Jani Vreto (1822-1900) ishte atdhetar dhe mendimtar i shquar i Rilindjes Kombëtare.
Kreu shkollën e “Zosimea“ të Janinës. Më 1854 u vendos në Stamboll. Që më 1864 mori pjesë së bashku me Ismail Qemalin, Hasan Tahsinin, Kostandin Kristoforidhin, Pashko Vasën etj. në mbledhjet e para për caktimin e një alfabeti të shqipes dhe për botimin e librave në gjuhën shqipe. Ishte anëtar i Komitetit Qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare. Dha ndihmesë për komisionin që miratoi më 1879 Alfabetin e Stambollit.
Jani Vreto hartoi Kanonizmën e “Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip“. Pas shtypjes së Lidhjes së Prizrenit u dërgua për të organizuar degë të shoqatës në Rumani dhe Egjipt. Në Budapest Jani Vreto organizoi botimin e veprave të rilindësve në shtypshkronjën që drejtonte ai vetë.
Jani Vreto shkroi një varg veprash e artikujsh: “Apologjia“ (1878), “Për të vërtetën dhe për të shkruarit e së vërtetës“ (1883), “Mirëvetija“ (1886). Në këto vepra, e sidomos në “Për të vërtetën dhe për të shkruarit e të vërtetës“ ai u kushtoi një vëmendje të veçantë problemeve filozofike që i zgjidhi përgjithësisht në frymën e iluminizmit.
Filozofinë ai e konsideronte si degën më të rëndësishme të dijeve njerëzore, por botëkuptimi filozofik i tij ishte dualist. Jani Vreto prirjet e tij filozofike materialiste i mbështeste në parimin se “nga të paqenët nuk mund të bëhet gjë dhe të qenët nuk mund të bëhet të paqenë kurrë“. Por ngaqë nuk kishte ide të qartë për ligjet objektive të natyrës, Jani Vreto kalonte në pozitat e idealizmit, duke pohuar se krahas botës materiale ekziston dhe “mendja e madhe“ jolëndore, që vendos ligjet në natyrë.
Jani Vreto kishte bindje të thella në përparimin e shkencave dhe rolin e tyre të madh për zhvillimin e shoqërisë njerëzore. Shkencat, sipas tij, zbulojnë ligjet, shkaqet e lindjes e të zhvillimit të sendeve, ato duhet “të gjejnë psenë dhe qyshjen“.
Gjithashtu, ai u kushtoi një vëmendje të madhe problemeve të zhvillimit shoqëror. Ka dhënë mjaft mendime interesante mbi moralin, fenë, jetën shoqërore dhe zhvillimin e saj. Karakteristika kryesore e doktrinës së tij mbi moralin që parashtrohet në veprën e tij “Mirëvetija“ është fryma demokratike, përparimtare dhe lidhja e ngushtë e moralit me detyrat e lëvizjes për çlirim kombëtar.
Jani Vreto, megjithëse nuk ishte ateist, duke u nisur nga dëmi i madh që i sillnin fetë e ndryshme çështjes kombëtare shqiptare, mbajti ndaj tyre qëndrim kritik. Në përputhje me pikëpamjet e veta iluministe. Jani Vreto mendonte se në atë kohë veprimtaria për shkrimin e gjuhës shqipe, për çeljen e shkollave shqipe, për përhapjen e diturisë për gjuhën shqipe ishte mjet i rëndësishëm i luftës së popullit për liri e pavarësi.
Veprimtaria studimore
1878 Apologjia
1883 Për të vërtetën dhe për të shkruarit e së vërtetës
1886 Mirëvetija
Mirënjohje
Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi më 13 janar 2012 i akordoi Jani Vreton (pas vdekjes) Urdhrin “Nderi i Kombit” me motivacionin: “Figurë e shquar e kombit, një nga veprimtarët e ndritur të Rilindjes, që çështjen kombëtare e pa të lidhur njësh me krijimin dhe zhvillimin e arsimit kombëtar dhe përpjekjet për krijimin e alfabetit shqiptar dhe botimin e abetares së parë shqipe i konsideronte si beteja të mëdha për fitoren e pavarësisë dhe krijimin e shtetit shqiptar.”
Referenca
Presidenti Topi dekoron Jani Vreton (pas vdekjes) me Urdhrin “Nderi i Kombit”, Web faqaja president.al, 13 janar 2012