Referat i mbajtur nga Prof.Dr. Xhevat Lloshi
në Konferencën e mësuesve të gjuhës amtare shqipe,
më 7-8 mars 2003 në Malmö të Suedisë.
MËSIMI I SHQIPES NË RRETHANAT E REJA
Dhjetë vjetët e fundit në Shqipëri kanë ndodhur shumë ndryshime të thella politike, ekonomike e shoqërore. Në rrethanat e reja të krijuara si pasojë e tyre, ka ndryshuar edhe problematika e gjuhës shqipe. Dëshiroj të trajtoj disa nga zhvillimet e fundit, që kanë rrjedhime të drejtpërdrejta për mësimin e shqipes në shkollë, madje ndërthuren edhe me fushat e tjera të historisë, të kulturës, të letërsisë e deri te identiteti kombëtar shqiptar në mijëvjeçarin e ri.
Siç dihet, me Kongresin e Drejtshkrimit më 1972 u vendos që shqipja do të ketë një normë drejtshkrimore të vetme dhe kështu u përcaktua që do të kemi një gjuhë standarde, ose të quajtur ndryshe, gjuhën letrare kombëtare apo edhe gjuhën letrare të njësuar. Norma u bë e detyrueshme në të gjitha fushat e jetës publike dhe u pranua nga shqiptarët në Kosovë, në Maqedoni, në Malin e Zi dhe te arbëreshët.
Mirëpo me shembjen e regjimit njëpartiak u shfaq një rrymë, e cila e ka quajtur gjuhën standarde si një zgjidhje të dhunshme, që prandaj duhet flakur tej. Një rrymë tjetër ka kërkuar që të kemi dy gjuhë standard: njërën mbi bazën e gegërishtes dhe tjetrën mbi bazën e toskërishtes, ndërkaq kjo gjendje të mbetet përgjithmonë për shqiptarët me dy gjuhë standarde. Një rrymë e tretë mëton se shqipja e Kongresit të Drejtshkrimit ka dështuar, prandaj do të presim të shohim se çfarë do të bëhet dhe puna do të gjejë zgjidhje në të ardhmen.
Cila është gjendja reale, pavarësisht nga parapëlqimet e rrymave ose të individëve të veçantë?
Shqipja standarde vijon të kryejë rolin e saj për jetën politike, ekonomike, shoqërore e kulturore dhe është varianti i vetëm që mësohet në shkollë. Nga ana tjetër, askush nuk pengohet të shkruajë e të botojë në variantin e gegërishtes që pëlqen. Po ashtu, në shkollë jepet mësim lënda e letërsisë, e cila përfshin edhe tekste të shkruara në variantet e gegërishtes.
Përfundimisht, gjendja nuk është aq e thjeshtë dhe jemi përballë një problemi, për të cilin mund të diskutohet gjatë, edhe pse tashmë është trajtuar mjaft shpesh gjatë këtyre dhjetë vjetëve të fundit. Të më lejohet të tregoj se çfarë po ndodh dhe cili është mendimi im kundrejt dukurive të sotme. Kështu do të kishim një truall për të bërë pyetje më konkrete dhe një diskutim më të rregullt.
Në jetën e përditshme njerëzit përdorin një trajtë ligjërimi, që përcaktohet nga shumë rrethana të familjes e të formimit të tyre. Për këtë arsye fëmijët që pastaj bëhen nxënës mëkohen me gjuhën e nënës, e cila nuk është gjithnjë sipas standardit. Prandaj nevojitet lënda e gjuhës në shkollë. Trajta standarde e gjuhës mësohet në shkollë. Kjo është e vërtetë për cilëndo gjuhë të vendeve të tjera rreth nesh. Me gjuhën standarde zhvillohen të gjitha veprimtaritë shtetërore e publike.
