2022-10-31

Videoja virale në rrjet, Elon Musk me lavaman në dorë në godinën e Twitter-it

Elon Musk shkaktoi reagime të shumta, pasi publikoi një video ku  shihet duke hyrë në ndërtesën e Twitter duke mbajtur një lavaman, pasi e bleu kompaninë.

“Hyrja në selinë e Twitter – lëreni të zhytet!”, tha Musk me videon, e cila u shikua më shumë se një milion herë në 15 minutat e para, ndërsa aktualisht ka 41.1 milionë shikime.

Lavamani u bë hit dhe Twitter tani është plot me meme me lavamanë dhe Elon Musk.

Shumë prej reagimeve thonë se Musk do të pushojë 75 për qind të punonjësve të Twitter-it.

BILL GATES HAPET PËR NDARJEN NGA MELINDA GATES DHE “VITI MË I PAZAKOHSHËM DHE I VËSHTIRË I JETËS SIME”

 



Bill e Melinda Gates



Bill Gates ka folur për divorcin e tij nga Melinda Gates, ndërsa ka reflektuar për “vitin më të pazakontë dhe më të vështirë” të jetës së tij.

Bashkëthemeluesi i Microsoft, 66-vjeç, diskutoi vitin e kaluar në një postim të rishikimit të një viti të publikuar në blogun e tij GatesNotes (Shënimet e Gates), ku ai pranoi se viti 2021 ka qenë i vështirë për shumë njerëz, pasi të gjithëve na është dashur të “përshtatemi me një jetë “të re” “normale” në mes të pandemisë.

Sipas Gates, i cili finalizoi divorcin e tij nga Melinda në gusht, pasi çifti njoftoi në maj se do të ndaheshin pas 27 vitesh martesë, ai e kaloi pjesën më të madhe të vitit në internet, me themeluesin e teknologjisë duke vënë në dukje se ai kishte “shtrirje të kohës pa ndonjë ndërveprim social ballë për ballë”.

Ka qenë një përvojë e çuditshme dhe çorientuese. Bota ime personale nuk është ndier kurrë më e vogël se sa gjatë dymbëdhjetë muajve të fundit”, shkroi ai.

Gates më pas ndau disa nga arritjet e tij në vitin 2021, përpara se të pranonte se, megjithëse ai beson se puna që ka bërë gjatë vitit të kaluar është “më së shumti pjesa më interesante e vitit tim“, ai është i vetëdijshëm se “shumë njerëz janë kuriozë” në lidhje me divorcin e tij.

Sipas Gates, që nga përfundimi i martesës së tyre, ai dhe Melinda kanë vazhduar të drejtojnë fondacionin e tyre, Fondacionin Bill dhe Melinda Gates, së bashku dhe kanë krijuar “një ritëm të ri të mirë pune“.

Megjithatë, Gates gjithashtu vuri në dukje se nuk ka qenë e lehtë të përshtatet dhe se ai “nuk mund ta mohojë se ka qenë një vit me trishtim të madh personal për mua“.

Përshtatja ndaj ndryshimit nuk është kurrë e lehtë, pavarësisht se çfarë është,” shkroi ai, duke shtuar se “është i impresionuar nga sa elastik kanë qenë të dashurit e mi – veçanërisht fëmijët e mi – në këtë kohë sfiduese“.

Gates, i cili ndan fëmijët Jennifer, 25, Rory, 22 dhe Phoebe, 19, me ish-gruan e tij, më pas ndau disa nga ndryshimet e tjera që përjetoi familja e tij këtë vit, si dasma e Jenniferit me Nayel Nassar në tetor, të cilën babai i tre fëmijëve e cilëson si “kulmi i vitit tim“.

Jenn dhe Nayel, është e pamundur të përshkruash me fjalë se sa i lumtur jam, që ju shoh të mbushur me gëzim në ditën tuaj të dasmës. Jam shumë krenar për ju të dy, për gjithçka që keni arritur në jetën tuaj deri tani dhe gjithçka që do të bëni për të ardhmen tuaj së bashku.

Sipas Gates, viti i kaluar e pa atë gjithashtu duke u bërë një fole bosh, pasi ai shkroi se vajza më e vogël e çiftit mbaroi shkollën e mesme dhe filloi kolegjin në Universitetin e Stanfordit, ndërsa djali i tyre është gjithashtu larg shkollës.

Shtëpia është shumë më e qetë pa një tufë adoleshentësh të varur gjatë gjithë kohës”, shkroi ai. “Më mungon t’i kem në shtëpi, edhe nëse është më e lehtë të përqendrohesh në leximin e një libri ose kryerjen e punës këto ditë.

Sipërmarrësi miliarder i teknologjisë përfundoi postimin në blog duke shprehur shpresat e tij për një vit më pozitiv, që është “shumë më përcaktues se ky“.

Unë kurrë nuk kam qenë një person i madh vendimtar për Vitin e Ri. Unë nuk kam ndonjë qëllim specifik në mendje për vitin 2022 (megjithëse mendoj se kam ende disa javë për të menduar për një të tillë). Por ajo që shpresoj është që viti i ardhshëm të jetë shumë më përcaktues se ky”, ka shkruar ai, duke shtuar se shpreson të gjejë një ritëm të ri në shtëpi dhe të vazhdojë të kalojë kohë duke u angazhuar në hobi të tij.

Gates e përfundoi postimin me një kujtesë se bota është “përshtatur me ndërprerje të mëdha më parë, dhe ne do ta bëjmë përsëri“, përpara se t’u uronte lexuesve të tij një “stinë shumë të lumtur pushimesh“.

Bora Zemani surprizohet me dhuratën e veçantë të fansave për të dhe Donaldin

 


Bora Zemani prej më shumë se një viti tanimë ka qenë kryefjalë e mediave duke nisur që nga moderimi i programit hit “Për’Puthen” e duke vazhduar me historinë e shumëpërfolur në media mes saj dhe Donald Veshaj, një tjetër personazh shumë i dashur për publikun.

Këtë sezon të ri televiziv Bora nuk është më pjesë e “Për’Puthen”, por i është besuar drejtimi i spektaklit më të ndjekur të kërcimit në Shqipëri, “Dancing With the Stars”.

Shpeshherë bukuroshja merr dhurata ose surprizohet nga fansat e saj, të cilat nuk ngurron që t’i publikojë edhe në rrjete sociale, ashtu siç ka ndodhur edhe me rastin e fundit. Vetëm pak më parë prezantuesja ka publikuar një video të një surprize që këta të fundit i kanë dhuruar asaj dhe Donaldit. Një shishe vere e paketuar me emrin dhe momentin e famshëm të puthjes së tyre në ‘BBV’ .

