Popujt e gadishullit Ballkanik, për shkak se kanë jetuar për shumë e shumë shekuj pa ndarje kufitare nën sundim perandorish të ndryshme, kanë lëvizur e janë përzierë midis tyre duke krijuar një shpërndarje që të kujton lëkurën e leopardit. Në territoret e sejcilit popull ka territore kompakte, por ka dhe enklava të popujve fqinjë. Asnjë kufi nuk mund të ndahet me saktësi, në sejcilin shtet ka minoritete të popujve fqinjë. Veç këtij fakti në këtë gadishull që nga kohët e hershme vijon të jetojë dhe një popullsi e shpërndarë (diasporë), e njohur sot me disa emra si popullsi aromune / arumune, ose popullsi vllahe . Kjo popullsi e quan veten rëmënë kurse gjuhën e quan rëmëneshti, që ka mundësi të jenë reduktim i fjalëve aromani për kombësinë dhe aromaneshti për gjuhën. Kjo popullsi nga pamja e jashtme antropologjike afron me tipin thrak. Arumunët i kanë faqet disi më të kuqe se banorët
Për origjinën e këtij populli ka disa mendime, ose hipoteza, që nuk përputhen midis tyre.
Në këtë shkrim të shkurtër ne nuk marrim përsipër të zgjidhim problemin e origjinës së kësaj popullsie, sepse nuk e kemi përgatitjen e duhur dhe as kohën për t’u marrë seriozisht me të. Ne po guxojmë vetëm të shtrojmë disa mendime për origjinën e saj dhe sidomos të diskutojmë për problemin e së sotmes dhe së ardhmes së saj.
Sipas një mendimi, kjo popullsi konsiderohet e prurë prej Gadishullit Italik në kohën e Perandorisë Romake. Sipas një mendimi tjeter kjo popullsi, konsiderohet popullsi autoktone e ndodhur në Ballkanin Jugor poshtë lumit Danub që para krijimit të Perandorisë Romake, si fise pellazgjike, si ishin ilirët, trakët, dakët, getët, latinët, etj.
Studjuesit rumunë e konsiderojnë këtë popullsi si pjesë të fiseve baritore endacake vllaho-rumune të shpërndarë në Ballkan gjatë Mesjetës.
Një mendim tjetër, i fundit, është hedhur prej disa politikanëve e studjuesve grekë, sipas të cilëve kjo popullsi është krijuar prej disa fiseve të vjetra greke të romanizuara gjatë sunimit të Perandorisë Romake.
Ne, pa dashur të imponojmë mendimin tonë, anojmë nga dy mendimet e para, pra për ne kjo popullsi mund të jetë popullsi autoktone që ka bashkëjetuar me ilirët e grekët që përpara krijimit të Perandorisë Romake, ose mund të jetë pasardhëse e një pjese të kolonëve që sollën konsujt romakë në trojet e Provincës Romake të Maqedonisë, ku përfshihej dhe Epiri. Kjo popullsi kryesisht gjendet anës rrugës Egnatia dhe degëve të saj dhe është marrë me blegtori. Këto fakte deri diku janë argumente që mbështesin mendimin se kemi të bëjmë me pasardhës të kolonëve romakë, që mund të jenë sjellë për të siguruar kalimin e qetë të forcave ushtarake e të karvaneve të tregëtarëve; dhe për të siguruar ushtrinë romake me prodhime bulmeti e prodhime leshi, veshje, shtresa e mbulesa.
Mirëpo mendimin se kemi të bëjmë me një popullsi kolone romake, nuk e mbështet emri i saj. Kjo popullsi quhej aromani (sot quhen aromunë / arumunë). Emërimi aromani në kohën e Perandorisë Romake donte të thoshte se ajo nuk ishte popullsi romake dhe as rumune, të cilat quheshin romani. Parashtesa a kishte kuptim mohues.
