Ka vdekur Shyqri Nimani, piktori, dizenjuesi grafik dhe pedagogu shqiptar, i mirënjohur nëpër hapësirat shqiptare për kaligrafimin me dorë në pergamen të Deklaratës së Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, në vitin 2008.
Për humbjen e këtij artisti kombëtar, ka shprehur ngushëllime edhe ministri i kulturës, Hajrulla Çeku.
Përmes një telegram ngushëllimi, ministri Çeku është shprehur se profesor Nimanin do ta kujtojmë si një nga emrat më kulmor të artit në vendin tonë, që la prapa një karrierë të bujshme dhe gjurmë të thella artistike.
“Telegram ngushëllimi
E nderuar familje Nimani,
Me pikëllim pranuam lajmin për ndarjen nga jeta të më të dashurit tuaj, mjeshtrit të arteve të bukura, profesor Shyqri Nimanit.
Në emrin tim dhe të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit shprehim ngushëllimet më të sinqerta për humbjen tuaj.
Do ta kujtojmë si një nga emrat më kulmor të artit në vendin tonë, që la prapa një karrierë të bujshme dhe gjurmë të thella artistike.
Teksa kujtojmë vetëm disa nga veprat e tij, si dorëshkrimin e artë në aktin themeltar të shtetit tonë, Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, krijimin e logos identifikuese të Grand Hotelit, Kosova Filmit deri tek simboli i Universitetit të Prishtinës, e themi me gjithë zemër se prof. Nimani me meritë të plotë e të padiskutueshme ka zënë një vend nderi në listën e gjatë të krijuesve dhe studiuesve të kohës sonë.
Do t’i jemi falënderues dhe përgjithmonë mirënjohës për kontributin e tij në themelimin e departamentit të Dizajnit Grafik në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës, kontributin në themelimin e institucioneve tona të artit, udhëheqjen e Galerisë Kombëtare të Kosovës, si dhe për monografitë reprezentative dhe të rëndësishme mbi trashëgiminë kulturore shqiptare.
Ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, miqve kolegëve dhe gjithë komunitetit.
Sinqerisht,
Hajrulla Çeku
Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit
Për 16 orë ka punuar në këmbë dhe me kurriz të lakuar, sepse ashtu ishin kushtet e punës. Artisti Shyqri Nimani, figura që ka kaligrafuar në pergamenë “Deklaratën e Pavarësisë”, më 16 shkurt të vitit 2008, për 16 orë kishte pirë vetëm ujë.
Dhe në një intervsitë për Agjencionin Floripress , ka treguar se si nuk ka guxuar të lëshohet as në gëzimin e pavarësisë, por ta përfundonte dokumentin e kërkuar. Ai tregon për ethet që i ka sjellë ky dokument, frikën që nuk do të arrinte ta përfundonte punën e kërkuar, sikurse që tregoi se po brenda atyre 16 orëve mori aritmi në zemër, pasoja që po i vuan tash e dhjetë vite.
“Me vete kam pas edhe Agonin, djalin tim. Për një moment më kujtohet që i jam drejtuar duke shpërfaqë frikën time se nuk do të mund t’ia dal. Mbaj mend se si më dha kurajo, duke më thënë se patjetër do t’ia dalim”, ka thënë ai.
Nimani ka treguar se 15 minuta para orës 15:00, atëherë, kryeministri Hashim Thaçi ka ardhë dhe e ka marë dokumentin, duke mbetur artisti i dërmuar në Zyrën e Kryeministrit.
Përmend edhe dëshirën e djalit të tij që të shkonin edhe ata në ceremoninë e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Por, Nimani tregon se si i dërmuar që ishte, ceremoninë e ka përcjellë nga televizori i Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, duke kujtuar edhe atë, se nuk kishte vend për të gjithë në ceremoni. Ai ka kujtuar edhe një detaj tjetër, që për punën e tij, ai nuk është paguar nga Qeveria e Kosovës!
Kanë kaluar dhjete vite nga koha kur edhe e keni shkruar Deklaratën e Pavarësisë, dhe duke shikuar nga kjo distancë, si e kujtoni atë 16 orësh, që vlerësohet të ketë qenë kohë shumë stresuese për ju?