Epo, Bora padyshim ka fansat më të zjarrtë…

Padyshim si një projekt kaq gjigant dhe me një shikueshmëri kaq të madhe, komentet dhe spekulimet në rrjet nuk kanë fund dhe një ndër to është edhe fakti se përse disa pjesë nga ‘DWTS’ nuk ndodhen në platformën YouTube. Për këtë është përgjigjur vetë bukuroshja e cila ka treguar arsyen teknike.

Para pak ditësh Bora ka ndarë me ndjekësit një karusel në një prej postimeve të saj, teksa na i ka bërë ‘sytë zemra’ me një foto shumë të veçantë të saj krah aktorit dhe prezantuesit Donald Veshaj. Në foto duken vetëm duart e tyre të kapura fort me njëra-tjetrën.

 

“SKANDALI” ARBEN KRAJA! OSE TOLLUMBACJA MEDIATIKE E RADHËS

 

-


Skandali Kraja

AV. XHABIR ZEJNUNI

Me 19 dhjetor, me 6 votat e KLP-së, prokurori shkodran Arben Kraja u zgjodh në krye të SPAK-ut.

Hapu qiell e hapu tokë. Menjëherë u kundërshtua kjo zgjedhje në portale e gazeta të ndryshme me faktin se Arben Kraja na paskërka qenë gjatë regjimit komunist një hetues gjakatar dhe mizor. Si argument, u soll një proçes-verbal i datës 27.07.1990, ku bëhej fjalë për ndalimin e dy të rinjve shkodranë Arben Luçi dhe Beniamin Bizi, të cilët “Kanë bërë përgatitje për të hyrë në një nga ambasadat e huaja në TIRANË për të kaluar në këtë mënyrë kufirin shtetëror në mënyrë të kundraligjshme”. Dosja hetimore vazhdon më tej se “Ndalimi i të përmendurit (Beniamin Bizi) u bë për arsye se me datën 26.07.1990 së bashku me persona të tjerë kanë shkuar në qytetin e Tiranës, ku kanë kryer vepra, që bien në kundërshtim me normat e MORALIT KOMUNIST”.

Për hir të së vërtetës, ndalimi i dy të rinjve shkodranë u bë në Vorë, për arsye se Policia u lajmërua paraprakisht nga hafijet e saj “vigjilente”! Arben Krajën po mundohen ta kryqëzojnë si Krishtin në kryq për faktet më lart, pasi arsyetimi po bëhet duke u bazuar në situatën aktuale që ne jetojmë dhe jo sipas kontekstit historik dhe politik të vitit 1990 (ose edhe më parë).

Ja vlen që të shpjegohen modestisht disa koncepte.

Çfarë është një ambasadë? Ambasada është një grup personash, që një shtet i huaj dërgon në një shtet tjetër për të pasur me të marrëdhënie diplomatike. Ky grup personash, strehohet në vendin mikpritës në një ndërtesë, e cila konsiderohet pjesë e territorit të shtetit të tyre. Për shembull, territori i ambasadës italiane në Tiranë konsiderohet si territor Italian.

Hetuesi i atëhershëm Arben Kraja u njoftua se dy të rinjtë kishin bërë plan që të hynin në një ambasadë të huaj në Tiranë. Lajmi mund të ishte edhe i rremë. Por, duke e marrë për të vërtetë këtë lajm, ai shkroi në dosjen hetimore se “Ata kanë bërë përgatitje për të hyrë në një nga ambasadat e huaja në Tiranë, për të kaluar në këtë mënyrë kufirin shtetëror në mënyrë të kundraligjshme”.

Kufiri shtetëror, nuk kalohet vetëm duke u arratisur nga malet, nga deti, apo nga ajri, por edhe duke hyrë në një ambasadë të huaj. Të gjithë e dimë se me 12 dhjetor 1985 disa pjesëtarë të familjes Popa hynë në ambasadën italiane në Tiranë dhe kërkuan strehim politik aty, ku ndejtën brenda për 5 vite me radhë. Por, regjimi gjakatar komunist nuk guxoi të sulmonte një territor të huaj – në këtë rast ambasadën italiane – që të nxirrte familjen Popa jashtë.

Arben Kraja po anatemohet sepse në dosjen hetimore ai ka shkruar se “Beniamin Bizi ka kryer vepra që bien në kundërshtim me normat e MORALIT KOMUNIST”! Ku është çudia këtu, kur atë kohë një vepër e tillë (edhe e supozuar) cënonte moralin komunist?! Po sot kush po çuditet nga fakti se në pushtet janë komunistët dhe pinjollët e tyre!

Me këtë rast, sillet edhe dëshmia e njërit prej protagonistëve, Beniamin Bizit i cili deklaron se: “Është e vërtetë që ky ka qenë hetuesi im dhe unë jam dënuar dhe kam bërë burg për këtë vetëm se kam qenë duke ecur rrugës duke shkuar për në Tiranë”. Pa vënë në dyshim as edhe një presje të kësaj deklarate, të gjithë e dimë shumë mirë, se që nga pushtimi komunist i Shqipërisë nga komunistët me 29 nëntor 1944 e deri në vitin 1990, kanë qenë me dhjetra e qindra raste që Sigurimi i Shtetit ka arrestuar njerëz në shtëpitë e tyre me akuzën se ata kanë tentuar të arratisen! Apo nuk është kështu?

Arben Krajën, e akuzojnë se ai hetoi dy persona edhe pasi u depenalizua në vitin 1990 krimi i “arratisjes” në “kalim të paligjshëm të kufirit”. E vërteta është tjetër. Me anë të Ligjit Nr. 7380 të datës 08.05.1990 “Mbi disa ndryshime në Kodin Penal”, neni 127 me titull “Kalim i paligjshëm i kufirit” nga “Kalimi i paligjshëm i kufijve të shtetit dënohet: me heqje të lirisë gjer në pesë vjet”, u ndryshua në “Kalimi i paligjshëm i kufijve të shtetit dënohet: me riedukim nëpërmjet punës ose me heqje të lirisë gjer në pesë vjet”. Pra, mbeti e njëjta gjë, por u shtua vetëm “riedukimi nëpërmjet punës”.

