2022-01-25

Llojet e skemave mashtruese në internet

 


Mashtruesit fitojnë besimin tuaj dhe më pas vjedhin paratë tuaja.

Ata përdorin çdo mjet të mundshëm për të kontaktuar me viktimat—telefonin, postën e zakonshme, email-in dhe internetin. Ata fitojnë besimin tuaj dhe pasi ju mbërthejnë në grackë, kërkojnë para prej jush; më pas ua marrin ato dhe largohen. Skenarët që ata përdorin për t’ju tërhequr ndryshojnë vazhdimisht. Por ju mund të mbroni veten, miqtë dhe të afërmit tuaj duke marrë informacion rreth llojeve më të zakonshme të mashtrimit.

Tarifat e parapaguara/paradhëniet:Ju kërkohet që të dërgoni para për të bërë një pagesë paraprake të tarifës për një produkt apo shërbim 

Skemat e klientit misterioz:Ju kontaktojnë për një mundësi punësimi dhe ju kërkojnë të dërgoni para duke përdorur një shërbim të transferimit të parave dhe të vlerësoni shërbimin

Mbipagesat:Ju merrni një çek me një shumë më të lartë sesa çmimi për të cilin keni rënë dakord dhe ju kërkohet që të dërgoni mbrapsht paratë e tepërta duke përdorur transferimin e parave, por çeku është fals

Punësimi:Juve ju kërkohet që të dërgoni para për një mundësi pune të cilën e keni pranuar

Lotaria/çmimet:Ju njoftoheni se keni fituar një lotari/çmim dhe duhet të dërgoni para për të tërhequr çmimin

Pronat me qira:Ju jeni të interesuar të merrni një pronë me qira dhe ju kërkohet që të dërgoni para për arsye në dukje të pranueshme, edhe kur prona nuk është reale

Rastet urgjente/gjyshërit:Jju kërkohet që t’i dërgoni para një miku apo një pjesëtari të familjes për një rast urgjent

Blerjet në internet:Ju kërkohet që të dërgoni para për të bërë pagesën për një produkt, objekt të një ankandi apo shërbim të reklamuar online

Marrëdhëniet:Ju njiheni me dikë online, krijoni një marrëdhënie me të dhe më pas ju kërkohet që t’i dërgoni para atij/asaj

Çeqet false:Ju merrni një çek dhe ju kërkohet të dërgoni mbrapsht një pjesë të parave për arsye në dukje të pranueshme, por çeku është fals

Llojet e skemave mashtruese

 

Tarifa e parapaguar/ paradhënia

    Mashtruesit paraqiten si përfaqësues të kompanive të rreme të huadhënies dhe përdorin dokumente në dukje autentike, email-e dhe faqe interneti për t’u shfaqur sa më të besueshëm. Ata ju kërkojnë të paguani “tarifa” përpara se të japin huatë. Klientët paguajnë, por nuk i marrin kurrë huatë. Mashtruesit janë zhdukur me kohë dhe ndonjëherë ata e ndryshojnë rregullisht emrin e “biznesit” të tyre në mënyrë që të shmangin zbatimin e ligjit. 

    Ekziston edhe një lloj i veçantë mashtrimi i quajtur skema mashtruese me “tarifë të parapaguar” apo “paradhënie”. Gjithashtu, mashtruesit mund t’i tërheqin viktimat me anë të premtimeve për investime apo dhurime trashëgimie në shkëmbim të një tarife. Por gjithnjë ndodh e njëjta situatë: Viktimat mund t’i paguajnë para dikujt përpara se të marrin një objekt me vlerë më të madhe dhe më pas marrin pak apo asgjë në shkëmbim.

    Shihni gjithashtu "Mashtrimet me anë të çeqeve false".


Skema e klientit misterioz

    Mashtrimet me anë të skemës së klientit misterioz përdoren shpesh nga shkelësit e ligjit të cilët shënjestrojnë faqet e punësimit. Taktika është e thjeshtë: Mashtruesit i dërgojnë viktimave një çek dhe u thonë atyre t’i përdorin paratë për të “vlerësuar” shërbimin e transferimit të parave të Western Union. Viktimat i dërgojnë paratë dhe më vonë zbulojnë se çeqet janë rikthyer dhe ata kanë detyrimin që t’i kthejnë paratë bankës.

    Shihni gjithashtu "Skemat mashtruese me çeqe false dhe skemat e punësimit të rremë".


Mbipagesat

    Në rastin e skemave mashtruese me mbipagesa, mashtruesit luajnë rolin e blerësit dhe shënjestrojnë klientët të cilët shesin një shërbim apo një produkt. “Blerësi” i dërgon shitësit një çek në dukje të pranueshëm, zakonisht të tërhequr nga një bankë shumë e njohur, me një shumë më të madhe sesa çmimi për të cilin është rënë dakord. Ata kërkojnë një shpjegim për këtë mbipagesë dhe e udhëzojnë shitësin të depozitojë çekun dhe të dërgojë mbrapsht paratë e tepërta. Disa javë më vonë viktima mëson se çeku ishte fals, por është gjithsesi i detyruar t’i kthejë mbrapsht bankës të gjitha paratë e tërhequra.

