2017-05-17

Një këndvështrim i shkurtër mbi shkrimet e shkrimtarit përmetar Ligor Shyti



DASHMIR ZAÇE, DËSHMI E QYTETARIT MODEL

ligor-shyti

Nga Ligor Shyti



Nuk jemi shumë larg nga dita kur pushoi së rrahuri zemra e poetit, mësuesit, përmetarit dhe atdhetarit të njohur Dashmir Zaçes. Në datën 26 shtator 2016, pas një sëmundje të rëndë dhe akute, në moshën 69 vjeçare, pushoi zemra e një përmetari të devotshëm që e donte aq shumë Përmetin dhe përmetarët. U nda prej nesh mësuesi, edukatori dhe drejtuesi i aq e aq brezave të nxënësve të shkollave 8-vjeçare dhe të mesme të Përmetit, duke lënë pas veprën e tij të pashtershme e të paharruar. Një nga figurat më të shquara të arsimit përmetar, që punoi pa u lodhur për vite të tëra në arsimimin e brezave të rinj në qytetin e Përmetit dhe jo vetëm. Ai ishte një nga mësuesit e parë që hapën shkollën shqipe në qytetin e Selanikut në Greqi dhe punoi pa shpërblim për mësimin e fëmijëve të emigrantëve shqiptarë. Poeti i këngëve lirike të dashurisë përmetare, që modestisht punoi vitet e tij të fundit për t’u bërë pjesë e krijimtarisë letrare, që s’reshti asnjëherë për të ngritur lart vlerat e këngës përmetare dhe artit përmetar.

Ai, njeriu i thjeshtë dhe modest, që me buzëqeshjen e tij kishte vetëm miq dhe shokë në të gjitha anët e vendit. Po kush ishte Dashmir Zaçja?

Ai lindi në Përmet më 22 shkurt 1947, në një familje të thjeshtë. Prindërit e tij ishin pa shkollë, por fëmijët e tyre i nxitën të shkolloheshin e të mësonin, sepse shkollimin e shihnin si të vetmen rrugë për të ardhmen e fëmijëve të tyre. Shkollën e mesme e kreu në gjimnazin “Sami Frashëri” në Përmet dhe të lartën në Fakultetin Filologjik në Universitetin e Tiranës, në vitin 1970. Pas mbarimit të shkollës së lartë u emërua mësues i gjuhës shqipe në fshatin Sukë të Përmetit. Mbas disa vite punë u emërua mësues në shkollën 7-vjeçare të qytetit Përmet. Ishte njeri me pasion dhe kulturë, edhe pse injoranca e kohës dhe despotizmi nuk e vlerësoi. Ai nuk reshti kurrë së punuari me dashuri e pasion për punën dhe nxënësit.

Në vitin 1979 u emërua mësues i letërsisë në shkollën e Mesme, ku filloi një erë e re në formimin e tij pedagogjik, duke punuar me përkushtim dhe përgjegjësi për cilësinë e mësimdhënies dhe rritjen e nivelit të nxënësve. Pas katër vjetëve punë në këtë shkollë, kaloi kryeinspektor në Seksionin e Arsimit të Rrethit Përmet. Normalisht, pati vështirësitë e veta në një punë të tillë, por edhe pse nën presionin e hipokrizisë së kohës, ai, aty, mësoi shumë e në rradhë të parë mësoi të donte punën, të donte njerëzit, t’i ndihmonte e respektonte ata në hallet e jetës. Me punën e tij dhe të ekipit të inspektorëve të Seksionit të Arsimit, u arritën rezultate të shkëlqyera dhe vlerësime në nivele Lokale dhe Kombëtare.

Me gjithë punën e mirë dhe përkushtimin e tij, ai nuk i rezistoi dot kohës së hipokrizisë, luftës së bërrylave dhe padrejtësisë së kohës. Pas kësaj detyre u emerua Drejtor i Shkollës 8-vjeçarë “Nonda Bulka” në qytetin e Përmetit. Tani, thoshte Dashmiri, rashë atje ku dëshiroja. Aty mundi të shpaloste vlerat e tij njerëzore dhe pedagogjike. Kolektivi i mësuesve në atë shkollë kishte eksperiencë dhe traditë dhe ky mjedis Dashmirit i erdhi përshtat. Krijoi një mjedis kompakt me kolektivin e mësuesve, edhe pse bindjet e ndryshme politike të tyre dhe tendencat partiake përpiqeshin të tërhiqnin pas vetes militantë në marrëdhëniet në kolektivin e mësuesve. Me punën e tij si drejtues, si njeri i urtë dhe i dashur që ishte, ai punoi me ndërgjegjie profesionale dhe dashuri për punën, nxënësit dhe mësuesit. Në kohën kur ai drejtonte këtë shkollë, në vitin 1993, mbaruan klasat e teta rreth 96 nxënës, ku 80% e tyre kaluan në shkollën e Mesme të qytetit, mbaruan shkollën dhe mbi 50% e tyre vazhduan shkollën e lartë.

Në vitin e mbrapshtë 1997, lufta politike u bë e ashpër në qytet. Ishte një luftë vrastare që shkatërroi vlerat njerëzore dhe intelektuale të qytetit të Përmetit. I ndodhur në këto kushte, Dashmiri, në mesin e vitit 1998 mendoi të largohej nga vendi dhe mori rrugën e kurbetit me familjen e tij. Nuk ishte e lehtë të lije profesionin e mësuesit dhe të nisje kurbetin në moshën 50-vjeçare. Iu përkushtua punëve të rëndomta të kurbetit në Selanik të Greqisë, por i mungonte shpirti, Përmeti, nxënësit, shokët, miqtë.



dashamir-zace

DASHMIR ZAÇE



Vitet kaluan dhe ja, një ditë prej ditësh ai u gjend përsëri mes nxënësve dhe katedrës së mësimdhënies, por tani në kushte të tjera. Do të jepte mësim pa shpërblim për fëmijët e shqiptarëve kurbetllinj që kishin kaq shumë nevojë për mësimin e gjuhës së tyre të nënës, gjuhën shqipe. Në kushte të tjera, në kushte emigracioni, mes frikës dhe rrezikut për përplasje me frymën e grekëve të cilët e pranuan me vështirësi hapjen e shkollës shqipe në Selanik. Falë drejtuesve largpamës të këtij qyteti dhe punës titanike që bënë iniciatorët e saj, u lejua hapja dhe fillimi i shkollës shqipe për fëmijet e emigrantëve në qytetin e Selanikut. Ishte dhe do të mbetet pionieri i parë i hapjes së shkollës shqipe në emigracion, në qytetin e Selanikut.

Ja si e përshkruan këtë moment, Kryetari i Shoqatës së emigrantëve shqiptarë “Nënë Tereza” të Selanikut, zoti Arjan Cara:

“Me Dashin, ose Profesorin, siç u mësuam ta thërrisnim, jam njohur në mars të vitit 2001. Isha pjesë e Shoqatës së Emigrantëve shqiptarë “Shqiptarët e Selanikut”, një nga shoqatat pioniere të emigrantëve shqiptarë në Selanik dhe Greqi. Në përpjekjet tona të atëhershme për hapjen për herë të parë në Greqi të kursit të mësimdhënies së gjuhës shqipe, problem kryesor në diskutimet tona, qëndronte afrimi i mësuesve vullnetarë. Pas diskutimeve të shumta, u vendos një lajmërim dhe thirrje publike për hapjen e kursit të gjuhës shqipe, më 7 mars 2001 dhe kërkoheshin mësues vullnetarë në mjetet e informacionit në shqip që ekzistonin në atë periudhë në Selanik dhe Greqi.

Mes tensionit, frikës dhe gëzimit, në të njëjtën kohë, që ekzistonte në ato ditë të ftohta marsi tek të gjithë ne, për mbarëvajtjen e hapjes së kursit në gjuhën shqipe, veçanërisht tek dy mësueset iniciatore; Mimoza Dako, që ishte dhe drejtuesja e Shoqatës, dhe Dhimitra Malo, dallova një burrë të qeshur dhe menjëherë krijova një simpati për të. Pyes Dhimitrën: Kush është ky? Ky është mësues Dashmiri, njeri shumë i mirë, i cili sapo kishte lexuar njoftimin tonë, erdhi dhe na takoi dhe është shumë i interesuar për të dhënë mësim falas në gjuhën shqipe.

Prezantohem me të. Në sytë e tij të qeshur shikoja një gëzim të brendshëm dhe dëshirë të madhe. Më pyeti nga je?

-Jam nga Bulqiza.

-Je nga Dibra e mendjes dhe e pushkës. -më thotë.

-Po ti? -i them.

-Jam nga Përmeti, jam mësues. Kam dhënë mësim si fillim në fshatrat e Përmetit! -dhe filloi të m’i radhiste. -Së fundmi, para se të emigroja, isha Drejtor në shkollën e Përmetit. E dëgjoja me ëndje dhe shikoja se me sa pasion fliste për profesjonin e tij.

Pas një bisede të këndshme, një moment i drejtohem:

-Dashamir!

-Jo Dashamir, po Dashmir! – më thotë.

-Dashmir, më fal, por më pëlqen kur të thërres Dashamir. Ai qeshi, qesha edhe unë. Ky ishte momenti kur u njoha me Profesor Dashin. Kursi i mësimdhënies së gjuhës shqipe u hap më 7 mars 2001 dhe profesor Dashi dha orën e parë të mësimit. Fjalët e tij të urta, në atë fillim, na bënë të na mbusheshin sytë me lotë të gjithëve, teksa lotonte edhe ai vetë. Kështu nisi rrugëtimi i gjatë i shkollës shipe të Selanikut, ku qindra fëmijë emigrantësh mësuan gërmat e para, dhe jo vetëm nga Profesor Dashmiri. Këtë udhëtim e vazhdoi Shoqata “Nënë Tereza”, ku profesori ishte një nga themeluesit e parë të saj.

