2022-01-29

“Të zhdukurit” gjate komunizmit?! Përplasja për shifrat, Hoxha: ICMP dhe Autoriteti i Dosjeve abuzojnë me viktimat dhe termin

 Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri u vendos regjimi komunist, që shkaktoi pasoja të rënda në jetën e qytetarëve të vendit, por jo vetëm. Gjatë periudhës rreth gjysmëshekullore regjimi i drejtuar nga diktatori Enver Hoxha ekzekutoi, internoi dhe burgosi për arsye politike dhjetëra mijëra shqiptarë në burgjet dhe kampet e internimit në mbarë vendin. 

 

Para pak ditësh është organizuar një konferencë shkencore pak a shumë në rrahjen e temës mbi “të zhdukurit” gjatë komunizmit. Ky koncept, i “të zhdukurit” në vite të fundit është deklaruar si projekt nga institucione publike si dhe organizata të huaja, jo qeveritare. Nuk po hyjmë në anën ligjore, dhe abuzimin me të, qoftë edhe financiarisht, sepse çfarë ka tërhequr vëmendjen është ndjeshmëria ndaj konceptit “të zhdukurit”.

Një artikull i kreut të Institutit të Studimeve për Krimet e Komunizmit, z. Çelo Hoxha, duke u bazuar nga raportet e ICMP dhe Autoritetit të Dosjeve, sqaron se nga këto raporte janë deklaruar 6 mijë e ca të zhdukur, ndërsa na kthen mbrapsh me vëmendjen se kjo shifër është abuzive. Numri i personave te ekzekutuar, të vdekur nëpër burgje të cilëve nuk u është gjetur vendvarrimi është shumë herë më e pakët, se ç’deklarojnë në raportet e tyre, dy institucionet e mësipërme.

Ja ç’shkruhet konkretisht nga z. Hoxha: “Në raportin e ICMP, thuhet se numri i të zhdukurve gjatë regjimit komunist në Shqipëri llogaritet rreth 6000 persona. Kjo shifër jepet pa referencë të ndonjë burimi zyrtar. Në vijim, ICMP thotë se, 5501 persona u dënuan dhe u ekzekutuan për arsye politike në periudhën 1944-1991, dhe se eshtrat e tyre nuk iu kthyen kurrë familjes. Në të njëjtën periudhë, sipas ICMP, duke iu referuar të dhënave zyrtare, 987 perosna kanë vdekur në burg, familjarët e të cilëve nuk dinë gjë për varret e tyre. Këtu duhen bërë një qartësim: 1) të ekzekutuarit dhe të vdekurit në burgje nuk klasifikohen si të zhdukur, në kuptimin ligjor të konceptit, 2) varret e një pjese të tyre janë gjetur. Nuk mund të them, me saktësi, pse ICMP i ka prezantuar këto shifra jashtë standardeve ligjore me të cilat punon, të cilat gjenden të publikuara në faqen zyrtare të ICMP…”

Por së pari, sqaron konceptin, apo më saktë kuptimin e fjalës “të zhdukur”, në ç’rrethana ndodh: mosgjetja e varrit të një personi, dhe zhdukja, mosidentifikimi i viktimës përbën një gjë tjetër. Këtë argument e ka mbështetur dhe drejtorja e IDMC, Jonila Godole, që ka një aktivitet intensiv në njohjen e së shkuarës, sidomos në punën me brezin e ri, për njohjen e krimeve të komunizmit. Por, si gjithnjë shtresa më e keqpërdorur, më e paqartë, dhe më e shpërdoruar është ajo e ish të përndjekurve. Në kakofoninë e shkaktuar për konceptin “të zhdukurit”, me realitetin e viktimave sigurisht që ka ngatërresa. Ndërsa ka një përpjekje shkencore për të qartësuar se të zhdukurit gjatë komunizmit lidhen me faktin e mosidentifikimit të personit, viktimës, po ashtu dhe të xhelatit. Në këtë moment askush nuk fajëson regjimin, diktaturën përderisa me konceptin e “të zhdukurit”, nuk ka emër as viktima, dhe as ai që dha urdhër, duke mos lënë gjurmë në këtë “proces”.

Për të raportuar një shifër të pabazuar në koncept, si “të zhdukur”, ata që përfitojnë të zhdukin përgjegjësit për krimet, pra janë komunistët ose bashkëpuntorët e tyre, dorasët e diktaturës. Raportimi i një shifre prej 6 mijë persona të zhdukur, do të thotë mosidentifikim të viktimës, dhe mosidentifikim të xhelatit. Ndërkohë, kjo “shërbesë” ndaj xhelatit, diktaturës përndryshe, kujt i intereson?! Prandaj, në konferencën shkencore të organizuar nga OSCE, deklaratat e z. Hoxha, janë mese të llogjikshme, kur argumenton se numri i “të zhdukurve” gjatë komunizmit nuk është 6 mijë, siç është raportuar nga institucionet e këtushme. Nëse do mbajmë këtë shifër, diktatura del e pastër nga historia e krimeve. Ndërkohë për këta 6 mijë persona ka dokumente, se dikush ka urdhëruar për t’i ekzekutuar, pra me urdhër të qeverisë komuniste. Këta 6 mijë persona janë identifikuar si emra, si kundërshtarë të regjimit, dhe nuk mund të jenë anonim, e të konsiderohen thjesht “të zhdukur”. Ata janë martirë, të cilët në pamundësi, për t’i bërë heronj, regjimi komunist projektoi “humbjen” e varreve të tyre. Ndaj ngatërresa dhe konfuzioni që shkaktohet me konceptin “të zhdukurit”, kërkon të largojë përgjegjësinë nga emrat, xhelatët e regjimit komunist, diktatura. Viktimat e komunizmit, 6 mijë emrat e deklaruar të ekzekutuar, janë emra të identifikueshëm, ka dokumente për to, dhe nuk mund të konsiderohen “të zhdukur”.

Koncepti “të zhdukur” mëton të legjitimojë regjimin diktatorial, duke mos “dorëzuar” asnjë emër, përgjegjës, që vazhdon ende, për të cilën vuan shoqëria në procesin më të gjatë të ish vendeve komuniste të Lindjes – dokomunistizimin.




Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...