Perandoria Romake krijoi dhe në zona të tjera të perandorisë territore me popullsi të dërguar prej gadishullit Italik. Për të ruajtur e mirëmbajtur rrugët e kalimit nga Italia në Zvicër, e cila atëhere quhej Retia, administrata romake shpuri kolonë në ato anë dhe i quajti retoromani. Kolonët që shpuri në gadishullin
Në qytetet e bregdetit lindor të Adriarikut, të cilat deri atëhere kishin qenë koloni greke, që banoheshin nga ilirët dhe kolonët grekë, administrata romake solli kolonë nga gadishulli Italik dhe i quajti këto qytete koloni romake. Kolonët romakë që u vendosën nëpër qytete kishin funksione administrative, ushtarake, tregëtare, kulturore, etj. Ata flisnin latinisht dhe jo aromanisht. Për nga përkatësia etnike, kolonët që u vendosën nëpër qytete, kanë qenë të ndryshëm nga popullsia aromani (aromunë / arumunë). Kolonët romakë në qytetet ilire duhet të jenë quajtur romani ose iliroromani.
Ndërkohë duhet të shtojmë se fakti që ushtria gjermanike e fiseve Hune me komandant Atilën në mes të shekullit të V-të vrau ose dëboi gjithë administratorët, ushtarakët, tregëtarët romakë, por jo dhe aromanët (arumunët), tregon se këta nuk ishin pjesë e kolonëve romakë. Ky diferencim që bëri ushtria gjermanike, është në favor të mendimit se aromunët mund të kenë qenë autoktonë, të ndryshëm nga ata që rrezikonin popullsinë vendase për ta romanizuar.
Popullsia arumune, pavarësisht se ka pasur lëvizje dhe asimilim gjatë shekujve, sot ajo është e pranishme dhe jeton në bashkëjetesë me shqiptarët në trojet shqiptare, në bashkëjetesë me grekët në trojet greke dhe në bashkëjetesë me maqedonët slavë në shtetin maqedon. Ata i gjen në qytete bregdetare si në Durrës, Diviakë, Vlorë, Selenicë të Vlorës, Igumenicë, Prevezë, etj. Më në brendësi i gjen në Mavrovë, Grebene, në Kutal e Frashër të Përmetit, në Kolonjë të Fierit, në Kavajë, në Berat, në Voskopojë, në Grabovë të Gramshit, në Dishnicë e Plasë të Korçës, në Strugë, në Ohër, në Heraklea (Manastir ose Bitola e sotme), në fshatin Kristalopiqi midis Bilishtit e Follorinës), në qytetet Follorinë, Edesë, Larisa, Trikalla, Selanik, Kavallë, etj.
Arumunët në të kaluarën nuk janë marrë me bujqësi, por kryesisht janë marrë me blegtori e tregëtinë e prodhimeve blegtorale, si dhe me transport karvanesh.Marrja me blegtori, jeta nëpër fshatra e kullota malore, e ruajti këtë popullsi nga asimilimi i shpejtë. Karakteristikë e saj është dhe dy ose tre gjuhësia, sidomos midis meshkujve. Kemi pasur rast të njohim arumunë të moshuar nga Kavaja të cilët ishin katërgjuhësh. Përvec gjuhës së tyre rëmëneshti ata
Viset e banuara nga Vllehët (Wikipedia) |
Kudo ku kanë jetuar, arumunët nuk kanë shkaktuar probleme me popullsinë mbizotëruese vendase. Duke jetuar për qindra vjet midis shqiptarëve ata e ndjejnë Shqipërinë për atdhe, kurse arumunët që kanë jetuar midis grekëve, për atdhe ndjejnë Greqinë.
Mendimi se arumunët janë pasardhës të fiseve blegtorale të Vllahisë së Rumanisë, që mund të kenë shtegëtuar si barinj nëpër Ballkan gjatë Mesjetës, mendojmë se nuk është bindës. Arumunët vërtet janë blegtorë, por ata nuk janë popull nomad. Ata janë popull sedentar që kanë shtëpitë e familjet e tyre në fshatra të caktuara. Shtegëtimin e bagëtive e kanë bërë vetëm si shtegëtim sezonal gjatë beharit nga maji në tetor, po ashtu si e kanë bërë edhe malësorët shqiptarë e grekë të zonave ku nuk ka arumunë.
