Në ciklin e dokumentarëve ‘Gjurmë Shqiptare’, është bërë një zbulim të rrallë dhe shumë të rëndësishëm, i cili tashmë është konfirmuar edhe nga ekspertët ndërkombëtarë.

Në maj të vitit 2021, “Gjurmë Shqiptare” solli pamjet e një shpelle të mbushur me eshtra njerëzore e cila ndodhej rreth 15 kilometra nga qyteti i Peshkopisë në Dibër.

Historia u prit jo vetëm me zhurmë, por edhe me kuriozitetin e asaj që fshihej pas këtyre eshtrave.

Disa muaj pas zbulimit të tyre në “Gjurmë Shqiptare”, Universiteti i Vjenës si rrjedhojë e një marrëveshje me institucionet përkatëse dërgoi në Shqipëri një antropologe franceze. Misioni i saj ishte të merrte kampionë nga këto eshtra të cilat u dërguan nga Universiteti i Vjenës për analiza më të specializuara në një laborator pranë Universitetit të Oxford-it në Britaninë e Madhe.

Rezultatet ishin mbreslënëse.

Analizat kanë treguar se këto eshtra i përkasin njerëzve që kanë jetuar nga 1600 deri 1700 vjet më parë, pra mes shekujve të IV dhe të V.

Zbulimi i tyre në një shpellë në formë kaq masive dhe kushte të tilla fare enigmatike është i rrallë, madje shkon edhe përtej kësaj.

Sipas arkeologut Rudenc Ruka, pjesë e Institutit të Arkeologjisë deri më sot në Shqipëri, nuk ka asnjë rast tjetër të njohur të një shpelle me një numër kaq të madh eshtrat që i përkasin kësaj periudhe.

Vetë gazetari Marin Mema ka theksuar se pavarësisht mosbesimit fillestar të disa prej profesorëve të fushës, rezultatet treguan se shkenca duhet bërë me fakte dhe jo me fjalë.

Ai kërkoi që institucionet përkatëse të vijojnë më tej kërkimet në këtë shpellë duke kryer edhe analizat e ADN-së, por edhe gërmime arkeologjike në të gjithë zonën.

Askush nuk e di se çfarë fshihet ende në këtë vend të panjohur më parë nga arkeologët, por është fakt se “Gjurmë Shqiptare” e gazetarit Marin Mema ka sjellë një zbulim të jashtëzakonshëm.