2023-06-27

Albin Kurti përfundon vizitën në Angli

 


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përfunduar vizitën e tij zyrtare në Britani të Madhe, ku pati disa takime, përfshirë edhe me ministrin e jashtëm britanik James Cleverly.

“Gjatë këtyre dy ditëve të fundit, u mirëprita ngrohtësisht nga aleatë e partnerë të Kosovës si në ekzekutivin Britanik ashtu edhe në Parlament. Me Sekretarin e Punëve të Jashtme, James Cleverly me të cilin jam në kontakt e komunikim të rregullt, diskutuam për marrëdhëniet dypalëshe, për zhvillimet në Kosovë dhe për rëndësinë e shtensionimit të plotë të situatës në katër komunat në veri të vendit. Republika e Kosovës është përherë mirënjohëse për mbështetjen e palëkundur e të pandërprerë të Mbretërisë së Bashkuar”, ka shkruar Kurti në “Facebook”.

Kurti në Londër u takua edhe me kryetarin e Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme në Britaninë e Madhe, Alicia Kearns, për të cilën ka thënë se ësahtë zë i fuqishëm mbështetës i Republikës së Kosovës.

“Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme, Alicia Kearns ka qenë një zë i fuqishëm mbështetës i Republikës sonë në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar. Me të diskutuam për veprimet agresive dhe sulmet e sponsorizuara nga Serbia mbi KFOR-in, Policinë e Kosovës dhe gazetarët në veri të vendit dhe qëndrimin tonë parimor e demokratik për depërshkalëzim që në qendër ka sundimin e ligjit. Jemi me fat që në Pallatin e Westminster kemi shumë miq. Atje u takova me deputetë të Grupeve Parlamentare të Mbretërisë së Bashkuar, APPG (All Party Parliamentary Group), konservatorë, liberal-demokratë e laburistë. Nga Partia Laburiste, një takim të ndarë zhvillova edhe me Sekretarin në hije të Punëve të Jashtme, David Lammy dhe Ministrin në hije për Evropë, Stephen Doughty”, tha Kurti.

Ai po ashtu është takuar edhe me ish-kryeministrin e Britanisë së Madhe, Tony Blair. Për Blairin ka thënë se e ka falënderuar për rolin që luajti në ndaljen e gjenocidit serb mbi shqiptarët në Kosovë.

“E miq laburistë kemi edhe jashtë institucioneve por që ishin kyç aq sa i drejtonin ato. Republika e Kosova dhe populli i saj i janë përherë mirënjohës ish-kryeministrit britanik Tony Blair për rolin dhe vendosshmërinë e tij për ndërhyrjen humanitare në Kosovë e cila ndali përfundimisht gjenocidin e shtetit serb mbi shqiptarët vendas. Në takimin miqësor që patëm e njoftova për arritjet e Kosovës në rrafshin ekonomik, social, të të drejtave të njeriut, dhe institucional, duke ndarë me të bindjen që Kosova është histori e etabluar e suksesit të dyfishtë: intervenimit të NATO-s dhe i bashkëdyzimit të progresit ekonomik dhe atij demokratik”, ka shkruar Kurti.

Kurti ka thënë se në Londër mori lajmin për lirimin e tre policëve kosovarë që u kidnapuan nga forcat serbe brenda territorit të Kosovës më 14 qershor. Ai ka thënë se do t’i vizitojë ata nesër.

“Gjatë qëndrimit tim në Londër, morëm lajmin e gëzueshëm për lirimin e tre policëve të Kosovës që ishin rrëmbyer nga forcat speciale ushatarke e policore të Serbisë me 14 qershor. 13 ditë pas ata janë në Kosovë e me familjet e tyre. Nesër do t’i takoj për t’i falënderuar për qëndresën dhe për t’u uruar mirëseardhje”, ka shkruar Kurti.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...