Alisa Velaj u lind më 1982, në Vlorë. Ka kryer studimet në Fakultetin Histori-Filologji për Gjuhë-Letërsi. Më 2008 ka mbrojtur Master pranë departamentit të Letërsisë me temën: “Katarsisi në prozën Kuteliane”
Ka botuar librat poetike: Themelet e erës", Tiranë 2007 dhe "Drejt ajrit", Tiranë 2009. Ka botuar poezi në gazeta e revista letrare si: “Fjala”, “Poeteka”, Albania, etj. Eshtë pedagoge në universitetin “Aleksander Moisiu” të qytetit të Durrësit..
Agron TUFA
Parathënie e librit Themelet e erës
Apoteoza e lëvizshmërisë
Ndoshta gjithë trajektorja që lë një frymor mes kësaj bote, me dëshirat, pikëllimet, shpresat dhe ravgimet shpirtërore na paraqitet në trajtën e ornamenteve, lajleve, arabeskave apo shenjavepiktografike, të cilat e ruajnë mistikën e deshifrimit larg kuptimësisë së mendimit të arsyeshëm. Dhe lavdi Zotit që larmia e kësaj bote njeh një dimension tjetër përveç diellit, atë të dritës së hënës. Këtë trasfigurim të botës – apoteozë të lëvizshmërisë - në shfaqjen e saj të shumllojtë, është në gjendje ta bëjë poeti, si instrumenti më i ndjeshëm i gjuhës dhe si vazhdim i përjetësimit mimetik, të parë papërsëritshëm nga një subjekt i papërsëritshëm.
Apoteoza e njohur e Platonit mbi shumllojshmëritë e shfaqjeve dhe dukurive se “në gjithë botën nuk mund të gjesh dy gjethe një-soj”,do të kishte vlerë identike edhe për sytë që i kundrojnë këto shfaqje dhe, më së pari, për soditjen e kulluar poetike. Prandaj dhe origjinaliteti i një poeti që synon kthimin e jehonës së gjërave - në gjuhë, qëndron, në thelb, në “pastrimin e shikimit të tij”, që rrezja e pikëshikimit të tij të mos jetë e papastër, e huaj. Sa më e pastruar dhe individuale të jetë soditja, aq më i shëndetshëm dhe konceptual do të jetë ligjërimi. Duke lexuar poezitë e këtij vëllimi të parë poetik të Alisa Velajt, kam përshtypjen e fortë se ka ndodhur një pikëtakim fatlum i këtyre dy komponentëve vendimtarë, për të krijuar një formacion të qëndrueshëm në ligjërimin origjinal të poezisë. Prirja për të patur një pikësoditje autentike në marrëdhënien me botën e sendeve dhe dukurive, ka sjellë si rezultat një strukturë konceptuale dhe meditative në njësinë e poezisë së saj, duke ruajtur një ekuilibër “spartan” në procedimet me tropet dhe stolitë e tjera retorike të prozodisë. Përbërësit e kësaj poetike që na paraqitet e organizuar në tre nëndarje kompozicionale – lirikat meditative, lirikat intime dhe lirikat e pejsazhit – janë dy llojesh: detaji pamor dhe distanca meditative. Atmosfera e krijuar nga përplasja e detajit me meditimin krijon figurshmërinë dhe shkallën e ngjeshur semantike të tablosë, e cila, duhet thënë se krijon një perspektivë të brendshme, të maskuar si me retiçencë:
E unë si hëna...
zbardhur prej mendimeve
qëndroj pezull në hapësirat e dritë-hijes sate
pa mundur të pushtoj asnjërën kullë
Vetë ligjërimi i kursyer përcakton edhe tipologjinë e metaforës dhe metaforikës askete, për t’ia lënë të lirë recepientit përjetimin. Gjithçka që ofron poetja është një ashtnor i kushtëzuar vargjesh, ndërmjet të cilëve pulson një shtjellë e harlisur mendimesh hipotetike. Sepse gjurmët e soditjes së instrumentarit të saj ofrojnëvizatime efemere, ornamente e arabeska të ikshme si shkrimet mbi xhamin e avullt nga hukama.
Vetë titulli i vëllimit “Themelet e erës” na orienton se kuptimet dhe figurshmëria janë gjithnjë në evolucion të pasosur shpërrndërrimesh dhe se tufat e emocioneve mund të shpërngulen si popujt endacakë, aty ku plas sensacioni i marrëdhënieve me dukuritë dhe shfaqjen e ekzistencave. Në këtë libër të parë, lexuesi i vëmendshëm i poezisë e ka të lehtë të dallojë së paku një gjë: përkushtimin për të krijuar konstrukte konceptuale të ligjërimit poetik, një pjekuri e pazakontë kjo për librat e parë. Poezitë mjaftohen me ngërthimin miniaturesk të objektit, me pak vargje, sa për të skicuar paksa profilin e maskuar brenda dhe ndërmjet rreshtash. Ky shfrytëzim i efekteve të intonacionit nuk është dominues në traditën e poezisë shqipe, me përjashtim të Martin Camajt, i vetmi, me që ra fjala, i pranishëm, më tepër si erë respekti në poezinë e Alisa Velajt. Ndoshta fryma mbrojtëse e Camajt, prirja për kah ai gen i lirikës së freskët shqiptare, tregon se anija e Velajt është lëshuar me erë të mbarë nga kalthëron uji i ri i detit...