Mbaj mend, mbas shumë diskutimesh, vendosëm njëzëri që shoqata jonë të mbante emrin “Nënë Tereza”. Arjan, më thotë, shoqata jonë mban mbi supe emrin e një Nëne të Madhe, kështu që duhet të jetë model për shoqatat e tjera. Sot, pas 12 viteve, e themi me krenari se ja kemi arritur, Profesor. I kudondodhur ishte profesori në aktivitetet e shoqatës që janë të panumërta. Ja, se ç’na thoshte në një mbledhje të shoqatës, më datën 14.10. 2006, ku u drejtohej anëtarëve dhe prindërve: “Shoqata bën punë cilësore, ka vlera të mëdha shoqërore dhe publike. Ne, kursin e gjuhës shqipe e realizojmë me ndihmën tuaj…”

Përveç mësimit të gjuhës shqipe, tek fëmijët e emigrantëve, në sa e sa aktivitete, seminare e takime të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare, ka dhënë kontributin e tij, mendimin e tij. Është paraqitur me tema të ndryshme për shtjellimin e pasurimin e gjuhës shipe tek emigrantët. Gjurmët e Profesor Dashit pranë Shoqatës “Nënë Tereza”, që ishte pararoja e mësimit të gjuhës shqipe në Greqi, i ndoqën dhe vazhdojnë dhe sot shumë mësuese dhe mësues të tjerë. Për ta dhe për mua, ishte më shumë se koleg, ishte prind që gjithmonë me buzë në gaz i përqafonte dhe u jepte këshilla. Profesori, çdo të dielë ishte në mjediset e Fakultetit Pedagogjik të Universitetit “Aristoteli” në Selanik, ku shoqata “Nënë tereza” zhvillon mësimin e gjuhës shqipe për fëmijët e emigrantëve. Ai vinte i pari dhe largohej i fundit… Ishte njeriu i letrave, anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Poetëve “dega e Blertë” Selanik. Kur botoi librin e tij të parë, “Rrëfimet e nënës sime”, më mori në telefon dhe më kërkoi të takohemi. U takuam në Neapoli, diku në një kafe dhe më tha se kam botuar një libër me tregime dhe dua t’i jap disa kopje Shoqatës, se Shoqata nuk ka mundësi ekonomike t’i blejë. E shikoja me vëmendje dhe më erdhi keq.

-Profesor. Unë ndiej kënaqësi dhe të uroj suksese dhe vazhdimësi të krijimeve të tua…

Komunikova me kryesinë e shoqatës dhe morëm një sasi librash që edhe sot janë vlerë për shoqatën tonë.

Një të dielë të marsit të vitit 2013, po diskutonim si çdo të dielë që mblidheshim në mjediset e Universitetit, dhe ai më thotë:

-Arjan, mendoj të largohem përfundimisht nga Greqia!

Më erdhi si bombë. Në atë moment më erdhën në mendjen time fragmente të panumërta që kishim kaluar bashkë dhe as mund ta mendoja se një ditë do të isha pa profesorin. Ai e kuptoi gjendjen time dhe vazhdoi:

-Do kthehem në Përmet, të marr pensionin dhe të pleqëroj me zonjën time. Po ti mos u mërzit, unë prapë do t’ju ndjek nga afër. Në Shqipëri do të flas për shoqatën “Nënë Tereza” dhe madje nuk e di sa e lejon ligji, por do të punoj për krijimin e degës së shoqatës në Përmet. Për momentin m’u prenë fjalët, mbaj mend se thashë vetëm: “Do t’më lësh vetëm mua…” Mbledh kryesinë dhe u komunikoj se Profesori do të largohet përfundimisht nga Greqia dhe shoqata ka detyrim vlerësimin ndaj tij dhe kontributit të paçmuar që ka dhënë për shoqatën dhe komunitetin shqiptar në Greqi…

Edhe pas kthimit në Shqipëri, kontakti ynë ishte i vazhdueshëm. Shpesh më merrte në telefon dhe më fliste me mall, më pyeste si venë punët. Sa herë vinte në Selanik, takoheshim. Ai na ndiqte në çdo hap, duke na dhënë këshilla. Më thoshte gjithmonë: -Shoqata Nënë Tereza do ngelet në histori dhe ti do të jesh Kryetari më i suksesshëm. Si të mos përulesh përpara këtij njeriu?!

Aq i interesuar ishte, saqë për librin “Shkolla shqipe e Selanikut”, i zotit Abdurahim Ashiku, më thoshte se ky libër duhet të botohet dhe të përshkruhen të gjitha sakrificat tona. Të lutem, bëj ç’është e mundur! Sot, ky libër, në saje dhe të këmbënguljes së tij, u realizua dhe më 11 maj 2014, në 10-vjetorin e Shoqatës, ishte vetë profesori që e promovoi…”

Tre vjet me Shoqatën e Emigrantëve “Shqiptarët e Selanikut” dhe 9 vjet me Shoqatën e Emigrantëve Shqiptarë “Nënë Tereza”, ai gjeti veten, por jo pa keqardhje e thoshte, se pas daljes në pension, iu desh të linte atë aktivitet e të kthehej në qytetin e tij të dashur, Përmetin, me të cilin ishte lidhur pazgjidhshmërisht jeta e tij. Ai e donte vendin, atdheun, donte njerzit, bashkëqytetarët e tij, bashkëkohësit, me të cilët ndante kujtimet e bukura të jetës. I lumtur se në Selanik la pas një brez të tërë mësuesish të apasionuar, atdhetarë dhe profesionistë, ai kthehet në qytetin e lindjes, në Përmet për të kaluar vitet e pleqërisë së tij me familjen.

Me ëndrra të bukura për të sjellë diçka të re në mesin e miqve dhe shokëve të tij, me eksperiencën e fituar dhe kulturën që kishte lënë gjurmë në memorien dhe formimin e tij njerëzor e profesional, ai u kthye nga kurbeti me një dëshirë të madhe për të dhënë kontributin e tij modest në çdo fushë të jetës shoqërore dhe artistike në qytetin e Përmetit. Shumë shpejt u ndodh mes krijuesve të qytetit dhe me modestinë që e karakterizonte krijoi një mjedis të ngrohtë shoqëror. Kohën e tij të lirë e kalonte në oazin e tij të fëmijërisë, në bahçen e prindërve të tij, në lagjen “Mejden”, ku malli dhe dashuria për të shkuarën e prindërve të tij e ktheu në një “bahçevan” ëndërrimtar dhe aty gjente frymëzimin për të krijuar poezi të bukura lirike, kujtime nga fëmijëria, tregime, fabula e këngë popullore qytetare, të cilat i publikoi në librin e tij “A kanë ujë ato burime”, dhjetor 2014. Në fund të atij viti pata rastin të konsultohesha me profesor Dashmirin për librin e tij me këngë popullore qytetare përmetare dhe ai më besoi parathënien e librit, i cili më dha një kënaqësi dhe vlerësim të veçantë.

Në kujtesën e lexuesit do të ngelen të paharruara tregimet e shkruara gjatë viteve të kurbetit, të cilat Dashmiri i shkroi dhe i rrëfeu me aq mall e dashuri për nënën e vet, në librin “Rrëfimet e nënës sime”, një libër me përjetime nga fëmijënia e tij. Në vitet e fundit të jetës, ai shkroi poezi të ndryshme lirike, ndër të tjera, poezia konkurruese në konkursin poetik “Në gjurmët Naimiane”, 25 maj 2015, titulluar: “ Hëna”, si dhe një cikël me tregime të pabotuara që autori kishte filluar dhe po i grumbullonte një nga një. Tregimi “Taksixhiu i Prishtinës”, pati një jehonë të madhe në faqen e tij internetike dhe u lexua nga shumë lexues, miq dhe shokë të Dashmirit.

Jeta midis shokësh dhe pjesëmarrja e tij aktive në Klubin e Shkrimtarëve dhe Artistëve “Naim Frashëri” i dha një impuls të ri përditshmërisë së tij prej qytetari model dhe poeti modest. Shpesh herë në bisedat tona të pasdites ai e përmendte faktin se kishte hyrë vonë në botën e krijimtarisë, edhe pse në e dinim mirë se ai tashmë ishte një krijues profesionist, me një bagazh të pafund në dijet e tij artistike dhe letrare. Njohës i shkëlqyer i letërsisë ruse në veçanti, dhe asaj evropiane në përgjithësi, ai shpesh, nëpër takime me miqtë dhe shokët na recitonte vargje dashurie papushim nga Esenini. Si mësues i letërsisë dhe filolog ai kishte një kulturë të gjerë artistike-letrare dhe qytetare. Dashmiri ishte shëmbëlltyrë e një qytetari model, i sjellshëm dhe korrekt që e donte qytetin e tij dhe njerëzit.

Ikja e parakohshme e tij lëndoi zemrat e një qyteti të tërë që e përcolli me dashuri e respekt në banesën e tij të fundit. Ai lindi dhe u rrit në këtë qytet dhe me dashurinë për Përmetin dhe përmetarët, punoi pa u lodhur deri në çastin e fundit. Në fjalën e lamtumirës, mes lotëve dhe psherrëtimave, vajza e tij e dashur Eliodiona, ndër të tjera, shprehu dhimbjen e madhe të ikjes para kohe të babait të saj, Dashmirit dhe krenarinë e saj për një prind të dashur dhe model për familjen dhe fëmijët. “Ai iku me një testament shpirtëror të shkruar në vargje”, tha ajo: “Kur të iki miqtë e mij, më këndoni këngët e dashurisë, nuk dua lotë e vlerësime, koha jonë vlerëson vetëm horrrat. Unë do të jetoj se përmendoren ia ngrita vetes…”

Në emër të shokëve, miqve, Klubit të Shkrimtarëve dhe Artistëve “Naim Frashëri” Përmet, i shprehim ngushëllimet tona familjes. Qoftë i paharruar emri dhe vepra e tij.