Ky ligj, hyri në fuqi menjëherë, duke qenë se pas katër ditësh – pra me 12 maj – do vinte në Shqipëri Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Perez De Kuelari! Shumë kush, atë kohë këtë ndryshim të Kodit Penal, e mori si një “ftesë” për të kaluar kufirin pa frikë. Por, Ramiz Alia u tregua shumë i pabesë dhe mizor, pasi vrau rreth 100 persona gjatë vitit 1990. Në fakt, edhe ditën e vizitës së Perez De Kuelarit në Shqipëri, tentoi të arratisej një vlonjat, të cilin kufitarët e vranë menjëherë.

Ndokush deklaron se se Arben Krajës i mungoi nuhatja dhe zgjuarësia (revolucionare!) që të kuptonte se sistemi komunist po binte dhe si rrjedhojë edhe ai duhej të adaptohej me këtë fakt. Saktë. Dikush që pati nuhatje më të fortë atë kohë, bëri hapa gjigande në karrierën e tij në politikë dhe në gjyqësor. Kurse Arben Kraja jo.

Është e vërtetë se Arben Kraja (i lindur me 20.09.1964) ka bërë për pak vite punën e hetuesit. Por, nuk sqarohet se ai pati fat që të caktohej hetues edhe pse mbaroi fakultetin ekonomik në Universitetin e Tiranës atë kohë! Pra, ai ishte hetues për krimet me natyrë ekonomike. Në vitet 1987-1992 ai studjoi për drejtësi me korrespondencë. Dhe që të viheshin në provë aftësitë e tija, ju dha mundësia që të hetonte dosjen e “kalimit të paligjshëm të kufirit” me nisje nga Shkodra duke kaluar nga Vora dhe me destinacion një ambasadë të huaj në Tiranë. Dhe këtë provë, hetuesi komunist “gjakatar” Arben Kraja e kaloi me sukses dhe vetmohim “revolucionar”!

Kaq shumë po indinjohen këto ditë dyrnjaja, aq sa ata janë gati të bëjnë peticione, barrikada, apo greva urie, për të mbrojtur drejtësinë dhe demokracinë. Për hir të së vërtetës, reagime të tilla nuk janë bërë më parë në lidhje me peshkaqenë të tjerë të drejtësisë si Ardian Dvorani, Vladimir Kristo, Fatmir Xhafaj, Spartak Braho, etj.! Arben Kraja në lidhje me ata – me gjithë respektin për të – është vetëm një “cironkë”!

Bën shumë çudi po ashtu se përse kjo revoltë ndaj Arben Krajës nuk u bë kur ai kandidoi për kryetar të SPAK-ut! Arsyetimi se kjo revoltë nuk u bë më parë, pasi nuk mendohej se ai do fitonte, nuk qëndron aspak. Pasi kushdo që kandidon, është edhe fitues i supozuar.

Të gjithë ata që po anatemojnë Arben Krajën duke e gjykuar në konteksitin aktual për punën e tij të dikurshme, ja vlen që t’ju bëhet një pyetje: “Si do e trajtonte secili prej jush nëse do kishte qenë hetues atë kohë dosjen hetimore të datës 27.07.1990”?!

Përgjigja nuk është e detyrueshme që të jepet, duke qenë se mund të imagjinohet edhe pa u dhënë(….)!

SHQIPTARËT DHE ALBANOLOGU KROAT MILLAN SHUFLAJ


Milan Shuflay

Xhelal ZejneliXhelal Zejneli

Millan Shufllaj (Milan Šufflay) lindi Në Lepogllavë, më 8 nëntor 1879, vdiq në Zagreb, më 19 shkurt 1931. Është historian, politikan, përkthyes dhe shkrimtar kroat. Një prej themeluesve të albanologjisë. Autor i të parit roman fantastik-shkencor në letërsinë kroate. Fëmija më i vogël i mësuesit Augustin Shuflaj dhe i Franciska, e lindur Velle fon Forstern (Welle von Vorstern). Nëna e tij ishte gjermane nga Osijeku (qytet në Kroacinë e sotme). Millan Shuflaj kishte dy motra më të mëdha – Angella dhe Zllata. Në vitin 1897 kreu në   Zagreb gjimnazin klasik. Studioi në Universitetin e Zagrebit historinë.

Në vitin 1901 mbrojti disertacionin “Kroacia dhe dëshira e fundit e perandorisë lindore nën skeptrin e tre Komnenëve (1075-1180) dhe mori gradën e doktorit të filozofisë. Qysh si student, njihte frëngjishten, gjermanishten, italishten, anglishten, të gjitha gjuhët sllave, latinishten, greqishten e vjetër dhe greqishten e mesme. Më vonë mori njohuri për greqishten e re, shqipen, hebraishten dhe sanskritishten (indishtja e vjetër). Profesori Tadija Smiçikllas e konsideronte si studentin e vet më të talentuar. E kishte asistent në redaktimin e “Codex diplomaticus” të Akademisë.

Në vitet 1902-1903 studioi në Institutin e Historisë Austriake në Vjenë. U mor me studimin e historisë mesjetare kroate si dhe me të kaluarën e shqiptarëve. U bë edhe historian i Ballkanit. Kishte bindjen se e kaluara e kroatëve mund të hulumtohet drejt vetëm nga pozicioni ballkanik. Me këtë e ndërpret mendimin mbizotërues të historianëve kroatë se kroatët janë përfaqësues të Perëndimit dhe në oponencë ndaj Ballkanit. Historiani, politikani dhe diplomati dhe albanologu i njohur hungarez, i lindur në Sllovaki Lajosh Taloçi (Lajos Thallóczy, 1857-1916), e merr në Budapest ku punon në Muzeun Popullor.

Në vitet 1904-1908 aty punon si kustos. Në vitin 1908, Bani (guvernatori) Levin Rauh (Rauch), e emëron profesor inordinar në katedrën e shkencave ndihmëse të historisë në Universitetin e Zagrebit. Në vitin 1912 zgjidhet profesor ordinar. Kur bani Rauh zëvendësohet nga bani Nikolla Tomashiq, Millan Shufllaj u detyrua të largohej nga universiteti. Në fillim të vitit 1915 u mobilizua dhe u dërgua në shërbimin ushtarak austro-hungarez. Për shkak të sëmundjes, u lirua nga shërbimi ushtarak. Tani i shkruan punimet e tij më të rëndësishme.

*   *   *

Ishte një prej promotorëve kryesorë të idesë „kufiri në Drinë“, si kufi i religjioneve, i qytetërimeve dhe i ndarjes së botës katolike prej popujve jokatolikë.

