Shtetet e Bashkuara urdhëruan anëtarët e familjeve të punonjësve të qeverisë në ambasadën e vendit në Kiev të largoheshin dhe Mbretëria e Bashkuar tërhoqi një pjesë të stafit të ambasadës mes frikës së shtuar se Rusia mund të pushtonte Ukrainën.

Siç edhe është bërë e ditur, Departamenti i Shtetit autorizoi gjithashtu largimin e disa punonjësve të ambasadës që dëshirojnë të largohen nga Ukraina.

“Ne po vazhdojmë të ndjekim rrugën e diplomacisë, por nëse Rusia zgjedh përshkallëzimin e mëtejshëm, atëherë kushtet e sigurisë, veçanërisht përgjatë kufijve të Ukrainës në Krimenë e pushtuar nga Rusia, në Ukrainën lindore të kontrolluar nga Rusia… mund të përkeqësohen me pak njoftim”, një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit u tha gazetarëve, sipas një transkripti të telefonatës.

“Unë thjesht dua të jem i qartë se këto janë masa paraprake të kujdesshme që në asnjë mënyrë nuk minojnë mbështetjen ose angazhimin tonë për Ukrainën”, shtoi zyrtari më vonë.

Ndërkohë Zyra e jashtme e Mbretërisë së Bashkuar tha se disa punonjës të ambasadës dhe familjet e tyre do të “tërhiqen nga Kievi në përgjigje të kërcënimit në rritje nga Rusia”.

“Ambasada britanike mbetet e hapur dhe do të vazhdojë të kryejë punë thelbësore”, tha një zëdhënës i zyrës së jashtme.

Por Ministria e Punëve të Jashtme të Ukrainës e quajti vendimin e SHBA “të parakohshëm dhe një manifestim të kujdesit të tepruar”