*******




Ligor Shyti: ''Dodona'' e Kujtim Matelit




Pjese nga veprimtaria e promovimit te librit "Dodona ndodhet ne Deshnice te Permetit" qe u zhvillua ne Kelcyre, me 11 maj 2013.

I dashur Ligor Shyti!

Ju falënderoj për kontributin që dhatë në promovimin e librit tim “ Dodona ndodhet në Dëshnicë të Përmetit” që u bë në Këlcyrë me pasardhësit e vërtetë të Dodonës pellazgjike. Duke dëgjuar ata njerëz të mirë e të mençur m`u përforcua bindja se sado mijëvjeçarë të kalojnë, vitet nuk i zhdukin dot gjurmët që ka lënë historia as në dëshmitë materiale, as në ato shpirtërore. Përmetarët e provojnë se janë pasardhës të atyre stërgjyshërve tanë që i dhanë emrin kontinentit europian. Pranë Dodonës kishte një lumë me emrin Europë dhe po një qytet me emrin Europë. Mitologjia dodonase thotë se e dashura e Zeusit e kishte emrin Europë. Pra emri Europë lindi aty në Dodonën tonë, në shpat të malit të Trebeshinës (Tomar i lashtësisë). Autorët e vjetër thonë se në Dodonë vinin nga të gjithë popujt e botës. Në ikje, bashkë me bekimin e Zotit morën edhe edhe emrin e ri të kontinentit tonë.
Po ju në diskutimin tuaj e nënvizuat me të drejtë : “Historia e lashtë dhe ajo e kohëve tona ka treguar se fiset, kombet dhe popujt e kanë shfrytëzuar historinë e lavdishme të tyre për t’i bërë nder historisë dhe heronjve të tyre, por nga ana tjetër, të gjithë kanë vrapuar për t’i përvetësuar këto vlera e me to të shtojnë krenarinë e të pasurojnë kulturën dhe historinë e tyre” Një nga këto vlera të përvetësuara është edhe Dodona. Nga unaza e historisë shqiptare e përmetare është hequr guri i xhevahirit.
Duke parë vendosmërinë tuaj, po bindem se ky gur i çmuar do të vendoset në vendin e vet, aty në rrethinat e Këlcyrës.
Respekt e mirenjohje për Ju , miku im Ligor.
Më poshte do të lexoni fjalën e shkrimtarit përmetar, z. Ligor Shyti:
Një këndvështrim i shkurtër mbi studimin shkencor “Dodona” të autorit Kujtim Mateli
Të nderuar miq, pjesmarrës, dashamirës të artit e të letërsisë.
Hidhini një sy kopertinës së librit “Dodona” të shkrimtarit Kujtim Mateli dhe që aty do të ndieni se syri njerëzor fillon e çlodhet. Pamjet e rralla të atij mali që shohim në kopertinë, të depërtojnë në shpirt e të magjepsin me bukurinë e tij, por, për ne përmetarët që i njohim dhe shijojmë çdo ditë këto pamje, sot, pasi kemi marrë në dorë këtë studim historik e shkencor të autorit, magjia e këtyre pamjeve na sugjestionon e na fut në një botë edhe më të bukur, njëlloj sikur jetojmë historinë e gjenezës sonë që nga prehistoria e deri më sot, brenda harkut kohor të leximit të një libri me dyqind e ca faqe dhe, kur e mbaron, të duket se je ende në ëndërr e po përjeton këtë magji.
Përpara ca kohësh lexova në gazetë një shkrim që fliste për këtë studim dhe të them të drejtën u bëra kurioz, por kur lexova librin u ndieva i befasuar. Nuk më befasoi stili artistik që kishte përdorur autori në ndërtimin e librit, nuk më befasoi as struktura ndërtimore e pemës së subjektit të këtij libri dhe vlerat e papërsëritshme që ka ky libër i parë në këndvështrimin artistik, por ajo që më befasoi e më mrekulloi, ishte vizioni që ka pasur autori gjatë studimit, puna e madhe dhe e palodhur që ka bërë zoti Mateli në ndërthurjen e emocioneve që të shkakton një studim i tillë me historinë dhe krenarinë e popullit tonë ndër shekuj. Unë nuk jam historian dhe si i tillë e kam të vështirë të shpreh opinionin tim për prurjet e reja që autori i ka sjellë aq bukur në këtë fushë në librin e tij, por kjo nuk më pengon të shpreh kënaqësinë time dhe opinionin tim në lidhje me vlerat e patjetërsushme që ka ky libër për të hedhur dritë mbi një çështje që i bën nder jo vetëm autorit, jo vetëm ne përmetarëve dhe gjithë shqiptarëve që do ta lexojnë këtë libër, por edhe atyre që duan të dinë më saktë se ku ndodhet Dodona, apo kanë dilema për vendndodhjen dhe historinë e saj.
Të nderuar miq,
Më duhet t’i shpreh autorit mirënjohje dhe përgëzime të përzemërta, sepse me këtë vepër letrare studimore, përtej fakteve dhe dokumentave të karaktrerit shterues që ka përdorur në argumentimin e studimit të tij, na ka bërë të ndihemi më krenarë, më të qartë e më të vetëdijshëm për historinë tonë. Nuk do doja të përsërisja atë që na ka shprehur vetë autori në studimin e tij, për t’i dhënë përgjigje pyetjeve se: Pse Dodona nuk ndodhet në afërsi të Janinës, siç pretendohet nga Karapano, apo një pjesë e studiuesve dhe historianëve grekë e më tej. Për t’i dhënë përgjigje pyetjes së Ku ndodhet Dodona e vërtetë dhe ç’duhet bërë sot nga ne shqiptarët për t’i dhënë asaj madhështinë e dikurshme, ashtu siç i takon?, por, ndërkohë, nuk mund të rri pa shprehur emocionet dhe mendimin tim se autori na e ka sjellë historinë e mbi 3000 viteve më parë në një terren konkret dhe jo të panjohur për ne, na e ka sjellë atë këtu midis nesh, na e ka sjellë përpara syve tanë, pikërisht këtu, në vargmalet tona të dashur dhe të shkelur nga të gjithë ne, na e ka sjellë historinë e vërtetë aty ku faktet dhe argumentet janë të dukshme e bindës, këtu, në të dy anët e Vjosës, “përtej maleve të Pindit”, na e ka sjellë aty ku Eskili se Dodona ndodhet në një vend të lartë…, na e ka sjellë aty ku thotë Homeri se Dodona ndodhet në një vend me borë dhe akuj: “O Zeus, ti që nga larg sundon edhe Dodonën me akuj dimrit, ku rrojnë priftërinjtë Selas…” Na ka sjellë shumë larg, në Veri të Carakovistës, “në krahinat e sipërme të Epirit…” dhe jo në mes të Epirit; afër një mali të lartë, të quajtur Tomar, ku Eneas dhe ushtarëve të tij të zgjedhur iu deshën dy ditë për të ardhur nga Ambrakia, aty, në perëndim të malit të Pindit, ku Jeune Anacharsis thotë se: “…do të ktheheshim te Orakulli i Dodonës, i cili nuk është shumë larg, por do të na duhej të kapërcenim male mbuluar nga bora, sepse dimri është shumë i ashpër në këtë qytet…”. Pyesim ne sot? A mos vallë ka bërë ndonjëherë dimër i ashpër në Carakovistë, apo për të shkuar atje duhen kapërcyer male me borë? Përgjigjen na e ka dhënë autori, i cili na e ka sjellë të freskët arenën e luftrave Maqedono-Romake, e ndër të tjera, na e ka ndërtuar atë me aktorët e skenës botërore sot, këtu midis nesh, duke na përcjellë të vërteta historike dhe emocione të pashlyeshme për syrin dhe shpirtin e një shqiptari të vërtetë. Nuk ka shqiptar që nuk do t’i pëlqente të shihte sot, pas 2500 vjetësh, të mos dëshironte t’i shihte ato tragjedi Homeriane që në themel të tyre kanë skenën ilire, truallin ilir dhe aktorët e popullit shqiptar në historinë e lashtë të tij. Nuk ka shqiptar që sot, të zgjohet e të dalë në majën e malit të Trebeshinës e të mos të sugjestionohet nga pamjet e atij vendi të mrekullueshëm, kur të shohë nga jug-perëndimi, reflektimin e detit. Të shohë këtej nga lindja malin e Pindit dhe nga ana tjetër të shohë malin e Tomorit dhe malet përreth.
Te nderuar miq. Historia e lashtë dhe ajo e kohëve tona ka treguar se fiset, kombet dhe popujt e kanë shfrytëzuar historinë e lavdishme të tyre për t’i bërë nder historisë dhe heronjve të tyre, por nga ana tjetër, të gjithë kanë vrapuar për t’i përvetësuar këto vlera e me to të shtojnë krenarinë e të pasurojnë kulturën dhe historinë e tyre. Gjej rastin këtu të kujtoj se shumë studiues e historianë të njohur në Ballkan e në Botë, të cilët në veprat e tyre kanë shprehur përkatësinë joshqiptare të heroit tonë kombëtar. Dhe Skënderbeu nuk është i vetëm nga historia jonë e lavdishme. A mos vallë është e rastësishme kjo? A mund ta përfytyronin Molosët, në periudhën e mbretërimit të tyre, Dodonën jashtë kësaj hapësire? Po Janina, qendra më e madhe politike, ushtarake e fetare në kohën e pushtimit turk, a do ta pranonte se Orakulli i Dodonës ishte larg saj, aty ku ne pretendojmë sot? Falë zotit që disa nga këta studiues, të cilët ishin të ndërgjegjshëm për origjinën e tyre pellazge, si dhe pellazgut tonë që na ka mbledhur sot të gjithëve, arrijmë të nxjerrim disa fakte dhe argumente që na shpien drejt së vërtetës. Edhe nëse ky studim do të ishte pjellë e fantazisë së autorit, ne sot duhet të ishim krenarë, sepse në mendjen e gjithsecilit risillet bukur arena e ngjarjeve të tragjedive më të mëdha që ka njohur historia njerëzore, por, aq më shumë kemi motive të krenohemi, sepse autori, nuk ka fantazuar, por fantazia e ka shpënë tek e vërteta historike dhe kjo është një praktikë e njohur e studiuesve botërorë. Mendoni se si u zbulua Troja dhe do të kuptojmë se e njëjta praktikë do të na ndihmojë të gjëndet qyteti i Dodonës dhe Orakulli i saj. Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se për ta bërë këtë duhen studime, duhen njerëz të apasionuar, duhen njerëz të specializuar dhe qeveri të përkushtuara, por le të besojmë dhe shpresojmë se ky fillim i mirë drejt së vërtetës do të na shpjerë tek burimi. Le të besojmë se edhe ata njerëz me veshë që sot po bëjnë sikur s’dëgjojnë, të zgjohen e të kuptojnë se Orakulli i Dodonës është një dhe historia jonë, historia e pellazgëve dhe ilirëve, sado që të tjetërsohet, do të vijë dita të flasë shqip këtu midis nesh, në veri të Epirit, midis këtyre maleve të larta, ku në dimër bën shumë ftohtë…
Urime të përzemërta autorit dhe suksese në krijimtarinë e tij kërkimore-shkencore dhe historike. Faleminderit të gjithëve.