Gjuha standarde jepet mësim në shkollë, domethënë norma e saj drejtshkrimore, e mbështetur me gramatikën dhe fjalorin. Mendoj se kjo duhet të vijojë të jetë rruga e shkollës shqipe edhe në të ardhmen. Shqipja letrare që kemi shërben sot si shenja kryesore e identitetit kombëtar dhe me të do të përfaqësohemi si zë me peshë në familjen europiane, që do të jetë e përbashkët edhe për ne. Përndryshe do të ndodhemi përballë ndërlikimeve të mëdha. Në vend të teorizimeve, po shtroj fare thjesht këtë pyetje: nëse nuk i përmbahemi kësaj zgjidhjeje, si do t’u përgjigjemi autoriteteve arsimore suedeze, që na ndihmojnë për të bërë fjalorët dygjuhësh? Do t’u themi se duhen bërë disa fjalorë të ndryshëm suedisht-shqip, sepse ne kemi disa gjuhë të ndryshme shqipe? Pastaj do t’u kërkojmë klasa të ndryshme, me tekste të ndryshme, me mësues të ndryshëm, duke i ndarë nxënësit në grupe të ndryshme, sepse nuk kemi gjuhë të përbashkët? Besoj se përgjigjja për këto pyetje është e qartë.
Ndërkaq, ne nuk do t’i mbyllim sytë përpara faktit, që jo vetëm në jetën e përditshme, por edhe në botimet nxënësit tanë ndeshen me variante, të cilat ndryshojnë nga norma. Përballë kësaj gjendjeje, ka mënyra të ndryshme për ta ndihmuar nxënësin. Po përmend dy prej tyre.
E para, gjatë punës me tekstet, të cilat nuk janë plotësisht sipas normës, t’u shpjegohet qysh në fillim nxënësve, se aksh vjershë ose aksh copë në prozë ndryshon nga norma, por është përsëri gjuha shqipe me disa veçori dalluese. Për shembull, fare thjesht mund t’u tregojmë, se sipas normës kemi fjalën zëri, porse shqipe është edhe trajta zani. Kjo e fundit nuk është gabim, por bën pjesë në një të folme ose variant të shkruar, që ndeshet edhe në të folur, vetëm se nuk mundemi me shkrim të përdorim shumë trajta për të njëjtën gjë dhe do t’u përmbahemi zgjidhjeve sipas një sistemi.
E dyta, në klasat më të larta, u jepen nxënësve njohuri më të përgjithshme për gjuhën shqipe, duke përmendur edhe dialektet e stilet. Natyrisht, kjo bëhet në mënyrën e përshtatshme për nxënësit dhe praktikisht njohuri të tilla janë përfshirë në librin e klasës së tetë. Ndërsa mësuesit tashmë i kanë përgatitur nxënësit që ta ndiejnë veten të familjarizuar me këtë dukuri. Është e nevojshme që fëmijët tanë të njohin diçka nga historia e gjuhës, nga ndarjet dialektore, duke i sistemuar hap pas hapi dallimet kryesore, jo vetëm për të përvetësuar mirë normat e gjuhës dhe përdorimin e saj në mjediset e ndryshme të komunikimit, por edhe si pjesë të kulturës kombëtare, për t’u rrënjosur idenë, se pavarësisht nga disa dallime, ne i përkasim në thelb të njëjtit identitet kombëtar. Kurse këto dallime janë pasuri e brendshme e këtij identiteti, siç janë kostumet e krahinave të ndryshme, këngët e vallet popullore sipas krahinave, e kështu më tej.
Qëllimi kryesor do të jetë kurdoherë një: t’i bëjmë të vetëdijshëm nxënësit se ka një normë standarde për nevojat publike, se pa zotëruar atë na mungon themeli e do të kishim vështirësi të padobishme komunikimi ndërmjet nesh. Por ta dinë se ka edhe variante, që nuk përbëjnë as gabime, as gjynahe, përkundrazi, duke pasur njohuri për to, do të na lehtësohet komunikimi me të gjithë bashkëkombasit kudo në botë dhe do të kemi një çelës për të shfrytëzuar gjithçka është shkruar në gjuhën shqipe gjatë shekujve. Ne duam që asnjë shqiptar të mos thotë se nuk e lexon dot Fishtën ose, anasjelltas, se i duket i pakuptueshëm Fan Noli.
Një problem, që po diskutohet vitet e fundit, është vendi i gjuhës shqipe si lëndë mësimore në sistemin shkollor.
