2013-01-02

Model i shkrimit të monografisë letrare


Nga Behar GJOKA*

Monografia e titulluar, Andon Zako Çajupi, që gjithashtu shoqërohet edhe me nëntitullin, Jeta politike dhe vepra letrare, e studiueses {akademikes} Floresha Dado, sërish ka vënë në qendër jetën dhe veprën letrare të A. Z. Çajupit, padyshim njërës nga figurat më të rëndësishme të letërsisë së Rilindjes Kombëtare. E veçanta e librit, madje që vihet re qysh në krye, lidhet sidomos me faktin se është një tekst studimor, i rishkruar pas 35 vitesh të botimit të parë. Pra, si një akt rivlerësues dhe përpunues, ndaj kësaj përvoje shkrimi, çka merr vlera të shumëfishta komunikimi, edhe në shekullin e njëzet e një. Varësisht kësaj rrethane, specifike dhe rikonceptuese, të shkrimit të monografive letrare, të cilat zakonisht parashtrojnë tipologjinë e shkrimit të ndërthurjes së jetës dhe veprës, jetëshkrimit dhe shprehësisë artistike, ku edhe njëherë tjetër na japet shansi i radhës, porse me një qasje më të ndërlikuar dhe më të përplotësuar, për të hyrë në marrëdhënie me krijimtarinë e larmishme letrare të shkrimtarit. Ky autor, dihet dhe përgjithësisht është pranuar nga studimet letrare, se qëndron në kapërcyell të romantizmit dhe realizmit, dy modelimet dhe rrymimet letrare, që në letrat shqipe, shpesh herë përputhen dhe gërshetohen ndërmjetshëm, padyshim jo vetëm në krijimtarinë e Çajupit, por edhe me ndoca shenja të klasicizmit, çka ka sjellë që në këtë qasje të mbrame studimore të vijë më i plotë dhe më i përcaktuar në të tre poetikat, që janë lavruar nga shkrimtari. Madje, në kuptimin e fakturës shkrimore, vepra letrare e autorit, gjithnjë simbas vështrimit të përplotësuar, tashmë në librin e rishkruara, mbase të konceptuar si një variant tjetër i verifikimit dhe interpretimit të kësaj dukurie letrare të mëvetësishme, ka shumë gjasa që shërben edhe si ura unike dhe e pakontestueshme e komunikimit ndërmjet periudhave, rrymave të ndryshme letrare dhe madje edhe vetë shprehësisë artistike. Materia studimore e librit të riformuluar dhe rishkruar, bart dhe shpalon disa mundësi:
- Të realizimit të një varianti krejt të ri, të tipologjisë së monografisë letrare, që ka vënë në qendër jetën dhe veprën e larmishme letrare të A. Z. Çajupit, pra të portretizmit të njeriut politik dhe njeriut poet-shkrimtar, parë si një udhëtim tipologjik i një mase autorësh të letrave shqipe, madje duke shënuar kështu edhe një nga rastet e përveçme të shkrimit si një qasje studimore, në një variant të ri, së paku për harkun e bashkëkohësisë.
- Të pasurimit dhe përpunimit të rrokshëm, të fakteve jetësore dhe letrare, të cilat preken dhe shijohen lehtësisht në zgjerimin e hapësirave të komunikimit me jetën dhe veprën e autorit, të cilat pamëdyshje kanë të bëjnë me kontributin e vyer të Çajupit në letrat shqipe, që përçon një vakacion autentik dhe krejt të mëvetësishëm për ndërlidhjen e dy epokave, të Rilindjes dhe Pavarësisë, si dy nga periudhat më të ndritura të letërsisë shqipe.
- Të zgjerimit të frymëmarrjes, së përvojës shkrimore të autorit, sidomos në marrëdhënie me tekstet letrare, në poezinë e hapur që në fakt thellon rruginat e çelura nga N. Frashëri, në prozëshkrim, ku më tepër jemi në fillesat e shkrimit të saj, si prozë letrare dhe publicistike, po kaq në dramatikën e thukët, që përgjithësisht rrezaton magji shkrimi edhe sot e gjithë ditën, si dhe në artikujt e ndryshëm publicistik, por edhe të disa përkthimeve të realizuara mjeshtërisht, të llojit të fabulave, të para dhe ndërlidhura ndërkaq me atmosferën dhe frymën e kohës, si thellim i analizës së detajuar të teksteve, që trashëgojmë prej shkrimtarit.