Në vitin 1921, në shtetin e ri – Mbretërinë e Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve (Mbretëria e SKS) u arrestua “për tradhti të lartë”, spiunim në dobi të shtetit të huaj. U nxor para gjykatës, bashkë me Dr. Ivo Pilarin dhe 14 të akuzuar të tjerë. Procesi gjyqësor kundër tyre zgjati prej 2 deri në 25 qershori i vitit 1921. Sipas aktakuzës së drejtësisë të regjimit të mbretit Aleksandar I Karagjorgjeviq (Cetinë, Mali i Zi, 1888 – Marsej, Francë, 1934), këta kishin punuar për shkëputjen e dhunshme të Kroacisë nga Mbretëria e SKS.

Shënim: Aleksandar I Karagjorgjeviq ka qenë i pari mbret i Mbretërisë së SKS. Në vitet 1929-1934 ka qenë mbret i Mbretërisë Jugosllave. U vra në Marsej të Francës. Për atentatin u fajësuan nacionalistët kroatë.

*   *   *

Shuflaj deklaron para gjyqtarëve se Kroacisë nuk i duhet një luftë e armatosur si ajo në Irlandë dhe as shkëputje e dhunshme.

Midis tjerash thotë: “Kroacia e ka të drejtën e vet shtetërore, ndërsa kroatët si një popull politik, e kanë të drejtën e tyre të natyrshme, të drejtën për vetëvendosje. Ndërprerja e lidhjes me ish-monarkinë më 29 tetor 1918, paraqet bazë për shtetin e pavarur kroat. Ky shtet nuk është pjesë e ndonjë kornize të vjetër … Këtu s’kemi të bëjmë me shkëputje! Përkundrazi, këtu kemi të bëjmë me një kornizë të re shtetërore, e cila juridikisht ende nuk është krijuar. Të më akuzoni se unë dëshiroj ta shkëpus shtetin kroat që ekziston, nga mbretëria SKS, e cila juridikisht nuk ekziston, nuk është veçse një lajthitje juridike dhe logjike. (…) Po qe se ndjenja kroate, dëshira dhe ideja për vetëvendosje, për shtetit kroat, besimi për Antantën paraqet mëkat, atëherë unë jam fajtor.

Por, këtë ndjenjë, këtë dëshirë, këtë besim e ka i tërë populli kroat dhe i ka shprehur nëpërmjet përfaqësuesve të Banovinës Kroate. Pushteti që më padit, mund ta fitojë procesin kundër meje, por duke qenë se e përndjek tërë popullin kroat, do ta humb procesin para fytyrës së Evropës… Për mua si filozof dhe si një kroat liridashës, fare s’ka rëndësi në qëndroj në bankën e vogël të kësaj gjykate ose të ndonjë ndëshkimoreje tjetër apo më shkarkoni nga akuza, për të dalë në liri, që nuk është veçse një burg i madh, ku mbahet nën robëri i tërë populli kroat, që me ndihmën e Zotit, besoj t’i vijë fundi”.

ShënimStjepan Radiq (Stjepan Radić, 1871-1928) është politikan, shkrimtar, përkthyes dhe publicist kroat. Personalitet i shquar i historisë kroate. I pari politolog kroat i diplomuar. Kryetar i Partisë Fshatare Kroate. Më 8 gusht 1928 u qëllua me revole në Kuvendin e Jugosllavisë në Beograd, gjatë seancës. Atentator ishte çetniku serb Punisha Raçiq. Me këtë rast u qëlluan edhe disa deputetë të tjerë kroatë. Stjepan Radiqi vdiq nga pasojat e plagëve të marra.

*  *   *

Ndërhyrjeve të gjyqtarëve se askush nuk është duke e përndjekur popullin kroat, Shufllaj u përgjigjet: “Për këtë pyetni Stjepan Radiqin, ai është populli kroat”. Po kur të vdes Radiqi? Shufllaj ua kthen: “Populli kroat do të lindë Radiq tjetër”.

Shuflaj u dënua me tre vjet e gjashtë muaj burg. Dënimi bëri bujë në mbarë botën. Të akuzuarit e tjerë u dënuan: Pavao See me 12 vjet heqje lirie, Rudolf Vidak me 4 vjet, Dragutin Taborshak me 3 vjet e katër muaj, Franjo Shkvorc dhe Jakob Petriç me nga 3 vjet, Josip Drenski Shpolarec me 2 vjet e katër muaj, Ivan Havelka me 8 muaj, Gabriel Kruhak, Florijan Shtromar, Millan Galloviq dhe Ivan Kovaçiq me nga 6 muaj, Dr. Ivo Pilar me 2 muaj, me kusht një vit, ndërsa Sharlota Vidak, Antun Paviçiq dhe Andrija Medar u liruan nga akuza.

Lidhur me dënimet e sipërthëna ka pasur reagime nga shkencëtarë të shumë vendeve  të botës.

Shuflaj e vuajti dënimin në burgun e Mitrovicës së Sremit (Sremska Mitrovica). Pas transferimit në burgun e Zagrebit, u operua dhe u konstatua se lëngon nga tuberkulozi i mushkërive, nga emfizema dhe se ka probleme me zemrën. Më 2 tetor 1922, pasi e vuajti gjasmën e dënimit, u lirua nga burgu. U vendos te motra Zllata në Zagreb, në Rr. “Gunduliqeva” Nr. 25. Pasi doli nga burgu, përsëri iu përkushtua punës shkencore. Në pranverë të vitit 1928, pranoi ofertën e katedrës së historisë së Evropës Juglindore në Universitetin e Budapestit dhe më 1 qershor të po atij viti, u emërua profesor universitar, por nuk kishte mundësi të shkonte për arsye se kërkesa për pasaportë iu refuzua.

Në vjeshtë të vitit 1929, me kërkesën e qeverisë shqiptare dhe të Akademisë së Shkencave të Austrisë, e vazhdon veprën e historianit dhe ballkanologut çek, profesor i Universitetit të Vjenës, Konstantin Jireçek (Konstantin Joseff Jireček, 1854-1918) dhe të historianit, politikanit, diplomatit dhe albanologut të njohur hungarez Lajosh Taloçi (Lajos Thallóczy, 1857-1916) – përgatit vëllimin III të lëndës arkivore “Codex Albanicus”. Dy vëllimet e para të veprës përfshijnë periudhën prej vitit 344 deri në vitin 1451.

Në vitin 1929 e pranon ftesën e qeverisë shqiptare për ta vizituar Shqipërinë. Pas shumë peripecish dhe ndërhyrjesh, ia del të marrë pasaportë. Në dhjetor të viti 1930 Shuflaj vjen në Shqipëri. Është pritur me nderime të mëdha. E ka pritur edhe Mbreti Ahmet Zogu (1895-1961). Më 16 janar 1931 Shuflaj mban fjalim në Kuvendin e Shqipërisë.

