike...”, është një ndjesë paralajmëruese trishtake, që në të vërtetë as atëherë nuk ia vë veshin kush. Ashtu si përpjekja dhimbshmërisht naive e ndokujt prej miqve të tij, na thuaj pse, na thuaj çfarë ndodh me heshtjen tënde, që të mblidhemi e të heshtim të gjithë bashkë, nëse duhet...
“Të është bërë pengesë çdo gjë...të është bërë mendja lëmsh...ke vendosur t’i shpjesh të gjitha në dreq të mallkuar dhe të heshtësh...Por nuk është kjo veti e të fortit, e të qëndrueshmit dhe e njeriut me moral. Ti je frikacak, ke drojën në bark...”
Ngaqë ka vendosur të mos flasë, nuk ua refuzon as “trimërinë” as “moralin” e tyre...se nuk ia vlenë...
“Por fol o burrë i dheut se ka kush të dëgjon...”, shpërthen miku i Heshtakut. Por ai mund ta merrte gjegjen edhe prej vetes: pse vallë s’e kam dëgjuar teksa ky shkoi drejt heshtjes?!
“Çdo gjë është e ndalur, nuk ka puls, nuk qarkullon as gjak as limfë. Asgjë nuk matet, nuk lehtësohet, nuk rëndohet...”
As maskat nuk shpëtojnë dot. Por, të lutem, mos pyet cilat janë maskat...