2012-12-29

NDALONI VENDIMET SKANDALOZE TË AKADEMIKËVE TË KOSOVËS!


Historiani Jusuf Buxhovi, përmes një letre të hapur drejtuar Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka kërkuar nga ky i fundit që të pengojë vendimin, siç e quan ai, “skandaloz të akademikëve të Kosovës të marrë në kuvendin zgjedhor kur Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës zgjodhi anëtarë me korrespondencë sllavistin Oliver Jens Schmitt, të njohur për qëndrimet rrënuese pa kurrfarë bazash shkencore ndaj historiografisë shqiptare”

Më tej, ai thotë se mjafton të përmendet qëndrimi i tij fyes ndaj Skënderbeut, kur ai shihet si “kaçak” dhe çmos tjetër, dhe assesi si personalitet historik evropian dhe botëror, ndër më të mëdhenjtë e kohës.

Në vijim, mund ta lexoni letrën e plotë të historianit/shkrimtarit Jusuf Buxhovi, drejtuar kryeparlamentarit Krasniqi:

Letër e hapur Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës

NDALONI VENDIMET SKANDALOZE TË AKADEMIKËVE TË KOSOVËS!

Ndërgjegjja si shkrimtar, historian dhe qytetar i Kosovës më shtyri të reagoj në këtë mënyrë, ngaqë Ju dhe institucioni që përfaqësoni jeni të vetmit që mund të pengoni vendimin skandaloz të akademikëve të Kosovës të marrë në kuvendin zgjedhor kur Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës zgjodhi anëtarë me korrespondencë sllavistin Oliver Jens Schmitt, të njohur për qëndrimet rrënuese pa kurrfarë bazash shkencore ndaj historiografisë shqiptare, të cilat ai prej kohësh po mundohet t’i promovojë në emër “të rishqyrtimeve” historike, qëndrime këto që kanë marrë përgjigje të merituar nga shumë historianë akademikë në Tiranë, por që për fat të keq, në Kosovë, pos ndonjë reagimi individual, jo vetëm që nuk janë përfillur, por si po shihet, ato janë në rrugë të gjejnë miratim “akademik”, gjë që nuk është për t’u habitur nëse kihet parasysh sjellja e deritanishme tepër pasive e akademikëve të Kosovës ndaj të gjitha çështjeve madhore.

Pa kontestuar të drejtën që Akademia jonë të ketë anëtarë me korrespondencë dhe pa kontestuar të drejtën që dyert e saj të jenë të hapura për nivelet e jashtme shkencore, megjithatë propozimi dhe zgjedhja e Schmittit në këto rrethana hap dyshimin se rruga e futjes së tij në këtë Akademi është pjesë e manipulimeve politike, pikërisht e atyre qarqeve që dëshirojnë Kosovën ta shohin pa histori shumëshekullore, ku dominon identiteti i saj shqiptar me rrënjë të thella qysh në antikitet. Se është kështu, këtë më së miri e tregon profili prej sllavisti i këtij historiani si dhe veprimtaria e tij e deritanishme, e cila kryesisht është mbështetur në rrënimin e historiografisë shqiptare si e drejtë historike dhe etnike. Mjafton me këtë rast të përmendet qëndrimi i tij fyes ndaj Skënderbeut, kur ai shihet si “kaçak” dhe çmos tjetër, dhe assesi si personalitet historik evropian dhe botëror, ndër më të mëdhenjtë e kohës. Qëndrime të ngjashme ndaj Kosovës dhe historisë së saj mund të shihen edhe në librin “Kosova – histori e shkurtër e një treve qendrore ballkanike”, doracak ky që më shumë i përngjanë një pamfleti që ka për qëllim të delegjetimojë rolin historik të shqiptarëve në trojet e tyre etnike në dobi të tezave hegjemoniste serbomëdha, që edhe sot e gjithëditën i mbrojnë akademikët e Beogradit, se sa, si thotë në parathënie, te një “kontributi” që do ta baraspeshonte historinë “me të vërteta” për “hir të bashkëjetesës”!

Schmitt dhe të tjerët kanë të drejtë të shprehin qëndrime e tyre, por kur ato reklamohen në një pjesë të shtypit të Kosovës, “në emër të rishqyrtimeve objektive historike”, ndërkohë që anatemohen “nacionalistë” historianët që përpiqen që rishqyrtimet historike dhe ikjen nga klishetë e njohura ideologjike t’i shohin në përputhje me të vërtetën nga e cila shqiptarët janë privuar dhe vazhdojnë të privohen, atëherë çështja fiton dimensionet e një fushate, që ka për qëllim që Kosovës t’i imponohet historia e kurdisur, pra mjegullimi historik e të ngjashme, gjë që hap dyshimin e arsyeshëm se edhe veprimet e fundit të akademikëve të Kosovës janë në përputhje me qëndrimet e atyre që atë dëshirojnë atë ta shohin jashtë historisë së njëmendtë, ku e drejta historike u njihet serbëve, por assesi shqiptarëve!