Një çerek shekulli më parë gjuha shqipe u hoq nga shkollat e mesme si lëndë më vete. Ka vijuar vetëm në shkollat pedagogjike, që përgatisin mësues. Heqja e lëndës u argumentua me forcimin e lëndës së letërsisë shqipe, duke e quajtur se aty është shqipja e gjallë, e zbatuar konkretisht, dhe nuk ka nevojë për teori gramatikore. Mirëpo praktika ka dëshmuar se përgatitja gjuhësore e nxënësve që përfundojnë shkollat e mesme është mjaft e dobët dhe, si rrjedhim, ata që përfundojnë universitetet, paraqiten shumë keq në komunikimin publik dhe në fushën e punës së tyre me shkrim e me gojë. Përvoja e disa shteteve europiane është krejt e kundërt. Madje edhe në konkurset për pranime në degët e shkencave natyrore e teknike u bëhet provim për gjuhën amëtare. Përfytyroni sikur të ishte e njëjta gjendje e pakënaqshme për zotërimin e anglishtes, çfarë do të bëhej atëherë me gjuhën angleze në internet dhe në të gjitha fushat e tjera në botën e sotme, çfarë vështirësish do të përftoheshin e madje edhe çfarë dëmesh të mëdha ekonomike e financiare do të shkaktoheshin.
Në këto rrethana, prej kohësh është ngritur zëri që gjuha shqipe të rikthehet si lëndë në shkollën e mesme. Përkrahësit e tezës se mjafton të forcohet mësimdhënia e letërsisë nuk gjejnë më mbështetje. Por ka një kundërshtim të fortë lidhur me metodën e mësimit të shqipes në shkollën e mesme. Shumica e quajnë krejt të pafrytshme përsëritjen pedante të rregullave të morfologjisë e të sintaksës. Kështu kanë nisur përpjekjet për një konceptim të ri të shqipes në shkollën e mesme. Është e kuptueshme, që do të vijë dita për një harmonizim tjetër të kësaj lënde si në tetëvjeçare, edhe në të mesmen. Për ta dëshmuar këtë, po tregoj një rast. Në të vërtetë, disa elementë në tekstet që përdoren sot për shkollën tetëvjeçare e kanë ngarkuar shumë lëndën për nxënësit. Ata janë marrë nga problematika, që do të ishte e përshtatshme vetëm për shkollën e mesme. Konkretisht, libri i gjuhës për klasën e pestë ka përmbajtjen e një libri gjuhe për italishten në shkollën e mesme italiane. Prandaj është shumë i vështirë si për nxënësit, edhe për vetë mësuesit që punojnë me të në klasë. Kjo gjë duhet të ndryshojë
Janë duke u bërë disa eksperimente me tekstet për shkollat pedagogjike dhe për shkollat e mesme të gjuhëve të huaja. Më 1994 u botua teksti Njohuri nga teoria e letërsisë dhe stilistika gjuhësore. Pjesa për stilistikën gjuhësore ishte hartuar prej meje. Pesë vjet më vonë stilistika gjuhësore u shkëput më vete dhe u botua e plotësuar me titullin Gjuha dhe jeta për vitin e parë të shkollës së mesme të përgjithshme të profilizuar. Më pas u ngrit një grup i gjerë autorësh dhe u hartua programi i gjuhës shqipe për shkollat e mesme pedagogjike dhe të gjuhëve të huaja, i mbështetur në konceptime më të reja gjuhësore e të didaktikës për mësimin e gjuhës, ku përparësi merr aspekti komunikativ.
Struktura e këtij programi e orienton mësuesin në tre boshte kryesore:
1. Shprehi komunikative, duke synuar të folurit, leximin dhe shkrimin. Për shembull, nxënësit të mësojnë se si të hartojnë një recension, koment, referat, përshkrim, tregim, përmbledhje, apo si të komunikojnë në treg, në hotel, në aeroport, si të flasin për një film, të bëjnë debat, të flasin para kamerës, të përgatisin llojet e ndryshme të letrave e të dokumenteve, të shkruajnë fjalime, kumtesa, udhëzues për përdorim pajisjesh, biografi, të mbajnë shënime etj.
