2011-12-25

LUFTA POLITIKE PARTIAKE, EDHE SOT, PO E DEMTON UNIVERSITETIN PISHTINËS (UP)


Ymer Halimi

LUFTA POLITIKE PARTIAKE, EDHE SOT, PO E DEMTON UNIVERSITETIN PISHTINËS (UP)

Ndërhyrja në tempullin e dijes me politizim për depolitizim është pamençuri

Para së gjithash,  të mos harrojmë se të gjitha gjërat në këtë botë kanë adresë të saktë, si fenomenet natyrore ashtu edhe ato shoqërore, si sukseset po edhe mossukseset, të kujtdo qofshin.
Kombet që përparuan hovshëm, paraprakisht, dekoduan kohën në të dy kahe, atë kohë që ikën dhe kohën që vjen.
Cila është ajo që duhet të bëjmë ne?
Arsimimi i mirëfilltë i rinisë duhet te jetë më parësorja në politikat e shtetit, sepse është gjenerator i të gjitha proceseve në një shtet; është potenciali më i çmuar i kombit, dhe ngre zhvillimin ekonomik, politik, kulturor.
Kësaj rinie, sot, në shumë rrafshe ja kemi mbyllur shtegun e veprimit me nepotizëm, keqpërdorim dhe mos përgjegjësi udhëheqëse.
Deputetë të nderuar, arsimi te ne ishte i politizuar përherë, por mbi tabanin për të bërë shtetin. Barrën e këtij ideali e barti Universiteti. Por, në kohën e pasluftës klasa politike, edhe në këtë rrafsh, ishte e papërgjegjshme, se politizoi arsimin në baza partiake, në çdo nivel. Pasojat po i vuan brezi ynë dhe do t’i vuajnë edhe brezat pas nesh. Kjo është e pajustifikueshme.
***
Një vend është i lumtur kur pushtetin e ka mendja e ditur dhe e durueshme,thonë, se ajo ka vizion të qartë dhe veprime racionale për të mirën e qytetarëve të vet. Ajo bën politikë në favorin e të gjithë qytetarëve të saj e nuk politizohet.
***
Tash, do të tërheq një paralele në mes te institucioneve në konflikt (Ministrisë dhe Rektoratit).

Së pari njeriut më të përfolur publikisht, në lëmin e arsimit për abuzime, iu dha posti i parë i Ministrit për ASHKT-i dhe liri absolute e veprimit, i cili formoi administratë megalomane, militante partiake, pa asfare vizoni për arsimin (R. Osmani).
Kur pritej një ngritje e infrastrukturës në arsim, si shkak i donacioneve të premtuara ndërkombëtare, jo vetëm për riparime por edhe për ndërtime të reja e pajisje laboratorike, ai nuk investoi sipas mundësive që ishin, për të krijuar kushte pune më të mira për nxënës, studentë, mësues e profesorë.
Njerëzit e ministrisë u kënaqën, në mënyrën e vet, nëpër hotele të Maqedonisë, në përpjekje për të bërë reformimin e programeve dhe metodave bashkëkohore, duke mos e çmuar djersën e popullit dhe atë që na e dhanë miqtë tanë. Këto programe konsiderohen te arritura më të mëdha te ministrisë.
Ministria (lejoj) hapi Universitete dhe Fakulteteve private, besoj më qëllim të mirë, por pa kritere të mirëfillta dhe pa ligj. Ajo sot nuk ka fare shqetësim që shumë institucione të tilla janë me veprime jashtë ligji.
A mund të jetë konkurrencë e mirëfilltë Fakulteti apo Universiteti privat kur është sportel honorari i profesorëve dhe asistentëve të UP-së, ose i atyre profesorëve që nuk kanë pasur cilësi të depërtojnë ne UP ose dhoma e gjumit e bashkëshortëve e shndërruar ne amfiteatër fakulteti ?
Shumë fakultete të UP-së kanë objekte që nuk kanë interier ndërtimi për Fakultet. Kishin destinim tjetër, janë hapësira të vjetruara dhe të pariparuara.  E, kjo ministri vendosi që të ndërtojë Institutin e Historisë, megjithatë ai është, ndërtesën e Akademisë së Shkencave dhe Arteve te Kosovës, ku në të dy institucionet janë rreth 70 të punësuar, ndërsa me ato mjete do të ndërtohej një fakultet për 3000 studentë.
Ministri aktual (AgimVeliu) ka vështirësi shtesë se ka trashëguar sistem ne arsim me antagonizëm politik, pjellë e paraardhësit të vet.
Ne anën tjetër, pas lufte, në Universitet u zgjedh Rektori (Zenel Kelmandi). E rrethuan njerëz, disa shumë abuzivë, dhe arritën për të sistemuar një politikë te grupit te interesit me pol të kundërt me ministrinë, por për abuzim polet bashkoheshin.
Në zgjedhjet e fundit të lira në Universitet u arrit që Prorektori më abuziv (Arsim Bajrami) të zgjedhet, në momentin më te pa duhur, Rektor i UP-së. Ishte një shqetësim për të gjithë të ndershmit në UP. UP-aj assesi nuk e meritoi këtë fatkeqësi.
Fatkeq në këtë luftë politike ishin dhe janë: studentet dhe puna e ndershme në UP.
Konceptualisht është filluar më reformimin e UP-së. Ishte mendim i drejtë. U bë diç pompoze,  por qasja praktike qe e gabuar. Nuk vërejtën kompleksitetin e reformimit. Mjeket do të thoshin: pacienti është gjallë, por nuk lëviz, nuk sheh, nuk flet.
Reformimi do të duhej të përgjigjej saktë: si të përgatitët kuadri i mirëfilltë për ekonominë e tregut? Kuadri i tillë sa është ekuivalent me konkurrentët në tregun evropian? Kjo nuk ndodhi.
Deputetë te nderuara, për 29 vite pune në UP, flas me përgjegjësi të plotë e krahasuese, se në asnjë periudhë të këtyre viteve, nuk ka qenë punë më pak produktive shkencore, se sa në kohën e pas luftës. Asnjëherë, nuk ka pasur deformime profesionale se sa që kemi sot.
Institutet kërkimore shkencore që ishin në fakultetet, sot janë në “vdekje klinike”. Atëherë mendojeni vetë çfarë shkence bëjmë ne, kur dihet se shkenca bëhet në institute.Ndërsa me magjistra dhe doktorë shkence, në kohë të fundit, kemi bërë “bum“ marramendës. Me shumicë në parimin: unë ty e ti mua. Natyrisht jo në të gjitha fakultetet.
Por, vetëm Instituti “J. Stefan”në Slloveni me 2003, dha 1089 punime, publikime shkencore e mori pjesë 1189 Simpoziume. Pyetne Dukagjin Popovcin (këshilltar i larte ne Qeveri) e Arsim Bajramin ku jemi ne? Ku është rinia jonë?
U shfaqën shumë pa rregullsi të pa paramenduara, disa edhe sistemore, të krijuara nga mangësitë e Statutit te UP dhe Ligjit për Arsimin e lartë. Konkretisht zgjedhja e dekanëve, politika e regjistrimit dhe financimit. Pastaj politika e financimi të Universitetit është destimuluese për kuadrin e ri.
****
Pas lufte shumë Universitete perëndimore, veçmas amerikane, hapën dyert për këmbim studentësh. Atje u dërguan studentë të privilegjuar, me sukses të dobët dhe mbyllën atë rrugë të shkuarjes. Po ata që mbyllën rrugën, do të jenë nesër profesorë pranë baballarëve të tyre, por jo studenti i shkëlqyeshëm, e i pa mbështetje.
Po shihet se edhe Universiteti nuk arriti t’u shmanget deformimeve të tranzicionit. Në UP depërtoi nepotizmi, po edhe individë të kriminalizuar.
Ajnshtajni i madh thotë“gjërat nuk janë të rastit”, edhe pjesa e mjerimit tonë nuk është e rastit.
Shumë profesorë e asistentë sot punojnë në dy e më shumë vende pune për shkak të mbijetesës, por edhe për shkak të papërgjegjësisë se institucionit ku punojnë ( e patë mbrëmë në TV ne 11 vende?). Po sa kohë u mbetet të ndajnë për konsultë me studentë, apo cila është cilësia e ligjëratave të tyre? Pyetni studentët.
Teoria shkencore tregon saktë: dy gjëra nuk mund të maten mirë në të njëjtën kohë.
Janë pranuar publikisht se janë shpenzuar mbi 30 milionë euro për shërbime, mallra dhe investime kapitale në UP, deri më 2004.
Sa i përgjigjet sot kjo realitetit faktik?
Matni efektet anësore të atyre që përdoren këto mjete dhe i regjistruan studentët kokë në vete. Del e tmerrshme....!
Dekani i Universiteti klerik të Kembrixhit thotë ..’se asnjë herë nuk është ndalë abuzimi derisa nuk është konfiskuar pasuria e paligjshme’.
Këto lëshime dhe trysnia e vazhdueshme nga MASHT-i kanë rritë entropinë shkatërruese në UP.
Universitet ka kohë që ishte poshtëruar financiarisht. Ndoshta në parimin politik: “varfëroje e sundoje”.

