Për të përballuar krizën energjetike që është paralajmëruar për në dimër, Qeveria ka kthyer mundësinë e përdorimit të thëngjillit si alternativë për ngrohje. Komiteti Teknik për Energji i ka rekomanduar Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) që t’u shesë thëngjill edhe qytetarëve dhe bizneseve. Por bazuar në njohësit e çështjes së mjedisit, kjo do ta përkeqësojë ndotjen e ajrit gjatë dimrit dhe do të gjenerojë pasoja edhe në shëndetin e qytetarëve
Rënia e temperaturave do ta rikthejë edhe nivelin e lartë të ndotjes së ajrit. Këtë vit situata pritet që të jetë më alarmante, pasi që afro 4 vjet ndalesë, Qeveria e ka kthyer si alternativë për ngrohje mundësinë e përdorimit të thëngjillit, me synimin që të kalohet më lehtë kriza energjetike e paralajmëruar për në dimër.
Pas lejimit të dhënies së thëngjillit për punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Komiteti për Energji ia ka lejuar kësaj korporate edhe shitjen e thëngjillit për qytetarët dhe për bizneset.
Ekskavatorë të KEK-ut të vendosur tashmë në Mihjen sipërfaqësore të Sibovcit Jugperëndim janë duke nxjerrë thëngjill edhe për shitje. Krahas punëtorëve të KEK-ut, të cilët tash e disa ditë janë duke i marrë nga 10 tonë thëngjill, kjo korporatë që nga 20 tetori do ta fillojë edhe shitjen e rreth 150 mijë tonëve për qytetarët dhe bizneset.
Një ton do të kushtojë 15 euro për amvisëri, ndërsa 20 euro për biznese.
Në KEK kanë bërë thirrje që të interesuarit ta shfrytëzojnë mundësinë për furnizim me thëngjill, me qëllim që të përballohet më lehtë kostoja e rritur për ngrohje gjatë sezonit dimëror.
Mirëpo për njohësit e mjedisit, alternativa e ofruar nga Qeveria është kualifikuar si ad-hoc dhe se do të kenë pasoja të mëdha për mjedisin dhe për shëndetin e qytetarëve.
Egzona Shala-Kadiu, drejtoreshë në organizatën “EcoZ”, ka numëruar pasojat afatgjata të ekspozimit të qytetarëve në ajër të ndotur.
“Ekspozimi ynë ndaj qymyrit, qoftë në formë të drejtpërdrejtë në familje apo në formë të tërthortë në ambiente të hapura, do të jetë me shumë pasoja në shëndetin tonë. Nuk janë pasoja që do të shihen brenda 2-3 vjetëve, por janë pasoja që akumulohen në traktin e frymëmarrjes dhe madje do të vërehen efektet negative”, ka thënë ajo.
Me gjithë pasojat mjedisore, profesori Zeqir Veselaj ka thënë se gjatë këtij viti do të jetë e vështirë që familjeve t’u ndalohet djegia e thëngjillit për ngrohje kundruall thellimit të krizës energjetike të paralajmëruar për dimër.
“Është një korrelacion i qartë: Sa më shumë dru dhe qymyr të digjen, aq më shumë shkarkime ndotëse në ajrin ambiental. Dhe sa më shumë që ajri ambiental është i ngarkuar me substanca ndotëse, shëndeti publik është më i rrezikuar. Sipas kësaj, pritet të ketë një rritje të incidencës së sëmundjeve të organeve të frymëmarrjes dhe atyre kardiovaskulare gjatë muajve të dimrit”, ka thënë Veselaj.
Ai ka theksuar se cilësia e ajrit do të përkeqësohet gjatë ditëve të dimrit, pikërisht shkaku i rritjes së nevojës së amvisërive për përdorimin e lëndëve të lira djegëse – dru e qymyr – për ngrohje.
“Këto janë pasoja të mungesës së zgjidhjeve strategjike e sistemike të problemeve madhore të një shteti, siç është siguria energjetike dhe ajo e mbrojtjes së mjedisit. Energjia është çështje e sigurisë kombëtare, në njërën anë, ashtu siç është në anën tjetër edhe kontribuuesi kryesor në emetimet e gazrave ndotëse në atmosfere, përfshirë ato me kontribut në efektin serrë, siç është CO2”, ka thënë profesori Veselaj.
Ai ka theksuar se fakti që nuk janë bërë hapa seriozë në trajtimin e problemeve të mjedisit dhe të ndryshimeve klimatike është theksuar edhe në Raportin e Progresit të Këshillit Evropian (KE) për vitin 2022, i cili përbën rikonfirmimin e konstatimeve të këtilla sikurse në çdo raport të mëhershëm.
Kosova e zë vendin e pestë në botë për nga rezervat e linjitit. Por bazimi i saj në qymyr për prodhimin e energjisë elektrike ka dhënë efekte negative.
Bazuar në analizat vendore dhe ato ndërkombëtare, burimi kryesor i ndotjes në Kosovës është KEK-u me dy termocentralet e tij me thëngjill, që ndodhen në Obiliq dhe që janë aktive gjatë gjithë vitit, si dhe ekonomitë familjare që djegin thëngjill për ngrohje.
Një analizë e mëhershme e kryer nga Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) ka treguar se këto termocentrale kontribuojnë vazhdimisht në ekspozimin e popullsisë ndaj dyoksid karbonit (CO2), dyoksidit të sulfurit (SO2), dyoksidit të azotit (NO2), ozonit (O3), plumbit (PB), pluhurit, tymit, diovinave dhe prometiumit (PM).
Ndotja e shkaktuar nga këto termocentrale prek një hapësirë të gjerë. Krahas Obiliqit, nga ndotja pësojnë edhe Prishtina dhe Fushë-Kosova.
Oxhaqet e termocentralit “Kosova A” kanë nisur të tymosin që në vitin 1962, kur është ngritur blloku i parë nga pesë ekzistuesit, tre prej të cilëve janë jashtë funksionit. Pas një presioni ndërkombëtar për t’i dhënë fund ndotjes enorme nga termocentrali, autoritetet patën bërë zotimin për ta mbyllur atë më së largu deri në vitin 2017. Kjo nuk është bërë shkaku i hendekut midis kërkesës për energji elektrike dhe asaj që prodhohet.