Ligor Shyti lindi në Kosinë të Përmetit më 29/12/1957. Pas përfundimit të shkollës së mesme dhe shërbimit ushtarak, iu përkushtua karierës ushtarake, prej së cilës u shkëput nga një aksident i rëndë automobilistik, që e bëri të jetojë mbi karrige me rrota. Pas korrikut të vitit 1991 i është kushtuar artit dhe letërsisë. Në pranverën e vitit 2000 doli në qarkullim libri i tij i parë i titulluar “Çmimi i Faljes” dhe më pas vazhdoi krijimtarinë e tij.
Ka marrë pjesë në konkurse të ndryshme lokale, kombëtare të poezisë dhe fabulës dhe është vlerësuar me çmime të ndryshme si brenda vendit, në Itali e Greqi. Romani “Letër nga Ferri” është shpallur nga Lidhja e krijuesve “Pegasi” me qendër në Gjirokastër, si vepra më e arirë e vitit 2005. Pjesë nga krijimtaria e tij janë botuar në shtypin e përditshëm lokal dhe atë kombëtar, si dhe në Kosovë, Sh.B.A. dhe Italinë e jugut.
Botime në prozë:
“Çmimi i faljes” , shkurt 2000 (roman)
“Letër nga Ferri” korrik 2003 (roman)
“Françi, mbesa e kapitenit” 2007 (roman)
“Në aerodromin e ëndrrave të mia”2010 (poezi-lirika)
“Detektivi” 2006 (tregim)
“Kuqoja” qershor 2008 (tregim)
”Në qendër të të gjitha gjërave qëndron Mirësia” tregim,
Publicistikë:
“Kosina dhe kosinaret ne vite”, shkurt 2007
“Bastioni” i socialistëve në Përmet, u shkërmoq” janar 2007.

2017-05-16

Emri i Ali Hadrit në mendjet tona njëjtësohet me historinë

Ali Hadri është historian, akademik shqiptar. Lindi në mars të vitit 1928 në Lushnjë të Shqipërisë.


Më 26 dhjetor 1970, ai mbrojti me sukses doktoraturën në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës. Kjo datë ka një rëndësi të veçantë për arsimin dhe shkencën shqiptare sepse në këtë kohë u krye doktorata e parë e mbrojtur në Universitetin e Prishtinës. Mjafton ky fakt për të vënë në pah rëndësinë e punës profesionale, edukative dhe shkencore të Ali Hadrit, i cili në Kosovë tashmë çmohet me plot të drejtë si themeltar i shkollës sonë të historiografisë kombëtare. Ali Hadri ishte drejtori i parë i Institutit të Historisë së Kosovës, ku punoi derisa organet e pushtetit të atëhershëm e shkarkuan nga detyra, për shkak të mbështetjes së kërkesave të studentëve në demonstratat e vitit 1981, të cilat i mbrojti me përkushtim, me forcën e argumentit dhe me guximin e një atdhetari të rrallë.(Flori Bruqi) 


******




Akademik Prof.Dr.Rexhep Qosja: Emri i Ali Hadrit në mendjet tona njëjtësohet me historinë

Akademiku Rexhep Qosja, në 50 vjetorin e themelimit të Institutit të Historisë së Kosovës, ka përkujtuar themeluesin e këtij institucioni, Ali Hadri, periudhë që shënon edhe 30 vjetorin e vdekjes së tij.

Qosja, në një opinion të postuar në faqen e tij në Facebook, thotë se nuk mund të shqiptohet emri i Ali Hadrit e të mos mendohet historia; “nuk mund të shqiptohet ky emër e të mos kujtohen shekujt: jeta e njerëzve, e popujve dhe e figurave të tyre të mëdha”.

“Para tij ne, në Kosovë, e kishim dëgjuar fjalën histori, por historinë, si të popullit tonë, ashtu edhe të popujve të tjerë të Ballkanit ose nuk e dinim mirë, ose e dinim fare pak”, ka shkruar më tej Qosja.

Ky është opinioni i plotë i Qosjes:

Sivjet është 50 vjetori i Institutit të Historisë së Kosovës. Njëkohësisht sivjet është edhe 30 vjetori i ndarjes nga jeta e themeluesit të këtij Instituti, që në fillime quhej Enti për Historinë e Kosovës, Ali Hadrit.

Emri i Ali Hadrit në mendjet tona njëjtësohet me historinë.

Nuk mund të shqiptohet emri i Ali Hadrit e të mos mendohet historia; nuk mund të shqiptohet ky emër e të mos kujtohen shekujt: jeta e njerëzve, e popujve dhe e figurave të tyre të mëdha. Para tij ne, në Kosovë, e kishim dëgjuar fjalën histori, por historinë, si të popullit tonë, ashtu edhe të popujve të tjerë të Ballkanit ose nuk e dinim mirë, ose e dinim fare pak.

Ai ishte historiani ynë i parë dhe më i rëndësishëm, në të vërtetë historian i pakrahasueshëm me të tjerë, që historinë tonë do ta bëjë dije të çmuar, të nderuar dhe të dëgjuar. Në sajë të punës së tij historike, ne, sidomos brezi im, do të mësohemi ta kuptojnë të kaluarën e popullit tonë dhe të kuptojmë edhe të kaluarën e popujve të tjerë. Përpara tij mund t’i thoshim histori edhe kallëzimit, edhe legjendës, edhe këngës, edhe mitit; por, duke lexuar veprat e tij do të kemi mundësi të bindemi se historia është një dije, në të cilën njerëzit mësohen të kuptojnë se kush ishin, se kush janë dhe, më në fund, se kush duhet të jenë.

Prej veprave të tij historike do të mësojmë se historia është mësuese e jetës, mësuesja më e sigurt e jetës sonë.

Pikërisht pse ishte historiani ynë i parë, që do të merret si shkencëtar me historinë, Ali Hadri do t’i caktojë vetes detyra jashtëzakonisht të mëdha; dhe pikërisht pse ishte historiani ynë me masën më të lartë të dijetarit, ai do të bëjë përpjekje të jashtëzakonshme që ato detyra t’i sendërtojë. Do të merret me shumë epoka e periudha, me shumë tema dhe me shumë çështje të historisë. Dhe, pikërisht pse masën e historianit e kishte ashtu të lartë, përkushtim të veçantë do t’u falë: epokave a periudhave, që janë ngritur më së shumti në kohë; ngjarjeve që kanë ndikuar më së shumti në jetën e njerëzve dhe figurave, që kanë luajtur rolin më të madh në ato epoka e në ato ngjarje.

Dhe, pikërisht pse masën e historianit e kishte ashtu të lartë, pra, ai do të merret me kohën e Ilirëve, me shekullin XV, me epokën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, me Lidhjen e Prizrenit, me Luftën Nacional-Çlirimtare në Kosovë, me Skënderbeun, me Fan Nolin, me Bajram Currin, me Ali Kelmendin.

Vetëm epokat me shtrirjen e tyre; a vetëm ngjarjet me peshën e tyre; a vetëm figurat me rolin e tyre me të cilat është marrë Ali Hadri do t’u mjaftonin shumë të tjerëve që gjatë gjithë jetës të merreshin vetëm me ato epoka, a ngjarje, a figura. Por, detyra e të parëve është e tillë: duhet të bëjnë aq shumë vetëm, sa më vonë do të mund të shihet se e kanë kaluar edhe masën e një jete njerëzore.