E gjithë kjo që thash për këto dy sektore është vetëm maja e Ajzbergut.

Deputetë të nderuar, një biograf duke folur për historikun e demokracisë se një shteti të SHBA-së citonte:
”Shihni këtë karrige! Është e kryetarit i cili net të tëra i ka kaluar ulur në të pa bërë gjumë, në kërkim të zgjidhjeve të problemeve te shtetit. Kur ishte i lodhur flinte në të pa shkuar në shtëpi. Shumë herë zgjidhjet ishin reale por, kur kundërshtarët s’pajtonin ai vepronte mbi kompromisin.” Ku ndodhemi ne përballë kësaj thënieje!?
Të mos harrojmë “se nuk bëjmë asnjëherë faj më të madh, si intelektualë”, e as si deputetë, si parti, e as si segmente shteti, sesa kur lirojmë energji për të penguar forca progresive, ose kur lirojmë energji për të ndihmuar forca primitive. Por edhe kur heshtim për ta thënë të vërtetën.
Të jemi të vëmendshëm sot, të mos biem në kurth të fanatizmit apo interesit meskin, se kjo çon ne vetasgjësim pa marrë parasysh është individë, parti, institucion apo shtet.
Ne jemi ata që e pranojmë fatin nga dora e huaj e jo nga puna e intelekti i ynë, Mjerisht. Kosova është i vetmi vend në botë që i shpërbleu me pushtet lojalistet e pushtetit të djeshëm!
Deputetë të nderuar, ndërhyrja në tempullin e dijes me politizim për depolitizim është pamençuri. Ndërhyrja për parregullsi, që vërtetë ekzistojnë, me parregullsi, në demokraci del si element force që s’ka drejtësi.
Sinqerisht, nuk do të ndodhë depolitizimi në Universitet, por ndoshta do të ndërrojë vetëm vendi i polit të politizimit. Të provojmë. Më keq s’mund të jetë! Atje duhet të ndodhin zgjedhjet e përgjithshme. Por, tempulli i dijes pranon ndërhyrje me kualitetin e dijes dhe njerëzit e dijes, me dinjitet, me ndjenjë të pastër e dorë të pastër.
Studentet e mi dhe kolegët e mi, presin që kjo të përcaktohet me drejtësi në Kuvend, Ministri, Gjykatë, e kudo qoftë.

(Diskutimi im në Seancën e 12.05.2006 në Kuvendin e Kosovës - debatin për Arsimin e Lartë).

PJETER IVEZAJ BAROMETRI I KOHES SE LIRISE


ZEF PERGEGA



          PSE RANE KEMBANAT E SE DIELES

Këmbanat e së dielës rrahen më fort ditët e zakonshme, me 18 nentor 20011. Tingëllimat e saj shqip në Bashkin e qytetit Rochester Hills në Detroit, u mblodhën në kupë të qiellit, për të zbritur me bekime në gojën e Dom Fran Kolës, famullitar i kësaj kishe.
Madje vetë zëri i tyre u dëgjua larg, sa mblodhi në sallën, që mban emrin e poetit tonë kombëtar, Homerit të Lahutës së Malësisë  “Gjergj Fishta, mbi 300 malësor e shqiptar nga të gjitha trevat, në një përkujtimore, që ia shtoi llamburitjet krishtlindjeve dhe festës tradicionale të vitit të ri.
Shoqata e Malësisë së Madhe në kërkim të vlerave dhe të visareve kombëtare ishte ndalur në një nga piramidat më të spikatura të historisë së 70 vitëve të fundit të komunitetit shqiptar në Amerikë.
Kësaj rradhe me një seriozitet dhe përkushtim njerëzor kishte parë me vemendje barometrin, që paralajmeroi lirinë e Kosovës.
Dom Frani, pasi ka meshuar dhe predikuar është nisur të marrë pjesë në këtë eveniment.
Lek Ivezaj nuk jeton me, por iku me një shpirt të liruar nga pengu. E kishte parë djalin, Pjetrin, të zgjidhur nga prangat jugosllave. Edhe për një arsye tjetër se famlja e tij është plot. Frani me fëmijë, Pjetri me një tufë që tani janë rritur… kanë dalë tek dera të presin njerëzit.
Nana Pashkë një sojnike, ka dëshirë ti përshëndesë të gjithë. I kujtohet dita para 25 vitësh, kur shtëpia iu mbush me shqiptar. Pjetri ishte kthyer pranë familjës i lirë.
“Zoti ta bekoftë familjen Nana Pashkë. Biri yt është një hero i lirisë së Kosovës. Ashtu janë të borgosurit politik, njerëzit më të fortë në karakter dhe në idealet e lirisë!”-i thotë Dom Frani tek shtërngon duart me te dhe përshëndetët si me nënën e tij kosovare.
“Qofsh i bekuar biri im. Suksesin e paç në sy e në ballë dhe këmbën e mbarë e fjalën e urtë ndër shqiptarë e malësorë!”-ia ktheu Nana Pashkë.

ISHTE FILLIMI I NJE PRELUDI

“Çeshtja Ivezaj ishte fillimi i fitoreve të shqiptarëve në mërgim dhe në trojet e veta, rrokullizja drejt greminës e sistemit komunist jugosllav dhe disfatat e një pas njëshme serbo-malazese, këtij armiku shekullor të Dheut t Kastriotit. Ajo është për tu shënuarne kalendarin historik, si preludi lirisë së Kosovës”- kështu e nisi ligjeraten Luk Junçaj, ish-kryetar i shoqatës së Malësia e Madhe në takimin kushtuar 25 vjetorit të daljës nga burgu serbo-malazes të mësuesit shqiptaro-amerikan Pjetër Ivezaj.
Si drejtues aktivitetit me një zotësi dhe ligjerim profenional në lartësi nderimi e mirënjohje për të gjithë Z. Junçaj në referatin e tij parashtroj situatën në të cilën ndodhi kjo ngjarje që mori dhenë, sa shkruan 140 gazeta perëndimore dhe amerikane.
“ Në gusht te vitit 1986 Pjeter Ivezaj pasi kishte marrë pjesë në demostrata anti-jugosllave shkon për të vizituar familjen. Atje arrestohet nën akuza të rënda për tradhëti ndaj atdheut të jugosllavisë, vetëm se ai në Amerikë kishte ushtruar të drejtat e tubimit në përputhje me kushtetuten amerikane.
 Mërgimtaret edhe pse me mijra kilometra larg trojeve të veta ishin objekt kontrollimi, ndëshkimi dhe dirigjimi nga ana e shtetit jugosllav edhe në diasporen shqiptare në Amerikë. Kjo diasporë iu bashkangjit fuqishëm kërkesave të studentëve të Prishtinës dhe në mesin e shumë aktivistëve eshtë dalluar edhe Pjetër Ivezaj. Kjo e tërboi sigurimin jugosllav dhe u hodh në ofensivë kundër shqiptarëve dhe si fillim burgosi Pjetër Ivezaj, për të friksuar bashkimin tonë në Amerikë. Ky akt i shëmtuar kërkonte të siguronte përçarjen dhe tu tregonte mërgimtarve se kush vepron kundra shtetit jugosllav e presin prangat dhe burgimi i rëndë.
Reagoi me njëherë mergata, u ngrit çeshtja në Kongresin Amerikan, 150 kongresmene me kontributin e kongresmenit William Broomfield lëshuan peticionin, duke kërkuar lirimin e me njëhershëm të Pjetër Ivezajt, i denuar me shtatë vjet heqje liria nga një gjykatë e montuar në Podgoricë. Presidenti Regan lëshoi ultimatumin, lirojeni shtetasin amerikan Pjetër Ivezaj ose do tu heqim statusin e privilegjuar në marrëdhënjet politike e ekonomike me Jugosllavine…
Pas 55 dite të ferrit jugosllav, Pjeter Ivezaj kthet në tokën e lirë në Amerike.” kumtoi Junçaj, në mbyllje të fjalës se tij.