2. Njohuri rreth gjuhës e dukurive të saj, duke përfshirë: historinë e gjuhës, fonetikë, drejtshkrim, drejtshqiptim, leksikologji, stilistikë, sintaksë e morfologji.
3. Shprehi informative, duke ndihmuar nxënësit si të gjejnë e të përvetësojnë informacionet, madje edhe të punojnë në kompjuter, të përdorin e-mailin dhe internetin, të shfrytëzojnë fjalorët, enciklopeditë, bibliotekën.
Nga mësuesit kërkohet që të mos kufizohen vetëm me tekstin, por edhe të gjejnë vetë modelet më të mira të shqipes së shkruar e të folur, sidomos të ndjekin botimet e reja. Pjesa për stilistikën gjuhësore përsëri është përgatitur prej meje. Lënda është dërguar për shtyp dhe më vjen keq që ende nuk ka dalë libri, i cili do të ishte i dobishëm edhe për mësuesit e shkollës tetëvjeçare, për të zgjeruar horizontin e tyre. Besoj se një tekst i tillë u përgjigjet më mirë edhe nevojave të nxënësve shqiptarë kudo që ndodhen në vendet e tjera.
Pas luftës në Kosovë e në Maqedoni është krijuar një hapësirë e re politike shqiptare. E gjithashtu kanë lindur çështje të reja për shqipen, për të cilat nuk është fjala thjesht të trajtohen në nivelin e teorisë, por edhe të ndiqen zbatime konkrete për të sotmen e për të ardhmen. Disa njerëz, e vërteta është se përbëjnë një grup të vogël, kanë shfaqur mendimin se me krijimin e shtetit të pavarur në Kosovë, bashkë me simbolet e veçanta mund të vihet në përdorim edhe një gjuhë standarde e mëvetësishme, e ndryshme nga gjuha standarde në Shqipëri. Përsëri kemi të bëjmë me një problem të ndërlikuar, për të cilin mund të diskutojmë gjatë, por e quaj të panevojshme të zgjatem tashti për këtë pikë, duke mbetur i hapur për të gjitha llojet e pyetjeve.
Lidhur me shkollën na shfaqet atëherë kjo mëdyshje: a do të jetë e ndryshme shkolla shqipe në Shqipëri e në Kosovë, Maqedoni e diasporë, apo do të shkojmë drejt njësimit? Për mendimin tim, zgjidhja më e pranueshme do të ishte të shkojmë drejt njësimit, por duke zbatuar konceptet bashkëkohore për mësimin. Sipas këtyre koncepteve, kemi kurdoherë një program mësimor; në bazë të tij ndërtohen disa tekste, prej të cilëve njëri quhet i përbashkët, duke synuar plotësimin e programit, që përbën themelin e përbashkët të njohurive. Por kjo nuk përjashton që mësuesit të kenë mundësinë të zgjedhin ndërmjet teksteve alternative, ashtu siç mendojnë ata se mund të arrihen më mirë synimet didaktike. Shkurt, ky është njësimi i shoqëruar me alternativa. Përpjekjet në këtë drejtim kanë nisur që me librin fillestar e themelin e gjithçkaje, pra, me abetaren. Qëllimi përfundimtar mbetet që nxënësit shqiptarë, pavarësisht se ku ndodhen, ta përvetësojnë mirë gjuhën amëtare dhe thelbin e kulturës kombëtare shqiptare.