    Shihni gjithashtu "Skemat mashtruese për blerjet në internet dhe skemat e mashtrimit me çeqe false".


Punësimi

    Skemat mashtruese të punësimit përgjithësisht fillojnë me një ofertë tepër të mirë për të qenë e vërtetë - puno nga shtëpia dhe fito mijëra dollarë në muaj, nuk nevojitet përvojë - dhe përfundimi është klientë që mbeten pa punë dhe pa para. Përgjithësisht ato kryhen sipas njërës prej këtyre tre metodave:

    1. Mashtruesit pretendojnë të jenë “punëdhënësi” i ri dhe u dërgojnë viktimave një çek për mbulimin e shpenzimeve fillestare, si mjetet e punës. Viktimat e tërheqin çekun, blejnë mjetet e nevojshme të punës dhe ia dërgojnë përsëri shumën e mbetur mashtruesit në mënyrë elektronike. Pas disa javësh, ata zbulojnë se çeqet janë falsë dhe se duhet të paguajnë të gjithë shumën e parave.

    2. Mashtruesit pretendojnë të jenë “rekrutues” duke bërë oferta për punësim të sigurt, ose “punëdhënës” që sigurojnë mundësi punësimi me kusht që viktimat të paguajnë paraprakisht për verifikimin e gjendjes bankare, aplikimet ose tarifat e procesit të rekrutimit. Viktimat paguajnë, por oferta e punës nuk konkretizohet asnjëherë.

    3. Mashtruesit pretendojnë të jenë përfaqësues të një “shoqërie” dhe kërkojnë të dhëna sensitive personale dhe/ose financiare nga viktimat, duke pretenduar se po bëjnë verifikime të gjendjes bankare ose gjyqësore. Më pas ata i shënjestrojnë viktimat për vjedhje të identitetit.

    Shihni gjithashtu "Skemën mashtruese të klientit misterioz dhe skemën mashtruese të çeqeve false".


Lotaritë/çmimet

    Skemat mashtruese të lotarive apo çmimeve kryhen sipas dy metodave të ngjashme:

    1. Viktima merr një telefonatë, email, letër ose faks të padëshiruar nga dikush që pretendon se punon për një agjenci shtetërore apo se përfaqëson një organizatë apo person të njohur, me anë të së cilës njoftohet se ka fituar një shumë të madhe parash ose një çmim. Mashtruesi fiton besimin e tyre dhe u shpjegon se për të marrë çmimin, fillimisht duhet të dërgojnë një shumë të vogël parash për të paguar tarifat e procesimit të transfertës ose taksat. Viktimat ndjekin udhëzimet, i dërgojnë menjëherë paratë, por nuk e marrin kurrë çmimin.”. Madje ata kanë humbur edhe paratë që paguan për “tarifat dhe taksat.”.

    2. Viktimat marrin një çek ose një transfertë parash të padëshiruar si dhe udhëzimet për t’i tërhequr paratë dhe për të dërguar një pjesë të tyre për të mbuluar tarifat e procesimit të transfertës ose taksat. Disa javë më vonë, pasi i kanë dërguar paratë për mbulimin e “taksave” pa mundësi për t’i rimarrë ato, viktimat zbulojnë se çeqet janë të falsifikuara. Gjithashtu tani ata i detyrohen bankës të gjithë shumën e parave që kanë tërhequr.

    Shihni gjithashtu "Skemën mashtruese të parapagimit të tarifave/paradhënieve dhe skemën mashtruese të çeqeve false".


Pronat me qira

    Mashtruesit me përvojë përdorin internetin dhe veçanërisht disa uebsajte pa pagesë, për të mashtruar viktima naive në tregun imobiliar. Skemat mashtruese të pronave me qira ndjekin përgjithësisht dy metoda:

    1. Qiramarrësit po kërkojnë shtëpi ose apartament për të marrë me qira dhe mashtrohen nga “pronari.”. Viktimat gjejnë një mundësi në një zonë shumë të mirë, me një çmim të shkëlqyer. Reklamimi duket bindës, kështu ata nisin bisedimet me “pronarin”, përgjithësisht me anë të emaileve. Pronari thotë se ata mund të hyjnë në pronë sapo të dërgojnë paratë për mbulimin e tarifës së aplikimit, depozitën e sigurisë etj. Ata i dërgojnë paratë dhe më pas nuk marrin më asnjë lajm nga “pronari”.

    2. Pronarët lëshojnë me qira shtëpinë ose apartamentin e tyre dhe mashtrohen nga “qiramarrësi.”. “Qiramarrësi” i kontakton viktimat, përgjithësisht me email dhe shfaq interes për të marrë me qira shtëpinë ose apartamentin. Mashtruesi dërgon një çek për depozitim, por më pas e anulon transaksionin. Viktimat i kthejnë paratë dhe më pas zbulojnë se çeku ka qenë i falsifikuar.