TE SHKRUHET E VERTETA

Dispora shqiptare përdori të dy krahet dhe mendjen rreth një shpirti dhe rreth një zemre. Demostrimin para andministratës me të lartë amerikane dhe rrugen e kongresit. Në këte të dytën pati një angazhim të madh Ekrem Bardha, i cili në fjalën e tij tha:
 “Une nuk e njihja Pjetër Ivezajn. Miku im Gjok Martini me telefonoi dhe me tregoi të gjithë ngjarjen. I thashë se kemi një mik amerikan kongremenin e Michigenit William Broomfield dhe kështu u lidhëm me te, për të mos u ndarë derisa liruam Pjetër Ivezaj. Nuk mud të lejohej të trajtohej, siç i trajtonin shqiptarët në vendlidjen e tij. Dua të them para jush se historia e kësaj ngjarje nuk është shkruar me vërtetësi. Rasti i Pjetër Ivezajt ishte guri i themelit të ndryshimit. Pa Amerikën nuk mund, as nuk do të mundemi të bëjmë asgjë. Janë dy apo tre shkrimtar amerikanë që në librat e tyrë e kanë pasqyruar me dinjitet dhe saktësi gjithë punën e diasporës për lirimin e Pjetër Ivezajt, ndërsa ne kur shkruajmë e shtrëmberojmë historinë për qëllime të ndryshme. Për vete nuk pranoi të thuhet “uni” po ishim shumë të angazhur në këtë çeshtje. Heroi Pjetër Ivezaj meriton një histori reale ashtu siç e meritojnë të gjithë në diasporë.!”
Fran Ivezaj, e pa të domosdoshme që ta sensibilizonte çeshtjen e vellaut të tij, në shtypin amerikan. Kështu ai komunikonte me gruan e Pjetrit në Maleëi dhe me njerëzit e intelektualet malësor, të cilët u kthyen në burim informacioni që me pas Frani i rrëfente para kamerave dhe gazetareve që mbushin faqet e para dhe ekranet televizive.
Një përkushtim shqiptari në këtë luftë për fitore ka patur edhe patrioti dhe eksponenti i diasporës Gjok Martini edhe si pjesmarrës në demostrata dhe në takime me kongremene demokrat. Bota u ndez ndaj një përbindeshi jugosllav që sillej si engjell në sytë e Amerikës.
Në listën e patrioteve  të spikatur në rastin Ivezaj, Luk Junçaj përmendi emrat e disa prej tyre si, Ekrem Bardha Gjok Martini, Toni Junçaj, Kujtim Qafa, Rrok Dedvukaj, Kol Gojçaj, Gjovalin Gegaj, Gjon Kelmendi e dhjetra të tjerë. Nga New-Yorku ai kujtoi Zef Camaj, Tom Gjokaj, Mark Lulgjuraj, Gjek Gjonlekaj, Pashko Camaj, Vesal Camaj, Gjelosh Lek Camaj, Gjeto Sinishta, Jim Xhema, Sejdi Bitici etj.
“As Greqia as Serbia nuk i respektojnë ligjet demokratike kur vjen në pytje e drejta e shqiptarit. Uroj që vuajtjet, përkushtimi dhe gjakui i dedhur, duke përfshirë edhe aktin heroik të Pjeter Ivezajt, të shërbejë për bashkimin e trojeve etnike në një shtet të vetëm!”- tha kujtim Qafa. Në këtë aktivitet foli edhe Luigj Gjokaj.

“Liria e bashkimi nuk vijnë pa sakrifica e vujtje. Drejt tyre kemi shumë punë përpara. Gjesti fisnik i malësorit Pjetër Ivezaj të na shërbejë për frymëzime të reja drejt realizimit të aspiratave tona!”- tha Rrok Dedvukaj, ish i burgosur politik në Mal të Zi.
Aktivisti i palodhur Marash Ulaj i dorëzoi Pjetër Ivezajt dekoraten e mirënjohjes, akorduar nga Shqata Malësia e Madhe.
Takimin e përshëndeti me telefon kongresmeni Sader Levin!

RRETH KUMTIT TE LAJMETARIT

Përshëndetjen e tij  Nikoll Camaj nga Malësia e Madhe  e kishte dërguar me posten elektorike, të cilën e lexoi këngëtari virtuoz Rrok Gjelaj.
“Pjetër Ivezaj, përfundimisht do të mbetët lajmetari i lirisë për popullin shqiptar të vuajtur të Kosovës, por edhe dëshmi e gadishmerisë malësore për sakrificë në shërbim të kombit!”
Në letrën e tij, Gjon Lulgjuraj, të cilën e lëxoi aktivisti Ruzhdi Gjokaj, ndër të tjera thuhej:
 “Mirënjohje familjes Ivezaj, e cila vendosi të sakrifikojë shumë, për ta përdorur rastin e burgimit të birit të tyre Pjetrit, për të ekspozuar të vërtetën në sytë e botës demokratike, se si vepronte politika anti-shqiptare e autoritetëve serbo-jugosllave. Kjo ngjarje ngriu si akullin e ftohtë, marrëdhënjet e mira të jugosllavisë me Amerikën.!”
Në përshëndetjen e dërguar nga Gjon Gjonleka, lexojmë:  “…aq sa qëndroi në burgun jugosllav P. Ivezaj përjetoi mundimet e Shën Pjetrit në Romën pagane, por gjatë atij kalvari nuk e mohoi kurrë çeshtjen kombëtare. Akti atdhetar i Pjetër Lekës nga fisi i Grudes u pa më dashuri e respekt pothuajse nga 70 milion njerëz në emisionin televiziv, kushtuar 200 vjetorit të kushtetutës amerikane. Ky akt solli rezultate më shumë se çdo veprimtari tjetër të shqiptarëve të Amerikës, për çeshtjen e Kosovës, pavarësisht se deri atëherë ishin bërë shumë sakrifica. Kam qenë pjesmarrës në shumë aktivitete për lirimine tij dhe i kujtoi me respekt të gjithë ata amerikan e shqiptar që vepruan për lirinë e Kosovës, Shqipërisë dhe Pjetër Ivezajt. Shoqata “Malësia e Madhe” meriton nderime për këtë sjellje fisnike.”