- Të mbajtjes së qëndrimit kritik, që përbën edhe kahjen më të vlertë të shqyrtimit të kësaj figure, në të dyja anët dhe aspektet që ka vënë në fokus, pra të jetës dhe veprës letrare të autorit, të trajtimit të vetë teksteve të shkrimtarit, pikërisht në këtë optikë studimore, si dhe ndaj verifikimeve të mëhershme të studiuesve të tjerë, të një shkrimi studimor si variant i ri, që rimerr frymën e trajtimit të parë, si dhe zgjeron ndjeshëm hapësirat e komunikimit me këtë dukuri të përveçme letrare, tanimë si një verifikim dhe intrepretim sipas teorive letrare, klasike dhe moderne.
Prania e këtyre elementëve të qasjes studimore, më tepër si një variant i rishkruar, që pa asnjë dyshim e shpie më tutje trajtimin e mëhershëm, të jetës dhe veprës letrare të autorit, na pohohet qysh në parathënie, kur theksohet: U bënë përmirësime të dukshme e të domosdoshme në analizat dhe interpretimin e veprave letrare, u hoqën pjesë që mendoj se ishin të panevojshme, u rikonceptua struktura e jashtme, për të zbuluar më qartë ato aspekte që ishin trajtuar… u panë me sy tjetër, të çliruar nga paragjykimet ideore… {2012: 9}, që nxjerrë në pah sipërmarrjen e rishkrimit, real dhe përfundimtar, gjithnjë duke ruajtur një trajtim monografik të jetës dhe veprës letrare të shkrimtarit, dëshmojnë thellimin e analizës ndaj kësaj përvoje letrare, por edhe na zbulojnë vlerën e verifikimit dhe interpretimit, tanimë përmes variantit të përplotësuar shkrimor.

Konteksti jetësor dhe shkrimor

Monografitë letrare apo të çfarëdo fushe tjetër, përgjithësisht si tipologji shkrimi, detyrimisht e përqëndrojnë vëmendjen tek jeta dhe veprimtaria e gjithanshme, e parë si një pasqyrë që zakonisht, si rregull i pashkruar, reflektohet edhe në vepër. Pra, duke u ndalur tek aspektet jetëshkrimore, individuale dhe shoqërore, komunitare dhe politike, të Andon Z. Çajupit, që dihet se ndikuan fuqishëm në formimin e personalitetit dhe përmasave të autorit, si dhe në shanset e krijuara për të zhvilluar talentin e vetë, plotërisht dhe për ta kundruar dhe verifikuar pastaj pikërisht këtë reflektim në hapësirat e teksteve të shumta dhe të larmishme letrare, përbëjnë hapësirën e rikonceptimit të studimit përmbi Çajupin. Hedhja e vështrimit, nëpërmjet optikës studimore, pra në rrafshet historike, ku edhe na shpalohen qartësisht gjurmët e kërkimit dhe të zbulimit të aspekteve formësuese, të botëkuptimit dhe të personalitetit të shkrimtarit, që ndikojnë në jetën dhe krijimtarinë e tij, pamëdyshje duke hedhur vështrimin në të gjitha momentet dhe hapësirat ku ka jetuar intensivisht, natyrisht me një përqëndrim më të madh në Egjipt, vendi ku ka kaluar pjesën më të madhe të jetës, po kaq edhe në Zvicër, atje ku në fakt i ndodhin fatkeqësitë e mëdha, si humbja e bashkëshortes dhe djalit, shoqëruar ndërkaq edhe me dëshmi dhe dokumenta, me pohime dhe interpretime të studimeve të mëparshme, vlerësime dhe rivlerësime, të hedhura kohë pas kohe, na ofrojnë fytyrën e plotë të shkrimtarit. Merr vlerë të veçantë, në semantikën e kontekstit jetëshkrimor, sidomos përfundimi i arritur nga ana studimore, teksa