Për të qenë e keqja edhe më e madhe, ky “argumentim shkencor” i sllavistit Schmitt kryekreje kalon nëpër filtrat e historiografisë hegjemoniste serbomadhe, të kurdisur në shekullin e kaluar me shumë e shumë të pavërteta, të njohur për projektet e saj gjenocidiale ndaj shqiptarëve. Në këtë mënyrë, duke e parë Kosovën si “qendër shpirtërore dhe shtetërore të Serbisë mesjetare”, duke ia atribuuar asaj gjithë trashëgiminë historike të krishterimit dhe falsifikime të ngjashme që mund të gjenden vetëm në kuzhinat e akademikëve serbë dhe falsifikime të tjera të ngjashme, historiani nga Vjena, jo vetë që bie ndesh me rezultatet e albanologëve gjermanë dhe austriakë (Laibnicit, Hanit, Majerit e të tjerëve) aq të merituar për përhapjen e të vërtetës për lashtësinë antike të shqiptarëve, por ai bie ndesh edhe me rezultatet e albanologëve shqiptarë dhe të historianëve shqiptarë, të cilët ka më shumë se një gjysmë shekulli që bëjnë luftë të ashpër me akademikët hegjemonistë të Beogradit dhe qendrave të tjera antishqiptare, për ta përhapur të vërtetën shkencore për shqiptarët! Ndaj, pranimi i Schmitit si anëtarë me korrespondencë nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, krahas hendikepimit që mund t’u bëhet historianëve të Kosovës në rrugën e tyre për të studiuar të vërtetën historike, gjithsesi se do fuste një hendek të papërballueshëm me Akademinë e Shqipërisë dhe institucionet tjera shkencore, të cilave më shumë se kurrë u duhet uniteti dhe gjuha e përbashkët pikërisht në luftë kundër gënjeshtrave serbomëdha të Beogradit, të cilat po vazhdojnë me të madhe për ta kontestuar legjitimitetin e lashtësisë shqiptare në përputhje me të vërtetën historike, si popull-themel i antikitetit, por edhe të shtetit të Kosovës si pjesë e këtij realiteti historik dhe politik.

Sigurisht se mund të thuhen edhe shumë e shumë gjëra të tjera rreth asaj pse Schmitt nuk duhet të jetë anëtarë i Akademisë së Shkencave të Kosovës, dhe se një debat i hapur shkencor, që për fat të keq te ne mungon, do ta pengonte anëtarësimin e tij në këtë institucion. Por, në mungesë të tyre apeloj te organi më i lartë i Republikës së Kosovës, që si themelues i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ta pengojë këtë gjë, duke përdorur autoritetin ligjor, aq më tepër kur dihet se në procedurë e sipër është ligji i ri për Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, aprovimi i të cilit, pas një debati të gjerë të të gjithë faktorëve relevantë, me siguri se do të krijojë bazën e mirë që në zgjedhjet e ardhshme të gjejnë vend shkencëtarë dhe akademikë të mirëfilltë nga brenda dhe jashtë, por jo ata që vinë me projekte për ta rrënuar identitetin tonë historik!

I nderuar Kryetar i Kuvendit të Kosovës,

Jam i vetëdijshëm se kapja për masat e ligjshme, nuk do t’u pëlqejë atyre që thirren “në autonominë akademike”, ndërkohë që me qëndrimet e tyre kanë treguar se u mungon jo vetëm vullneti për punë të mirëfilltë shkencore dhe, si po shihet me një zgjedhje të tillë, u mungon edhe morali shkencor ndaj çështjeve madhore të historisë shqiptare në përgjithësi dhe asaj të Kosovës, si pjesë e saj, në veçanti. Por, kjo është e domosdoshme, që së paku “shkencërisht” mos të përligjen dëmet e mëdha që i janë bërë Kosovës deri më tani nga shumë veprime të papërgjegjshme të Klasës politike, e cila me pranimin e Pakos së Ahtisarit, trashëgiminë tonë historike, që ka të bëjë me krishterimin, ia ka dhuruar Beogradit.

Me këtë rast, njëherësh apeloj edhe te institucionet shkencore të Kosovës, të studiuesit dhe intelektualet, të cilët , për arsye të ndryshme, rreth këtyre çështje kanë heshtur, të ngritin zërin e tyre, nëse nuk dëshirojnë të bëhen bashkëpjesëmarrës në këtë komplot historik!

Me nderime,

Jusuf Buxhovi, historian, shkrimtar dhe publicist

Share on facebook Share on twitter Share on email Share on print More Sharing Services
35
Currently 4.33/512345 4.3/5 (9 votë/a)

Historiani Jusuf Buxhovi:Schmitt sulmon historinë shqiptare





Historiani Jusuf Buxhovi, i pranishëm në një debat të organizuar nga Forumi Rinor i Lidhjes Demokratike të Kosovës së bashku me forumet rinore të partive politike shqiptare, ka qenë i ashpër në vlerësimin e tij për historianin zviceran, Oliver Jens Schmitt.

Ai u ka thënë të rinjve në politikë se shqiptarët nuk kanë nevojë të frikësohen prej madhështisë së historisë së tyre.

“Para disa ditësh Schmitt ishte këtu, një historian shumë i kontestuar, i cili e sulmon historinë tonë aty ku është gjëja më e shenjtë – Skënderbeun”, ka thënë Buxhovi.

Sipas tij, është turp i madh që një historian si Schmitt ftohet të ligjërojë para studentëve shqiptarë, deputetëve të Parlamentit të Kosovës e zëvendësministrave kosovarë.

“Schmitt fyen edhe shkon aq larg sa thotë se as teoria ilire nuk ekziston dhe se historia shqiptare duhet të shikohet në kontekstin ballkanik. Kjo do të thotë se duhet të kthehemi në një çorbë ballkanike”, ka thënë Buxhovi.

Oliver Schmitt-i përballë “gabimesh’’



Fitim Dika

Libri “Skëndërbeu” i Schmitt-it më ngacmoj për dy arsye, e para për shkak se fliste për heroin më të rëndësishëm të histografisë shqiptare dhe e dyta se autori në fjalë vjen nga Universiteti ku unë kam studiuar. Nga debatet në mediat shqiptare dhe debatet mes analistësh dhe historianësh kam kuptuar se debati më shumë se historik i bazuar në fakte, ishte debat politik dhe atdhetar, bile edhe historiani më i njohur i ditëve tona, Kristo Frashëri, më shumë se me veprën e Schmitt-it u mor me analistët dhe personalitetet e tyre.