Ndryshimet e këtij dhjetëvjeçari kanë prekur thellë jo vetëm jetën e brendshme në hapësirën politike shqiptare, por edhe marrëdhëniet me botën. Nga ky këndvështrim, dy ngjarjet më të mëdha janë hapja e Shqipërisë ndaj botës dhe largimi i pushtuesve serbë nga Kosova. Pasojat gjuhësore prej këtej janë shumë të gjera e të ndërlikuara. Mjafton të përmend se lufta e zhvilluar në Maqedoni për të drejtat e shqiptarëve u përqendrua kryesisht në problemin gjuhësor dhe marrëveshjet e Ohrit. me ndërhyrjen e Shteteve të Bashkuara e të Bashkimit Europian pjesën më të gjerë e kanë për gjuhën. Për më tepër, siç e dini, edhe sot vështirësitë për zbatimin e marrëveshjeve të Ohrit janë të mëdha pikërisht në zbatimin e përdorimit të shqipes. Po shtoj vetëm kaq, se në janar të këtij viti kryesuesja e Parlamentit Europian, Doris Pack, gjatë dy ditëve në Maqedoni u ka sugjeruar politikanëve dhe autoriteteve shtetërore maqedonase të ndjekin modelin belg, sipas të cilit në institucione përdoren gjuhët pa kufizim. Besoj se është vërtet fakt historik, që kryesuesja e Parlamentit Europian interesohet për gjuhën shqipe!
Pasojat gjuhësore që përmenda prej hapjes së Shqipërisë dhe të ndryshimeve të statusit të shqiptarëve në Ballkan lidhen edhe me faktorë të tjerë, që ndërthuren në këto procese. Popullsia e Shqipërisë gjatë dhjetë vjetëve të fundit jo vetëm nuk ka shkuar duke u shtuar, por madje edhe është pakësuar. Edhe nga viset e tjera shqiptare të Ballkanit është larguar një numër i madh banorësh, që janë vendosur kryesisht në Europë e në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Numri i shqiptarëve jashtë Shqipërisë, me sa duket, do të jetë më i madh sesa brenda vendit. Problemi i ri që shtrohet me mprehtësi është dygjuhësia për shqiptarët.
Një e pesta e shqiptarëve të Shqipërisë tashmë si emigrantë jetojnë rregullisht me një gjuhë tjetër të dytë. Një pjesë tjetër dalin jashtë vendit dhe kthehen përsëri në atdhe në mënyrë të përsëritur. Brenda vendit jo vetëm nëpërmjet arsimit të rregullt, por edhe me shumë rrugë të tjera mjaft njerëz kanë përvetësuar mirë një gjuhë tjetër të dytë. Konstatimi i përgjithshëm është se tashmë 30 për qind e shqiptarëve të Shqipërisë është dygjuhëshe. Duke u shtuar trysnia e globalizimit dhe prirja për integrimin në Europë, na del se tashmë gjysma e shqiptarëve janë dygjuhësh.
Në Kosovë ka pushuar dygjuhësia e imponuar me serbishten nga sundimi i gjatë, por tashmë anglishtja është zyrtarisht gjuha e dytë në Kosovë. Në Maqedoni, siç e përmenda, po luftohet që të arrihet në praktikë statusi zyrtar i shqipes, deri edhe te kërkesa që në pasaportë të jenë të dyja gjuhët.
Çfarë do të bëhet me shqiptarët, që jetojnë larg trojeve të tyre dhe e kanë të domosdoshme të njohin një gjuhë të huaj si gjuhë kryesore për të jetuar e punuar? Sociolinguistika madje na mëson se në këto raste gjuha e vendit të huaj bëhet gjuha me prestigj, mjeti i komunikimit publik i domosdoshëm për të jetuar, për të punuar dhe për të marrë pjesë në shoqërinë e në kulturën përkatëse. Teorikisht këto gjëra studiohen nga shkenca, por neve na intereson sidomos fati i fëmijëve shqiptarë, që rriten sot në kushtet e dygjuhësisë, duke u shndërruar gjuha shqipe në mjetin e përdorur vetëm për jetën familjare. Ne nuk kemi arritur të krijojmë bashkësitë me të gjithë elementët e kulturës e të mjedisit komunikativ, siç ndodh, për shembull, me bashkësitë e mëdha të popujve të tjerë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në ato raste ka një mjedis të plotë, ku gjuha amëtare nuk rrëgjohet vetëm në vatrën e familjes, si një vlerë e dorës së dytë. Për fëmijët tanë ka një rrezik të vërtetë, që ta humbasin gjuhën amëtare. Nuk e vlen të citoj këtu fakte e shifra konkrete, që tashmë i kemi për këtë gjendje.