Kur thuhet se Ali Hadri është historiani i ynë i parë që historisë do t’ia sjellë dinjitetin e dijes, të çmuar e të popullarizuar, pa dyshim, nuk thuhen të gjitha ato që duhet të thuhen për rolin e tij në jetën tonë shkencore dhe, në përgjithësi, kulturore. Mund të pohohet kështu për arsye se veprimtaria e tij gjithnjë e ushtruar në funksion të historisë, është me të vërtetë e gjerë dhe e gjithanshme.

Shumë vjet ai ishte kryeredaktor i Përparimit – i të vetmes revistë në të cilën botoheshin edhe shkrime historike, kurse, mandej, kryeredaktor ose anëtar redaksie, pothuaj, i të gjitha revistave historike që do të botohen në gjuhën shqipe në Kosovë. Vetëdija historike e lexuesve në gjuhën shqipe do të fillojë të ndërtohet edhe nën ndikimin e tij pavarësisht a ishte autor punimesh, kryeredaktor apo, tekembramja, vetëm anëtar redaksie – sepse Ali Hadri ishte njeri dhe dijetar i ndikimit të fortë me fjalën e shkruar e të folur, me origjinalitetin e mendimit e të sjelljes.

Shumë vjet Ali Hadri ishte drejtor i Entit e, pastaj, i Institutit të Historisë së Kosovës. Pa dyshim, në sajë të prirjes së tij organizuese, mandej të revistave, të veprave dhe projekteve shkencore, që do të nxjerrë ky institut, apo edhe të veprave e të projekteve historike shkencore që do të sendërtohen edhe në institucione të tjera në mjedisin tonë e në sendërtimin e të cilave ndihet edhe kontributi i tij, historiografia kosovare do të pushtojë me sukses edhe fazën e zhvillimit të saj institucional.

Shumë vjet Ali Hadri ishte profesor i historisë në shkolla të mesme dhe, pastaj, në Fakultetin Filozofik të Prishtinës. Dega e historisë në këtë fakultet në të vërtetë do të mund të hapet, para së gjithash, sepse kishte një dijetar sikundër ishte Ali Hadri dhe sepse mendimi ynë shkencor historik kishte arritur shkallën deri te e cila ishte ngritur, para së gjithash, me punën e tij.

Është i madh numri i nxënësve të tij, sidomos i Normales së Prishtinës, e njëri prej tyre jam edhe unë, që s’e harrojnë kurrë profesorin e historisë. Mësimet që shpjegonte ai bëheshin dije e përhershme. Në kohën kur arsimtarët fare rrallë zbritnin nga katedra, ai i shkruante pikat kryesore të ligjëratave në tabelë, bënte skica, vizatime, sillte veprat, që kërkonte t’i lexonin nxënësit.

Për këtë arsye nuk do të jetë i vogël as numri i nxënësve që pikërisht prej tij do të frymëzohen t’i kushtohen punës shkencore. Në Përparimin jo rrallë botoheshin punimet e diplomës të maturantëve dhe botoheshin pse Ali Hadri ishte kryeredaktor i saj. Disa prej autorëve të këtyre punimeve sot janë studiues të shquar të historisë, të letërsisë, të pedagogjisë, të gjuhësisë a të ndonjë dije tjetër.

Në qoftë se edhe në shkollën e mesme ka luajtur kësi roli në nxitjen e kërshërisë shkencore, mund të merret me mend se sa i madh do të jetë roli i tij si profesor i parë i Degës së Historisë në Fakultetin Filozofik për formimin e kuadrit shkencor të historisë. Është me të vërtetë i madh numri i magjistrave, i doktorëve, i pedagogëve të historisë në fakultete e në shkolla të mesme; është me të vërtetë i madh numri i magjistrave, i doktorëve, i hulumtuesve në institutet tona shkencore, që si historianë janë ndërtuar nën kujdesin e Ali Hadrit. Duke ia dhënë historisë dinjitetin e dijes, ai është kujdesur që të krijojë kuadrot të cilat atë dinjitet do ta përforcojnë me studimin e temave e të çështjeve të ndryshme historike, duke i parë prej këndesh të ndryshme studimore. Edhe sikur të mos ishin veprat shkencore që la pas, emrin e Ali Hadrit do ta bënte të paharruar numri i nxënësve të tij dhe, të shpresojmà «, puna shkencore që bëjnë dhe do të bëjnë më të mirët nga radhët e tyre.

Thashë se prej Ali Hadrit ne e kemi mësuar më së pari të kaluarën tonë; duhet të them, ndërkaq, se prej Ali Hadrit edhe të tjerët, sidomos folësit e gjuhëve të tjera në Jugosllavi, kanë mësuar më së shumti për të kaluarën tonë. Duke marrë pjesë në shumë tubime shkencore në vend, por edhe në botën e huaj, ai e ka përhapur me nder e dinjitet mendimin për historinë:

për historinë tonë, për të arriturat e historiografisë sonë, në përgjithësi, për shkencën e për kulturën shqiptare.

Hulumtues i epokave zëmëdha, i ngjarjeve vendimtare dhe i figurave të rëndësishme historike; kryeredaktor a redaktor i sa revistave shkencore; drejtor i Institutit të Historisë; pedagog i historisë në shkollë të mesme e në fakultet; mentor i kuadrove të historisë; një nga projektuesit kryesorë të hulumtimeve historike duke filluar nga fakultetet e institutet tona e deri te Akademia e Shkencave dhe e Arteve; analizues dhe sintetizues i temave dhe i çështjeve nga më të rëndësishmet; themelvënës i kulturës historike – kjo është një punë madhore, me të cilën njeriun mund ta ngarkojë vetëm një kohë sikundër ishte kjo e pasluftës – një kohë e përpjekjeve, e tendosjeve trupore e shpirtërore dhe e synimeve tona të mëdha; kjo është një punë madhore, që duket se e kalon masën e njeriut të rëndomtë.

Çdo punë e madhe, e bërë në kohë vendimtare, që, rëndom, shkakton tendosje ashtu të mëdha trupore dhe shpirtërore, e ka edhe çmimin e madh.

Këtë çmim Ali Hadri e ka paguar me jetën e vet.

Puna e pandërprerë që ka bërë në disa fusha, por gjithnjë në shërbim të historisë shqiptare si dije dhe të kulturës pa të cilën nuk mund të paramendohet ngritja e saj, i ka sjellë atij shumë nam, shumë miq, dhe shumë nderim të përjetshëm. Emri i tij kaherë e ka kaluar hapësirën e Kosovës; miq edhe nderues ai kishte dhe ka në krejt Jugosllavinë, në krejt Ballkanin dhe në të gjitha ato vende ku sot studiohen historia, gjuha dhe letërsia e popullit shqiptar. Dhe, si të mos ketë ai aq shumë miq?

Ali Hadri ishte historian i popullit shqiptar, por Ali Hadri e thoshte, me plot të drejtë, se ishte historian, i cili dashurinë ndaj popullit të vet e quante të pandarë nga nderimi për të gjithë popujt e tjerë. Nderimi për të gjithë ishte, ashtu, masa e domosdoshme e humanizmit të tij.

Është ironi e fatit, prandaj, pse kjo fjalë nderimi për punën dhe emrin e Ali Hadrit sot duhet të thuhet vetëm këtu, vetëm para anëtarëve të kësaj Akademie dhe në një dhomë kaq të vogël. Është ironi e fatit, prandaj, pse institucionet ku ka lënë krejt prirjen dhe krejt jetën e vet – Instituti i Historisë dhe Fakulteti Filozofik sot as s’ia bëjnë nderimin e fundit, as nuk kanë lëshuar sallat që në to t’ia bëjmë ne nderimin e fundit- sepse ashtu janë të urdhëruara prej pushtetit!

Thashë se puna prej historiani të parë të popullit shqiptar i ka sjellë Ali Hadrit shumë nam e shumë miq, por s’e thashë se kjo punë i ka sjellë Ali Hadrit edhe shumë dëshpërime. Jeta e tij prej dijetari në atë mënyrë është bërë një jetë më e plotë, në të vërtetë një jetë në të cilën janë pirë gotat e mjaltit dhe gotat e helmit. Pse i ka provuar, pas gëzimeve që sjell nami, edhe dëshpërimet që sjellin sulmet publike, nuk kemi arsye ta ankojmë sot. Jo. Duhet ta ankojmë pse vepra e tij është ndaluar pa iu nënshtruar kritikës shkencore, prandaj edhe pa argumentet shkencore: me të ashtuquajturin “argumentin” e fuqisë.

Duhet të jemi të pikëlluar pse vepra e tij shkencore sot për sot është mohuar për shkaqe politike, me qëllim që të ndalohen edhe të vërtetat shkencore të historisë shqiptare, të afirmuara përmes veprave të tij.

Duhet të jemi të pikëlluar pse ana e dëshpërimeve i është rënduar shumë pikërisht atëherë kur krijuesve të mëdhenj, zakonisht, u vijnë njohjet dhe paqja: në vitet e fundit të jetës, madje deri para vdekjes.

Duhet të jemi të pikëlluar pse pikërisht vitet e fundit të jetës i takoi t’i kalojë në një kohë tepër të vrazhdë kur gota e helmit ishte posaçërisht e madhe, kur konsideratat, nderimi për punën e bërë, mirësjellja, mendimi humanist i shkencës janë tërhequr para turrit të pasioneve, të fyerjeve dhe të përpjekjeve për asgjësimin e dinjitetit të njeriut dhe të shkencëtarit. Kjo kohë do ta rëndojë aq më tepër jo vetëm pse ishte posaçërisht e rëndë për të, por pse ishte e rëndë për ne të gjithë. Kjo kohë tepër e vrazhdë ishte aq më e rëndë për të sepse edhe disa nga shokët, miqtë dhe kolegët e tij u larguan prej tij dhe e lanë gati vetëm. Duke menduar vetëm për veten, ne, të gjithë, nuk kemi menduar sa duhet për të; duke e menduar karrierën vetjake, nuk kemi menduar se çfarë dëshpërimesh e dhembjesh mund t’i sjellë veçimi; duke menduar vetëm për mirëqenien tonë s’ia kemi drejtuar shikimin edhe shpirtit të tij. Studiuesit e ardhshëm të jetës dhe të veprës së tij do të kuptojnë se vjetëve të fundit Ali Hadri ishte i dëshpëruar rëndë, por do të doja të më besojnë se këtë dëshpërim e duronte me krenarinë e banorëve të lashtë të Olimpit.