Për mendimin tim, është e kotë të mbrojmë akoma atë që quhet lufta nacionale e Skëndërbeut, pasi më kjo gjë është e qartë se në atë kohë nuk ka ekzistuar. Po ashtu vasaliteti i Skëndërbeut ndaj Napolit, luftërat fetare në atë kohë, janë të dëshmuara bindshëm dhe nga këto dëshmi nuk është se vetëm histografia jonë ka problem, por të gjithë vendet ballkanike. Një shembull kemi betejën e Kosovës (1389) e cila pavarësisht se ishin shumë fise dhe etnitete që luftonin, çdo etnitet e ka marrë si betejën e kombit të vet dhe jo si një aleancë ballkanike, ndërsa Millosh Obiliqi është hero dhe figurë e të gjithë ballkanasve ku shqiptarët thonë se është shqiptar, boshnjakët se është boshnjak, mos flasim për serbët dhe kroatët e kështu me rrallë. Të gjithë kritikët e Schmitt-it nuk u morën me problemin në fjalë, për të dokumentuar të kundërtën e vasalitetit, të kundërtën e një lufte pa nacionalizëm dhe atdhedashuri, por u morën me çështje sekondare dhe terciare.
Përkundër gjithë kësaj ky debat le të jetë mes historianëve, por atë që mua më bëri përshtypje libri i Schmitt-it ishin disa gabime toponimesh dhe vendesh gjeografike që ndodhen në librin e tij. Duke qenë nga Maqedonia ndoshta e kisha më lehtë t'i vërej këto gabime, pasi kanë të bëjnë më shumë për gjeografinë e këtyre viseve. Po fillojmë me radhë: Në faqen 241 te libri "Skëndërbeu", flitet për Xhaminë e Larme e cila ndodhet në Tetovë; ndërsa në libër përmendet Shkupi si vendndodhja e xhamisë.

Në faqen 493 të librit gjendet paragrafi "i Modriçit në luginën e Treskët para Shkupit", por fshati Modriç ndodhet mes Dibrës dhe Strugës dhe jo përpara Shkupit.
Po ashtu kemi edhe disa gabime tjera si në emrin e një vepre ku Schmitt-i e quan "Arratisje nga Orienti", por në fakt quhet "Arratisje nga Lindja" (fq. 453-454); përmend gjuhën turqishte për osmanët, ndërsa osmanët flisnin gjuhën osmanishte, një gjuhë e përzier mes arabishtes, persishtes dhe turqishtes së sotshme. Ataturku ishte ai që reformoj gjuhën e tyre më 1929, e cila ishte e ndryshme nga ajo që përdorej më parë.

Ka edhe disa fakte të ndryshme historike me ato që gjenden në arkivat osmane. Por këto nuk i përmendim për arsye se arkivat osmane për ne akoma janë të papranueshme. Me këto që përmenda, besoj se vepra “Skënderbeu” e Schmitt-it përkundër faktit që thelbin e ka të qartë dhe të mire interpretuar, me gabimet e lartpërmendura mbetet larg të qenurit një vepër serioze.

HISTORIANË TË RREZIKUAR


Xha Xhai

Edhe historian, edhe kombëtarist (nacionalist): a ka ndonjë gjë që nuk shkon brenda këtij çiftimi?

Këtë e diskutuam tani së fundi, kur folëm për disa veprimtari jashtëzakonisht publike të historianit Pëllumb Xhufi – të cilat nuk kanë të bëjnë me profesionin e tij si historian, por me zotimin e tij qytetar.

Me të drejtë u tha se shpesh janë mediat që ua shtojnë titujt emrave, për t’u dhënë “peshë”; dhe se ndoshta personat në fjalë nuk do të donin që të identifikoheshin sipas profesionit, kur merren me punë që s’kanë lidhje me profesionin e tyre.

Kështu, një kërkim për togun “historiani i njohur Pëllumb Xhufi” jep 3,350 rezultate në Google, “historiani i mirënjohur Pëllumb Xhufi” 1,240; dhe “historiani i njohur” + “Pëllumb Xhufi” 184,000; të cilat pothuajse të gjitha kanë të bëjnë me veprimtari politike dhe publike të këtij personi.

Për shembull, nuk është normale që Sali Berishën ta identifikosh si “mjeku i shquar S.B.” etj.; sado që, edhe këtu, do të dilte ndonjë balerin i argumentit, për të shpjeguar se puna e kryeministrit është si e mjekut që kuron etj.

Megjithatë, nuk dua të vë në dyshim se një pjesë e kësaj stukoje shtohet nga mediat.

Pëllumb Xhufi, sikurse shumë të tjerë, zotohet qytetarisht si intelektual, jo si profesionist; dhe është mirë që të identifikohet si intelektual.

Por çështja shkon edhe më thellë, duke pasur të bëjë drejtpërdrejt sa me natyrën e profesionit në fjalë, aq edhe me natyrën e zotimit në fjalë: a i ka hije historianit të jetë edhe kombëtarist, haptazi dhe aktivisht?

Me kombëtarist kam parasysh, në këtë kontekst, zotimin dhëmb për dhëmb, në mbrojtje të çështjes kombëtare, kundër armiqve realë ose të imagjinuar të kombit.

Pyetja që bëj më lart do t’u tingëllojë disave absurde, meqë për këta kombëtarizmi si lëvizje ose doktrinë ose ideologji është i tëri i koaguluar rreth historianëve.

Vërtet – por kjo nuk do të thotë që historianët ta pranojnë vetvetiu këtë gjendje të sendeve, dhe t’i ofrojnë shërbimet e tyre – si dijetarë – kombëtarizmit.

Problemi është i ndërlikuar dhe shkon drejt e në zemër të historiografisë: çfarë do t’i motivojë historianët?

Kërkimi i së vërtetës historike, do të ishte përgjigjja më normale.

Për kombëtaristin “e fortë”, kjo e vërtetë është një dhe e tillë që të përkojë me synimet e lëvizjes së tij, të kredos së tij, të fesë së tij.

Për kombëtaristin “e dobët”, ka po aq të vërteta sa edhe kombëtarizma: sipas këtij, do të ketë po aq historiografi sa edhe kombe, meqë e vërteta historike është relative.

Për kombëtaristin “pragmatist”, historiani duhet ta fabrikojë të vërtetën, në mënyrë të tillë që kjo “t’i vlejë” sado pak çështjes kombëtare.