Emri vllah / vlleh që iu shtua emrit aromun / arumun / rëmën, mendojmë se është krijuar gjatë shek.XVI-XVIII prej administratës osmane, e cila mund t’ua ketë ngjitur këtë emër të dytë duke parë se gjuha e tyre rëmëneshti afronte me gjuhën e provincës autonome të Vllahisë. Që atëhere kjo popullsi filloi të quhej prej turqve dhe pas tyre dhe prej ballkanasve Vllah / Vlleh dhe gjuha e tyre të quhej Vllaçe. Këto emërtime të reja dhe ideja e origjinës vllahe, dalngadal filluan të bëhen mbisundues në mendësinë ballkanike, sidomos në atë rumune. Dalngadal edhe vetë aromunët filluan t’i pranonin e t’i përdornin këto dy emra në bisedat e tyre me popujt vendas. Ata pranojnë t’i quash Vllah / Vlleh dhe gjuhën t’ua quash Vllaçe, por kur flasin në gjuhën e tyre ata asnjëherë nuk e quajnë gjuhën e tyre vlaçe as vllaheshti, por vetem rëmëneshti. Kurse fjalën Vllah / Vlleh për të emëruar etninë e tyre tani e përdorin edhe vetë arumunët krahas fjalës së vjetër rëmën-ë. Mendojme se kjo gje mund te kete ndodhur ndoshta se fjala vllah / vlleh është më e shkurtër se rëmën-ë, ose ndoshta se u jep një farë shpjegimi lidhur me origjinën e tyre, të cilën e kanë të panjohur.
Sami Frashëri, kolosi erudit shqiptar i shekullit të XIX i ndikuar prej të dhënave të administratës e shkencës osmane, i konsideroi aromunët si popuullsi me origjinë vllahe. Madje edhe studiues gjermanë e adaptuan këtë ide. Por, po të ishin vërtet aromunët me origjinë vllahe do ta quanin gjuhën e tyre vllaheshti sipas emrit të fiseve vllahe ose sipas emrit të vendit Vllahi dhe jo rëmëneshti emër që duket se vjen nga një formë më e vjetër aromaneshti, që ka lidhje me emrin aromani të kësaj popullsie.
Gjatë shekullit të XIX, kur popujt e gadishullit Ballkanik filluan lëvizjet e tyre nacionale për shkrimin e gjuhëve kombëtare dhe krijimin e shteteve të pavaruara, arumunët nuk organizuan një lëvizje të gjerë për rilindjen e vet kombëtare. Ky mos aktivizim në një lëvizje kombëtare të veçantë të arumunëve të Ballkanit tregon se kjo popullsi gjatë atij shekulli ende nuk e kishte pjekur idenë e vet për t’u paraqitur si komb më vete. Atij i kishte mjaftuar bashkëjetesa paqësore me vendasit e tjerë.
Në kohën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare aromunët e trojeve shqiptare u aktivizuan bashkë me shqiptarët për rilindjen e shtetit shqiptar të pavarur. Eshtë i njohur dëshmori i Rilindjes Shqiptare Papa Llambro Ballamaçi i Korçës të cilin e vranë andartët grekë, se nuk pranoi të punonte për Megali Idhenë greke.
Në zonat ku mbizotëronte popullsia greke, arumunët u aktivizuan për rilindjen dhe lirinë e shtetit të pavarur grek bashkë me banorët grekë dhe arbërorët (diasporë shiptare ose mbeturina pellazgjike). Janë të njohura luftrat e çetave të aromunëve të Greqisë dhe trimëritë e tyre me kapedanë të shquar si Bubulina etj.
