Ndërkohë, përkundrejt kësaj, zvogëlohet e mblidhet kruspull kritika profesionale dhe fjala filozofike e analizës së veprës.
M'u duk titulli i duhur "Ku janë kritikët?" pasi sot u gjenda realisht në një atmosferë diskutantësh që më orientoi në një mendim disi analitik, ngacmuar nga pyetja "Ku struken kritikët?".
Të përditshmet
Një pjesë e mirë e artikujve në shtypin e ditës tentojnë drejt bujës dhe zhurmës me iluzionin se këto janë ajo që quhet sensacion.
Del libri i një autori dhe vrapojnë të shurdhojnë portat e joshjes me lloj lloj ekzagjerimesh, figuracionesh, lavdëratash e himnizimesh deri në atë pikë sa që autorët kandisen të kenë zili vetveten. Nën petkun e 'kritikës' shfaqet sheshit reklamimi për shitjen e librit dhe të …autorit.
Personalisht, edhe sikur ta meritoja, nuk do lejoja kurrë të bëhesha personazh-preja e rubrikave të tilla që, më shumë se asgjë, luajnë rol negativ në të gjitha kuptimet.
Dhe jo vetëm për arsyen se nuk dua kurrsesi të bie në kurthin e pëlqimit të vetvetes.
Më shumë se çdo gjë sundon vetëdija dhe hapësira e njohjes se, kjo zhurmë boshe të vendos përballë autorëve të vërtetë për të cilët, çuditërisht, heshtet.
Heshtet nga shtypi, heshtet nga kritikët, heshtet nga vetë ata, krijuesit.
Modestia e autorëve të vërtetë shfaqet në këto raste si pjellë e nivelit të tyre krijues.
Ata vijnë tek lexuesi me një investim të madh moral e psiqik - vijnë pa kompromis, pa zhurmë, në të shumtën e rasteve pa sponsorë, dhe, fare padrejtësisht vendosen përballë artikujve "kritikë" krejt qesharakë e absurdë, për emra pa emër.
Në moralin e tyre qëndrojnë në konflikt të përjetshëm dëshira për t'iu kushtuar dhe dhuruar lexuesve me mënyrën se si duhet bërë kjo.
Dhe, mënyra më e mirë, e pranueshme dhe e ndershme, është ajo e angazhimit të një kritike serioze e të rezultatshme profesionale.
Po, ku është ajo?!
Dhe, kush janë ata?!
Dhe akoma, pse heshtin ata?!
Interneti
E njëjta zhurmë, e njëjta rrenë, e njëjta fryrje.
Vrapojnë derisa përflaken në fytyrë, tensionohen pa shkak e mezi marrin frymë "kritikët" e listave, … dhe, rezultati?!
Mali i kritikës mbarset nga kotësia dhe pjell papërgjegjshmërinë.
Mosvlerat bëhen vlera, rimuesi bëhet vjershëtor, plagjiatori shkrimtar dhe matësi i thjeshtë numëror sfidon botën - shqiptarët dalin populli ku në çdo tre vetë, njëri është poet, në çdo pesë, një shkrimtar, etj. etj.
Më habit fakti se si në listat e shumëlexuara mungojnë zërat e mençur vlerësues; më habit ky fakt sepse asnjë linjë më shumë se sa interneti, nuk jep hapësira dhe liri kaq të mëdha për t'u shprehur pa ekuivoke në lidhje me kritikën në përgjithësi dhe atë letrare në veçanti.
Por edhe këtu, i njëjti fenomen.
Edhe kur ky stereotip i pjesëmarrjes del jashtë "shinave" dhe, në arenën e forumeve elektronike shfaqet ndonjë kurajoz që nuk bën dot pakt me hipokrizinë, atë e mbysin po ata zëra që pak më parë janë çjerrë duke lëvduar çdo gjë që vetëm art dhe vlerë nuk është.
Të paktët janë ata, profesionistët (nuk e gjej me vend të përmend emra), por më të shumtët janë ata që shtrihen sa gjatë e gjerë dhe zaptojnë kompetencat pa i patur ato.
Të vjen keq, por më shumë ndihesh i ofenduar kur kandisesh të lexosh një kritikë; fjalë të zgjedhura, të mëdha, ngasje, impulse, imazhe se do kesh në dorë një kryevepër - kur papritmas vjen ilustrimi me citime.
Po ç'të lexosh ?!
Zoti na ruajtë!.
Fyese për lexuesin e nivelit dhe akoma më fyese për autorët prodhimtarë të vlerësuar nga një publik i zgjedhur dhe nga emra të shquar të fushës.
Akoma më keq dhe e qëllimshme tingëllon kur, për të ngritur vlerat e një autori të paspikatun apo ende të pakonsoliduar në fushën e letrave,bashkërenditen emra të njohur për nga arritjet në krijimtari dhe që s'kanë asgjë të përbashkët me të parët, duke hedhur idenë e rreme se bëhet fjalë për autorë të të njëjtit nivel.
Në publik, kjo shfaqet si një kopertë dhe të kujton supermarketet ku, sëbashku me mallin e kërkuar, jepet falas një fletëpalosje reklamash. Është fyese për shumë palë.
Çfarë mungon?!
Është vepra ajo që ndihmon lexuesin të hyjë thellë në thelbin e botës artistike të autorit. Vazhdimisht i kam ndjekur zhvillimet në letërsi dhe rregullisht lexoj filozofinë.
Tek - tuk e gjej veten brenda ndonjë tendence krijuese që në fakt më pasuron mendimin.
Mirëpo, një ndjekës i rregullt i artit të të shkruarit, e ndjen informacionin përgjysëm kur kritika e vërtetë mungon, kur kritika nuk i vjen në ndihmë. Sëbashku me kritikën zere se është braktisur edhe vepra letrare.