Për kombëtaristin “mi(s)tik”, historiani nuk është veçse përrallëtar, ose nyja ku turlia e fakteve dhe faktoideve historike shndërrohet në një narrativë pak a shumë konsistente, me të mirë dhe të ligj.



Çështja thellohet edhe më, për të prekur plagën e subjektivizmit në historiografi.

Për marksistët, historia është produkt i luftës së klasave dhe “e mira” është në anën e të shfrytëzuarve – librat tanë të historisë kanë mbetur shembëlltyrë e këtij vizioni.

Për kombëtaristët – të themi shqiptarë, meqë këta na interesojnë – historia është produkt i luftës së shqiptarëve kundër të gjithëve; duke u nyjëtuar si një dramë morale, ku e mira, sublimja, heroikja dhe e virtytshmja janë gjithnjë në anën tonë.

Detyra e historianit, madje misioni i historianit, është që t’i shërbejë këtij precepti.

Kështu e mendojnë kombëtaristët – në mënyrë jashtëzakonisht logjike, do të thoja.

Problemi këtu është nëse edhe historianët janë dakord me këtë dhe gati t’i nënshtrohen kësaj zgjedhe, në emër të zotimit të tyre qytetar.

Diskutimi nisi me P. Xhufin, por nuk ka lidhje vetëm me të; në fakt, ka lidhje me perceptimin që ia bën historianit publiku, ose të paktën një pjesë e publikut.

A është detyra e këtij të ndriçojë të vërtetën në histori, apo të mbajë me “bukë intelektuale” zelltarët e kombëtarizmit, duke ua rrëfyer këtyre historinë sipas midesë?

Do të më thonë: ata ashtu e ndiejnë dhe ashtu bëjnë. Një historian është më i përgatitur se të tjerët, kur vjen puna për çështje të kombëtarizmit.

Këtë do ta pranoj me rezerva: jo çdo kombëtarizëm i ka rrënjët në histori dhe ushqehet me narrativa historike (unë do të parapëlqeja “kombëtarizmin civik” të Renan-it, i cili e përkufizonte kombin si një referendum të përditshëm me të cilin populli vendos nëse do të vazhdojë të jetojë së bashku). Por yni ashtu është, dhe le ta marrim për të mirëqenë.

Tani, në rrethanat specifike të kombëtarizmit shqiptar si kombëtarizëm historik (romantik), unë besoj se zotimi i historianit aty, si qytetar, ia dëmton këtij statusin si historian.

Unë pres prej historianit të më rrëfejë të vërtetën historike, me aq sa ka mundur ta shohë dhe ta gjejë në kërkimet e veta.

Nëse unë filloj të dyshoj se ky historian, gjithë duke u paraqitur si shërbëtor i së vërtetës historike, në fakt është duke më tërhequr prej hunde dhe duke m’i paraqitur ngjarjet historike të trukuara, në mënyrë të tillë që kjo t’i shërbejë vizionit kombëtarist, atëherë unë do ta mbyllja librin.

Madje edhe po të isha kombëtarist (që nuk jam), do ta mbyllja librin. Një kombëtarist, që është i ndershëm në zotimin e vet qytetar, duhet t’i kërkojë historianit të vërtetën, jo propagandën.

Kujdes: me këtë nuk dua të them se P. Xhufi dhe kolegët e vet, edhe historianë edhe kombëtaristë, e shtrembërojnë të vërtetën në studimet e tyre: nuk kam asnjë arsye ta besoj këtë, as jam në gjendje ta verifikoj, meqë nuk jam historian profesionist.

Unë flas për besueshmërinë e tyre si historianë, e cila cenohet vetvetiu, në atë masë që këta zotohen haptazi, qytetarisht, si kombëtaristë.

Çështja mund të shtrohet edhe kështu: a mund të jetë historiani i paanshëm? Ndoshta jo, sa kohë që është njeri, i përfshirë në një kontekst social, kulturor dhe ideologjik të caktuar. Atëherë le të themi: a mund të përpiqet historiani të jetë i paanshëm? Kësaj pyetjeje do t’i përgjigjem kështu: jo vetëm që mund të përpiqet, por edhe të mbajë parasysh se, në atë masë që tundohet ta vërë punën e vet në shërbim të një idhulli tjetër, të ndryshëm nga e vërteta, ai nuk është më historian, por kalemxhi.

Kombëtarizmi, dua të them, është fatal për historianin, sepse e shndërron këtë në kalemxhi, pavarësisht nga integriteti i tij si njeri dhe si profesionist.

Sikurse është fatal edhe për të gjitha profesionet e tjera të lira ose liberale, sepse i zbraz ato nga vlerat intrinseke, duke i vënë në shërbim të një vizioni ose një feje ose një lëvizjeje politike.

Tani, kur flasim për anshmëri të historianit kombëtarist, nuk duhet të na shkojë mendja, medoemos, në mashtrime dhe popla, as në eksitime mendjelehta, si ato që shoqëruan “zbulimin” e librit të parë shqip të Teodor Shkodranit nga Musa Ahmeti; meqë këto shpjegohen më mirë si mungesë profesionalizmi.

Përkundrazi, kemi parasysh ato momente kritike gjatë hulumtimit, kur historiani është i pavendosur nëse do të ecë këtej apo andej, djathtas apo majtas, drejt veriut apo drejt jugut; ose kur faktet nuk janë aq të qarta, sa ta bëjnë evident ose edhe të panevojshëm interpretimin; ose kur historianit i duhet, si të thuash, të shkruajë veten në tekst.

Për shembull, kulturën e Komanit shumë historianë shqiptarë e konsiderojnë si dëshmi të tranzicionit nga ilirët tek arbrit; ndërsa shumë historianë të huaj si dëshmi të një kulture në thelb latine-romane, që u tërhoq në mal gjatë trazirave në Ballkanin e asaj kohe.

Tani, arsye të mjaftueshme për një ndarje të tillë kaq të prerë opinionesh nuk ka; dhe ose historianët shqiptarë janë të anshëm dhe u rëndon kandari nga shpjegimi që i nevojitet kombëtarizmit shqiptar, ose të huajt janë marrë vesh mes tyre, për t’ua kallur shqiptarëve.