Kam drojën mos vdekja e tij e parakohshme do të shikohet dikur si dënim që u është çuar ndërgjegjes sonë dhe shkencës sonë për mungesën etike intelektuale të atyre që sot quhen krijues të saj. Kam drojën mos brezat e ardhshëm do të na akuzojnë edhe ne, kolegët e tij, se vdekjen e tij të parakohshme e kemi bërë aq më tronditëse me moskujdesin, egoizmin dhe servilizmin tonë politik.

Duke e shikuar të shtrirë në shtrat, kam parë se si njeriu bie me trup, por, njëkohësisht, kam parë se si njeriu ngrihet, bëhet vërtet i madh me moral e me shpirt. Ashtu si ai në ato çaste para vdekjes, mund të sillet vetëm njeriu që beson në veprën e vet, që beson në pavdekësinë e vet.

Le të jetë kjo e vërtetë ngushëllim për familjen e tij, për nxënësit dhe studentët e tij, për të gjithë ata që e kanë dashur!

Le ta përcjellë falënderimi ynë për të gjitha ato që ka bërë në përpjekjet tona qytetëruese e liridashëse!

Lavdi historianit që është bërë edhe vetë histori: histori e madhe, e çmuar dhe e paharruar!

Rexhep Qosja

Zëvendësambasadorja e SHBA-së pranë Kombeve të Bashkuara, Michele Sison,bën thirrje për njohjen e Kosovës

SHBA bën thirrje për njohjen e Kosovës

Zëvendësambasadorja e SHBA-së pranë Kombeve të Bashkuara, Michele Sison, ka thënë të martën se vendi i saj përsërit thirrjen që KS i KB-ve të shtyjë raportimin e UNMIK-ut nga tre në gjashtë muaj, ndërsa u bëri thirrjeve shteteve anëtare të OKB-së që nuk e kanë njohur Kosovën ta bëjnë këtë.

Ajo në seancën e KS të KB-ve, tha se udhëheqësit në Beograd dhe Prishtinë duhet të revitalizojnë bisedimet dhe të zbatohen marrëveshjet e dialogut, duke punuar në mënyrë aktive.

“Kufomat në Raçak janë dëshmi e masakrës dhe dhunës që ka ndodhur atje”, ka thënë diplomatja amerikane duke iu kundërvënë ministres serbe Nela Kuburoviq rreth akuzave për rolin e ish-diplomatit William Walker derisa ishte shef i misionit të OSBE-së në Kosovë.

Për më tepër, diplomatja amerikane ka përsëritur se kufijtë e vendeve të Ballkanit janë të definuar, derisa ka inkurajuar vendet që nuk e kanë njohur Kosovën ta bëjnë tash një gjë të tillë.

“U bëjmë thirrje liderëve nga rajoni që t’i shmangen deklaratave ndezëse dhe të fokusohen në gjëra, të cilat u sjellin vendeve të tyre përparim”, ka thënë Sison, transmeton rtk.

Sison ka thënë se KS i KB-ve duhet ta shtyjë raportin për Kosovën nga tre në gjashtë muaj, ndërsa ka kritikuar kërkesën e UNMIK-ut që buxheti për vitin e ardhshëm të rritet për dy milionë dollarë.

“Uashingtoni mbështet reduktimin e UNMIK-ut në dritën e përparimit që ka arritur Kosova”, ka thënë ajo.

Serbia shpik e akuzon Kosovën, në Këshilline Sigurimit të KB

 Në selinë e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ka filluar shqyrtimi i raportit tremujor të sekretarit të përgjithshëm të KB, Antonio Guterres për punën e UNMIK-ut dhe situatën në Kosovë, që përfshin periudhën 16 janar deri 16 prill 2017. Raportin në emër të sekretarit të përgjithshëm Guterres e paraqiti shefi i UNMIK-ut për Kosovën, Zahir Tanin, ndërsa në emër të Kosovës foli ambasadorja e Republikës së Kosovës në Washington, Vlora Çitaku.

Ka nisur mbledhje e Këshillit të Sigurimit të KB, Serbia shpik e akuzon Kosovën

Serbinë këso here e përfaqësoi ministresha e Drejtësisë, Nella Kuburoviq, Në raportin e sekretarit të përgjithshëm Guterres theksohet se periudha në shqyrtim karakterizohet nga zhvillime që nuk kanë kontribuuar për uljen e tensioneve në marrëdhëniet midis Beogradit e Prishtinës dhe shfaqet shqetësimi për shkaqet që pengojnë përparimin në dialog si dhe për shkak të mungesës së zbatimit të marrëveshjeve të arritura në Bruksel.

Ambasadorja e Kosovës, Vlora Çitaku i quajti raciste qëndrimet që përfaqëson Serbia në raporti me Kosovën dhe shqiptarët, ndërsa të mërzitshëm fjalorin që përdorë që në kohën e Millosheviqit. Ministrja e Drejtësisë së Serbisë, Nella Kuburoviq vendimin e Gjykatës franceze për Ramush Haradinajn e ka quajtur të turpshëm, antiserb, ndërsa vendimin e bashkësisë ndërkombëtare për bombardimin e Serbisë si një padrejtësi, shkelje të të drejtës ndërkombëtare.

Ajo përsëriti pikëpamjet e Millosheviqit sipas të cilit nuk është i ligjshëm ndërhyrja në emër të humanitetit, siç u përdor në rastin e Kosovës. Ambasadori i OSBE-së në Kosovë William Walker, sipas Kuburoviq, ka pasur qëllim për një Kosovë të pavarur, ndërsa shtoi se rastin e Raçakut ai shpifi.

Më 16 janar të vitit 1998, siç ka thënë ajo, është dhënë një raport i rrejshëm për masakrën në Raçak, madje ishte kërcënim dhe shtypja e serbëve në Kosovë vazhdon edhe sot.. “Kërcënimet ndaj serbëve në Kosovë vazhdojnë, dhe askush deri tash nuk është dënuar”, ka thënë ajo.

Veprimet e deritashme të ish-ambasadorit Walker ajo e konsideroi të pakualifikueshme dhe tha se ka shkelur integritetin e një shteti të pavarur. Duke u ndërlidhur me Rezolutën 1244 dhe duke u nisur nga siguria në rajon, tha se Serbiaështë e përkushtuar në mbrojtjen e të gjithë serbëve. Këtë kërcënim ajo e shfaqi në lidhje me nismën që Kosova të bëhet me ushtrinë e saj.

Dialogu në BE mes Serbisë dhe Kosovës, sipas saj, ka ngecur pasi nuk ka rezultate të dëshirueshme, edhe pse ky dialog është alternativa e vetme. Për këtë ajo e fajësoi Kosovën, ndërsa për Serbinë tha se “ka përmbushur të gjitha marrëveshjet”. “Unë ftoj shtetet që kanë njohur Kosovën t’i rishqyrtojnë vendimet e tyre për të gjitha çështjet”, ka thënë ajo.

Në fjalën e saj, Kuburoviq ka theksuar se lidhur me çështjen e formimit të Asociacionit duhet të dëgjohet zëri i partnerëve evropianë.

“Prishtina duhet të plotësojë përkushtimet e veta rreth asociacionit dhe duhen veprime specifike. Serbia është e përkushtuar në ruajtjen e paqes. Sistemi i drejtësisë nuk duhet të mbetur i heshtur ndaj kërcënimeve për pastrim etnik të serbëve”, ka thënë ajo.

Kuburoviq tha se është e papranueshme sjellja e Prishtinës që dialogu dhe procesi i normalizimit të marrëdhënieve të trajtohet si mjet “nënçmimi” ndaj palës serbe dhe partnerëve evropianë.

Ajo theksoi se pavarësisht sfidave të shumta, Serbia po vazhdon në mënyrë konstruktive në dialog me qëllim të zgjidhjes së çështjeve të hapura dhe krijimin e kushteve për përparim të rajonit të Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit në BE.

Sipas saj, Kosova “është larg e të bërit” e një shoqërie multi-etnike dhe paqësore, dhe se vetëm një numër i vogël është i personave të kthyer serbë në Kosovë, dhe se duhet punuar për kthim të qëndrueshëm.

Ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku: S’ka Shqipëri të madhe, por ka shqiptarë që synojnë Bashkimin Evropian

A ka nevojë që KS i OKB-së të mblidhet çdo tre muaj për Kosovën

Ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, në seancën e sotme të Këshillit të Sigurisë të OKB-së për Kosovën, ka thënë se nuk po kupton përse mbahen seanca të KS-së çdo tre muaj për Kosovën, kur po përsëriten të njëjtat gjëra.

A ka nevojë që KS i OKB-së të mblidhet çdo tre muaj për Kosovën

Ajo ka kritikuar qasjen e Serbisë ndaj Kosovës duke i quajtur si vlerësime raciste. Çitaku ka thënë se derisa Serbia nuk pranon të marrë përgjegjësinë për luftën dhe spastrimin etnik në Kosovë, nuk do të ketë pajtim mes dy shteteve.

