2023-06-27

Mosmarrëveshjet mes drejtuesve rusë dëmtojnë operacionet ushtarake, ndoshta edhe kontrollin e Putinit

 Të shtunën herët, ushtria private e Prigozhinit u duk se kontrollonte shtabin ushtarak në Rostov-on-Don, një qytet rreth 1 mijë kilometra në jug të Moskës, prej nga drejtohen operacionet ruse në Ukrainë, tha ministria britanike e Mbrojtjes.

Mediat ruse raportuan se disa helikopterë dhe një aeroplan ushtarak u rrëzuan nga trupat Wagner. Ministria ruse e Mbrojtjes nuk i ka komentuar njoftimet.

Pasi marrëveshja uli tensionet, videot e postuara në rrjetet sociale ruse shfaqën njerëz që brohorisnin trupat e Wagnerit teksa largoheshin. Prigozhini udhëtonte me një fuoristradë të ndjekur nga një kamion ndërsa njerëzit e grumbulluar në rrugë e përshëndetën dhe disa vrapuan për t'i shtrënguar dorën. Guvernatori rajonal më vonë tha se të gjitha trupat ishin larguar nga qyteti.

Trupat dhe pajisjet e Wagnerit u panë gjithashtu në provincën Lipetsk, rreth 360 kilometra në jug të Moskës.

Kryebashkiaku i Moskës Sergei Sobyanin e shpalli të hënën një ditë jo pune për shumicën e banorëve si pjesë e masave të shtuara të sigurisë, një masë që mbeti në fuqi edhe pas tërheqjes së Wagnerit.



Yevgeny Prigozhin duke marrë pjesë në funeralin e një mercenari të Grupit Wagner në Shën Petersburg, Rusi

Ukrainasit shpresonin se luftimet e brendshme ruse do të krijonin mundësi që ushtria e tyre të rimarrë territoret e pushtuara nga forcat ruse.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha të shtunën vonë, pak para se Prigozhini të shpallte tërheqjen e tij, se marshimi shfaqi dobësinë e Kremlinit dhe "u tregoi të gjithë banditëve, mercenarëve, oligarkëve rusë" se është e lehtë të kapësh qytetet ruse "dhe, ndoshta, arsenalet".

Trupat e Wagner-it kanë luajtur një rol vendimtar në luftën e Ukrainës, duke pushtuar qytetin lindor të Bakhmutit, një zonë ku janë zhvilluar betejat më të përgjakshme dhe më të gjata. Por Prigozhini e ka kritikuar gjithnjë e më shumë udhëheqjen e ushtrisë, duke e akuzuar atë për paaftësi dhe për mungesë municionesh për trupat e tij.

Yevgeny Prigozhin 62 vjeçar, dikur i burgosur, ka lidhje të gjata me Presidentin Putin dhe ka fituar kontrata ushqimore fitimprurëse nga Kremlini që i dhanë nofkën "kuzhinieri i Putinit".

Ai dhe një duzinë shtetasish të tjerë rusë janë akuzuar në Shtetet e Bashkuara për një fushatë ndërhyrjeje para fitores së zotit Donald Trump në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016. Wagneri ka dërguar kontraktorë ushtarakë në Libi, Siri, disa vende afrikane dhe në fund edhe në Ukrainë.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...