Shyqri Nimani: Ishte 16 shkurti i vitit 2008, një ditë para shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Atë kohë, më ftoi kryeministri i atëhershëm i Kosovës- Hashim Thaçi. Më kujtohet shumë mirë, ka qenë ora 21:00 kur ma dhanë tekstin e Deklaratës së Pavarësisë, ku kërkuan nga unë që ta kaligrafoja në pergamenë (lëkurë e viçit). Teksti që ma lëshuan në dorë ishte plot tri faqe të formatit A/4, secili që është artist e kupton shumë mirë stresin tim për ta rrumbullakuar atë punë për 16 orë.
Unë pata pasë një takim edhe më herët, ku ju pata shpjeguar që nëse do të ishte deklarata në formatin A/4, në vetëm një faqe, duhen gjashtë ditë pune që të përfundonte deklarata ashtu si duhej, kurse mua më dorëzuan këtë dokument me tri faqe të plota.
Në momentin e fundit e kuptova se sa shumë ka tekst, dhe u befasova shumë, pastaj teksti që ma dhanë kishte edhe gabime gjuhësore, sepse, teksti ishte përkthyer nga anglishtja, dhe mu desh që edhe me këtë problem të merrem, që tekstin fillimisht ta korigjoja.
Sepse, kur fillon të shkruash në pergamenë, aty më nuk lejohet të gabosh.
Shpërblimet e mirënjohjet kryesore:
1971- Shpërblimi i Dhjetorit (i Kosovës), Prishtinë; 1972 – Attestato di Benemerenza, Sassoferrato, Itali; 1973 – Shpërblimi vjetor i SHAAK, Prishtinë; 1974 – Mirënjohja publike e qytetit të Prishtinës; 1979 – Shpërblimi i Nëntorit i qytetit të Prishtinës; 1985 – Shpërblimi i Sallonit Pranveror të Kosovës; 1986 – Shpërblimi i Sallonit Pranveror të Kosovës; 1997 – Shpërblimi për monografinë“Trojet Shqiptare në Harta dhe Stema” me rastin e 85 vjetorit të Republikës së Shqipërisë.
Disa nga monografitë reprezentative dhe më të rëndësishme të Shyqri Nimanit mbi trashëgiminë kulturore shqiptare:
– Onufri dhe piktorë të tjerë mesjetarë shqiptarë
(Onufri and Other Albanian Medieval Artists), Prishtinë, 1987
– Arti bashkëkohor i Kosovës, (Contemporary Art of Kosova), Prishtinë, 1988
– Përgatitja e librit (Book Design), Prishtinë, 1990
– “10×10 – Ars Longa Vita Brevis”, Prishtinë, 1994
– Trojet shqiptare në harta dhe stema, (Albanian Lands in Maps and Emblems),
(Albanische Gebiete auf Karten und Wapen), Prishtinë, 1997
–“Arnavud – Artistët Shqiptarë në Perandorinë Osmane”,
(Arnavud– Albanian Artists in the Ottoman Empire), Prishtinë, 2003
– Gurë të Mozaikut Shqiptar (Stones of Albanian Mosaic), ArsAlbanica, 2011
– Mehmet Ali Pasha – Kapedani Shqiptar që ia Ktheu Dinjitetin Egjiptit”, 2012.
Presidentja Prof.Dr. Vjosa Osmani i ka shprehur ngushëllime familjes Nimani dhe gjithë komunitetit akademik e kulturor për ndarjen nga jeta të dorëshkruesit të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, profesorit e artistit, Shyqri Nimani.
Osmani tha se ai ishte një intelektual i jashtëzakonshëm, pasioni dhe përkushtimi i të cilit frymëzoi studentë të panumërt.
“Me dhimbje të thellë e pranova lajmin për ndarje nga jeta të dorëshkruesit të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, profesorit e artistit, Shyqri Nimani. Fjalët e skalitura nga ai në pergamenë, janë testament për brezat që do të vijnë dhe kujtim i përhershëm për të. Për një kontribut të tillë, sikurse edhe atë në fushën e arteve, z.Nimani më 17 shkurt të këtij viti është dekoruar me Medaljen Presidenciale të Meritave. Veprimtaria e tij do të mbetet dëshmi e përkushtimit, pasionit dhe besimit të palëkundur në fuqinë transformuese të artit e të kulturës. Ngushëllime familjes Nimani dhe gjithë komunitetit akademik e kulturor!”, ka shkruar Osmani.
Në nder të veprës së tij, Kuvendi i Kosovës sot mbajti një minutë heshtje.