Kritikat që i bëhen Ali Pashait vlejnë për Hoxhën pikë për pikë: pabesia, politika arbitrare e terrorit, shoqëruar me deportime dhe egzekutime, si dhe vullneti për pavarësi që i shërben më tepër pushtetit të tij vetjak
Nga Jean-Paul Champseix – Përse ky libër, Reflektime, dyshime dhe perspektiva. Duke qenë se me profesion jam profesor letërsie, në kohëra të ndryshme të karrierës kam jetuar disa periudha : në fillim periudhën kur analizoheshin veprat dhe autorët. Më tej analizat e veprave nisën të bëhen nga një fushë studimore e re e bazuar në mënyrën se si perceptohet vepra nga lexuesi. Kjo është diçka më e ndërlikuar sepse do të thotë ta kesh njerën këmbë në fushën e sociologjisë, të historisë së ideve, të kritikës institucionale dhe kritikës gazetareske, dhe përbënte një udhë të re për studimet lerare sepse i mëshon faktit se lexuesi luan një rol aktiv në këtë ushtrim që mund ta quajmë një proces bashkë-krijues. Pikërisht lexuesi sjell me vete kulturën e tij, vizionin e tij për botën, konceptimet dhe preferencat e tij letrare si edhe pritshmëritë që ose përmbusheshin ose zhgënjeheshin nga leximi.
Mënyra se si pritet vepra letrare varet njëkohësisht nga njohja që ka lexuesi për epokën e autorit. Natyrisht që nuk e lexojmë Homerin në të njejtën mënyrë si Antikët, ose për t’iu referuar një kohe më të afërt me ne, nuk e lexojmë aspak Molierin si në shekullin e XVII. Tartufi dhe Don Zhuani shkaktonin në kohën e tyre një skandal absolut, aq sa edhe Luigji i XIV i cili e shihte me sy të mirë Molierin, nuk ia dilte ta mbështeste dot autorin tërësisht.
Ideja për të parë mënyrën se si pritej vepra më erdhi kur punoja në Universitetin e Tiranës dhe nê të njejtën kohë lexoja Kadarenë. E pyesja veten se çfarë mund të mendonte vallë lexuesi shqiptar. Dhe natyrisht nuk kisha se si ta dija…
Një lexim me rrënjët e epokës.
E megjithatë, për lexuesit francezë, vendosa të flas një herë për kontekstin letrar dhe historik. Do të thotë, t’i prezantoja romanet e Kadaresë «të ankoruar» në të tashmen e një diktature që kishte filluar qysh në vitin 1945, duke e bërë këtë sipas mënyrës sime dhe me të dhënat që disponoja.
Prania ime në Universitet më vinte në konakt me realizmin socialist. Studentët, që gjatë mësimit u përgjigjeshin pyetjeve mbi copëzat lerare të manualit që duhej të komentonin në klasë, më jepnin një ide shumë të qartë të doktrinës letrare në Shqipëri. Lexoja njëkohësisht edhe botimet teorike dhe fjalimet e Enver Hoxhës mbi këtë temë. Kështu, qysh në vitin 1949, ai shkruan: «Këshilla shkrimtarëve të rinj » (Œuvres choisies, vol. II, Tirana, 8 Nëntori, 1975), dhe më 1974, « Shkrimtarët dhe artistët janë ndihmës të Partisë në punën e saj për edukimin komunist të njerëzve tanë» (Œuvres choisies, vol. IV, Tirana, 8 Nëntori, 1982).
Mirëpo gjatë leximit të romaneve të Kadaresë, më dukej se transgresionet ishin të shumta. Madje habitesha kur shihja se vepra e tij s’ishte gjë tjetër veçse transgresion. Qysh tek veprat e tij të para Gjenerali i ushtrisë së vdekur dhe Përbindëshi, autori u bën bisht parimeve të realizmit socialist. Trishtimi dimëror, mungesa e heronjve me të cilët mund të identifikohesh, fundet fatkeqe të ngjarjeve nuk janë aspak në përputhje me realizmin socialist. Aty mungojnë krejt fryma e partisë, fuqia e progresit shoqëror, entuziazmi kolektiv dhe uniteti i çeliktë parti-popull. Sundimi i botës është i pamundur dhe bota është e mjegullt. Po ashtu, nuk gjendet një rrëfimtar (narrator) i mirëpërcaktuar që dikton fjalën e duhur dhe mvesh një rol pedagogjik të qartë për të mënjanuar dialogjizmat parazite.