PAS 25 VITESH

Kanë kaluar 25 vjet dhe Pjetër Ivezaj del në podium të përshëndes. Gjithë sytë dhe vëmenhja kthehen në në një pikë. Me ta bashkohen edhe kamerat dhe blix-et.
Shkëputem disa radhë nga fjala e tij: “…Lirimi im nga burgu përkon me 30 vjetorin e demostratave të vëllëzërve shqiptar të diasporës për lirinë e Kosovës. Kryengritja e Kosovës e vitit 1981 ishte revolucioni i dytë me i madh në Europen Lindore, pas lëvizjës punëtore të Polonisë. Kjo kryengritje ishte frymëzim për çdo shqiptar e në veçanti për ata të mërguar në botën e lirë. Ne e kemi përjetuar rëndë shtypjen e lëvizjës studentore në Prishtinë. Nisur nga ky kumt çlirimtar për liri, organizuam një demonstratë në prill të vitit 1981 në Washington. Këtu nisi hakmarrja serbe ndaj meje dhe të gjithë atyre që kundërshtonin politiken diskriminuse jugosllave ndaj shqiptarëve.
Gjuha shqipe dhe feja kanë qenë një simbolikë e shënjtë në familjen tone, si në vendlidje e në Amerikë. Ishte mëshira kristiane që me shtyri të shkoi në demostratën për Kosoven, sepse përjetova thellë dhimbjen, tragjedinë dhe përskuqjen e shesheve të Prishtinës nga gjaku i rinisë në pranveren e vrarë të vitit 1981.
Lufta e mërgates anti-komuniste ishte në dy fronte: kundër pushtimit jugosllav dhe kundër diktaturës shqiptare. Korrëm fitore dhe jam i lumtur që jetova e punova, për ti parë këto ditë të bardha të kombit tim.  Ajo me emocionalja e jetës time ka qenë vizita ime në Kosovë, tek varrët e Jasharajve, tek ata kulla legjendare me dritare me krisma lirie. Shkova në Shqipëri e në vendlidje me një krenari të pakufishme për vendin tonë. Pashë se populli shqiptar po shkonte drejt bashkimit!”
Televizioni i Shqiptarëve të Amerikës me regji të Gani Viles dhe skenar te Rafael Floqit, kishte përgatitur një dokumetar prej një ore, kushtuar aktit të guximshëm të Pjetër Ivezajt. Grupi i këtij televizioni shfrytëzoi rreth 160 ore xhirime të kryera edhe nga mediat amerikane, për të arritur në këtë dokumentar televiziv të realizuar në mënyrë artistike dhe me vlera transmetuese në çdo ekran profesional.
Aktivitetin e përcolli edhe televizioni shqiptar ACTV dhe radio “Zëri i Atdheut”
Në emër të familjes aktivitetin e përshendeti Prof. Fran Ivezaji, cili me fjalë te matura vlersoi kontributin e të gjithe atyre që i janë gjëndur Pjetrit dhe familjës në ditë te veshtira, pa harruar angazhimin e administrates, mediave amerikane dhe komunitetit.

          NEPER VALET E LIRA


Valet e lira të Zërit të Amerikës kanë qenë për shqiptarët rrezja dhe antenna e parë e kërkesave të tyre të drejta në të gjithë botën shqiptare. Roli i saj predominant është i qëlluar, sidomos kur populli ynë ishte mbërthyer në kularin e hekurt të regjimit të Tiranës dhe Beogradit. Rastin e Ivezaj, kjo valë e trajtoi me një seriozitet të padiskutushëm, në komentet, analizat, lajmet dhe intervistat me përsonalitete të larta amerikane dhe shqiptare.
Me 3 tetor 1986 Departameti Amerikan i Shtetit njoftoi se Jugosllavia kishte arrestuar një shtetas amerikan 30-vjecarin nga Sterling Heights i Michiganit, Pjetër Ivezaj, mësues në shkollat e Detroitit.
Tani që kanë kaluar 25 vite Zëri i Amerikës e përcjellë këtë ngjarje me dy intervista dhe një koment simbolik
Konsulli i Nderit Ekrem Bardha solli momente dhe impresione nga koha e fillimi të mbështetjës amerikane për këtë burgosje politike të  Ivezajt
Broomfield ishte shumë i mërzitur për këtë rast, pra një shtet i favorizuar nga Amerika, siç ishte Jugosllavia,  të denonte padrejtësisht një shtetas amerikan. Roli që luajti kongresisti Broomfield ishte shumë i veçantë. Ai pati edhe ndihmen e kolegeve të tij. Broomfield e njihte mirë situaten në Kosovë, Mal të Zi e Maqedoni. Koleget e tij amerikan e besuan dhe më njëherë ai organizoi tri seanca në kongres për këtë çeshtje, ku kërkoi masa të rrepta, për të prerë marrëdhënjet diplomatike dhe tregtare me ish-Jugosllavinë!”
Kryetari i shoqatës “Malësia e Madhe” Gjergj Ivezaj, tha ndër të tjera se Pjeter Ivezaj nuk u arrestua për ndonjë vepër penale në SHBA, por për faktin se ushtroi të drejten e tij me kushtetutë dhe së kërkonte të drejtat demokratike që në atë kohë u mohoheshin shqiptarëve të Kosovës. Shumë politikan amerikan filluan ta kuptojnë ku ishte problemi, sepse e vërteta e shqiptarëve në Jugosllavi ishte mbuluar nga një pluhur propagante e pushtetit të kohës. Intervenimi amerikan për çeshtjen Iveaj, ndikoi tek shqiptarët. Atyre filloi tu kthehet besimi se Amerika ishte një mik i tyre dhe diaspora krijoi një kurajo tek vetja se mundi i tyre nuk po shkonte kot!

SI E NJOHA PJETR IVEZAJN

Kisha marrë njoftimin nga një grup gazetaresh në Tiranë, të cilët do të diskutonin rreth krijimit të Lidhjës së Gazetarëve të Shqipërisë, në kushtet e vendosjes së pluralizmit politik në Shqipëri, pas rënjës së komunizmit.
Pas takimit, rastësisht takova skenaristin e televizionit shqiptar Ndue Ukcamaj, i cili me tregoi se të nesërmen do të vinin në Lezhë bashkë me grupin e xhirimit dhe dy shqiptaro-amerikan. Ka qenë verë e vitit 1991.
Kështu me të mbërritur në Lezhë, Nduja me prezantoi me Zef Camajn dhe Pjetër Ivezajn. Pasi pimë kafe, ku ishte edhe regjizori Ylli Pepa, gazetari Geni Shehu dhe kameramani Petrit Omeri, vizituam Memorialin Gjergj Kastrioti Skenderbeu.
Një ditë të diele pas meshes në kishen e Shenpalit në Detroit pranveren e vitit 2003, takohem me Pjetër Ivezajt që të them të drejten nuk e mbaja mend, por ai pa vonuar me zgjati dy fotografi që kishim berë në Lezhë. Mbetëm miq të mirë me njeri-tjetrin me këtë njeri që i dha një grusht të fortë mitit serb për Kosovën.

