2022-02-03

Arti i penës së Petro Latit

 





                        Akaddemik Prof.dr. Eshref Ymeri,AAAS


 

          E kam njohur Petron që në vitet ’60, kur bashkë ishim student të Fakultetit të historisë dhe të filologjisë. Që prej atyre viteve sjell në kujtesë një djalë simpatik, fytyrëqeshur, mjaft i komunikueshëm, i dashur me shokët e grupit, i gjindshëm dhe fort optimist. Pasi përfundoi studimet për gjuhë-letërsi shqipe, ai u emërua gazetar në Televizionin  Shqiptar. Aty, gjatë një pune 40-vjeçare, ia përkushtoi të gjitha energjitë krijuese artit të gazetarisë. Si djalë me karakter të admirueshëm, Petrua i pati hyrë me pasion profesionit të vet. Që në fillim ai i pati vënë vetes detyrë që të orientohej nga idealja në pasqyrimin e realitetit, domethënë të ishte sa më objektiv. Objektiviteti i tij ka pasë qenë vërejtur më së miri gjatë një periudhe shumëvjeçare, kur ai përgatiste “Enciklopedinë televizive”.

Kur gazetari është i dashuruar me profesionin e vet, atëherë zeja e gazetarisë vjen e shndërrohet në art, në magji. Qëllon që herë-herë, në një grumbull të madh fjalësh të një teksti të caktuar, ka pak ide dhe raporti i vëllimit të tekstit me mendimet që përcillen në të, bie në sy dukshëm jo në favor të këtyre të fundit. Kurse diku, në një tjetër tekst, sapo lexon vetëm  disa fjali, përpara teje hapet papritmas një humnerë e pafund mendimesh të arta, të cilat nuk je në gjendje t’i pëmbledhësh në një vëllim të tërë. Megjithatë, një gazetari të talentuar do t’i mjaftonin qoftë edhe disa fjali të vetme për ta arritur një gjë të tillë, çka ngjall admirimin e lexuesit. Pikërisht i tillë ka qenë Petrua: i kursyer në fjalë, por me begati idesh, mendimesh të çmuara.

          Roli i gazetarit në jetën e përditshme është i pazëvendësueshëm. Me kalimin e viteve, Petrua grumbulloi një përvojë të pasur, duke krijuar bindjen se sa i rëndësishëm është roli i gazetarit si ndërmjetës midis grupeve të ndryshme shoqërore, midis pushtetit dhe shoqërisë. Dhe, në punë e sipër, ai bindej edhe më shumë se një ndërmjetësim i tillë mund të arrihet kur gazetari u përmbahet shprehive të artit të gazetarisë, si edhe standardeve të etikës profesionale.

          Pas vitit 1990, Petrua iu kushtua përgatitjes së dokumentarëve televizivë. Në të njëjtën kohë, ai ka qenë edhe skenarist ciklesh televizive. Duhet theksuar se Petrua, si një gazetar i talentuar, ka lënë gjurmë të pashlyeshme në pasurinë rojtinore (arkivore) të Televizionit Shqiptar.

          Pas daljes në pension, Petrua ka vite që është zhvendosur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe jeton familjarisht në qytetin San Hoze (San Jose) të Kalifornisë. Në vjeshtën që kaloi ai ishte në Tiranë, në panairin e librit, në të cilin qe prezantuar vepra e tij me titull “Të bijtë e diellit të Jugut”, të cilën e ka hedhur në qarkullim Shtëpia botuese “Ombra GVG”. Kur u kthy nga Tirana, Petrua më dërgoi një kopje të kësaj vepre prej më shumë se 500 faqesh. E lexova me një kënaqësi të jashtëzakonshme.

          Kur lexojmë diçka tërheqëse, mund të biem edhe në përsiatje: sa mirë është të shkruash bukur. Por nuk është fort e lehtë. Sepse duhet talent. Kushdo qoftë, shkrimtari apo gazetari, tek mendohet të hedhë në letër diçka, ai përjeton një gjendje emocionale para se të ulet për të shkruar.