Po ua lë juve të gjykoni më tej.

Anshmërinë e historianit kombëtarist e gjen, bie fjala, edhe në përzgjedhjen e burimeve – duke parapëlqyer ato që mbështetin pozicionin a priori në favor të tezës kombëtariste përkatëse; ose në vendimin për të heshtur ndaj diçkaje që nuk pajtohet me këto teza.

Shumica e historianëve shqiptarë të Mesjetës e kanë bërë këtë, duke i paraqitur faktet në mënyrë përzgjedhëse dhe duke heshtur për gjithçka që nuk u ka pëlqyer.

Një rast flagrant – ai i M. Korkutit, që ka injoruar krejt tezat e një kolegut të vet të huaj, për pikturat shkëmbore të Trenit.

Por jo vetëm kaq – mjafton ndonjëherë edhe një transliterim tepër i zellshëm ose i sigurt, i një emri në një dokument bie fjala të shkruar në osmanishte, për të përcjellë si të vërtetë një interpretim, hamendje ose edhe thjesht dëshirë.

Në një diskutim që patëm dikur këtu në blog, Tannhäuser-i tregoi sa e lehtë do të ishte që, të njëjtin emër të shkruar me alfabetin latin ose arab ose grek, ta lexosh si Joan apo si Gjon (këtu, këtu dhe këtu); diferencë kjo aspak e pafajshme, po të kemi parasysh se një Gjon do ta identifikonte emërbartësin automatikisht si arbër ose shqiptar.

Se çfarë gjëme i bën zotimi kombëtarist publik historianit, këtë e gjej të dëshmuar në një shkrim të A. Klosit për përkthimin që u ka bërë P. Xhufi “Statuteve të Shkodrës”. Gjithnjë sipas Klosit, Pasazhin origjinal:

Ordinemo che zaschadun guardator de li herbi sia tenudo fidelmente a guardar li herbi de le citade e se trovasse sclavo oy arbaneso vay scutarino cum piegore over cum vache over cum porci…

ku sllavët dhe shqiptarët (“sclavo oy arbaneso”) dallohen shkoqur prej “shkodranëve” (scutarino)

Xhufi e paska shqipëruar kështu:

Rojtarët e kullotave duhet të ruajnë me besnikëri kullotat e qytetit. Në rast se rojtari kap dikë një bujk, një malësor ose një shkodran duke kullotur delet, lopët ose derrat…

Çka ishte dallim etnik në origjinal, përthyhet si dallim social në versionin e shqipëruar; thelbi këtu është se qytetarët shkodranë vërtet dallimet etnike mund t’i kenë lexuar sipas stereotipeve sociale (arbërit si malësorë, sllavët si bujq); por teksti i statuteve një dallim të tillë nuk e bën.

Kam dy libra të P. Xhufit në bibliotekë – Dilemat e Arbrit dhe Nga Paleologët te Muzakajt; mirëpo ai marifeti në përkthim më lart më ka bërë ta humb disi besimin tek autori. Një historian që kërkon të anashkalojë, duke keqpërkthyer në mënyrë “krijuese”, faktin se statutet e Shkodrës jo vetëm i dallojnë sllavët dhe shqiptarët prej shkodranëve qytetarë, por edhe i vënë këta – sllavë dhe shqiptarë – në një plan; pra, një historian që kërkon ta mbulojë këtë, i ka lejuar vetes një gabim fatal; sepse ka lejuar t’i shkelet integriteti profesional. Unë jam vërtet lexues i interesuar i veprave të tilla, por nuk i kam as mundësitë, as dëshirën, as kohën që të verifikoj premisat, të dhënat dhe burimet e tyre – mjaftohem t’i kem besë historianit autor.

Çfarë e them me keqardhje të madhe, sepse P. Xhufi ka pasur fatin e madh të përgatitet si historian në një universitet nga më të mirët e Europës, në një kohë kur moshatarëve të tij, në Shqipëri, mezi u dilte e drejta e studimit për histori-gjeografi në UT; dhe këtë fat e ka përligjur, duke shkëlqyer më pas në fushën e vet, derisa t’i dorëzohej tundimit kombëtarist dhe ta vinte besueshmërinë e vet në rrezik, për të mos thënë në pikëpyetje.

Do të më thonë: njerëz të tillë, specialistë të tillë, akademikë të tillë na duhen, për t’iu përgjigjur shovinizmit të fqinjëve, të cilët nuk ngurojnë të vënë në punë akademitë dhe universitetet e tyre, kur vjen puna për të përligjur politikat e tyre antishqiptare.

Ky argument e shpërfill krejt nevojën që ka dija për të qenë e pavarur nga politika; por le ta lëmë mënjanë këtë aspekt dhe të kufizohemi me argumentin vetë.

I cili thotë, në thelb: shëmtia pjell shëmti. Meqë i kemi armiqtë të shëmtuar, edhe ne të shëmtuar do të jemi. Meqë i kemi armiqtë vampirë, edhe ne do të thithim gjak. Meqë ata ushqehen me kërma, edhe ne me kërma do të ushqehemi… Dhe kështu me radhë.

Arsyetimi ia asgjëson krejt statusin historiografisë si qasje ndaj së vërtetës; duke e shndërruar në diçka si fabrikë armatimesh ose helmesh kulturore.

Arrij t’i kuptoj, deri-diku, ata kombëtaristë që besojnë se populli dhe kultura e tyre e referimit janë nëpërkëmbur në shekuj dhe tani kanë të drejtë të kërkojnë shpagim; vetë Shqipëria dhe kultura e sotme shqiptare, e së cilës jam edhe unë pjesë, ia detyrojnë ekzistencën një qëndrimi të tillë.

Arrij t’i kuptoj, deri diku, edhe përpjekjet e këtyre kombëtaristëve që të përdorin argumente historike, për tezat dhe synimet dhe programet e tyre politike dhe kulturore.