Shuflaj ka mbajtur letërkëmbim me personalitete të njohura të lëmit të shkencës, me institucione, me akademi të shkencave të Austrisë, të Gjermanisë, të Hungarisë, të Italisë, etj. Ka mbajtur letërkëmbim edhe me Mid’hat Frashërin (Lumo Skëndo, 1880-1949), me ministrinë Arsimit të Shqipërisë Abdurrahman Dibra (1885-1961). Ka botuar artikuj shkencor edhe në revistën “Dituria” të Lumo Skëndos. Letërkëmbim ka mbajtur edhe me albanologun italian Antonio Balldaçi (Antonio Baldacci, 1867-1960). Për letërkëmbimin e Shuflait, historiani Zekiria Cana (1934-2009) dhe profesori, përkthyesi e gazetari Ymer Jaka (1937-2009) kanë botuar një studim në revistën “Përparimi”, Nr.1/1988, Prishtinë.

Vepra Serbët dhe shqiptarët“, të përkthyer në shqip nga Zef Fekeçi dhe Karl Gurakuqi, është botuar edhe në revistën “Hylli i Dritës”, Shkodër 1938.  

Kah mesi i janarit të vitit 1931 i hulumton fondet arkivore të Dubrovnikut dhe të Kotorit, ndërsa kah fundi i janarit të po atij viti e përfundon vëllimin III të botimit të “Codex Albanicus”.

*   *   *

Me t’u kthyer nga Shqipëria, mori letër kërcënuese. Nëpër gazetat dhe revistat u sulmua në mënyrë të vazhdueshme. Kjo tregonte qartas se qarqet serbomadhe kishin vendosur ta likuidojnë. Pjesëtarët e organizatës së regjimit “Jugosllavia e Re” (Mlada Jugoslavija), e cila gëzonte mbrojtjen e mbretit, më 18 shkurt të vitit 1931 e pritën në prag të derës, e qëlluan me hekur në kokë dhe ia thyen kafkën. Pas kësaj, i kanë hyrë në banesë dhe e kanë marrë dorëshkrimin e përgatitur për botim të bleut III “Codex Albanicus”. Vdiq pas një dite, më 19 shkurt 1931, nga pasojat e plagëve të marra në kokë.

Agjentët e policisë Lubomir Bellosheviq dhe Branko Cveger (Zwerger) që e kishin kryer krimin, u strehuan në Beograd. Pas themelimit të Banovinës (Guvernantës) Kroate, u kërkua dërëzimi i tyre. por më kot. Prej 10 qershorit deri më 14 qershor të vitit 1940, u zhvillua procesi i rigjykimit të atentatorëve. Edhe tani gjykata nuk deshi të provojë të vërtetën e pamohueshme se atentati apo krimi barbar ishte kryer me urdhrin e shefit të policisë së Zagrebit, Janko Bedekoviq, me porosinë e Beogradit.

Pas një shqyrtimi treditor, më 21 qershor 1940, i shpalli fajtor Branko Cvergerin (Zwerger) dhe Lubomir Bellosheviqin, ndërsa personin e tretë, Stevo Veçerinac, e liroi nga faji. Branko Cverger (Zwerger) u dënua me dënim të përjetshëm dhe me humbjen e përhershme të të drejtave për të qenë i nderuar, ndërsa Lubomir Bellosheviqi u dënua me pesë vjet heqje lirie dhe me humbjen e të drejtave për të qenë i nderuar.

Prokurori shtetëror nuk ishte i kënaqur me lartësinë e dënimeve. Më 28 qershor 1940 i paraqiti Avokatisë Shtetërore ankesë dhe kërkesë për revizion. Kërkoi nga Tryeza e të shtatëve që lidhur me lartësitë e dënimeve të marrë vendim të ri. Tryeza e të shtatëve dënimin për Branko Cvergerin (Zwerger) e konfirmoi, ndërsa për Lubomir Bellosheviqin, gjatë dhjetorit të vitit 1940 dhe janarit të vitit 1941, në Gjykatën e qarkut në Zagreb, mbajti proces të ri. Më 25 janar 1941, nxori për të aktgjykim lirues.

*   *   *

Fizikani gjerman me prejardhje hebraike Albert Ajnshtajn (Albert Einstein, 1879-1955) dhe romancieri gjerman, autor veprash me tema sociale Hajnri Man (Heinrich Mann, 1871-1950), nëpërmjet Lidhjes ndërkombëtare për të drejtat e njeriut me seli në Paris, e ftuan opinionin kulturor të botës të ngrenë zërin e protestës kundër krimit të kryer ndaj Millan Shuflait. Megjithëkëtë, vrasjet politike të kroatëve në Jugosllavi vazhduan.

Më 22 shkurt 1931, edhe pse ishte ithtar i Partisë Kroate të Drejtësisë, Shuflaj u varros në pjesën e portikut të varrezave Mirogoj të Zagrebit, që i takonte Partisë Fshatare Kroate.

Veprat – Përpos veprave shkencore, Shuflaj ka shkruar edhe romanin “Në Paqësor, në vitin 2255”. Është i pari roman fantastik-shkencor në letërsinë kroate. Për këtë arsye konsiderohet themelues i letërsisë fantastike-shkencore kroate. Veprën e botoi më 1924 me pseudonimin Eamon O’Leigh. U botua në “Obzor” prej 23 prillit deri më 1 gusht 1924, në 75 vazhdime. Në këtë roman e parashikoi shpërthimin e Luftës së dytë Botërore, rritjen e temperaturës në tokë, përhapjen e feminizmit, rritjen e përdorimit të drogës dhe të stimuluesve të ndryshëm, kalimin në vegjetarianizëm, bioinxhinieringun etj.

Ka shkruar disa libra nga historia e Shqipërisë.                        

– Hrvatska i zadnja pregnuća istočne imperije pod žezlom triju Komnena (1075-1180), Zagreb, 1901; (Kroacia dhe dëshira e fundit e perandorisë lindore para skeptrit të tre Komnenëve, 1075-1180);

– Die Dalmatinische Privaturkunde, Vjenë, 1904;
– A két arbei iker-oklevél, Athenaeum irodalmi es nyomdai r.-t. nyomasa, Budapest, 1905;
– Biologie des albanesischen Volksstammes, Munchen, 1916;
– Die Kirchenzustànde im vorturkischen Albanien von Milan v. Sufflay, Budapest, 1916.

 Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia; Kjo përmbledhje diplomatike shqiptare, në dy vëllime, u punua bashkë me Konstantin Jireçekun dhe Lajosh Talloçin (Thallóczy)], Vëllimi I, Vjenë 1913; Vëllimi II, 1918. (repr. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shqipërisë etj. Vëll. 1: Annos 344-1343 tabulamque geographicam continens. Vëll. 2: Annos 1344-1406 continens, Tirana, 2002.);

– Kostadin Balšić“ (1392-1402.): roman historik në tri pjesë„Kostadin Balsha“ (1392-11402), roman historik, Shtypshkronja Merkur, Zagreb, 1920. (me pseudonimin Alba Limi);

– Ludwig v. Thalloczy: (1854-1916), Weidmannsche Buchhandlung, Berlin, 1920;

– Stàdie una Burgen Albaniens hauptsachlich wahrend des Mittelalters, Vjenë-Lajpcig (Leipzig), 1924; Albanski gradovi i utvrde posebice u srednjem vijeku (Qytetet dhe kështjellat shqiptare në veçanti në mesjetë);

– Srbi i Arbanasi(Njihova simbioza u srednjem vijeku)Serbët dhe shqiptarët. (Simbioza e tyre në mesjetë), Beograd-Lubjanë, 1925. (Književna zajednica Kultura, Sarajevë, 1990; bot. Azur Journal, Zagreb, 1991; botimi anglez Serbs and Albanians, përkthyer në anglisht nga Wayles Browne dhe‎ Theresa Alt, Alerion, 2012);

– Serbët dhe shqiptarët“, përkthyer në shqip nga Zef Fekeçi dhe Karl Gurakuqi (Shkodër, 1895 – Palermo, Itali, 1971), Tiranë, 1926;

– Statuti i uredbe kaptola dračke stolne crkve (Statutet dhe dekretet e kaptolit të kishës ekleziake të Durrësit) (Statuta et ordinationes capituli ecclesiae cathedralis Drivastensis, 1927, bashkautor historiani kroat, profesor i Universitetit të Beogradit dhe anëtar i Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve, Viktor Novak (1889-1977);

– Hrvatska u svijetlu svjetske historije i politike: dvanaest eseja(Kroacia në dritën e historisë dhe të politikës botërore: dymbëdhjetë ese); Shtypshkronja Merkantile (Gj. Jutrisha dhe shokët), Zagreb, 1928, (rishtypur, Darko Sagrak, Zagreb, 1999);

– Hrvati u sredovječnom svjetskom viru, 1931 (Kroatët në vorbullën botërore të mesjetës), 1931;

– Historia e shqiptarëve të veriut. Serbët dhe shqiptarët, Prishtinë, 1968;

– Dr. Milan Šufflay: znanstvenik, borac i mučenik: povodom 60 godišnjice od atentata 1931-1991, kryeredaktor përgjegjës Dobrosllav Paraga dhe Ante Paraxhik, Hrvatska stranka prava, Zagreb, 1991. (Dr. Millan Shuflaj: dijetar, luftëtar dhe martir: me rastin e 60-vjetorit të atentatit 1931-1991); Partia Kroate e Drejtësis;

– Kostadin Balšić(Kostadin Balsha)Bashkësia e shqiptarëve në Republikën e Kroacisë, Zagreb, 1997;

– Na Pacifiku god. 2255., Prosvjeta, Zagreb, 1998., (Në Paqësor, në vitin 2255: roman metagjenetik në katër libra, roman fantastik-shkencor; i regjistruar për herë të parë në vitin 1998);

– Izabrani eseji, prikazi i članci, Darko Sagrak, Zagreb, 1999. (Ese të zgjedhura, paraqitje dhe artikuj);

– Izabrani eseji, rasprave, prikazi, članci i korespondencija(Ese të zgjedhura, shqyrtime, paraqitje, artikuj dhe letërkëmbim);përgatiti për shtyp dhe redaktoi Darko Sagrak, Zagreb, 2000;

– Izabrani politički spisi(Shkrime politike të zgjedhura); përgatiti Dubravko Jelçiq në edicionin Stoljeća hrvatske književnosti (Shekuj të letërsisë kroate), Zagreb, 2000;

– Dalmatinsko-hrvatska srednjovjekovna listina. Povijest hrvatskoga notarijata od XI. do XV. stoljeća(Dokumente dalmato-kroate të mesjetës. Historia e noterisë kroate prej shekullit XI deri në shekullin XV), Zagreb, 2000, përkthimi Die Dalmatinische Privaturkunde nga 1904. Redaktoi dhe përktheu nga gjermanishtja Darko Sagrak. (botim i dytë, 2007).

*   *   *

Më 26 nëntor 2002, u mbajt në Tiranë konferenca shkencore „Shuflaj dhe shqiptarët“,  kushtuar veprës së Shuflait. Në të morën pjesë studiues nga Shqipëria, nga Kosova, nga Kroacia etj. I pranishëm ishte edhe Ismail Kadareja. Me këtë rast, kryetari i Shqipërisë Alfred Moisiu   i akordoi post mortem Shuflait çmimin „Naim Frashëri i Artë“;

Më 25 nëntor 2013, Posta e Shqipërisë ua kushtoi botimin e dytë të rastit, albanologëve të njohur Millan Shuflait, Konstantin Jireçekut dhe Lajosh Talloçit (Thallóczy).

Përpos pullës postare të Postës së Shqipërisë me portrtin e Shuflait, në Tiranë dhe në Prishtinë ka rrugë që e mbajnë emrin e tij.

*   *   *

Në vitin 1994, në shtëpinë që ndodhet në Rr. „Dalmatinska“ Nr. 6, para së cilës u krye atentati ndaj tij, Shoqata „Braća Hrvatskoga Zmaja“, („Vëllezërit e Dragoit Kroat“) vendosi pllakë përkujtimore.

Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Zagreb e ndan Certifikatën për merita „Milan Šufflay“ personave, institucioneve dhe organizatave për kontribut të jashtëzakonshëm për forcimin e miqësisë dhe të marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe Kroacisë dhe popujve të tyre; për kontribut të jashtëzakonshëm për paqen, sigurinë, qëndrueshmërinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm në rajon; apo për kontribut të veçantë në lëmin akademik, të kulturës, të artit dhe të shkencës që kanë të bëjnë me shqiptarët dhe me kroatët.