          Kjo vepër, e cila, në këndvështrimin tim, është e rallë në historinë e memorialistikës shqiptare, u kushtohet nëntë figurave emblematike të kulturës mbarëkombëtare me origjinë nga “Dielli i Bregut”. Ata janë bijtë e shquar të atyre vendbanimeve të Bregut himariot, i cili, tradicionalisht, ka nxjerrë nga gjiri i vet personalitete me emër të madh në historinë e kombit shqiptar. Të renditur, alfabetikisht, me fotografi në faqen e parë të kapakut të kësaj vepre, ata janë: Dhimitër Anagnosti (1936) nga Vunoi, Jorgji Gjikopulli (1939) nga Dhërmiu, Lefter Çipa (1942-2021) nga Piluri, Neço Muka (1899-1934) nga Himara, Odhise Grillo (1932-2003) nga Vunoi, Petro Marko (1913-1991) nga Dhërmiu, Perikli Sheti (1932-2012) nga Vunoi, Robert Ndrenika (1942) nga Vunoi, Spiro Çomora (1918-1973) nga Vunoi, lindur në Korfuz.

          Në këtë libër, pas shënimit të autorit në fillim, vijon shkrimi me titull “Përtej mjegullës së Mjegulloshit”. Ay Petrua shpalos gjithë mallin e tij për shtëpinë ku ka lindur, për prindërit, për fshatin e vogël Ilias me gjithsej 28 shtëpi. Dhe përsiat me një nostalgji emocionuese:

          “Iliasi është vendlindja ime, kurse mëma ime ishte bijë Vunoi. Kur fillova të njihja veten, më bënte përshtypje numri i paktë i shtëpive në Ilias, që nuk i kalonte të 28-at dhe shpesh dëgjoja të thuhej se paskish qenë një qortim i rëndë i Shën Kozmait, i cili kish kaluar në ato anë. Flitej se njeriu i Zotit, shumë e shumë kohë më parë, ish ndalur në fshat dhe pat kërkuar një kupë ujë për të shuar etjen. Për turp e faqezezë, nuk i kishin dhënë! Ndoshta ishte pjekur me ndonjë shpirtngushtë e koprrac, por prapë mbetej një pandehmë, sepse askush nuk mund të provonte të vërtetën. Asnjeri nuk të bindte se njeriu i Zotit ish parë në atë fshat. Kishin kaluar shekuj. Sidoqoftë legjenda kish mbetur. Mallkimi i Shën Kozmait kish ardhur gjer në ditët tona:

          “Këtu, në këtë fshat, mos u bëfshin kurrë tridhjetë shtëpi!”

          [Petrua ka të drejtë. Sipas kodit moral të shqiptarit, kur edhe hasmi të troket në derë, ai mirëpritet  me gjakftohtësi dhe i plotësohet kërkesa që ka. Por në indin e legjendës mund të fshihet edhe diçka tjetër, me një grimcë të vërtete brenda. Dihet se misioni i Shën Kozmait mbartte në vetvete djallëzinë - ndalimin dhe mallkimin  e gjuhës shqipe. Madje për kryerjen e këtij misioni, ai mbante në xhep fermanin e agait të Stambollit, i cili bashkëpunonte ngushtë me Patrikanën jo vetëm për ndalimin e shkollave shqipe, por edhe për ndalimin e gjuhës shqipe. Bashkëpunimi në fjalë dëshmohej haptazi me qëndrimin ndaj shumicës së kombit shqiptar, e cila, megjithëse përqafoi fenë e errësirës otomane, nuk u trajtua me kimet nga ana e agait të Stambollit. Përkundrazi, u trajtua me egërsinë më të madhe.