Ky shkrim nuk lejohet te botohet gjetiu pa lejen e autorit


2011-12-24

Forma dhe shpirti artistik në poezi




Mbi krijimtarinë poetike të Mujo Buçpapajt


 Forma dhe shpirti artistik në poezi


Dr.sci.Fatmir Terziu


Forma dhe fryma poetike janë dy anë që binjakëzohen në poezinë e poetit Mujo Buçpapaj. Në poezinë e tij të dyja këto ridimensionalitete poetike plotësojnë në fakt atë pikasje që poeti shqiptar, Visar Zhiti e ka shprehur që hershëm për Buçpapajn dhe poezinë e tij. Zhiti thekson se “Shumë poetë kanë rikrijuar metaforën e botës si dhimbje dhe hapësirë, por tek ky individualitet poetik, spiralja e dhimbjes ringjall pamjen mjeshtërore të shpirtit artistik që haset tek shumë poetë të mëdhenj të botës tonë që nga Kuasimodo, Ungareti, Robert Forst, Martin Camaj, Ali Podrimja etj. Njohja e gjuhëve të huaja i ka dhënë mundësi që të njihet me shumë poetë bashkëkohorë, një pjesë të të cilëve edhe t’i përkthejë në shqip, kryesisht nga anglishtja.” (Zhiti, 2006:145). Kjo ndoshta nuk është thjesht një pikasje e mjeshtrit të letrave shqipe, Zhiti, për poetin tashmë me emër në krijimtarinë e gjithanshme shqiptare. Për shumë teoricienë kritikë, të dy këto anë të subvensionit të mesazhit poetik si pjesë të aspektik kontemporan të vargut janë sa sublimitetet letrare po aq edhe funksione  të shkencës humane dhe artit. Si një art, ato kanë vlerat e tyre estetike. Si mbartës të shkencës humane, ato kanë parimet e veta shkencore. Në historinë e poetikës shqiptare të dy këta aspekte kanë qenë konsideruar më shumë ose më pak si një degë e artit poetik, duke tërhequr një marrëveshje të madhe mes koncepteve të poezisë nga një pikturë, një shembull që idetë e "formës” dhe "shpirtit" të transmetohen më tej dhe në mënyrë të dukshme. Ndoshta aq të dukshme sa antiteza metaforike e vëllimit poetik të Mujo Buçpapajt, “Fitorja e Padukshme”. Duke rrëmuar në historinë e kritikës shqiptare, gjejmë pikërisht fuqinë e fjalës së Dr. Krist Malokit që shprehet se “në literaturën shqiptare asht i rallë koloriti adekvat dhe ato vepra (makare edhe vjersha) që i përgjigjen gjithë kërkesave dhe kritereve të një koloriti të vërtetë mund të njehen ner gishtat e duarve” (Maloki, 1939: 10-31). Ky kolorit sipas Malokit ka ndikimin e vet në formën dhe frymën poetike nëpërmjet “ahshië, shpirtsië, amsië e ngjyrësië”, të cilat ai i quan situata të gjalla dhe plot atmosferë, adekuate, me pak fjalë përshkruese e rrethshkruese (Ibid). Duke bërë një lidhje teorike mes kësaj që gjendet në kritikën e Malokit dhe poezisë së vëllimit “Fitorja e Padukshme” të Buçpapajt, gjejmë një pikëtakim në kohë, hapësirë e vend me teoritë e Frojdit, teori të cilat ushqyen në krijimtarinë poetike franceze, poetë të tillë me emër si Bernard, Drouot, Roger Allard, Lantoin, Clarasson, Jane Cartulle Mendes, Renee Vivien, Delarue-Mardrus, Anna de Noailles etj dhe që u analizuan më pas nga emra të kritikës së asaj kohe si Arcos, Georges Duhamel, Albert Gleizes, Henri Martin, Charles Vildrac. E gjitha kjo lidhje formon “unanizmin” në poezi, një term i rëndësishëm që sipas Jules Romain kupton një lloj poezie të pamjetshme, d.m.th. shprehjen e drejtpërdrejtshme, pa stoli e pa lajle, të njata, shka shpirti nxjerr e kupton prej realitetit” (E.F. [pseudonim i një autori të paidentifikuar] 1942: 82-84).
Forma dhe fryma në poezinë e Mujo Buçpapajt ngjan në këtë lidhje teorike si një riprezantim i atij realiteti të autorit nëpërmjet vargut dhe koloritit të pashprehur piktoresk. Në këtë lloj poezie përveç mesazhit dhe arsyes logjike ne ndjejmë edhe pikturën e atij realiteti strukturalist të riprezantuar në një sfond të padukshëm, por jo imagjinar. Funksioni i riprezantimit në këtë poezi-pikturë krijon një  ngjashmëri formale, megjithatë edhe pse nuk është e mjaftueshme në vetvete, poeti mundohet të përcjellë frymën e gjallesave dhe ndikimeve ndryshuese në kohë, vend dhe hapësirë.
Çfarë është kjo një [metodë e poezi-pikturës së ndjeshme shpirtërore]? Dikush mund të thotë: ajo është një poezi që shërben për të përcjellë frymën, që është tek të gjithë njerëzit e thjeshtë duke ditur se qeniet njerëzore kanë shpirt dhe vetë njerëzit nuk e kuptojnë se gjërat kanë ‘shpirt’, pikërisht këtë shpirt të ndikuar nga poezi-piktura e realitetit që sjell Buçpapaj në poetikën shqiptare. Për të këtë, ndoshta jo thjesht si një lidhje teorike por edhe në krijimtari të tjera Perëndimore, poezia dhe piktura me kohë kanë qenë forma ekuivalente arti, dhe ky qëndrim ka qenë i përhapur edhe në riprezantimin e poezisë. Opinionet mbi rëndësinë relative të formës dhe shpirtit artistik në poezi janë ndarë në disa teori, por më e përhapura mbetet ajo që është për ngjashmëri formale  dhe ngjashmëri shpirtërore. Le të shikojmë në thelb pikëpamjet e tyre dhe lidhjen me poezinë e Buçpapajt në mënyrë më të ngushtë. Ata që mbështesin idenë e ngjashmërisë formale besojnë se poezia duhet të jetë e ofruar zyrtarisht si poezi, dhe ky bilanc i formës së miri mund të përcjellë kuptimet, sintaksën si dhe ritmin që mesazhet të rrjedhin sa më origjinale. Krahaso për shembull pas përkthimit të vjershës të T. S. Eliot:

“Muaji Prill është më katili, në edukatë
Jargavan nga tok e vdekur, përzihet
Memoria dhe dëshira, nxitje
Rrënjët, mërzitshëm me shi pranvere...”
 
Duke parë lidhjen me poezinë e Buçpapajt poezi të tilla si “Era e ngrirë”:

“Po merrnin fund kopshtet
Shtëpitë, tokat e rrënuara
Të Atdheut në Veri
Rrafshit Kosovar, pas egërsisë serbe…”, apo “Zhgënjim total”:
“E dashur nënë,
Unë kam dalë prej fjale
Si prej arkivolit të zi
Dhe jam zhytur nën lëkurë…”, dukshëm formojnë një bindje mes poezisë së Elliot dhe këtyre opinioneve kritike. Kështu në këmbim të këtyre opinioneve kritike, vetë poezia e Mujo Buçpapajt ridimensionohet duke formuar zërin tipik. Atë zë që Zhiti e gjen me vend ndërmjet emrave të tjerë “Zëri i tij bën pjesë në korin epik dhe modern të poetëve të trevës së tij nga kanë dalë poetët e shquar të vendit, Ndoc Papleka, Skënder Buçpapaj vëllai i poetit, Hamit Aliaj, Besnik Mustafaj. Po nga ato treva vijnë dhe legjendat tona më madhështore. Mujo Buçpapaj është një nga poetët modern të letërsisë bashkëkohore shqipe, dhe një nga penat me përfaqësuese të kësaj poezie, i përkthyer në disa gjuhë të huaja. (Ibid).
Për më tej janë edhe gjtjet e poetes amerikane, Laura Bowers, që shprehet për këtë krijimtari poetike “Nё tё pёrshkruhet portreti i bukur dhe i fshehtë i njё kombi dhe vendi tё coptuar nga lufta, dhe nga plagёt e saj. Buçpapaj shndёrrohet nё thirrjen e turmave tё tё gjallёve dhe tё vdekurve qё  pёrjetuan luftёn e Kosovёs dhe bashkimin e burrave dhe grave si dhe fёmijёve tё vendlindjes sё tyre. Poezitё e kёtij libri “Fitorja e Padukshme” pёrbёhen nga copёzat e zemrёs sё poetit me thellёsi mendimi dhe drite, tё cilat vijnё tё gjalla dhe tё shpёrndara mes dy popujve. Shpirti human ёshtё ai qё i bashkon tё gjitha poezitё e tij me mallin pёr atdheun e dikurshёm dhe popullin e humbur si dhe trishtimin e madh se ai ka mbetur vetёm njё kujtim.”. Apo më tej edhe vlerësimet e të tjerëve për të 62 poezitë e vëllimit të Mujo Buçpapajt “Fitorja e Padukshme”.
Frederick Turner shprehet: “Poezia e Mujë Buçpapaj është si vet Ballkani: një tokë e ngjeshur e energjive tragjike. Nga njëra anë, ai është poeti i thjeshtësisë së madhe, ku imazhet pasionante janë pothuajse surreale në thellësinë e tyre, ku u bëjnë thirrje botës së bukur të natyrës për të cilën ne të gjithë ndajmë nga qëllimi i moralshëm fisnik. Por ndjeshmëria e tij është gjithashtu e Evropianit të (sofistikuar) ndërlikuar e një prej më të lashtëve prej evropianëve dhe për këtë ekziston njohja e hollë ironike e brutaliteteve të jetës që mund vetëm të burojë nga përvoja e luftës. Kjo përbën një vepër fisnike.” Poeti Gjekë Marinaj thekson me superlativa se “Mujë Buçpapaj është poet i nivelit botëror. Poezitë e tij u punuan me një mençuri ekstravagante në të cilën tonet elegjiake dhe ironike nuk rrjedhin nga mençuria e thjeshtë apo zgjuarsia, por nga një urtësi e thjeshtë dhe origjinale e zemrës. Ato lidhin shëmbëlltyrën ekstravagante dhe zgjuarsinë e qartë e mahnitëse për të zbuluar dhe nxjerrë në pah, sa tmerret, aq edhe anët joshëse dhe të këndshme të identitetit të veçantë shqiptar. Dan Reed shton më tej se “FITORJA E PADUKSHME na çon në mbretërinë e arsyeve të një vendi të thellë dhe kaotik në kënaqësitë dhe dhimbjet tona. Ato përbëhen nga lirika të gjalla të jetëve në prag të një bote të re.” Dhe së fundi për të kaluar tek Susan Rushing Adams që shton se “Mujë Buçpapaj sjell për lexuesit pamje të shpejta të pashlyeshme në kujtesë nga lufta e  Evropës Lindore, siç është shpresa për paqe në atdheun e tij. Sikurse T.S.Eliot, ai trazon kujtimet dhe dëshirën, duke ballafaquar të porsalindurit e fshehur në pyje dhe të qarat e fëmijëve me remineshenca të dashurisë, pemës së mollës dhe shiut.”