shkruhet: E tillë është jeta dhe veprimtaria e një prej figurave më të spikatura të kulturës sonë kombëtare. A. Z. Çajupi bënte pjesë në radhën e atyre patriotëve demokratë që me veprimtarinë e tyre e ngritën në një shkallë të re lëvizjen kombëtare dhe që u qëndroi besnik, gjer në fund të jetës, bindjeve të tij demokratike. {2012 :80}, që pamëdyshje na e zbulojnë figurën dhe personalitetin e tij, në përmasat e plota, njerëzore dhe politike, si dhe të rolit që pati në jetën kombëtare dhe shoqërore, në kapërcyell të dy shekujve. Po kaq, aspekti jetëshkrimor, na vjen i mbushur edhe me gjurmë nga jeta reale e këtij personaliteti të rëndësishëm të letërsisë shqipe, por njëherit edhe të kapërcimit të dy shekujve, ka bërë që portreti i tij të vijë në shumicën e përmasave përfaqësuese të një autori të shquar të letërsisë së kaluar:
- Të njeriut të butë, si baba dhe bashkëshort, një pamje dhe paradoks i habitshëm, që vërtet të befason kur mendon natyrën tepër të trazuar të autorit, në jetën shoqërore dhe politike, si fat familjar dhe shoqëror, individual dhe komunitar, të qenies njerëzore, e cila ka mbërritur gjer në shkatërrim, që veçmas të tjerash, vuan fatin e hidhur të ndarjes së parakohshme, me dy njerëzit më të dashur, të gruas dhe djalit, e cila megjithatë mrekullisht na jep shansin për të zbuluar anën e butë dhe njerëzore të shkrimtarit, të derdhur magjishëm në vargjet e ciklit Vaje.
- Të intelektualit të thekur dhe zemrak, në lëm të politikës dhe të veprimtarive të shumta, në shoqëritë patriotike të kohës, pra edhe të krijuesit aktiv që nuk reshtet së shkruari për kulturën dhe fjalën shqipe, si dhe me një kontribut të çmuar në fushën e publicistikës, të cilat na skalisin një figurë me kaq shumë plane, por edhe të një burri të vendosur për të shkuar deri në fund të realizimit të idealeve dhe aspiratave, që nuk di për asnjë shkak dhe rrethanë, që të heshtet përballë shëmtisë së kohërave dhe po kaq të botës shqiptare, që endet në përshtatje dhe tradhëti, në injorancë dhe fodullëk, në individualizim dhe përjashtim të gjithkohshëm.
- Të krijuesit të shquar dhe të shumë planeve, si poet i zjarrtë dhe i gjithnashëm, që ndërfuti ritmikën dhe muzikalitetin në vjershërim, të prozatorit të përveçëm, si letërsi e mirëfilltë, që promovon shkrimin e prozës me natyrë satirike dhe të një grotesku përvëlonjës, të dramaturgut të shquar, sidomos me lavrimin e kësaj gjinie, që me veprën e tij, si komedi, tragjedi dhe dramë, hodhi themelet e shkrimit të kësaj gjinie, si dhe të gazetarit të paepeur, që përgjithësisht gjendet i shkrirë në ethet e angazhimit të bërjes së kombit dhe atdheut, por edhe të lavrimit të gjuhës dhe letërsisë shqipe.
Jetëshkrimi, kundruar dhe plazmuar në këto anë dhe hallka, si dhe në kontekstin e rrethanave jetësore dhe historike, të pranisë dhe kontributit të autorit, ka bërë që figura e tij, të na vijë e plotësuar dhe skicuar në të gjitha aspektet formatuese, botëkuptimore dhe të veprimtarisë së larmishme të shkrimtarit, duke paraqitur kështu një figurë dhe personalitet të lidhur ngushtësisht me kohën dhe prurjet shkrimore të tij.