Ajo legjenda për Shën Kozmain, apo mitet në tërësi, janë rrëfenja me një përmbajtje simbolike jo pa një domethënie në thelbin e tyre. Në mjegullnajën e kohëve të shkuara ato e kanë një truall vërtetësie, sado i vockël qoftë ai. Prandaj ajo legjenda për qëndrimi prej koprraci të atij fshatarit nga Iliasi, nuk mund të mos e ketë një mikrogrimcë të vërtete brenda, sepse personifikon qëndrimin e mbarë kombit shqiptar kundr Shën Kozmait, për misionin e tij shkombëtarizues në trojet tona, në të cilat hapi vetëm shkolla greke

Për misionin e Shën Kozmait në trojet tona nuk dëshiroj të citoj ndokënd nga historianët apo studiuesit shqiptarë, për të cilët grigja janullatiste në Shqipëri mendon se ata “shtrembërojnë” të vërtetën. Prandaj po citoj një autor të huaj.

Prifti katolik francez i urdhrit të lazaritëve dhe autor i historisë së parë të shkruar të Shqipërisë, Zhan Klod Faveirial (Jean-Claude Faveyrial (1817-1893), shkruan: 

“…dy fjalë për murgun Kozma, roli i të cilit ka qënë tepër  rrënimtar për kombin shqiptar dhe vllah. Murg i Malit Atos, Kozma, lindi në Etoli, dhe u vra i ngulur në hu, më 24 gusht  1779, me urdhër të Kurt pashë Beratit… për faktin, se ky ishte një agjent politik, i cili, duke shkuar nga fshati në fshat, nuk predikonte Ungjillin, po kërcënonte me shkishërim nga Patriarkati grek  të gjithë vllehët dhe shqiptarët që nuk flisnin vetëm greqisht”. (Citohet sipas: Zhan Klod Faveirial. “Historia (më e vjetër) e Shqipërisë”. Plejad. Tiranë 2004, f. 389)].

Malli për shtëpinë, për prindërit dhe përgjithësisht nostalgjia për vendlindjen, janë ndjenja të thella që Petros i burojnë nga shpirti

          Petrua përjeton një gjendje emocionale dhe psikologjike “infektuese” për të gjithë ata që i brejnë kujtimet  për vendlindjen e largët. Sepse ai vërtet ndodhet larg truallit ku lindi dhe u rrit, por një pjesëz e shpirtit të tij ka mbetur atje.

Për përgatitjen e kësaj vepre të nivelit akademik, Petrua ka shfrytëzuar arkivin e pasur personal dhe një mori të tërë burimesh të tjera për jetën dhe krijimtarinë e këtyre mjeshtërve të rrallë të artit shqiptar.  Janë 90 burime të shfrytëzuara, çka dëshmon më së miri për volumin e madh të punës që Petrua ka përballuar me këmbënguljen shembullore të një hulumtuesi të paepur.

Tek përshkruan pasionin e punës regjisoriale të Dhimitër Anagnostit, Petrua thekson se vetëm për zbulimin e tipit të aktorit të vogël Gjino në filmin “Përrallë nga e kaluara”, atij i qe dashur të vinte “në provë” 3500 fëmijë, derisa, më në fund, pati pikasur 12-vjeçarin Admir Sorra për një rol të tillë. Kjo dëshmon se ç’këmbëngulje dhe ç’vendosmëri mrekullore e karakterizonte këtë rëgjisori të madh për gjetjen aktorit sa më të përshtatshëm dhe sa më bindës në rolin  që do të luante, si hero i komedisë së Çajupit “14-vjeç dhëndër”.

Në përshkrimin e jetës së këtyre nëntë figurave të nderuara, Petrua ka zbuluar çaste që të mallëngjejnë, deri në trishtim të thellë. Poeti i lirikave befasuese me bukuri dehëse Lefter Çipa, dikur pati menduar të ngulej në Vlorë. Asokohe ai pati shkruar një poezi që fillonte me vargjet e këngës në vijim.

Vlora jonë qytet i bukur,

Rreth e qark o me ulli,

Djem e vajza porsi flutur

Gjithmonë do kthehen te ti.