Agolli – Kadare, një duel artificial



Panairi i sivjetshëm i librit në Tiranë u shoqërua në ditët e tij më të nxehta edhe me një fushatë gazetareske sipas stilit shqiptar, stil që  karakterizohet nga mbizotërimi i shprehjes së mendimeve mbi baza hatëri, cmire, oportuniteti dhe preferencash interesi personal. Stil që imiton  shëmtuar ndërkomunikimin në politikën shqiptare. Gazeta “Sot” paraqiti në faqet e saj një lloj interviste anketë me idenë se, cili është sot më i madhi, më i lexuari shkrimtar shqiptar, Kadare apo Agolli. U pyetën disa deputetë, politikanë, disa njerëz të medias, e tek tuk ndonjë shkrimtar. Thelbi i përmbajtjes së vlerësimeve të tyre ishte pak a shumë ky: Kadare është shkrimtar elitar, princi i letrave shqipe i njohur ndërkombëtarisht, ndërsa Agolli është i tabanit popullor, i bën himn kombit, është i yni. Kishte edhe nga ata që thanë se të dy janë miqtë e me e të dy janë njëlloj të mëdhenj, të tjerë thanë se të dy janë servilë të politikës. Ndonjë tjetër figurë e njohur tha se nuk kam lexuar asnjërin, pasi lexoj vetëm literaturë profesionale, të artit të restaurimit. Një poet çuditshëm shkruajti se Agolli shkruan për shqiptarët ndërsa Kadare për të huajt. Ndër vlerësimet kishte edhe të tillë që, Agolli është më i madh në poezi kurse Kadare në prozë. Një akademik tha se Agolli ishte shkrimtari i tij i preferuar me nënkuptimin që Kadarenë nuk e lexonte fare,etj. Që mua si lexues më pëlqen njëri ose tjetri më shumë, mospëlqimet e  shprehura nga të tjerët, të pa arsyetuara bindhsëm,  nuk më ndryshojnë gjë në opinionin tim. Unë shijoj sipas kaleidoskopit tim, sipas shijes sime të kristalizuar nga botëformimi dhe prirja ime personale. Kur gjej vlera të reja në opinionet e tjera ia vesh ato bindjeve të mija duke forcuar opinionin individual. Përpara një tregu të tillë vlerash shikoj gjithmonë një peshore ku nga njëra anë janë popullariteti i njërit me trofe modeste, Agolli dhe nga ana tjetër janë disa trofe të larta të tjetrit përzier me popullaritet, Kadare. Kështu më duket peshorja Kadare – Agolli. Kjo më shtyn të kërkoj e të pyes: Dakord popullor Agolli, po përse nuk është kaq i afërt, kaq i ngrohtë për psikologjinë e masës ai tjetri, Kadare që ka edhe trofetë e larta vlerësuese? Çfarë e bën më të largët, çfarë e pengon mekanizmin admirues te njerëzit për t’u ndjerë i afërt te ata me mjeshtërinë e tij. Po arti? Sigurisht subjektivizmi i shijeve luan rol. Mos kemi të bëjmë me atë shkallën e vlerave ku “Mendësia Babaxhane” e përkthyer në popullaritet absorbohet më lehtë nga masa dhe “Inovativja” si më e vështirë për t’u kapur e interpretuar përkthehet në ftohtësi me më pak popullaritet, ndërkohë që merr trofe elitash?!
Mbase na ndihmon në kuptimin më mirë të kësaj dukurie shoqërore një fenomen i ngjashëm i viteve 60-70 në Francë. Atë fenomen që u quajt “Sindroma ose kompleksi Poulidor”. Në vitet 60-70 sporti i çiklizmit botëror kishte një kampion të madh, Jacques Anquetil, i cili fitoi në mënyrë absolute vendin e parë në disa vite radhazi të Tour de France. Sigurisht që kishte edhe konkurentë shumë të mirë dhe një nga këta ishte Raymond Poulidor, i cili për fat të keq asnjëherë nuk mundi të fitonte titullin kampion. Në shumicën e garave u rrjeshtua gjithmonë i dyti dhe i treti, asnjëherë të vetme i pari.
Kjo jo sepse ai nuk bëri maksimumin e përpjekjeve në një karierë shumë të gjatë, nga viti 1960 deri në 1976.Por ishte një fat i keq për Raymond Poulidor që kariera e tij koinçidoi me atë të Jacques Anquetil në periudhën e parë të fillimit dhe me atë të Eddy Merckx në periudhën e mbylljes. Konkurenca sportive mes tyre u influencua në sytë e opinionit francez si një garë mes dy koncepteve, midis të talentuarit absolut Anquetil dhe konkuruesit Poulidor, të admiruar shumë nga fansat për shpirtin e garës por i limituar përgjithmonë në arritjen e titullit kampion nga i padiskutueshmi Anquetil.
Poulidor vinte nga një vend bujqësor i Francës qëndrore. Rridhte nga një familje bujqish dhe në rrethanat e jetës në fshat i pajisur me forcë fizike dhe shpirt gare nuk arriti të arsimohej. Ushria dhe shërbimi në Algjeri e rritën duke shfrytëzuar më pas mundësitë e përfshirjes në garat aq popullore të çiklizmit në Francë. Me flokët e zinj, me shprehje fytyre babaxhani dhe trup muskuloz me dukje fshatari ishte më i afërt për mendësinë e njerëzve të zakonshëm. U dhimbsej kur e shikonin që me gjithë përpjekjet maksimale nuk arrinte dot që të vishte të paktën një herë bluzën e verdhë të fituesit të vendit të parë. Ishte një simpati popullore dhembshurore për suksesin e tij, sukses që shkonte deri te vendi i dytë, por asnjëherë i pari. Poulidor u influencua, u demoraliza nga rezistenca e gjatë e Anquetil, nga qëndrueshmëria e fortë psikologjike e tij. Janë tre raste të mirënjohura kur gjatë garave Poulidor kishte shansin që të thyente Anquetil mirëpo gaboi në racionalitetin e kohës së alteritmit të ritmit, të sprintit. Dhuntinë e mprehtësisë së ritmit të garës nuk e kishte në atë nivel sa rivali i tij i përhershëm.
Kalonin vitet dhe çuditërisht çiklisti Poulidor, i mbiquajtur tashmë “ I dyti i përjetshëm” kishte një popullaritet më të madh sesa kampioni Anquetil. Në popull kishte një keqardhje të madhe, një dëshpërim gufues për pamundësinë e fitimit të një titulli kampion nga Poulidor.