Politikani i shquar shqiptar Abdyl Frashëri, duke e njohur këtë popullsi si popullsi me gjuhë e zakone të veçanta që merrej kryesisht me blegtori, deshi ta ndihmonte që të krijonte shtetin e vet të pavarur. Në bisedimet që ai bëri me politikanët grekë gjatë viteve 1878-79 shtroi nevojën e krijimit të një shteti Aromun (Vllah) në zonën malore blegtorale të Pindit, ku të mblidheshin të gjithë, ose shumica e aromunëve (vllehve) të Ballkanit Perëndimor e Jugor. Abdyl Frashëri, duke pasur parasysh vendimet e Kongresit të Berlinit, u premtoi përfaqesuseve grekë që ushtarakët shqiptarë të Perandorisë Osmane do t’i ndihmonin që shteti grek të zgjerohej duke marrë gjithë Thesalinë dhe një pjesë të vogël në jugë të Epirit, ku kishte një pakicë greke. Ai sugjeroi që në trojet ku mbizotëronte populli shqiptar, duke përfshirë pjesën tjetër të Epirit, gjithë vilajetet e Shkodrës e të Kosovës dhe pjesën më të madhe të Vilajetit të Manastirit të krijonin një shtet autonon shqiptar nën Perandorinë Osmane. Midis shtetit grek e atij shqiptar të krijohej shteti i pavarur arumun (vllah), si një tampon për të shuar lakmitë territoriale midis Greqisë e Shqipërisë. Mirëpo politikanët grekë nuk e pranuan këtë propozim, sepse ata synonin zgjerimin e shtetit grek dhe asimilimin e arumunëve dhe të shqiptarëve të Pindit, të Thesalisë dhe të gjithë Epirit, edhe pse në Epir kishte një minoritet grek vetëm në jugë të tij.
Qarqet shoviniste greke qysh para formimit të shtetit shqiptar të pavarur dhe sidomos pas formimit të tij, për të përçarë shqiptarët e krishterë orthodoksë nga shqiptarët myslimanë dhe vllehët e Shqipërisë, hodhën parullën Nuk ka turk e vllah të mirë. Mirëpo kjo thënie nuk ngjalli dot përçarjen e banorëve të Shqipërisë së Jugut, atëhere aty nga vitet 1960-70 qarqet shovene greke hodhën në qarkullim parullën e re: Arumunët (vllehët) e Greqisë e të Ballkanit janë helenë të vjetër që u romanizuan prej Perandorise Romake, pra ata duhet të shpallen grekë. Mjaft arumunë (vëllehë) te Greqisë, për të shpëtuar nga përbuzja që mbillte parulla e vjetër, e pranuan këtë parullë të re dhe sot mund të themi se shumë prej tyre pranojnë të quhen grekë të romanizuar. Pra lufta për ta vrarë ndjenjën e krenarisë së të qenit aromun (vëllah) në Greqi ka dhëne rezultat, por ende nuk ia ka arritur qëllimit. Në mjaft qytete si Veria, Selaniku, Larisa, Trikalla e në Athinë janë krijuar e veprojnë shoqata kulturore të vllehëve, aromunëve të Greqisë.
Shprehja franceze, oreksi vjen duke ngrënë, u shkon shovinistëve grekë lidhur me politikën asimiluese të arumunëve. Pasi arritën të bindin disa aromunë të Greqisë se qenkeshin greke që ishin romanizuar gjatë sundimit romak, tashmë i janë futur punës për të bindur dhe arumunët (vëllehët) e Shqipërisë dhe të Maqedonisë se dhe ata janë helenë të romanizuar si aromunët e Greqisë. Me këtë synim punuan dhe arritën t’i shkulnin Komunitetit Europian pare për t’iu lidhur pensione pleqërie mjaft arumunëve të moshuar të këtyre vendeve për t’i joshur ata dhe fëmijët e tyre që të vetëshpallen grekë…
Mirëpo historia e diasporës aromune (vllahe) në Ballkan tregon se ajo nuk ka lidhje gjaku me helenët e vjetër, por është ose një popullsi autoktone pellazgjike, ose një pasardhje e kolonëve të sjellë prej gadishullit Italik gjatë pushtimit romak.