Kërkesa jonë duhet të jetë dhe të gjitha përpjekjet tona duhet të bëhen që të mos ndodhë kështu. Këtu nuk është fjala për nacionalizëm ose për romantizëm, të cilat edhe pse kritikohen nga disa, nuk flaken dot pa pasoja madje deri në psikologjinë e individit, në problematikën e identifikimit vetjak dhe të rrënjëve të tij. Jo rastësisht Europa e Bashkuar e ka pranuar shumësinë e gjuhëve si pasuri të kulturës europiane. Dhe prandaj, duke punuar në këtë drejtim, ne nuk jemi në kundërshtim me prirjet e kohës së sotme. Por njëkohësisht nuk duhet të mos e shohim të vërtetën drejt në sy. Jo të gjitha shtetet i përmbahen këtij orientimi europian.
Në Turqi ka një numër të madh shqiptarësh, ndoshta më shumë se një milion, duke nënkuptuar njerëzit që e kanë këtë vetëdije dhe jo thjesht nga prejardhja. Shteti turk nuk e ka shtruar për diskutim fatin e kulturës së tyre gjuhësore dhe vetë ata nuk kanë ndërmarrë ndonjë nismë të organizuar me peshë. Në këto rrethana as nuk flitet për shkolla shqipe, për gazeta e për programe televizive e kështu më tej.
Shteti grek nuk e ka nënshkruar Kartën Europiane për mbrojtjen e gjuhëve rajonale dhe të pakicave, të përgatitur më 1992 e të miratuar përfundimisht më 1998. U nënshkrua një marrëveshje më 1998, sipas së cilës kundrejt shkollave në Shqipëri të hapeshin edhe shkolla shqipe në Greqi, por zbatimi i saj është penguar me gjithfarë mënyrash.
Natyrisht, nuk është kudo kështu. Ka vende europiane, që po krijojnë rrethana të përshtatshme për kulturën në gjuhën shqipe. Në Zvicër, për shembull, ka një Lidhje të arsimtarëve Shqiptarë dhe punon një Universitet Shqiptar. Në Itali në nëntor 1999 Senati italian miratoi ligjin "Për pakicat gjuhësore", i cili u jep mundësi komunave me një të tretën e votave të këshilltarëve ose me 15 për qind të qytetarëve ta fusin në përdorim shqipen nga kopshtet e deri në shkollën e mesme, madje gjuha e pakicës mund të përdoret edhe në gjyqe.
Megjithatë niveli më i përparuar është arritur në Suedi, ku qeveria financon arsimin e pakicave dhe hartimin e fjalorëve dygjuhësh, plotëson shkollat me mësues të shqipes, pasuron bibliotekat me libra shqip, shoqatat dhe shtypi shqip nuk ndeshin asnjë pengesë. Ju këto gjëra i jetoni praktikisht dhe i dini më mirë se unë. Mua më lejoni, në emër të kulturës shqiptare, të falënderoj me gjithë zemër shtetin suedez, i cili me këtë mënyrë tregon respektin më të thellë për popullin tonë, për historinë e tij, për vlerat e tij europiane.
Çfarë po bëhet në këtë drejtim?
Nga njëra anë, kemi përpjekjet e vetë bashkësive shqiptare në shumë vende të botës. Shumë familje shqiptare janë të shqetësuara për fëmijët e tyre, që po e braktisin shqipen. Në gazetën "Shekulli" në Tiranë janë botuar mjaft letra të lexuesve nga vende të ndryshme për këtë shqetësim. Duke i njohur mundësitë reale, arsyeja e kësaj gjendjeje është se nuk mund të gjendet një zgjidhje për këtë problem vetëm me shkolla private, as dhe me shoqata e me nisma vetjake dashamirëse. Është e domosdoshme mbështetja e shtetit të vendit përkatës. Shqipërisë i bie detyra të luftojë në nivelin e Bashkimit Europian për ta përmirësuar mësimin e shqipes në vendet përkatëse. Ministri i jashtëm, Ilir Meta, ka premtuar këtë vit se do të kërkohen marrëveshje me Italinë e Greqinë për krijimin e shkollave plotësuese, ku të mësohet shqipja, dhe për hartimin e teksteve, si dhe do të ngrihen dy qendra kulturore: në Athinë e në Romë. Nga ana tjetër, është detyrë e të gjitha institucioneve kombëtare shqiptare, që të interesohen për veprimtaritë mbështetëse të identitetit kombëtar për shqiptarët kudo në botë. Puna e parë është përgatitja e teksteve dhe e materialeve të tjera shkollore në sasi të mjaftueshme, si dhe dërgimi i tyre në qendrat e ndryshme, duke u interesuar deri në fund që të bien në duart e fëmijëve shqiptarë.