Historiani zviceran: Shqiptarët kanë drejtuar botën që nga Mesjeta, Evropa i la qëllimisht mënjanë (se u islamizuan)

 

Alexander Lambet - hIstorian zviceran

Dr. Aleksandre Lambert, historian, drejtor akademik i “School of International Training” në Gjenevë, është autor i disa librave dhe artikujve në fushën e relacioneve ndërkombëtare të filozofisë politike, të politikës së sigurisë dhe lidhjeve civile-ushtarake.

Lambert ka vizituar Shqipërinë dhe ka filluar të njoh çështjen shqiptare që në rini të tij me kërkimet e bëra në Arkivin e Lidhjes së Kombeve Gjenevë, kur njohu mirë edhe çështjen çame.

Historiani zviceran Dr. Aleksandre Lambert këmbëngul se nuk është e rastit që shqiptarët në asnjë moment të historisë nuk njihen si komb që i kanë sulmuar kombet e tjerë dhe se shumë shqiptarë kanë shkëlqyer duke drejtuar qoftë perandori, qoftë shtete të tjera.

Po kështu, sipas tij, të tjerë shqiptarë kanë lënë emrin e tyre në fusha të ndryshme të shkencave në shtete të ndryshme të botës. Më tej historiani ndalet në zhvillimet pas Luftës së Dytë Botërore, duke shprehur bindjen se ajo që ndodhi me Shqipërinë, me lënien e saj në Bllokun e Lindjes ishte një llogari e bërë nga aleatët që fituan luftën. Në fund edhe disa këshilla se si duhet të veprojnë shqiptarët për t’u ngjitur pranë shumicës, aty ku ata tentojnë.

Ja ç’thotë ai për shqiptarët në kohën e Mesjetës:

Në Mesjetë shqiptarët i kanë dhënë udhëheqës botës, udhëheqës laikë ose fetarë dhe personalitete kulturore që i kalojnë kufijtë e Evropës. Disa Papë kanë qenë shqiptarë, për shembull, – Klementi XI më i dalluari prej tyre. Por shqiptarët kanë qenë në krye të feve me rëndësi botërore, si në krye të fesë ortodokse, ashtu edhe të asaj myslimane.

Në histori gjejmë udhëheqës të shquar shqiptarë në shumë vende të Evropës, madje edhe prej atyre që ngandonjëherë kanë përcaktuar fatin e shumë betejave historike (në vitin 1515 qe Merkur Bua me kalorësinë e lehtë të Venedikut, e përbërë e gjithë nga shqiptarë që përcaktoi fitoren e betejës së Marinjanit, që historia e emëroi beteja e gjigandëve dhe jo Françesku i I-rë i Francës, 19 vjeç, që ato dy ditë beteje mësoi se si luftohet).

Shqiptarët i kanë dhënë shumë kryeministra dhe gjeneralë të shquar Perandorisë Otomane (vetëm familja Qyprili i dha 5 kryeministra Perandorisë). Shqiptarët i kanë dhënë shumë heronj të pavarësisë greke, prej të cilëve po përmend Kundurjotis, Marco Boçari, Kanaris, Kolokotroni, Karaiskaqis, Bubulina. Që ishin në udhëheqje të revolucionit grek, prej të cilëve edhe disa kryeministra të shtetit të ri të pavarur grek.

Rumania gjithashtu ka pasur një familje princore me origjinë shqiptare(Aleksandër dhe Vladimir Gjika si dhe princesha Eleonora e njohur me emrin Dora Distria). Françesko Crispi, shok i Garibaldit, Kavurit e Macinit që ka qenë një kryeministër i madh Italisë, ishte me origjinë shqiptare.

Piktorë si Carpaçi, Albani etj., humanisti Leonic Tome, profesori i Kopernikut dhe shumë personalitete shqiptare, janë nderuar nga historia e Italisë. Muhamet Aliu, reformatori i Egjiptit Modern, që historia franceze e ka quajtur “Napoleon i Lindjes së Afërt” qe shqiptari që themeloi dinastinë mbretërore të Egjiptit që mbretëroi gati 150 vjet.

Arkitekti i “Taxhmahallit” në Agra të Indisë, kryevepra e arkitekturës islamike, ishte vepër e një shqiptari ashtu sikurse edhe “Xhamia Blu” e shumë xhami të rëndësishme të Stambollit. Dhe më në fund Heroi Kombëtar i shqiptarëve, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, një shembull gati universal i luftëtarit të lirisë, i nderuar në botën mbarë me përmendore jo vetëm në Tiranë, Prishtinë e Shkup, po gjithashtu në Romë, Bruksel, Gjenevë, Detroit, Buenos Aires.

Të tjera përmendore për Skënderbeun janë projektuar të ngrihen në Londër, Varshavë, Melburn, Manila etj. Kur shqiptarët kanë kontribuar kaq shumë për qytetërimin e njerëzimit, përse pak njerëz në botë janë të ndërgjegjshëm për këtë, përkundrazi shumë as nuk kanë dashur ta pranojnë këtë realitet?

Duhet thënë se një gjë e tillë shpjegohet edhe nga izolimi relativ jo pa qëllim i shqiptarëve nga komuniteti ndërkombëtar, dhe në mënyrë të veçantë nga ai evropian, që nga Kongresi i Berlinit e këtej (1878). Në të vërtetë pas mundjes së turqve në luftën ruso-turke, shtypi ndërkombëtar filloi punën për të injoruar shqiptarët duke i ndërruar emrin gadishullit të dikurshëm të Ilirisë të banuar që nga kohët parahistorike dhe deri në ditët e sotme nga ilirianët, shqiptarët.

Atë e pagëzuan me emrin e ri që ka edhe sot, Gadishulli i Ballkanit, vetëm duke u nisur nga vargu i maleve Ballkan. Përse iu vërsulën shqiptarëve? Pjesa më e madhe e diplomacisë konservatore evropiane ka përdorur termin pexhoratif “turq” për t’i cilësuar si turq të gjitha komunitetet myslimane në Ballkan, edhe pse shumica prej tyre nuk janë aspak turq. Evropa ka mbështetur dhe ka zmadhuar tokat e Greqisë, të Serbisë dhe të Malit të Zi, në kurriz të shqiptarëve.

