PROF. DR. PERIKLI QIRIAZI/ PROF. DR. SKËNDER SALA
Prof. Mevlan Kabo është një ndër përfaqësuesit e denjë të plejadës së gjeografëve,që hodhën bazat e arsimit dhe të shkencës gjeografike, për të cilat ne ish-studentët dhe kolegët e tij, por edhe breza të tërë mësuesish dhe gjeografësh anembanë vendit i janë mirënjohës. Kontributi i tij i madh u shtri në shumë fusha: pedagogjike, shkencore, drejtuese dhe publicistike: si punonjës në Ministrinë e Arsimit; si drejtues i suksesshëm sektori në Institutin e Studimeve dhe Botimeve Shkollore dhe i redaksisë enciklopedike në Shtëpinë Botuese “8 Nëntori”; si drejtues i institucioneve universitare (përgjegjës i Katedrës së Gjeografisë, zv.dekan i Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë në UT dhe pedagog i Gjeografisë); drejtues i institucioneve shkencore (përgjegjës i sektorit të gjeografisë në Institutin e Hidrometeorologjisë dhe drejtor i Qendrës së Studimeve Gjeografike të ASHSH dhe punonjës shkencor në këtë qendër; kryeredaktor i revistës “Studime Gjeografike”, anëtar i Redaksisë së veprës FESH dhe në ribotimin e rishikuar të tij, redaktor shkencor i gjeografisë). Kontributi pedagogjik dhe shkencor i prof. Kabos u shtri edhe në Kosovë, ku vendosi themelet e bashkëpunimit shkencor me Universitetin e Prishtinës.
Kudo ku ka punuar prof. Kabo, gjithmonë u dallua për korrektesë, drejtësi, aftësi drejtuese dhe mendim novator, kulturë të gjerë shkencore gjeografike dhe jo vetëm; për dimensione të shprehura humane, jo vetëm në marrëdhëniet miqësore me studentë e kolegë, por edhe në postet drejtuese, ku u veçua për mirësinë e tij, mirëkuptimi dhe bashkëpunimin e shkëlqyer. Edhe pasi doli në pension, profesorin gojëmbël dhe përherë me humor të këndshëm e kemi gjithmonë midis nesh me shembullin e tij brilant të kurajës, vullnetit për punë e studime, përherë kërkues për të vërtetën shkencore; me kulturën e formimin gjeografik; me mendimet e argumentuara, me kontributet e veçanta në zhvillimin e studimeve gjeografike etj. Veprimtaria shkencore dhe botuese e tij, si autor dhe bashkautor, u shtri në vepra kombëtare, monografi, studime, artikuj studimorë, referime në konferenca shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare, harta, broshura, botime divulgative etj. Brenda kuadrit të një artikulli, do të mundohemi të flasim vetëm për disa aspekte të veprës shkencore të tij.
Kjo për dy arsye: e para se ajo është mjaft e gjerë dhe e dyta, do të duhet kohë që të vlerësohet kontributi i tij shkencor, shinat e shtruara prej tij në problematikën tepër komplekse të gjeografisë së Shqipërisë, të cilat do t’u shërbejnë brezave të gjeografëve të rinj për ta çuar më tej këtë shkencë me vlera sa teorike, aq edhe praktike, por edhe kombëtare. Karriera e suksesshme pedagogjike dhe shkencore e prof.. Kabos filloi në vitin e largët 1965, kur mori udhë puna e tij e vështirë të pedagogut dhe studiuesit në katedrën e Gjeografisë të Universitetit të Tiranës. Me vrullin e guximin e studiuesit të ri, me vullnet dhe dëshirë për punë të palodhur dhe sistematike në kabinet, bibliotekë dhe në terren, ai u formua si intelektual dhe gjeograf me kulturë të gjerë, jo vetëm gjeografike, por edhe në disa fusha të afërta.
Ky formim solid shkencor dhe kulturor, por edhe aftësitë e rralla të tij profesionale, mundësuan që leksionet dhe seminaret e zhvilluara nga prof. Kabo të dallohet për nivel të lartë shkencor dhe metodik. Më kujtohet leksioni i parë në lëndën Gjeografia Fizike Krahinore, kur profesori tërhoqi vëmendjen tonë me zërin e qetë, të shtruar dhe me parashtrimin e qartë të fakteve, të shoqëruar me figura të bukura e domethënëse dhe argumente shkencore të dukurive gjeografike të rajoneve fizikogjeografike të botës. Auditori i leksioneve të profesorit të ri ishte përherë plot me studentë. Ligjëratat e tij janë model për informacionin e pasur, argumentet bindëse shkencore, elokuencën e veçantë. Në gjithë vendin, ish-studentët e prof. Kabos flasin me admirim të veçantë për leksionet dhe seminaret e drejtuara prej tij, për mjeshtërinë e tij të rrallë për t’i bërë ato tërheqëse, për provimet, që profesori i kthente në bashkëbisedime tërheqëse, ku studentët lirshëm shprehnin mendimet e tyre.
