2013-01-02

Nga Akademik Prof.Dr. Ali Aliu:HESHTJA SI MENYRE E VETEDIJESIMIT



Romani më i ri i Eqrem Bashës "Lakorja e ik'sit" fillon me vendimin e një personazhi pa emër, (përkatësisht një personazhi me nofkat ik'si dhe ikësi që si emërtime shndërrohen në metaforë të njëzimit të së panjohurës "x" me procesin e mospranisë dhe ikjes, jo vetëm në rrafshin kuptimor por edhe në atë tingullor, ku "ik" njëri nga tingujt, duke e sugjeruar ndërlidhjen e dy kuptimeve) për të heshtur, për të mos marrë pjesë në asnjë bisedë, dialog t? cilësdo natyre dhe fushe, për të mos u përgjigjur në asnjë provokim e sfidë, fyerje, bekim a mallkim qoftë. Në të vërtetë, në të gjitha situatat dhe perspektivat e ballafaqimit dhe sfidave ai do jetë aktiv, do t? marrë e do t? jap?, do të përgjigjet dhe do të grindet, por në vete dhe me vetveten, në heshtje dhe pa zë. Tërë rrëfimi romanor në fakt ndjek këtë vlim dramatik të brendshëm të ik'sit, radhit situata, pozicione, sfida dhe perspektiva nga më të ndryshmet, të pritura dhe të papritura që, duke e ngritur temperaturën e këtij vlimi dramatik nga kapitulli në kapitull, të kulmojë në fund me një dëshpërim pa fund me shijen e absurdit.
Lexuesit i mbetet e hapur mundësia për perceptim të supozuar të hapësirës e kohës, mjedis nga i cili shfaqet personazhi ik's, bota nga e cila del dhe me të cilën përballet ai. Gjithnjë duke hamendësuar fillimisht dhe duke pasur në çdo hap faktin- vendimin për heshtje, për abstenim të personazhit, lexuesi përfytyron ambient të kontaminuar nga fjala e sëmurë, nga lëngata dhe përçudnimi i saj agresiv. Në këtë përballje ngjizet dhe zë rrënjë, gjithsesi një si vetëdijesim i ik'sit, për heshtje, për një formë më të pafajshme refuzimi, ose, po të kthejmë faqen tjetër të aktit, heshtjes, si ikje e dorëzim, si vendim disfatist që e tërheq fjalën nga fusha e betejës për ta futur brenda mureve. Atë që nuk e ka të qartë dhe nuk mund ta ketë të qartë lexuesi, është vizioni i ik'sit, përkatësisht objektivi, caku i synuar me vendimin e marrë mbi shpinë: nuk mund ta dimë sa beson, sa është i paluhatshëm ik'si në vendimmarrjen e qëlluar, në ç'masë e konsideron të përshtatshëm truallin ku aderon me këtë vendim dhe për këtë lloj abstenimi, sa është i gatshëm ky ambient për të qenë i ndjeshëm ndaj një akti të tillë refuzimi publik, e hamendësime të ngjashme. Nisur nga konfuzioni i këtij segmenti të tërësisë hapësinore të rrëfimit, ta përsërisim edhe një herë, nuk mund të përcaktohet qartë objektivi, përkatësisht caku final i autorit të vendimmarrjes. Pikërisht këtë objektiv kërkojnë të dinë gojët e panumërta dhe të zëshme të ambientit, të mëhallës, të qytezës, duke lëshuar pandërprerë duzina supozime që rropaten të zhbirojnë objektin e synuar nga ik'si: gojëve të botës nuk u shpëton pa komentuar edhe lëvizjen më të lehtë të ik'sit, duke matur e çmatur çdo gjest, duke vënë në peshë - ç'deshi e ç'nuk deshi me një vendim të tillë, ku gjuajti e kë e fshiku, kë e rroku e kë s'e qëlloi, kujt ia mblodhi dhe kujt ja hodhi e rishtazi pa ndërprerë… Nuk ka dyshim se edhe heshtja ka bishtat e veta, edhe ajo flet me muzat e veta, me shikimet e shtrembra dhe të drejta, me bishtsyrin dhe syrin e lig.