    Shihni gjithashtu "Skemat mashtruese për blerjet në internet dhe skemat e mashtrimit me çeqe false".


Emergjencat/gjyshërit

    Skemat mashtruese të emergjencave përdorin ndjenjat e njerëzve dhe dëshirën e madhe për të ndihmuar ata në nevojë. Mashtruesit i gënjejnë viktimat duke u hequr si një person tjetër dhe sajojnë një situatë emergjente (më kanë arrestuar, më kanë sulmuar, jam në spital) dhe shënjestrojnë miqtë dhe familjarët duke u bërë thirrje urgjente për ndihmë dhe para.

    Skemat mashtruese të emergjencave janë të formave dhe niveleve të ndryshme. Ekziston Skema Mashtruese e Gjyshërve ku mashtruesi kontakton të moshuarin duke pretenduar se është nipi apo mbesa, dhe kërkon t’i dërgohen para sa më shpejt. Gjithashtu, ekziston edhe Skema Mashtruese e Rrjeteve Sociale ku mashtruesi hakon profilet e rrjeteve sociale dhe më pas shënjestron miqtë duke u kërkuar para në panik e sipër me pretendimin se janë plagosur, arrestuar etj.; e njëjta gjë ndodhe edhe me hakimin e emaileve. Ata përdorin të dhënat e këtyre profileve për të marrë të dhënat personale që u duhen për t’i bërë kërkesat të duken bindëse.


Blerjet në internet

    Në skemën e blerjes në internet, kriminelët mashtrojnë viktimat që marrin pjesë nëpër ankande artikujsh duke përdorur uebsajte ose shërbime ankandesh online. Zakonisht kjo zhvillohet në këto dy mënyra:

    1. Viktima fiton ankandin, që ka mundësi të jetë një skemë mashtruese ose grackë, dhe u thuhet se shitësi pranon vetëm transferta si mënyrë pagese. Shitësi i thotë blerësit ta plotësojë transaksionin me një emër fiktiv ose të një personi të dashur. Mashtruesit i bindin viktimat se në këtë mënyrë paratë janë të sigurta deri në momentin e marrjes së produkteve apo shërbimeve. Më pas, shitësi krijon një ID false sipas emrit fiktiv dhe tërheq paratë. Malli nuk mbërrin kurrë.

    2. Mundësia tjetër është kur ankandi fillestar është i ligjshëm, por viktimat nuk e fitojnë atë. Ata kontaktohen më vonë nga një palë tjetër që u ofron të njëjtin artikull sipas të njëjtave kushte dhe udhëzohen t’i dërgojnë paratë në formë elektronike. Paratë dërgohen por blerësi nuk i merr kurrë produktet.

    Shihni gjithashtu "Skemën mashtruese të mbipagesës, skemën mashtruese të pronave me qira dhe skemën mashtruese të çeqeve false.


Marrëdhëniet

    Skema mashtruese e marrëdhënies nis thjeshtë: Një burrë dhe një grua njihen në internet. Marrëdhënia avancon: Ata dërgojnë emaile, flasin në telefon dhe shkëmbejnë foto. Si përfundim, planifikojnë të takohen, madje edhe të martohen. Me forcimin e marrëdhënies, gjërat nisin të ndryshojnë. Burri i kërkon gruas t’i dërgojë para - i duhet të blejë biletën e autobusit për të vizituar xhaxhanë e sëmurë. Transferta e parë është e vogël, por kërkesat shtohen dhe shumat rriten - e bija ka nevojë për një ndërhyrje kirurgjikale emergjente, i duhet biletë avioni për të ardhur që të takohen etj. Premtimet për kthimin e parave nuk përmbushen, paratë zhduken, po ashtu edhe ai.


Çeqet false

    Çeqet false janë elementi kryesor në shumë prej skemave të ndryshme mashtruese: skemat mashtruese të parapagimit të tarifave ose të paradhënieve; skemat mashtruese të klientit misterioz; skemat mashtruese të lotarive dhe çmimeve e të tjera. Viktimat marrin një çek ose një transfertë parash të padëshiruar si dhe udhëzimet për t’i tërhequr paratë dhe për të dërguar një pjesë të tyre për të mbuluar shpenzime të ndryshme, si tarifat e procesimit të transfertës ose taksat. Disa javë më vonë, pasi i kanë dërguar paratë pa mundësi për t’i rimarrë ato, viktimat zbulojnë se çeqet janë të falsifikuara. Gjithashtu tani ata i detyrohen bankës të gjithë shumën e parave që kanë tërhequr.

    Shihni gjithashtu "Skemën mashtruese të parapagimit të tarifave/paradhënieve, skemën mashtruese të klientit misterioz, skemën mashtruese të punësimit, skemën mashtruese të mbipagesave, skemën mashtruese të blerjeve në Internet, skemën mashtruese të lotarive/çmimeve dhe skemën mashtruese të pronave me qira".

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...