Paralelisht me këto, vija re edhe elementet subversivë sepse ndërkohë e njihja natyrën e regjimit të Enver Hoxhës dhe egërsinë e tij totalitare. E dija që herë pas here Shqipëria kishte momente hapjeje, por ato ndiqeshin nga periudha shtrëngimi e spastrimesh, me të cilat me hir a me pahir, shkrimtarët duhet të jetonin. Në këto kushte, ishte thuajse e pamundur të mënjanoje « vonesat » . Psh Kadare e botoi Dimrin e madh në një moment të keq, më 1972. Kurse aksidentin apo vrasjen e Lin Biaos në Mongoli, në romanin e tij Koncerti, pak kohë përpara zhdukjes së Mehmet Shehut.
Te Kamarja e turpit, nëpërmjet Ali Pashait që ndërpret marrëdhëniet me perandorinë osmane, mund të shohim një dublant të Enverit i cili bëri ndarjen nga Sovjetikët. Kritikat që i bëhen Ali Pashait vlejnë për Hoxhën pikë për pikë: pabesia, politika arbitrare e terrorit, shoqëruar me deportime dhe egzekutime, si dhe vullneti për pavarësi që i shërben më tepër pushtetit të tij vetjak sesa lirive që i jepen Shqipërisë. Po ashtu, edhe pseudo- perandoria osmane që i shërben si kornizë disa romaneve, na kujton Shqipërinë bashkëkohore dhe totalitarizmin e saj. Tek Kamarja e turpit, poltika e Kra-Kra-së që synon shkombëtarizimin e vendit, ngjan me të vërtetë me revolucionin kulturor. Në romanin Pallati i ëndrrave, zyrë që përfaqëson policinë e ëndrrave që mbledh, analizon e ëndrrat e banorëve të perandorisë për të qëmtuar kompllotet qysh në vezë, natyrisht që nuk ka egzistuar. Tek Muzgu i perëndive të stepës, kritika ndaj realizmit socialist sovjetik i kushtohet po ashtu edhe dogmave shqiptare që zbatonin të njejtat parime. Kështu, autori diti të përfitojë me zotësi nga shkëputjet e Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik dhe Kinën për të përvijëzuar një kritikë krejt të qartë, sepse duke fshikulluar modelet e mëdha të së djeshmes, denonconte sistemin shqiptar që ishte një kopje e përpiktë e tyre.
Dyshimet e mia
Në realizimin e projektit tim për ta vendosur veprën në periudhën e saj historike, e pyesja nganjëherë veten se mos subjektiviteti im shkonte tepër larg. Duke qenë i izoluar dhe francez, druhesha se mos po zhytesha në delirin e interpretimit… Në Paris, kritika ishte e polarizuar por e largët : askush nuk e njihte përnjimend Shqipërinë. Qysh në fillim, në Francë, sa më shumë që rritej suksesi i Kadaresë, aq më konstroversial bëhej ai. Jo rrallë, debati politik dhe moral vendosej përpara interesit letrar të veprës. Madje flitej per “rastin Kadare”. Disa shihnin tek ai një kollonë mbështetëse të regjimit, një mall eksporti ose dëshminë se regjimi ishte liberal. Njeri nga kritikët më të ashpër në fillim të viteve 2000, qe eseisti Bernard-Henri Lévy, i cili sulmoi ashpër duke pohuar se shkrimtari nuk kish se si ta ndërtonte veprën e tij pa u kompromentuar me regjimin. Në të kundërt, të tjerë kritikë si psh Éric Faye, Gilles Lapouge si dhe poeti Alain Bosquet shpreheshin me shumë admirim.