Këto argumente historike do të vijnë nga studime historianësh dhe vepra historiografike që nuk janë doemos kombëtariste, as manipulative vetëm e vetëm ngaqë dikush i përdor ashtu.

Çfarë nuk kuptoj, është si një historian, për më tepër “i shquar” në fushën e vet, shpreson se mund të zotohet në veprimtari me natyrë kombëtariste – qoftë edhe moralisht të përligjura – dhe prapë të shpresojë se mund të ruajë reputacionin dhe integritetin e vet profesional si historian.

Shqipëria dhe Kosova po bashkohen?


Nuk mund edhe shumë kohë të ndalohet bashkimi i Shqipërisë me Kosovën, theksoi historiani zviceran, ekspert për Europën Jug-Lindore, Oliver Jens Schmid në intervistën e sotshme, dhënë gazetës zvicërane “Neue Zurcher Zeitung”.

Profesori i universitetit të Vienës, i cili vlerësohet si një ndër njohësit më të mirë të historisë shqiptare, përmendi se “…që në Janar, është rënë dakort, që të hiqen kontrollet kufitare ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë…” dhe se “…ky ‘shengen shqiptar’, është një hap përpara drejtë bashkimit”, transmeton Shqipmedia.

“Fuqitë e medha, deklarohen kundër kësaj, por nuk mund edhe shumë kohë të ndalohet bashkimi i këtyre shteteve, ashtu siç nuk mundeshe të ndalohet bashkimi i Vllahis dhe Moldavisë me Romaninë, në vitin 1861, ose bashkimi i Bullgarisë, në vitin 1885”, theksoi Schmid.
Historiani në fjalë, përmendi edhe autostradën e re Tiranë-Prishtinë, “…do të kontribuoj në intesifimin e marrëdhënjeve mes Kosovës dhe Shqipërisë, poashtu edhe internet, tanimë me të madhe e ka forcuar kursin nacional mbashqiptar, në mënyrë të pavarur, pa marr parasysh kufijtë”.

Në pyetjen, megjithatë, nëse e ngadalsonë këtë rrugë bashkimi, idenditeti specific kosovarë për tu bashkuar me Shqipërinë? – Schmid potencoi se “ … gjithnjë, në trojet shqiptare, hapësira në të cilën është folur gjuha shqipe, ka qenë policentrike me dallime të mëdha rajonale. Edhe pse zhvillimi në Shqipëri, ka qenë pak sa i ndryshëm nga ai i shqiptarëve në ish-Jugosllavi, pas viteve 1945” .

“Ekzistojnë idenditete rajonale, dhe në kuadër të këtyre është edhe rajoni kosovar. Keto rajone bazohen në ndryshime të supozuara të gjuhës dhe mentalitetit. Në planin politik, puna është pak më e komplikuar, nga ndikimi i madh i Perendimit.” – theksoi historiani zvicëran.

Në pyetjen e një gazetari sërb, se nëse do të ishte më mirë Kosova si një shtet multietnik vetëm teoritikisht, të ndahet në mes shqiptarëve dhe serbëve, Schmid theksoi se “duke i marr parasysh kornizat politike, kjo ngelet një çeshtje vetëm teorike.”

“Deri më tani, as nga pala shqiptare, e as nga ajo serbe, nuk kemi perceptuar sinjale të qarta për këtë çështje. Të dy palët, qëndrojnë forte për pretendimin e territorit të plot të Kosovës”.

Schmid paraqiti dyshimet e tij për funksionimin e multietnicitetit në Kosovë.

“Për të ndërtuar një shtet multientik, i tillë siç është i ndërtuar në kushtetutën e Kosovës,është e nevojshme të shlyejmë historinë. Kjo është e pamundur, sepse 17 qershori 1999, për sërbët është moment dështimi dhe i humbjes, kurse për shqiptarët moment çlirimi”, potencoi Schmid.

Ai vlerëson se “ strategjia e arritjes së paqes, duke i rritur të drejtat e minoriteteve, ashtu si në Bosnjë dhe Maqedoni, në fakt vetëm se e forcon formimin e blloqeve etnike”.

Schmidt: Libri i Fevziut, me anekdota!


Oliver Jens Schmitt, profesor i historisë së Europës Juglindore në Universitetin e Vjenës, në një shkrim të gjatë në Neue Zuercher Zeitung, shkruan se nëse të gjitha vendet e Europës Lindore kanë nisur të bëjnë një përpunim faktik dhe moral të komunizmit, Shqipëria nuk guxon të hedhë një vështrim në të shkuarën e saj të frikshme.
“Çfarë dimë ne sot për Shqipërinë e Enver Hoxhës? Përgjigja është zhgënjyese. Në Shqipëri shpesh historianët e lidhur dikur me partinë e shmangin epokën e komunizmit. Madje në përshkrimin historik të Akademisë shqiptare flitet për “periudhën e pasluftës”, për të shmangur klasifikimet ideologjike. Vazhdimësia e elitave në politikë dhe shkencë është e fortë. Nëse flitet për periudhën e komunizmit, kjo bëhet në një mënyrë tepër të politizuar dhe të ngarkuar me emocione,” shkruan autori, që vlerëson Fatos Lubonjën dhe Ardian Klosin, të kanë guxuar të japin vlerësime kritike për sistemin, por janë sulmuar ashpër kur e kanë bërë këtë.
“Lexuesi shqiptar përballet me një bulevardizim të kujtimeve të asaj periudhe, të nxitur nga gazetarë në kërkim të sensacioneve apo edhe nga kuadro të partisë, që tani shkruajnë kujtimet e tyre duke nxjerrë në pah meritat e tyre ose edhe njëfarë disidence. Kur publicisti Blendi Fevziu publikoi përpara pak kohësh të parën biografi të diktatorit, libri i mbushur me anekdota arriti një sukses domethënës. Megjithatë simpatizantët e regjimit u zemëruan, në Ferizaj të Kosovës libri u dogj si një shenjë për të treguar se Enver Hoxha vlerësohet si një lider i fortë edhe tani në Kosovë,” shkruan Schmitt.
Historiani përmend edhe faktin se Sigurimi ka pasur një pushtet të frikshëm në periudhën e diktaturës. Ai thotë se dosjet e Sigurimit nuk janë hapur, por janë përdorur nga demokratët e socialistët për diskreditimin e kundërshtarëve politikë.
Në fund të shkrimit Schmitt thotë se të kuptosh Enver Hoxhën, duhet të kuptosh njerëzit që e kanë mbështetur për ndërtimin e komunizmit. “Mënyra se si Enver Hoxha e shihte botën dhe gjërat shpjegon paaftësinë e elitës politike të sotme për të ndërtuar dialog dhe kompromis,” shkruan autori.
“Por periudha e Hoxhës ka ndikuar fuqishëm të gjithë shoqërinë shqiptare,” shkruan Schmitt.
Ai e mbyll duke thënë se në fakt çelësi për të kuptuar të kaluarën dhe të sotmen e Shqipërisë është të kuptosh se kush kanë qenë njerëzit e zakonshëm.