Shqyrtim tekstologjik i veprës
Në variantin e ri studimor, përpunimi dhe prurjet që janë evidentuar në poetikën e Çajupit, në të gjitha llojet letrarë, veçmas lidhen me zbërthimin e vlerave të krijimtarisë letrare, ku sa vjen dhe zgjerohet hapësira e analizës së teksteve, pra të materies tekstologjike, si një qasje shqyrtimore vetëmse në natyrën unike të autorit, por megjithatë shpesh herë duke e vënë atë, në marrëdhënie dhe përqasje me poetikën e Naim Frashërit. Kjo qasje, shqyrtimore si variant që pasuron dhe zgjëeron praninë autoriale, vjen duke përplotësuar kështu figurën e poetit të trefishtë, lirik, epik dhe satirik, e prekshme kjo shenjë artistike në hapësirat e poezisë së vëllimit Baba Tomorri, që e ka vënë poezinë shqipe në një ritëm përshpejtues dhe muzikal, si dhe përgjithësisht e ka ngjyrosur vargun me tonalitet nxitës dhe shpesh herë edhe më luftarak. Me mjaft interes është pranëvënia dhe përqasja e poezisë erotike të Çajupit, posaçërisht të përfaqësuar me ciklin Dëshirë me ciklin Bukuria të N. Frashërit, ku vihen re dhe shenjohen afritë dhe ngjashmëritë ndërmjet tyre, por me të drejtë pohohet se Çajupi është më cipëlasur, në lavrimin e poezisë erotike. Në trajtimin e shkrimit poetik të autorit, madje edhe duke interpretuar të gjitha aspektet formësuese të tij, është me rëndësi jetike, fakti i trajtimit të poemës Baba Musa Lakuriq, ku përveç të tjerash, sillet informacion përcaktues, ajo është një poemë: me mbi 6000 vargje, e ndarë në 49 këngë, që në fakt na vjen si një pasurim i mëtutjeshëm i monografisë së hershme, po ashtu aty nënvizohet: Megjithatë duhet thënë që në fillim se, midis konceptimit dhe mënyrës së shfrytëzimit të biblës në poemën e Çajupit dhe veprave të autorëve të tjerë, si p. sh Miltonit apo Nolit, ka një ndryshim. Ndërsa te këta të fundit vepron më shumë alegoria dhe figurat e subjekteve biblike kanë një nëntekst filozofik, Çajupi ndërton një ligjërim tjetër, të drejtëpërdrejtë, një kalim të zbuluar dhe të menjëhershëm nga bibla në realitetin e kohës. {2012: 149}, madje duke rrëmuar dhe shqyrtuar deri në imtësi, njëherësh në kontekstet dhe vlera e tekstit të kësaj poeme, në thënie dhe në shprehësi, që në fakt vetëmsa përplotëson dimensionet shkrimore të lavrimit të poezisë prej Çajupit, çka na e ka sjellë më pranë atmosferën, tipologjinë, karakterin dhe shenjat e rrokshme letrare të këtij autori, nga më aktivët për lirinë kombëtare, por njëherit edhe një nga zërat më të vyer të shkrimit poetik për periudhën e letërsisë së Rilindjes Kombëtare. Në rastin e Çajupit, në shqyrtimin e teksteve, sidomos me shkrimin e prozës dhe të dramatikës, kemi të shpalosur një figurë me disa plane shkrimi, që në studimin e ripunuar, përplotësohet dhe përcaktohet si përvojë unike shkrimi, sepse përngjiturazi me poetin e përveçëm, ka funksionuar prozatori dhe publicisti i pashoq, e mbi të gjitha në këtë trajtim të ripunuara studimor, na skicohet dramaturgu, që ka derdhur magji shkrimi, model të thurjes dhe sendërtimit të komedisë, në mënyrë të veçantë, gjithnjë simbas përfundimeve studimore të F. Dados. Edhe ndaj shkrimit të prozës, letrare dhe publicistike, në trajtimin dhe interpretimin e vlerave që bartin veprat letrare, operohet kryesisht me anë të analizës së tekstit, pra të dekodimit dhe verifikimit të shkrimeve në prozë, që dihet se një pjesë e konsiderueshme e tyre anojnë nga publicistika, por njëherit edhe duke nxjerrë