Për fat të mirë, unë kisha në dispozicion disa të dhëna më të forta. Disa nga studentët e mi, nga të cilët edhe Irena, më flisnin me nota tepër pozitive për Kadarenë dhe guxonin të flisnin, pa shumë insistim gjithsesi, mbi anën kontestuese të veprës. Njëri syresh më pati thënë një herë, me shaka : « Kadareja është elastik, ai e merr gjithmonë formën e vet. ! » Me këto kuptoja se lexuesit mezi i prisnin veprat e Kadaresë dhe të lexonin mes rreshtave, çka dëshmonte për karakterin subversiv të veprës. Më vonë, pasi regjimi ra, një ish studenti im më tha se Pallati i ëndrrave i ishte dukur si një « bombë » dhe se ai dhe miqtë e tij, kishin ndjerë në atë kohë një entuziazëm të madh.
Në pleniumin e Lidhjes së Shkrimtarëve, Ramiz Alia në fjalimin e tij të 21 marsit 1982, duke pasur parasysh Kadarenë, pohonte se arti socialist nuk i njihte dukuritë si : « Mungesa e qartësisë dhe dykuptimshmëria, mospërkitja klasore, kërkimet formaliste dhe teknikat moderniste, që në thelb janë mbartëse të ideologjive të huaja e asaj» ( Zëri i Popullit, 21 mars 1982).
Më tej, lexova aktakuzën e Dritëro Agollit pas botimit të Pashallarëve të kuq, e cila rreshtonte në dhjetë faqe të gjitha kritikat : «I. Kadaré ka predispozita ndaj ndikimeve, si të thuash, i tërheq ato. […] Atij i mungon fryma e partisë,. Nganjëherë përshkrimet e tij të botës shqiptare duken sikur kanë dalë nga penda e ndonjë turisti të huaj. Përse ? Sepse kuptimi i tij i artit është ai i një liberali. Ai beson se heroi pozitiv e prish artin, e kthen atë në një vegël të propagandës, dhe e kthen në parullë të ditës..» Maks Velo, La Disparition des « Pachas rouges » d’Ismaïl Kadaré, p. 50, Paris, Fayard, 2002.
Mendoj se do të ishte mirë të dihej, por ndoshta kjo është bërë tashmë nëpër studime, se si është lexuar Kadareja nga lexuesit shqiptarë në kohën e Hoxhës. Por psh zoti Ylljet Aliçka më ka pohuar se leximi i disa pjesëve të Dimrit të madh ka ndikuar në emancipimin e tij letrar.
Metamorfoza e veprës (në konceptin sipas André Malraux-së).
Periudhat ndryshojnë, po ashtu edhe tematikat. E shohim aktualisht se si problemet shoqërore dhe politike po zëvendësohen me tematika të tjera shoqërore, seksuale, fetare dhe komunitare. Kështu që memorja e së shkuarës fshihet pak nga pak, madje më shpejt se ç’mund të mendohet.
Nganjëherë ndryshimet epokale bëjnë që edhe autorë shumë të shquar thuajse harrohen krejt. Si psh në Francë, François Mauriac, Georges Bernanos, madje edhe Paul Claudel, nuk lexohen më fare për arsye se tema e kristianizmit, megjithëse nuk është zhdukur, është fshirë në sytë e lexuesve. Megjithëse duhet saktësuar se kjo mund të ndodhë vetëm për një farë kohe dhe sërish të ndryshojë.
Për Kadarenë, rreziku nuk është shumë i madh sepse megjithëse unë jam munduar ta kontekstualizoj atë në periudhën e vet historike, vepra del nga kjo kornizë në sajë të cilësive të saj. Sepse me të vërtetë, Kadare ka shkruar kundër një regjimi në një periudhë të caktuar, por letërsia e tij ka burime të tjera.