Disa pseudoshkencëtarë grekë ka kohë që po përpiqen t’u ngulin në kokë edhe shqiptarëve orthodoksë të Çamërisë një ide të mgjashme. U thonë se ata janë grekë të shqiptarizuar dhe se gjuhën shqipe ua kanë mësuar shqiptarët me dhunë gjatë pushtimit osman…
Në fund të shek. XIX e në fillim të shek. XX-të edhe qeveria e shtetit Rumun filloi të tregonte interes për aromunët e Ballkanit. Aromunët e Shqipërisë, të Greqisë e Maqedonisë dhe Retoromanët e Istroromanët ajo i quajti të gjithë diasporë rumune, si popull blegtoral që kishte shtegtuar në vise larg atdheut mëmë, Vllahisë, gjatë Mesjetës. Qeveria rumune u interesua që të hapte dhe shkolla e kisha në disa qytete me aromunë si në Korçë të Shqipërisë, në Manastir (Bitola) të Maqedonisë, etj. Mirëpo edhe hipoteza e origjinës rumune, nuk na duket shumë bindëse.
Fakti që arumunët e Ballkanit nuk ruajnë asnjë gojëdhënë për origjinën e tyre dhe kanë dallime midis tyre (ndahen në myzeqarë, frashëriotë, voskopojarë, kërstënjotë, etj), tregon se kanë origjinë shumë të lashtë dhe jo mesjetare. Po të kishin ardhur nga provinca e Vllahisë së Rumanisë gjatë Mesjetës, ata do të kishin ruajtur ndonjë gojëdhënë për origjinën dhe do të kishin tjetër shpërndarje gjeografike, më afër Rumanisë. Po të kishte ardhur popullsia arumune si fise endacake prej provinces së Vllahisë së Rumanisë, duhet të kishte mbeturina të saj jo vetëm anës rrugës Egnatia e degëve të saj, por edhe në Kroaci, Bosnjë, Sërbi, Kosovë, Shqipëri veriore, të cilat gjeografikisht ndodhen më pranë me territoret vllaho rumune. Nga ana gjuhësore, po të ishin arumunët me origjinë nga Vllahia duhet që emir i tyre etnik të ishte vetëm emir vllah dhe gjuha të quahej vllaheshti e jo aromaneshti>rëmëneshti. Hipotezën vllahe (rumune) e hedh poshtë edhe fakti se shteti rumun nuk u interesua për të gjallëruar në kjo popullsi ndjenjat kombëtare gjatë viteve të rilindjes së popujve të Ballkanit para shëmbjes së Perandorisë Osmane.
Mendojmë se sa më shumë të studjohet historia, gjuha e zakonet e popullsisë arumune të Ballkanit aq më shumë do të dalin në dukje fakte që vërtetojnë origjinën e saj të vërtetë autoktone ose italike.
Shpërndarja e kësaj popullsie anës rrugës Egnatia e degëve të saj, hedh poshte dhe hipotezën e origjinës greke të saj. Në rast se aromunët paskan qenë grekë (helenë) që u romanizuan gjatë kohës së Perandorisë Romake, atëhere pjesë të kësaj popullsie duhet të kishte anë e mbanë Greqisë. Mirëpo dihet se aromunë nuk ka pasur e nuk ka në Greqinë ishullore, në Peloponez, në Atikë e territore larg degëve të rrugës Egnatia.
