A është rastësi ndërtimi i 48 bazave ushtarake nga Serbia në afërsi të kufirit me Kosovën?
Madje këtë e bënin edhe në formë uluritjesh në studio, por edhe me tensionin e shkrimit, të tipeve të manifesteve. Edhe sot po sillen thuajse njësoj, thuajse ata janë pushteti, dhe jo media apo nga shoqëria civile, ‘trupat’, që duhet të kërkojnë më shumë se kushdo zbatimin e germave të Kushtetutës!
Por, meqë kjo nuk po ndodhë, dhe ku ndjesia e atdhetarisë shqiptare është brishtësuar, sa ajo duket vetëm qëllim i grupeve të vogla, apo edhe e individëve, u mbetet institucioneve të përpiqen më shumë se sa vetë grupet e interesit, që do të duhej ta bënin këtë, dhe të përballen me sfidat e trysnive, ndërkombëtare, që nganjëherë dinë të jenë të fuqishme, dhe madje të papërballueshme!
Miti i demokracisë dhe paqes europiane për shekullin 21, përfundimisht ra me pushtimin e Ukrainës nga Rusia.
Atë që perëndimi dëgjonte nga ankesat e shqiptarëve kundër Serbisë, deri në çlirimin prej saj, duhej t’i përdorte për të identifikuar demokracinë dhe kulturën ruse.
Sigurisht se Perëndimi kishte informacione edhe më shumë se aq, por lëvizjet kundër atij sistemi apo për ta penguar atë, jo vetëm që nuk kishin ndodhur, por kishte bashkëjetuar. Aq sa sot, plasaritjet dhe dështimet po vërehen ende në vendimmarrjen europiane.
E argumentuar kjo edhe me akuza si ndaj një ish-kryeministri francez, ish-ministrave, ish-kancelarit gjerman si Shrëder, ish-diplomatëve austriak e të tjerë. Me të njëjtat dyshime së fundmi në Gjermani u shkarkua kreu i Agjencisë Kombëtare të Sigurisë Kibernetike ArneSchonbohm
Si duket shërbimet inteligjente ruse kanë shfrytëzuar resurse të mëdha parash, investimesh, dhe të inteligjencës për të kapur, figura dhe institucione të ndryshme në Europë. Këtij ndikimi nuk i kanë shpëtuar as vendet si Mali i Zi, Maqedonia, Shqipëria e Kosova, ndërsa Serbia bashkëjeton me ato struktura dhe është bashkëpunëtore duke i vënë në dispozicion territorin dhe asete të tjera.
Kjo së fundi u shpreh edhe nga emërimi i Aleksandër Vulinit, shef i Shërbimit të Inteligjencës, BIA. Emërimi në këtë detyrë i njërit prej kryeprotagonistëve në pushtet të ndikimit rus, e bënë situatën shumë të pafavorshme dhe delikate për sigurinë dhe paqen në Kosovë, por edhe në Ballkan.
Vulini është zyrtari që më së shpeshti ka udhëtuar drejt Moskës dhe është takuar edhe me vetë Putinin, pavarësisht fillimit të pushtimit rus në Ukrainë. Ai udhëtimin e fundit e ka bërë vetëm para ca ditësh. Dhe para emërimit në detyrën e re, ai e shpalli programin serbo-rus, se mosmarrëveshjet me Kosovën nuk zgjidhen pa e pushtuar Kosovën deri në Ibër!
Dhe ky skenar është tipik ai që mund të jetë elaboruar apo bërë edhe marrëveshje ndërmjet Serbisë dhe Rusisë.
Rusia është duke insistuar për ta përshkallëzuar luftën, qoftë madje me përfshirjen e armëve bërthamore. “Rreziku i një konflikti botëror mbetet shumë i lartë”, ka paralajmëruar Putini në një mbledhje të këshillit të shefave të agjencive të sigurisë dhe shërbimeve sekrete të ish vendeve të Bashkimit Sovjetik.
Ndërkohë, ministri rus i Mbrojtjes, Shoigu, ka deklaruar se ushtarët rusë po stërviteshin për lëshimin e një sulmi masiv bërthamor.
SHBA-ja, ia ka kujtuar sërish se do të mund të ballafaqohet me Armagedonin!
Skenari tjetër përmendet apo që mund të përsëritet me atë të 31 korrikut, kur Serbia nëpërmjet strukturave të krimit që i komandon në veri dhe Listës serbe, shpalli alarmet për mobilizim, dhe duke ndjekur një kod të fshehtë, serbët u grumbulluan në disa pika dhe vendosën të paktën tetë barrikadime të fuqishme rrugësh në veri.
EULEX-i, tashmë e pranoi se atë ditë kishte persona të armatosur dhe të maskuar. Pra, skenari i Serbisë për një dhunë me gjakderdhje në të dyja anët ishte i gatshëm. E vetmja zgjidhje doli shtyrja edhe për një kohë e zbatimit të vendimeve për targat me regjistrim fals, të administratës së Millosheviçit, dhe një marrëveshje për lëvizjen me letërnjoftime, që Serbia pranoi ta zbatonte.
Ndër skenarët për një konflikt më të përshkallëzuar se që mund të ndodhë si në rastin e barrikadimit të fundit, nëse Qeveria e Kosovës nuk heq dorë nga vendimi për zbatimin e ndalimit të lëvizjes së automjeteve me targat e Millosheviçit, më i mundshmi është që në rast të shkëmbimit të zjarrit, nga njëra prej 48 bazave operuese dhe ushtarake të Serbisë, do të sulmohet territori i Kosovës, për ta futur Kosovën në luftë dhe për ta provokuar NATO-n.
Më pas Vuçiqi apo kushdo nga drejtuesit e shtetit do të dalë dhe do të arsyetohet, se atje ka ndodhur njëlloj puqi, se është thyer urdhri komandues dhe mbase baza është jashtë kontrollit shtetëror!
Serbia sipas informacioneve shtetërore të Kosovës i ka vendosur 48 baza operuese ofensive, prej të cilave 28 janë baza ushtarake, dhe 20 të tjera të xhandarmërisë rreth kufirit të Kosovës.
Sidoqoftë, se çfarë qasje do të ndjekë Serbia, mbetet të shihet pas takimit, që ka kërkuar Lista serbe me presidentin serb!