Me të vërtetë, veprat e tij mund të lexohen shumë mirë pa e ditur kontekstin dhe kështu do të ndodhë. Epoka e Enver Hoxhës, mbi të cilën unë kam punuar për të bërë një lexim historik, sa më shumë kalon koha, aq më shumë do të largohet. Ky është fati i të gjitha shkrimeve, të cilat, pak nga pak, dekontekstualizohen. Vepra shkëputet nga konteksti, dhe pikërisht këtë Malraux-ja e quan Metamorfoza. Kështu, vepra merr kuptime të tjera të dhëna nga vështrime të reja që autori ndoshta nuk i kish menduar. Në këtë kuptim, vepra largohet përherë e më shumë nga autori.…
Vepra e Kadaresë ka krijuar një të tërë koherente që Éric Faye e ka quajtur « la Kadarie » (Kadaria). Kjo botë është thellësisht shqiptare me një shtresëzim të substratit që ka në bazë legjendat dhe mitet. Na takon ne si studjues ta bëjmë këtë, ashtu si studjuesit irlandezë tek “Dosja H” që hulumtojnë mbi Homerin. Vepra e Kadaresë përmend po ashtu edhe traditat, Kanunin dhe Besën e famshme që shërben për të ndërtuar një moral të caktuar tek Kush e solli Doruntinën? Por njëkohësisht, vepra shkëputet nga territori/vendi ku ndodh, me një derealizëm turbullues si psh tek Prilli i thyer, çka e pengon një kuptim dhe një gjykimin të qartë. Bota aty është e turbullt, dëshmitë jo fort të besueshme, ngjarjet mezi shpjegohen. Edhe ëndrrat kanë një rëndësi të madhe sepse kufiri mes ëndrrave dhe realitetit nuk është e qartë. Koha është ciklike prandaj edhe të vdekurit janë gjithmonë të pranishëm nëpërmjet kujtimeve ose brerjeve të ndërgjegjes që ata provokojnë tek të gjallët. Përsa i përket pushtetit, ky është i keq, pervers dhe kërkon vetëm të përtërijë vetveten. Prandaj ndoshta është miti ai që e sundon Historinë.
E megjithatë ka një lloj heroi, natyrisht të vetmuar – kush do, e kupton këtë gjë – si psh Genti tek Përbindëshi, murgu Gjon te Ura me tri harqe, Stressi tek Kush e solli Doruntinën?, Besniku përkthyes tek “Dimri i vetmisë së madhe”. Shumë nga romanet e Kadaresë ngjajnë me hetime që zhvillohen në një atmosferë trysnie. Duhet të kërkosh të kapësh një realitet të fshehtë sepse pamja e jashtme është e rreme. Vërtet që vepra e tij është pesimiste dhe madje depresive por aspekti humanist vjen pikërisht ngase zgjuarsia nuk bie pre e iluzioneve të realitetit.
Konkluzion
Është me të vërtetë mbresëlënëse të konstatosh se vepra e Kadaresë ka dy anë: një anë shumë të kontekstualizuar nën regjimin e Enver Hoxhes dhe një tjetër e cila i shkëputet së parës dhe ia del të imponohet ashtu siç është. Prandaj edhe suksesi i tij shpjegohet nga njera anë sepse lexohet nga lexues që kanë njohuri politike, dhe nga ana tjetër, lexues më të shumtë në numër që nuk kanë ndonjë njohuri të veçantë për Shqipërinë.
Titulli i librit mund të ketë një anë provokuese, po të mos ishte rezultat i qasjes që kam bërë. Në fakt ai shpreh një pikëpamje që unë e mbroj dhe shpresoj se e vërtetoj nëpërmjet analizave të mia letrare. Në fakt kisha edhe një titull tjetër pak më poetik : I.K. Une œuvre inespérée (IK një vepër e papritur) që tregonte anën e pazakontë të karrierës letrare të autorit. Titulli që u zgjodh tingëlloi më eksplicit. Në një farë mënyre, unë doja të pozicionohesha si një person që ishte i ndjeshëm ndaj luftës së Kadaresë, i cili ka vërtet kënaqësinë se ka krijuar një “kundër-këngë funebër” përballë propagandës mashturese staliniane, vlerëson në të njejtën kohë se vepra e tij u “dëmtua rëndë” nga kufizimet e tiranisë. Dhe, më 2016, në lidhje me punën e tij si shkrimtar Kadareja thotë: « Nuk po them se më bëri mirë, por po aq nuk guxoj të them se më bëri keq ».
( në intervistën dhënë Dashnor Kaloçit lidhur me botimin e disa faqeve të ditarit të Enver Hoxhës me kritikat ndaj PashallarËve të kuq. www.gazetatema.net. Intervista/ Ismail Kadaré : Ju tregoj arsyen e shpërthimit të Enverit ndaj meje per « Pashallarët », 6 mai 2016.