Përveç kësaj ane të bazës materiale, këtu ka edhe çështje pedagogjike të posaçme. Krahas botimeve mësimore që përdoren për shkollat e Shqipërisë, del e nevojshme të hartohen edhe materiale, në të cilat të mbahet para sysh gjendja reale e fëmijëve në mjedisin e huaj dhe dygjuhësh. Është botuar një libër me titullin Gjuha shqipe për të huajt dhe shqiptarët jashtë atdheut, por me gjithë këtë titull, autorët nuk kanë njohuritë e nevojshme, dhe as përvojën e mësimit të shqipes në këto kushte. Teorikisht problemi shtrohet kështu: një fëmijë është shqiptar dhe duhet të mësojë një gjuhë të huaj, domethënë nuk mund ta mësojë shqipen sipas një metode për të huajt; është e kundërta. Mund të duket e papritur, por na del se përvetësimi i shqipes në kohën tonë është i lidhur drejtpërdrejt me mësimin e gjuhëve të huaja.
Njëra nga metodat më të njohura për të përvetësuar një gjuhë të huaj është ajo që quhet metoda e drejtpërdrejtë. Krijohet sa më shumë mjedisi, që fëmija të gjendet në situatën e gjuhës së huaj dhe mendohet se kjo jep sukses më të shpejtë e më të sigurtë. Nuk do ta mohojmë se metoda e drejtpërdrejtë ka përparësitë e veta, por ajo e përjashton ballafaqimin me shqipen dhe vendosjen e lidhjeve të qëndrueshme midis të dyja gjuhëve, prandaj ajo del në dobi të gjuhës së huaj dhe kundër interesave të kulturës kombëtare.
Mbrojtja dhe përpunimi i shqipes përgjithësisht sot varen nga zotërimi sa më i mirë i gjuhëve të huaja. Rrjedhimet praktike prej këndej janë disa. Së pari, vetë prindët duhet ta dinë gjuhën e huaj sa më mirë, ta njohin me gramatikë e të punojnë për ta zotëruar edhe në nivelin kulturor, jo vetëm për në punë e për në pazar. Duke e ditur vetë mirë, do të jenë në gjendje të ndihmojnë edhe fëmijët, madje anasjelltas, të përfitojnë nga mësimet e fëmijëve në shkollën e gjuhës së vendit. Në këtë mënyrë do të kenë mundësinë që t’u shpjegojnë fëmijëve ose të bashkëbisedojnë me ta sesi dukuritë e ndryshme të gjuhës së huaj kanë mundësi të gjejnë barasvlerëset e shqipes. Fare shkurt do të theksoja, se na nevojitet për çdo rast kjo fjali: suedisht thuhet kështu, kurse shqip e themi kështu, dhe po ashtu anasjelltas: shqip thuhet kështu, kurse suedisht e shprehin kështu. Ju siguroj se kjo fjali jo vetëm do të ndihmonte fëmijët e prindërit bashkarisht, por edhe do të krijonte një marrëdhënie më të ngrohtë në familje, do ta ndihmonte familjen të ecte përpara në integrimin brenda shoqërisë së huaj, pa lejuar që të krijohet shkëputje gjuhësore ndërmjet prindërve dhe fëmijëve, madje duke mundësuar daljen nga izolimi kulturor të familjes në mjedisin e huaj, i cili mbetet sidomos i huaj, kur nuk thith pak nga pak kulturën e tij përmes gjuhës.