Që në fillim të rrëfimit, të gjitha shtigjet e mundshme për të pastruar ambientin e kontaminuar, edhe sikur të kenë ekzistuar në vizionin e ik'sit kur ai merr vendim, duken të mbyllura, çdo refuzim dhe rebelim i kësaj natyre duket fare i pashpresë, përshtypje kjo që do të shtrihet dhe forcohet gradualisht, nga një shkallë tekstore në shkallën vijuese dhe që do të kurorëzohet në fund të rrëfimit. Pikërisht ikja, heshtja që si gjest e mjet nuk janë të prera për këtë ambient - e mbase për asnjë ambient të kësaj bote, do ta përballin personazhin me një mur të pakalueshëm, me një hapësirë të mbyllur përfundimisht. Përfshihemi kështu nga bindja e autorit të këtij romani, nga dëshpërimi i thellë se në fakt nuk ekziston ikja, përkatësisht nga dëshpërimi pafund për pafuqishmërinë e individit përballë agresivitetit të botës reale, përballë përditshmërisë në të cilin jetojmë… Dëshpërimi pra që jehon nga reagimet e heshtura të ik'sit, nga fjalët e heshtura, vjen rrjedhim i zhgënjimit të tij, i bindjes për pafuqishmërinë e individit, të njeriut për ta luftuar dhe për ta zhbërë nga kjo botë padrejtësinë, realitet dhe perspektivë kjo që e shtyn atë drejt frymës së absurdit, - disponim dhe shije që e përshkon tërë veprën letrare të Eqrem Bashës.
Diskurs i absurdit të përjetshëm
Eqrem Basha (1948) si krijues ka shkelur në dhjetëvjetëshin e pestë: me shkrimet e para - paralelisht dhe pa ndërprerë prozë e poezi - u shfaq në mbyllje të viteve gjashtëdhjetë, pikërisht në vitin 1971 ai botoi librin e parë me tregime "Shëtitje nëpër mjegull" dhe librin e parë me poezi "Opuset e maestros".
Titulli i librit të parë me tregime, lehtësisht dhe diskretshëm ofrohet si tregues metaforik për lexim e depërtim në tërë opusin letrar të tij, në prozë dhe poezi. Rrëfim-soditja duke hapëruar nëpër hapësirë të mjegullt, brenda së cilës mund të dallosh çdo gjë e çdo lëvizje por asgjë plotësisht të qartë, që është ndjesia e parë sa herë provon ta shoqërosh autorin në këtë shëtitje. Çdo gjë e gjësend, njerëz pamje dhe dukuri janë dhe s'janë, shfaqen dhe zhduken,- ke përshtypje se lëvizin sipas konfiguracionit gjeografik, të brendshëm. Ai që rrëfen ndërsa, ka marrë përsipër objektivin: të depërtojë tisin, shtresën e mjegullt të hapësirës dhe kohës, dhe të na rrëfejë fije për pe për atë botë të mbuluar mjegull. Do ta bëjë këtë sa me gjuhën e realistit ezopik, sa evokim me mall e nostalgji për njerëz, qytet e vite të shkuara, sa me diskursin zhgënjimtar dhe të absurdit të përjetshëm dhe universal.
Kjo është hapësirë brenda së cilës ka zënë embrion matrica krijuese e Eqrem Bashës, brenda së cilës, i veçantë dhe konsekuent, do të ndjehet komod, i sigurt dhe me vetëbesim të plotë do të vazhdojë ta përsosë poetikën e vet narrative dhe lirike, qetë, pa zhurmë, pa edhe asnjë ngasës për të tërhequr vëmendjen e botës. Eqrem Basha është natyrë e papërsëritshme krijuese në letërsinë shqipe, natyrë kompakte dhe komplete edhe si romancier, edhe si tregimtar dhe si poet. Ikja dhe kthimi ndërsa, shfaqja dhe fshehja brenda hapësirës narrative që zumë ngoje më sipër, praktikohen në më shumë rrafshe dhe në nga më shumë perspektiva në poetikën, sidomos narrative të këtij shkrimtari: prani e mosprani në hapësirë të mjegullt, prani e mosprani e zërit autorial, prani reale dhe imagjinare e botës përreth dhe përtej, personazhe me gjysmë identiteti dhe fare pa identitet, ngjyrim i identifikueshëm brenda hapësirës së kornizuar dhe e asaj universale, prani -revoltë përkatësisht dorëzim e disfatë, prani faji e mëkati, ndëshkimi dhe faljeje, besimi dhe zhgënjimi, të pleksura e kushtëzuara mes veti, të bëra tok dhe bashkë.