në pah, përmes teksteve, pikëpamjet atdhetare dhe politike të autorit. Një hapësirë më të madhe, në qasjen e rishkrimit të kësaj monografie, pa asnjë dyshim njohsja dhe studiuesja më e shquar e jetës dhe veprës së shkrimtarit, i ka kushtuar dramatikës së autorit, larmisë dhe formave të saj shprehëse, sepse fillimisht përqark kësaj pjesë të trashëgimisë së autorit, hedh një vështrim mbi fakturën historike të kësaj gjinie, të lavruar në letrat shqipe, por njëherit duke evidentuar kontributin e vyer të Çajupit, sidomos në konsolidimin e llojit të komedisë. Në këtë rast merr vlera të posaçme analiza e hollësishme e bërë, veçmas mbi veprat dramatike të autorit, të strukturës dhe personazheve, skenave dhe dialogut, ku madje vihet re, me finesë dhe tejqyrë të rrokshme kërkimore, me të drejtë, mjeshtëria e shkrimit të komedive, 14 vjeç dhëndërr dhe Pas vdekjes, të cilën krahas të tjerash i ka përqasur edhe me komedinë I sëmuri për mend të Molierit, apo i Zenelit, një personazhi tjetër simpatik të kësaj komedie, që e sheh si të ngjashëm me figurat e shërbëtorëve të Bomarshesë, që tashmë për veprimin dhe dialogun, skenat dhe situatat komike, kanë hyrë në fondin e artë të dramaturgjisë shqipe. Këtu, sërish thellohet analiza dhe interpretimi i tekstit, i tipologjisë shkrimore, po kaq edhe i analizës së plotë të personazheve, por edhe i vetë tekstit si shkrim poetik dhe që përpos të tjerash, vjen me një ritëm poetik të habitshëm. Qëmtimi studimor, në kërkim të shenjave të reja të dramatikës së autorit, shpalohet qartësisht edhe në pohimin: Por, ndërsa komeditë kanë tërhequr vëmendjen e studiuesve, të cilët kanë arritur të bëjnë të njohur vlerat e tyre, për tragjedinë Burri i Dheut, përgjithësisht është folur shumë pak, kështu që ndryshe nga studimi i komedive, në analizën e tragjedisë Burri i Dheut, jemi përpjekur ta rrokim problemin në mënryë më të plotë, për të vënë në dukej vlerat reale. {2012 : 193}, çka na sjellë në fokus edhe zgjerimin e përmasave të shkrimit letrar të autorit, e po kaq edhe të përplotësimit të verifikimit studimor të këtij varianti. Pjesët e shkruara si komedi, nga ana studimore, kundrohen dhe zbërthehen në qarkëzimin e dyfishtë, pra të konteksteve kohore dhe shoqërore, por njëherit edhe të vlerave dhe kahjeve që përçon teksti, i realizuar çuditërisht në poezi, që të shpie natyrshëm tek poetika e klasicizmit, mbi rregullat e shkrimit të dramatikës. Prurje e përveçme, në këtë ripunim, me gjasë në këtë variant të ri të monografisë për Çajupin, mbi jetën dhe veprën letrare, është edhe qëndrimi, verifikues dhe kërkimor, që mbahet veçmas ndaj tragjedisë Burri i dheut, të cilën në një hapësirë të shqyrtimit, e krahason me tragjedinë Sidi të Kornejt, ku në këtë rast merr vlerë të posaçme, pohimi studimor: Parimi estetik i zbulimit të thelbit të personazhit, përmes dilemave që përjeton ai, shfaqet me ngarkesë të veçantë tek monologu, që ka brenda dialogun e imagjinuar, të Sulltanit me Gjon Kastrotin, të cilin e quan mbret i Shqipërisë. {2012 : 229}, kur përveç analizës së detajuar të fatit të botimit të këtij teksti, me rëndësi jetike është edhe fakti i trajtimit dhe zbërthimit të pamjeve {punëve, akteve-B. Gj}, të personazheve të ndryshëm, të dialogut që vjen përmes poezisë, çka në rrafsh të komunikimit si tekst dhe atmosferë, natyrshëm na ndërlidh me klasicizmin, gjë që vihet re, madje edhe kur përmenden me të drejtë në përqasjet me