Veprimtaria e tij kërkimore–shkencore shtrihet kryesisht në fushën e gjeografisë fizike. Me aftësitë e rralla profesionale dhe organizuese, prof. Kabo drejtoi grupin e studiuesve, që përgatitën veprën kombëtare “Gjeografia fizike e Shqipërisë”. Njëherazi, ai është bashkautor dhe kryeredaktor i kësaj vepre madhore, që u botua në dy vëllime në vitin 1990 dhe 1991. Vepra në fjalë ishte kurorëzimi i punës studimore disa vjeçare të shumë studiuesve gjeografë dhe të fushave të afërta. Ajo hapi një rrugë të re në studimet e gjeografisë fizike shqiptare, duke shënuar kalimin nga forma përshkrimore në analiza të thella shkak-pasojë të dukurive gjeografike të natyrës sonë; nga trajtime të veçanta të komponentëve të peizazhit gjeografik në trajtimin kompleks të këtyre komponentëve në kuadrin e rajoneve fiziko- gjeografike të vendit tonë.
Tashmë, për çdo njësi fiziko-gjeografike të vendit ka informacion të pasur dhe tepër të vlefshëm për shumë fusha. Ndaj, ajo tërhoqi vëmendjen e mendimit shkencor të kohës, por edhe të publikut. Shumë shpejt vepra u bë një libër tavoline për shumë studiues të natyrës sonë (gjeologë, klimatologë, hidrologë, pedologë, biologë etj.); për vlerësuesit dhe menaxhuesit e pasurive natyrore; për institucionet e punonjësit e mbrojtjes së mjedisit, të turizmit, shkollës dhe arsimit gjeografik shqiptar, të medias etj. Me këto arritje, si dhe veprat “Historia e shqiptarëve”, “Histori e gjuhës e letërsisë shqiptare” etj., u radhit në veprat monumentale kombëtare; në studimet e natyrës sonë zuri vendin e merituar dhe të pazëvendësueshëm edhe mendimi e këndvështrimi gjeografik, deri në këtë kohë i mënjanuar dhe i neglizhuar. U formua kështu bindja se studimi i problemeve të natyrës sonë do të ishte i mangët nëse do t’i mungonte analiza gjeografike. Edhe në studimet social-ekonomike u ndie nevoja e analizës shkencore të rolit të faktorëve fizikogjeografikë në shumë tipare të popullsisë (shpërndarja gjeografike dhe dendësia e popullsisë, struktura e saj etj.).
Shtojmë se roli i faktorëve natyrorë në tiparet sociale ishte krejtësisht i paprekur në studimet e kryera nga studiuesit e tjerë, jo gjeografë. Këto rezultate dhe shumë të tjera përbëjnë risi jo të vogla, që hapën mundësi të reja për shkencën e gjeografisë sociale. Nuk është e rastit, që fill mbas këtij punimi serioz, gjeografët u bënë bashkautorë në studimet kapitale të natyrës, të popullsisë dhe të ekonomisë sonë. Kjo konfirmoi më tej bindjen se këndvështrimi dhe analiza gjeografike janë të domosdoshme në realizimin e studimeve serioze natyrore dhe social-ekonomike. Këto flasin për rëndësinë e madhe të kësaj vepre të përgatitur nën drejtimin shkencor të prof. Kabos. Por tani, pas tridhjetë vjetëve, ka ardhur koha që kjo vepër të rishikohet dhe të ripunohet për të pasqyruar interpretimet e studimeve të reja fiziko-gjeografike mbi bazën e koncepteve të të fundit të shkencës së gjeografisë. Për këtë ripunim të domosdoshëm janë të gjitha mundësitë.