Por, për habinë e autorit, gjatë ekzekutimit të këngës para artdashësve nga trioja e famshme vlonjate - Meliha Doda, Konstandin Thana dhe Reshat Osmani -, vargu i fundit ishte ndryshuar dhe zëvendësuar me vargun “Që i rrit nëna parti”. Politikës që pati dhënë urdhër për një ndryshim të tillë, nuk i pati bërë absolutisht përshtypje që vargjet e asaj kënge poeti ua pati kushtuar Themistokli Mones, Petro Markos, Vangjel Karbunarës, Elham Hamzarait dhe shumë djemve të tjerë, të cilët, siç shkruan Petrua, “studiuan nëpër botë dhe u kthyen në Vlorë”. Pas këtij qëndrimi fyes ndaj vargjeve të tij, liriku i  madh Lefter Çipa i dha karar se nuk ia vlente të vazhdonte të jetonte në Vlorë dhe  kthye në Pilurin  e tij të dashur.

Po se mos është hera e parë që politika ka ndërhyrë brutalisht për ndryshimin e vargjeve poetike. Le të kujtojmë për një çast refrenin e vargjeve në këngën “Xhamadani vija-vija”. Vargu i fundit i atij refreni “Sa e madhe është Shqipëria!”, në koncertet festive, ku janë të pranishëm edhe politikanë, ndryshohet “Sa e madhe është shqiptaria”. Politikanëve tanë, si servilë të regjur, u shkon lodra para të huajve, prandaj edhe s’guxojnë të hapin  gojën për krimin e rëndë që patën  kryer pararendësit e tyre me copëtimin e trojeve tona etnike.

Po kaq emocionuese janë  faqet, ku bëhet fjalë për lirikun e përmasave mitike, poetin Neço Muka, me vargjet e magjishme të të cilit është mbrujtur legjenda e këngës himariote.

Me nota të theksuara prekëse, Petrua ka përshkruar jetën e Petro Markos, e atij njeriu të madh të letrave shqipe, me karakter burrëror të jashtëzakonshëm, i cili, paçka se ishte burgosur nga pushtuesit italianë, ra pre edhe e diktaturës së egër komuniste që pati vendosur në vendin tonë askushi me emrin Enver Hoxha, gjysmaku, pa kulturë universitare, por i përzgjedhuri me shumë kujdes nga serbosllavizmi për në krye të partisë.

Të ngjall shumë respekt talenti  këtij shkrimtari me dinjitet të lartë kombëtar, u cili nuk dinte t’i bënte temena politikës. E paharruar mbetet një bisedë e tij me të birin në dhjetor të vitit 1991, pak ditë para se të ndërronte jetë më 27 dhjetor. Në atë bisedë ai ka bërë një parashikim befasues që e vërtetoi koha:

“O Madu, kujton se po vjen demokracia në Shqipëri? Pa kaluar dhe 50 vjet s’bëhet hapi i parë për të kaluar në demokraci”.

Tronditëse janë faqet e librit, ku Petrua, jo pa emocion të thellë, bën fjalë për jetën e kirurgut të famshëm Perikli Sheti, i diplomuar shkëlqyeshëm në universitetin e famshëm të mjekësisë “Seçenov” të Moskës dhe i vlerësuar po shkëlqyeshëm në të njëjtin universitet për marrjen e gradës “kandidat i shkencave mjekësore”.

Ky kirurg me përgatitje të lartë profesionale, filloi punën në spitalin e Tiranës, ku ra në sy menjëherë për talentin e tij mbresëlënës. Por egoizmi, smira, xhelozia e kolegëve, dukuri fort të shëmtuara këto për ne shqiptarët në qëndrimin ndaj një njeriu të talentuar, e bënë punën e vet: kirurgun  e madh e transferuan në spitalin e Elbasanit.

Të mjerët kolegë smirëzinj që u mungonte “tharmi” i formimit kulturor. Donin “të arrinin” madhështinë e talentit të kirurgut Perikli Shetit përmes armës së ligësisë - largimit të tij nga spitali i Tiranës.

Shkrimtaria dhe dramaturgia austriake Eshenbah (Marie von Ebner‑Eschenbach - 1830-1916) ka thënë:

“Madhështia arrihet atëherë, kur, pa smirë, ndjek nga afër se si të tjerët shënojnë ato suksese, të cilat ti vetë i ke si pikësynim”.