Molierin, Kornejn etj. Pjesë thelbësore e krijimtarisë së Çajupit, gjithnjë simbas përcaktimeve të bëra në punimin e ri studimor mbi këtë autor, është edhe libri Fabula të La Fontenit, ku qysh në krye të shtjellimit mbi të, midis të tjerash, theksohet: Marrëdhënia poetike me fabulën, lloji letrar pak i lëvruar në letërsinë e kohës, është befasia më e këndëshme në të gjithë krijimtarinë e Çajupit. {2012: 239}, që duket se përfaqësojnë formatin e parapëlqyer nga ana e studiueses, të cilat interpretohen si të përkthyera, të përshtatura dhe origjinale, pra të autorit. Përfundimi studimor, mbi këtë hallkë përfaqësues të shkrimit të autorit: Atë që bëri La Fonteni nga burimi grek, futjen në përrallë të jetës franceze, atë bëri Çajupi, duke futur në një pjesë të tyre probleme të jetës shqiptare, madje edhe persona konkretë. {2012 : 243}, që në fakt rezulton një përfundim i gjetur dhe që të ndërlidh me artin dhe mjeshtërinë e shkrimtarit edhe në këtë lami, jo shumë të lëvruar në letrat shqipe, deri tek Çajupi, që megjithatë pati si pararendës N. Frashërin dhe bashkëkohës P. K. Negovanin. Një aspekt rivlerësues, sa i përket lëvrimit të fabulave, është edhe përcaktimi: Nga krahasimi i fabullave të La Fontenit me ato që përfshin poeti ynë në vëllimin e tij, krijojmë bindjen se Çajupi në shumicën e fabulave bën përshtatje të plotë, por ka edhe përshtatje të pjesshme. {2012 : 256}, i cili të ndërmend konceptin e rishkrimit, të formuluar nga Selman Riza, kur flet për Mesharin e Buzukut, çka do të thotë se dhe përkthimi, sidomos me dorë të lirë apo me rrafsh të rrokshëm të përshtatjes, në njëfarë mënyre përfshihet në letërsi vetjake.

Kritika ndaj teksteve

Aspekti më i prekshëm, për të parë dhe shijuar shenjat e trajtimit dhe të prurjes së këtij studimi, pra tanimë të një varianti të rishkruar, por edhe për të rrokur ndryshimet që vihen re në hartimin e monografive, klasike dhe moderne, që janë realizuar gjatë kësaj ndërkohje në studimtarinëe shqipes, është prania e vështrimit kritik të dukurisë letrare, si dhe një qëndrimi kritik të mbajtur për secilin nga tekstet letrare të autorit, çka i ka dhënë një nivel të ri dhe më të ngritur të verifikimit dhe interpretimit të krijimtarisë letrare, por njëkohshëm është një kahje për ta modeluar, monografinë letrare, si ndërthurje jetëshkrimi dhe shqyrtimesh tekstologjike, si tipologji shkrimi edhe për kohërat moderne. Prania e vështrimit kritik, sidomos të veprës letrare, ka bërë që ripunim ase rishkimi studimor, të largohet përfundimisht nga pozitivizmi i I. Tainne, mendimtar i shekullit të 19, që e kundronte letërsinë në aspektet pohuese, si dhe ka mundësuar përfundimsiht nxjerrjen në dritë të tipareve më përfaqësuese, të qasjes studimore, çka përbën një vlerë dhe po kaq realizimin e modelit të shkrimit të monografisë letrare. Kundrimi kritik, pra duke vënë re me të drejtë edhe mungimet, që janë bashkudhtare të shkrimit letrar, aq sa edhe Shekspiri përgjumet ndonjëherë, janë të pranishme për të gjitha llojet dhe nënllojet letrare, që pati lavruar shkrimtari:
- Në rastin e shkrimit të prozës, letrare dhe publicistike, përveç vlerësimeve dhe shqyrtimeve, të thelluara tekstologjike, kemi të përcjellur edhe këtë pohim studimor: Tregimi i parë Historia e një familje merr herë trajtën e një reportazhi, herë tingëllon si analizë social-psikologjike. {2012 : 31}, pra duke evidentuar kështu mungesën e rrokshme artistike.