Ndërkaq, del e domosdoshme të përpunohen materiale të mirëfillta gjuhësore për ballafaqimin ndërmjet dy gjuhëve. Duke i pasur këto materiale, mësuesit e shqipes në mjedisin dygjuhësh do ta kenë shumë më të lehtë të japin mësimin e lëndës së shqipes. Në fakultetet tona pedagogët e gjuhëve të huaja prej vitesh punojnë në këtë fushë të studimit të ballafaquar midis shqipes dhe një gjuhe të huaj. Është koha që kjo punë të shkojë më tej dhe sidomos të marrë trajtën e librave për përdorim të përgjithshëm, veçanërisht për ballafaqimin ndërmjet shqipes dhe anglishtes, pasi kjo është gjuha e globalizimit dhe përbën probleme të mëdha të ndikimeve të huaja për shqipen. Shqetësimin për këtë tip ndikimi e kanë edhe kulturat e gjuhëve të tjera të Europës së sotme. Duke qenë se nuk e njoh suedishten si gjuhë, nuk jamë në gjendje t’ju parashtroj asgjë konkrete. Por e shoh të dobishme t’ju propozoj kështu një fushë pune për ju, që jetoni në Suedi e që keni në duar edhe gramatikat e fjalorët e suedishtes. Merruni me studimin ballafaques të shqipes me suedishten, gjeni rregullat e kalimit të një dukurie nga njëra gjuhë në tjetrën dhe pastaj nuk është e vështirë të përpunohen mënyrat pedagogjike për të punuar në klasë me nxënësit shqiptarë.
Së fundi, do të përmend edhe një rrethanë tjetër, që e ndihmon nga jashtë shkollimin shqip. Është e nevojshnme të ketë sa më shumë materiale shqip në shtëpitë e shqiptarëve jashtë vendit të tyre. Natyrisht, gjëja e parë janë librat. Çfarëdo libri shqip në shtëpi është një dritëz e shqipes. Le të jetë edhe fjalorë dygjuhësh e të gjuhës shqipe, po edhe libra të shumëllojshëm e sidomos me ilustrime. Po këtu përfshihen gazetat e revistat shqip. Në kohën tonë rëndësi gjithnjë e më të madhe po marrin mjetet elektronike. Janë tepër të dobishme videokasetat me filma, shfaqje e deri te skenat familjare, të marra për kënaqësi e për kujtime nga jeta në atdhe apo me fëmijët, duke folur shqip. Me ndikim të madh janë këngët shqipe e deri thjesht këmbimi i letrave shqip. Gjuha shqipe jeton e gjallë në mjedisin e vërtetë shqiptar. I shërbejnë gjuhës shqipe takimet në qendrat e shqiptarëve, puna në shoqatat e deri tubimet për festa ose dhe për veprimtari politike. Sot bota është bërë e ndërlikuar, por edhe ka krijuar mundësi për të cilat as mund të mendohej pak vjet më parë. Udhëtimet bëhen brenda pak orësh nga pikat më të largëta, nuk është më e vështirë të vish në Shqipëri a në Kosovë e Maqedoni, të kalosh disa ditë pushimesh ose të jetosh disa ditë të tjera me miqtë.
Në botën e sotme globale ka vërtet rreziqe të reja, por ka edhe më tepër mundësi ta ruash identitetin tënd kombëtar, pavarësisht nga largësitë. Për këtë duhet dëshirë, duhet vullnet, por duhen edhe njerëz, të cilët të punojnë me program të qartë e të përkushtuar. Prandaj më lejoni ta mbyll, duke përshëndetur përzemërsisht të gjithë mësuesit e shqipes jashtë vendit dhe të gjithë dashamirësit e tjerë, që shtypin libra e gazeta shqipe, që bëjnë emisione në radio e në televizion, që punojnë në shoqata e që mbajnë klube shqiptarësh, që ftojnë grupe artistike nga atdheu, që ndihmojnë për ekspozita, për festat kombëtare e për veprimtari të tjera, që reklamojnë mallra të prodhuara nga shqiptarët. Edhe pa qenë të vetëdijshëm me fjalë të mëdha, të gjithë janë veprimtarët e kulturës shqiptare dhe frymëzues të shpirtit kombëtar.
XHEVAT LLOSHI