Aftësitë e mëdha organizuese dhe profesionale u shfaqën edhe në studime të tjera të përbashkëta, ndër të cilat veçojmë: “Studimi mbi zonat e formimit të ortekëve dhe masat mbrojtëse” (1985), i cili përcaktoi dhe hartografoi korridoret e mundshme të formimit të ortekëve, rreziqet, shkaqet dhe kushtet, mundësitë e masat mbrojtëse etj.; studimi “Veçoritë klimatike dhe hidrologjike në Ultësirën Perëndimore” (1985); Kosova (1999), vepër tjetër me vlera, në të cilën prof. Kabo si bashkautor, dha ndihmesë të veçantë në trajtimin me argumente bindëse tiparet gjeografike të Kosovës; “Fjalor shpjegues i termave të gjeografisë” (2000). Kontribut të veçantë dha prof. Kabo, si bashkautor dhe redaktor shkencor në përgatitjen e veprave të tjera të mëdha kombëtare: Fjalori Enciklopedik Shqiptar, botimi i vitit 1985, dhe ribotimin e tij i ripunuar në vitin 2008. Në këta fjalorë, prof. Kabo, si redaktor dhe autor i shumë zërave, mbajti peshën kryesore në përgatitjen dhe diskutimin e zërave të gjeografisë. Zërat e shumtë të përgatitura prej tij dallohen për saktësinë dhe gjerësinë e informacionit.
I madh ishte kontributi i tij në përgatitjen me bashkautorësi të zërave të mëdhenj: Shqipëria, Kosova etj. Ishte këmbëngulja dhe vizioni prej studiuesi të afirmuar e prof. Kabos që ideoi dhe përgatiti e zhvilloi me sukses të “Simpoziumit të parë kombëtar të studimeve gjeografike” (1985). Në këtë kuvend, gjeografët shqiptarë të kohës hodhën bazat shkencore të studimeve gjeografike. Interes të veçantë kanë artikujt e tij të shumtë shkencorë mbi gjeografinë historike të Shqipërisë, për gjeomorfologjinë e brezit tonë bregdetar, për gjeografinë e turizmit të Shqipërisë; disa artikuj metodiko-shkencorë për mësimdhënien e historisë dhe gjeografisë etj. Formimi solid gjeografik dhe informacioni i gjerë e shumë i pasura gjeografik, i mbledhur me kujdes në vite, e kthyen atë në një enciklopedi për gjeografinë e Shqipërisë.
Ai ishte i gatshëm të jepte përgjigje të sakta për çdo problem gjeografik shqiptar. Monografitë, artikujt, referatet dhe punimet e tij të shumta shkencorë mbi problemet gjeografike të Shqipërisë dallohen për mendime origjinale, për mënyrën e shtrimit dhe të trajtimit të koncepteve dhe të ideve të reja gjeografike, për rrugët e propozuara prej tij për zgjidhjen e shqetësimeve të ndryshme mjedisore etj. Veprat e prof. Kabos, me risitë, me idetë e përfundimet shkencore, janë përherë pika referimi e modele për studimet e ardhshme gjeografike. Njohuritë e thella në fushën e gjeografisë dhe jo vetëm, mundësuan që prof. Kabo të dallohej edhe në drejtimin e Qendrës së Studimeve Gjeografike, të cilën e orientoi në studime bazike gjeografike me rëndësi sa teorike, aq dhe praktike. Gjatë kësaj kohe, kjo qendër ndërmori studime të suksesshme për problemet shqetësuese mjedisore të vendit, për tiparet gjeomorfologjike dhe paraqitjen e tyre hartografike; për njohjen, vlerësimin dhe menaxhimin e potencialeve turistike; për veçoritë e bregdetit jonian e vlerësimin e tyre turistik etj.
Kontribut të veçantë dha prof. Kabo për përgatitjen e gjeografëve të rinj, për të cilët ai nuk ka qenë vetëm një drejtues i talentuar shkencor, por edhe një koleg i afërt, që i drejtoi ata në rrugën e vështirë të shkencës të gjeografisë, duke u dhënë atyre gjithçka nga shpirti i tij i gjerë, nga vullneti dhe dashamirësia e tij. Ai është modeli i njeriut të mirë, të ndershëm, dashamirës, punëtor, kurajoz dhe përherë kërkues për të vërtetën shkencore. Prof. Kabo dha kontribut të vyer në përgatitjen e teksteve për arsimin gjeografik parauniversitar dhe universitar. Midis tyre dallohen tekstet për studentët e gjeografisë të UT, që dallohen për informacionin gjeografik të pasur, për thellësinë e argumentimit shkencor, për analizën e detajuar dhe bindëse të koncepteve gjeografike, për nivelin e mirë metodik. Këto tekste përbëjnë një bazë, jo vetëm për arsimin gjeografik, por edhe për shkencën e gjeografisë. Ne, gjithë gjeografët, bashkëpunëtorët e miqtë e tij të shumtë, ish-studentët anembanë vendit i urojnë prof. Kabos jetë të gjatë e të lumtur, qoftë përherë pranë nesh me këshillat e tij të vyera për zhvillimin e shkencës së gjeografisë, që e dashuron aq shumë!