Skënderbeu nuk është personazh mitik, por historik, Z. Oliver Jens Schmitt!

Fahri Xharra

Vallë a mos jemi të padëshiruarit e gjithëkujt që kaq shumë po e groposim krenarinë e vjedhur , që kaq shumë po hidhemi që t`i afrohemi vorbullës ndjellakeqe .


Skënderbeu a ka qenë vërtet një “atlet i krishterimit” apo një aventurier e një hakmarrës?. Deri vonë, askush nuk guxonte ta vinte këtë në dyshim për Heroin tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu. Disa vite më parë, historiani Oliver Jens Schmitt, në një vepër të tij kushtuar Gjergj Kastriotit, ndër të tjera servirte edhe një dokument, sipas të cilit lufta e tij kundër Sulltanit s’ishte gjë tjetër veçse hakmarrje personale ndaj vrasjes së të atit. Në këtë 100-vjetor të pavarësisë, revista “Përpjekja” i ka kushtuar një numër të veçantë pikërisht Skënderbeut. “ .Mrekulli dhe mrekulli shqiptare, dhe vetëm shqiptarët dijnë të bëjnë këso mrekullira.
Askush nuk paska guxuar t`a vën në dyshim meritën e Skënderbeut! Dhe ja që tani na dual njëfarë Dr. Schmitti i cili pa kurrëfarë fytyre po e studjon në mënyrën më ”serioze”dhe më “ drejtkallxuese “se si paska arrijtur Skënderbeu që “ të prishë rehatinë” e tij personale prej Begu dhe përkundër të gjitha të mirave që i kishte dhe që e rrethonin t`i kujtohej se ka për të” larë një borgj “ sipas Kanunit.
Skënderbeut si ”fytyrë mitike “ që ishte dhe po” vërtetohet ” nga drejkalluesit e historisë; i duhej patjetër që” të mbronë fytyrën” e Kastriotëve dhe në mënyrën më aventuriere të hakmirret.
Që patjetër të na groposin krenarinë tonë të vjedhur ,atëherë “Historianit “që flet rrjedhëshëm shqip dhe serbisht ,dhe që na mahnitë me aftësitë e tija zbërthyese të dokumentave (të përzgjedhura sipas dëshirës së tij dhe të komentuara sipas qëllimit të tij) i japim vend në foltoret tona dhe në hapësirën tonë që përditë e më tepër po na mjergullohet. Pa u harruar për të përmendur dhe “falënderuar” edhe ndihma e shqiptarëve të llojit të Artan Putos dhe atij të Fatos Lubonjës, të cilët me një mohim kombëtar ia çelin dyert e shëmtimit të historisë sonë nga paçavurët e llojit të Dr, Shmittit .
Hajde ku ka katandisur populli shqiptar që lejon paçavure te tilla, si të jashtme ashtu edhe të mbrendshme! O bobo ,e ç`na zuri të papërgatitur kjo kohë e dreqit të mallkuar!
Sudiuesi gjerman H. A. Barnatzik, shkruante se “Që nga viti 1444, gjer më 1468, u zhvilluan 24 beteja të përgjakshme, në të cilat Skënderbeu, heroi gjenial i shqiptarëve, arriti t’i zmbrapste turqit, të cilët, pa dyshim, do të kishin vërshuar në të gjithë Evropën”? Po ,po shkruante dhe nuk hamendej të na “mbushë’ mendjen se heroi i ynë ishte shqiptar i vërtetë dhe se”i paskësh pas premtuar babait të tij Gjonit , se do t`i nxjerrëhakun “. Hajde Schmitt hajde ,edhe ju ndjekësit e tij! Po Papa Nikolla V, bashkëkohës i Gjergj Kastriotit, e konsideronte si “mit” kryetrimin shqiptar kur i dha titullin “Atlet i Krishterimit”?!
Ç`është miti? Një rrëfim i trilluar për diçka që nuk ka qenë kurrë dhe nuk është e vërtetë ,është përrallë ,legjendë ; dicka që lakohet sipas dëshirës së treguesit duke ia mveshur një petk të rrejshëm dhe përrallor. Skënderbeu nuk ishte Willhelm Telli ,legjenda e të cilit fillon në shekullin 15 -të, i kohës themelimit të Federatës së vjetër të Zvicrrës. Telli ishte figura qendrore e Patriotizmit zvicëran. ( Wikipedia) . Skënderbeu nuk ishte as Robin Hudi i folklorit anglez si jeri i shpatës dhe shigjetës “ i cili iu merrte të pasurve dhe iu jepte të varfërve.
Pra Dr. Schmitti duhet të bindet që po gabon rëndë e edhe më shumë duhen që ndjekësit e tij të mos bëhen ”përrallë me tupan ” si ç`thonë në Gjakovë ,me teoritë zbërthimet ,mbërthime te tyre sa qesharake aq edhe të pakapshme për kohën e sotit. Doktori po m`a kujton shkrimtarin gjerman Karl May-in, (1842 – 1912) i cili me Winnetun dhe Old Shattelandin e tij gjuhet mbi popullin tonë për t`i bërë romanet e tija më interesante me fantazinë e tij të pakontrolluar dhe ofenduese. Karl Mayi nuk dinte shqip,e vërtetuar se kurr s`kishte qenë në anët tona; por ti i mos rrespektuari doktor Farkëtari ( Schmitt) ,pse na farkëton trillime që nuk zënë vend kurr. Kur Karl Friedrich Mayi shkruante , ne nuk guxonim të shkonim në shkolla shqipe po nga porositësit tu ; por sot përkundër asaj që i ke gjetur disa ndjekësa besnik , të kotë e ke . Por sidoqoft ,prap duhet të mirremi me ty.