Asnjëra nga fuqitë e mëdha evropiane nuk e ka mbështetur çështjen shqiptare, kur shqiptarët krijuan Lidhjen e Prizrenit për të mbrojtur çështjen e tyre të drejtë kundër vendimeve të Kongresit të Berlinit. Ata u lanë në baltë nga të gjithë…

Akademik  Gjin Musa

PËRMENDJET MË TË HERSHME TË SHQIPTARËVE DHE TË SHQIPES

 


Xhelal Zejneli

Xhelal Zejneli

– Shqiptarët janë pasardhës të ilirëve dhe janë një ndër popujt më të lashtë të gadishullit;
– Gjuha shqipe është bijë e ilirishtes dhe është një ndër gjuhët më të vjetra të Evropës;
– Shqipja i takon familjes së gjuhëve indoevropiane (indogjermane) dhe është gjuhë e veçantë, d.m.th. nuk ka motër. Të tilla janë edhe greqishtja dhe armenishtja;
– Shqiptarët janë popull autokton i gadishullit;
– Shqiptarët janë popull autokton në brigjet e Adriatikut dhe të Jonit;

*   *   *

– Në analet e historisë së dokumentuar, shqiptarët kanë hyrë në gjysmën e dytë të shekullit XI. Në “Historinë” e tij të shkruar më 1079-1080, historiani bizantin Mihaelis Ataliates (Michaelis Attaleiates) qe i pari që përmendi se Albanoi kishin marrë pjesë në një kryengritje kundër Konstantinopojës, më 1043 dhe se Arbanitai ishin nënshtetas të dukës së Dyrrakiumit.

– Pi ashtu, historiani Gjon Skilices (Ioannis Scylitzes), rreth vitit 1081 përmend Arbanites si pjesë e trupave të mbledhur në Durrës nga Niqifor Basilaku (Nicephorus Basilacius).

– Për ekzistencën e gjuhës shqipe, për herë të parë bëhet fjalë aty nga fillimi i shekullit XIV. Në të vërtetë, midis viteve 1285 dhe 1332 kemi katër përmendje të qarta dhe të padyshimta.

– E para nga këto përmendje në histori për ekzistencën e gjuhës shqipe është ajo e vitit 1285, në Ragusë (Dubrovnik), ku për njëfarë kohe ka pasur një bashkësi shqiptare të konsiderueshme. Në një proces hetuesie, midis tjerash figuron edhe fjalia: “Audivi unam vocem clamantem in monte in lingua albanesca” (Dëgjova një zë që thërriste në male në gjuhën shqipe).       

– Njëzet vjet më vonë hasim një përshkrim të Shqipërisë në të ashtuquajturin Anonymi Descriptio Europae orientalis (Përshkrim anonim i Evropës Lindore). Është një tekst mesjetar i vitit 1308 i cili përmban një vështrim mbi tokat e Evropës Lindore, në veçanti mbi vendet e Ballkanit. Autori anonim i tij mendohet të ketë qenë një klerik frëng apo i shkolluar në Francë, me shumë gjasa i Urdhrit Dominikan, i dërguar në Serbi, ku edhe mblodhi pjesën më të madhe të të dhënave për Ballkanin.

Përveç pjesëve që pasqyrojnë rajone të ndryshme të Greqisë Bizantine, Rashës, Bullgarisë, Ruthenisë, Hungarisë, Polonisë dhe Bohemisë, ai përmban edhe një pjesë për Shqipërinë, një nga përshkrimet e rralla për këtë vend në vitet e para të shekullit XIV (1308). Kjo pjesë mbyllet me këtë përmendje të gjuhës shqipe: “Habent enim Albani prefati linguam distinctam a Latinis, Grecis et Sclavis ita quod in nullo se inteligunt cum aliis nationibus (Shqiptarët e sipërpërmendur kanë një gjuhë që dallohet nga ajo e latinëve, grekëve dhe sllavëve, kështu që kurrsesi nuk mund të merren vesh me popuj të tjerë).

– Për herë të tretë, për ekzistencën e gjuhës shqipe bëhet fjalë në njoftimin e një pelegrini gjatë udhëtimit për në Tokën e Shenjtë më 1322. Dy pelegrinë anglo-irlandezë, Symon Semeonis dhe Hugo Illuminator, që në shqip mund t’u thuhet Simon Simoni i Zrdhrit Françeskan dhe Hugo Ndriçuesi, gjatë udhëtimit, më 1322 u ndalën në Shqipëri, me ç’rast i pari bëri një përshkrim të gjallë të asaj çka pa. Përshkrimi i tij jep një vështrim të gjallë të bregdetit shqiptar në gjysmën e parë të shekullit XIV, d.m.th. në vitin 1322. Këta dy u nisën nga Klonmeli i Irlandës. Nga Uellsi verior kaluan në Londër, Kentërberi, Dover, Uisant, Amien, Paris, Bonë (Beaune), Lion, Avinjon, Nisë, Gjenovë, Bobio, Piaçencë, Parmë, Mantovë, Veronë dhe Viçencë, deri në Venedik.

Vijuan rrugën me anije për të arritur në Pullë, Zarë, Dubrovnik, Ulqin, Durrës, Korfuz, Qefaloni dhe Kretë, para se të mbërrinin në Aleksandri. Përshkrimet e Simonit njihen si Itinerarium Symonis Semeonis ab Hybernia ad Terram Sanctam (Udhëtimi i Simon Simonit nga Irlanda në Tokën e Shenjtë). Dorëshkrimi ruhet në bibliotekën Corpus Christi College në Kembrixh. Udhëpërshkrimi përmban të dhëna për kontrollin dhe procedurat e doganës, zakonet, monedhat, lëndët e para dhe prodhimet e vendeve të vizituara, për kishat etj. Midis tjerash, ai shkruan: ”Albanya est provincia inter Sclavoniam et Romanyam, per se linguam habens (Shqipëria është një provincë midis Sllavëve dhe Romanisë (Bizantit), me një gjuhë të vetën). Ai shkruan edhe për Durrësin.

– E fundit nga këto raste ku përmendet gjuha shqipe dhe ndoshta e para përmendje e vërtetë për ekzistencën e shkrimit në shqip ka qenë ajo e vitit 1332 nga murgu dominikan frëng Brokard ose Frère Brochard (lat. Brocardus monacus). Në një vepër latinisht me titull Directorium ad passagium faciendum, Brokardi shkruan: Licet Albanenses aliam omnino linguam a latina et diversam, tamen litteram latinam habent in uso et in omnibus suis libris” (Shqiptarët në të vërtetë kanë një gjuhë krejt të ndryshme nga latinishtja, ndonëse përdorin shkronjat latine në të gjithë librat e tyre). Nuk dihet saktë nëse Brokardi ka pasur parasysh libra në gjuhën shqipe të shkruar me alfabet latin apo thjesht libra të shkruar në gjuhën latine.

7 sekretet e errëta të Vatikanit

696 × 534 Search within image Edhe pse është vendi më i vogël në botë, i shtrirë në një sipërfaqe prej vetëm 110 hektarësh, Vatikani ka nj...