Deklarata e Çitakut është përkrahur edhe nga Suedia që ka përgëzuar përfaqësuesen e Kosovës për fjalimin e saj.

Kjo nismë që është përmendur edhe në seancat e mëhershme po kundërshtohet nga Serbia dhe aleatët e saj.


Çitaku: S’ka Shqipëri të madhe, por ka shqiptarë që synojnë Bashkimin Evropian

Ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, ia ka rikujtuar Serbisë se deklaratat se shqiptarët janë duke synuar që të krijojnë një Shqipëri të madhe janë tërësisht të pavërteta.

Në Seancën e Këshillit të Sigurisë të OKB-së, Çitaku ka thënë se Kosova është shtet i pavarur dhe një pajtim Kosovë - Serbi mund të ndodhë vetëm kur Serbia pranon përgjegjësinë për spastrim etnik në Kosovë.

Çitaku i ka quajtur raciste qëndrimet serbe karshi Kosovës, ndërkohë që ka përmendur sukseset e Majlinda Kelmendit në sportin e xhudos.

Ka folur edhe për masakrën në Reçak, duke thënë se Serbia po mundohet me çdo kusht të refuzojë të marrë përgjegjësinë për masakrat në Kosovë.

“Serbia ka dështuar të ballafaqohet me të kaluarën e saj. Ka dështuar të ballafaqohet me krimet e mirëdokumentuara. S’ka Shqipëri të madhe, ka vetëm shqiptarë që jetojnë në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi, dhe normalisht në Shqipëri që synojnë të jenë pjesë e Bashkimit Evropian”, ka thënë ajo.

Duke folur për dialogun, ambasadorja Çitaku tha se Serbia po keqpërdorë procesin e dialogut dhe Interpolin, derisa ka përmendur rastin e Ramush Haradinajt, i cili brenda disa muajve u lirua si i pafajshëm nga autoritetet franceze.

“Haradinaj është liruar dy herë nga Tribunali i Hagës. Serbia nga aspekti ushtarak ka humbur Kosovën në vitin 1999 dhe me vendimin e GJND-së më 2009”, ka thënë Çitaku.

Për më tepër, ajo ka theksuar se UNMIK-u nuk ka rol për të ruajtur në Kosovë dhe se qasja për misione paqeruajtëse duhet ndryshuar. Çitaku ka falënderuar ambasadorin amerikan dhe atë francez që kanë thënë se është moment i duhur për të mbyllur misionin e UNMIK-ut në Kosovë.

“UNMIK-u nuk ka më rol në Kosovë dhe jemi të befasuar se kemi parë se buxheti i UNMIK-ut për vitin e ardhshëm është rritur”, ka thënë ajo.

Sipas Rusisë, formimi i Ushtrisë së Kosovës përbën rrezik


Sipas Rusisë, formimi i Ushtrisë së Kosovës përbën rrezik

Zëvendësambasadori rus pranë KB-ve, Vladimir Safronkov ka thënë të martën në Këshillin e Sigurimit se dialogu Beograd-Prishtinë me muaj është në qorrsokak.

Safronkov në KS të OKB-së, po ashtu, tërhoqi vërejtjen se formimi i Ushtrisë së Kosovës është në kundërshtim me Rezolutën 1244 dhe se vendimet e Kuvendit të Kosovës në lidhje me procesin kundër Ramush Haradinajt në Francë “janë të rrezikshme”.

EULEX, ka shtuar ai, duhet të sigurojë qasje të paanshme në proceset, për të cilat siç u shpreh ai, Tribunali i Hagës nuk ia ka arritur ta bëjë.

Jamie Shea, Zëvendës Asistent i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s për Sfidat e Sigurisë, në konferencë për shtyp në mars 1999.

18 vjet më parë, Jamie Shea, ishte njeriu më i dashur për shumicën e shqiptarëve të Kosovës që ishin nuk rrinin në shtëpitë e tyre dhe që ia dëgjonin zërin kampeve të refugjatëve përmes transistorit, por dhe për ata pak të tjerë që mundnin t’ia shihnin fytyrën në televizor.

Britaniku 63 vjeçar, që nga Brukseli i jepte Milosheviqit edhe të rejat e parashikimit të motit, ishte zëri i Aleancës Veri-Atlantike që dilte çdo ditë nëpër konferenca për shtyp nga selia e NATO-s për t’i dhënë informatat e fundit rreth ecurisë së fushatës ajrore të bombardimeve të NATO-s.

18 vjet më vonë, në ditën kur Kosova po shënon përvjetorin e nisjes së këtyre sulmeve, në një intervistë për Kallxo.com, Jamie Shea thotë se kjo fushatë 78 ditëshe e ka ndalur pastrimin etnik në Kosovë dhe i ka dhënë vendit e rajonit mundësinë për zhvillim.

Shea, i cili tani punon në selinë e NATO-s në postin e Zëvendës Asistentit të Sekretarit të Përgjithshëm për Sfidat e Sigurisë, thotë se nga operacioni i ndërmarrë në pranverë të vitit 1999 aleanca ka mësuar se duhet të qëndrojë e bashkuar, për të mos u dhënë kundërshtarëve shpresën që të mund të përfitojnë nga një përçarje e aleatëve.

Në këtë intervistë, Shea flet edhe për nismën e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për ndryshimin e misionit të FSK-së, për rritjen e forcave nacionaliste në rajon, për ndikimin e Rusisë…

Kallxo.com: z. Shea, Kosova po shënon përvjetorin e 18-të të fillimit të fushatës së sulmeve ajrore të NATO-s. Si e kujtoni ju momentin e marrjes së vendimit për t’i lëshuar sulmet ajrore? Cila ishte ndjenja brenda selisë së NATO-s rreth ecurisë dhe kohëzgjatjes së sulmeve?

Jamie Shea: Më kujtohet që vendimi qe marrë shpejt dhe me një sens real të konsensusit dhe vendosmërisë rreth tavolinës së Këshillit të NATO-s. Pas tërë atyre viteve të hezitimit gjatë konfliktit në Bosnjë, kur ne shpesh agonizonim rreth përdorimit të forcës, ka qenë një lehtësim për mua kur shihja që këtë herë NATO ishte e gatshme të veprojë para se të ndodhnin masakrat e tmerrshme. Mendoj se ky bashkim erdhi nga fakti që kishim mësuar nga Bosnja për pasojat e mesazheve të përziera, duke bërë kërcënime të zbrazëta dhe duke bërë vonesa të shumta para se të vepronim. Kjo vetëm sa i bën përpjekjet për pajtim dhe rindërtim shumë më të vështira. Mendoj se aleatët e dinin se kishin provuar gjithçka në rrugën diplomatike dhe sidomos me negociatat në Rambuje për ta arritur një marrëveshje të negociuar; ajo që ishte pranuar nga pala e shqiptarëve të Kosovës, sado me hezitime, por që ishte refuzuar nga Beogradi. Pra kishte një sens se ishte bërë çdo përpjekje për ta mënjanuar përdorimin e forcës dhe se tani përdorimi i forcës ishte i domosdoshëm dhe legjitim.

Natyrisht, secili shpresonte se fushata ajrore do të ishte e shkurtër dhe se Milosheviqi do të pranonte shumë shpejt që të tërhiqte trupat (nga Kosova) dhe ta ndalte pastrimin etnik. Fatkeqësisht nuk ndodhi ashtu. Siç e kishte thënë edhe Napoleoni në mënyrë të famshme “Asnjë plan nuk mbijeton nga kontakti i parë me armikun”. Por kur filloi fushata ajrore, aleatët ishin të bindur se këmbëngulja shpaguhet dhe gjëja kryesore ishte që të mos i lejohet Milosheviqit që ta thyejë unitetin e Aleancës. Dorëzimi j vetëm që do ta minonte kredibilitetin e NATO-s, por do ta përkeqësonte edhe më shumë situatën në Kosovë. Për me tepër, çdo fushate ushtarake i duhet kohë për të prodhuar efektet e veta kështu që është joreale të priten mrekulli në çast. 78 ditë u dukën shumë në atë kohë, por nëse dikush mendon për Afganistanin apo Irakun, fushata e Kosovës ishte jashtëzakonisht e shkurtër dhe një nga operacionet më të suksesshme ushtarake në kujtesën e fundit.

Kallxo.com: Çka mësoi NATO nga operacioni i saj në Kosovë? A ia ka vlejtë ndërmarrja e këtij operacioni?

Jamie Shea: Mendoj se mësimi kryesor i nxjerrë është të qëndruarit së bashku. Milosheviqi dukej qartë se shpresonte që NATO do të përçahej por kur e kuptoi që kjo nuk do të ndodhte, ai nuk kishte alternativë përveç t’i plotësonte kërkesat e komunitetit ndërkombëtar. Mësimi i dytë, mendoj unë, është veprimi i hershëm dhe i vendosur me qëllim të parandalimit të një forme më të keqe të dhunës dhe shumë më shumë njerëzve të vrarë e të plagosur. Mësimi i tretë ishte kombinimi i forcës me një diplomaci të aftë. NATO punoi me OKB-në dhe në këtë rast edhe me Rusinë për të vënë presion diplomatik mbi Milosheviqin që ta bënte atë të kuptonte se ai nuk po luftonte vetëm NATO-s por një komunitet më të gjerë ndërkombëtar dhe se asnjë shtet, qoftë ajo Rusia apo dikush tjetër, nuk do ta shpëtonte. Ai ishte tërësisht i izoluar.