Në Elbasan kirurgu u njoh dhe u martua me një vajzë me prejardhje nga një familje shumë e nderuar, e cila, megjithëse kishte dhënë kontributin e vet gjatë luftës, më pas babai i saj kishte fituar mërinë e autoriteteve komuniste. Pse? Sepse pati kërkuar që të diskutoheshin materialet e Kongresit XX të partisë komuniste të Bashkimit Sovjetik, ku u kritikua ashpër kulti i Stalinit. Për këtë ai u akuzua se qenkej pajtuar me revizionistët sovjetikë. Përsëri smirë, xhelozi dhe shpifje në adresë të atij kirurgu që kishte bërë emër në mbarë vendin dhe që në klinikën ku punonte vinin pacientë nga shumë zona, madje edhe nga Tirana, deri edhe nga Vunoi. Përfundimi: kirurgu arrestohet dhe bën disa vjet burg. Pas përfundimit të burgut, e emëruan në Spitalin e Peqinit. Vajmedet për diktaturën enveriste se si e trajtonte atë personalitet me aq autoritet të lart në lëmin e mjekësisë kirurgjikale.

Pas hapjes së ambasadave më 2 korrik 1990, kirurgu hijerëndë u fut familjarisht në ambasadën italiane. Nënkuptohet dukshëm tronditja shpirtërore që përjeton Petrua kur përshkruan largimin përfundimtar të asaj familjeje nga atdheu, të cilin diktatura krimnale e Enver Hoxhës ia kishte shndërruar në skëterrë: Ja ç’thotë Petrua:

“…Vapori me 800 pasagjerë kish lënë portin e Durrësit dhe pak nga pak bregdeti shqiptar po mbetej pas. Nga Shetajt asnjëri s’e pati kthyert kokën pas. Nuk kishin as mall, as emocion, as nostalgji. Edhe ditët e fundit, kur prisnin në ambasadë të pajiseshin me dokumente, pushtetarët cinikë e hakmarrës nuk lejonin të furnizoheshin as me ujë. S’paskishin të ngopur me urrejtje”.

Kjo skenë kaq trishtuese të sjell në kujtesë, deri në përlotje, një ese të shkurtër të tenorit të njohur në mbarë botën Agim Hushi. Eseja mban titullin:

“Më vjen turp që jam shqiptar! Më vjen turp që i takoj këtij kombi të keq! Atdhe i dështuar!” (Faqja e internetit

“Shqiptari.net”. 09 prill 2019’).

          Në këtë ese, që meriton të titullohet “Kënga e vajtimit”, tenori i shquar, të cilit zhgënjimi i thellë ia pati lënduar zemrën rëndë, shkruan:

“Së fundmi, rikthimi në qytetin tim, atje ku filloi  karriera ime: në “Sydney Opera”! Ndihem kaq i lumtur dhe krenar për këtë rikthim dinjitoz si qytetar australian!

Pas një viti qesharak, më së fundmi, erdha edhe unë te termat seriozë të realitetit të një atdheu të dështuar, që është kapur për fyti dhe po jep shpirt në duart e një kaste kriminale, ku vlerë kanë vetëm hajdutët, maskarenjtë, injorantët, baballarët tanë të kombit me hundët zbardhur nga kokaina. Më bëtë të më vijë turp nga vetja që jam bashkëkombësi juaj!”.

          [Tenori me zë mahnitës nëpër skenat e botës, në vitin 2017 u largua nga atdheu amë një herë e përgjithmonë, kur Rama ishte dhe vazhdon të jetë në kulmin e pushtetit, të cilin  e ka ushtruar me një zell të paparë për varfërimin e shumicës së shqiptarëve, me pasoja të rënda shpopullimin e Shqipërisë, si pikësynim i tij. Tabori i madh i “bujkrobërve socialistë” që mban Ramën në krye të partisë, do të bënte mirë që esenë e dhimbshme të tenorit Agim Hushi ta mbante si “medalje” në qafë, se ndoshta, ndonjë ditë, do t’i zgjonte nga gjumi i rëndë letargjik ku kanë rënë që prej gati17 vjetësh, me shpresë se mund t’i ndihmojë ta drejtojnë kurrizin sadopak dhe ta heqin qafe kryetarin e tyre që ka zënë erë në kolltukun e vet.]