Në Shqipëri sot janë krijuar disa shoqata aromune (vllahe). Njëra ka përqafuar hipotezën e origjinës rumune, tjetra hipotezën e origjinës greke, tjetra atë të origjinës italike. Kjo përçarje nuk e ndihmon këtë diasporë për problemin e saj themelor, atë të ruajtjes së gjuhës e të traditave të saj mijëvjeçare. Në qoftë se disa aromunë (vëllehë) të Greqisë pranuan të asimilohen e të quhen grekë të rumanizuar, aromunët (vëllehët) e Shqipërisë dhe ata të Maqedonisë nuk ka pse të quhen të tillë. Ata ashtu si çdo diasporë janë grup etno-kulturor i veçantë dhe duhet të punojnë për të ruajtur traditat dhe gjuhën e tyre. Asimilimi i këtij grupi etno-kulturor, si ai i arbërorëve të Greqisë, është një proçes që ka filluar prej kohe, por që do të vijojë dalngadal e për shumë vjet e breza dhe nuk duhet nxitur që të kryhet brenda një nate. Madje këto pakica etno kulturore mund të përjetojnë dhe një proçes të kundërt, atë të gjallërimit dhe të kthimit të tyre në pakicë kombëtare pa pretendime shtetformuese për shkak se atyre u mungon territory i pastër kompakt. Një dukuri e tillë është në dorë të vetë arumunëve dhe të arbërorëve të Ballkanit. Në rast se ata do të organizohen si duhet në shoqata kulturore atdhetare dhe të punojnë seriozisht për gjallërimin e gjuhës, për grumbullimin, botimin dhe studimin e pasurisë folklorike, është e mundur që të përjetojnë atë gjallëri kombëtare që përjetuan grekët, sërbët, shqiptarët, bullgarët, etj gjatë shekullit të XIX me Rilindjet e tyre Kombëtare.
Natyrisht kthimi i pakicës etno kulturore arumune në një pakicë kombëtare pa synime shtetformuese nuk ka pse ta trembë shtetin shqiptar dhe asnjë shtet tjetër ballkanik. Kësaj popullsie, që ka jetuar deri sot si pakicë etno kulturore në Greqi, Shqipëri e Maqedoni, që ka luftuar krahas popujve të këtyre vendeve për lirinë e tyre, ka ardhur koha t’i kthehet borxhi me mirënjohje prej grekëve, shqiptarëve dhe maqedonëve. Këta popuj dhe qeveritë e tyre duhet ta ndihmojnë seriozisht popullsinë arumune që të mos asimilohet, por të zhvillohet, sepse ajo përbën një pasuri mijravjeçare në gadishullin tone, i cili duhet të hyjë në Europën e Bashkuar si një mozaik me shumë ngjyra, vlera e pasuri kulturore e gjuhësore.
Shteti grek, si anëtar i Bashkimit Europian, ka për detyrë që të përkrahë e të nxisë jo vetëm zhvillimin e arumunëve të vet, por edhe të arbërorëve të lashtë si dhe të minoritetit shqiptar të Çamërisë dhe të monoritetit sllav të Maqdonisë së Egjeut. Diasporës së re shqiptare ka për detyrë t’i ndihmojë që të hapë shkolla shqipe për fëmijët, të ketë orë shqip në radio e television, etj, Lufta që ka bërë e bën qeveria greke e sidomos disa qarqe shoviniste për asimilim sa më të shpejtë të pakicave kombëtare, është një turp historik për Greqinë e sotme dhe të nesërme. Nëse do që të quhet pasardhëse e denjë e kulturës së lashtë helene, prej së cilës u ndriçua e gjithë Europa dhe mbarë bota, Greqia duhet të heqë dorë nga politika asimiluese e pakicave kombëtare dhe e pakicave etno kulturore.
Qeveria e sotme shqiptar nuk duhet t’i lërë në harresë arumunët si i la qeveria diktatoriale, gjithashtu ajo duhet të veprojë ndryshe nga qeveria fqinjë greke e cila lejon qarqet shoviniste të punojnë për asimilimin sa më të shpejtë të minoriteteve dhe pakicave etnokulturore. Qeveria shqiptare duhet të ecë në rrugën që ka ecur populli i vet, i cili gjithnjë i ka dashur dhe respektuar pakicat kombëtare greke e maqedone dhe pakicën etno kulturore arumune. Tani që po e merr veten ekonomikisht dhe po përgatitet të hyjë në Bashkimin Europian shteti shqiptar duhet t’ju kushtojë më tepër vëmendje këtyre pakicave që ato të lulëzojnë. Ajo duhet t’I kërkojë Bashkimit Europian fonde që të sigurojë për aromunët orë trasmetimi në Radio e Televizion, gazeta, programe mësimore në shkolla për të mësuar mirë gjuhën e tyre. Lulëzimi i karakterit të tyre etnik e kulturor është në të mirë të vetë popullit shqiptar dhe të europianizimit të tij. Kështu nxitet rritja e dashurisë së tyre për Shqipërinë si atdhe. Regjistrimi i kësaj popullsie është një nga pikat e të drejtave të njeriut dhe duhet kryer. Duke njohur saktësisht sasinë mund të planifikohet dhe ndihma konkrete.