Në këtë prag feksjeje, në ambientin konkret apo në gjithësi, hapësirë ku drita kurrë nuk mbërrin t'i zbardhë me fund dhe qartë palët e pranishme dhe, ku as terri nuk mbërrin t'i fshehë ata përfundimisht, vendoset personazhi - narrator në rrëfimin e Eqrem Bashës, lëvizja, bëmat e tij në jetë, njësoj si tek romanet e parë edhe te më i riu, "Lakorja e ik'sit": fjala është edhe për një iks person të shkëputur nga kolektiviteti rastësisht apo incidentalisht, me të cilin le të identifikohet kushdo qoftë, do të thoshte autori, njësoj siç do të jetë edhe ikësi po nga kjo rrëmujë dhe agresivitet konkret, i përditshëm dhe i këtushëm. Cili është, përkatësisht cili mund të jetë raporti mes ikësit dhe heshtakut ngjizur tek i njëjti person, dhe deri në ç'masë heshtja mund të jetë ikje, ose deri në ç'masë mund të reflektojë abstenim, moskënaqësi deri revoltë dhe rezistencë, do të sqarohet brenda rrëfimit romanor në fjalë të sistemuar dhe të ndarë brenda njëzet kapitujve.
Rrëfimi romanor pra me këtë rast merret me heshtakun. Ikësi ndërsa qëndron pezull, hije që mund të përngjitet nga pas si refleks diskret i narratorit, si ndjesi e ngarkesë ndaj fenomenit të heshtjes si abstenim, si dorëzim disfatist… Kjo veçori narrative në fakt e përshkon nga fillimi në fund rrëfimin romanor të Lakorja e ik'sit, por edhe romanet "Dyert e heshtjes" dhe "Alpinisti". Në romanin më të ri autori flet për një fenomen të kohës dhe hapësirës konkrete dhe universale njëkohësisht. Në takim të parë mendja na shkon te kriza e fjalës, tek fjala e konsumuar, e shpërfytyruar, fjala e përçudnuar, agresive, e dhunshme që, si rrjedhim nxit heshtjen e folësit, ikjen e tij nga vërshimi agresiv i saj. Në këtë pikë dhe nga kjo perspektive do zërë fill një varg i gjatë variacionesh të heshtjes, përkatësisht vatra ngasjesh që nxisin vendimin e iks personazhit të Eqrem Bashës për të heshtur, për të mos marrë pjesë në asnjë debat, të çfarëdo lloji dhe natyre, për të mos u përgjigjur në asnjë pyetje, për të mos reaguar ndaj asnjë provokimi. Shija, ngjyrimi që do ta përcjellë tërë veprën "Lakorja e ik'sit" në këtë rast mbështetet në praninë e pandërprerë edhe të avokatit mbrojtës, të atij që e mbështet vendimin e tij, të ik'sit, njësoj si edhe të prokurorit që kërkon ndëshkim, sado diskret në krahasim me mbrojtësin.
Pse, si dhe nga vjen, ku e ka burimin ky zvetënim dhe përçudnim i fjalës? Mos është fjala për një hark kohor kalimtar, për një krizë tranzicioni, siç është bërë zakon emërtimi i kësaj periudhe historike, për të cilin Zija Çela thotë se tranzicioni është fenomen i përjetshëm dhe se në rrethana të veçanta e ka çdo kohë? Hamendësime të shumta, të ngjashme e përcjellin kërshërinë dhe vëmendjen e lexuesit të romanit "Lakorja e ik'sit" të Eqrem Bashës. E tillë është lakorja e ik'sit që, në fillim sidomos, duket sikur ndjek një vijë ngjitëse, shkëlqimi dhe rënie të kohëpaskohshme, ky model sa i kohës dhe hapësirës shqiptare dhe sa gjithëkohësh, sa prani dhe ngarkesë frustrimi dhe absurdi dhe sa prani konstante e botës dhe e njerëzimit. Është heshtje sa e shoqëruar me start solemn, me fanfare miratimi në moment dhe sa me qesëndi dhe përqeshje diskrete, sa si mur mbrojtës nga brutaliteti i fjalës sa si dobësi dhe si ikje. Përballë tërë situatave varg sfidash, heshtja-vendim në fillim si fare pa të keq, si pafajshmëri rasti, ose thjesht si një teke e zënë kot, në fund të rrëfimit romanor, vendimi në fjalë vjen dhe të përplas në tokë saharaje, ku pika e rrallë e ujit përthithet si të mos kishte ekzistuar fare, mesa fjala e heshtur e ik'sit përballë vërshimës ortek të asaj të përçudnuar… Është përplasje rishtuese e besimit tonë, e iluzionit tonë se përmes shpërthimit të heshtjes do të mund të ndryshojnë rrjedhat vrasëse të vlerës.

Administrata e Trump-it ofroi një mundësi, por jo një zgjidhje për problemet që ekzistojnë mes Kosovës dhe Serbisë

  Search inside image Akademik  Mehdi Hyseni,PHD Profesor Dr. Mehdi Hyseni  , është Doktor i Marrëdhënieve Politike Ndërkombëtare dhe Bashkë...