Ta shkruash poezinë edhe në verbëri
Nga Arian Leka
Dhe kështu pra, duke pranuar se Poeti është krijesa që, nga të gjitha funksionet që i mvishen gjuhës, zgjedh përdorimin e saj veçse për qëllime estetike, gjej rastin të shkruaj shkurt për Alisa Velaj dhe librin e vet të parë me poezi , “Themelet e Erës” (Ideart, 2007).
Po ndalem menjëherë tek gjuha poetike, tek ky element apo më drejt, tek ky instrument me të cilin thurim për vete dhe të tjerë petkun e përfytyrimeve dhe të botës sonë përsiatëse, pasi kjo është substanca lehtësisht e dallueshme me të cilat kjo autore mpiks marrëdhënien me veten dhe botën reale apo botën e krijuar prej asaj që mund t’i shpikë edhe shiun edhe tingujt si vetëdije e shkruar mbi qelq.
Them mpiks, pasi këto poezi, më tepër sesa lëndë, materie tingullore apo forma grafike, janë lirika të pastra, thurima imcake dhe gjendje poetike që mëtojnë të rivendosin një lidhje me më të rrezikshmen dhe më të rrezikuarën: asaj çka trashëguam nga “klasiko-romantizmi” ynë poetik dhe gjendjes tjetër, kryekëput të ndryshuar të natyrës së ligjërimit në poezinë e re shqipe, apo klasikes së gjallë siç edhe ka filluar të thuhet së fundi. Zakonisht këto sprova e sfida nuk vijnë që në librin e parë, sidomos në rastet kur poeti gëzon e rreket të nxjerrë në dritë sikur dhe ndonjërin prej atyre vezullimeve që sheh mënjanë dhe vetëm. Por Alisa Velaj ka pranuar ta bëjë këtë duke ndarë fillimisht gjuhën poetike si shenjë e madhe ndarjeje dhe afrimi njëkohshëm. Ndryshe nga mjaft autorë që në librat e tyre të parë të magjepsin me aftësinë e vetvetishme të fjalëve për ndenjur pranë, për të sajuar rima e asonanca, Alisa Velaj zgjedh për ndihmëse e shoqëruese të parë vijën, linjën e skicës, ngjyrat e peizazhit dhe jo ritmin e muzikën që të pëlqejnë vetiu e ta bëjnë më të lehtë rrugëtimin. Vargjet e saj thuajse janë ta “pakatalogueshëm” në metrikë e mjete prozodike, por edhe kësisoj ajo arrin të veçohet, të përftojë e të ruajë për veten një formë mes kësaj bote gjithmonë e më tolerant ndaj përdroimit të fjalës poet e që gjithmonë e më shumë quan poezi çdo performancë tingujsh të pranëvendosur e me prirje të thekshme për pavarësi kuptimore.
E kam dëgjuar shpesh mendimin se poezia është gjuhë. Thënies kokëfortë do t’i shtoja vetëm diçka: poezia është edhe gjuhë. Përtej kësaj poezia mbetet po ajo ëndërr që mund ta shohësh syçelët e nuk përjashtohet rasti ta shkruash edhe në verbëri. Alisa Velaj i vesh paksa me mug e vagulli përfytyrimet e veta, sajon sfonde e dekor ëndrre, gjendje opake gjithmonë qepur e prerë prej fjale ku jo çdo gjë shquhet mirë. Janë shëmbëlltyra që na ofrohen si simetri të rrejshme me gjethe që mbeten gjedhe, me pemë që duan të jenë veç pemë, ndërkohë që diku larg farfurijnë rrënjë e themele ere, mbase të re letrare të atyre që vijnë.
Titulli i librit është një përjashtim i thekur, krijuar po prej të njëjtës autore që ka zgjedhur dhe përcaktuar se si dhe për kë i shkruan poezitë e saj, së njëjtës autore ka zgjedhur mjetet vokale e shkrimore, që përdor mirë aftësitë e anzave të shqipes duke qenë gjithëpoaq asketike në mjete, një autoreje që ka përcaktuar shkollën dhe mjeshtrit e denjë për nderim që në librin e vet të parë, sidomos tani kur askush nuk merr mundimin ta dëgjojë edhe një herë prej fillimit rrëfenjën se si një vajzë, një ditë nisi të shkruajë dhe ia doli të shkruajë një libër të mirë me poezi dhe aq.