Si lexues, unë mbetem në mes të udhës dhe, zëra të gënjeshtërt kërcënojnë shijet e mia deri në shpërbërje.
Mungon sinjali orientues 'Kjo vepër ka këto vlera' dhe ndërkohë uturin sirena çorientuese 'Mosvlera është vepër'.
Mungon kurajua për të mos bërë lajka, ndërkohë që lajkatarëve dhe sufiçientëve sa s'po u këputet qafa nga servilizmat ndaj parasë apo emrit - vepra as që hyn në punë për ta (!!!)
Pulsojnë alarmante pyetjet:
-A ekziston një kurajo e tillë që kritiku të spjegojë se sa në një vepër gjendet motivi i kërkimit të vetvetes, por që në fakt, i bën autopsinë dhe zhbiron shoqërinë e sotme si dhe gjithë atmosferën që atë rrethon?!
- A ekziston një moral dhe përgjegjësi e tillë që kritiku t'i dalë përballë publikut dhe të spjegojë se përse nuk vlen një vepër?!
- A ekziston një argument përkundrejt idesë "shkruaj si shkruaj, punë për mua, mjafton që ofrohem si vlerë"?!
- A ka një nivel të tillë profesionalizmi në këtë fushë që të mos e devijojë kritikën analitike në një koment mediokër në boshllëk?!
- A ekziston një kriter kritik për të cilësuar, titulluar, emërtuar një krijues si shkrimtar, poet, publiçist, dramaturg, etj.?!
Dua të nënvizoj këtu për t'u tërhequr vëmendjen gjithë atyre që më lexojnë se, gjatë shkrimit të këtij artikulli, as që kam tentuar të largoj sadopak ngarkesën emocionale që më japin gjithë sa thashë më lart, sepse është pikërisht kjo, pra ngarkesa emocionale, ajo që më ndihmon të jem e vërtetë në çfaqjen e gjykimeve të mia mbi këtë çështje.
Ku janë kritikët?!
Duke pretenduar se njoh sadopak proçesin krijues, pa patur aspak frikë nëse jam në zotërim të kompetencës për ta bërë këtë (përderisa nuk po dëgjoj ende zëra kompetentë ta bëjnë këtë, e ndjej detyrim të brendshëm), m'u desh që të luaj rolin e kritikes duke sjellë shqetësimin tim para jush. Mirëpo, (një 'mirëpo' shumë e rëndësishme kjo), mua më duhen ata, të vërtetët, që të mos ndodhë pastaj të na vijë keq për autorët. E kam fjalën për ata që kanë 'doganë' në vlerësimet që bëjnë dhe që marrin përsipër përgjegjësi mbi fjalën e thënë. Është për të ardhur keq kur, nga mungesa e kritikëve profesionistë, shumë autorë me vlera të zëshme, 'e presin' kritikën apo gjykimin e veprave të tyre nga njerëz pa kurrfarë njohje a rëndësie në fushën përkatëse, ku, ata që bërtasin më shumë janë pseudot, që edhe këta vetë janë pjellë e pseudokritikës. Epra, ja kush na qenkan kritikët - të bujshmit e pamerituar! Këta, bëhen të vetmit kritikë të autorëve që në fakt spikatin në vlera, dhe, këta të fundit, vihen përballë dilemës "të jesh apo të mos jesh" pa kritikën (ose me këtë lloj kritike).
Arti, po edhe kritika!
Arti edukon shije - lexova diku. Por shije, mendoj, edukon edhe kritika si krahu tjetër orientues. Kjo është ajo çfarë qëndron ngulmuese në shqetësimin tim. Në një atmosferë ku talenti manipulohet si i paqënë, dhe ku mungesa e tij manipulohet si prezencë, ka gjasa që shijet të denigrohen dhe jo vetëm ato të publikut por edhe të vetë autorit.
E gjej me vend të them se kritika në përmasa gnoseologjike bën të vlerësueshëm artin e vërtetë, bën të mundur rritjen dhe zhvillimin e këtij arti, bën të realizueshëm edukimin e shijeve të mirëfillta artistike.
Dhe në fund
Për të qënë në ndihmë të së vërtetës dhe të pakompromentuar përballë vetes, a nuk duhet ta lemë të shprehet gjithsecilin? Por, në asnjë rast të mos i ngremë monument të patelentuarit, atij që nuk sjell asgjë të re në art, për të mos thënë se ka shumë nga ata që sjellin plagjiaturën dhe pakuptimësi për hir të rimës. Le t'i themi bejtexhiut - bejtexhi, poetit - poet, zhgarravitësit - i paaftë, pseudos - i padenjë, shkrimtarit e piktorit - mjeshtër, e kështu me rradhë. Të zgjojmë nga gjumi kritikët e heshtur profesionistë dhe të nxisim ata që kritikën e kanë në përbërje të talentit të lindur.
Nëse mundemi të vlerësojmë, le ta bëjmë këtë me argumente, duke patur në fokus veprën e jo emrin, cilido qoftë ai emër - i të afirmuarit apo jo, i mikes apo të afërmit, i mjeshtrit apo fillestarit, i të qëmtuarit apo të rastësishmit.
Nëse nuk mundemi të vlerësojmë, të paktën të mos gënjejmë të tjerët dhe veten. Kritika nuk ka kurrfarë lidhjeje me keqardhjen, por nëse do ta perceptonim si të tillë gabimisht, le t'i referohemi W. Xheims:
"Njerëzit e mençur ndjejnë aq pak keqardhje sa munden."
Pse të mos bëhemi të mençur?!
http://floart-press.blogspot.com/2007/01/klarenca-tomaku-jan-kritiket.html
24.01.2007