          Kirurgu me famë Perikli Sheti përfundoi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku autoritetet shkencore të mjekësisë e vlerësuan lart talentin e tij dhe e emëruan në punë. Sigurisht. Sepse, siç shkruan Petrua, “Amerika është vend i mundësive të panumërta, aty nuk e ke barrën e origjinës…”.

          Arti i gazetarisë kërkon nga gazetari një horizont të gjerë kulturor, kërkon që ai të pajiset me dije enciklopedike. Sepse janë të paparashikueshme situatat ku ai mund të ndodhet gjatë ushtrimit të profesionit të vet. Prandaj prej tij kërkohet njohja e thellë e leksikut të shqipes në shumë fusha të dijes. Në këtë aspekt, përgatitja e tij të kujton përgatitjen e përkthyesit gojor, i cili duhet të jetë në gjendje ta zotërojë mirë leksikun në fjalë, sepse nuk dihet se cila do të jetë tema e bisedës mes dy personaliteteve politike që flasin gjuhë të ndryshme. Në bisedën e tyre mund të preken probleme jo vetëm nga sfera e politikës, por edhe nga fusha të tjera, si bujqësia, detaria, ekonomia, gjeologjia, letërsia, mjekësia e kështu me radhë. Në këtë libër me vlera artistike njohëse, Petrua dallohet për analiza ngushtësisht profesionale nga sfera e terminologjisë poetike kur bën fjalë për krijimtarinë e Odhise Grillos, si një zë i fuqishëm i letërsisë për fëmijë, e terminologjisë humoristike dhe satirike kur analizon krijimtarinë e Spiro Çomorës. Ai derdh tërë talentin e vet kur zbulon magjinë e leksikut të shqipes në artin skenik dhe kinematografik të lojës së artistit të madh Robert Ndrenika, apo në sferën e arteve të bukura kur ndalet në veprat e piktorit Jorgji Gjikopulli. Pikërisht në magjinë e leksikut të shqipes zbulohet dukshëm aftësia e Petros për të folur me gjuhën e kritikut letrar, e kritikut të artit skenik dhe kinematografik, me gjuhën e kritikut të arteve të bukura.

          Nëntë personalitetet e kësaj vepre prezantohen në rrethin e gjerë të bashëpunëtorëve të tyre të shumtë. Në këtë aspekt, kjo vepër është një enciklopedi e vërtetë e krijimtarisë së figurave të shquara të artit dhe të kulturës sonë kombëtare.

           Kjo vepër e Petros i përcjell lexuesit gëzim dhe bukuri. Domosdo. Sepse gazetari ka për mision të krijojë bukurinë e mendimit, të veshur me bukurinë fjalës. Prandaj ai i ngjall lexuesit interesim të veçantë për figurën e nëntë personaliteteve që ka plazmuar në këtë vepër, çka është rezultat i aftësisë së tij për ta ndier forcën e fjalës, për ta lëmuar frazën. Petrua është mjeshtër i fjalës. Ai e vlerëson lart rolin e saj të jashtëzakonshëm në komunikimin  me lexuesin, prandaj e dashuron fjalën. Ai punon me fjalën me një këmbëngulje sizifiane, i jep asaj formën  e duhur, shkëlqimin, emocionin, mprehtësinë. Ai është një “kumbar” i përkryer i “miqësimit” të fjalëve në përtejanën  e ngjarjeve që pasqyron me penën e tij.

          Kaliforni, 31 janar 2022

 

Biznismeni dhe investitori Elon Musk parsheh reduktimin e rrezikut të zhdukjeve të njerëzimit duke bërë jetën multi-planetare" duke i vendosur -koloni njerëzore në planetin Mars.

    Kërko brenda në imazh                                                           Nga Flori Bruqi ,PHD Elon Reeve Musk ( 28 qershor, 1971)...