A ia ka vlejtë? Paj, asnjë fushatë ushtarake nuk është e përkryer dhe të gjitha ato kanë pasoja afatgjata. Por, në mendimin tim, fushata ajrore ndali një formë të dhunshme të pastrimit etnik ndaj shqiptarëve të Kosovës, zvogëloi dukshëm numrin e vrasjeve, edhe pse numri i vrasjeve ishte tragjikisht i madh për shkaktë veprimeve të forcave serbe, dhe u mundësoi qindra-mijëra refugjatëve të kthehen shpejt në shtëpitë e tyre. Nëse për këtë nuk ia vlente, atëherë për çfarë tjetër?

Kallxo.com: NATO ka qenë e pranishme në Kosovë me një mision ushtarak që nga viti 1999. Përderisa misioni është zvogëluar vazhdimisht në numra, a mendoni se rajoni është ende në rrezik në aspektin e sigurisë, marrë parasysh tensionet e fundit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë gjatë muajve të fundit?

Jamie Shea: NATO e ka bërë të qartë se do të qëndrojë në Kosovë për aq kohë sa KFOR mund të ndihmojë në stabilizimin e vendit. Personalisht nuk mendoj që ka rrezik se një konflikt i ri mund të shpërthejë prapë. Thënë këtë, KFOR është atje për ta ndalur çdo lloj të dhunës, qoftë ajo e një shkalle të vogël, dhe për të siguruar që të gjithë kosovarët, pavarësisht cilit grup etnik i takojnë, janë të mbrojtur në mënyrë të barabartë. Nuk ka kuptim që KFOR të largohet para kohe në rast se do t’i duhet të kthehet më vonë. Fatkeqësisht ka ende tensione mes Prishtinës dhe Beogradit, siç e pamë së fundmi me incidentin e trenit, kështu që prania e KFOR-it është ende e domosdoshme për të ofruar një mjedis të sigurt dhe për ta parandaluar ndonjë veprim të ngutshëm ose keqkalkulim.

Kallxo.com: Shkurtimisht, si ju duken zhvillimet në Kosovë gjatë 18 viteve, veçanërisht që nga shpallja e pavarësisë nën kuptim të njohjes ndërkombëtare si dhe politikës e sigurisë së brendshme?

Jamie Shea: Isha në Kosovë vitin e kaluar për një vizitë të shkurtë por shumë të kënaqshme. Nuk kisha qenë për shumë vite dhe isha i befasuar me numrin e veturave në rrugë (nuk është domosdoshmërisht një gjë e mirë, duke pasur parasysh të gjitha ngecjet në trafik), hotelet dhe ndërtesat e reja, si dhe një numër i madh i kompanive amerikane dhe europiane që janë vendosur në Prishtinë. E kisha ndjenjën se Kosova përfundimisht ishte zhvilluar. Gjithashtu mbajta fjalim në një universitet dhe isha i befasuar me inteligjencën, entuziazmin dhe aftësitë e mrekullueshme të studentëve të cilët më përshëndetën në gjuhën angleze. Kështu që përfundimisht kisha përshtypjen e një jete të re dhe një dëshire për të sjellë Kosovën në linjë me standardet europiane dhe të dilni nga izolimi. Natyrisht progresi nuk është asnjëherë i shpejtë ashtu siç do të donim të ishte dhe nuk ka dyshime që Kosova ende ka shumë për të bërë në kuptimin e luftimit të korrupsionit, përmirësimin e gjyqësorit dhe të pasurit parti politike të cilat mund të punojnë së bashku për të mirën e vendit, derisa respektoni rregullat dhe rolin e opozitës demokratike. Andaj, është e qartë që Kosova është një vend që do të vazhdojë të ketë nevojë për një marrëveshje të mirë për ndihmë nga të dyja NATO dhe Bashkimi Europian në vitet në vazhdim. I ka përbërësit për sukses: çelësi është që t’i lirojë dhe zhvillojë këto elemente dhe të mos i mbajë brenda. Për një moment, gjatë fjalimit tim në universitet, e përmenda që në vitin 1950 Ukraina ishte dukshëm në përparësi ndaj Polonisë, në kuptimin e GDP-së. Sot, Polonia është tetë herë përpara Ukrainës dhe nga një hapësirë prej vetëm një gjysmë shekulli. Çfarë e ka bërë dallimin? Nuk janë burimet natyrale por kualiteti i udhëheqjes, serioziteti i reformave dhe aftësia e përdorimit të talenteve të njerëzve të saj produktiv në frymën e sipërmarrjes së lirë.

Kallxo.com: Duke pasur parasysh zhvillimet në Bosnjë, Maqedoni dhe Kosovë, a e shihni një ngjallje të forcave nacionaliste në regjion?

Jamie Shea: Po, e shoh një ngjallje të forcave nacionaliste në Ballkanin perëndimor sot. Është zhgënjyese, se si nacionalizmi agresiv ka dërguar vetëm në një vuajtje në një shkallë masive gjatë viteve të 90-ta, si dhe varfëri të madhe dhe izolim. Por jemi ku jemi dhe e shoh këtë si një thirrje për zgjim nga NATO dhe Bashkimi Europian për një angazhim të plotë me regjion dhe t’i mbështesin forcat demokratike dhe t’u ndihmojnë atyre në rrugëtimin drejt reformave. Çështja e nacionalizmit është se mund të jetë një reklamë e mirë për emocione dhe një mekanizëm për shfryrje të zemërimit dhe frustrimit. Por nuk sjell ndonjë zgjidhje të problemeve të përditshme. Për më tepër, nacionalizmi agresiv nuk mund të mbijetojë pa ndonjë armik, shpesh një armik imagjinar dhe prandaj dërgon vetëm në dhunë dhe kundërvënie.

Kallxo.com: Në javët e fundit, Kosova ka ngecur në një debat mbi transformimin e Forcës së Sigurisë së saj në një ushtri duke anashkaluar amendamentet e nevojshme kushtetuese. Që kur NATO dhe disa shtete të rëndësishme (SHBA-ja, Britania e Madhe) kanë kundërshtuar nismën e Presidentit Thaçit, a ka ndonjë zgjidhje për këtë çështje, pasi ne nuk e shohim Thaçin të tërhiqet nga ideja e tij?

Jamie Shea: Forca e tanishme e Sigurisë së Kosovës, për të cilën NATO ka punuar aq shumë për të ndihmuar Kosovën për ta krijuar, është projektuar për nevojat aktuale të Kosovës dhe si një mjet për integrimin e të gjitha bashkësive etnike në një institucion të vetëm. Në një kohë kur Kosova vërtetë ka nevojë të përqendrohet në reforma, luftën kundër korrupsionit, edukimin e njerëzve të saj dhe zhvillimin e shoqërisë dhe institucioneve të saj, unë nuk shoh se si krijimi i ushtrisë së Kosovës është një përdorim i dobishëm i burimeve të çmuara, apo do të ndihmojë stabilitetin në rajonin më të gjerë. Me koston e një avioni luftarak modern apo edhe një tanku lufte, Kosova mund të kishte ndërtuar disa shkolla ose të përmirësojë teknologjinë e informacionit në universitetet e saj dhe në institucionet publike në të gjithë vendin. Kështu që unë shpresoj se do të ketë një debat të duhur në Kosovë në lidhje me prioritetet, dhe se Presidenti Thaçi nuk do ta vazhdojë këtë iniciativë. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i foli presidentit Thaçi dhe kryeministrit Mustafa më 8 mars dhe ua bëri të qartë atyre shqetësimet serioze të aleatëve të NATO-s në lidhje me propozimet nga autoritetet e Kosovës për ta transformuar FSK-në një forcë të armatosur, pa një ndryshim kushtetues. Ai e bëri të qartë se hapat e njëanshëm të tilla si këto janë të padobishme.

Kallxo.com Në një kontekst më të gjerë rajonal, konsiderohet se Rusia është duke u përpjekur për të zgjeruar ndikimin e saj në Ballkan, duke filluar me furnizimin e ushtrisë së Serbisë me armë. Si e sheh NATO këtë situatë?

Jamie Shea: Rusia është sigurisht më aktive në Ballkan sot se disa vite më parë. Ne kemi parë për shembull përpjekjet e saj për të theksuar vendimin e lirë të Malit të Zi për t’u bashkuar me NATO-n, duke përdorur propagandën dhe duke organizuar provokime dhe aktivitete destabilizuese. Kjo është një nga arsyet pse NATO dhe BE-ja tani ri-angazhohen me rajonin ku ne kemi investuar kaq shumë kohë dhe përpjekje gjatë dy dekadave të fundit. Sigurisht është zgjedhje e një vendi si Serbia të vendosë se ku dëshiron të blejë armatime, por përsëri, unë besoj se të gjithë aktorët në rajon duhet ta pyesin veten nëse ndërtimi i armatimeve të sofistikuara dhe të shtrenjta me të vërtetë do të blejë më shumë siguri për një kohë të gjatë dhe për stabilizimin e rajonit, ose nëse me të vërtetë është ajo që popujt e tyre kanë nevojë urgjente në afat të shkurtër. Lloji i dialogut që BE-ja ka nxitur mes Beogradit dhe Prishtinës ose të negociatave për anëtarësim të Serbisë drejt BE-së, të partneritetit të NATO-s me Serbinë, Bosnjën dhe ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, si dhe nismat rajonale të sigurisë që po sjellin vendet e Ballkanit Perëndimor së bashku po më tërheqin mua si një mënyrë shumë më e mirë për të arritur siguri të qëndrueshme.

Enver Hoxha nga vrasjet e kryeministrave te arrestimi i 1400 studenteve ne 1 vit

Në listën e 33 drejtuesve të qeverive shqiptare, prej vitit 1912 deri më sot, Enver Hoxha ishte kryeministri i 22­të. Ai e mbajti këtë dety...