Ish-zëvendës shefi i CIA-s për Ballkanin, Stiven Majer ka deklaruar dje se ndryshimi i kufijve në Ballkan është endje një çështje e hapura. Por sipas tij në rajon nuk ka vend më për krijimin e shteteve të mëdha etnike. I pyetur konkretisht lidhur me deklaratat nacionaliste të kryeministrit shqiptar, Sali Berisha, ish-zyrtari i lartë i CIA-s deklaroi se nuk ka asnjë gjasë për krijimin e Shqipërisë së madhe. “Kufijtë në Ballkan ende janë një çështje e hapur. Kufijtë në Ballkan nuk janë zgjidhur. Personalisht mendoj se nuk ka gjasa që të ketë Shqipëri të Madhe ose Serbi të Madhe. Kur flas për ndryshim kufijsh nuk mendoj se Ballkani mund të përjetojë ndryshime të mëdha”, - është shprehur Majer. Sipas tij ideja e bashkimit me Shqipërinë nuk mbështetet jo vetëm nga shqiptarët e Maqedonisë por as nga kosovarët. “Kur kryeministri shqiptar Sali Berisha flet për një komb shqiptar, nuk besoj se shqiptarët e Maqedonisë do të donin shumë që të ishin pjesë e Shqipërisë të tillë. Flisni me shqiptarët e Kosovës, dhe ata nuk janë shumë të lumtur me idenë e të qenit pjesë e Shqipërisë”, - ka pretenduar Majer. Ai i ka bërë këto deklarata në një intervistë të dhënë për agjencisë maqedonase të lajmeve MIA. “Gazeta Shqiptare” boton sot pjesën më pikante të kësaj interviste.
Në qarqet e vëzhguesve të Ballkanit flitet për ndryshimin e kufijve. Cili është mendimi juaj për këtë qëndrim?
Kufijtë në Ballkan ende janë një çështje e hapur. Kufijtë në Ballkan nuk janë zgjidhur. Klinton para ca kohësh në Serbi deklaroi se nuk do të ketë ndryshim të kufijve dhe ndarje, me ç’rast përfaqësuesit shqiptarë në Uashington iu bënë thirrje autoriteteve serbe ta njohin Kosovën, pasi plani për ndarjen e saj nuk është i pranueshëm nga SHBA-ja. Supozimi këtu është se nëse Klinton e ka thënë, ajo duhet të dëgjohet. Por jo edhe aq.
Pavarësisht si shkojnë bisedimet me Kosovën, mendoj se ndarja e saj akoma është një mundësi, me ç’rast pjesa veriore e Kosovës do të kalonte në Serbi, ndërsa dy komuna të jugut të Serbisë do të bëheshin pjesë e Kosovës. Në Bosnjë gjithashtu ka mundësi për ndryshimin e kufijve. Ne ndërkohë patëm ndryshim kufijsh me Malin e Zi, kroatët dhe sllovenët të cilët në njëfarë mënyrë pjesërisht e zgjodhën çështjen e kufijve. Kur Prishtina shpalli pavarësinë e njëanshme kjo ishte një ndryshim de facto i kufijve, ashtu sikur ndodhi dhe kur u bë pavarësia e Maqedonisë. Nuk ka asgjë të shenjtë në kufijtë. Sigurisht ndryshimi i kufijve është i mundur, por ajo duhet të jetë një kontratë, ajo duhet të jetë si pjesë e paketës.
Deklarata e kryeministrit shqiptar Sali Berisha, i cili foli për kombin shqiptar, shkaktoi reagime, duke përfshirë edhe palën maqedonase...
Liderët shqiptarë në Maqedoni, kur kam folur me ta, dëshironin që Marrëveshja e Ohrit të realizohet dhe të punohet sipas saj. Nuk e di sinqerisht se çfarë mund të sjellë e ardhmja, vlerësoj se Maqedonia e meriton të ekzistojë përgjithmonë edhe pse unë nuk e di nëse do të ekzistojë përgjithmonë. Udhëheqësia maqedonase dhe shqiptare duhet të flasin me sinqeritet. Kur kryeministri shqiptar Sali Berisha flet për një komb shqiptar, nuk besoj se shqiptarët e Maqedonisë do të donin shumë që të ishin pjesë e Shqipërisë të tillë. Flisni me shqiptarët e Kosovës, dhe ata nuk janë shumë të lumtur me idenë e të qenit pjesë e Shqipërisë. Por kjo duhet të zgjidhet midis qeverisë maqedonase dhe liderëve shqiptarë në Maqedoni. Personalisht mendoj se nuk ka gjasa që të ketë Shqipëri të Madhe ose Serbi të Madhe. Kur flas për ndryshim kufijsh nuk mendoj se Ballkani mund të përjetojë ndryshime të mëdha. Pikëpamja ime drejt Maqedonisë është si ndaj një shteti kundër së cilit shkojnë shumë gjëra. Të gjithë dëshironin një pjesë nga Maqedonia, bullgarët mendojnë se Maqedonia është Bullgaria Perëndimore, shqiptarët kanë kërkuar një pjesë të saj, Serbia në të kaluarën e ka bërë këtë por Maqedonia është një vend i cili vepron me përgjegjësi.