Ndryshe ishte në sytë e francezëve konkurenti Anquetil. Ai vinte nga veriu i Francës, Normandia, nga një familje ndërtuesish dhe vet studjoi inxhinjeri. Ishte bjond, i mprehtë me pamje tërheqëse, i hollë fizikisht me ambicie të qartë këmbëngulëse për të qënë fitues. Stërvitja dhe garimi i tij bazohej në kritere shkencore dhe inovative. Ai ishte në majë të teknikave stërvitore në ciklizëm, në ato të ushqyerjes dhe të rejave teknologjike të biçikletave të garave. Ai adaptoi për herë të parë qëndrimin mjaft të përkulur të trupit gjatë sprintitmbi biçikletë dhe modifikoi timonin e saj. Filozofia e tij pikësynonte çdo përpjekje të domosdoshme, racionale për fitimin e një sekonde gjatë garës. Intuita e talentit të lindur e bënte të jashtëzakonshëm kur i vetëm në krye të garës arrinte një racionalitet perfekt të ndarjes, alternimit të kohës së ritmit midis sprintit dhe pedalimit normal. Ai fitoi tetë gara të mëdha të Tour de France, por asnjëherë nuk u pa që të ngjitej e të kapërcente majën e një mali i pari. Nga kjo cilësi, racionaliteti absolut me kohën filluan ta quajnë “Zotëria Ritëm -Kohë”. Asgjë më shumë. Mbi bicikletë dhe në lëvizje ai ishte personifikim i elegancës dhe teknikës racionale. Ishte mjeshtër në rezervimin e energjive gjatë garës dhe i fuste në përdorim maksimal ato në çastet më të domosdoshme. Poulidor kish më shumë muskuj por në harxhimin e energjive ishte më pak racional.
I talentuari Anquetil iu dukej njerëzve i pamëshirshëm në egon e tij për të qënë gjithmonë i pari. Me sjellje prej fisniku, i vlerësuar për talentin e tij sportiv, nuk ia falnin, nuk ia pranonin dot, që nuk toleronte të paktën që një garë të fitohej nga Poulidor. Me gjithë admirimin e padiskutueshëm, publiku nuk e ndjente aq të afërt sesa konkurentin e tij, të dytin e pafat Poulidor. Kaq dëshpërueshëm e kërkonte publiku një fitim titulli nga Poulidor sa mbështetjen dhe popullaritetin për atë e shprehnin me fjalët “Poupou- ja jonë, ( Pupu-ja jonë)”.
Konkurenca e tyre, e dhimbshme në fatin e keq të Poulidor si nënkampion i përhershëm e ndau Francën në dy kampe. Impaktin e kësaj konkurence të Tour de France mbi shoqërinë, sociologët francezë e shikonin si emblemë të Francës së re që avanconte dhe asaj të vjetër, të traditës. Në vitin 1972 TV francez bëri një anketë me fansat e Tour de France mbi arsyet se përse Poulidor ishte aq më popullor sesa Anquetil. Nje pjesë e njerëzve me moshë mbi mesatare u përgjigjën: Ai është provincial, ai flet me një Midi aksent, (aksent nga Franca qëndrore). Disa analistë e shikonin konkurencën Anquetil-Poulidor si shprehje tipike të aspekteve të ndryshme psikologjike të shoqërisë franceze përgjatë fillim viteve 60 e fundit të viteve 70. Anquetil përfaqësonte modernizmin, simbolizonte mëndjen e kërkuesit të së resë, teknologjinë e orientuar drejt ndryshimit që transformoi Francën gjatë kësaj periudhe, ndërsa Poulidor përfaqësonte traditën shpirtin rural francez me psikologjinë e vetkënaqsisë tipike. Kështu  Poulidor ishte në rolin e konkurentit që futej në garë me besim të lëkundur humbësi, ndërsa Anquetil konkuronte si favorit i përhershëm. Gazetari i njohur anglez Alan Gayfer shprehej: Anqutil është një qytetar nga Normandia me nuancë të foluri që u ka dhënë një famë banorëve të kësaj zone. Ata kanë një veçanti që kur thonë “Po”, pothuaj nënkuptojnë “Jo”. Kur e pyeta Anquetil në Londër nëse Poulidor mund të fitonte ndonjëherë  Tour de Francë ai u përgjigj: “Po, mundet. Por po qe se unë jam në garë atëhere unë gjithmonë e përfundojë atë para atij”. Gazetari amerikan Owen Mulholland shkruante: “Jo fort e ndjeshme për konceptin amerikan, por pamja e Jacques Anquetil mbi biçikletë të jep idenë e besueshme të një qëndrimi “aristokrati të natyrshëm”. Që në çastin e parë kur seriozisht filloi të garonte arriti të kishte një sens perfeksioni gjë që të tjerëve u duhej një jetë e tërë sportive për t’a arritur”.
Presidenti francez Francois Mitterrand e shprehu opinionin e tij për kampionin Anquetil me fjalët: “E admiroj për aftësitë e tij sportive dhe shpirtin inovativ. Një krenari fisnike u shtohet këtyre njerëzve që zotërojnë e  cfaqin një talent të madh”. Në studimin e tyre për fenomenin “I dyti i Përjetshëm” studjuesit francezë Jean-Luc Boeuf dhe Yves Leonard shkruajnë: “Ata që e njohën veten admirues të Jacques Anquetil pëlqyen te ai stilin e vecantë dhe elegancën tërheqëse. Mbrapa aparencës së tij fluide, të zhdërvjellët ishte imazhi i Francës që fitonte dhe i atyre njerëzve që identifikoheshin me atë. Njerëzit me interesa modeste e panë veten te Raymond Poulidor, fytyra e të cilit me shprehje sforcuese përfaqësonte jetën e mundishme të plotësuar në ato vënde ku ata punonin pa shijuar pushim. Deklaratat e Poulidor me plot sens të mirë e ngazëllonin turmën: “Një garë sado e vështirë zgjat më pak sesa një ditë pune e rëndë në fushë”. Këto e të tjera bënin që një pjesë e publikut të identifikohej me dikë që i kish rënë në pjesë një fat i keq dhe pozicioni i të dytit të përjetshëm. Duke shkëmbyer mendime mbi këtë duel që për mendësinë shqiptare është diçka e preferuar, argetuese, por që për mendimin tim e pahijëshme, do sjell këtu opinionin e një mikut tim me shije të holla, admirues të “Piktorit të Popullit” Sali Shijaku. Piktorit Shijaku shumë shpesh i akordohej vendi i dytë, duke i mohuar të parin në konkurset e Jubileve. Me një ton humori më thoshte: “Nuk ka gajle se I Pari bashkë me venin e parë merr edhe inotin e miletit. Të dytit i ngelet simpatia, mua më del ma mirë kështu”.
Përsa i përket dy ikonave tona Kadare – Agolli, një anketë e tillë për “të parin e të dytin” mendoj se është diçka provokative, për të ndezur një duel artificial.  Aq më tepër kur vet Agolli në një rast, në filmin e "Top Channel" për Kadarenë, iu drejtua këtij më fjalët: “Të duam shumë Kadare dhe unë të vë mbi veten”. Një thënie me modesti që e afron më shumë Agollin te Kadareja. Fatmirësisht, “Të Bukurën” njeriu e shikon dhe e shijon simbas mënyrës së vet. Përndryshe do thonim se 90% e njerëzve nuk do ishin martuar, ndërsa 10% që mbeten do ishin penduar mbas vitit të parë. Kjo është diçka e pranuar nga e gjithë bota. Ndërsa përsa i përket aplikimit në politikën shqiptare mendoj se kjo gjë kërkon mundime shumë, shumë të mëdha për t’u aplikuar.

