2023-06-24

Edvin Rama: Përplasjet në rajon i shkojnë për shtat vetëm Rusisë

 


TIRANË, 23 qershor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se përplasjet në rajon i shkojnë për shtat vetëm një fuqie, që është Rusia, nuk i shkojnë për shtat asnjë tjetri.

“Nga këto përplasje dhe nga kjo paaftësi për t’u ulur me durim dhe për të çuar përpara një proces që është shumë i vështirë dhe rruga e vetme e mundshme nuk përfiton as Europa, në kuptimin Europa mes nesh, jo Europa e madhe, as ajo nuk fiton, fiton vetëm Rusia”, theksoi Rama në konferencën për shtyp.

Kryeministri Rama u shpreh se “ndërkohë ka një marrëveshje bazë, e cila u dakordësua dhe të dyja vendet sillen sikur ajo marrëveshje nuk ka ndodhur, kjo është e vërteta. Kjo është e vërteta dhe ky është fakti”.

“Kjo status quo nuk mund të vazhdojë më, prandaj duhet të dalim patjetër nga kjo lojë politike “Tomy and Jerry”, duhet të evitojmë po ashtu edhe skenarin e përkeqësimit të pozicionit të Kosovës, por edhe skenarin e izolimit të Serbisë, sepse nuk janë skenarë të mirë për ne, për interesin kombëtar të Shqipërisë si një vend që do të përparojë”, tha Rama.

Kryeministri Rama vuri në dukje së “ky rajon ka vuajtur boll nga nacionalistët, nga nacionalfolkloristët dhe përplasjet e vazhdueshme të cilat edhe mund të kenë pasur justifikimet e tyre në kohë të tjera, por nuk i kanë më sot, kur sot jemi në mes të një Europe që kërkon me çdo kusht të mbështesë paqen”.

Më tej Rama tha se “është shumë e rëndësishme ta kuptojnë këtë që nga ata që flasin për vëllezër të mëdhenj e të vegjël, tek ata që kërkojnë arsye të mosarsyes në vazhdimësi për të shtyrë zvarrë këtë proces se interesi ynë kombëtar, interesi i Shqipërisë si shtet kërcënohet nga kjo situatë. Ky rajon nuk është as i Albinit, as i Aleksandrit, është i popujve, i shteteve që e popullojnë dhe administrojnë”.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...