Vetëshpallja nga fukarallëku i disa aromunëve të Shqipërisë si grekë, për të përfituar pensione pleqërie, pa pasur asnjë lidhje gjaku me popullin grek, pa ditur gjuhën greke, pa pasur lidhje me historinë e popullit grek, pa pasur zakone të njëjta me popullin grek, sjell përçarje midis diasporës aromune dhe krijon një mish të huaj brenda vetë diasporas arumune si dhe brenda popullit shqiptar. Të jetosh brez pas brezi për mijra vjet si diasporë aromune (vllahe) në bashkëjetesë paqësore me popullin shqiptar dhe papritur sot të shpallesh grek, do të thotë që së shpejti të bëhesh vegël e qarqeve shoviniste greke, pra do të thotë të dalësh kundër interesave, jo vetëm të popullsisë arumune, por edhe të popullit shqiptar. Kjo do të thotë të mohosh historinë tënde mijëvjeçare dhe vëllazërinë me shqiptarët.
Disa shprehje të thëna në inat e sipër si çoban i mutit, kaur i mutit, turku i mutit, që janë përdorur ose përdoren prej disa shqiptarëve injorantë të krishterë ose myslimanë, ose prej disa aromunëve të po asaj kategorie; nuk tregon vlerësimin e vërtetë që kanë shqiptarët për arumunët dhe as vlerësimin e vërtetë që kanë arumunët për shqiptarët. Njerëz injorantë, interesaxhinj dhe grindavecë ka çdo popull, por ata nuk i japin tonin marëdhënieve midis popujve dhe për inat të sharjeve të tyre nuk mund e nuk duhet të ndërrohet kombësia. Këtë veprim e karakterizon shprehja popullore :Për inat të sime vjehrre vajta fjeta me millonanë.
Edhe shoqatat aromune në Shqipëri, Greqi e Maqedoni duhet të kërkojnë fonde nga Bashkimi Europian dhe shtetet ku jetojnë për të investuar në fushën e kulturës së vet, për të shkruar gjuhën e vet, për të krijuar kishën e vet ku të predikohet fjala e Zotit në gjuhën aromune dhe jo në gjuhën rumune, sepse aromunët e Shqipërisë më mirë kuptojnë shqipen se sa rumanishten. Po kështu dhe aromunët e Maqedonisë më mirë kuptojnë maqedonishten se sa rumanishten.
Në Tiranë botohet sot një gazetë arumanisht (rëmëneshti) me emrin Vllazëria (Frëtelia). Duhet punuar që kjo gazetë të përmirësojë sa më shumë gjuhën dhe rubrikat e saj, të ndërmerret në faqet e saj botimi i folklorit e i fjalorit arumanisht-shqip e shqip-arumanisht për të arritur botimin e këtyre thesareve si vepra shkencore më vete.
Si përfundim themi se arumunët e Shqipërisë kanë bashkëjetuar paqësisht për dy mijë vjet me shqiptarët dhe e kanë konsideruar veten si pjesë e kombit shqiptar, por si grup etno-kulturor i veçantë. Ata duhen ndihmuar për ta ruajtur e pasuruar trashëgimin e tyre gjuhësor, kulturor, artistik, etj. Madje atyre u duhen krijuar kushtet që po të duan dhe po të mundin, të ngrihen në nivelin e një pakice kombëtare pa pretendime shtetformuese.
No comments:
Post a Comment