AMANETI…!

Ose,-EDHE SYL DIDA ,E PRET NJË FJALE TE VARRI-! - Një kujtesë për miqtë e mi, në Krumë të Hasit 


– Nga Zeqir Lushaj


Interesant është jeta. Njeriu, ka detyrime të gjithanshme, nga më të ndryshmet. Për të gjallë, e për të vdekur. Bile, për të vdekurit, detyrimet e marrin një peshë, si të dyfishtë se, e kanë peshën e amanetit. Amanetet, nuk ban që të nënvleftësohen. Në traditën tonë kombëtare, amaneti është gati i njëvlefshëm, me besën e burrit, me Besën Shqiptare. Shpesh, këto të dy fjalë, trajtohen si sinonim. “Eshtë njeri, amanetqar”, - thuhet për tjetrin, e, është njësoj, sikur të kesh thanë: - “është njeri, besnik”!...Nisur nga ky konceptim, po e shkruaj këtë skicë-kujtesë,për (Vete), por, edhe për disa shokë e miq të mijtë, në Krumë të Hasit. Puna e solli që, kjo ditë, të më zërë largë, në anën tjetër të Botës, në Amerikë. Por, duke folë e duke shkruar, të paktën, e lehtësoj pak shpirtin tim!
... I ka kjo ngjarje, rreth këtu e 20 vjet të shkuara. Oda e burrave, në shtëpinë e Tahir Didës, ishte plot shokë e miq, të mbledhur, veç për qef. Në atë odë, janë bërë shumë ndenje burrash dhe shumë ahengje. Ai truell, ka qenë odë, gjithmonë. Por, këto dekadat e fundit, ka ndikue, për mirë, edhe fakti se, djali i Tahirit, Hysen Dida, i ka mbi 30 vjet që është ndoshta këngëtari më i spikatur i folklorit të Veriut. Me Rexhep Kovaçin e Lumës dhe me Rrustem Çelën  e Helshanit, janë një treshe rapsodësh që, nuk është e lehte të arrihen.
Edhe natën që po flasim, këta të tre, Dida-Çela-Kovaçi, ishin aty dhe, kënga kishte marrë hov. E, siç është normale, por, duket edhe nga kasetat që i kanë nxjerrë në treg, boshti I këngëve të tyre, është ai patriotik dhe historik, ku, Kosova zë ndoshta mbi 2/3 e repertorit...Syl Dida, ka qenë vëllai i madh i Tahirit, pra, axha i këngëtarit Hysen Dida. Një burrë i vogël nga trupi, por në këtë rast, është me vend të përdoret shprehja “i vogël, asht edhe florini”! E, Syl Dida, ka qenë një burrë flori, që më shumë i “peshonte” koka, se krejt trupi! Jo vetëm Kruma, tan Hasi, e njohin mirë emrin e Tij.Edhe katër djemtë, i ka në rrugë të mbarë...
Me Syl Didën, kam ndenjur shumë herë. I mençur, i matur,i saktë në faktet që përdorte, pa asnjë lëshim, në parimet e tij atdhetare. Kosovën e kishte pikë në zemër. Shpesh, ju thoshte
këngëtarëve: - Hajt bre, merrjani nja, qandej bre, qandej, - dhe i jepte dorës prej Kosove...
Oda buçiste dhe këngët me jehonë, ndjekin njëra-tjetrën me njëfarë rregullsie që, të krijojnë një unitet. Për Isa Boletinin,për Azem Bejten, Hasan Prishtinën, Bajram Currin, Ibrahim
Rugovën, për Bogdanin, Gërvallën, për Kurpalet… për cilin të duash, se, vargu është i pafund!
E, në pushimet e shkurtëra, nga kënga në këngë, bisedat janë nga më të ndryshmet. Syl Dida, mori leje, leje për me folë.
Dhe,ai burre i moshuar, u çue në kambë, si rrallë herë tjetër:
- Ndigjomëni, burra! Gjaku i derdhur për atë Kosovë,kurrë nuk mund të shkojë kot. Kjo punë, është e sigurtë.Kosova, ka me fitue lirinë. Pasha Zoten, Po! Unë, jam i vjetër,jam i lodhur. E kam kalue 80-ën dhe, e di se, nuk kam me e mrri atë ditë, po, kjo ditë, nuk do të vonohet, nuk ka se ku shkon ma andej kjo punë... Kjo dite ka me ardhe!
…I pushoi pak muhabetit. Ja shkoi njëherë dorën fytyrës.Na lëshoi të gjithëve, një shikim, si apelues (ndoshta për përqëndrim vemendje!) dhe, vazhdoi:
- Një amanet e kam për me jua lanë sonte, o burra!
Ndiej këtu, o Zeqir Lushaj, se,ju që shkrueni, nuk ju len shkrimi me i harrue porositë.
Ndiejmë o Naim Harajdini e,mire se na ke ardhë nga Suedia. Ndiejmë, o Refet Shehi!
Ndiejmëni këtu, o Hasan Peka,o Dan Gjeçi e Musa Dauti, o Avni Sheta! Ndiejmëni, o Rexhep Kovaçi, o Rrustem Çela!Ndiej ketu,o nipi im Halil Xhafa! Edhe ju, ma të rinjtë, ju lutna, me më ndije!
-Amanet, kur të çlirohet Kosova, kur Kosova të bahet e lirë dhe e pamvarune, kini me ardhë e, me ma pru atë lajm te vorri. Edhe i vdekur, atë lajm e due, atë fjalë, ju siguroj se, kam me e ndije!...
Dy pika loti u rrokullisën nëpër brazdat e faqeve të plakut e, u bashkuan, në quk të mjekrrës. Dhe, së bashku, nga mjekra, u këputën e ranë në votrën e shtëpisë, në token e Zotit, si për të na e përsëritur se: - jemi këtu, dhe: - “Amanetin, nuk e tret toka”!...
Dita e madhe, Dita e Pamvarësisë, po afron. Nuk duhet, as sesi të harrojmë që, këtë gëzim e kemi të përbashkët me varret, me varret e të parëve tanë, të breznive tona, që u flijuan për këtë ditë e, me mallin e kësaj dite. Amaneti i Syl Didës, nuk është vetëm i atij. Burrat e ditur, si Baca Syl, nuk kan fol kurrë, vetëm për veti! Ata, përfaqësojnë aspiraten shekullore të shqiptarëve... Miliona shpirtëra, përfaqësojnë!
Ta çojmë lajmin e fitores, gezimin e festes se Pamvaresie se Kosovës, edhe tek varret! Eshtë obligim, është detyrë shpirtërore, detyrë që Syl Dida,aq thjershtë e bukur, ”na e la në derë’ publikisht. Dhe, nuk ban te harrohet! Kurresesi.
Kurdo që të shkoj në Krumë, Unë, do ta kryej këtë amanet,por, jam larg, ne Amerike, ndaj, i bindur ne ardhjen shpejt te asaj dite, pres qe miqte e mije ne Krume te Hasit, ta kryejne
(secili per vete) shumë më parë se unë këtë detyrë! Ka qënë, një amanet kolektiv.
Unë, ndjej detyrë të jau kujtoj publikisht. Pastaj, secili, le ta kryej këtë amanet, siç e ndjen,në shpirtin e vet.

181 vjet nga lindja e Ismail Qemalit

                           Kërko brenda në imazh                         Nga Flori Bruqi  Teksa ngrinte flamurin e palosur të Skënderbeut pë...