”Patjeter qe serbet i shqeteson fakti se shqiptaret jane nje nga popujt me te vjeter te europes, pasardhes te pellazgeve dhe te ilireve mitike. Patjeter i shqeteson fakti se Shqiperia ka stof katolik europiano-perendimor e shprehur me se miri ne figurat me famë boterore si Gjergj Kastrioti (i cili jo me kot u quajt atlet i Krishtit sepse per 25 vjet ndaloi perparimin e hordhive turke drejt perendimi) dhe murgeshes katolike Gonxhe Bojaxhiu-Nene Terezes (e cila u shndëruar në nënë e paqës, e miresisë, e humanizmit për botën mbarë) dhe jo oriental dhe bizantin sikurse jane serbet. Patjeter që nuk u shkon per shtat serbëve identiteti katolik europian i shqiptareve qe është ura lidhëse vertikale e Shqiperisë me Europen Perëndimore e cila nuk u nderpre asnjehere, sepse ky stof katolik i shiptareve dhe kontributi i tyre per kulturën e perbashkët europiane me shpatë para 5 shekujsh me me humanizëm ne epokën moderne iu bën teorinë e tyre te pa besueshme dhe banale.”(P.Sh.)
Për hakmarrje personale Skenderbeu mund të vriste vetë Sulltanin dhe e kishte këtë mundesi sepse kishte hyerje tek ai si gjeneral i larte, por nuk e bëri sepse Gjergj Kastriotine u shtye nga një motiv me sublim se sa ai personal u shtye nga atdhedashuria dhe patriotizmi, prandaj serbet i shqeteson ky fakt dhe duan permes permes Schmitt ta sulmojnë figuren e Skenderbeut sepse nuk e kanë një të tillë per vetën tyre.. Një popull që e ka filluar formimin e shtetit nga shqiptarët (Karagjorgjeviqët), një popull që shkrim -leximin e ka nga shqiptarët ( Vuk Karaxhiqi) , atëherë si munden ata të të bindin për njollosjen e Skënderbeut të po atij Skënderbeu që me shekuj janë munduar ta përvehtësonin.?
O Zotëri i një makinerie mirë të koordinuar antishqiptare, Njëzet e pesë vite lufte të pandërprerë nuk mund të quhet hakmarrje avanturiere private. Por kjo është një ide a la Karl May ! Një ide që nuk pi ujë në analet e historisë.
Por qëllimet janë të tjera: si të gjithë të huajt që shkruajnë me keqdashje për historinë e Shqipërisë ai e kërkon të eliminojë Skënderbeun si personalitet qendror i historisë së Shqipërisë. Nuk është e vështirë që të kuptohet se përse bëhet kjo gjë. Po mohimi i kombit shqiptar është qëllimi i tyre dhe të gjithë atyre që qëndrojnë prapa.
Heroi ynë kombëtar dhe shqipetarët e tij ia kanë dhënë realisht dhe historikisht pergjigjen Otomanizmit,Europes dhe sigurisht edhe sot(apo neser)Oliver Schmittit apo oliverave të nesërm.Shpirti i madh i një populli për liri.Skenderbeu e thotë vetë:”Lirine nuk ju a solla unë,atë e gjeta ketu midis Jush”.Pra ,kjo është dëshmi e qartë historike…psikologjia e vete fjaleve te Tij.Shpirti i rezistences që gjeti mes bashkatdhetarëve të vet. Apo jo Z.Oliver Shmitt? ” ( F.G)
Shqiptarët janë e vetmja racë në Ballkan,që e tregon të vërtetën historike” thoshte
Edith Durhami , juve nuk iu a mbushë mendjen?
Pra , mos t`a zgjasim se edhe vetë jeni te bindur se: “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu (1405- 1468) personifikon një epokë të tërë të historisë kombëtare të shqiptarëve, që mori emrin e tij: luftën më se njëshekullore të tyre kundër vërshimit osman (fundi i shek. XIV – fillimi i shek. XVI) për mbrojtjen e tokës, të pasurisë e të lirisë. Nën udhëheqjen e tij lufta e shqiptarëve u ngrit në një shkallë të lartë e të organizuar, shënoi një kthesë vendimtare në zhvillimin politik të vendit dhe në forcimin e vetëdijes kombëtare të tyre.
Gjergj Kastrioti-Skënderbeu ishte përfaqësuesi më konsekuent dhe më i shquar i elitës drejtuese shqiptare, që udhëhoqi me vendosmëri frontin e luftës së shqiptarëve kundër pushtuesve osmanë. Ai e kuptoi, më qartë se kushdo tjetër, detyrën që shtronte çasti historik: nevojën e bashkimit politik si kusht kryesor për të realizuar mbrojtjen e interesave të të gjitha shtresave shoqërore, të pasura e të varfra, të kërcënuara tashmë prej pushtuesve osmanë në çështjet jetike.(shqiperia)”
“Gjergj Kastrioti s’është trimi i idealizuar mbi fantazi”( Elena Gjika)

181 vjet nga lindja e Ismail Qemalit

                           Kërko brenda në imazh                         Nga Flori Bruqi  Teksa ngrinte flamurin e palosur të Skënderbeut pë...