- Ndaj poezisë së shkruar prej tij, nga ana e studiueses, ka një qëndrim më dashamir, por ka raste kur përcaktimi mbi të, vjen i hapur, sikur ngjet në theksimin: Ndonëse poeti u nis nga dëshira që të prekte ndjenjat e shqiptarëve, poezia s`arriti të krijonte emocione të fuqishme, ajo mbeti kryesisht një përsëritje idesh të shprehuara më parë. {2012 : 99}, një mendim ky që lidhet me vargjet e poezisë Dëshir`e Skënderbeut ditën që vdiq.
- Po ashtu, me një sens kirtik të qartë, në përmbyllje të trajtimit që i bën poemës Baba Musa lakuriq, shkruan: Poema paraqet interes për njohjen e personalitetit të gjithanshëm artistik të Çajupit, ndonëse të lë përshtypjen e një vepre të papërfunduar. {2012 : 189}, që megjithatë e lë të hapur medimin se çfarë përjetimesh do të kenë lexuesit dhe studiuesit mbi këtë poemë, vepër e rëndësishme e autorit.
- Mes të tjerash, teksa flet për personazhet e ndryshëm të krijimtarisë dramatike, nënvizon: Por, kjo nuk e shpëtoi nga skematizmi dhe subjektivizmi, që krijon ndonjë shmangie nga konflikti themelor, {2012 : 201 }, që ndikojnë për ta sjellë kontributin e Çajupti në këtë anë në nivelin real.
- Kur analizon veprën dramatike Burri i dheut, shprehet: … në këtë tragjedi mbetet si e shkëputur më vete, ajo nuk çon në mënyrë bindëse drejt asaj zgjidhjeje, e cila {vrasja e sulltanit}, duke qenë një dëshirë e autorit, vjen papritur, si e rregulluar me dorë, dhe çliron më në fund personazhet nga gjithë hamendjet, pikëpyetjet që u kanë dalë përpara, {2012 : 226}, që na zbulon edhe njëherë vështrimin e qartë kritik studimor. Po ashtu, mbi këtë vepër kemi edhe një pohim të këtillë: … ndërsa në dy komeditë spikati mjeshtëria e Çajupit, për një humor të mprehtë e të këndshëm popullor, i shkonte më shumë komedia… tragjedia Burri i Dheut me atmosferën e zymtë dhe të ngarkuar të saj, {2012 : 235}.
- Po kaq teksa shqyrton fabulat, shkruan: Pra, më shumë në brendi dhe më pak në formë, Çajupi u përpoq ta jepte La Fontenin ashtu siç ishte: megjithatë, ai shkoi shumë më tutje sesa një përkthyer i zakonshëm, {2012 : 253}, si një mënyrë për të zbuluar edhe këtë vlerë të përfillshme të autorit.
Monografia mbi Çajupin, jetën dhe veprën e tij letrare, pra me një përqëdnrim në zbërthimin e jetëshkrimit, të vlerave që përçojnë tekstet, e sidomos duke nënvizuar edhe mungimet, pra qëndrimin e rrokshëm kritik ndaj kësaj, shënon një nivel të ngritur studimor ndaj autorit, po kaq edhe një rizbulim të aspekteve jetësore dhe shkrimore të shkrimtarit, e po kaq edhe një nivel të ngritur të shkrimit monografik, tashmë të ndërthurur, jetësore-letrare-kritike.
Kur metateksti studimor, tonton dhe rrok tekstin e një autori të caktuar, madje me të gjithë hapësirën e vetë shkrimore, çka e krijon si ndjesi monografia mbi Çajupin, atëhermë kemi ardhur tek rasti fatlum i përputhjes së vetëdijes së shkrimit letrar, me vetëdijen e shkrimit studimor, që bën që shkrimi letrar dhe autori, të zbulohet në dy pamje, shkrimore letrare, dhe shkrimore verifikuese dhe studimore.

Biznismeni dhe investitori Elon Musk parsheh reduktimin e rrezikut të zhdukjeve të njerëzimit duke bërë jetën multi-planetare" duke i vendosur -koloni njerëzore në planetin Mars.

    Kërko brenda në imazh                                                           Nga Flori Bruqi ,PHD Elon Reeve Musk ( 28 qershor, 1971)...